Punëtoria ‘Vizualizimi i Kohës’ në DokuFest

Gusht 3, 2017 - 3:35 pm

Në partneritet me Departamentin e Etnologjisë në Shqipëri, DokuFest në edicionin e sivjetmë, do të mbajë një punëtori nga Laboratori i Antropologjisë Vizuale, e cila që do të përfshijë pjesëmarrës nga fusha si: antropologjia, filozofia, sociologjia dhe kinematografia, shkruan KultPlus.

Temat bosht të kësaj punëtorie janë: kohorja dhe pamorja, kufiri dhe koha, regjimet kohore në konfigurimet kozmologjike, tingujt, hapësira dhe koha, vetja, tjetri dhe koha.

Synimi themelor i kësaj punëtorie është të shënojë në mënyrë analitike, përdorimin e instrumenteve teknologjike dhe intelektuale në vizualizimin e kohës. Qëmtimi etnografik i kohës subjektive dhe objektive, i portave apo urave kohore si ndërlidhëse kulturash, i kohëzimit mikro e makroskopik në rrafsh diakronik dhe sinkronik, përmes nocionit të imazhit dhe proceseve vizualizuese, do të jenë pjesë e këtij programi, përderisa praktika do të zhvillohet në zonën ndërkufitare Shqipëri-Kosovë.

Punëtoria ‘Vizualizimi i Kohës’ do të mbahet nga data 3 deri më 9 gusht në Prizren. Festivali Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër-DokuFest, nisë nesër me 3 gusht dhe zgjatë deri më 12 gusht. / KultPlus.com

Të ngjajshme