Gjuha jem

Gusht 13, 2017 - 11:05 am

Poezi nga Ardiana S. Prishtina

Dashninë tem për ty
kam me e shkallavitë n’gegnisht.
E kur t’më thojnë s’asht shqip ky varg
kam me i injoru, qysh injorohet
ai që ka vendosë me dijtë
veç sa mban n’mend.
Dhimbjen tem për ty
kam me e kajtë n’gegnisht.
E kur t’më thojnë s’vajton shqip kjo kangë
kam me i injoru, qysh injorohet
ai që ka vendosë me ni
veç piskamën e vetes.

Uratën tem për ty
kam me e lulue n’gegnisht.
E kur t’më thojnë s’lulëzon shqip ky varg
kam me i injoru, qysh injorohet
ai që ka vendosë
me vnu gardh fushave të shqipes.
E për çdo fjalë që s’i gjindet fjalori
kam me dekë me iu ba trup. Edhe nëse
fjalën m’duhet me e nxjerr
gojëve të vetmume.
Unë s’di qysh duhet me standard nana.
As s’di qysh kahet me standard mi vorr të babës.
Unë s’di qysh vizatohet me standard e ardhmja.
Veç me dashunu e me dekë di.
E këto ta lypin veç shpirtin. Veç qaq
gjuhës
i ndjej borxh
për me e kuptu njeriun.

Të ngjajshme