Hapet në Madrid ekspozita lëvizëse ‘Aushvic’ (FOTO)

Holokausti mbetet një prej episodeve më të tmerrshme që vetë njerëzimi i ka shkaktuar, dhe i ka lejuar.

m

Vrasja e miliona hebrenjve, nisur nga Gjermania dhe mbështetur nga plot shtete evropiane, edhe sot mohohet nga studiues e njerëz të ndryshëm, por megjithatë dokumentarët dhe pamjet tregojnë tmerrin që ndodhi në kampet e përqendrimit në mbarë Evropën.

Një ekspozitë do të përkujdeset që edhe njëherë qytetarët e Evropës të përballen me Holokaustin, një ngjarje që ka ndodhur as 100 vite më parë dhe është një prej tmerreve të modernitetit evropian, shkruan KultPlus.

https://vimeo.com/224492334

Ekspozita “Auschwitz” u hap sonte në Madrid. “No hace mucho. No muy lejos” është koncepti i kësaj ekspozite. (Jo shumë kohë më parë, jo shumë larg prej nesh).

600 objekte po ekspozohen në 2500 metra katrorë në Arte Canal. Një pjesë e mirë e artefakteve do të ekspozohen për herë të parë, dhe u përkasin të shpëtuarve dhe viktimave nga Kampi i Aushvicit.

Në mesin e objekteve që do të ekspozohen janë edhe një vagon gjerman, model që u përdor për transportimin e ushtarëve e viktimave për në kampet e përqendrimit. Mbi 1.1 milion njerëz u vranë në Aushvic nga gjermanët.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Madrid deri verën e ardhshme, ndërsa do të udhëtojë edhe në gjashtë qytete tjera në Evropë dhe në shtatë të tjera në Amerikën e Veriut. / KultPlus.com

Përmbyllet Bienalja e Venecias, numër rekord i vizitorëve nga mbarë bota

Ekspozita e 57-të e Artit në Bienalen e Venecias këtë vit është vizituar nga 615 mijë vizitorë.

Për gjashtë muaj sa ka qenë e hapur kjo Bienale e Venecias, me pjesëmarrjen edhe të Pavijonit Kosovar dhe atij Shqiptar, rritja e vizitorëve ka ndodhur për 25 për qind nga Bienalja e vitit 2015-të.

31 për qind e audiencës kanë qenë fëmijë nga vende të ndryshme të botës. 120 artistë janë përfshirë në ekspozita, 86 shtete: Antigua, Kiribati dhe Nigeria për herë të parë, dhe 23 organizime artistike kanë ndodhur paralelisht me ekspozitën.

68 universitete nga mbarë bota janë akredituar për ta vizituar këtë Bienale këtë vit, e cila u hap në muajin maj dhe për të cilën shkruam edhe ne si KultPlus, me praninë tonë në hapjen e ekspozitës dhe Bienales në Venecian e bukur të Italisë.

4 mijë shkrime nëpër gazeta kanë pasur fokusin në Bienale, me gjithsej 3400 gazetarë të akredituar. / KultPlus.com

Offchestra e MC Kresha publikojnë ‘Jena pa’ (VIDEO)

Grupi i njohur muzikor, Offchestra, ka publikuar projektin e ri në bashkëpunim me reperin MC Kresha.

Për tekstin e “Jena pa” janë kujdesur vetë Offchestra dhe MC Kresha, ndërsa për muzikën Faruk Banjska.

Kjo këngë ishte paralajmëruar moti nga grupi i njohur, që këtë këngë do ta përfshijë në albumin të cilin do ta publikojë së shpejti. / KultPlus.com

Ajo

Poezi e shkruar nga Luljeta Aliu.

Unë jam ajo
Tjetër kurrë nuk bëhem
Plagët e mia të pashëruara lëpij natën vonë
I pastroj tinëzisht me vajin e shpirtit
Gjithmonë në strukje nga rrebeshet burrërore
Nuk harroj të vëj në fytyrë buzëqeshjen e frikësuar
Që mësova e donit aq shumë
Dhimbjet e mia dëshmi e forcës suaj
E unë ju adhuroj
Heshtja e botës ju shëlbon
Unë tjetër nuk bëhem
E mira
e urta
e vyeshmja
e pafjala
e pagoja jam

Në botën time sytë nga ngjyrat nuk dallojnë
Por nga gjuha tek thonë
ul kokën e mos bëzaj
buzëqeshja ime ju përgjigjet urdhërave tuaj
leshrat e mia të shprishura dje nga fshikullimi
sot gëzof i shkëlqyer vezullojnë
janë kërkimfalje për trillin
që fjalët e mia pyetje të shtrojnë

Unë jam ajo
Kurrë tjetër nuk bëhem
argëtuesja
dëgjuesja
përkëdhelësja
gatuesja
Unë, uzurpuesja e çatisë suaj
falem për bukën që ndani me mua
e fal vonesat, harresat, dashuriçkat tuaja
Jeta ime zog i pakrahë në grushtin e fortë
Trupi im përplot ngjyra dëshmi dashurie
Përkujtim i juaji për natyren time
Në trup e shpirt qëndisur
Nga dëshira juaj të më përkujtoni
Të mbetem ajo që ju aq shumë e doni .

