Korça me shoqëri muzikore që nga vitet 1661 (FOTO)

2 Gusht, 2017 - 10:00 pm

Qyteti i Korçës ka patur shoqëri muzikore që nga viti 1661; këngëtarët e saj këndonin edhe në Janinë enkas për Ali Pashë Tepelenën. Më i dëgjuari prej tyre ishte këngëtari Muço. E bënte Pashanë të mallëngjehej. Zëri i tij nuk kishte të krahasuar.

Thuhej se fama e sazexhinjve të Korçës kishte shkuar shumë larg. Ata nuk ishin vetëm muzikantë të zotë, por edhe mjeshtër të punimit të instumenteve muzikore. Në pazarin e Korçës të asaj kohe, shiteshin edhe vegla muzikore, të prodhuara nga vetë Korça. Deri më sot, këto të vërteta kanë qenë disi në hije, të panjohura.

Ne i qëmtuam kudo që gjendeshin, referuar burimeve të sigurta, vendase dhe të huaja, dhe i bëmë të gjitha bashkë, që banorët e qytetit të Korçës të kenë një panoramë më të plotë për parardhësit dhe muzikën e qytetit të tyre.

Shoqëritë e hershme muzikore të qyteteve tona përmenden në kronikat e Evlia Çelebiut. Ai pati rastin ta vizitonte tri herë Shqipërinë. Shumica e shënimeve të tij i përket udhëtimit të vitit 1670. Duke ardhur përmes Korfuzit, ai udhëtoi në Gjirokastër përmes Delvinës, e më pas në Tepelenë, Skrapar, Përmet, Berat, Kaninë, Vlorë, Bashtovë, Durrës, Kavajë, Peqin, Elbasan, Strugë, Ohër dhe Pogradec për të vazhduar më tej në Maqedoni.

Në udhëpërshkrimet e njohura si të vitit 1670, (por që në të vërtetë, zgjatën pesë vjet 1667 – 1672), Çelebiu shkroi për formacionet muzikore interpretuese të Beratit, “i cili flet me respekt për grupin e muziktarëve që ishte ndër më të mirët krahas tajfës (grupeve) të Korçës, Leskovikut etj”. ( “Muzika Popullore e qytetit të Beratit” nga akademik Vasil S. Tole).

Në të vërtetë, gjatë këtij udhëtimi, Çelebiu nuk e vizitoi Korçën, sepse këtë qytet e kishte vizituar 9 vjet më parë, në vitin 1661. Vizitën e tij në qytetin e Korçës e bën të ditur edhe në udhëpërshkrimet e vitit 1670, ku thotë se Korçën, Bilishtin dhe Kosturin, i kishte vizituar më 1077, (ose sipas kalendarit të sotëm, në vitin 1661), ku ishte njohur edhe me grupet muzikore të Korçës.

Kjo do të thotë se shoqëritë muzikore duhet të kenë qenë të krijuara kohë më parë, ndoshta që nga fillimi i viteve 1600; por nuk është çudi që aktiviteti i tyre të ketë nisur bashkë me themelimin e qytetit të Korçës, ndryshe nuk do të tërhiqnin dot vëmendjen e udhëtarit të famshëm, autorit të 10 vëllimeve, të quajtura “Sejahatname” (Libri i udhëtimeve), për të cilat shpenzoi 40 vjet të jetës së tij.

Gjithashtu Korça nuk do të kishte qenë në gjendje të nxirrte një këngëtar të rrallë si Muçoja e të shumëvlerësuar prej Pashait të Janinës. Respektin për shoqëritë muzikore të Korçës, Leskovikut, Beratit etj, nuk e fsheh as Çelebiu; ai i quan “të mirë, ndër më të mirët”.

Në këtë aspekt nuk ka vend për shumë dyshime, pasi instrumentet muzikore janë përdorur nga shqiptarët që në kohët më të hershme. Lidhur me veglat muzikore, Faik Konica shkruan: “Mund të jetë me interes të thomi këtu, emrat e instrumenteve muzikore të përdorura në Shqipëri.

