Pullën Postare me portretin e Ismail Kadaresë, Sejdi Hoxha ia dorëzon shkrimtarit (FOTO)

5 Gusht, 2017 - 3:12 pm

Sejdi Hoxha, kryeshefi ekzekutiv në Postën e Kosovës, bashkë me veprimtarin e çështjes kombëtare Gani Syla, kanë takuar shkrimtarin tonë të njohur Ismail Kadare ku me këtë rast në emër të Postës së Kosovës edhe ja kanë dorëzuar pullën postare me portretin e tij që është emetuar në 80-të vjetorin e lindjes së shkrimtarit, në dhjetor 2016, në vitin që ishte shpallur: “Viti i shkrimtarit Ismail Kadare”, shkruan KultPlus.

Për një gjë të tillë ka njoftuar vetë Hoxha i cili është shprehur i privilegjuar për këtë takim.

“Sot pata nderin dhe privilegjin që së bashku me bashkëpunëtorë dhe veprimtarin e çështjes kombëtare Gani Syla të takoj shkrimtarin tonë të madh, Ismail Kadare. Në emër të Postës së Kosovës ia dorëzova pullën postare me portretin e tij që është emetuar në 80-të vjetorin e lindjes së tij, në dhjetor 2016, në vitin që ishte shpallur: “Viti i shkrimtarit Ismail Kadare”. Për dekada të tëra, Kadare përmes veprave të tij, intervistave dhe formave të tjera ishte në vazhdimësi bashkudhëtar me popullin e Kosovës në rrugën e gjatë e të mundimshme drejt lirisë dhe pavarësisë.

Si një prej personaliteteve shqiptare më të respektuara në qarqet ndërkombëtare, Kadare ishte gjithnjë pranë kauzës së drejtë të popullit të Kosovës. Ai bashkëjetoi me vuajtjet dhe përpjekjet tona.
Ai ishte me ne edhe gjatë okupimit, edhe gjatë luftës çlirimtare, edhe gjatë procesit të bisedimeve për pavarësi duke ngritur zërin në qendrat më të fuqishme perëndimore.

Veprat e tij sot gjinden kudo, në të katër anët e botës, të përkthyera në dhjetëra gjuhë.
Duke shprehur nderim dhe respekt për veprën dhe figurën e shkrimtarit tonë më të madh kemi nderuar edhe Postën e Kosovës”, ka shkruar Hoxha. / KultPlus.com

Të ngjajshme