Disenjatorja Eshrefe Sylejmani, mahnitë me koleksionin ‘Start’ (FOTO)

Gusht 11, 2017 - 2:02 pm

Jeta Zymberi

Të jesh i veçantë në atë që bënë, sot është bërë e vështirë sepse secili po mundohet të vijë sa më unik në punën e tij. Por, veçantia vërehet menjëherë te disenjatorja Eshrefe Shkodra Sylejmani e cila këto ditë solli koleksionin e saj të parë dhe njëkohësisht bëri edhe hapjen e studios të emëruar si ‘ES Couture’, shkruan KultPlus.

Për Eshrefen, dizajni dhe moda kanë qenë gjithmonë pasion dhe qysh e re ajo ka filluar të merret me këtë punë, deri më kur edhe vendosi të studiojë e të bëhet me master për Dizajn të modës në Akademinë Evolucion.

“Dizajni dhe moda ka qenë gjithmonë pasion i imi. Kam pasur fatin që nana ime ka qenë një mjeshtre e punës së dorës dhe hapat e parë i kam marr nga ajo. Në moshën 16 vjeçare kam filluar me zanat për rrobaqepësi, gjatë kësaj kohe kam punuar edhe për dizajnimin e fustaneve. Përkrahja e madhe e bashkëshortit dhe dy djemve të mi më kanë dhënë forcë dhe vullnet shtesë për këtë profesion”, ka treguar disenjatorja fillimisht për KultPlus.

Hapja e studios së saj në Gjilan, ku të pranishëm kishte shumë miq dhe njerëz të modës, e ka shpalosur edhe koleksionin e parë të disenjatores, i cili koleksion ka mahnitur të pranishmit. Koleksioni i quajtur ‘Start’, është një fillim i ri në jetën e Eshrefes e cila premton shumë me punën e saj.

“Kam pas kënaqësinë që në mesin e shumë miqve të filloj me studion time të modës, jam ndier jashtëzakonisht mirë në mesin e tyre. Jam përpjekur të bëjë më të mirën me koleksionin tim të parë, ky koleksion është i përshtatur me trendin. Kam përdorur materiale unike, me kualitet shumë të lartë. Kam punuar shumë gjatë viteve të fundit që ky koleksion të pranohet mirë nga tregu ynë, dhe shpresoj që kjo do të ndodhë, komentet e para janë shumë pozitive”, është shprehur tutje Eshrefja, e cila tutje tregoi që ajo çka e karakterizon atë nga disenjatorët tjerë është teknika e punës, përkushtimi maksimal për kualitet dhe dizajnet unike.

“Pika ime e fort është zgjedhja e materialeve unike”, ka pohuar ajo.

Ky koleksion i cili përmban rreth 20 fustane me prerje të lartë (Houte Couture), është punuar me materiale të ndryshme por dominon dantella dhe materialet me shkëlqim, të gjitha këto materiale italiane. Ngjyrat e përdorura janë ari, e bardha, e zeza dhe rozë.

Këtë koleksion, disnjatorja përveç që e prezantoi në studion e saj, ajo e solli edhe përmes një fotosesioni të realizuar me fotografin Arton Humolli. Ndërsa fustanet kanë shkëlqyer edhe më tepër në trupin e modeles Dhurata Lipovica, e cila po vazhdon të jetë ndër modelet më të kërkuara në vend në 10 vitet e fundit.

“Fotosesioni ka qenë fantastik, me shumë kënaqësi kam bashkëpunuar me emrat më të njohur të modelingut, fotografisë dhe makeup-it. Jam jashtëzakonisht e kënaqur për bashkëpunimin me këta njerëz profesional”, është shprehur disenjatorja, e cila tregoi se përshtypjet dhe komentet e para kanë qenë shume pozitive dhe inspiruese për të.

Krejt për fund disenjatorja tregoi për KultPlus se shumë shpejt do të filloj me përgatitjen e koleksionit të ri pranverë verë 2018-2019, që do të dalë në muajin shkurt-mars të vitit të ardhshëm. Sipas saj, ky koleksion do të ketë bashkëpunime edhe me emra të njohur të televizionit dhe modës, me të cilët ajo tashmë është në bisedime. / KultPlus.com



Të ngjajshme