Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës në proces të realizimit të ekspozitës për historinë e jetës së muzikës profesionale në Kosovë

22 Qershor, 2024 - 5:19 pm

Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës, të premten e 21 qershorit, në Ditën Botërore të Muzikës, kishte kënaqësinë të njoftojë për nisjen e një procesi në realizimin e ekspozitës së veçantë, e cila do të rikthejë tek opinioni historinë e jetës së muzikës profesionale në Kosovë. Ky projekt ambicioz ka për qëllim të mbledhë dhe të prezantojë materiale të cilat pasqyrojnë jetën e kulturës muzikore në periudhat e viteve ‘60 deri në vitet ‘90. Me këtë rast janë ftuar pjesëtarë të komunitetit artistik dhe jo vetëm, të cilët kanë qenë pjesëmarrës aktiv në aktivitetet muzikore të këtyre dekadave që të kontribuojnë me materiale që posedojnë për periudhën në fjalë.

Materialet mund të jenë fotografi, programe koncertesh, artikuj dhe opinione nga shtypi ditor për t’i arkivuar në hapësirat e Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës. Kjo iniciativë do të zgjasë për gjashtë muaj, duke u finalizuar me ekspozimin e materialeve në fund të këtij viti. Është me rëndësi të theksohet se numri më i madh i dokumentacionit të siguruar deri më sot, i cili do të shërbejë si pikë referimi për katër dekadat e kaluara dhe si frymëzim për realizimin e këtij procesi, i takon arkivit personal të profesorit, kompozitorit e dirigjentit Rafet Rudi. 

Po ashtu, kontribute të rëndësishme në dhurimin e materialeve kanë dhënë profesor Engjëll Berisha – muzikolog, prof. Zeqirja Ballata – kompozitor, profesor Bahri Çela – dirigjent dhe prof. Fahri Beqiri – kompozitor, së bashku me arkivin shtetëror dhe institucionet publike kulturore. 

Me datën 21 dhjetor, këto materiale do të ekspozohen për publikun në një ngjarje të veçantë. Vlen të theksohet se shumica e fotografive të marra nga ngjarja e djeshme, përfaqësojnë materialet e mbledhura nga 50-vjetori i Shoqatës së Kompozitorëve, materiale të cilat vijnë nga arkivi personal i profesor Rafet Rudi dhe si të tilla nuk janë pjesë e ekspozitës as në fazën e parë të saj.

Ju mirëpresim për të realizuar e përjetuar së bashku një udhëtim në kohë!

Të ngjajshme