34 vjet nga protesta në stadiumin e Kavajës, detaje të dosjes së ish-Sigurimit

25 Mars, 2024 - 1:28 pm

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit përkujtoi sot 34-vjetorin e protestës në stadiumin e Kavajës.

Në  25 mars 1990 në stadiumin e Kavajës pati protesta gjatë ndeshjes Besa-Partizani, ku mbarë qyteti u ngrit në këmbë e protestoi fuqishëm me parullat “Poshtë diktatura”, “Liri-demokraci”, “Poshtë Nexhmije Hoxha”. Numri i të rinjve, sipas raportimeev të Sigurimit të Shtetit ishte prej 200-300 veta.

Pas kësaj, djemtë e Kavajës u përleshën me forcat policore  disa prej tyre u arrestuan. Dy punëtorë të fabrikës së Gozhdë Bullonave mes tyre Rexhep Rugeja dhe Ilir Rugeja u rrahën nga policia. Dhjetëra arrestime u bënë asokohe. Protesta dhe pse jo të përditshme vijuan. Në 10 korrik, të po atij viti, do të vritej 21-vjeçari Josif Budo, pjesmarrës në këto protesta.

Dosja nr. 641 vitit 1990, “Mbi ngjarjet e ndodhura në qytetin e Kavajës, komentet, reagimet, arrestimet dhe masat e mara si dhe plagosja e një polici, etj. “ përmban dokumente zyrtare, raporte e urdhëresa mbi këtë ngjarje, që kanë nisur të krijohen në 2.03.1990 dhe kanë përfunduar më 14.12.1990.

AIDSSH informon se sipas raporteve  të policisë së kohës: “Në datën 26.03.1990  një grup keqbërësish mblidhen para rajonit të policisë, thyejnë xhama dhe hedhin parulla armiqësore: “Liri Demokraci”, “Poshtë diktatura”, “Poshtë dinastia”. Kjo ngjarje ndodhi pas ndeshjes “Besa”-“Partizani” në stadiumin e Kavajës. Një natë më parë ishin shpërndarë fletushka me thirrjen për të protestuar në minutën e ’80 të ndeshjes, kundër vështirësive ekonomike dhe udhëheqjes.

Thirrjet për protestë në ndeshjen “Besa”- “Partizani” në minutën e ‘80 të ngrihemi lart e të thërrasin pa pushim “Liri- Demokraci”, “Le t’i lajmë me gjakun tonë shkallët e stadiumit. “Propaganda komuniste është fund e krye mashtrim.” Numri i të rinjve ishte prej 200-300 veta, sipas raportimeve./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme