Fragment nga romani  ‘Gjarpri i shtëpisë’ nga  Arif Demolli


Në shtatë vjetorin e vdekjes së shkrimtarit Arif Demolli, Kult Plus ua sjell një fragment nga romani i tij “Gjarpri i shtëpisë’.

Në atë farë fshati ishte një shtëpi… Shtëpia ku isha lindur dhe ku po e kaloja fëmijërinë, bota e tërë që po e njihja në vitet e para të jetës sime. Ajo ishte goxha shtëpi, me një bodrum poshtë dhe me tri dhoma lart (në midis ishte dhoma e zjarrit, kurse në të dy krahët e saj ishin dhoma jonë e fjetjes dhe dhoma e xhaxhait). Para derës së shtëpisë shtrihej një copë oborr, i ngushtë dhe i pjerrët, që merrte fund me dyert e mëdha me deriçkën përngjitur me to. Një herë, derisa dyert ishin të hapura dhe zbrazëtinë e mbushte hija e dendur e arrave të xha Fejzës, nuk e di pse, oborri ynë më qe dukur si një gjuhë e nxjerrë jashtë nga vapa e një qeni gjigant, kurse dyert – si goja e tij. Ndoshta pse ua kisha frikën qenve, ndodhte që ndonjëherë të më bëhej se po mblidhej nën këmbët e mia ajo gjuha e stërmadhe dhe kështu po më fuste në gojën e vet ai farë qeni gjigant i përfytyruar. Skajit të oborrit rridhte vija e hollë e ujit, sikur të donte ta njomte përherë gjuhën e atij qeni dhe kështu ta zbuste egërsinë e tij. Në njërën anë shtriheshin vatha, pojata, çilari dhe oda, kurse në anën tjetër ishin kopshti, lëmi, hambari dhe plemja. Nën të gjitha këto zbriste fort pjerrtas Ara e Bregut, ku kishte rrezik t’i thyeje jo vetëm këmbët, por edhe qafën. Po t’i shikoje nga Shpati (ku dilja shpesh me gjy- shen për t’i kullotur qengjat), krejt këto krijonin një pa- mje laramane: shtëpia ishte e mbuluar me qeramidhe, pojata me dushk, hambari e çilari me kashtë, kurse oda, e ndërtuar vonë, – me tjegulla, të kuqe gjak. Aty i shtrinin kurorat e tyre dy arrat e mëdha, ngriheshin përpjetë disa dardha, sesi i ngatërronin degët disa mollë e disa kumbulla, përpiqej të grabiste sa më shumë tokë një ftua me shumë trungje nga të njëjtat rrënjë, sikur të mos donte të rronte i vetmuar në atë vend, ku çdo pemë e kishte së paku një shoqe të llojit të vet. Nga Shpati shihej gjysma e shtëpive të fshatit. Përpiqesha t’i krahasoja dhe më dilte se shtëpia jonë ishte ndër më të bukurat. IN MEMORIAM 28 – Gjyshe, kush e ka shtëpinë më të bukur? – pyetja. Ajo i numëronte katër-pesë shtëpi dhe ndër to ishte edhe shtëpia jonë. -Ne, pëllumbi i gjyshes, – më shpjegonte ajo, – i kemi pasur të gjitha të mirat: edhe shtëpinë e mirë, edhe në vend të mirë, edhe tokën më pjellore se të askujt… vetëm meshkujt nuk i kemi pasur të hajrit. Prandaj, na ka mbetur vetëm kjo shtëpi si dëshmi e asaj se kush kemi qenë dikur. Po edhe kjo e shkreta i ka hequr një mijë të zeza. Sa e mbaj mend unë – kush mund ta dijë se ç’ka pësuar më përpara? – deri tash e kanë djegur tri herë… – Kush e ka djegur, gjyshe?! – Së pari e kanë djegur zaptijet e turkut, pastaj xhandarët e Serbisë dhe, së fundi, italianët… Doja të pyetja se ç’ishin ata farë zaptijesh, xhandarësh e italianësh, po më vinte keq ta preja në gjysmë rrëfimin e gjyshes. -Dhe secilën herë, – vazhdonte gjyshja, – e kemi ngrehur më të fortë e më të bukur. Së pari ka qenë me kashtë të zakonshme, së dyti me kashtë thekre tërë renda-renda, së treti me shinra… të gjitha të gdhendura me durim për inat të armiqve… dhe tash, si e sheh, e mbuluam me qaramidhe… që ta kenë më vështirë kur ta djegin sërish… Ndonëse nuk më kishte rënë të shihja ndonjë shtëpi duke u djegur, përfytyrimet e mia ishin më se të llahtarshme. – E pse e kanë djegur kështu vazhdimisht shtëpinë tonë? -Pse, a? Sepse të zotët e saj kanë qenë gjithmonë dofarë kryengritësish, kaçakësh, gjakësorësh, vullnetarësh… e ku ta di unë çka jo, të cilët nuk i shtroheshin dot as pushtetit të fshatit, as pushtetit të shtetit. Secili prej tyre ishte më kokëfortë e më i papërkulur se tjetri… Të gjithë njësoj: e mira e tërë botës, e keqja e kokës dhe e shtëpisë së vet… Më tej rrëfimet e gjyshes merrnin ngjyra të tjera emocionale dhe nuk e dije më në i qortonte për së vdekuri e për së gjalli ata burra kryeneçë (babai e xhaxhai domosdo ishin dy prej tyre), apo mburrej me trimëritë e tyre. Dikur ajo kridhej me tërë shpirtin në botën e kujtimeve të saj të pazakonshme dhe tashmë fliste hapur me mburrje e me krenari për vjehrrin, për burrin dhe për djemtë e saj, kurse mua më kapte njëfarë shqetësimi. Në fytyrën e saj të ndezur nga krenaria më dukej se e shihja flakën e shtëpisë dhe zija të dridhesha nga frika se dikush mund të na e digjte sërish shtëpinë dhe të na linte në titërr të lënd- 29 inës. Ajo pothuaj harronte fare se më kishte pranë (lëre më të mundohej të hynte në shpirtin tim të vogël e plot shqetësime), ia ngjallte vetes kujtimet e kohëve të shkuara, prandaj e merrte si krejt të zakonshme djegien e herëpashershme të shtëpisë sonë dhe derisa e shikonte atë sikur mrekullohej dhe u thoshte në vetvete ndezësve të ardhshëm: “Do t’ia merrni të ligat shtëpisë sonë! Muret i ka prej guri, pullazin prej qeramidhesh, digjeni në mundshi!”. Për një çast trimërohesha edhe unë. Besoja se nuk mund ta digjnin po t’i lëshoheshin të gjithë ndezësit e botës, prandaj lirisht mund të bëhesha edhe unë kryengritës, kaçak, gjakësor, vullnetar e çkado që të më tekej. Dhe ia shihja vetes për të madhe pse isha shqetësuar e isha frikësuar kot së koti. Po mua më tepër ma nxitnin kureshtjen ata që fshihnin përbrenda të gjitha ato që i takonin shtëpisë dhe oborrit tonë, sesa t’ia shikoja ashtu për karshi dhe t’i dë- gjoja rrëfimet e gjyshes për kohët e djegësve të pamëshirshëm. Isha në një moshë kur nuk më rrihej në një vend, as nuk mund të kënaqesha dot me një të shikuar. Hyja e dilja prej një dhome në tjetrën nga disa herë në ditë. Zbritja me kënaqësi në bodrum me nënën dhe me gjyshen, kur shkonin ta milnin lopën. U shkoja pas në pojatë. Kisha dëshirë të ndukja edhe unë kashtë a sanë me kërrabë në pleme, t’i shihja zogjtë se si hynin e dilnin nëpër pallzina, t’i kërkoja e t’i gjeja çerdhet e tyre, me të cilat ishte plot kashta e pullazit. Edhe në çilar e në hambar mund të ndiente njeriu një kënaqësi të veçantë, sidomos po ta shikonte botën nëpërmjet pallzinave të tyre. Kështu, secila më dukej më tërheqëse se tjetra, kurse çdo herë që hyja në ndonjërën prej tyre më bëhej se zbuloja diçka të re, apo ato që i kisha parë tash më dukeshin disi më ndryshe. E sidomos bodrumi më tërhiqte me njëfarë fuqie magjike. Ashtu i errët, tërë pleh, ku gati ta zinte frymën duhma e shurrës dhe e bajgave që digjeshin, me vatrën e mbetur shkret (bodrumi kishte qenë dikur dhomë zjarri), me raftet anash saj dhe me dollapët në të gjitha muret, ku tash pulat i bënin furriqet – gjithnjë më dukej plot fshehtësi, plot b 30 rënë. Kishin mbetur vetëm gurët e zhvoshkur, kurse ndërmjet tyre i hapnin gojët vrimat e panumërta, formash dhe madhësish të ndryshme. Ashtu të shplarë edhe nga grimca e fundit e baltës së dikurshme ndërlidhëse, gurët dukej se kacavareshin apo se rrinin pezull fare dhe vetëm pritnin çastin të shembeshin. Hardhucat hynin e dilnin nëpër ato vrima si në shtëpi të vet. – Duhet të mbajmë sa më shumë pula, – thoshte gjyshja, – sepse, si na është bërë ky bodrumi ynë – sikur të mos kishim burrë në shtëpi – do të na mbysin gjarpërinjtë. Pulat, sikur vërtet ta kishin kuptuar këtë mendim dhe këtë frikë të gjyshes, shkonin e shpurthnin tërë ditën e lume pikërisht rrëzë mureve të bodrumit dhe përreth plehut, ku shpesh gjenim vezë gjarpërinjsh. Ato ishin më të mëdha se të vremçave dhe më të vogla se të pulave – ve të tjera nuk më kishte rënë të shihja – më dukeshin të bukura dhe më pëlqente të luaja me to. Prandaj, i kërkoja me ngulm dhe kjo dëshirë do të më mbetej përgjithmonë, derisa të rritesha, sikur nga një sosh të mos më dilte një gjarpër i vogël, i hollë, tërë lara… Ai filloi të zvarrisej tërë qejf, sikur mezi të kishte pritur ta çliroja nga gëzhoja e vezës së tij, duke e nxjerrë ritmikisht thimthin e tij të vocërr. Unë bërtita dhe as dita të ikja nga tmerri, gjarpri ikte lakadredhas, një pulë e vuri re dhe sakaq e goditi në kokë me sqepin e saj të sigurt, vdekjeprurës. Ja, nuk ishte e thënë që të rronte më gjatë, të bënte më tepër se një hap rrugë, as të shihte më shumë se një pleh, një fëmijë të trembur dhe një pulë vrastare, në e pastë parë fare, duke qenë i mrekulluar nga drita që po e shihte për herë të parë dhe nga sendet, të cilave ajo u jep shkëlqim dhe ngjyra. Nga kjo ditë nuk guxova të luaja dhe më me vezë gjarpërinjsh. Edhe murin e çaraveshur zura ta shikoja me frikë gjithnjë më të madhe. Tamam kur në shpirtin tim nisi të lëshonte rrënjë gjithnjë më të thella kjo frikë, në dhomën tonë të fjetjes, në pikë të ditës, e gjetëm një gjarpër të madh. Ishte shtrirë në tërë gjatësinë e shtrati, fare i qetë, thuajse ndodhej në shtrat të vet e jo në shtrat të botës. Nëna këlthiti. Mua, që po i shkoja bisht pas, nuk më doli as zëri nga frika. Gjyshja hyri me nxitim në dhomën tonë. Ajo sikur u qetësua nga ajo që pa në shtrat. 31 – Dil përjashta, – i tha nënës. – Jepi djalit ujë që t’i kalojë frika. Nëna më dha ujë dhe piu edhe vetë. Gjyshja mbeti të merrej vetëm me gjarprin. Nuk ka më trime se gjyshja, mendoja. Pa e prishur fare terezinë – kjo mbresë mund të fitohej nga zëri i saj – zuri t’i fliste gjarprit. Fjalët e saj ishin të qeta, të ëmbla, plot kujdes e perkëdheli. E luste të mos na bënte keq, të largohej nga shtrati ynë dhe të strukej në vrimën e vet. Herë pas here e vidhja me bisht të syrit se ç’bënte gjyshja e si ia dëgjonte fjalët gjarpri – uji vërtet më kishte qetësuar pak – dhe nuk mund t’u besoja as syve, as veshëve të mi. Gjarpri, sikur t’i thoshte gjyshes: “Ndonëse më pëlqen të prehem në këtë shtrat të pastër, që kundërmon erë sane të re, po iki, po ta bëj qejfin, pasi qenke kaq plakë e mirë e trime”, zbriti nga shtrati, e trupoi dhomën dhe u fut pak me përtesë në një vrimë të murit, skaj dyshemesë. – Pse nuk e thirre dikë nga burrat që ta mbyste?! – pothuaj e qortoi nëna. – Si të flemë tash në këtë dhomë, kur e dimë se në atë vrimë është strukur një gjarpër aq i madh?! Gjyshja e shikoi nënën më tepër me keqardhje e me habi, si të ishte e vogël fare, sesa me hidhërim. – Si të mbytet, moj, gjarpri i shtëpisë?! Je në vete ti? Ai është roja jonë… Nëna u skuq dhe e uli kokën. Ishte turp të flitje keq për të, apo të mos e njihje fare gjarprin e shtëpisë. Si të mos kishte ndodhur gjë fare, gjyshja u ul në stolin e saj pranë vatrës, e futi në shokë furkën tërë zbukurime, i dha hov boshtit gati të mbushur plot dhe pastaj filloi t’i fliste nënës, duke i mbajtur sytë në fundin e shtëllungës së leshit, prej nga dilte peri: -Si nuk e ditke, moj, se gjarpri i shtëpisë nuk të kafshon?! Ku më je rritur ti që nuk e paske mësuar?! – E di, e di, – u përgjigj nëna e turpëruar. – Ama sa vlen kjo, kur rrëqethem sapo ta kujtoj gjarprin, e lëre më edhe ta shoh në shtratin tim, ta di se e kam në dhomë, se mund të më futet nën jorgan, në gji të fëmijëve… -Edhe në u futtë, nuk u bën gjë, – fliste gjyshja me siguri të plotë. – E kam gjetur gjarprin unë edhe nën jorgan, edhe në djep të burrit tënd kur IN MEMORIAM 32 ka qenë foshnjë… I kam folur dhe ai më ka dëgjuar, është futur në vrimë të vet… Mbaje mend, se je e re ti, gjarpri është rojë e robëve të shtëpisë. Kur ne flemë, ai kalon mbi trupat tanë që të na mbrojë. Ku ka gjarpër, nuk ka të keqe… – E si na mbron, gjyshe? – pyeta, pasi nuk më bindën fjalët e saj. – Si?! – u zu ngushtë ajo. – Këtë nuk e di as unë… Gjarpri është fshehtësi e madhe… Ai ashtu na duket, por vetëm zoti e di se ç’fshihet nën lëkurën e tij… dhe sa është… sa fuqi ka… Gjarpri mund të jetë edhe njeri… Ta kam treguar atë përrallën për djalin gjarpër që martohet me çikën e mbretit? – Po, gjyshe. – Edhe ata kanë menduar se ajo është martuar me gjarpër, po ç’djalosh i bukur na ka qenë ai! Gishtat e thatë të gjyshes e nduknin dhe e ngjeshnin leshin me shpejtësi të pabesueshme, boshti sillej aq shpejt sa agërshaku gati nuk shihej fare. Gjyshja e ndër- prente pakëz rrëfimin sa për t’i pështyrë gishtat, kurse unë sakaq tretesha në përfytyrime të botës mahnitëse e plot befasi të asaj përrallës për djaloshin 33 Gjyshja vazhdoi të fliste, nëna gjeti një arsye dhe doli përjashta, kurse mua më kujtoheshin përralla e rrëfime të ndryshme për gjarpërinj e për bolla. Ishte rrëqethës sidomos rrëfimi për një bollë të gjatë sa një litar, me flokë të kuqe si një vajzë, e cila i mbyste njerëzit që hynin në livadhin ku rronte ajo. Më bëhej se e ndieja se si ma shtrëngonte trupin ajo bollë gjigante dhe pastaj sesi e fuste kokën e saj nën sqetullën time, që të ma shponte trupin dhe të ma hante zemrën… Dora më shkonte vetvetiu së pari nën sqetull, pastaj mbi zemër… Zemra ishte aty dhe rrahte pak më shpejt se zakonisht, duke treguar kështu jo vetëm se ishte aty, në vendin e vet, shëndoshë e mirë, por edhe shqetësimin tim. Pas kësaj ngjarjeje frika erdhi duke m’u shtuar me hov për çdo ditë e për çdo natë. Ditët i kaloja disi, ama netët donin të më çmendnin fare. Sapo fikej drita, më bëhej se më sulej një gjarpër në fytyrë. Bërtitja. – Ç›ke? – më afrohej nëna. – Po kam frikë, – mezi flitja. – Ih, edhe ti! Duke u rritur, duke u bërë më frikacak! E sheh se nuk ka gjë?! Fli tash! Ja, edhe llambën po ta lë të ndezur. Nëna e ndizte Ilambën, ia ulte fitilin që të mos shpenzonte shumë vajguri dhe shtrihej. – Ke frikë tash? – më pyeste. – Jo, – i thosha, duke ia ngulur sytë dritës së zbehtë të llambës, sikur prej saj të më vinte shpëtimi. Babai kishte filluar të gërhiste kaherë. Edhe nëna flinte. Unë përpiqesha të rrija zgjuar, duke e endur shi- kimin prej dritës së llambës nëpër trarët e tavanit dhe prej trarëve te drita, gjithnjë duke u përpjekur të mos e lëshoja