Kastriot Tusha promovon librin “Këngë popullore qytetare të Elbasanit”, Isak Shehu: I heq kapelën për rëndësinë e këtij projekti

28 Mars, 2024 - 10:45 am

Në mesin e shumë artdashësve, aktorë, këngëtarë e figurave të njohura në Kosovë, mbrëmë në hapësirën e këndshme të librarisë Dukagjini, tenori i njohur Kastriot Tusha ka promovuar librin e tij të titulluar “Kënga popullore qytetare e Elbasanit”, duke treguar se si erdhi deri tek botimi i këtij librit, copëza nga jeta e tij dhe se si ka ndikuar amaneti i babait të tij që të jetë këtu ku është sot, shkruan KultPlus.

Në sallën e vogël por të këndshme, që nuk kishte më ulëse të lira, moderatorja e eventit ka filluar mbrëmjen duke i dhënë disa informacione për tenorin Tusha, i cili ka lindur në vitin 1963 në Elbasan. Mësimet fillestare për kanto i ka marrë në shkollën e muzikës “Onufri” të Elbasanit, dhe pastaj në vitin 2002 është aktivizuar në Teatrin e Operas dhe Baletit. Kastriot Tusha ka performuar në shumë skena të mëdha në Evropë dhe ShBA.

Gjatë promovimit të librit, si panelistë ishin të ftuar miq edhe kolegë të afërt të Kastriot Tushës, Dekani i Fakultetit të Muzikës, Isak Shehu, tenori i njohur në arenën ndërkombëtare, Josif Gjipali, prof. Sokol Saraçi, Dekani i Fakultetit të Arteve nga Peja,  Hysen Nimani dhe prof. Zeqir Sulkuqi.

Mirëpo, përveç panelistëve që ishin të ftuar për të folur mbi librin, kolegët e Tushës dhe emra shumë të dashur për publikun siç janë Nikollë Nikprelaj e Ilir Shaqiri, kishin ardhur për të shijuar mbrëmjen dhe për t’iu gëzuar suksesit të radhës të kolegut të tyre.

Tenori Kastriot Tusha, fjalimin e tij mes të qeshurash dhe të kombinuar me këngë të bukura shqipe, e filloi duke falënderuar të gjithë të pranishmit që kishin ardhur për të nderuar tenorin. Ai është shprehur se hartimi i kësaj monografie është fryt i punës disa vjeçare, që u finalizua pasi ka marrë gradën e doktoratës. Tusha ka treguar se burimi i këngës së Shqipërisë së Mesme janë tre mjeshtrit e muzikës siç i quajti ai, Usta Isuf Myzyri, Leksi i Vinit dhe Mustafa Bodini.

Nën emocione Tusha ka treguar se ka qenë shumë kureshtar për të mësuar se si është themeluar kënga popullore qytetare, duke shtuar se e kishte porosi nga babi që të merrej me këtë punë, duke qenë se atij i pëlqenin këngët e Myzyrit.

“Një amanet e kisha nga babai dhe kështu duke pirë kafe para se të caktoja temën me prof. Isakun e pyeta se çfarë teme të bëj për doktoraturë, profesori më tha pse mos ta bësh për këngën qytetare dhe kështu e qova në vend edhe amanetin e tim ati që i kishte shumë për qejf këngët e Myzyrit”, është shprehur Tusha.

Mes rreshtash që i kishte shkruar që të mos ngatërrohej, Tusha nuk e kishte problem që të dilte nga skaleta e tij dhe të argëtonte të gjithë njerëzit në sallë, duke kënduar herë pas here pjesë të këngëve që i kishte të përfshira në librin e tij.

Tutje, ai ka treguar se për hartimin e librit janë mbështetur në shumë hulumtime të etnologëve shqiptarë si Mikaela Minga, Ramadan Sokolo, Albert Paparisto e Eno Koço. Tusha ka shtuar se ka marrë shkas të bëjë librin pasi dihet që Shqipëria e Mesme ka mbetur e njëjta, sepse veriu dhe jugu kanë lëvizur.