Unë jam ajo
Nuk bëhem kurrë tjetër
Bota juaj nuk është vend për mua
Që në djep më thanë se unë një tjetër botë kam
Ku nuk ka njeri, ka vetëm grua
Vëlla e mik kafshët e tyre i lejojnë që unë të loz me to
Unë jam ATO

Unë përhera do të jem ajo
Varësja juaj e artë në qafë më rëndon
Me ndalë frymën të ju tregoj
Se jam unë, kafsha juaj e preferuar
E kurrë nuk do të mund të them
Se unë jam KJO, jam UNË, dëgjo !
Nuk më njihni, nuk më njeh ?
Jam unë, o lal, kjo nëna, gjyshja, vajza, kjo gruaja juaj
Jam halla e tezja e motra e mbesa
Si ka mundësi të harroni
Kafshën tuaj përkëdhelëse që aq shumë e doni.

L.A., 19.11.2017

Gratë e familjes së Bajram Currit, princeshat dhe hanëmllaret e Kosovës!

Nuk flitet shumë për të, por ajo ka pasur një jetë me vuajtje e me gëzime, një fazë vuajtjesh e një fazë lumturie, ndonëse kjo e dytë ishte më e shkurtër.

Hajrie Curri, vajza e Bajram Currit – Plakut të Maleve, ka pasur një jetë plot peripeci. Vajza e saj, Mimoza, tregon për vështirësitë e kësaj jete, për gjyshen Ajkunë dhe për motrën Valdete.

Po e sjellim këtë pjesë ku Hajrie Curri, vajza e Bajram Currit dhe vajza e saj Mimoza rrëfejnë, në librin “Ecje nëpër kujtesë” nga Sanije Gashi.

Ne kemi qenë shtëpia më moderne e Shqipërisë në Shkodër. Nëna ime (gjyshja), Ajkuna, nuk e ka veshur kurrë çarçafin, ka dalë me mantel. Edhe unë, kur u martova, nuk vija më çarçaf. Kur shkoja në Tiranë, ose kur dilja në Shkodër, vishesha alla franga. Pyetjes se si I trajtonin shkodranët, Hajria i përgjigjet plot dashuri e mirënjohje: – Uh, sa na ka dashur Shkodra, sa na kanë respektuar shkodranët, shumë, shumë! Kur na takonin paria, na dilnin përpara e thoshin: Princeshat e Kosovës! Hanëmllaret e Kosovës! Na pritnin me fjalët më të mira! Tash është prishur njerëzimi, të parët ishin ndryshe.
****

Në saje të emrit që kishim edhe unë e motra kemi qenë të respektuara gjithkund – ndërlidhet me admirim Mimoza. Mirëpo, pas martesës, sidomos pas burgosjes së të shoqit, për Hajrien fillojnë vitet e vuajtjeve. Të shoqin, Ragip Metën, regjimi komunist e dënon me vdekje, por më pastaj i falet jeta dhe bën 17 vjet burg. Kur e burgosin të shoqin, Hajria mbetet më të bijën, Mimozn, dhe shtatzënë. Pas tre muajsh lind vajza e dytë, Valdetja, e cila me të atin takohet për herë të parë pas daljes nga burgu, si vajzë 17 vjeçe! (1962)

=

Bajram Curri (1866-1925) ishte udhëheqës popullor, ushtarak, senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 27 mars 1920 deri më 20 dhjetor 1920.

Ishte ndër udhëheqësit kryesorë të forcave demokratike revolucionare që shpartalluan repartet zogiste dhe i hap rrugën fitores së Lëvizjes së qershorit 1924, shkruan KultPlus. Në vjeshtë të vitit 1924 shkoi në Gjenevë për të paraqitur para Lidhjes së Kombeve çështjen e të drejtave të popullsisë shqiptare të Kosovës të shtypur egërsisht nga serbët. E vazhdoi luftën kundër reaksionit të brendshëm dhe shovinistëve serbë edhe pas shtypjes së Lëvizjes së qershorit.

Curri u vra nga forcat zogiste dhe agjentët e shovinistëve serbë në Dragobi të prirë nga Ceno beg Kryeziu më 1925. / KultPlus.com

Flamuri kombëtar valëvitet mbi “Atomium” në Bruksel (FOTO)

Veprimi është ndërmarrë nga autoritet belge, Flamuri Kombëtar, kuq e zi tashmë valëvitet mbi monumenti ikonë të Brukselit, “Atomium”.

