Hapet thirrje për artistë për punëtorinë që organizohet nga Artpolis dhe teatri ‘La MaMa’

Gusht 8, 2017 - 2:00 pm

Qendra për Art dhe Komunitet Artpolis në bashkëpunim me artistët e teatrit ‘La MaMa’ nga qyteti i New York-ut nga data 26 gusht deri më 10 shtator do të mbajnë një punëtori në Prishtinë, e cila fokusohet në eksplorimin e zërit, muzikës dhe gjesteve, duke përdorur tekstin nga produksioni i famshëm i teatrit ‘La MaMa’ dhe shfaqjes ‘Trojanët’, shkruan KultPlus.

Gjatë kësaj punëtorie do të inskenohet shfaqja ‘Trojanët’, e cila është një përzierje e greqishtes së vjetër dhe gjuhëve tjera të vjetra, të vërteta dhe të shpikura. Inskenimi i saj është unik në mënyrën se si ndërveprojnë aktorët dhe publiku. Fuqia e kësaj shfaqje të veçantë është vërtetuar në prezantime gjatë 40 viteve të fundit dhe në 30 kombe.

Gjatë kësaj punëtorie, pjesëmarrësit do të eksperimentojnë me metodat për forcimin e zërit dhe përdorimin e tingullit të pastër. Artistët do të mësojnë muzikën dhe disa nga inskenimet e produksionit të ‘La MaMa’.

Tashmë Qendra për Art dhe Komunitet Artpolis ka hapur edhe thirrjen për artistët pjesëmarrës në këtë punëtori. Nga artistët do të kërkohet që të zgjerojnë materialin duke sjellë këngë, tregime dhe lëvizje nga përvojat e tyre personale.

Disa nga kriteret për artistët pjesëmarrës të caktuara nga Qendra për Art dhe Komunitet Artpolis janë këto: Kërkohen artistë të teatrit të cilët janë të interesuar të eksplorojnë dhe zhvillojnë zërat dhe aftësitë e tyre të aktrimit; Të cilët janë të gatshëm të ngrisin paralele ndërmjet historisë së vjetër të luftës, zhvendosjes, gjenocidit dhe botës bashkëkohore; artistë të cilët janë në gjendje të angazhohen plotësisht gjatë kohës së nevojshme për të krijuar së bashku një shfaqje teatrale; Për të marrë pjesë në punëtori, artistët duhet të jenë prezent gjatë çdo dite të punëtorisë.

Në fund të punëtorisë do të ketë një prezantim publik të punës së arritur para një audience të ftuar.
Kjo punëtori do të jetë pjesë e krijimit të shfaqjes “Trojanët ” e cila do të jetë pjesë e Festivalit FemArt në edicionin e vitit 2018 në Prishtinë. /KultPlus.com

Të ngjajshme