Intervista e shkrimtarit Anton Marku me Kurt Gostentschnigg

10 Korrik, 2024 - 10:24 pm

Korrik, 2024

Lexuesit tanë ju njohin kryesisht si historian, albanolog, përkthyes dhe shkrimtar. Kush është në të vërtetë Kurt Gostentschnigg dhe cila ka qenë rruga juaj jetësore?

Për një përgjigje të kënaqshme nuk ka mjaft vend në këtë format. Prandaj u rekomandoj lexuesve që të informohen lidhur me këtë pyetje në intervistën time për revistën “Jeta e Re” (viti 2005; e botuar në internet: Zemra Shqiptare, 2012) dhe në artikullin tim “Shtegtime në malësinë shqiptare. Refleksione kontemplative të një albanologu”, të botuar në 15 gazeta dhe revista shqiptare në vitin 2018 (“Tema”, “Gazeta Shqiptare”, “Voice of Albanians”, “Dielli Demokristian” etj.). Ndryshe – pa kontekstin e mendësisë spirituale dhe të terminologjisë së përdorur nga ana ime – do të ketë vetëm keqkuptime të panevojshme. Siç ka thënë shkrimtari francez Antoine de Saint-Exupéry: gjuha është burimi i të gjitha keqkuptimeve. Dhe gjuha lidhet me mendësinë.


Studiuesit gjermanishtfolës kanë qenë më të përkushtuar për të hulumtuar gjenezën e gjuhës shqipe. Cili ka qenë kontakti juaj i parë me këtë gjuhë dhe çfarë ju ka shtyrë që ta mësoni dhe të merreni me të edhe profesionalisht?

E kam dëgjuar gjuhën shqipe për herë të parë gjatë ekskursionit të Institutit të Historisë së Evropës Juglindore të Universitetit të Graz-it në Shqipëri dhe Kosovë në vitin 1989 dhe kam rënë që në çastin e parë në dashuri me këtë gjuhë të mrekullueshme, e cila deri më sot ka mbetur e dashura ime. Në verë të vitit 1990 kam filluar të mësoj gjuhën shqipe në mënyrë autodidakte pa pasur mundësi të pyesja dikë për paqartësitë e metodës. Vështirësitë nuk i kam ndierë si të tilla, sepse kur je i dashuruar, je njëkohësisht i verbër për tekat e së dashurës.


Pas ndryshimeve demokratike në Shqipëri ju keni jetuar dhe punuar gjithsej 11 vite midis 1993 dhe 2011 si lektor në universitetet e Tiranës dhe Shkodrës. Cilat janë përshtypjet tuaja nga kjo kohë?

Shqiptarët – dhe këtu hyjnë për mua edhe shqiptarët e Kosovës – janë mikpritës, familjarë dhe emocionalë. Në Shqipëri unë kam njohur shumë njerëz me zemër të madhe. Por është medalje me dy anë: aq sa të dashurojnë po aq dhe të urrejnë. Unë që kam nevojë për qetësi për punën time, ndihesha shpesh i bezdisur nga zhurma, spontaniteti dhe mungesa e organizimit dhe disiplinës. Sipas përvojës dhe mendimit tim, Shqipëria dhe Kosova kanë këto probleme kryesore: dallimi në rritje midis të pasurve dhe të varfërve, korrupsioni në të gjitha nivelet e shoqërisë, krimi i organizuar, emigracioni i të rinjve dhe armiqësia e betuar me serbët dhe grekët. Kështu të dy shtetet mbeten në vend numero. Qeveria nuk është në shërbim të popullit, por në shërbim të dikujt tjetër. Ndiqe gjurmën e parasë … Për mënjanimin e problemeve – ku ka vullnet, ka rrugë – ka shembuj suksesi dhe zgjidhjeje. Le të marrim krimin e organizuar dhe korrupsionin me anë të sistemit partiak. Kështu presidenti i ri i El Salvadorit, Nayib Bukele, ka bërë vendin e tij brenda pak viteve pa ndihmë të jashtme nga vendi më i rrezikshëm në botë në vendin më të sigurtë në hemisferën perëndimore, duke eliminuar MS-13 satanik në një operacion ushtarak me ndihmën e Zotit. Shteti i Thellë, i cili kontrollon shumicën e qeverive të botës, ka frikë tani që vende të tjera e ndjekin këtë shembull. Saksonët e Lirë në Gjermani, fillimisht një lëvizje popullore në landin Saksoni, kanë themeluar një parti, e cila kërkon heqjen e sistemit partiak, sepse ky u shërben më shumë pushtuesve sesa qytetarëve. Përtej skemës partiako-politike të pozicioneve ekstreme majtas-djathas duhet të qëndrojnë interesat e njeriut në mes. Pse jo përfaqësim direkt i këtyre interesave njerëzore pa ndërmjetësim partiak? Ende nuk ka një lëvizje të fortë patriotike as në Shqipëri as në Kosovë, siç ka me partinë AfD në Gjermani dhe me partinë FPÖ në Austri. Për mendimin tim, kjo ka të bëjë me emigracionin prej dekadash dhe me refuzimin e kthimit në atdhe për shkak të mungesës së perspektivave në vendlindje.