Ky veprim është ndërmarrë nga autoritet belge në prag të përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në nderim të shqiptarëve, të cilët jetojnë në Belgjikë.

Më poshtë ju sjellim disa fotografi të dërguar nga shikuesit e emisionit “Prite të gjelbrën”, të RTV21./ KultPlus.com

Shtëpia e Flamurit në Korçë mirëpriti Qeveritë Shqiptare, këtu mund të ndiçni LIVE mbledhjen

Shtëpia e Flamurit në Korçë mirëpriti dy Qeveritë Shqiptare, shkruan KultPlus.

Para pak minutash në Korçë veç është bërë ceremoniali zyrtar i mirëseardhjes për nder të Këshillit të Ministrave të Republikës së Kosovës, ndërsa tash ka nisë sesioni plenar i Mbledhjes së dy Qeverive, në Shtëpinë e Flamurit në Korçë.

Këtu mund të shihni LIVE, gjithë sesioni të mundësuar nga ERTV:

Kosova me dy filma premierë në Kairo

Filmi i shkurtër ‘Një Muaj’ me skenar dhe regji nga Zgjim Terziqi, sot pati premierën në Cairo International Film Festival në Egjipt, shkruan KultPlus.

Filmi u shfaq në ora 12 në Hanager Cinema ku ishte prezent edhe autori i filmit Zgjim Terziqi dhe producenti Agon Syla.

Ky film është i bazuar në ngjarje të vërtetë dhe flet për Anën një 40 vjeçare të verbër, të pa martuar, e cila jeton sipas marrëveshjes së katër motrave të saj. Pakti i tyre përmbanë përkujdesjen e saj secila me rend nga një muaj.

Përveç ‘Një Muaj’ në këtë edicion të Cairo International Film Festival sot do të shfaqet edhe filmi ‘T’padashtun’ nga Edon Rizvanolli, propozimi i Kosovës për Oscars, i cili u shfaq edhe me datë 24 nëntor 2017. Gjithashtu ‘T’padashtun’ u shfaq edhe në International Film Festival of India në Goa. Të dy filmat janë të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës./KultPlus.com

Syrgjyn-vdekur

Elegji për Luigj Gurakuqin nga Fan Noli.

Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran’ e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.

Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.

Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t’a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.

Nëno moj, m’a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s’i dhe as varr për hor.

Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator.

Trupa e Baletit të Kosovës shfaqë “Një legjendë për dashurinë”, për 28 Nëntor

Për nderë të festës së 28 Nëntorit, Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, nesër më 28 nëntor, sjellë shfaqjen “Një legjendë për dashurinë”, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje me koreografi të Pullumb Agalliut, jepet në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, me fillim nga ora 20:00./ KultPlus.com

Përurohet shtatorja e Idriz Seferit në Gjilan, të pranishëm Thaçi e Meta

Për nder të festës së 28 Nëntorit, në qendër të qytetit të Gjilanit është përuruar shtatorja e Idriz Seferit, përurim i cili është përcjellë nga një numër i madh i qytetarëve, shkruan KultPlus.

Në këtë përurim kanë marë pjesë figura të rëndësishme shqiptare, duke përfshirë edhe dy presidentët e Kosovës dhe Shqipërisë, Hashim Thaçi e Ilir Meta. Përurimi i shtatores është përcjellë edhe me një program të pasur kulturor./KultPlus.com

Filmi i Ilirjan Himajt, morri çmimin filmi më i mirë i shkurtër në Festivalin e Filmit në Angli

Më 11 nëntor “Memory” me skenar e regji të regjisorit kosovar Ilirjan Himaj, është shfaqë si pjesë e konkurrencës zyrtare në edicionin e 16-të të Cornwall Film Festival në Angli.

Kësisoj filmi i Himajt, që trajton një temë mjaft interesante e të realizuar goxha mirë, nuk ka kaluar pa u vlerësuar nga juria profesionale e këtij festival me nam në Angli.

“Memory”, në edicionin e 16-të të Cornwall Film Festival, morri çmimin e filmit më të mirë të shkurtër, lajm ky i cili u nda ekskluzivisht për KultPlus, nga vetë regjisori Himaj.

Juria në përbërje të: Alison Wallace, Stephen Ryan, Steve Holland, John Scarlett Davis, Ben Howe, Nat Tier, Anna Navas, Brian Clay, Mattheë Warner dhe Faye, e vlerësojë shumë filmin “Memory”, dhe pikërisht çmimi erdhi mbi atë se “Memory” paraqiti një film të jashtëzakonshëm.