shikimin poshtë te dyshemeja, në fund të murit, ku ishte vrima e atij gjarprit të tmerrshëm. S’e di sa rrija ashtu, po dikur qepallat më rëndoheshin dhe gjumi pa- pritmas më kapte në kurthin e vet. Ëndrrat më shfaqeshin secila më frikësuese se tjetra. Shembje dhe gjarpërinj. Përnjëherësh shembeshin muret e bodrumit, gurët merr- nin rrokullisjen teposhtë Arës së Bregut, kurse gjarpërinjtë dilnin grumbuj-grumbuj prej tyre dhe, duke bërë leqe me trupat e tyre të shkruar e duke i nxjerrë thimthat, vinin drejt meje, donin të më hidheshin sipër bashkë me tavanin, i cili tashmë kishte mbetur pezull pas shembjes së mureve. IN MEMORIAM 34 Këlthitja dhe ia nxirrja vetes gjumin me zërin tim, apo më tundnin e më zgjonin prindërit, nuk e kuptoja dot. Kur i hapja sytë, veten e shihja të ulur në cep të shtratit. Anash më qëndronin prindërit, të cilët nuk mund të ma gjenin çarenë. Llamba vazhdonte ta dridhte atë dritën e vogël e të dobët. Muret ishin të tëra e të bardha, si gjithmonë. Tavani – në vendin e vet, i nxirë dhe i bluar nga krimbat si mos më keq, i bërë blozhdë. – Ç›pate? – më pyetnin. – Ç›të trembi? Në sy ua shihja frikën, shqetësimin, dhembshurinë. I shikoja i hutuar, duke u dridhur, pa mundur të vija në vete, pa arritur të kthehesha plotësisht në botën e qetë të dhomës sonë. – Pse bërtite? – më pyetnin sërish. – Na trego… Ç’po të dëftohet? -Gjarpërinjtë… gjarpërinjtë dhe bodrumi… – mezi përgjigjesha dhe trupin ma përshkonin të rrëqethurat. – Ç›gjarpërinj?! Ç›bodrum?! -Bodrumi po shembet… gjarpërinjtë po dalin prej vrimave të veta… po më sulmojnë… Më shikonin me habi, me frikë, me shqetësim, me dhembshuri. -Ç›gjarpërinj? – babai përpiqej të më largonte nga ankthi i ëndrrave të mia. – E sheh, këtu nuk ka asgjë. Edhe ne jemi me ty. Edhe llambën po ta lëmë të nde- zur… Ndërkaq, bodrumi është i fortë… nuk mund ta rrëzojë as gjylja e topit… – Nesër duhet të shkosh te hoxha, – i pëshpëriste nëna babait. Ai sesi mëdyshej në vetvete e nuk thoshte gjë. Për çdo natë ëndrrat vinin duke m’u bërë më të tmerrshme. Nuk më ndihmonin gjë as prania e prindërve, as llamba e ndezur, as fjalët më të ëmbla të botës… Më sollën hajmali të shumë hoxhallarëve. M’i vunë ato në trup, nën jastëk, ku jo? Ma dhanë ta pija ujin e tyre dhe ujin e shehlereve, të cilat më kishin shkrirë plumb (nëna thoshte se plumbi tregonte shumë gjarpërinj të lidhur lëmsh). Edhe në tyrbe ma shpunë një rrobë trupi. Edhe baba shehu më përbiroi nëpër tespihet e tij të gjata, duke kënduar dua arabisht… Mirëpo, gurët dhe gjarpërinjtë e ëndrrave të mia sikur vetëm merrnin forma të reja nga çdo hajmali dhe nga çdo të yshtur. Gurët rro- kulliseshin gjithnjë 35 më marramendshëm teposhtë Arës së Bregut, gjarpërinjtë lakadredheshin e nxitonin gjithnjë e më shumë drejt meje, tavani më zbriste një pëllëmbë mbi kokë… Dhe do të binte e do të ma zinte frymën sikur të mos bërtitja me sa zë kisha dhe sikur prej zërit tim të mos trembeshin të gjithë, të mos e ndalnin hovin dhe të mos pendoheshin për atë që kishin dashur të bënin: gurët ktheheshin sërish në mure, gjarpërinjtë fshiheshin në biruca, tavani nderej mbi kokat tona dhe qëndronte më se i sigurt mbi të katër muret… Ja, papritur të gjitha shta- ngeshin në vend dhe të mbushej mendja se ashtu të ngrira kishin qenë gjithmonë. Vetëm nëna dhe babai viheshin në lëvizje: kërcenin të trembur nga shtrati, më jepnin të pija një gëllënkë ujë, përpiqeshin të më sillnin në vete më fjalët më të ëmbla. Me të mbaruar të të shirave babai na çoi te dajat. – Po të çoj më herët se viteve të tjera, – i tha babai nënës, – që djali ta ndërrojë pak vendin dhe që gjyshja e tij t’i kërkojë farë ilaçi për ato ëndrrat. Nëna mezi priste të shkonte në gjini. Edhe unë u gëzova shumë. Më kishte marrë malli për gjyshen. Për një çast i harrova edhe gurët e zhvoshkur të bodrumit, edhe gjarpërinjtë, edhe hajmalitë. Fshati i dajave ishte një botë krejt tjetër kundruall Murrizajës. Atje kishte vetëm pyje të mëdha ahu, ku nuk mund të hynte as drita e diellit, lëndina me fier dhe tek-tuk ndonjë arë. Kishte shumë lajthi, kumbulla dhe patate. Lajthi dhe kumbulla kishte edhe te ne, po patate nuk kishte. (Ndonëse e kishim tokën më të mirë në botë, thoshin se nuk i bënte patatet, prandaj nuk mbillte njeri). Unë i doja shumë patatet dhe vazhdimisht e përfytyroja gjyshen duke i nxjerrë nga prushi patatet e pjekura. Ahet i gjetëm ashtu madhështore e të errëta si edhe herat e tjera. Fierin të skuqur dhe aty-këtu të kositur (ua shtronin kafshëve dhe e hidhnin mbi kulme shtëpish). Lajthi dhe kumbulla mund të shihje edhe ndanë rrugës. Gjethet e patateve shiheshin në çdo arë, po ato vetë ishin fshehur thellë në dhe, sikur ta kishin kuptuar se ç’me- raklinj po u urdhëronin në fshat. E merrja me mend se atyre së para u pëlqente t’i hidhje në zjarr, t’i piqje dhe t’i haje pastaj. Edhe shtëpia e dajave ishte po ajo, mbase pak më e rrëzbitur: e zezë futë nga tymi (kishin qorroxhak), por disi e ngrohtë, e dashur. Nuk kishte bodrum dhe ende pa hyrë mirë në të e ndieja veten të sigurt. IN MEMORIAM 36 E vumë re edhe njeriun e parë, gjyshen. Ishte në lëmë. Ashtu e vogël, e hajthme dhe e gërmuçur, hidhte dy-tri tërplote në hava, pastaj e linte tërplotën menjanë që me fshesë ta lante grumbullin e drithit nga kashtëzat dhe nga kallëzat. Ajo punonte me nguti, që ta hidhte drithin para se të binte terri, prandaj as kishte kohë të shikonte anash. – Gjyshe! – e befasova. Ajo e hodhi fshesën, më shtrëngoi fort në parzmën e saj të ligësht, m’i përkëdheli flokët dhe më tha: – Qenke bërë burrë, lum gjyshja për ty! Në mbrëmje u mblodhën të gjithë rreth vatrës, pos dajës, i cili se ku ishte argat. Drita e fitilaçes ishte aq e dobët, sa nuk mund shihje as të haje, lëre më të punoje gjë (gratë domosdo duhej të thurnin diçka, sidomos nëna, që vetëm tash kishte kohë më shumë për çorapët, jelekët e dorezat tona dhe për pështjellakët e vet dhe të gjyshes). Babai u ngrit, e mori fitilaçen nga gozhda dhe pastaj, pak prej së larti e si zot shtëpie e jo si mysafir, i tha nuses së dajës: – Ma sill një gjilpërë! Ajo zuri të sillej si e ndërkryer nëpër mugëtirën e dhomës, duke gjëmuar sikur të kërkohej të bënte një gjë të pamundshme. Dikur mezi ia solli babait gjilpërën. -Merre, – i tha me zë të dridhur, – po mos ia ngrit shumë, se nuk bën, se prishet… – Këtë e di unë, – iu përgjigj prerë dhe me mospërfillje babai dhe ia rriti flakën derisa zuri të nxirrte tym. – Nuk do të fikeni për një natë, xhanëm. Nesër- mbrëma, pasi të kem ikur unë, po deshët mos e ndizni fare. -Të lumtë dora! – e uroi gjyshja me gjysmë zëri, nga frika se po e dëgjonte e reja. – Më verbuan para kohës. I ka bashkuar zoti… Në ato fjalë u hap dera. – Ç›e keni çuar aq shumë fitilin e fitilaçes?! – e dëgjuam më parë zërin e dajës sesa e pamë atë vetë. Kur na pa ne, e uli zërin, u përshëndet me mysafirët, po më dukej se syri i kishte mbetur te drita e fitilaçes. Rrija në një qoshe dhe ç’mendoja. 37 – Eja në prehrin tim të të dhuroj diçka. U ula në prehrin e ngrohtë të gjyshes dhe iu dorëzova dëshirës së saj posi një qengj i perkëdhelur. Ajo se ç’më vuri rreth qafës. E ndjeva vetëm se qe e ftohtë. – Sa i bukur! – tha nëna tërë kënaqësi. E shikova për së kithi: ishte një krahosh fort i bukur, me gjithfarë larash e me plot rrusha tërë lajle. – Ta bajë djali, që të mos i bjerë mësysh, – tha gjyshja. – Ma ka punuar për qejf një arnaute… Dajat i quanin kështu gratë e disa fshatrave fqinjë, të cilat vishnin dimi të leshta, dofarë rrobash të tjera të veçanta dhe punonin me rruaza gjithçka, me të cilat e stolisnin çdo pjesë të veshjes dhe të trupit. – Duart e arta i kanë këto arnautet! – i mburri gjyshja. – Ç’u sheh syri e punon dora. E shihni, e ka punuar gjarprin si të ishte i gjallë, me lara, me sy… – Gjarprin! – këlthita dhe brofa në këmbë i shastisur. Nëna, që ma dinte hallin, më kapi për krahësh. – Rruaza janë ato, rruaza… – më fliste ajo, pa e ditur se si të më sillte në vete. – Ja shikoji, preki! Ma hoqi krahoshin nga qafa dhe ma afroi ta prekja. Po unë u struka në një kënd të dhomës, pa guxuar as ta shikoja atë krahosh në formë gjarpri, i cili më dukej se ende po ma shtrëngonte fytin, kurse nga ftohtësia e tij më ngjethej trupi. Unë mbeta ashtu në kënd, kurse babai e nëna se ç’i shpjegonin diçka gjyshes me zë të ulët që të mos i dëgjoja unë. E qartë: flitnin për mua dhe për frikën time. – Si, more?! – foli gjyshja me zë pak më të lartë sa ta dëgjoja edhe unë. – Deri tash nuk më ka rënë të dëgjoj të jetë frikësuar fëmijë nga rruazat. I ç’brumi na qenka ky nipi im?! Më vinte shumë keq se pse ia kisha lënduar zemrën gjyshes sime të mirë, duke e refuzuar një dhuratë aq të bukur, po ç’të bëja, pasi frika ime, si çdo frikë tjetër, kishte shpërthyer krejt papritur dhe pa dëshirën time? As gjyshja nuk mund të vinte në vete pas kësaj ngjarjeje. Të nesërmen, sigurisht jo pa keqardhje, gjyshja e bëri copë-copë atë krahosh të mrekullueshëm. Rrethin në formë gjarpri e la për tezet e mia të IN MEMORIAM 38 vogla, që ta varnin në qafë pasi të ikja unë, kurse rrushat m’i vuri në jelek dhe në flokë, që të mos i shkonte krejt kot mundi asaj arnautes duarartë dhe që syri i keq të ikte sa më larg prej meje. Ndonëse te dajat e ndieja veten shumë më mirë, ndodhte që ndonjëherë të ëndërroja se si ngjallej ai gjarpri i krahoshit dhe zinte të ma shtrëngonte fytin… Kështu, krejt në ankth, më kaluan edhe vjeshta, dimri, gjysma e pranverës… Atëherë babai u kujtua t’i lyente me baltë faqet e jashtme të mureve të bodrumit dhe të më sillte dy gjarpërinj të mbytur. – Ja, – më tha, – murin e leva që të mos mund të hyjë në të as buburreci, kurse gjarpërinjtë i mbyta që të gjithë. Tash fli i qetë. Gjarpërinjtë me koka të çallamitura i vari në gardh. Po t’i prekje me thupër, trupat e tyre, e sidomos bishtat, lëviznin ende. – Baba, ata lëvizin! – thashë me shqetësim e me frikë, derisa fëmijët e tjerë i preknin për t’u argëtuar. – Do të ringjallen dhe… – Jo, jo, nuk do të ringjallen, – ma priti babai me një ton të zërit që të jepte siguri të plotë. – Sapo të perëndojë dielli, nuk do të lëvizin më. Në mure nuk kishte mbetur plasë as për të hyrë maja e briskut, e lëre më vrima për gjarpërinj. Plehu ishte hedhur i tëri në ara, vendi i tij ishte bërë tepsi. Gjarpërinjtë e mbytur u ngrinë, përgjithmonë, me të perënduar të diellit; kot i preknin me thupër, muskujt e tyre nuk do të lëviznin kurrë më për jetë të jetëve. E mora edhe unë një thupër. E preka të parin: ishte bërë koçan. E preka të dytin: po ashtu. Tash e ndjeva njëfarë sigurie të papandehur, njëfarë çlirimi të atypëratyshëm nga ankthi që më kishte mbajtur në kthetrat e veta aq muaj me radhë. Po nga ëndrrat e mia shembjet dhe gjarprinjtë u larguan shumë më ngadalë, me manovrime të papritura, me tërheqje taktike dhe me sulme të sërishme krejt të befasishme. Ndodhte kështu, sepse ishte e pamundshme që rreth e përreth të mos shihje gjarpërinj për çdo ditë e në çdo gjë. Gjarprin e skalitnin në arka të nuseve, në kërroqe, në dërrasa të 39 tavanit, në bisht të kosës, në kënata, në ibrigë e në kalanica, e qëndisnin në këmisha, e punonin për qafore e për byzylykë, e paraqitnin në qilima e në sixhade… Madje edhe ato vijat zigzag zbukuruese të ço- rapëve dhe të punëdoreve të tjera të kujtonin gjarprin, të thjeshtuar e të shndërruar tashmë në shprehje simbolike. Ndonëse nuk e kuptoja pse ndodhte kështu, gjithnjë e më tepër po bindesha se as plakat, as pleqtë, as burrat, as gratë, as vajzat nuk mund ta merrnin dot me mend pa ato figura të pafund e aq të larmishme të gjarpërinjve. Gjarprin e nderonin të gjithë dhe nuk ishte aspak në rregull t’ia kishe frikën, apo, ruajna zot, ta urreje. Dhe përpiqesha të mësohesha me të. Disa vjet më vonë, pasi kisha dëgjuar aq shumë përralla të reja për gjarprin, kisha parë aq shumë skalitje, qëndisje e endje të tij dhe pasi kisha parë shumë gjarpërinj të gjallë, sërish ma përshkuan trupin të dridhurat, kur në derën e oborrit të një bashkëfshatari, tek i cili babai më kishte dërguar të kërkoja diçka, e vura re se trakulloja vinte disi si gjarpër. Përnjëherësh më sulmuan të gjitha ato kujtime e ëndrra të ankthshme të dikurshme. E përmblodha veten, e ngrita dorën dhe trokita tri herë, me guxim, gjithnjë më fuqishëm se herën e mëparshme. Të trokiturat jehuan të qarta, të sigurta, të fuqi- shme… Ato sikur shprehnin ngadhënjimin tim përfun- dimtar mbi ankthin e frikës nga çfarëdo gjarpri, e jo vetëm prej atyre të shtëpisë, apo prej atyre gjarpërinjve të pajetë, të cilët qëndronin gjithmonë në të njëjtin vend dhe në të njëjtën pozitë nëpër arka, bishta kose, kërroqe, tavane, qilima, këmisha… Kur u rrita edhe ca, më hyri meraku të kisha një brisk. Ëndërroja se si do të punoja një mulli të vogël, me rrotë që do ta sillte uji i Gurrës, me gur të bërë nga një copë gërnaç, me dizhmë, me koshin e drithit, madje edhe me një çakallë sa grima… Doja të gdhendja edhe një shkop të bukur, ta thurja një shportë për gjyshen, t’i punoja disa drugëza ojmesh për Beharen… Xhaxhai vërtet ma plotësoi dëshirën. Brisku që më bleu në Prishtinë m’u duk më i bukur se asnjë brisk që kisha parë ndonjë herë. Nxitova në oborr që ta provoja në prente mirë, në i lakohej maja. Syri ma kapi një copë shkopi lajthie. Pa e kuptuar as vetë se ç’doja të punoja, zura ta skalitja në të figurën e gjarprit. Brisku ishte shumë i mprehtë, maja ishte IN MEMORIAM 40 e fortë dhe shumë e përshtatshme, prandaj as e hetoja se si ia gdhendja kokën, gojën e hapur, syrin, vijat dhe larat e trupit, bishtin e përdredhur, madje edhe thimthin e nxjerrë përjashta, pa më shkuar aspak ndër mend se ç’tmerr më kishin futur në shpirt dikur ato vija, ata sy, ai thimth… / KultPlus.com

