Kreshnik Xhiku viziton veprën e tij ‘George Kastrioti – Skanderbeg’ në Londër pas pesë vjetësh

Gusht 9, 2017 - 11:06 am

Skulptori i njohur Kreshnik Xhiku, i cili para disa viteve realizoi figurën e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Londër, është kthyer te vepra e tij për ta parë me dashuri ashtu si ditën që e realizoi, shkruan KultPlus.

Një fotografi të skulptorit afër veprës së tij, e ka shpërndarë Mal Berisha, ish ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, duke thënë se artistët e vërtetë i shohin veprat e tyre me shumë dashuri, njësojë si fëmijët.

“Artistët e vërtetë i shohin veprat e tyre me shumë dashuri, ndoshta njësoj si fëmijët. Edhe skulptori ynë i njohur Kreshnik Xhiku, ishte kthyer pas afro pesë vjetësh tek vepra e tij, George Kastrioti – SKANDERBEG në Londër”, shkruan Mali, duke treguar tutje edhe mesazhin që Kreshniku ja ka dërguar në ditën që e vizitoi veprën e tij.

“Mesazhi që më dërgoi: “Isha 5 ditë në Londër dhe busti dukej shumë bukur dhe plot me lule e gjelbërim. Të fala Kreshniku, dhe bukuria që e rrethon bustin më solli ndërmend një thënie të një artisti të madh anglez, Henry Moor: “Skulptura është arti që zbukuron mjediset e hapura. Drita e ditës dhe ndriçimi i Diellit janë të nevojshme për t’i parë ato, është kjo arsyeja pse vendi më i mirë dhe më i përshtatshëm për të është vetë natyra”.

Veprat monumentale të Kreshnik Xhikut hijeshojnë disa sheshe si busti i Faik Konicës në Parkun e Liqenit të Tiranës, shtatorja e Mbretit Zog në bulevardin Zog I, busti i Skënderbeut në Londër si dhe disa nga shtatoret në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë: monumenti i Nënës Terezë në Cleveland Ohio dhe Ekuestri i Skënderbeut në Rochester Hills Michigan. / KultPlus.com

Të ngjajshme