Vdes At Antonio Bellusci, Kurti: Ishte figura kyçe në komunitetin arbëresh në Itali

20 Qershor, 2024 - 10:51 pm

Ka vdekur protopresbiteri i Eparkisë së Lungrës, At Antonio Bellusci, përcjell KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shpehur se At Antonio Bellusci qe figura kyçe në komunitetin arbëresh në Itali, dhe një nga personalitetet më përbashkues mbarëshqiptar.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e kryeministrit Kurti:

Me hidhërim të thellë mora lajmin që miku ynë i kahmotshëm, Protopresbiteri i Eparkisë së Lungrës, At Antonio Bellusci, ose zoti Ndoni siç e thërrisnin sivëllezërit e tij arbëreshë, shkoi në amshim.

Antonio Bellusci qe figura kyçe në komunitetin arbëresh në Itali, dhe një nga personalitetet më përbashkues mbarëshqiptar.

Puna e tij në vitet ’60 për mbledhjen e materialeve etnografike e gjuhësore te arvanitasit e Greqisë qe e jashtëzakonshme. Ai hyri me mikrofonin e tij në shtëpitë e vëllezërve tanë për të imortalizuar gjuhën e tyre duke faktuar atë ekzistencë.

Antonio Belusci jetoi e punoi për çështjen arbëreshe, për çështjen shqiptare.

Nismat e tij nuk u ndalën deri në orët e fundit.

Në 1966 themeloi Revistën “Vatra jonë” në “San Costantino Albanese”, në 1980 Revistën “Lidhja në Cosenza”, si dhe botoi edhe dhjetëra vëllime e artikuj.

Për kontributin e tij të gjithanshëm u nderua nga Republika jonë, ku Presidentja znj. Vjosa Osmani-Sadriu i dha ‘Shtetësinë e nderit të Republikës së Kosovës’.

Në ndarje të këtilla nuk ka tjetër veç se mungesë të parikuperueshme.

Ai, u kujdes të na lë pas një thesar të paçmueshëm. Shtëpia e tij në Frasnitë, biblioteka “A. Bellusci”, është sot pasuria e shumëfishtë, ku përveç mijëra vëllimeve mbi albanologjinë, ai themeloi aty edhe një vatër studimesh unike.

Mendimet tona shkojnë sot për familjen e tij, miqtë dhe të gjithë komunitetin arbëresh.

U bëftë emri, puna dhe vullneti i tij, burim frymëzimi për studiuesit e rinj e për secilin prej nesh!/KultPlus.com

Të ngjajshme