Kush ishte mbretëresha Elizabeth II, monarkja më jetëgjatë britanike – Jeta e saj ndër vite

Në kohën e lindjes së saj më 21 prill 1926, princesha e atëhershme Elizabeth ishte e treta në radhën e fronit – vajza e madhe e një djali të dytë, dhe për këtë arsye konsiderohej e pamundur të sundonte. Pas 10 vitesh, ajo u bë trashëgimtarja më e mundshme pasi xhaxhai i saj abdikoi, duke e zhytur vendin në krizë.

Në vitin 1947, ajo u martua me Princin e guximshëm Philip të Greqisë dhe Danimarkës, me çiftin që qëndroi së bashku për 73 vjet. Ndërsa udhëtonte në Kenia në shkurt të vitit 1952, ajo mësoi se babai i saj kishte vdekur dhe kështu filloi mbretërimi i monarkes britanike më jetëgjatë në histori.

Që nga qershori 2022 ajo ishte gjithashtu monarkja e dytë më e gjatë mbretëruese në historinë botërore. Në shtator 2015, Elizabeth tejkaloi rekordin prej 63 vjetësh e 216 ditësh në fron të mbajtur nga mbretëresha Victoria (stër-stër-stërgjyshja e saj) për t’u bërë monarkja britanike më jetëgjatë në histori.

Ndërsa në shkurt 2022, Mbretëresha Elizabeth festoi ‘Jubileun e Platinit’ të saj, duke shënuar shtatë dekada shërbimi ndaj Commonëealth.

Ngjitja në fron

Në verën e vitit 1951, shëndeti i mbretit George VI filloi të përkeqësohej dhe Princesha Elizabeth e përfaqësoi atë në paradën e ngjyrave dhe në funksione të tjera zyrtare. Më 7 tetor ajo dhe bashkëshorti i saj nisën një turne shumë të suksesshëm në Kanada dhe Uashington.

Pas Krishtlindjeve në Angli, ajo dhe Duka u nisën në janar 1952 për një turne në Australi dhe Zelandën e Re, por gjatë rrugës, në Sagana, Kenia, lajmi i vdekjes së Mbretit arriti më 6 shkurt 1952. Elizabeta, tani mbretëreshë, u kthye menjëherë në Angli.

Tre muajt e parë të mbretërimit të saj, një periudhë zie e plotë për të atin, i kaloi në një izolim relativ. Por në verë, pasi u zhvendos nga Clarence House në Buckingham Palace, ajo mori detyrat e zakonshme të një monarku dhe mbajti hapjen e saj të parë zyrtare të Parlamentit më 4 nëntor 1952.

Kurorëzimi i saj u bë në ëestminster Abbey më 2 qershor 1953.

Nga nëntori i 1953, Mbretëresha dhe Duka i Edinburgut ndërmorën një turne gjashtëmujor rreth Komonuelthit, i cili përfshinte vizitën e parë në Australi dhe Zelandën e Re nga një monark britanik në fuqi. Në vitin 1957, ajo dhe Duka vizituan Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara.

Gjatë “Jubileut të saj të Argjendtë” në vitin 1977, ajo drejtoi një darkë zyrtare në Londër ku morën pjesë liderët e 36 anëtarëve të Komonuelthit, udhëtoi në të gjithë Britaninë dhe Irlandën e Veriut dhe bëri turne jashtë shtetit në Paqësorin Jugor dhe Australi, në Kanada dhe Karaibe.

Mbretëresha Elizabeth dhe Princi Filip

Elizabeth dhe Margaret kaluan pjesën më të madhe të Luftës së Dytë Botërore duke jetuar veçmas nga prindërit e tyre në Kalanë Windsor, një kështjellë mesjetare jashtë Londrës. Në vitin 1942, mbreti e bëri Elizabetën një kolone nderi në Gardën e 500 Grenadierëve, një regjiment i ushtrisë mbretërore.

Dy vjet më vonë, ai e emëroi atë anëtare të Këshillit të fshehtë dhe Këshillit të Shtetit, duke e lejuar atë të vepronte në emër të tij kur ai ishte jashtë vendit.

Në vitin 1947, menjëherë pasi familja mbretërore u kthye nga një vizitë zyrtare në Afrikën e Jugut, u njoftua fejesa e Elizabeth me Princin Filip të Greqisë dhe një toger të Marinës Mbretërore. Ajo e njihte kur ishte vetëm 13 vjeç dhe marrëdhënia e tyre u zhvillua përmes vizitave dhe korrespondencës gjatë luftës.

Edhe pse shumë në rrethin mbretëror nuk e konsideronin Filipin për shkak të mungesës së parave dhe gjakut të huaj (gjerman) – madje edhe babai i saj nuk e miratoi – Elizabeta ishte e vendosur dhe shumë e dashuruar. Ajo dhe Filipi u martuan më 20 nëntor 1947 në Westminster Abbey.

Djali i tyre i parë, Charles (Princi i Uellsit) lindi në 1948, ndërsa vajza e tyre, Anne (Princesha Royal) erdhi dy vjet më vonë. Elizabeth dhe Philip ishin të martuar për 73 vjet, derisa Princi Philip vdiq në prill 2021 në moshën 99 vjeçare.

Monarkia moderne e Mbretëreshës Elizabeth

Jashtëzakonisht popullore gjatë pjesës më të madhe të mbretërimit të saj të gjatë, mbretëresha është e njohur për interesimin serioz për qeverinë dhe çështjet politike, përveç detyrave të saj ceremoniale, dhe i njihet merita për modernizimin e shumë aspekteve të monarkisë.

Mbretëresha dukej se ishte gjithnjë e më e vetëdijshme për rolin modern të monarkisë, duke lejuar, për shembull, transmetimin televiziv të jetës familjare të familjes mbretërore në 1970.  Megjithatë, në vitet 1990, familja mbretërore u përball me një sërë sfidash.

Në vitin 1992, një vit që Elizabeth e përshkroi si “annus horribilis” e familjes mbretërore, Princi Charles dhe gruaja e tij, Diana, Princesha e Uellsit, u divorcuan, si dhe Princi Andrew dhe gruaja e tij, Sarah, Dukesha e Jorkut.

Për më tepër, Anne u divorcua dhe një zjarr shkatërroi rezidencën mbretërore të Kalasë Windsor. Gjithashtu, ndërsa vendi luftonte me recesionin, pakënaqësia me stilin e jetës mbretërore u rrit dhe në vitin 1992 Elizabeth, ra dakord të paguante taksa për të ardhurat e saj private.

Ndarja dhe divorci i mëvonshëm (1996) i Charles dhe Princeshës Diana minuan më tej mbështetjen për familjen mbretërore. Kritikat u intensifikuan pas vdekjes së Dianës në 1997, pasi Elizabeth fillimisht refuzoi të lejonte që flamuri kombëtar të ulej në gjysmështizë mbi Pallatin Buckingham.

Disa vite më vonë, në vitin 2005, Mbretëresha gëzoi mbështetjen e publikut kur dha pëlqimin e saj për martesën e Princit Charles me të dashurën e tij prej shumë kohësh Camilla Parker Bowles. Në përputhje me përpjekjet e saj të mëparshme për të modernizuar monarkinë, mbretëresha që atëherë është përpjekur të paraqesë një imazh më pak të ashpër dhe më pak tradicional të monarkisë.

Dalja në pension e Princit Philip dhe vdekja e tij e mëvonshme

Në gusht 2017, Princi Philip u tërhoq zyrtarisht nga jeta publike, duke u shfaqur periodikisht në angazhimet zyrtare. Ndërkohë, Mbretëresha Elizabeth filloi të zvogëlojë detyrat e saj zyrtare , duke i dorëzuar disa detyra Princit Charles dhe anëtarëve të tjerë të lartë të familjes mbretërore.

Djali më i vogël i Charles, Princi Harry, duka i Sussex, dhe gruaja e tij, Meghan Markle, Dukesha e Sussex-it, zgjodhi të tërhiqej nga rolet e tyre mbretërore në mars 2020. Gjatë kësaj kohe, interesi i publikut për Mbretëreshën dhe Familjen Mbretërore u rrit si rezultat i popullaritetit të gjerë të ” The Crown”.

Pasi u përball me disa pengesa fizike në vitet e fundit, Filipi, i cili ishte bashkëshorti i Elizabeth për më shumë se shtatë dekada, vdiq në prill 2021. Në përvjetorin e tyre të 50-të të martesës, në vitin 1997, Elizabeta kishte thënë për Filipin, të cilin do ta “takonte” sërish një vit pas vdekjes së tij.

“Ai ishte thjesht forca ime dhe shtëpia ime gjatë gjithë këtyre viteve”.

Ndërsa pasuria e saj e patreguar e bëri atë një nga gratë më të pasura në botë, Mbretëresha Elizabeth në nivel personal e donte thjeshtësinë. Ajo ishte një kalorëse e mprehtë, ndërsa mbante kuaj garash, shpesh merrte pjesë në gara dhe vizitonte periodikisht fermat e Kentakit në Shtetet e Bashkuara.

Një nga personat më me ndikim në botë nisi rrugëtimin e saj drejt përjetësisë plot ditë në moshën 96-vjeçare dhe me përvoja jetësore që shumëkush do t’i kishte zili. /abcnews.al/ KultPlus.com

”Financial Times”: Udhëtim nëpër Shqipërinë antike

Në bregun e liqenit të Ohrit, në manastirin e lashtë të Shën Naumit, gjeta një mik të ri për të pirë, murgun Dongo, shkruan Stanley Stewart për ”Financial Times”.

”Unë isha duke udhëtuar në Shqipëri me Elvis Nanajn, shoferin tim, dhe kishim kaluar kufirin për në Maqedoninë e Veriut për të kaluar një pasdite atje, duke ndjekur vijën bregdetare në drejtim të lindjes për të vizituar manastirin.

Një rrugë e gjatë plepash të çonte mbi një urë drejt një oborri me kalldrëm, ku disa pallonj bërtisnin dhe frynin bishtin. Brendësia e manastirit në Shën Naum nuk ka ndryshuar për 1 000 vjet. Është i ngushtë, me dyer aq të ulëta sa duhej të përkulesha shumë, dhe një dysheme me gurë të mëdhenj të pabarabartë të lëmuar nga një mijëvjeçar i tërë.

Afresket e shenjtorëve dhe profetëve vërshonin mbi mure dhe ikonat prej bakri shkëlqenin në dritën e qirinjve dhe llambave të vajit. Kur shkrimtarja britanike, Rebecca West e vizitoi në vitin 1937, ajo zbuloi se manastiri vepronte si një strehë edhe për të çmendurit; një murg po u këndonte një arie nga ”Madam Butterfly” dy njerëzve të dëshpëruar për t’i shëruar.

Dongo u ul pak jashtë hyrjes në një kioskë të vogël që shiste kartolina dhe qirinj. Ai dukej si Moisiu në vitet e shkretëtirës, ​​tullac, i shëndoshë, me mjekër të gjatë dhe me një shkëlqim mesianik në sytë e tij. Ne biseduam gjatë. Ai më dha dhurata nga kioska e tij – një unazë çelësash, një medaljon me një ikonë brenda dhe një kartolinë bardhë e zi të manastirit.

Pastaj më shkeli syrin dhe solli një shishe me “rakinë mrekulli” të manastirit. “Është 21 gradëshe”, pëshpëriti ai. “Por, gjithçka është bio, kështu që nuk ka problem”, shtoi ai. Ai mbushi dy gota dhe ngritëm dolli për njëri-tjetrin.

Raki kishte shije pishe dhe kumbulle. Dongo mbushi edhe dy gota të tjera. E pyeta sa kohë kishte qenë këtu, në manastir. ”Shumë gjatë”, qeshi ai. Ai kishte dalë nga kioska e tij e vogël për t’u ulur me mua në një stol prej guri. Na mbushi gotat. E pyeta sa murgj kishte. “Një”, tha ai duke goditur kofshën e tij. “Për gjithçka – kartolina, liturgji, këngë, qirinj, kopsht, pallua, gjithçka”. Na mbushi sërish gotat.

Kalova 10 ditë në Shqipëri, duke bërë turne me Elvisin, duke bredhur nga vendstrehimet malore në lumturinë bregdetare, nga manastiret në kampet e safarit. Vendi është  magjepsës dhe i bukur, dhe njerëzit janë jashtëzakonisht miqësorë. Vendet antike si Butrinti dhe Apolonia kanë disa nga rrënojat më të bukura klasike në Mesdhe. Në brendësi, malet shpalosen në distanca të gjata, me qytetet e lashta osmane që komandonin luginat e tyre. Rrugët janë të mira po ashtu dhe restorantet. Por, udhëtimi këtu ishte si nëpër dekada. Nganjëherë Shqipëria ndihej si Europa e stërgjyshërve tanë – karroca me kuaj, barinj që kullosin tufat, burra që korrin grurin me dorë dhe thithin bykun.