Punimi juaj i doktoratës ka të bëjë me gërshetimin e politikes me shkencën në shembullin e albanologjisë austro-hungareze. Çfarë ju motivoi që të shkruani pikërisht për këtë temë?

Këtë temë e kisha marrë në vitin 1988 nga udhëheqësi im i diplomës dhe më vonë i doktoratës Karl Kaser. Vetëm me kalimin e kërkimeve të mia shumëvjeçare në këtë fushë realizova rëndësinë dhe aktualitetin e kësaj teme. Shihni shembullin e plandemisë së koronës dhe të luftës në Ukrainë. Narrativat e ndryshme shkencore dhe publicistike ndikohen nga interesat politike dhe ushtarake. Rrallkush guxon të ofrojë të dyja anët e medaljes, sepse duhet të llogarisë pasojat negative.


Në vitin 2018 ju keni botuar librin voluminoz me titull ‘‘Shkenca në fushën tensionuese të politikës dhe ushtrisë. Albanologjia austro-hungareze 1867-1918’’. A mund të na tregoni shkurt përmbajtjen e tij?

Monografia ime ofron për herë të parë një paraqitje përmbledhëse të të gjitha marrëdhënieve austro-hungaro-shqiptare në shkencë, politikë, ekonomi, ushtri dhe kulturë si dhe një përpjekje të rikonstruksionit të fushave “shkencë/albanologji”, “politikë”, “ushtri” dhe “austrofilë” sipas teorisë së fushës të Pierre Bourdieu-s. Ky studim i përgjigjet pyetjes së lidhjes së shkencës, politikës dhe ushtrisë në këto marrëdhënie bilaterale duke zbatuar teorinë e imperializmit kulturor të Johan Galtung-ut, emërton aktorët individualë dhe kolektivë të fushave të lartpërmendura, tematizon perspektivat e tyre, tipizon aktorët individualë si dhe përmban një tematizim të ndërveprimit të fushave dhe një rikonstruksion të së ashtuquajturës „fushe të pushtetit“.


Ju jeni edhe anëtar nderi i Lidhjes se Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’, si dhe keni marrë pjesë dhe keni lexuar në disa orë letrare të organizuara nga kjo shoqatë. Cili është mendimi juaj për letërsinë shqipe të shkruar në mërgatë në përgjithësi dhe në Austri në veçanti?

Në dekadat e fundit kam lexuar kryesisht vepra historiko-albanologjike dhe vepra letraro-spirituale. Prandaj, për sa i përket letërsisë shqipe, unë njoh vetëm veprat, të cilat i kam përkthyer. Gëzohem gjithmonë, kur mund të përkthej poezi me rima. E adhuroj Lasgush Poradecin, sepse vetë preferoj të shkruaj poezi me rima.


Ju keni përkthyer një numër të madh librash, qoftë romane apo përmbledhje me poezi, nga gjuha shqipe në atë gjermane. Cilat janë sfidat e përkthimit të teksteve letrare sot dhe cili është mendimi juaj për inteligjencën artificiale (AI)? A mund ta zë ajo në të ardhmen rolin e përkthyesit?

Problemi kryesor – veçanërisht për përkthimin e teksteve profesionale – është mungesa e fjalorëve profesionalë me terminologjinë e duhur. Fjalorët ekzistues shqip-gjermanisht dhe gjermanisht-shqip janë të vjetëruar dhe nuk përfaqësojnë gjendjen aktuale të fjalëve. Inteligjenca artificiale më e mirë, e cila ende fshihet nga publiku, mund të zëvendësojë përkthyesin nga ana sipërfaqësore, por jo nga ana e thellësisë shpirtërore. Njerëz të ndjeshëm dhe të zhvilluar spiritualisht dinë se cili përkthim është kryer nga inteligjenca artificiale dhe cili nga një njeri. Varet nga ajo çfarë kërkon.


Kohëve të fundit ju keni botuar një manifest për një ‘‘albanologji te re’’ ku keni hedhur idenë e themelimit të një shoqate shkencore, e cila me kalimin e kohës do të transformohej në një institut të mirëfilltë albanologjik. Në lidhje me këtë keni përpiluar edhe statutin e saj. Përse konsideroni se kjo është e nevojshme dhe cila do të ishte fushë-veprimtaria i këtij instituti?

