‘55 shades of gay’, pranvera ballkanike e revolucionit seksual

Gusht 4, 2017 - 12:17 pm

“55 shades of gay” është shfaqja më e re për të cilën tashmë kanë nisur provat, me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Blerta Nezirajt, Qendra Multimedia nga Prishtina, e konsideruar si ‘njëra nga kompanitë teatrore më interesante nga Evropa Juglindore’, sjellë sërish në skenë, në një trajtim krejtësisht politikisht jo-korrekt, një performancë argëtuese politike dhe provokative, kësaj here mbi çështje që kanë të bëjnë me komunitetin LGBTI, shkruan KultPlus.

‘55 shades of gay’ është një rrëfim burleskë për politikat rreth LGBTI në Ballkan dhe Evropë, ka treguar regjisori i shfaqjes Jeton Neziraj për KultPlus.

Politikanët lokalë të Ballkanit përpiqen të manipulojnë e mashtrojnë zyrtarët e BE-së, mercenarët humanitarë të NGO-ve ndërkombëtare, e që bukur shpesh shfrytëzojnë terrenin homofob për të vjelur fonde e për të realizuar projektet e tyre sociale e edukative [të tipit të punëtorive e seminareve për mënyrën e përdorimit të kondomëve], ndërsa që zyrtarë të BE–së, duke shfrytëzuar pozitën e tyre superiore financiare e politike, përpiqen t’i nënshtrojnë të gjithë.

Në këtë trini manipulim, abuzim e nënshtrim, pyetja që shtron shfaqja është: a është i mundur një çlirim seksual [sexual liberation] në Ballkan? Ose, a mundet Ballkani ta nisë një ‘Pranverë ballkanike të revolucionit seksual’?

Në shfaqje, një çift gay bën kërkesë për kurorëzim në një qytet provincial konservativ dhe thellësisht homofob. Kërkesa bëhet në kohën kur shoqata italiane Don Bosco ka nisur në qytet ndërtimin e një fabrike për prodhimin e prezervativëve, një projekt ky që është përkrahur financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe që synon zvogëlimin e papunësisë në atë qytet ku papunësia shkon deri në 90%. Intelektualë, artistë, politikanë, përfaqësues të fesë e bombahedhës profesionistë angazhohen që kjo martesë të mos ndodhë, pavarësisht se martesa e çifteve të së njëjtës gjini lejohet me kushtetutën e vendit, të cilën kryeministri e ka nënshkruar sipas udhëzimeve të BE-së.

“55 shades of gay” është realizuar nga një kastë e 5 aktorëve të mrekullueshëm kosovarë dhe nga një ekip i artistëve teatrorë eminentë nga Gjermania, Kosova, Franca dhe Serbia. Kasta e aktorëve të kësaj shfaqje përbëhet prej Tristan Halilajt, Bujar Ahmetit, Shengyl Ismailit, Semira Latifit dhe Alketa Sylajt. Për skenografinë dhe kostumet e kësaj shfaqje do të përkujdeset disenjatori gjerman Sebastian Ellrich, për muzikën e shfaqjes kompozitorja serbe Irena Popoviq, ndërsa koreograf do të jetë valltari francez Florian Bilbao. / KultPlus.com

Të ngjajshme