12 Shkurt, 2018 - 9:08 pm
Një faqe në Facebook është krijuar për të bërë thirrje që të mbrohet flamuri kombëtar shqiptar, në vendin e njohur tashmë si te Rrethi i Flamurit.
“Nesër nga ora 08:00 në mëngjes takohemi te Rrethi i Flamurit, për ta mbrojtur e nderuar flamurin tonë të larë me lot e me gjak”, thuhet në fillim të kësaj thirrje.
Ky grup nuk do që fare të vendoset flamuri shtetëror aty, ashtu siç ka vendosur sot Zyra e Protokollit Shtetëror.
“Në rrethin e flamurit kombëtar nuk do vendosët asnjë flamur tjetër, ky flamur me jetë është mbrojtur e kështu do mbrohet. Flamuj të tjerë vendosni kudo, por jo në vendin që i takon shqiponjës sonë. Shqiptarë BASHKOHUNI!”, thuhet në këtë thirrje.
Kjo faqe është shpërndarë me dhjetëra herë. Në mesin e tyre edhe asamblisti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi. Ai e ka quajtur këtë provokim të rëndë antishqiptar.
“100 flamuj vendosni kudo që doni. Nëse doni këtë me yje, nëse doni bëjeni çdo dite një të ri. Por pse bash tek flamuri kombëtar? Çka po ju pengon ky flamur? Pse projekti juaj për kombin kosovar duhet të ketë kaq shumë urrejtje patologjike ndaj kombit shqiptar e ndaj gjithçkaje që e simbolizon atë?!”, ka thënë Azemi, përcjell Koha.net. “Për këto e shumë arsye ky provokim i rende anti-shqiptar duhet të marrë fund. Flamurin e Kosovës nuk po ua ndalon askush, vendoseni ku të doni, por më mirë kishte me qenë që muskujt t’i tregoni ka Serbia e jo nga Shqipëria jonë”, ka shtuar më tej ai.