Tenori foli për Elbasanin me shumë dashuri dhe fjalë të ëmbla duke u shprehur se është një vend i bukur që populli e duan rakinë shumë dhe se duke qenë se rremat e ujit kalonin në oborret e shtëpive të tyre, ata i futnin këmbët në ujë dhe e shijonin rakinë.

“Kam dashur të lë një hap, një gjurmë për një studim të mirëfilltë”, është shprehur Tusha për librin e tij në fund, duke falënderuar përsëri të gjithë të pranishmit, mediat, kolegët, dhe librarinë për organizimin e eventit të promovimit të librit.

Pas tij, fjalën e mori prof. Isak Shehu, i cili foli fjalët më të mira për tenorin dhe punën e tij të palodhshme.

“Tenorin e kam bashkudhëtar, që 8 vite punojmë bashkë, është shef i departamentit të Kantos”, është shprehur ai.

Tutje, Shehu bëri thirrje që personat që merren me muzikë, duhet të flasin për muzikën njëjtë siç ka bërë në këtë rast tenori Tusha.

Shehu ka shtuar se Tushës i heq kapelën për rëndësinë e këtij projekti dhe se profesorëve të tjerë iu mbetet për detyrë që t’i fusin këto libra në programet mësimore, sepse është obligim që të orientojmë popullin se çka të dëgjojnë.

Pas tij, me kërkesë të protagonistit të mbrëmjes, Kastriot Tusha, është ndryshuar plani i vijueshmërisë së mbrëmjes, që bashkë me orkestrën të këndojë këngë shumë të bukura popullore qytetare.

“Një lulishtë me trëndafila” dhe “Të deshta me hakikat” u kënduan nga tenori dhe jo vetëm. Performancës së tij iu bashkuan pothuajse të gjithë të pranishmit duke e shijuar pafundësisht çdo fjalë të këngës dhe duke e duartrokitur pafund.

Ndërsa, prof. Sokol Saraçi u shpreh falënderues ndaj tenorit Tusha dhe duke e komplimentuar për punën që ka bërë, u shpreh se tenori në këtë libër ka sjell vlera të veçanta në analizën e thellë që ka bërë.

Tutje, fjalën e mori tenori i njohur ndërkombëtarisht, Josif Gjipali, i cili është edhe mik i afërt me Kastriot Tushën. Ai u shpreh i lumtur që ndodhet në këtë promovim të librit bashkë me kolegët e tij, duke shtuar se Elbasani lidhet ngushtë me muzikën.

“Ndjehem i emocionuar dhe i gëzuar që jam bashkë me kolegët këtu, Kastrioti e ka bërë më së miri këtë libër sepse Elbasani për më shumë se 250 vite kishte dëshirën, jetën për arsim dhe është i lidhur ngushtë edhe me muzikën”, është shprehur tenori.

Në këtë mbrëmje të rëndësishme për tenorin, nuk ka munguar as Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, i cili u shpreh se është gëzuar shumë kur ka marrë ftesën për promovimin e librit nga vetë Kastrioti.

“U gëzova shumë kur Kastrioti më dërgoi ftesën për këtë promovim sepse kam këmbëngulur gjithmonë se një artist si Kastrioti duhet të hedhë në letër diçka, për të lënë një gjurmë tek më të rinjtë sepse kanë nevojë”, u shpreh ambasadori.

I pranishëm ishte edhe Ambasadori i Malit të Zi, Bernard Çobaj, të cilin Malaj e falënderoi publikisht që ai ka shprehur dëshirën të jetë i pranishëm në promovim, posa ka dëgjuar për të.

Në fund të fjalimeve, mbrëmja nuk kishte si të vijonte ndryshe duke e pasur tenorin Kastriot Tusha, përpos me këngë.

Të përziera me shaka e me të qeshura, Tusha këndoi disa këngë të bukura shqiptare, duke magjepsur përsëri të gjithë me zërin e tij. Ndër këngët që i këndoi, nuk mungoi edhe kënga e njohur “Ani moj Shqipni mos thuj marova”, përformancë gjatë së cilës kënduan të gjithë njëzëri.

Mbrëmja përfundoi me një ambient të këndshëm mes librash të shumtë në librari dhe me një koktej që të pranishmit të kalojnë një mbrëmje të bukur mes personazheve të njohura. / KultPlus.com

Të ngjajshme