Gjatë viteve 1950-1960, kur Shqipëria ishte lloji i shtetit komunist të izoluar që do ta bënte Korenë e Veriut të dukej përkëdhelëse, një dritare në botën e jashtme erdhi nga filmat e Norman Wisdomit, humoristit anglez, të vetmit filma të huaj që kaluan censurën e rreptë. Ndoshta popullariteti i tij është i kuptueshëm, pasi e tillë ishte bota e Wisdomit, e absurditeteve të çmendura dhe të pakuptimta.

Në vitin 1995, pas rënies së komunizmit, Wisdom u bë njeri i lirë i Tiranës, sepse i bëri shqiptarët të qeshin në një epokë kaq të errët tiranie.

Tirana është një qytet më simpatik se sa thonë njerëzit për të. Ka kafene me tarraca në natyrë, një sallë të bukur koncertesh, një muze të madh arkeologjik dhe disa muze modernë tërheqës që katalogojnë idiotizmin dhe tmerret e periudhës komuniste. Por, isha i lumtur që dola nga qyteti në peizazhe të gjera rurale. Isha nisur drejt liqenit të Ohrit në kërkim të ilirëve. Nuk është dëgjuar shumë për Ilirinë, një qytetërim pararomak në Ballkan, në dy mijëvjeçarët e fundit, dhe kuptimi ynë për ta është disi e mjegullt. Thuhej se kishte varre në Selcë në kodrat mbi liqen.

Në fund të një rruge të bardhë, afër fshatit Selcë e Poshtme, një grua e moshuar me dy pula nën krahë na drejtoi në një si fushë. Eca nëpër lule të egra drejt një shkëmbi të ulët, ku gjeta fasadat klasike të gdhendura në shkëmbin e butë. Dukej një vend i mrekullueshëm për të vdekur, i zhytur këtu mes hardhive dhe ullinjve – një ndjenjë qetësuese e përjetësisë, një sfond majash malesh që lë të nënkuptojnë përjetësinë. U ula në shkallën e një prej varreve të vogla dhe shikoja fluturat. U dëgjua kënga e zogjve, zhurma e këmbanave të deshëve dhe zërat e largët të fëmijëve. Qentë lehnin në oborret e shtëpive.

Isha vetëm me botën antike.

Shekspirit iu desh që ta bënte Ilirinë një metaforë që ndoshta ishte arsyeja pse isha këtu. Emri dukej se mbante njëfarë ndjesie romantike dhe misteri. Kur Viola dhe Sebastiani mbyten në bregun ilirik në fillim të ”Natës së Dymbëdhjetë”, ka kuptimin se ata i kanë shpëtuar botëve të tyre të kufizuara për një tokë të askundit, ku asgjë nuk është siç duket, ku marrëzia bëhet realitet, një version elizabetian i Norman Wisdom. Ishte një ide që dukej se më ndoqi nëpër Shqipëri.

Për pesë shekuj, Shqipëria u sundua nga osmanët, duke u bërë e pavarur në vitin 1912 dhe u pushtua nga ushtritë e gjashtë fuqive të ndryshme pas fillimit të Luftës së Parë Botërore. Pas luftës u tentua të ndërtohej vetëdija kombëtare. U përfol se froni iu ofrua lojtarit anglez të kriketit, CB Fry, por në fund ata morën mbretin Zog.

Zogu ishte tamam njeriu i kohës së tij. Ai mbante llojin e mustaqeve trend për diktatorët e viteve 1930. Ai burgosi kundërshtarët e tij, shpiku përshëndetjen e tij – përshëndetjen zogiste – dhe pinte 200 cigare në ditë. Thuhej se ai ishte objekt i jo më pak se 600  gjakmarrjeve si edhe u mbijetoi më shumë se 55 atentateve, njëra prej tyre në shkallët e Teatrit të Operës së Vjenës pas një shfaqjeje të ”Pagliacci”-t.

Gjithsesi, Zogu shpëtoi. Por, tetë vjet më vonë, ndërsa italianët aneksuan Shqipërinë, ai iku në mërgim duke marrë me vete pjesën më të madhe të arit në kasafortat e Bankës së Tiranës dhe Durrësit. Më pas ai udhëhoqi ekzistencën nomade të një monarku të mërguar, duke përfshirë një qëndrim në ”Ritz” në Londër, në ditët kur mund ta shlyente faturën me një lingotë ari, përpara se të vinte të pushonte përfundimisht në Paris. Ai vdiq në moshën 65-vjeçare.

Zogu i kishte mbajtur të mbyllur kundërshtarët politikë në birucat mesjetare të kalasë së Gjirokastrës. Një qytet i lashtë me korsi dredha-dredha të pjerrëta, shtëpitë e Gjirokastrës janë grumbulluar së bashku, pllakat e tyre prej guri ngjyrë hiri si luspat e bishave të çuditshme që janë ngjitur me kthetra në shpatin për t’u grumbulluar nën muret e kështjellës.

Imazhi i përket shkrimtarit më të madh të Shqipërisë, Ismail Kadaresë, gjirokastrit. Ai e quajti qytetin të çuditshëm dhe ëndërrimtar. Shtëpia e dikurshme e Kadaresë tani është muzeu etnografik i Gjirokastrës. Është një vend qilimash dhe kostumesh, fustanesh prej kadifeje dhe jelekësh. Muzeu mban të gjitha kontradiktat e Shqipërisë.

Por, është vetë shtëpia që zë vendin qendror. Ka një intimitet për shtëpitë e vjetra osmane të Gjirokastrës, të cilat strehonin familje shumë brezash. Modeli është labirint, pothuajse i fshehtë. Në katin e parë banonin bagëtitë, çdo dhomë kishte me divane të ftohta me jastëk dhe një dhomë gjumi e veçantë iu caktohej të sapomartuarve, në një distancë të respektueshme nga të tjerët.

Veçimi i grave ishte në qendër të arkitekturës; Në të gjitha këto shtëpi ka galeri të fshehta ku gratë, të ulura pas punimeve të drurit me grilë, mund të ndiqnin bisedat dhe marrëveshjet pa u parë nga vizitorët. Mbi çatitë e shtëpive të Gjirokastrës është kështjella, një kolos, një strehë kalimi dhe betejash dhe dhoma të harkuara. Një rampë e gjatë të çon poshtë në birucat ku, në një dhomë të errët tetëkëndore, të burgosurit ishin të lidhur me zinxhirë në mur. Të burgosurit ishin aty në fillim të shekullit XIX, në kohën e Ali Pashës sadist me të cilin lord Bajroni pinte çaj. Pashai ishte i fiksuar pas duarve të bardha delikate të poetit dhe e përkëdhelte me ëmbëlsira. Ata ishin aty në kohën e mbretit Zog. Dhe ata ishin ende aty gjatë periudhës komuniste, duke mbajtur kundërshtarët e liderit komunist, Enver Hoxha. Të paktën deri në vitin 1968 kur vendosën të organizojnë një festë folklorike në kështjellë dhe shqetësoheshin se vajtimet e të burgosurve mund të prishnin këngët e paqes.

Enver Hoxha është djali tjetër i famshëm i Gjirokastrës. Lideri komunist i Shqipërisë për gati 40 vjet deri në vdekjen e tij në 1985, ai ende rri pezull mbi Shqipërinë si një re e errët. Në 10 ditë në vend, nuk kam dëgjuar askënd të thotë emrin e tij. Si gjithë të tjerët, edhe Elvisi e quajti atë thjesht si diktator. Kur regjimi i vjetër u shkatërrua përfundimisht në fillim të viteve 1990, shqiptarët u përballën me kapitalizmin. Skemat piramidale dolën duke ofruar shpërblime financiare të pallogaritshme për një popullsi naive që mendonte se kështu duhet të funksiononte kapitalizmi. Njerëzit hipotekuan shtëpitë dhe fermat e tyre për të investuar. Ndërsa skemat e Ponzi-t falimentuan të gjitha, rreth dy të tretat e popullsisë së Shqipërisë humbën kursimet e tyre. Ishte shkas për shpërthimin e një anarkie të dhunshme në vitin 1997, aq të rëndë saqë kishte nevojë për një forcë paqeruajtëse ndërkombëtare për të bashkuar vendin përsëri.

Rreth 60 kilometra në veri është Berati, një tjetër qytet i epokës osmane, por historia e të cilit shtrihet 2 400 vjet më parë, madje edhe përtej ilirëve. Shtëpitë e tij të zbardhura që ngrihen në faqet e pjerrëta të kodrave duket se qëndrojnë mbi supet e njëra-tjetrës, rreshtat e tyre të dritareve të grumbulluara që reflektojnë dritën. Në korsitë dredha-dredha të kalasë, arrita te Kisha e Shën Mërisë, tani një muze i pikturave të Onufrit, një prej piktorëve të mëdhenj të ikonave të shekullit XVI.

Mbi ikonostas, jeta e Krishtit ndriçohet në të kuqen dhe blunë e lavdishme nën qiejt e artë. Ato mund të kenë qenë disa shekuj më të vonë, por këto piktura janë ekuivalenti lindor i Duccio-s dhe Giotto-s, të stilizuara, të ndritshme dhe të përhumbura. Janë të bukura, por në këto hapësira të errëta vëreni se si fokusi i rrëfimit është pa ndryshim tragjik, një lloj entuziazmi i pafund ndaj tradhtisë, kryqëzimit, martirizimit dhe vdekjes.

Në Berat ka një traditë tjetër fetare. Në sheshin me kalldrëm prapa Xhamisë Mbret, gjeta një teqe’ ose vend kulti për një urdhër sufi që erdhi nga Turqia në shekullin XVI. Një formë soditëse dhe shpesh e pavarur e Islamit, bektashizmi lulëzoi në Shqipëri, shumë kohë pasi u ndalua në Turqi si heretik, dhe selia botërore e bektashizmit është tani në Tiranë. Por, teqeja ishte bosh. Ashtu si me shumë vende kulti në Shqipëri, mbi katër dekada ateizmi zyrtar i kishte grabitur asaj shumicën e adhuruesve të tij.

Ishte një ndërtesë modeste, por e shkëlqyer, e përbërë nga një dhomë e vetme katrore. Një kube tetëkëndëshe dukej sikur notonte mbi të. Muret ishin të zbardhura dhe të thjeshta, përveç kornizave të dyerve dhe dritareve dhe dollapëve të vegjël të vendosur në mure, të cilat ishin të lyera me dizajne të ndërlikuara. Dielli zbriste nga një grumbull i lartë dritaresh nëpër dërrasat e lashta të dyshemesë. U ula vetëm për një kohë të gjatë në këtë dhomë qiellore në një nga stolat e ulëta rreth mureve duke shijuar qetësinë meditative. I lodhur nga pritja, kujdestari më la çelësat për t’i mbyllur.

“Lërini nën vazo kur të largoheni. Kaq mjafton”, më tha ai./atsh/KultPlus.com

Ekspozita e Pjerin Kolnikajt në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura

 “Skulpturë” titullohet ekspozita vetjake e skulptorit Pjerin Kolnikaj, e cila u çel në Galerinë FAB. Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm miq, kolegë artistë e dashamirës të artit.

“Sa herë e sjell në vëmendje, Pjerin Kolnika më ndërlidhet me disa livadhe të munguara në peizazhin e artit, ku në një formë apo në një tjetër presim të lulëzojnë trajtat parake të pavetëdijes, që në të shumtë kanë diçka nga adoleshenti që rreket të vendosë një rend të ri estetik”, është shprehur Vladimir Myrtezai, i cili e konsideron Kolnikën, një artist të rëndësishëm të pasnëntëdhjetës, në një lidhje organike me misionin e tij si artist dhe si njeri.

Shumë nga punët e Kolnikës janë embrionale, me një trajektore parashikimi të hershëm, si një ëndërr që nuk dorëzohet në një territor të pamundur mundësish kur bëhet fjalë për ta aplikuar në hapësirë.

Veprat e Kolnikajt do të presin artdashësit deri më datën 2 prill 2024./KultPlus.com

“Business Insider”: Turistët amerikanë zgjedhin Shqipërinë për të jetuar

“Bashkëshorti im dhe unë kemi udhëtuar në pjesën më të madhe të Amerikës Qendrore dhe Jugore, disa pjesë të Afrikës, një pjesë të mirë të Evropës dhe në pjesën më të madhe të Azisë Juglindore dhe Lindore, sipas të përditshmes amerikane “Business Insider. Ne kemi vizituar 47 vende, por vendi ynë i preferuar është Shqipëria, në Ballkan”, thanë Alicia dhe Nathan.

Shqipëria është absolutisht e mrekullueshme dhe ende e paprekur nga turizmi masiv, veçanërisht krahasuar me destinacionet e tjera evropiane si Barcelona, ​​Parisi, Londra, Roma, madje edhe Praga.

Ushqimi është një nga të preferuarit tanë dhe vendasit janë shumë mikpritës.

Vendi është ende në zhvillim pas përfundimit të epokës së tij komuniste në vitet 1990, kështu që do të shihni ende bunkerë të shpërndarë nëpër qytete.

Sa herë që kthehemi, ndihemi sikur po zbulojmë një vend të ri. Kjo e bën Shqipërinë një vend unik!

Shqipëria ka natyrë mahnitëse dhe mot të mirë

Shqipëria ndodhet përtej detit Adriatik në kufi me Greqinë dhe Malin e Zi.

Është një vend relativisht i vogël, ndoshta sa përmasat e Portugalisë.

Ju mund të udhëtoni lehtësisht në të gjithë vendin brenda një ose dy javëve.

Ka një klimë të butë, tipike mesdhetare.

Dimri është përgjithësisht i butë, dhe vera mund të jetë e nxehtë, por përgjatë bregdetit, moti është shumë më i përshtatshëm.

Riviera Shqiptare – një shtrirje bregdetare përgjatë detit Jon me ujëra blu të pastra kristal – është zona më mahnitëse në jug të vendit.

Parku Kombëtar i Thethit është gjithashtu magjepsës.

Shqipëria ka male, duke përfshirë Alpet Shqiptare, Malin e Korabit dhe Malin e Tomorrit. Malet me borë janë të shkëlqyera për shëtitje.

Është kaq bukur këtu. Sa herë që shkojmë drejt natyrës, larg qendrave të qytetit, ne mahnitemi nga peizazhi unik i vendit ballkanik.

Arkitektura e Shqipërisë është mjaft e larmishme.

Në qytete si Berati, i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve”, do të gjeni arkitekturë osmane të ruajtur mirë – ndërtesa prej guri të bardhë me çati me pllaka të errëta dhe dritare me grila druri – që datojnë rreth 2000 vjet më parë.

Ndërsa, arkitektura e Tiranës është një ndërthurje stilesh. Ka ende ndërtesa të kohës së komunizmit dhe ndërtesa të reja moderne me shumë hapësira të gjelbra.

Të jetosh në Shqipëri është e përballueshme

U transferuam në Tiranë në shkurt të vitit 2023. Pas tre vjetësh udhëtime, ne vendosëm të jetonim në Evropë.

Ne jemi akomoduat në një kompleks apartamentesh të ri – në një njësi të mobiluar rreth 740 metra katrorë, me një dhomë gjumi dhe një banjë.

Ne paguajmë 450 euro, rreth 520 dollarë, qira mujore. Shërbimet komunale – internet, ujë dhe energji elektrike – na kushtojnë rreth 100 euro, ose 115 dollarë, në muaj.

Strehimi në Shqipëri është shumë më i përballueshëm se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2019, përpara se të udhëtonim jashtë vendit, ne jetuam në San Diego dhe morëm me qira një banesë prej 630 metrash katrorë, me një dhomë gjumi dhe një banjë – rreth një orë larg nga qendra e qytetit – për 1,250 dollarë në muaj – qiraja më e lirë që mund të gjenim.

Vlera e parasë këtu është e pabesueshme

Ushqimi në qytet mund të jetë pak më i shtrenjtë, por ushqimet tradicionale shqiptare janë super të përballueshme.

