5 Gusht, 2017 - 8:29 pm
Shkruan: Ilir Muharremi
Duhet të sqarohemi që në fillim, se ky nuk është shkrim historik apo ndonjë teori e thatë që tenton të njollosë historinë, por një vështrim, analizë rreth monumentit të Skënderbeut në Prishtinë tek i cili çdo ditë gjejë diçka tërheqëse interesante. Pse heroi në atë monument është më i madh se kali, kur dihet që kali është më i madh se njeriu, në përmasat trupore. A paraqitet Skënderbeu si figurë legjendare? A duhet të jetë tokësor në raport me kalin? A është proporcionalisht i punuar gabim nga skulptori? A rriten qëllimisht përmasat apo përzihet ana mitike me atë reale të njeriut? Mitit është mit dhe në vete nuk ruan ndonjë saktësi shkencore, kurse kalimi i Skënderbeut në figurën reale ashtu siç ishte kjo, është më e rëndësishme. Këtë e bëri profesori Oliver Jens Schmitt në librin e tij. Në libër Skënderbeu zbret nga lartësitë legjendare, bëhet personazh tokësor.
Kurse skulptura e Skënderbeut në Prishtinë e punuar nga J. Paco në material bronz si duket më shumë ka të bëjë me pjesën legjendare të tij se skulpturës realiste me përmasa të sakta. Nëse bëjmë një matje të thjeshtë përmes njësive matëse të barabarta, lartësinë e kalit edhe lartësinë e trupit të Skënderbeut. Kuajt maten duke filluar nga pjesa ku qafa e tyre bashkohet me kurrizin, deri te patkonjtë, kurse njeriun nga pjesa e sipërme e kokës gjerë te gishtërinjtë e këmbës, vërejmë më të plotë dhe më të madh figurën e Skënderbeut sesa atë të kalit. Ana artistike proporcionale nuk është e saktë me përmasa reale.
Pyetja që me vije është se si ka mundësi udhëheqësit e asaj kohe të viti 2001 të mos vënë re një detaj të tillë, që në fakt nxjerr më të lartë Skënderbeun se kalin? Kuajt më të lartë të njohur deri më sot janë nga 210 cm, ndërsa ata të vegjël që quhen Poni 145-148 cm. Nëse kali i tij që 1.73 më i lartë siç mendohej, ka mundësi që Skënderbeu të jetë më i shkurtë, por jo shumë më i lartë se kali në imazhin e shtatores, ndonëse kjo na pëlqen të gjithëve ta parafytyrojmë. E vërteta është se njeriut nuk mund të jetë më i lartë se kali.
Monumenti i Skënderbeut në Prishtinë është kopje e atij në Krujë, i ulur në kalë, derisa kali ngritë këmbën e djathtë, po ashtu edhe Skënderbeu me dorën e djathtë mban shpatën, kokën e ka të kthyer kah armiku ngaqë përballet me një ushtri shumë më të madhe. Ndodhet i pa frikësuar në betejë. Përveç që i jepet rëndësi figurës së Skënderbeut, duhet t’i jepet edhe figurës së kalit sepse kali përdoret si simbol që ka shoqëruar heroin. Barleti e thekson se kali qe i një race të zgjedhur dhe pas vdekjes së Skënderbeut nuk pranoi t’i hipte tjetër njëri, andaj dhe ngordhi.
