Duke lexuar librin e Roland Spahiut “Gjenocidi i Hirtë”- Aforizma për një shoqëri që synojmë

25 Korrik, 2017 - 8:11 am

Aforizmat janë një lloj sinteze, esencë që del pas sitjes së të menduarit, shoshitjes së fakteve, për dhe kundër, që e pason leximin, studimin, reflektimin. Roland Spahiu është i preokupuar shumë , mendon dhe shoshit nëpërmjet kundrimit kritik të fenomeneve nga më të ndryshmet që përthekojnë realitetin dhe botën shpirtërore . Ky krijim nëpërmjet të të menduarit kritik siç thotë ai në fillim të librit ka për qëllim “ të shërbejë për tejkalimin e tymnajës së moskuptimit … e për “arritjen e së mirës “. Autori pranon ekzistimin e “së keqes ‘’ , ajo pranohet si fakt që e shqetëson atë , po Rolandi synon që t`i kundërvihet të keqes me vlerat e së mirës. Pra autori i kundërvihet së “keqes” me fuqinë e mendimit kritik që promovon të mirën dhe energjinë pozitive. Ai këtë e bën me “Aforizmet” e tij të titulluara “ Gjenocidi i hirtë“. Për një të ri që ka përfunduar me sukses të shkëlqyeshëm studimet në ekonomi, këtu në Riinvest, që një ditë, në fillimet e studimeve të tij, në vitin e parë të studimeve, erdhi në zyrën time dhe më prezantoi një lakore që shprehte ndërvarësinë midis dijes dhe zhvillimit, një sintezë dhe abstraksion interesant , që nuk mund të them se nuk me befasoi, duke me lënë disi pa tekst, sepse nuk dija se si ta marrë .

Në dukje të parë mund të merrej edhe si improvizim po edhe si mendim tejet i thellë. Tash pas këtij libri ndoshta mund ta kuptoj më mirë atë përqasje. Në njërën nga aforizmat e tij Rolandi thotë “ Universitetet e kohës duhet të japin dituri për të qenë në kërkim të ideve, ndërsa duhet të jenë në kërkim të ideve për të dhënë dituri”! ose “ Nëqoftse nuk mendoni, jeni të rrezikuar që të tjerët të mendojnë në vend tuajin, drejtpërdrejt ose tërthorazi. Dhe kjo është një nga varfëritë më kolosale njerëzore.”… “ Nëse mësojmë si të mendojmë , mësojmë edhe si të jetojmë“ …”Çështja e diturisë është ta mbajë njerëzimin gjallë‘… ‘ Shkenca nuk duhet të flasë më tepër se sa që di”… “Liroje veten për të kuptuar se kush je, por duke e liruar mos e shfreno veten sepse atëherë kupton kush nuk je” ; “Injoranca është gjenocid i bardhë“ dhe të përmbyll këto citime të aforizmave me diçka për çfarë duhet të mendojmë ne që dalim para studentëve : “Mësimdhënës : edukoni me mendje . Nëse nuk mjafton edukimi me mendje, edukoni me shpirt. Nëse nuk mjafton edukoni me zemër. Nëse nuk mjafton, edukoni me vepra . Nëse nuk mjafton as kjo dhe ju nuk brengoseni thellë , distancohuni nga mësimdhënia”!

