Kur arratisja e spikereve shqiptare Izabela dhe Zamira ishte kryetitull i gazetave spanjolle

11 Gusht, 2017 - 5:15 pm

Nga Armand PLAKA

Ishte një nga aktet më të guximshme të ndërmarra ndonjëherë gjatë periudhës së diktaturës në Shqipëri.

Historinë e tyre ata kanë pasur rast t’a tregojnë edhe vetë me detaje, e madje Ismail Kadare u ka kushtuar atyre edhe një vepër me titull: Spiritus, botuar në vitin 1996.

Bëhet fjalë për arratisjen e bujshme të dy motrave Islami, Izabela dhe Zamira, të cilat sot njihen gjerësisht si gazetaret dhe spikeret e “Zërit të Amerikës”.

Një foto që hasa së fundmi në mediat spanjolle, më bëri shumë përshtypje për vetë faktin se edhe një gazetë nga një vend në dukje jo fort i interesuar për ngjarjet në Shqipëri, kishte zgjedhur t’a vendoste në faqe të parë këtë ngjarje e t’i linte hapësirë primare fotos së “dy grave heroina”.

Kështu thuhet të paktën në diçiturën e fotos me përmasa relativisht të mëdha, ku dy pjesëtaret e familjes Islami, që kishin provuar ndërkaq persekutimin në shkallë madhore të internuara në fshatrat e Lushnjes dhe kishin humbur vëllanë e tyre të vetëm gjatë përpjekjes për t’u arratisur nga Saranda për të mbërritur më pas në brigjet e Korfuzit.

Fotoja është marrë gjatë ditëve të qëndrimit të tyre të përkohshëm në Athinë (para një kioske) dhe shoqërohet edhe më një tekst të shkurtër, ku theksohet fort simbolika dhe mesazhet e atij akti të pashoq heroizimi e sakrifice.

Botimi mban datën 14 gusht 1984 dhe është botuar në të përditshmen “La Vanguardia” të Barcelonës, e cila ishte vërtetë një platformë “leader” përsa i përket shtypit spanjoll. / KultPlus.com

Të ngjajshme