Instrumente – erë: fyelli i vogël, fyelli i madh, xurnaja, gërneta, briri (i përdorur prej barinjve), neferi (bri i gjatë i përdorur në teqera bektashish për të thirur dervishët në mësallë). Instrumente – gjalmë: violiri, qemendsheja, tamburaja, lahuta a hungaria, boxuruku. Instrumente – goditje: defi, daullja.

Vini re se gegët nuk e përdorin fjalën daulle si toskët për të thënë fr. Grosse caisse, gros tambur; gegët e përdorin fjalën daull për muzikë. Thonë në gegëri “më thirr daullat në darsmë” si në toskëri flasin për “të thirrur violiet në dasmë”. – Edhe fjala trumbetë thuhet shumë në Shqipëri; do të ketë qenë një instrument i përdorur qëmoti. (Gazeta “Albania” 1905, nr.8, f.153)

Ndërsa për këngëtarin Muço të Ali Pashë Tepelenës, flet kompozitori dhe etnomuzikologu, prof. dr. Vasil S. Tole: “Krahas shumë këngëtarëve të shquar popullorë, si simbol i një këngëtari të shquar popullor, përmendet edhe Muçoja, këngëtari i oborrit të Ali Pashë Tepelenës.

Për herë të parë publikisht rreth Muços, ka folur Kristo Floqi në vitin 1923, i cili gjatë një konferencë mbi muzikën tonë popullore vlerësoi edhe muzikën dhe zërin shumë të bukur të këngëtarit popullor Muços, nga Korça”. (Kristo Floqi, “Këngët e Muços”, tek “Shtypi”, dt. 21 shkurt 1923, nr. 14).

Pra, shoqëritë muzikore të Korçës shkëlqyenë që gjatë viteve 1661 – 1670, por edhe më pas në kohën e Muços së famshëm, gjë që do të thotë se vijueshmëria e muzikantëve të Korçës nuk reshti asnjëherë.

Në fillim të viteve 1800 u shfaq Ibrahimi me Violinë. Kur luante ai, lotonte gjithë Korça. Shumë histori tregohen për të si virtuoz. Ishte i paarritshëm. Sigurisht, ai nuk doli nga hiçi. Para tij duhet të kenë ekzistuar orkestrantë po kaq famozë.

Pas Ibrahimit me violinë, erdhi i bri, Hajroja, edhe ai mësoi ta bënte violinën të qante. Kjo kohë nxori në skenë edhe këngëtaren e famshme, Qerimenë me djare, këngëtaren e madhe të Jugut.

Traditat e hershme në muzikë, bënë të mundur që Korça të nxirrte edhe llautarë virtuozë. Mos u çudisni. Llauta e Korçës përmendet nga shkrimtari dhe miku i Bajronit, Hobhaus (John Cameron Hobhouse), që nga viti 1809-1810, kur ai vizitoi Shqipërinë. Që nga kjo kohë e deri në vitet 20 të shek. XX, në qytetin e Korçës, llahutën e gjejmë si vegël solistike të muzikës popullore qytetare; më pas, me funksionin shoqërues të sazeve.

Qerim Baki ishte një nga llautarët më të mirë të Korçës. Sipas Piro Misos, “lidhur me llojet e llautave, njihen dy formate që janë të përhapura në krahinat e Shqipërisë së Jugut. Që të dy këto tipe, historikisht janë prodhuar nga mjeshtrat shqiptarë të punimit të veglave popullore të qyteteve si Korça, Leksoviku, Përmeti etj.” (Miso Piro, “Roli dhe funksioni muzikor i llautës”, “Kultura Popullore”, 2/1981)

Jo më pak virtuozë u shfaqën dhe instrumentistët në bakllama, veçanërisht në kombinimin e saj me veglat e tjera muzikore. Në fillim të viteve 30, si mjeshtër të bakllamasë u shquan: Alo Qorri, Demka, Sulejman Bakllamaja dhe Demir Telhai. Për qytetin e Korçës, tradita e interpretimit me bakllama vijon të jetë e pëlqyer edhe sot e kësaj dite.