Këto mendime të Rolandit i zgjodha për t`i cituar këtu para jush sepse janë të drejtpërdrejta, sepse ma shpjegojnë tani lakoren që ma solli në zyrë atë ditë të hershme dimri me diell, duke i përzgjedhur midis shumë të tjerave që të bëjnë të medosh thellë për mendimin depërtues dhe reflektues të Roland Spahiut. Shumë mendime të tjera meritojnë të lexohen ngadalë për tu thelluar në to dhe gjetur porosinë e tyre, me të cilat porosi Rolandi dëshiron t`i bëjë njerëzit “qenie njerëzore“ misioni i të cilave duhet të jetë që këtë botë ta bëjnë një botë më të mirë. Themeluesi i “Kibernetikës’, Norbert Wiener ( 1948), që me librin e tij “ Cybernetics, or control and communication in the animals and machine” kishte revolucinarizur qasjen e mendimit njerëzor duke u shndërruar në një nxitës të zhvillimeve të reja në shkencë e teknologji, që sollën tek përdorimi sintetik i gjithë asaj që kishte arritur mendimi njerëzor deri atëherë. Kjo prodhoi një sinergji mahnitëse e cila në vitet pasuese solli kompjuterët, teknologjitë telekomunikuese dhe inteligjencën artificiale, dhe duke e promovuar dijen dhe informatën si faktor shumë më të rëndësishëm zhvillimi se sa materien e energjinë. Kjo rëndësi e informatës për feeback e komunikim (veprim kthyes, informatë kthyese mbi rezultatet e sistemit me qëllim të mësuarjes dhe përsosjes së funksionimit të sistemeve) ishte edhe një nga idetë nisëse të kësaj shkence atëherë të re. Wiener kishte promovuar idenë se arritjet e mendimit njerëzor kanë ardhë në një stad kur mund të sajojnë sisteme (teknike, sisteme organizative e edhe sociale) duke përdorë analogjinë e qenieve të gjalla, pra duke mësuar nga parritshmëria e Krijuesit Absolut, që përdorin mekanizmin e përsosur kontrollues e rregullues qe ne e njohim sot si “feed back”.

Por në vitet e mëvonshme , diku në vitet 60’ të shekullit të kaluar Wiener në librin e tij “Kibernetika dhe shoqëria “ ( 1964), kishte filluar të brengosej , për pasojat edhe sociale e edhe etike se ku mund ta shpijnë njerëzimin këto zhvillime nëse keqpërdoren nga njerëzit që nuk i dinë kufijtë e vet, ndaj ai po pledonte me një kërkesë : “ Human use of human beings”, pra për diçka si përdorimi i njerëzishëm i mendjes njerëzore. Ndërsa Rolandi diku në librin e tij tërheq vërejtjen se “ Vrasjen nuk e bëri të lehtë teknologjia, por injoranca” dhe pastaj edhe ai preokupohet me këtë rrezik dhe thotë “ Në këtë shekull do të kodohemi ashtu apo kështu. Çfarë ju mbetet të bëni është kodet t`i bëni më relative kushtimisht dhe, të zgjidhni ato më të përshtatshmet për natyrën e njeriut”… dhe pastaj “Njerëzit në vend të njeri- tjetrit duhet të vrasin egon e tyre”…

Këto kohet e fundit , thuaja ne secilin takim që kemi pasë bashkë Rolandin më ka thënë një brengë të tij të madhe : Tek ne lexohet pak, sidomos te rinjtë lexojnë pak…Dhe këtë, vlerën e leximit e pasqyrojnë edhe “aforizmet e tij”, dhe jo vetëm leximi por, mendimi kritik, nxjerrja e më të mirës nga leximi, kuptimi i të lexuarit , që tek ne po pasqyrohet me dobësi deri në dhembje e kjo buron nga degradimi i nivelit të shkollimit tek ne, ( PISA 2016). Ai thotë se “ Leximi është një prekje e ditur!” dhe pak më vonë sajon edhe vargjet “ Lexo i thashë; I mbylli sytë dhe lexoi, kur i mbylli sytë , me tha Leximi ka shumë mënyra”! Le të na frymëzojë edhe ky libër e një Alumni tonë, Roland Spahiut ‘ që këtu në Riinvest ta promovojnë dashurinë ndaj leximit, të mësojmë se si të lexojmë dhe nga leximi se si të mësojmë nëpërmjet mendimit kritik.
Dhe diçka që duhet të shohim si një rrugë për përmirësimin e situatës tek ne, që del nga mendimi kritik, pas të cilit duhet domosdo të pasojë angazhimi civil, për ta bërë shoqërinë më të mirë sepse, Rolandi e thotë edhe këtë në librin e tij : “Politikanët i lazdruam më tepër se sa fëmijët!”! Faleminderit Roland për këto mendime të mrekullueshme , te prezantuara në një libër jo të zakonshëm por shumë të nevojshëm për shoqërinë tonë. /KultPlus.com

Të ngjajshme