Shkëlzen Doli sjellë përsëri Filarmoninë e Vjenës në Tiranë

Gusht 9, 2017 - 11:29 am

Të gjithë e kujtojmë ende mbrëmjen e 2 janarit, ku violinist i mirënjohur Shkëlzen Doli solli në Tiranë Filarmoninë e Vjenës. Me plis në kokë dhe me një teke raki, Doli i entuziazmoi të gjithë në sallën e Pallatit të Kongreseve. Por duket se ky emocion do të përsëritet edhe njëherë.

Burime nga “Gazeta Shqiptare” kanë mundur të mësojnë se Shkëlzen Doli do të rikthehet edhe njëherë në Tiranë, së bashku me Filarmoninë e Vjenës. Me aq sa kemi mundur të mësojmë kanë nisur provat për të mirëpritur artistin e mirënjohur, në një koncert që do të organizohet në sheshin “Skënderbej”. Bëhet me dije se koncerti do të mbahet më 23 shtator 2017.

I mbërritur në Shqipëri, një ditë pasi mori pjesë në koncertin e fillimvitit në Vjenë, artisti shqiptar dhe Ansambli i Filarmonisë vjeneze, performuan me rezonancë të lartë profesionale në kryeqytet më 2 janar të këtij viti. Në një shfaqje që solli në ajrin shqiptar kompozitorët më të mëdhenj të botës, kulmi ishte performanca e orkestrantëve me plis në kokë, ndërsa luanin “Danubin Blu” dhe pinin raki shqiptare.

Për më tepër se 1 orë e 30 minuta, 36 anëtarët e filarmonisë vjeneze performuan klasikët e muzikës botërore. Një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të përfituara nga shfaqja shkuan për bamirësi. Mbetet për t’u parë sesi do të jetë organizuar shfaqja këtë herë, por natyrisht që do të ketë tipare tradicionale shqiptare në ço detaj. E duke qenë se është në shesh të hapur, hyrja do të jetë e lirë për të gjithë publikun.

Rikujtojmë edhe lajmin e madh kur Shkelzen Doli njoftoi për ardhjen e 36 artistëve nga Vjena për të performuar në Tiranë.

“Të nderuar miq dhe artdashës ! Dëshiroj të ndaj me Ju kënaqësinë dhe emocionin e veçante qe kam para kësaj performance kaq te jashtëzakonshme! Me 2 janar, ne Tiranen tone te bukur, do te mberrijne nga Vjena 36 artiste te shquar qe do te shfaqin për herë të parë në Shqiperi, në menyrë kaq autoktone, perlat e artit Austriak per t’ju uruar, sëbashku me mua, të gjithë shqiptarëve, live nga Tirana: një vit të mbarë dhe sa më shumë harmoni! Juaji Shkëlzeni”. / KultPlus.com

Të ngjajshme