Me këtë rast nuk do të lëmë pa përmendur as gajdexhinjtë e Korçës: Safet Begollin e Bilishtit, që punonte me sazet e Korçës, Theodor Thomain, Skënder Feimin, Islam Bajramin dhe Fiqiri Islamin.

Në qytetin e Korçës, emër të madh patën edhe sazet e Sulo Konicës. Pjesë e këtij grupi u bë edhe Laver Bariu i Përmetit me të atin. Ishte Korça me muzikantët e saj që nxiti Laver Bariun të kapte majat e këtij profesioni: “Laveri luante në shumë vegla popullore, ndër to edhe në fyejt metalike që prodhoheshin dhe shiteshin në dyqanet e Korçës. Për herë të parë luajti në gërnetë bashku me të atin, i cili e shoqëronte me llautë vallen e “Dados”. Shpejtësia dhe thjeshtësia e interpretimit të tij në gërnetë u ra në sy të tërëve, veçanërisht gërnetistit të njohur popullor në Korçë, Skëndo Kuqos. Rastësia bëri që usta Hajdar Cangonji, gërnetisti popullor nga Zvezda, me të cilin punonte nëpër dasma i ati i Laverit, e dëgjoi duke kënduar me llautë këngën popullore “Dorën mor çun dorën, më trete si dëborën”. Megjithëse i vogël në moshë, Laveri iu bashkëngjit sazeve të Hajdar Cangonjit, duke punuar nëpër dasma me “xhezban”. Ai kujton se dasma e parë ku ai interpretoi së bashku me usta Hajdarin dhe me të atin, Bariun, ishte në Vithkuq. Me ta punoi vetëm një behar. Pas kësaj formoi së bashku me vëllezërit Sulo (rreth 35 vjeç) dhe Asllan (rreth 40) nga Konica një formacion tjetër të përbërë nga Suloja në klarinetë, Asllani me def dhe Usta Laveri me llautë, të cilët luanin muzikë popullore qytetare në qytetin e Korçës”, shkruan Konica.al. (Referuar enciklopedisë muzikore)

“Por muzikantët që i dhanë emër qytetit të Korçës, ishin pasardhësit e Ibrahimit me violinë. Edhe Hajroja (djali i Ibrahimit) u bë violinist. Edhe ai mësoj ta bënte violinën të qante. “Të qarën e Hajros”, e interpretojnë edhe violinistët e sotëm, por dy shpirtra nuk janë kurrë njëlloj. Hajroja pati tre djem: Demkën, Rushanin dhe Shefkën. Dy të parët mësuan violinën, kurse Shefka llahutën. Vëllezërit i dhanë dimension tjetër artit të të qarit. Prej Rushanit dhe Shefkës lindën muzikantë të talentuar, kurse Demka la pas 5 djem dhe 2 vajza: Danin, Sulejmanin, Bidon, Abazin, Sazanin, Adivien dhe Xhevrien. Që të gjithë të lindur për muzikë. Një armatë e tërë muzikantësh. Abaz Hajro me fisarmonikë u pagëzua si “babai” i serenatave korçare”. (Vepror Hasani, Abaz Hajro, babai i serenatave korçare)

Nga sa më sipër rezulton se Korça në çdo etapë të jetës së saj, ka patur gjithnjë një Muço dhe një Qerime – këngëtarë brilantë, dhe një Ibrahim apo Abaz që shokon një qytet të tërë me gjenialitetin e vet muzikor. I fundit ishte Lulushi me klarinetë (1954-1990), për të cilin do të flasim një herë tjetër. Duket se ka ardhur koha, për një Muço, një Qerime dhe një Ibrahim tjetër, bëmat muzikore të të cilëve të shkruhen në kronikat vendase dhe të huaja. Dhe kjo nuk është e pabesueshme./ KultPlus.com

Të ngjajshme