Me shfaqjen “Babai dhe Babai” do të nisë Festivali “Mirëdita, dobar dan” në Beograd

11 Qershor, 2024 - 3:42 pm

Prej 27 e deri më 29 qershor do të mbahet Fetsivali “Mirëdira, dobar dan” në Beograd, festival që do të nisë me shfaqjen e njohur “Babai dhe Babai” me tekst të Jeton Neziraj e regji të Kushtrim Koliqit, shkruan KultPlus.

Edhe në këtë edicion do të ketë prurje të ndryshme artistike, kanë bërë të ditur organizatorët.

KultPlus jus jell të plotë njoftimin e organizatorëve.

“Mirëdita, dobar dan” është një platformë unike për shkëmbim kulturor, si dhe dialog mbi çështjet kritike që shmangen dhe neglizhohen. Shkëmbimi kulturor është një mjet i fuqishëm për të promovuar pajtimin dhe paqen e qëndrueshme, si dhe për të kapërcyer hendekun midis dy kulturave, dhe ne i ftojmë të gjithë të na bashkohen në këtë përpjekje,” tha Tijana Đuknić në emër të Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.

Festivali nisë hapjen zyrtare me shfaqjen e “Babai dhe babai”, një shfaqje teatrale nga dramaturgu kosovar Jeton Neziraj, me regji të Kushtrim Koliqit, e cila është planifikuar për të enjtën, më 27 maj, në orën 19:30 në “Dorćol Platz”.

Programi i debateve të festivalit do të trajtojë çështje që rrethojnë shkëmbimin kulturor midis Kosovës dhe Serbisë, duke i adresuar në mënyrë specifike ndalimet dhe pengesat brenda bashkëpunimit kulturor, akademik dhe artistik, si dhe trajtimin e efekteve të mbetura gjatë luftës. Debati hyrës, i titulluar “Normalizimi i moslejimit apo moslejimi i normalizimit: Pengimi i shkëmbimit kulturor” është planifikuar për të premten, më 28 qershor, në orën 17:00 në vendin “Miljenko Dereta” (Dobračina 55). Ky diskutim do të përqendrohet në ndalimet e ndryshme me të cilat përballen artistët, intelektualët dhe praktikuesit e kulturës. Kufizimet ekonomike, akademike dhe kulturore paraqesin pengesa për mirëkuptimin ndërkulturor, duke moslejuar normalizimin e marrëdhënieve midis dy shoqërive.


Debati i dytë, gjithashtu do të paraqesë edhe prezantimin e librit “Shënimet e krimbit Smolinski” nga shkrimtari i ri kosovar Azem Deliu, që shtjellon temat që kanë të bëjnë me trashëgiminë e luftës dhe ndikimet e saj bashkëkohore në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Programi i festivalit të këtij viti përfshin edhe filmin “Vera ëndërron detin” nga regjisorja Kaltrina Krasniqi. Ky film debutoi në Festivalin e Filmit në Venecia dhe më vonë fitoi çmime në Festivalin e Filmit në Tokio dhe Goteborg, si dhe në “Festivalin e Filmit Zona e Lirë” të Beogradit. Shfaqja e filmit do të jetë në “Koska bar” (Dobračina 59) të shtunën, më 29 qershor, në orën 19:30.

Përveç kësaj, bendi i njohur kosovar “La Fazani,” i udhëhequr nga karizmatiku Arbër Salihu, do të performojë në “Elektropionir” (Cetinjska 15) të premten, më 28 qershor, në orën 21:00. Bendi arriti fitoren në konkurrimin e vitit të kaluar për zgjedhjen e përfaqësuesit të Kosovës në Eurovizion, pavarësisht se Kosova ende nuk është pranuar si pjesëmarrëse në këtë ngjarje.

Njëkohësisht, hapja e ekspozitës së artistes vizuale Ermira Murati, e njohur artistikisht si The Orange Girl, do të fillojë në orën 19:00 në “Endžio Hab” (Dobračina 4) po atë ditë. Veprat e Ermirës përcjellin mesazhe të veçanta politike, duke eksploruar temën e puthjes si një shprehje që është thelbësisht joneutrale.

Hyrja në të gjitha ngjarjet e festivalit është falas.

Edicioni i njëmbëdhjetë i festivalit “Mirëdita, dobar dan” është i organizuar me mbështetjen e madhe të Bashkimit Evropian dhe Fondacionit Rockefeller Brothers.

Ju lutemi gjeni bashkangjitur datat e edicionit të njëmbëdhjetë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!.”

Edicioni i këtij viti i festivalit “Mirëdita, dobar dan” i organizuar nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR, Serbia), Integra (Kosovë) dhe Iniciativa Qytetare (CI, Serbia) do të prezantojë një përzierje unike të artit, kulturës bashkëkohore dhe diskutimeve domethënëse që hedhin dritë mbi tema historike kyçe, si dhe të orientuara drejt së ardhmes, veçanërisht të rëndësishme gjatë kësaj periudhe sfiduese për marrëdhëniet Kosovë-Serbi./ KultPlus.com

Të ngjajshme