Zakonisht, mund të porosisni pesë ose gjashtë pjata të përbashkëta, të servirura në stilin familjar, së bashku me një litër verë, ose disa birra, dhe rrallë mund të shpenzoni më shumë se 50 dollarë.

Transporti publik është gjithashtu i shkëlqyer dhe i përballueshëm në Tiranë.

Qyteti është shtuar së fundmi në Google Maps, gjë që e ka bërë edhe më të lehtë navigimin.

Udhëtimi me autobus brenda Tiranës kushton vetëm 40 cent.

Ka disa kompromise për jetën në Shqipëri, por të mirat që ofron vendi peshojnë më shumë se të këqijat.

Paratë që kursejmë për ushqimin dhe shpenzimet e jetesës në Shqipëri kanë ndikuar shumë në jetën tonë.

Na ka lejuar të udhëtojmë dhe të investojmë më shumë në udhëtime.

Një pjesë e arsyes që u larguam nga SHBA-ja për të ndjekur këtë ëndërr është se thjesht nuk mund ta përballonim jetesën atje.

Megjithatë, ka disa kompensime për të jetuar këtu.

Për shembull, duhet të shkojmë në vende të ndryshme për të marrë gjithçka që na nevojitet: një dyqan produktesh ushqimore; tregu i frutave dhe perimeve; një furrë buke dhe një dyqan për të marrë kafe. Komoditeti mund të jetë një sfidë.

Diçka e rëndësishme është politika e vizave e Shqipërisë. Qytetarët amerikanë marrin një vizë 365-ditore pas mbërritjes në vend.

Gjithashtu, ditët tona të vizave Shengen rinovohen sa herë që largohemi nga Shqipëria dhe udhëtojmë drejt BE-së.

Përtej kësaj, vendasit janë jashtëzakonisht mbështetës dhe vërtet të dobishëm për ne që të vendosim të jetojmë këtu.

Në fund të fundit, ëndrra jonë është të blejmë një shtëpi në Itali, por ka shumë hapa përpara se të arrijmë atje. Tani për tani, ne jemi shumë të lumtur këtu në Shqipëri./atsh/KultPlus.com

Pse uji i detit është i kripur?

Fillimisht, uji i detit ishte po aq i freskët sa uji i lumit, shkruan focus.it.

Përqendrimi aktual i kripës, rreth 35 gram për kilogram ujë, daton vetëm në një miliard vjet më pare, por si u formua ai?

Duhet të shkojmë shumë më tej në kohë.

Kjo do të thotë, kur, katër miliardë vjet më parë, Toka filloi të ftohet.

Shirrat ranë në të gjithë planetin për mijëra vjet dhe uji u vendos në gropa në koren e Tokës për të formuar detet e para.

Ujërat që ndërkohë vazhdonin të rrjedhin në sipërfaqen e kontinenteve, gradualisht u pasuruan me kripëra minerale të marra nga toka dhe i derdhën në oqeanet në formim.

Kripësia e deteve gjithashtu ndryshon sipas thellësisë së tyre dhe është dukshëm më e lartë drejt sipërfaqes dhe ku ndodh avullimi i fortë.

Megjithatë, është më i rrallë në ato dete ku furnizimi me ujë të freskët është më i qëndrueshëm, për shembull pranë një grykëderdhjeje./ KultPlus.com

Koncerti i fundit për muajin prill nga Filharmonia e Kosovës mbahet të premten

Koncerti i fundit për muajin prill nga Filharmonia e Kosovës do të mbahet më 25 prill nga ora 19:30.

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të sjellë një program të veçantë nën drejtimin e dirigjentit të njohur francez Aurélien Azan Zielinski. Solist i mbrëmjes do të jetë Félicien Brut, i cili do të interpretojë koncertin për fizarmonikë nga Romain Dumas. Në pjesën e dytë të koncertit do të interpretohen:

Simfonia e kompozitorit Rafet Rudi dhe Vallet Polovecke Nr. 17 nga Alexander Borodin.

Aurélien Azan Zielinski, është dirigjent i njohur, ka shërbyer si drejtor artistik i Orkestrës së Radio-Televizionit Shqiptar gjatë sezoneve 2022-2023 dhe 2023-2024, pas një periudhe shtatëvjeçare me Orkestrën Kombëtare të Bretanjës si dirigjent i saj. Ai është gjithashtu profesor dhe drejtues i orkestrës në Haute École de Musique në Lozanë, ku ndan ekspertizën e tij me brezat e rinj të dirigjentëve.

Njohja e tij filloi në vitin 2012, kur fitoi konkursin “Talents Chefs d’Orchestre” fuqizuar nga Adami. Që nga ajo kohë, ai është ftuar të dirigjojë shumë ansamble prestigjioze në mbarë botën, përfshirë Orkestrën Kombëtare të Francës, Orkestrën Kombëtare të Île-de-France, Orkestrën Kamerale të Lozanës, Royal Philharmonic Orchestra, BBC National Orchestra of Wales, Orkestrën Simfonike të Manizales në Kolumbi dhe Metropolitan Festival Orchestra të Singaporit. Interpretimi i tij i ndjeshëm dhe i saktë i lejon atij të lëvizë në mes të repertorit klasik, atij bashkëkohor dhe muzikës së filmit.

Ai është një nga dirigjentët e pakët që udhëhoqën ndërkombëtarisht koncertet e sagës së filmave Harry Potter. Pasuria e karrierës së tij shfaqet gjithashtu në bashkëpunimet e tij me artistë të njohur si Xavier Philipps, Félicien Brut, Anne Gastinel, Célia Oneto-Bensaid, Lovro Pogorelich, Mélody Louledjian, Théo Fouchenneret, Pierre Génisson, Aurélien Pascal, Yoko Shimomura, dhe Pierre Fouchenneret. Ai është një mbështetës i pasionuar i muzikës bashkëkohore dhe punon ngushtë me kompozitorë si Gérard Pesson, Clara Iannotta, Rebecca Saunders, Baptiste Trotignon, Benoît Menut, Guillaume Saint-James, Olivier Calmel, Éric Tanguy, dhe Romain Dumas, duke interpretuar shumë premiera botërore dhe incizime.

Pasioni i tij për edukimin e ka bërë Aurélien Azan Zielinski gjithashtu një pedagog të njohur. Ai drejton disa ansamble për muzikantë të rinj, përfshirë Orkestrën DEMOS Europe të Filharmonisë së Parisit, Orkestrën Simfonike të të Rinjve në Île-de-France, Orkestrat e të Rinjve Alfred Loewenguth, dhe Koret dhe Orkestrat e Grandes Écoles./ KultPlus.com

Lumturia

Poezia ‘Lumturia’ nga Roberto Benigni.

Lumturia, po lumturia!

Me që ra fjala për lumturinë, kërkojeni çdo ditë, vazhdimisht.

 Çdokush që po më dëgjon në këtë moment të vihet në kërkim të lumturisë, tani, në këtë moment, sepse është aty!

Ju e keni, ne e kemi. Na është dhënë të gjithve,

na është dhënë  kur kemi qënë të vegjël,

na e kanë dhënë si  një dhuratë.

Ishte një dhuratë aq e bukur sa e fshehëm,

siç bëjnë qentë me kockën kur e fshehin.

Disa prej nesh e kanë fshehur aq mirë

sa nuk e mbajnë mend se ku e kanë fshehur.

Por e kemi, e keni, shikoni,

shikoni në çdo qoshe, në thellësinë e shpirtit tuaj.

Hidhni çdo gjë në ajër, sirtaret,

komodinat dhe çfarë keni brenda në to,

do ta shihni që ajo do të dalë në dritë.

Provoni të hidhni kutitë, veshjet, shtatin,

ajo ndodhet aty.

Duhet të mendojmë gjithmonë për lumturinë

edhe pse ajo ndonjeherë na harron ne.

Ne nuk duhet ta harrojmë kurrë atë,

deri në ditën e fundit të jetës sonë. / KultPlus.com

Rama viziton teatrin e ri të qytetit të Çorovodës

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot teatrin e ri të qytetit të Çorovodës.

Rama gjatë vizitës së tij në teatrin e ri ishte i shoqëruar nga Kryetari e Bashkisë së qytetit, Adriatik Mema, i cili tregoi se disa mjedise të brendshme të këtij ish pallati kulture, në vitin ’97 ishin kthyer në magazina, duke e humbur krejtësisht funksionin artistik.

“Vendi që po inspektojmë tani është një nga sallat e Pallatit të Kulturës, i cili ka shërbyer për teatro, për koncerte fëmijësh, ku lëviznin këto estradat e rretheve që vinin jepnin shfaqje. Një nga sallat që nga ‘97 ishte kthyer në një magazinë të rëndomtë. Këtu kemi bërë një punë fantastike që ta shikoni vetë se çfarë pamje ka marrë kjo sallë, dhe aty në hyrje kam disa foto që do të tregojnë si ishte. Këto janë pamjet se si ka qenë sallë. Madje, kjo është shumë modeste për nga ato ça ka pasur brenda, se është marrë në momentin që ia hequr një pjesë. Kjo është ajo çka është sot, një punë shumë e mirë dhe e kompanisë që kontraktuam, janë 250 vende të ulura. Kryesisht do të shërbejë për evente paksa të zgjedhura”, u shpreh ai duke treguar përmes fotove të ekspozuara në hyrje, gjendjen e dikurshme të ndërtesës.

Teatri ka rilindur në godinën e vjetër të ish-Pallatit të Kulturës, si një hapësirë arti bashkëkohore, me një sallë moderne prej 250 vendesh, në funksion të artistëve dhe dashamirësve të artit që do të ndjekin shfaqjet dhe eventet e tjera kulturore./ KultPlus.com

Surpriza nga Shekspiri, gjeniu që u lind dhe vdiq në të njëjtën datë

Gjeniu i letërsisë britanike, Uilliam Shekspir (William Shakespeare), u lind dhe vdiq në të njëjtën datë, më 23 prill (1564-1616), sipas BBC.

Më poshtë janë disa fakte surprizë, të zbuluara nga historianët:

1. Babai i tij ishte një shijues birre dhe një prodhues dorezash

Shekspiri u lind më 23 prill 1564 në një qytet të quajtur Stratford-upon-Avon, në mes të Anglisë. Familja e tij ishte me të ardhura mesatare. Babai i tij bënte një sërë punësh, duke përfshirë shitjen e lëkurës dhe leshit, shijimin e birrës (në të vërtetë) dhe prodhimin e  dorezave.

2. Ai nuk mund të shkruante në mënyrë korrekte

Edhe pse Shekspiri mësoi latinisht në shkollë, drejtshkrimi nuk ishte pjesë e mësimeve dhe të gjithë i shkruanin fjalët si të donin. Imagjinojeni atë! Shekspiri e shkruante emrin e tij në mënyra të ndryshme, përfshirë: Willm Shakp, William Shaksper, Wm Shakspe, William Shakspere dhe Willm Shakspere!

3. U martua i ri

I martuar në moshën 18-vjeçare me Anne Hathaway, ai pati tre fëmijë.

4. Së pari u përpoq të bëhej aktor

Shekspiri shkoi në Londër për t’u bërë aktor. Vëllai i tij Edmundi e ndoqi atë në qytet për të bërë të njëjtën gjë. Megjithatë, Shekspiri kishte më shumë fat që të shkruante shfaqje sesa të aktronte. Ai mësoi shpejt dhe shkroi tragjedi dhe komedi.

5. Ishte shumë produktiv

Shekspiri shkroi të paktën 37 drama në jetën e tij, të cilat ne i njohim – mesatarisht dy në vit! Ai gjithashtu shkroi shumë poezi, kryesisht poezi të quajtura sonete. Vetëm në një vit, 1609, ai botoi 154 prej tyre!

6. Ai i mbijetoi një pandemie

Ju keni më shumë të përbashkëta me Shekspirin sesa mendoni. Shekspiri jetoi dhe i mbijetoi një pandemie, një nga një sërë valësh të murtajës bubonike. Megjithatë, për fat të keq, djali i tij Hamnet vdiq nga murtaja, në moshën vetëm 11-vjeçare. Kjo ndikoi në shkrimet e tij.

7. Na dha disa fraza të njohura

Shekspiri sigurisht kishte anën e tij më të lehtë, krahasuar me vdekjen e djalit. Atij i pëlqente të vinte shaka në shfaqjet e tij, madje edhe në tragjeditë e tij, si dhe sajonte fraza që i përdorim edhe sot, si “i shkrirë në ajër” apo ”kam fjetur me një sy”.

8. Fyerjet e vrazhda ishin specialiteti i tij

Shekspiri ishte shumë njohur edhe për ofendimet si ”fytyra jote nuk ia vlen të shihet nga dielli” apo “je i trashë si gjalpi” apo ”unë do ta gudulis katastrofën tënde!”.

9. Ai ishte një biznesmen i regjur

Përveçse ishte një shkrimtar krijues, William ishte një biznesmen i regjur. Ai ishte bashkëpronar i kompanisë së tij teatrore, ”Lord Chamberlain’s Men”, dhe ”Globe”, një teatër i ndërtuar në Londër në vitin 1599. Ai madje hapi një teatër të dytë, një teatër elegant të quajtur ”Blackfriars”./ KultPlus.com

“Sunny Hill Festival” fillon edhe 100 ditë  

Sunny Hill Festival nis zyrtarisht numërimin mbrapsht. Kanë mbetur edhe 100 ditë deri në fillimin e edicionit të ri të festivalit. Entuziazmi për edicionin e sivjetmë po rritet vazhdimisht. Organizatorët tashmë kanë filluar me shitjen e biletave, ndërsa së shpejti do dalin edhe me emrat e artistëve që do të pushtojnë dy skenat e Festivalit.  

I nominuar nga Shoqata Evropiane e Festivaleve si një nga Top 10 festivalet më të mira në Evropë, Sunny Hill po përgatitet për tre ditë argëtim të pandalshëm. Këtë vit, festivali do të mbahet nga 1 deri më 3 gusht në Bërnicë të Epërme, aty ku tashmë Sunny Hill po vazhdon të rritet si një nga festivalet më të rëndësishme evropiane.   

“Këtë vit kemi bërë gati një program të jashtëzakonshëm të artistëve të huaj dhe vendor që do ta bëjnë Prishtinën destinacionin kryesor të kësaj vere. Numrimi tashmë ka filluar. Shihemi në Sunny Hill Festival më 1, 2 dhe 3 gusht” thuhet në njoftimin e festivalit për media.  

Nëse ende nuk e keni blerë biletën, tani është momenti i duhur. Biletat Believers – me çmimin më të lirë që do të kenë ndonjëherë,  janë ende në dispozicion për vetëm 95 euro.  

Biletat mund të blihen në këtë link: https://ticketing.festtix.co.uk/events/sunny-hill-festival-2025

“Demë Dedë Boga” – Një udhëtim në rrënjët e harruara

Romani “Demë Dedë Boga” i Binak Kelmendit nuk është vetëm një rrëfim për një individ apo një familje, por një reflektim i thellë mbi identitetin, fenë dhe kujtesën historike të një kombi. Ky roman shpalos një narrativë të fuqishme e cila prek plagët e historisë shqiptare dhe sfidat që e kanë shoqëruar atë për shekuj. Nuk është thjesht një vepër letrare, por një manifest që fton lexuesin të reflektojë mbi trashëgiminë, përplasjet fetare dhe ndjeshmërinë e kujtesës historike.

Shkruan: Ardit Hasani

Kelmendi e ndërton romanin e tij mbi shtresa të shumta narrative, duke krijuar një botë ku realiteti dhe simbolika gershetohen në mënyrë të pashmangshme. Me një stil të pasur e të thellë, ai arrin të rikrijojë atmosferën e tensionuar të kohërave kur shqiptarët u përballën me sfida ekzistenciale. Romani eksploron se si ngjarjet historike ndikojnë në individin dhe shoqërimin e tij me të kaluarën, duke vënë në pah tensionin mes së kaluarës dhe së tashmes. Një nga aspektet që e bën këtë roman të veçantë është struktura e tij fragmentare. Kelmendi e paraqet tregimin nëpër copa të ndryshme rrëfimi, që së bashku formojnë një tablo të ndërlikuar të jetës shqiptare nëpër shekuj. Elementet lirike dhe antropologjike i japin veprës një dimension të thellë intelektual, duke e shndërruar atë në një studim të ndjeshëm mbi shpirtin e kombit shqiptar. Nëpërmjet një gjuhe poetike dhe një simbolike të thellë, Kelmendi arrin të japë një mesazh të fuqishëm mbi rezistencën dhe përballjen me të kaluarën. Pyetjet që ngrihen në roman nuk janë thjesht filozofike, por i drejtohen thellësisht qenies njerëzore, duke u kthyer në një reflektim universal mbi identitetin dhe fenë.