Prej kohës rrjedh një dokument në qarqet e historianëve që flet jo saktë për gjatësinë e Skënderbeut. Në letër, Skënderbeu i drejtohej Venedikut me fjalët: “Në lidhje me rrobat, që siç na është premtuar do të na jepen dy herë në vit, ju lutem të më dërgoni rroba të përshtatshme për trupin tim, ashtu siç iu janë dhënë edhe zotërinjve të tjerë, sepse thonë që mund të më mjaftojnë 16 krahë (rroba) për dy palë veshje. Mirëpo zotërinj, llogarisni pak me kujdes se sa krahë më duhen për dy palë veshje e aq jepmëni”. Çka del nga kjo se për Venedikun, 8 krahë rroba (stof) mjaftonin për të mbuluar një trup me shtat mesatar. Përflitet se gjatësia mesatare e trupit të tij qe prej 1.75 m. Nëse Skënderbeut nuk i mjaftonin 8 krahë rroba, kjo do të thotë se ai ka qenë më i gjatë se 1.75 metra. Atëherë, nëse ai ka kërkuar qoftë edhe vetëm një krah më shumë rroba, rezulton që ai ka qenë goxha shtatlartë, sepse nëse për një trup 1.75 m., mjaftonin 8 krahë rroba, atëherë me 9 krahë rroba mund të mbulohet një trup prej 1.98 m. Në tekst shkruan se “ Kjo do të thotë që Skënderbeu, duhet të ketë qenë rreth 2 metra i gjatë. Ndërkaq në anën tjetër, për të pasur një ide se si mund të jetë dukur veshja e Skënderbeut, mjafton të përmendet fakti që 1 krah venedikas ishte 0.58 m, rrjedhimisht, i bie që trupi i Princit arbëror, mbulohej me veshje të bëra nga 10.44 metra stof (0.58 x 9 = 5.22; 5.22 x 2 = 10.44).” E tëra kjo mbetet ende e pasaktë, por saktësia më e mirë është se njeriu asnjëherë s’mund të jetë më i lartë se një kalë, përjashtuar Ponin.
Përse mititzohet Skënderbeu dhe në realitet rriten përmasat e tij fizike?
Miti i përket një kohe të caktuar, historia shkruan për mitet greke, por edhe sot janë tërheqëse, por një figurë historike të mitizohet, andaj edhe te artistët ndikon kjo sepse sistemi dikton edhe realizmin e skulpturës rasti konkret i Skënderbeut me Kalin. Skënderbeun e mitizuan në shek. XIX dhe në XX. Të parët qenë arbëreshet më vonë diaspora dhe shtetet tjera.
Cili qe miti i vlerave të tij? Luftoi për atdheun e jo për interesa meskine. Vet ai bëhet legjendë me këtë thënien e famshme: “Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta midis jush!”, në radhe të parë qe prijës kombëtar që bashkoi shqiptarët nën flamurin kombëtar dhe i udhëhoqi kundër pushtuesve turq. Koha e tij qe triumfuese e ngjarjeve dhe betejave, nuk kishte thyerje, por trimëri shqiptare kundër barbarisë turke. Kjo nuk pati jetë të gjatë, për shkak vdekjes së Skënderbeut dhe pushtimit të më vonshëm turk. Esenca nuk qëndronte te miti, legjenda, rritja e anës fizike, por të parimi etnik i cili qëndronte në një kohë kur dallimet fetare, krishterë/mysliman qenë më primare. Andaj, Skënderbeun unë e shohë njerëzor tepër njerëzor, sikurse Napoleonin apo ndonjë Gladiator të kohës.
Historia e Skënderbeut qe e një prijësi mesjetar, sundim vetjak ndaj pushtuesve e jo motive kombëtare sepse në atë kohë nuk kishin shumë kuptim. Vetë pasuesit e tij qenë me përkatësi të ndryshme etnike. Sundimi i tij qe mbi njerëz e jo mbi hapësira. Hapësira ku përplasej Skënderbeu qenë shumë elastike, as nuk zgjeroheshin e as nuk ngushtoheshin, ishte vetëm rezultat i përleshjeve. Gjithmonë historia e Shqipërisë është shkruar pa kontekst, ngaqë aty shqiptarët gjithmonë janë faktori kryesor dhe qendra e zhvillimeve. Arti duhet të tregoj të vërtetën e njeriut në aspektin estetik/artistik, të jetë çdo gjë proporcionalisht në vendin e duhur, përjashtuar historinë. Problemi tjetër që duhet të ngritët është pse gjithmonë Skënderbeu mendohet në kalë, kur ai qe edhe strateg i mirë, mendimtar, intelektual, nuk ishte vetëm luftëtar siç e përshkruan historia shqiptare apo siç e punojnë skulptorët shqiptarë. Ndoshta një ditë do ta zbresim nga kali ta punojmë me ndonjë libër ose duke biseduar. / KultPlus.com