Kurti mori pjesë në hapjen e Festivalit folklorik “Hasi Jehon 2024”

3 Maj, 2024 - 12:27 pm

Mbrëmë ka filluar edicioni i 35-të i Festivalit folklorik “Hasi Jehon 2024”, i cili do të mbahet edhe më 3 dhe 4 maj në Kodrën e Pajtimit, të fshatit Gjonaj.

Në hapjen solemne të këtij festivali, mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti i cili në fjalën e tij hapëse u shpreh se “Hasi Jehon” ka sfiduar vështirësitë dhe është forcuar nga aspekti i cilësisë, duke bërë kështu që ta marrë epitetin e një prej festivaleve më të rëndësishme të folklorit burimor të trojeve ku jetojnë shqiptarët.

“Për disa dekada ‘Hasi Jehon’ ishte vendtakim kulturor e artistik i shoqërive tona kulturore e artistike” tha Kurti.

Teksa foli për ngritjen e kapaciteteve për mbështetjet financiare nga ana e Qeverisë së Kosovës, dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ai premtoi përkrahje në mënyrë të vazhdueshme për ansambletë, projektet e veçanta, studimet, botimet e aktivitetet e ndryshme në të gjithë Kosovën, në nivelin qendror dhe atë lokal.

Këtë vit Festivali folklorik “Hasi Jehon”, feston 35-vjetorin e jetës së tij artistike, dhe si çdo vit tjetër edhe këtë vit vazhdon fuqishëm të sjell program cilësor, të zgjedhur me profesionalizëm dhe të prezantuar me mjaft kujdes nga bartësit tanë të folklorit. Prandaj, siç tha kryeministri festivalin “Hasi Jehon” e shohim si aktivitet kulturor të pandalshëm dhe të pandashëm me trashëgiminë tonë kulturore.

Gjatë fjalës së tij, Kurti, potencoi se tradita, profesionalizmi, publiku, bashkëpunimi i sinqertë, serioziteti i vazhdueshëm kanë bërë që ky festival të jetë nën mbrojtje dhe përkrahje të shtetit të Kosovës.

Ai shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e tij të përzemërta për organizimin, aktivitetet, angazhimin dhe punën e palodhshme të gjithë organizatorëve të festivalit, ndërsa i uroi suksese të gjithë pjesëmarrësve që marrin pjesë me shfaqjet e tyre në festival, e të pranishmëve shikim e përjetim të këndshëm gjatë tre netëve sa zgjatë festivali.

Me këtë rast ai bëri thirrje që në këto tre net të vijnë dhe ta vizitojnë Hasin dhe ta përcjellin festivalin sepse në këtë mënyrë e përcjellin trashëgiminë kulturore gjithandej, pasi që siç e cilësoi edhe kryeministri treva e Hasit është zemra e shqiptarisë.

Të ngjajshme