Struktura dhe Simbolet

Romani është ndërtuar mbi kapituj të shkurtër, të cilët funksionojnë si gurë varri të kujtesës kolektive. Me tituj të ngarkuar me domethënie si “Gjarpërinjtë e Kishës”, “Varri i vetmuar në Kodër” dhe “Djegia e Kishës”, Kelmendi krijon një narrativë ciklike ku e kaluara vazhdimisht ripërsëritet. Prologu dhe epilogu shërbejnë si një vajtim që e mban gjallë temën e rikujtimit dhe humbjes së pashmangshme. Dy protagonistët kryesorë, Antropologu dhe Etnologu, nuk janë vetëm studiues të historisë, por metafora e përplasjes mes faktit dhe mitit. Dialogjet e tyre janë të ndërtuara në formën e një ballafaqimi intelektual, ku pyetjet mbeten pa përgjigje të qarta:

“A nuk kanë të gjithë njerëzit të njëjtën origjinë?”

“Pse ke bërë Antropologjinë, pra?”

Këto pyetje e çojnë lexuesin drejt një reflektimi të thellë mbi origjinën e identitetit dhe rolin e fesë në formësimin e tij.

Feja si Plagë dhe Shpëtim

Një nga temat më të rëndësishme të romanit është përplasja mes fesë dhe identitetit kombëtar. Konvertimi i Dedë Bogës në islam gjatë shekullit XVII nuk është thjesht një zgjedhje personale, por një moment kyç historik që ndikon në ndarjen e familjes dhe të gjithë komunitetit. Kelmendi e trajton këtë konflikt pa e gjykuar atë, duke e lënë lexuesin të reflektojë mbi pasojat e tij:

“Njerëzit e zgjedhin fenë, dhe feja nuk i zgjedh njerëzit.”

Ndërsa gjarprinjtë që ruajnë rrënojat e kishës së djegur janë një metaforë e fuqishme për këtë realitet të dhimbshëm. Feja mund të përçajë, mund të sjellë shkatërrim, por kujtesa e saj nuk mund të zhduket plotësisht.

Kujtesa si Gur i Shkëputur

Romani ngre një pyetje të madhe: çfarë ndodh kur një komb humbet kujtesën e tij historike? Nëpërmjet simbolikës së “gurëve të Kishës”, të cilët janë shpërndarë në vende të panjohura, Kelmendi krijon një metaforë për identitetin e shpërndarë shqiptar. Antropologu dhe Etnologu kërkojnë këto gurë për të rindërtuar të kaluarën, por gjejnë vetëm barin që rritet mbi themelet e rrënuara, një shenjë se natyra nuk e harron atë që historia përpiqet të fshijë. Kjo temë është e lidhur ngushtë me konceptin e harresës kolektive dhe përpjekjeve të vazhdueshme për të mbajtur gjallë kujtesën kombëtare. Në këtë kontekst, Kelmendi e shndërron romanin e tij në një akt rezistence ndaj harresës historike.

Romani Demë Dedë Boga i Binak Kelmendit nuk është vetëm një rrëfim historik mbi një figurë të veçantë, por një meditim i thellë mbi identitetin, kohën dhe kujtesën kolektive. Fragmenti fundor i kronikës e mbyll rrëfimin në një mënyrë mistike dhe tragjike, duke përforcuar idenë se vdekja e protagonistit nuk është thjesht një fund personal, por një simbol i humbjes së një epoke të tërë. Përmes simbolikës së “Orës”, ndarjes së kohës dhe metaforës së resë në qiell, Kelmendi na vë përballë pyetjeve ekzistenciale rreth pushtetit, besimit dhe identitetit të lëkundur mes forcave historike.

Ajo që e bën këtë roman të paharrueshëm është gërshetimi i realizmit të ftohtë me një dimension filozofik dhe poetik, duke krijuar një atmosferë ku e kaluara nuk është kurrë thjesht histori, por një realitet që ripërsëritet në forma të ndryshme. Mbyllja e rrëfimit me vdekjen e Demës dhe zhdukjen e “Orës” së tij është një paralajmërim për zhdukjen e trashëgimisë kulturore dhe përpjekjen e vazhdueshme të një kombi për të ruajtur identitetin e vet përballë sfidave të jashtme dhe të brendshme.

 Demë Dedë Boga mbetet një vepër që sfidon lexuesin të reflektojë mbi rrënjët dhe fatin e një populli, duke e vendosur mes kufirit të reales dhe metafizikës. Ky roman është një kujtesë se historia nuk është vetëm një rrëfim i shkruar, por një përvojë që vazhdon të jetojë në mendjet dhe shpirtrat e njerëzve.

Romani “Demë Dedë Boga” është më shumë sesa një rrëfim historik; ai është një thirrje për të mos harruar rrënjët dhe të kaluarën e një kombi që ka përjetuar ndarje, dhimbje dhe sfida të mëdha. Nëpërmjet një strukture fragmentare, një gjuhe poetike dhe simbolikës së fuqishme, Kelmendi arrin të krijojë një vepër që e vendos lexuesin përballë pyetjeve të rëndësishme mbi identitetin dhe fenë. Në fund të romanit, nuk ka një përfundim të qartë apo një zgjidhje për dilemën e kujtesës dhe identitetit. Në vend të kësaj, Kelmendi e lë lexuesin të reflektojë, duke e bërë pjesë të këtij rrëfimi të pambaruar. Mesazhi i tij është i qartë: historia mund të harrohet nga dokumentet, por jo nga kujtesa kolektive e njerëzve që vazhdojnë ta mbajnë atë të gjallë në shpirtin e tyre. Ky roman nuk është vetëm një kronikë e së kaluarës, por edhe një reflektim mbi të tashmen dhe një paralajmërim për të ardhmen. Ai na kujton se kujtesa është një përgjegjësi dhe një barrë që duhet mbajtur me dinjitet. Përmes kësaj vepre, Binak Kelmendi jo vetëm që na tregon një histori, por na fton të bëhemi dëshmitarë dhe ruajtës të saj për brezat që do të vijnë./KultPlus.com

Në Ditën Ndërkombëtare të Librit, promovohet romani i Ndue Ukajt në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani”

Drejtoresha e Dretorisë së Kulturës në Prishtinë, Sibel Halimi, ka njoftuar se në kuadër të aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtare të Librit, në ambientet e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë u organizua promovimi i romanit më të ri të autorit Ndue Ukaj, me titull “Dritarja e Marin Shkrelit”. Ngjarja u zhvillua në një atmosferë reflektive dhe kulturore, me pjesëmarrjen e dashamirëve të letërsisë, studiuesve dhe përfaqësuesve të institucioneve kulturore.

Halimi theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje, duke e cilësuar romanin si një vepër që i fton lexuesit të ballafaqohen me pyetje themelore mbi identitetin, historinë dhe artin shqiptar.

“Në qendër të romanit është dritarja – një simbol shumëplanësh që lidh botën e brendshme me atë të jashtmen, mendimin me realitetin, dhe të kaluarën me të tashmen. Përmes saj, Ukaj sjell një vështrim meditativ që sfidon format tradicionale të tregimit dhe e ngre romanin në një dimension tjetër estetik. Vepra nuk ndjek domosdoshmërisht një strukturë lineare, por më shumë ndjek ritmet e mendimit, kujtesës dhe emocioneve, duke ofruar një përvojë leximi që kërkon përqendrim dhe ndjeshmëri”, u shpreh ajo.

Gjatë promovimit, u nënvizua se kjo vepër nuk përfaqëson vetëm një periudhë të caktuar historike apo një figurë individuale, por e trajton shkrimtarin si figurë kyçe në reflektimin shoqëror dhe kulturor, duke ngritur pyetje mbi rolin e letërsisë në raport me realitetin politik dhe shoqëror të shqiptarëve.

Ky aktivitet shënon edhe njëherë angazhimin e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” për të kultivuar hapësira të mendimit dhe dialogut kulturor, duke afirmuar librin si mjet të fuqishëm për reflektim dhe ndërgjegjësim shoqëror.

Promovimi i romanit të Ukajt u përmbyll si një moment i rëndësishëm në kalendarin kulturor të Prishtinës, në një ditë simbolike për letërsinë dhe lexuesit anembanë botës./KultPlus.com

35 vite nga vdekja e aktivistes Nurije Zeka

Kosova dhe historia e shqiptarëve në përgjithësi numëron shumë gra e vajza që u bënë heroina të historisë shqiptare, e tillë ishte edhe Nurije Zekaj nga fshati Raushiq i komunës së Pejës e cila në moshë të re iu bashkua karvanit për Pajtimin e Gjaqeve.

Nurie Zekaj u lind më 11 mars 1967 në fshatin Raushiq.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa, të mesmen në Gjimnazin “11 Maji“ (drejtimin e pedagogjisë) në Pejë.

Nurija ishte sdudente e vitit të tretë në Degen e Pedagogjisë në Fakultetn Filozofik të Prishtinës ku humbi jetën tragjikisht me 23 prill 1990.

Më 23 prill të vitit 1990 në një komplot të përgatitur nga shërbimet sekrete të shtetit të atëhershëm Jugosllav, në një aksident të orkestruar nga UDB-ja jugosllave, humbi jetën veprimtarja e shquar e çështjes kombëtare, Nurije Zekaj.

Nurije Zekaj është femra e parë e cila u bie në mend shqiptarëve sapo të kujtohet Lëvzja për Pajtimin e Gjaqeve.

Në atë botë Nurija edhe pse ishte vetëm 23 vjeçare, ishte në ballë të këtij aksioni bashkë me Anton Çetën dhe këto dy figura të shquara, njihen si simbolet e lëvizjes për pajtimin shqiptar.

Kujtojmë se në vitin 2012 Presidentja, Atifeten Jahjaga, pati dekoruar 30 personalitete në mesin e tyre edhe Nurije Zekaj, e cila mori dekoratën MEDALJA E PAQES DHE PAJTIMIT “ANTON ÇETTA” për kontributin e dhënë për paqen dhe pajtimin midis njerëzve./KultPlus.com

‘Sa kohë njerëzit rrojnë e syri sheh, sa herë vargjet të thuhen, ti aty je’

Magjinë e penës së tij, Shekspiri, e derdh në vargjet e sonetit të 18, një nga sonetet më të njohura e më të dashura për dashamirët e poezisë, shkruan KultPlus.

Dashuria dhe bukuria e personit të zemrës së Shekspirit, krahasohet me ditët e bukura të verës, me kujtime e paharrueshme që të dhuron stina e bukur.

Soneti 18: A të të krahasoj me një ditë vere?

“Të të krahasoj me një ditë vere?

Por, ti je më e ëmbël, më e bukur.

Erërat shkundin gonxhet e majit

dhe vera ikën kaq e shkurtër.

Syri i parajsës shpesh nxehtë shkëlqen,

por nganjëherë ja sheh arin mbuluar

dhe vrenjtja botës bukurinë ja rrëmben,

rastësisht a nga natyr’ e lodhur, munduar.

Por vera jote kurrë nuk do venitet,

as do humbasë bukurinë që të përket,

s’do krenohet vdekja se ti rend mes hijesh,

në vargun tim përjetësia të pret.

Sa kohë njerëzit rrojnë e syri sheh

Sa herë vargjet të thuhen, ti aty je.” / KultPlus.com

Distria Krasniqi shpallet kampione e Evropës në xhudo, fiton medaljen e artë në Podgoricë

Distria Krasniqi ka shkëlqyer në Kampionatin Evropian të xhudos që po mbahet në Podgoricë të Malit të Zi, duke siguruar medaljen e artë për Kosovën në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Në përballjen finale, ajo triumfoi ndaj italianes Odette Giuffrida, duke i sjellë vendit tonë suksesin më të madh në këtë kategori.

Garat për Distrinë nisën me një kalim automatik në raundin e parë, ndërsa në raundin e dytë (1/8 e finales) u përball me serben Milica Nikolić. Krasniqi dominoi këtë duel, duke e detyruar kundërshtaren të bëjë disa gabime që i sollën asaj penalitete të njëpasnjëshme, deri te kartoni i kuq.

Në çerekfinale, ajo përballej me xhudisten nga Holanda, Naomi van Krevel. Distria e filloi ndeshjen me një ‘waza-ari’ dhe më pas e përfundoi me ippon, duke kaluar bindshëm në gjysmëfinale.

Në këtë fazë, ajo u ndesh me spanjollen Ariane Toro Soler, të cilën gjithashtu e mposhti me ippon, duke siguruar një vend në finalen evropiane.

Finalja ndaj Giuffrida-s ishte një tjetër paraqitje dominuese nga Krasniqi, e cila tashmë kishte fituar ndaj saj edhe në dy përballjet e mëparshme. Edhe këtë herë, ajo nuk zhgënjeu, duke e mbyllur ndeshjen me ippon dhe duke i siguruar Kosovës medaljen e artë në këtë kampionat të rëndësishëm./KultPlus.com

“Galeria Kombëtare e Kosovës Qafa” nis programin për vitin 2025

Duke filluar nga ky vit, Galeria Kombëtare e Kosovës (GKK) do të zgjerojë programin e saj artistik duke marrë në administrim hapësirën e njohur si Galeria e Ministrisë së Kulturës (GMK), tani e titullar Galeria Kombëtare e Kosovës Qafa.

Si pjesë e përbërëse GKK-së, kjo galeri do të vazhdojë punën si një platformë eksperimentale dhe avangarde për artin bashkëkohor, me fokus në mbështetjen e artistëve të rinj, komisionimin e veprave të reja dhe organizimin e ekspozitave të para personale ndër të tjera – duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin dhe prezantimin e praktikave te ndryshme artistike.

GKK Qafa e nis programin e saj me ekspozitën personale të Valdrin Thaqit, me tekst nga Erka Shalari, e cilat hapet të mërkurën, më 30 prill. Kurse, gjatë vitit në programin e kësaj galeri do të prezentohen edhe ekspozitat personale të Blerim Rracaj dhe Kemil Bektes, një ekspozitë nga koleksioni i GKK-së dhe ekspozita Artistët e Rinj. Kurse në GKK vazhdon të jëtë e hapur ekspozita personale e artistit Jetmir Idrizi, e cila është ekspozita e fundit para se ky objekt të shkoj në renovim. GKK në ndërkohë fton vizitorët që programin e saj ta përcjellin tek Galeria Kombëtare e Kosovës Qafa.

Me rastin e fillimit të programit, GKK nderon historikun e ish-Galerisë së Ministrisë së Kulturës e cila ishte pjesë e Departamenti të Kulturës në MKRS. Departamenti i Kulturës e filloi punën në maj të vitit 2000, fillimisht në ndërtesën e qeverisë dhe më pas, nga shtatori i po atij viti, u zhvendos në ambientet e Kompleksit Qafa ku gjendet edhe sot. Iniciativa për krijimin e kësaj galerie u ndërmor nga Dr. Edi Shukriu dhe z. Gonzalo Retamal, të cilët bashkëkryesonin Departamentin e Kulturës në atë kohë.

Deri në vitin 2012, galeria u menaxhua nga piktorja dhe kritikja e artit Vesta Nura, e cila thekson:

“Si koordinatorë, me z.Ziolkovsky, e më pas me znj. Margaret Wood, kemi patur detyrë, sipas përshkrimit të vendit të punës,të merremi me mbarvajtjen e institucioneve të arteve vizuele: Galerinë e Arteve të Kosovës (Galeria Kombëtare e Kosovës), Kosovafilmin (Qendra Kinematografike e Kosovës) si dhe me projekte e çështje të nivelit qendror të arteve vizuele.PërGalerinë është punuar në mënyrë vullnetare e entuziaste,pa limite kohe e kursimi ngase kishte vullnet dhe interesim për të shfaqur artin e strukur të një periudhe të vështirë kohore.”

