Fillon kampi “Dizajni dhe Natyra” me mbi 40 të rinj nga Kosova

17 Gusht, 2017 - 10:12 pm

Sot fillon kampi ‘Dizajni dhe Natyra’ me 40 të rinj nga e gjithë Kosova, të cilët për një javë do të qëndrojnë në Qendrën Rekreative të Gërmisë, ku përmes aktiviteteve të ndryshme socializuese dhe edukative ata do të zhvillojnë projekte të punës vullnetare të cilat do t’i implementojnë në komunat e tyre.

“Përmes projekteve të zhvilluara gjatë kampit ‘Dizajni dhe Natyra’, këta të rinj synojnë të përmirësojnë hapësirat publike të gjelbra në Kosovë. Ky kamp organizohet nga organizata kosovare për talent dhe arsim – TOKA dhe ka për qëllim të promovojë vullnetarizmin edukativ në Kosovë si dhe të nxisë qytetarinë aktive përmes punës vullnetare”, thuhet në kumtesë.

Kampi organizohet me mbështetjen e fondacionit ‘Unë e du Kosovënʼ, organizatës botërore për mjedis ʼWWF Adriaʼ dhe Komunës së Prishtinës.

Partnerët të cilët do të jenë pjesë e organizimeve gjatë kampit janë organizata VORAE ʼVoice of Roma, Ashkali and Egyptiansʼ, komuniteti ʼTermokissʼ dhe studio e arkitekturës ʼArchitecture for Humansʼ.

Kampi do të mbahet gjatë javës 18-24 gusht 2017. / KultPlus.com

Të ngjajshme