Gjithçka shpjegohet në artikullin tim “Manifest për një albanologji të re”, të botuar në mediat shqiptare Tema, Kultplus dhe Albinfo. Në sistemin e vjetër, në të cilin ende jetojmë, nuk ka liri të vërtetë për shkencën. Prandaj ne duhet të krijojmë një sistem të ri, ku shkenca është e pavarur nga ndikimet politike dhe ideologjike dhe mbi drejtimin, temën dhe metodën e kërkimit nuk vendos paradhënësi – qeveria, banka, fondacioni, organizata joqeveritare –, por paramarrësi – instituti kërkimor, kërkuesi. Fusha e veprimit e një instituti të tillë albanologjik do të ishte e gjithanshme, d.m.th. jo vetëm gjuha dhe letërsia, por historia, gjuhësia, etnografia, gjeografia, arkeologjia, filozofia etj.. Ka pasur një nismë shqiptare në Graz, në të cilën kam marrë pjesë dhe për të cilën kam hartuar statutet. Por vizioni im lidhur me këtë nuk ka gjetur resonancë, kështu që jam tërhequr nga ky projekt. Për arritjen e idealit duhen bërë nganjëherë sakrifica personale, për të cilat askush nuk di. Por çdo gjë ka një kufi, derisa realiteti është ashtu si është. Kush digjet nga qumështi, i fryn kosit. Me njerëzit e duhur, me financimin e duhur dhe me përkushtimin e duhur ndaj qëllimit të lartë të përbashkët do të isha i gatshëm të jepja kontributin tim sipas mundësive të mia, qoftë vetëm si këshilltar, botues dhe kumtues. Ndoshta vizioni im realizohet në një vend tjetër në një kohë tjetër nga një brez tjetër me një koshiencë më të hapur …


Cilat janë projektet tuaja aktuale, sidomos ato letrare, dhe çfarë mund të presin lexuesit në një të ardhme të afërt nga ju?

Punoj si përkthyes dhe mësues për gjuhën gjermane për të huajt, prandaj nuk kam shumë kohë në dispozicion për gjëra të tjera. Por kur gjej kohë, shkruaj poezi me rima, punoj në vëllimin e dytë të trilogjisë “Dielli Një-Shumë i Dashurisë. Shpalosja e Hyjnores në kohë dhe hapësirë” dhe që prej katër vitesh në librin tim “Fëmijëve tanë. Lufta e narrativave rrugës drejt jetës hyjnore”. Përveç kësaj botoj herë pas here artikuj publicistikë në gjermanisht dhe shqip mbi tema aktuale.


Cila do të ishte porosia juaj për lexuesit tanë, duke pasur parasysh se gazeta jonë (Albinfo) është e vetmja e këtij lloji në Austri, dhe e cila lexohet dhe komentohet nga mijëra bashkatdhetarë tanë në këtë shtet mik, sidomos nga gjeneratat e reja, me synim integrimin e tyre sa më të mirë në shoqërinë vendase?

Gjenerata e re shqiptare dhe kosovaro-shqiptare në Austri dhe kudo në diasporë duhet të marrë një vendim personal: ose integrim i plotë në shoqërinë e vendit ku jetojnë, ose ruajtje e identitetit shqiptar dhe kontribut patriotik në zhvillimin e atdheut, mundësisht me anë të kthimit në vendlindje. Fjalë të bukura nuk mjaftojnë, duhen vepra dhe sakrifica personale. Atdheu dhe kombi janë në rrezik të madh. Këtu unë nuk e kam fjalën vetëm për Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe për Austrinë, Gjermaninë dhe Zvicrën. Rreziku ekzistencial për kombin austriak dhe kombin gjerman është imigracioni i shfrenuar i të huajve dhe sidomos i ilegalëve kriminelë dhe fetaro-fanatikë, të cilët janë kundër kulturës, zakonit dhe fesë vendase dhe nuk duan të integrohen, por të shkatërrojnë shoqërinë e vendit. Rreziku ekzistencial për kombin shqiptar (dhe kombin kosovar, në qoftë se ekziston tashmë një koshiencë e tillë ndër brezat e rinj të Kosovës; unë personalisht ndihem si patriot austriak shumë i afërm me kombin gjerman) është emigracioni i tepruar prej dekadash i të rinjve, të cilët nuk duan të kthehen më në atdhe për shkak të mosbesimit në mundësinë e zhvillimit të vendlindjes. Kështu të dy fenomenet – imigracioni dhe emigracioni – mund të shkatërrojnë një komb në afat të gjatë. Unë nuk e dua këtë për kombin tim. A e duan këtë shqiptarët për kombin e tyre? Duhet hedhur në veprim, duke emërtuar shkaqet dhe marrë masat./ KultPlus.com

Të ngjajshme