Në periudhën e pasluftës kjo galeri u shndërrua në pikë referimi për artin bashkëkohor në Kosovë. Nën drejtimin e Znj. Nura, u organizuan mbi 250 ekspozita që hapen rrugën për shumë artistë të rinj dhe ata njohur duke përfshirë artistë si Lumturi Blloshmi, Isa Alimusaj, Hyrije Hana, Arian Berisha, Shemsedin Kasapolli, Burim Canolli, Nehbi Muriqi, Mustafa Arapi, Avni Behluli, Nevruz Musa, Magbule Xhemaili, e shumë te tjerë. Galeria po ashtu organizonte ekspozita grupore të ndryshme e me rëndësi të veçantë ishte ajo Veprat e Dëmtuara nga Lufta e Fundit në Kosovë, e kuruar nga Isa Alimusaj. Nga viti 2012, nën menaxhimin e Dhurata Ramosaj, në GMK u organizuan mbi 70 ekspozita. Me rritjen e numrit të hapësirave ekspozuese dhe fondeve të dedikuara për kulturë në vend, numri i ekspozitave në këtë galeri u zvogëlua, duke reflektuar një decentralizim të mundësive për prezantim artistik.

Kjo periudhë u shënua me krijimin e Këshillit Artistik, strukturimin e programit të ekspozitave, rritjen e buxhetit dhe të stafit profesional, si dhe me bashkëpunime ndërinstitucionale. Në vitet e fundit në programin e galerisë janë përfshirë artistë si Valbona Zherka, Lala Meredith Vula, Edi Hila, Astrit Ismaili, Barbara Prenka, Nurhan Qehaja, e Lirije Buliqi, ndër të tjerë.

Në vitet e para të funksionimit, numri i lartë i ekspozitave erdhi si përgjigje ndaj kërkesës së madhe të artistëve për të prezantuar punën e tyre, veçanërisht pas luftës dhe një dekade izolimi gjatë viteve ’90, kur mundësitë për ekspozim ishin të kufizuara kryesisht në kafe-galeri. Sidoqoftë, pavarësishtë vështirësive, në retrospektivë kjo galeri ka luajtur një rol kyç në mbështetjen e artistëve të ri dhe ka shërbyer si platformë me rëndësi për promovimin dhe afirmimin e tyre në skenën e artit bashkëkohor në vend.

Historiku i ekspozitave shërben si një tregues qe kjo galeri ka ofruar mundësi për zhvillimin e një audience më të gjerë që vlerësonte artin dhe kulturën. GMK ka kontribuar në forcimin e lidhjeve ndërmjet artit dhe shoqërisë, si një vend ku artistët mund të angazhoheshin me komunitetin dhe të zhvillonin praktikën e tyre.

Tani, GKK Qafa e renovuar rishtaz, ofron kushte më të përshtatshme për ekspozim, duke përfshirë një sistem të përmirësuar ndriçimi dhe klimatizimi që mundëson prezantimin optimal të veprave të artit.

Përveç ndërhyrjeve teknike, janë bërë investime në infrastrukturën e përgjithshme të hapësirës duke e bërë atë më funksionale për artistët, kuratorët dhe vizitorët. Gjithashtu, administrata do të ketë kushte më të mira pune për menaxhimin dhe koordinimin e ekspozitave dhe aktiviteteve edukative, duke rritur kështu kapacitetin organizativ dhe mbështetjen institucionale për programet artistike./KultPlus.com

‘Kam mësuar’, mësimet më me vlerë nga Shakespeare

“Kam mësuar” nga William Shakespeare përbën ndoshta mësimet më të mëdha të dramaturgut tënjohur anglez. Janë mësimet që autori ka nxjerrë përgjatë jetës së tij dhe që vendosi t’i ndante me të gjithë. Njëkohësisht, edhe pse kohërat kanë kaluar, janë mesazhet që vlejnë ende në ditët e sotme për të gjithë ne.

“Kam mësuar se nuk mund të kërkoj dashuri nga të gjithë. Unë mund t’u jap arsye të mira për tëmë pëlqyer dhe pastaj të tregoj durim që jeta të merret me pjesën e mbetur. Kam mësuar se pavarësisht se disa gjëra janë të rëndësishme për mua, disa njerëzve nuk u interesojnë ato dhe nuk kam pse t’i bind për t’i pëlqyer. Kam mësuar se mund të shpenzoj vite për të ndërtuar një tëvërtetë dhe ta shkatërroj atë në disa sekonda.

Unë mund ta përdor sharmin tim për 15 minuta, por pas kësaj duhet ta kuptoj për çfarë jam duke folur. Kam mësuar se mund ta bësh diçka në një minutë dhe pastaj të duhet të mbash përgjegjësi për atë gjë përgjatë gjithë jetës. Kam mësuar se mund të duhet shumë punë për t’u bërë personi që dëshiron të bëhesh, ama duhet të tregosh edhe durim. Por kam mësuar edhe se çdokush mund të shkojë përtej kufijve që i vendos vetes.

Kam mësuar se duhet të zgjedh midis kontrollit të mendimeve të mia, ose të jem i kontrolluar prej tyre. Kam mësuar se heronjtë janë njerëz që bëjnë atë që mendojnë se duhet të bëjnë në njëkohë të caktuar, pavarësisht frikërave të tyre.

Kam mësuar se falja kërkon shumë praktikë. Kam mësuar se në kohëra të vështira, ndihma mund të të jepet nga një person që kurrë nuk e mendoje se do të bënte mirë. Kam mësuar se nuk duhet t’i thuash asnjëherë një fëmije se ëndrrat e tij janë të pamundura për t’u realizuar. Kjo gjë mund të jetë tragjike për ta.

Kam mësuar se nuk mjafton të të falin të tjerët, duhet ta falësh fillimisht veten tënde. Kam mësuar se pavarësisht se zemra ime mund të lëndohet, bota nuk do të ndalet për këtë arsye. Kam mësuar se situatat e kaluara në fëmijërinë time janë përgjegjëse për atë që jam, por jo për zgjedhjet që unë bëj si një i rritur. Kam mësuar se kur dy njerëz debatojnë, kjo gjë nuk do të thotëse ata e urrejnë njëri-tjetrin. Nuk do të thotë as se e duan njëri-tjetrin.

Kam mësuar se sado t’i mbroj fëmijët e mi, ata do të lëndohen një ditë. Kjo gjë është pjesë e jetës. Kam mësuar se jeta ime mund të ndryshojë përgjithmonë në disa orë, për shkak të disa njerëzve që mund të mos i kem parë ndonjëherë më parë.

Kam mësuar se diplomat në mur nuk të bëjnë më të respektueshëm, apo më të zgjuar. Kam mësuar edhe se fjalët e dashurisë e humbasin kuptimin e tyre, kur përdoren pa pjekuri. Kam mësuar se disa njerëz largohen nga jeta jonë, edhe pse ne do të donim t’i kishim pranëpërgjithmonë. Kam mësuar, mbi të gjitha, se është e vështirë të jesh xhentil, të mos i lëndosh të tjerët dhe të mësosh të luftosh për gjërat që beson”./bota.al/ KultPlus.com

BE gjobit ‘Apple’ dhe ‘Meta’ për shkelje të rregullave digjitale evropiane

Komisioni Evropian ka gjobitur gjigantët e teknologjisë “Apple” dhe “Meta” për shkelje të rregullores së re digjitale të BE-së, sipas politico.eu.

“Apple” përballet me një gjobë prej 500 milionë eurosh për shkeljen e rregullave të rregullores në “App. Store”, ndërsa “Meta” me një gjobë prej 200 milionë eurosh për modelin e saj të reklamimit “paguaj ose mirato”, i cili kërkon që përdoruesit e Bashkimit Europian të paguajnë për të hyrë në versionet ad-free të Facebook dhe Instagram.

Akti i Tregjeve Digjitale (DMA) – i cili hyri në fuqi në vitin 2024 – vendos rregullat për mënyrën se si kompanitë e teknologjisë duhet të operojnë në tregun evropian.

Dy gjobat janë rezultat i hetimeve 1-vjeçare mbi aktivitetet e gjigantëve të teknologjisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përveç gjobës, kundrejt “Apple” është lëshuar një urdhër pushimi dhe ndalimi që ka të bëjë me ndryshime të mëtejshme të produktit deri në fund të qershorit.

Nëse kompania nuk respekton kushtet, Komisioni mund ta gjobisë atë për çdo ditë që është në kundërshtim me ligjin.

Aktualisht, komisioni është duke vlerësuar ndryshimet që “Meta” prezantoi në fund të vitit të kaluar – për të respektuar rregulloren.

Një zyrtar i lartë i BE-së tha se për përcaktimin e gjobave të shpallura sot – Komisioni kishte pasur parasysh se këto janë gjobat e para të lëshuara sipas aktit DMA dhe se, për “Meta”, shkelja ishte pezulluar në nëntor, vetëm disa muaj pasi Brukseli shprehu shqetësimet e tij.

Ekzekutivi i BE-së njoftoi se ka mbyllur një hetim mbi përputhshmërinë e “Apple” me rregullat e DMA-së për browsers dhe default apps (aplikacionet e paracaktuara) pas ndryshimeve që ndihmuan konkurrentët si “Mozilla” të fitonin një terren në pajisjet iOS.

“Apple” dhe Meta nuk kanë respektuar DMA-në duke zbatuar masa që përforcojnë varësinë e përdoruesve të biznesit dhe konsumatorëve nga platformat e tyre. Si rezultat, ne kemi ndërmarrë veprime të rrepta, por të ekuilibruara zbatuese kundër të dyja kompanive, bazuar në rregulla të qarta dhe të parashikueshme”, tha komisionerja e BE-së për Konkurrencën, Teresa Ribera në një deklaratë për shtyp. /atsh/ KultPlus.com

Kush do të jetë Papa i ardhshëm? Kandidatët kryesorë në një garë të paparashikueshme

Kush do të jetë Papa i ardhshëm? Vendimi mund të ketë një ndikim të madh ndaj Kishës Katolike dhe 1,4 miliardë katolikëve romakë të pagëzuar në botë, sipas BBC.

Ai gjithashtu pritet të jetë një proces shumë i paparashikueshëm dhe i hapur për një mori arsyesh.

Kolegji i Kardinalëve do të mblidhet në konklavë në Kapelën Sistine për të debatuar dhe më pas për të votuar për kandidatët e tyre të preferuar derisa caktohet një emër i vetëm.

Me 80% të kardinalëve të emëruar nga vetë papa Françesku, ata jo vetëm që po zgjedhin një Papë për herë të parë, por do të ofrojnë një perspektivë të gjerë globale.

Për herë të parë në histori, më pak se gjysma e atyre që do të votojnë do të jenë evropianë.

Dhe megjithëse kolegji mund të mbizotërohet nga emërimet e tij, ato nuk ishin ekskluzivisht “progresive” apo “tradicionaliste”.

Për këto arsye, është e vështirë të parashikohet se kush do të zgjidhet Papa i ardhshëm.

A mund të zgjedhin kardinalët një papë afrikan apo aziatik, apo mund të favorizojnë një nga kandidatët e vjetër të administratës së Vatikanit?

Më poshtë vijojnë disa nga emrat që përmenden si pasardhës të mundshëm të papa Françeskut:

Pietro Parolin

Kombësia: Italian

Mosha: 70

Kardinali italian Parolin, ishte sekretari i shtetit i Vatikanit nën drejtimin papa Françeskun – duke e bërë atë këshilltarin kryesor të Papës.

Sekretari i Shtetit kryeson gjithashtu Kurinë Romake, administratën qendrore të Kishës.

Pasi ka vepruar në mënyrë efektive si zëvendës papë, ai mund të konsiderohet një kryesues.

Ai shihet i përshtatshëm për t’i dhënë përparësi diplomacisë. Por ai ka qenë kritik ndaj legalizimit të martesave të të njëjtit seks në mbarë botën, duke e quajtur një votë historike në favor të vitit 2015 në Republikën e Irlandës “një humbje për njerëzimin”.

Rreth 213 nga 266 papët e mëparshëm kanë qenë italianë dhe edhe pse nuk ka pasur një papë italian në 40 vjet, strumbullari i niveleve të larta të Kishës larg Italisë dhe Evropës mund të nënkuptojë se mund të mos ketë një tjetër për momentin.

Luis Antonio Gokim Tagle

Kombësia: Filipinase

Mosha: 67

A mund të jetë Papa i ardhshëm nga Azia?

Kardinali Tagle ka qenë një udhëheqës aktiv i Kishës mes njerëzve në krahasim me një diplomat për Vatikanin ose ekspert i mbyllur i ligjit të Kishës.

Kisha ka një ndikim masiv në Filipine, ku rreth 80% e popullsisë janë katolike. Vendi aktualisht ka një rekord prej pesë anëtarësh të Kolegjit të Kardinalëve – që mund të krijojë një fraksion të rëndësishëm lobues nëse të gjithë mbështesin Kardinalin Tagle.

Ai konsiderohet si kardinal i moderuar brenda përkufizimit katolik dhe është quajtur “Françesku aziatik” për shkak të një përkushtimi ndaj çështjeve sociale dhe simpatisë për emigrantët që ai ndante me Papën e ndjerë.

Ai ka kundërshtuar të drejtat e abortit, duke i quajtur ato “një formë vrasjeje” – një pozicion në përputhje me qëndrimin më të gjerë të Kishës se jeta fillon me ngjizjen. Ai ka folur edhe kundër eutanazisë.

Kardinali u konsiderua si një kandidat për të qenë Papë që në konklavën e vitit 2013 në të cilën u zgjodh Françesku.

Fridolin Ambongo Besungu

Kombësia: Kongolez

Mosha: 65

Është e mundur që Papa i ardhshëm të jetë nga Afrika, ku Kisha Katolike vazhdon të shtojë miliona anëtarë. Kardinali Ambongo është një kandidat kryesor, me prejardhje nga Republika Demokratike e Kongos (DRC).

Ai ka qenë kryepeshkop i Kinshasës për shtatë vjet dhe u emërua kardinal nga Papa Françesku.

Ai është një konservator kulturor, që kundërshton bekimet për martesat e të njëjtës gjini, duke deklaruar se bashkimet e personave të të njëjtës gjini konsiderohen kontradiktore me normat kulturore dhe në thelb të liga.

Megjithëse krishterimi është feja e shumicës në DRC, të krishterët atje janë përballur me vdekje dhe persekutim nga grupi xhihadist i Shtetit Islamik dhe rebelëve. Në këtë sfond, kardinali Ambongo shihet si një avokat i ashpër i Kishës.

Por në një intervistë të vitit 2020, ai foli në favor të pluralitetit fetar, duke thënë: “Protestantët le të jenë protestantë dhe myslimanët myslimanë. Ne do të punojmë me ta. Por secili duhet të ruajë identitetin e tij”.

Peter Kodwo Appiah Turkson

Kombësia: Ganaian

Mosha: 76

Nëse zgjidhej nga bashkëmoshatarët e tij, kardinali Turkson do të ishte gjithashtu Papa i parë afrikan në 1500 vjet.

Ashtu si kardinali Ambongo, ai ka pretenduar se nuk e dëshiron këtë pozocion.

I pyetur nëse Afrika kishte një rast të mirë për të ofruar Papën e ardhshme bazuar në rritjen e Kishës në kontinent, ai tha se mendonte se Papa nuk duhej të zgjidhej bazuar në statistika, pasi këto lloj konsideratash prireshin “të turbullonin ujërat”.

Ai ishte i pari ganez që u bë kardinal, në vitin 2003 nën drejtimin e Papa Gjon Pali II.

Ashtu si Kardinali Tagle, Kardinali Turkson u konsiderua një papë i mundshëm një dekadë më vonë, kur u zgjodh Françesku.

