Dita e muzikës me ‘Muzikë në lagje’, kori ‘Okarina’ dhe talentët e vegjël magjepsën publikun në KultPlus Caffe Gallery

22 Qershor, 2024 - 10:30 pm

Flonja Haxhaj

Mbrëmë, ambientet e jashtme të KultPlus Caffe Gallery u mbushën me tingujt magjepsës të muzikës në ngjarjen e veçantë “Muzikë në Lagje”. Ky event, organizuar nga ‘Kori i Fëmijëve Okarina’ dhe gazeta online për kulturë ‘KultPlus’, ishte një ngjarje që shënoi Ditën Ndërkombëtare të Muzikës, shkruan KultPlus.

Në këtë mbrëmje të paharrueshme, ‘Kori i Fëmijëve Okarina’, bashkë me solistët e “Ars Kosova” dhe shkollës së muzikës ‘Prenk Jakova’, udhëhequr nga dirigjentja Elikonë Hysaj, performuan me një pasion të veçantë, duke dhuruar një spektakël muzikor që la mbresa të thella tek publiku. Pjesëmarrësit, nga fëmijët e vegjël deri te prindërit dhe organizatorët, u kënaqën duke dëgjuar interpretimet e talentuara të këngëve të njohura nga muzika shqipe dhe ajo ndërkombëtare.

Mbrëmja filloi me ansamblin harkor nga Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” të cilët interpretuan ‘Stinën e Pranverës’, kompozitori Antonio Vivaldi e pas tyre e më pas në flautë interpretoi Diosa Ramadani.

Pas këtyre interpretimeve që u shijuan nga publiku, prezantuesja e mbrëmjes, Anisa Ismaili, i ftoi në skenë korin e fëmijëve ‘Okarina’ të cilët dhuruan emocione të paharrueshme në interpretimin e veprave “La sui monti dell’est (del est)”  nga Opera “Turandot” dhe “Avec la garde montante” nga opera “Carmen”.

Kjo festë vazhdoi edhe në interetime solo të artistëve të vegjël por shumë premtues, Vlona Sahiti në piano, Erdi Heta në Fizarmonikë, Daorsa Krasniqi në piano, Darsen Gashi në kitarë, Siar Gashi në piano, Tuana Krasniqi në flautë dhe Tiara Kolgeci në Piano.

Ky event muzikor u organizua për të nderuar Ditën Ndërkombëtare të Muzikës, duke theksuar rëndësinë e muzikës në jetën tonë të përditshme dhe duke promovuar talentet e reja të muzikës në Kosovë. Performancat ishin një kombinim perfekt i energjisë rinore dhe profesionalizmit, duke krijuar një atmosferë të veçantë që do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithëve.

E më pas, radha përsëri u erdhi interpretiuesve të korit ‘Okarina’ të cilët sollën perlat e muzikës shqiptare “Të fala nga Prishtina” këngë e mirënjohur nga kompozitori Musa Piperku, “Kënga e gjyshes” dhe ‘Kur bjen fyelli, çiftelia’ nga Vaçe Zela, performanca këto që sollën një atmosferë magjike për të gjithë të pranishmit që kishin mbushur plot një pjesë të parkut në lagjen Ulpiana.

Programi u pasurua edhe më shumë me interpretimet e nxënësve nga Shkolla e Muzikës , Artit dhe Baletit “ArsKosova”, siç janë, Sofia Congedo, nxënëse nga Ukraina dhe pianistja Luna Shema.

‘Kori i fëmijëve Okarina’ sërish solli frymë shqiptare me “Valsin e lumturisë” nga Vaçe Zela dhe “Bareshën “ nga Nexhmije Pagarusha, nga dy këngëtaret ikonë të muzikës së mirëfilltë shqiptare.

Në këtë mbrëmje që e shijuan të gjithë më pas interpretuan edhe muzikantët e vegjël Kolos Krasniqi në piano, Valza Radoniqi në kitarë, Andrra Haraqia në piano, Hana Morina në violoncello dhe Jara Lahaj në piano.

E krejt në fund, kori ‘Okarina’ përmbylli denjësisht këtë festë, teksa interpretuan “Thank you for the music” nga grupi ABBA dhe ”Vallja popullore” e Pranvera Badivuku, interpretime këto që edhe njëherë vënë në kujtesën e të pranishmëve rëndësinë e muzikës për jetën tonë.
Në përfundim të mbrëmjes, Elikonë Hysaj shpërndau mirënjohje për secilin fëmijë pjesëmarrës.

Pas kësaj mbrëmje , drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, falënderoi korin e fëmijëve ‘Okarina’ për këtë bashkëpunim dhe shtoi se mbrëmjet e tilla kanë një rëndësi të madhe për komunitetin.

“Ngjarje si “Muzikë në Lagje” janë thelbësore për të mbështetur dhe promovuar kulturën muzikore në vendin tonë. Ato ofrojnë një platformë të rëndësishme për artistët e rinj dhe krijojnë mundësi për komunitetin të bashkohet dhe të shijojë bukurinë e tingujve të muzikës”, tha Pajaziti, duke shtuar se shpreson se ngjarje si kjo të bëhen traditë vjetore dhe të vazhdojnë të sjellin gëzim e emocione për të gjithë ata që e duan muzikën./KultPlus.com

Të ngjajshme