“Sy”, një këngë që e inspiroi Besian Durmishin për një film të shkurtër

5 Korrik, 2017 - 5:41 pm

Artistët Vali Kuqi dhe Genc Elezaj nuk janë emra të panjohur në muzikën shqiptare. Një këngë e veçantë duket se e ka inspiruar edhe Besian Durmishin.

Arbër Selmani

Një burrë zgjohet në një ambient të panjohur për të. Rrobat që i ka veshur i vijnë si befasi ndërsa shoqëruar me një muzikë të mistershme ai provon ta gjejë veten e tij të humbur a ndoshta veten e tij të ardhme.

Videoklipi i këngës “Sy” nga Vali Kuqi dhe Genc Elezaj është më i veçantë se të tjerët. Besian Durmishi, regjisori i videoklipit dhe pjesë e Supercut Studio, tregon për inspirimin e tij në këtë videoklip i cili vjen si punë artistike kinematografike brenda pesë minutave të këngës nga dy artistët.

“Veçantia e këngës më ka shtyrë që këtë video ta shoh dhe ta paraqes përmes një filmi të shkurtër e që portretizon kompleksitet dhe thjeshtësi në të njëjtën kohë. Shumë shpesh jam inspiruar nga regjisorët e njohur si Tarkovsky, Kubrick e poashtu edhe Lubezki” tregon Durmishi për KultPlus.

Artistët Vali Kuqi dhe Genc Elezaj nuk janë emra të panjohur në muzikën shqiptare. Një këngë e veçantë duket se e ka inspiruar edhe Durmishin. Ai tregon se këngëtarët fillimisht kanë ardhur me idenë e tyre bazë për mesazhin që do të përcillte videoja, dhe kjo më pas e ka ndihmuar atë që ta vë në lëvizje kreativitetin e tij vizual.

“Është një mal i dendur dhe me këtë unë kam dashur ta paraqes aktorin si person të humbur, i cili është vazhdimisht në kërkim të përgjigjeve dhe pranimit të vetvetes. Rrugëtimi drejt lirisë së tij ka sfida të cilat paraqiten me anë të rrobave që ai i largon nga trupi i tij.

Momenti kur ai ballafaqohet me veten në pasqyrë ku edhe e sheh reflektimin e tij, është një pikë për të cilën kam menduar gjatë dhe mënyra se si aktori Ylber Ballata e ka luajtur atë rol është pikërisht ajo çfarë unë kam dashur të paraqes” tregon Durmishi.

Për të, kjo skenë është vetë thelbi i videos.

Videoklipi, dhe kënga së cilës ai i është bashkangjitur si pasaportë, janë ndryshe dhe një zhanër që jo shpesh kultivohet në skenën e muzikës shqiptare. Xhirimet kanë zgjatur një ditë të plotë ndërsa përgatitjet kanë zgjatur dy javë.
Lokacion është përzgjedhur një hapësirë afër Novobërdës në Kosovë.

“Jam i nderuar që kisha mundësinë të punoja me dy artistët e rinj të cilët kanë vendosur të sjellin një frymë të re të muzikës, e cila na kishte munguar prej kohësh në shoqërinë tonë. E falënderoj edhe ekipin dhe bashkëpunëtorët e Supercut Studio të cilët me entuziazëm të madh janë përkushtuar që ky projekt të dalë sa më mirë” tregon për fund Besian Durmishi nga Supercut Studio, për KultPlus.

Kënga “Sy” është pjesë e albumit “Rreth” nga dy artistët. / KultPlus.com

Të ngjajshme