Një kitarist që dikur luante në një grup funk, Kardinali Turkson njihet për praninë e tij energjike.

Si shumë kardinalë nga Afrika, ai është konservator. Megjithatë, ai ka kundërshtuar kriminalizimin e marrëdhënieve të homoseksualëve në vendet afrikane, përfshirë vendlindjen e tij Gana.

Peter Erdo

Kombësia: Hungareze

Mosha: 72

Kardinali Peter Erdo, që në moshën 51-vjeçare u vlerësua shumë në Kishën në Evropë, pasi ka drejtuar dy herë Këshillin e Konferencave të Ipeshkvijve Evropianë nga viti 2006 deri në vitin 2016.

Ai është i njohur në mesin e kardinalëve afrikanë dhe ka punuar në marrëdhëniet katolike me kishën ortodokse.

Kryepeshkopi i Budapestit dhe primat i Hungarisë u rrit në një familje katolike nën regjimin komunist dhe ai konsiderohet një kandidat i mundshëm kompromisi.

Erdo luajti një rol të spikatur në dy vizitat e Papa Françeskut në Hungari në 2021 dhe 2023, dhe ai ishte pjesë e konklavave që zgjodhën Françeskun dhe paraardhësin e tij, Papa Benediktin.

Pikëpamjet e tij konservatore për familjen janë vlerësuar në disa pjesë të Kishës.

Gjatë krizës së emigrantëve në Evropë në 2015, ai tha se Kisha nuk do të pranonte emigrantë pasi kjo ishte e barabartë me trafikimin e qenieve njerëzore.

Angelo Scola

Kombësia: Italian

Mosha: 83

Vetëm kardinalët nën 80 vjeç mund të votojnë në konklavë, por Angelo Scola ende mund të zgjidhet.

Ish-kryepeshkopi i Milanos ishte një kryesues në vitin 2013 kur u zgjodh Françesku, por mendohet se ai ka rënë viktimë e shprehjes së hyrjes në konklavë si Papë dhe largimit si kardinal.

Emri i tij është rishfaqur përpara konklavës, për shkak të një libri që ai do të botojë këtë javë në moshë të vjetër.

Libri përmban një parathënie të shkruar nga Papa Françesku përpara se të shtrohej në spital, ku tha se “vdekja nuk ishte fundi i gjithçkaje, por fillimi i diçkaje”.

Fjalët e Françeskut tregojnë dashuri të sinqertë për Scola, por kolegji i kardinalëve mund të mos e shohë fokusin e tij te mosha e vjetër – si ideale për një papë të ri.

Reinhard Marks

Kombësia: Gjermane

Mosha: 71

Kleriku më i lartë katolik i Gjermanisë është gjithashtu një njeri i brendshëm i Vatikanit.

Kryepeshkopi i Mynihut dhe Freising u zgjodh si këshilltar kur Françesku u bë papë në vitin 2013. Për 10 vjet ai këshilloi Papën për reformën e kishës dhe ende mbikëqyr reformën financiare të Vatikanit.

Ai ka mbrojtur një qasje më të përshtatshme ndaj homoseksualëve ose personave transgjinorë në mësimet katolike.

Por, në vitin 2021 ai dha dorëheqjen për gabime serioze në trajtimin e abuzimit seksual të fëmijëve në Kishën Katolike të Gjermanisë. Dorëheqja u refuzua nga Françesku.

Dy vjet më parë ai u largua nga Këshilli i Kardinalëve, organi më i rëndësishëm këshillues i Papës, në atë që u pa në Gjermani si një pengesë për karrierën e tij në Kishë.

Marc Ouellet

Kombësia: Kanadeze

Mosha: 80

Kardinali Ouellet është propozuar dy herë si një kandidat i mundshëm për Papë, në 2005 dhe 2013.

Për vite me radhë ai drejtoi Dikasterin e Ipeshkvijve të Vatikanit, i cili zgjedh kandidatët për ipeshkvinë në mbarë botën, kështu që ai ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe formues në verifikimin e anëtarëve të ardhshëm të hierarkisë katolike.

Ouellet shihet si një konservator me një pikëpamje moderne, i cili është fuqimisht në favor të ruajtjes së parimit të beqarisë për priftërinjtë.

Ai kundërshton shugurimin e grave meshtare, por ka bërë thirrje për një rol më të madh të grave në drejtimin e Kishës Katolike, duke thënë se “Krishti është mashkull, Kisha është femër”.

Robert Prevost

Kombësia: Amerikane

Mosha: 69

A mund t’i shkojë papati një amerikani për herë të parë?

Kardinali Prevost i lindur në Çikago sigurisht që shihet se ka shumë nga cilësitë e nevojshme për këtë rol.

Dy vjet më parë Papa Françesku zgjodhi Prevost për të zëvendësuar Marc Ouellet si prefekt të Dikasterit të Peshkopëve të Vatikanit, duke i dhënë detyrën për të zgjedhur brezin e ardhshëm të peshkopëve.

Ai punoi për shumë vite si misionar në Peru përpara se të bëhej kryepeshkop atje.

Prevost nuk konsiderohet vetëm një amerikan, por si dikush që drejtoi Komisionin Papnor për Amerikën Latine.

Ai shihet si një reformator, por në moshën 69-vjeçare mund të shihet si shumë i ri për papatin.

Periudha e tij si kryepeshkop në Peru u turbullua gjithashtu nga akuzat për mbulimin e pretendimeve për abuzim seksual, të cilat u mohuan nga dioqeza e tij.

Robert Sarah

Kombësia: Guinean

Mosha: 79

I pëlqyer nga konservatorët në Kishë, Kardinali Sarah është i njohur për aderimin e tij ndaj doktrinës dhe liturgjisë tradicionale dhe shpesh konsiderohej si kundër prirjeve reformiste të Papa Françeskut.

Djali i një mbledhësi frutash, Sarah u bë kryepeshkopi më i ri në moshën 34-vjeçare kur Papa Gjon Pali II e emëroi atë prelat në Conakry, në Guine.

Ai ka pasur një karrierë të gjatë dhe mbresëlënëse, duke u tërhequr në vitin 2021 si kreu i zyrës së Vatikanit – që mbikëqyr ritet liturgjike të Kishës Katolike.

Ndërsa nuk konsiderohet si favorit për papatin, ai mund të tërheqë mbështetje të fortë nga kardinalët konservatorë.

Michael Czerny

Kombësia: Kanadeze

Mosha: 78

Kardinali Czerny u emërua kardinal nga Papa Françesku dhe njihet për punën e tij bamirëse dhe misionare në mbarë botën.

Edhe pse lindi në ish-Çekosllovaki, familja e tij u shpërngul në Kanada kur ai ishte dy vjeç.

Ai ka punuar gjerësisht në Amerikën Latine dhe në Afrikë, ku themeloi Rrjetin Afrikan “Jesuit Aids” dhe dha mësim në Kenia.

Czerny është i njohur me përparimtarët në Kishë dhe konsiderohej i afërt me Papa Françeskun.

Ai aktualisht është kreu i Dikasterit të Vatikanit për Promovimin e Zhvillimit Integral Njerëzor. /atsh/ KultPlus.com

Distria Krasniqi i siguron Kosovës medalje në Mal të Zi, kualifikohet në finale

Xhudistja nga Kosova, Distria Krasniqi është kualifikuar në finalen e Kampionatit Europian për Senior që po mbahet në Podguricë të Malit të Zi.

Ajo në gjysmëfinale mposhti xhudisten nga Spanja, Ariane Toro Soler, shkruan Indeksonline

Krasniqi me këtë fitore ka siguruar një medalje për Kosovën dhe në finale do të luftojë kundër xhudistes së njohur, Odette Giuffrida.

Kujtojmë që në këtë garë të kategorisë -52 kilogram, Krasniqi në raundin e dytë e eliminoi serben, Milica Nikolic, kurse në raundin e tretë holandezen, Naomi van Krevel./Indeksonline/ KultPlus.com

Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë organizon edicionin e 17-të Panairit të Librit 

Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë të Universitetit të Tiranës organizoi sot edicionin e 17-të Panairit të Librit në mjediset e jashtme të këtij fakulteti.

Më tej veprimtaria kushtuar Ditës Botërore të Librit vijoi në auditor ku u mbajt forumi “Potenciale të interdisiplinaritetit”, drejtuar nga prof. dr. Persida Asllani me ligjërues kryesor akad. prof. dr. Artan Fuga.

Departamentet e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë ndërmorën një diskutim ndërdepartamental për të trajtuar natyrën, potencialet dhe sfidat e qasjeve studimore e kërkimore ndërdisiplinore si një nga tiparet e dijes dhe shkencës bashkëkohore, duke prezantuar gjithashtu edhe arritje e sprova të deritanishme në këtë perspektivë.

Gjithashtu u bënë prezantime të botimeve të departamentit dhe bashkëpunëtorëve të tij. /atsh/ KultPlus.com

Filloni Karrierën Tuaj si Teknik Dentar në Universum International College 

Industria dentare po rritet me shpejtësi dhe kërkesa për teknikë dentarë të kualifikuar është më e lartë se kurrë! Programi Bachelor në Teknikë Dentare në Uni Universum International College është mundësia perfekte për ty që dëshiron të ndërtosh një karrierë të sigurt dhe   fitimprurëse. Ky program inovativ të pajis me njohuri të thelluara dhe aftësi praktike për të krijuar dhe përshtatur proteza dentare, aparate ortodontike dhe zgjidhje të personalizuara për pacientët.

Pse duhet të zgjedhësh këtë program?

✔ Diplomë e Akredituar Ndërkombëtarisht – Diploma jote do të ketë vlerë globale, duke të hapur dyert për punësim kudo në botë. 

✔ Edukimi me Teknologjitë më të Avancuara – Përvetëso metodat më moderne në laboratorët tanë të pajisur me teknologji të fjalës së fundit. 

✔ Një Karrierë e Sigurt dhe Fitimprurëse – Paga konkurruese dhe kërkesa e lartë për teknikë dentarë në tregun e punës.

TI JE UNIK! Krijo suksesin tënd, me edukim amerikan. Fuqizohu nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA. Studio në UNI duke aplikuar këtu! 

Për më shumë informata rreth programit kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqni UNI – n në facebook & instagram.

Shpiket roboti më i vogël amfib që ndryshon formë

Një ekip kërkimor kinez ka zhvilluar robotin amfib më të vogël dhe më të lehtë në botë, i aftë të transformohet në çdo formë të dëshiruar.

Roboti i zhvilluar nga studiuesit në Universitetin Tsinghua, është i gjatë 9,0 centimetra dhe peshon vetëm 25 gramë.

Ai mund të arrijë një shpejtësi prej 1,6 metrash në sekondë.

Së fundmi, ekipi projektoi një aktivizues miniaturë që lejon mikrorobotët të ndryshojnë formën dhe të “kyçen” në konfigurime specifike, duke përmirësuar ndjeshëm përshtatshmërinë e tyre në mjedise të ndryshme.

Duke përdorur këtë aktivizues në një dizajn modular të stilit të bllokut të ndërtimit, studiuesit krijuan robotin amfib, i cili mund të transformojë strukturën e tij për të vrapuar dhe fluturuar, duke demonstruar shkathtësi dhe manovrim të avancuar.

Sipas profesorit që drejtoi ekipin hulumtues, Zhang Yihui, roboti përbëhet nga disa komponentë, përfshirë rotorët, një motor, një kontrollues dhe një furnizim me energji elektrike, të gjithë të mundësuar nga aktivizuesit./ atsh/ KultPlus.com

Presidentja Osmani ndan dekoratë për ushtrinë finlandeze si shenjë falënderimi për shërbimin në Kosovë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, po e zhvillon një vizitë zyrtare në Finlandë ku është takuar me homologun e saj Alexander Stubb.

Osmani dhe Stubb, mbajtën një konferencë për media.

Aty e para e shtetit të Kosovës, ndau edhe një “medalje ushtarake” për ushtrakët finlandez si falënderim për shërbimin e tyre në Kosovës, në kuadër të KFOR-it.

7 mijë e 500 burra e gra nga Finlanda kishin shërbyer në uniformën e misionit ushtarak të KFOR-it.

Presidenti Alexander Stubb, u shpreh tejet i nderuar me këtë dekoratë nga ana e homologes së tij kosovare.

Ai tha se trupat e Finlandës do të vazhdojë të japin kontributin në KFOR, duke shtuar edhe angazhimin e tyre.

Edhe filmat e realizuar me AI mund të fitojnë Oscar

Filmat e realizuar me ndihmën e inteligjencës artificiale (AI) do të jenë në gjendje të fitojnë çmimet kryesore në Oscar, sipas organizatorëve të saj.

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit nxori rregulla të reja të hënën, të cilat thanë se përdorimi i AI dhe mjeteve të tjera digjitale “as nuk do të ndihmonte dhe as do të dëmtonte shanset për të arritur një nominim”, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Inteligjenca artificiale gjeneruese – e cila mund të krijojë tekst, imazhe, audio dhe video në përgjigje të kërkesave të thjeshta të tekstit – ndihmoi në prodhimin e disa prej filmave të vlerësuar me çmimet kryesore të industrisë në mars.

Por Akademia tha se do të merrte ende në konsideratë përfshirjen njerëzore gjatë përzgjedhjes së fituesve të saj.

Akademia tha se gjuha e saj e re rreth përshtatshmërisë për filmat e realizuar duke përdorur mjete gjeneruese të AI u rekomandua nga Këshilli i saj i Shkencës dhe Teknologjisë.

Sipas ndryshimeve të mëtejshme të rregullave të shpallura të hënën, anëtarët e Akademisë duhet të shikojnë tani të gjithë filmat e nominuar në secilën kategori në mënyrë që të mund të marrin pjesë në raundin përfundimtar të votimit, i cili vendos për fituesit.

Përdorimi i AI në film u bë një temë e nxehtë pasi Adrian Brody mori çmimin për aktorin më të mirë për rolin e tij në “The Brutalist” në ceremoninë e Oscars të këtij viti në mars.

Filmi përdori AI gjeneruese për të përmirësuar theksin e aktorit kur ai fliste hungarisht.

Më pas doli që teknologjia e ngjashme e klonimit të zërit u përdor për të përmirësuar zërat e këndimit në muzikalin fitues të Oscarit, Emilia Perez.

Aftësia e teknologjisë për të ndryshuar ose përputhur me shpejtësi tonin dhe stilin e një artisti, ose për të kryer modifikime të tilla si ndryshimi i hollë i pamjes së dikujt, e ka ndihmuar atë të bëhet më popullor në prodhimin e muzikës dhe filmit.

Pianistja Maria Ludwika Gabrys në maj hap edicionin jubilar të Chopin Piano Fest

Ceremonia e hapjes së edicionit jubilar të 15-të të Chopin Piano Fest do të filloj me pianisten Maria Ludwika Gabrys- Heyke, profesoreshë dhe Shefe e Departamentit të Muzikës së Vjetër dhe e Çembalos në Universitetin e Muzikës “Fryderyk Chopin” në Varshavë.

Gabryś-Heyke është fituese e shumë Çmimeve të Para, përfshirë Konkursin Ndërkombëtar “Ludwig van Beethoven” në Hradec nad Moravicí (Republika Çeke), “Edwin Fischer-Wettbewerb” në Lucernë (Zvicër) dhe “Chopin Golden Ring” në Ptuj, Slloveni.

Festivali më i madh i muzikës klasike “Chopin” vjen në bashkëpunim me Zyren e Bashkimit Evropian në Kosovë, për nder të Ditës së Evropës.

“Nga 8 Maji deri më 9 Qershor 2025, festojmë 15 vite muzikë me 15 koncerte ku perfomojnë artistë të njohur, ansamble kamertale, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës me soliste dhe koncertet e dedikuara per talentët e rinj premtues.

Bashkohuni me ne për ta festuar së bashku këtë edicion jubilar në Amfiteatrin e Ri, Biblioteka Qendrore Universitare Prishtinë!”, thuhet në njoftim.

Ceremonia e hapjes së Chopin Piano Fest nis më 8 Maj në ora 20:00, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Qëndrore Universitare./ KultPlus.com