“Vera e Ohrit”, këtë vit pa Inva Mulën dhe Shkëlzen Dolin

18 Korrik, 2017 - 1:41 pm

Në edicionin e këtij viti të festivalit “Vera e Ohrit”, pjesëmarrja e artistëve dhe performancave shqiptare është e reduktuar.

Pas anullimit të pjesëmarrjes së një sërë emrash të njohur, që parashikoheshin të ishin pjesë e programit, mes tyre Shkëlzen Doli e Inva Mula, këtë vit nuk merr pjesë me shfaqje as Teatri Shqiptar i Shkupit bëjnë me diej mediat vendase. Violinisti Blerim Grubi është emri i vetëm, që do të interpretojë në natën e parafundit së bashku me Marija Vërshkovën në një koncert në piano e violinë në kishën Shën Sofia. Edicioni i 57-të i festivalit “Vera e Ohrit” nisi me shfaqjen e grupit muzikor nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës “Fourplay”, në skenën e Teatrit Antik, ndërsa mbyllet më 20 gusht me shfaqjen teatrore “Toka e askujt” e Teatrit Nacional. Këtë vit “Vera e Ohrit” është cilësuar si një edicion me risi, sa i takon stafit, logos, e të tjera, pas ndryshimit pas dhjetë vitesh të dy selektorëve, Gjorgji Cuckovski i pjesës së muzikës dhe Zoran Llutkov si elektor artistik i pjesës së dramës, ndërsa motoja është “Rruga drejt magjisë”.

Anullimi i pjesëmarrjes së artistëve shqiptarë si Doli apo Mula, nuk sqarohet nga drejtori i festivalit Oliver Arsovski, nëse bëhet fjalë për angazhime të tjera apo për mosmarrëveshje rreth pagesës, ndërsa për Teatrin Shqiptar ky i fundit nuk arriti që të realizonte në kohë shfaqjen me të cilën do të merrnin pjesë. Interesimi i publikut për të marrë pjesë është i madh, thonë nga drejtoria e festivalit, pavarësisht panikut që shkaktuan tërmetet e njëpasnjëshme në këtë zonë. “Nuk kemi asnjë anullim, çdo gjë rrjedh normalisht dhe ne po bëhemi gati për hapjen e festivalit.

Teatri Antik do të jetë plot natën e parë dhe interesimi për bileta është i madh, jo vetëm nga brenda vendit, por edhe nga jashtë, madje më i madh se vitet e kaluara”, tha më herët zëdhënësja Suzana Vrencovska. Performancat muzikore janë ato që dominojnë skenën e sivjetshme, gjithsej 38, nën interpretimin e mbi 270 artistëve, nga Kina, Rusia, Europa, rajoni. Festivali hapet me një spektakël xhazi, për të vazhduar me mbrëmje xhazi, simfoni rok, orkestra kamertale, e të tjera. Sa i takon pjesës dramatike në skenë do të ngjiten katër teatro vendase, si edhe teatro të huaja, nga Bosnja, Teatri i Ushtrisë nga Bullgaria dhe Teatri Kombëtar i Rumanisë. Skenat muzikore dhe ato teatrore do të jenë ashtu si edhe vitet e tjera në Teatrin antik, Sarajet e Poshtme dhe në oborrin e Shën Sofisë. / KultPlus.com

Të ngjajshme