KultPlus, po sjellë vlerësimin në gjuhën angleze pa intervenuar në të:

“Every year Cornwall Film Festival presents an award for best short film, and this year we would like to award it to yourself for your incredible short film, Memory, which was reviewed highly by all of our judges”, thuhet në njoftim.

“Çdo vit Cronwall Film Festival prezanton çmimin për filmin më të mirë të shkurtër, ku këtë vit ne këtë çmim do të ta japim ty për filmin e mrekullueshëm “Memory”, i cili u vlerësua lartë nga e gjithë juria”.

‘Memory’ sjellë rrëfimin e plakut Sylë, i cili është i sëmurë me Alzaimer. Ai del nga shtëpia për të blerë një lodër për nipin e tij. Në përballje me sëmundjen, të ftohtit e dimrit dhe reshjet e borës, ai nuk arrin të kujtojë rrugën e kthimit për në shtëpi.

Filmi është jetësuar nga aktorët: Xhevat Qorraj, Igballe Qena, Selman Lokaj, Avdullah Gjikokaj, Besim Ajeti, Agron Krasniqi, Labinot Lajçi, Agron Shala.

Ky film deri tani është shfaqur në disa festivale ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe 31-th Edmonton International Film Festival (Oscar qualifying), 50-th Humboldt International ku edhe është shpërblyer me dy çmimet kryesore të festivalit, Best narrative dhe Best of fest overall, 65-th Columbus International Film and Video Festival, ku dhe ka pas premierën botërore dhe në 17-th Festival Internacionale De Cine de Lanzarote ndërsa së fundmi është shfaq edhe si pjesë e konkurrencës zyrtare në edicionin e 30-të të Virginia Film Festival, i cili mbahet në Virginia-USA.

‘Memory’ me skenar dhe regji të Ilirjan Himaj për Drejtor Fotografie dhe montazher ka Latif Hasollin, producent është Agron Shala ndërsa kompozitor Memli Kelmendi./ KultPlus.com

Rrugët e vogla të Prishtinës, sjellin koleksionin “ready to wear” të Venera Mustafës (FOTO)

Fotografitë: Majlinda Hoxha

Këtë fundjav dizenjatorja e njohur kosovare Venera Mustafa, ka bërë një prezantim privat duke shpalosur kështu koleksionin e saj ‘ready to wear’ vjeshtë/dimër 17-18, shkruan KultPlus.

Ky koleksion është frymëzuar nga rrugët e vogla të Prishtinës, lagjet e zejtarët, bizneset e vogla familjare dhe estetika e tyre. Këto rrugë që dikur ishin sinonim i qytetit sot janë rrugë anësore dhe tepër pak të frekuentuara. Por pikërisht këto rrugë kanë ofruar tablotë në të cilat është realizuar foto-sesioni me i ri i Venera Mustafës, e cila këtë herë për fotografitë e kampanjës ka bashkëpunuar me fotografin e njohur turk Gokay Çatak.

Në dukje të parë, koleksioni të jep ndjesinë e veshjeve të përditshme, pasqyron idenë e së kaluarës së qytetit dhe potencialin e tij estetik. Veshjet vijnë në kolorit, teksturë dhe tone që provojnë ta demonstrojnë këtë potencial.

Veçantia e materialit janë intervenimet ‘pintucks’ dhe qëndisjet industriale, si pjesë themelore e materialeve të përdorura. Si gjithnjë, edhe në këtë koleksion, Venera Mustafa ofron linja te pastërta, intervenime minimale, dhe silueta gati skulpturale.

Koleksioni është prezantuar para publikut në një ngjarje private në studion veneramustafa në Rrugën B në Prishtinë dhe del në shtije nga sot, e hënë 27 nëntor./ KultPlus.com

Me koncertin e mbrëmshëm “Agimi” tundi skenën e Prizrenit (FOTO)

Koncerti i mbrëmshëm i ShKA Agimit shënoi një moment të kthesës përmes një programi cilësor të ekzekutuar nga njerëzit më meritorë që ka sot Agimi, theksohet në njoftimin e njërës nga kryesitë e kësaj shoqate, në të cilën ka muaj që kanë shpërthyer fërkime se kush është legjitim në krye të saj.

Figurat më të njohura të seksioneve artistike u kthyen pas shumë vitesh për ta rikrijuar njërin nga emocionet pothuaj të harruara festive, pikërisht në ngjarjen që shënon 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit.

Reagimi i qytetarëve dhe dashamirëve të Agimit ishte i jashtëzakonshëm, pasi që salla e Teatrit të Qytetit “Bekim Fehmiu” (Shtëpia e Kulturës “Xhemajli Berisha) u mbush mbi kapacitetin e vet, derisa dhjetëra mysafirë qendruan në këmbë gjatë dy orëve sa zgjati koncerti. Kishte kohë që ngjarjet konecrtale të ShKA Agimit nuk po priteshin me kaq interesim dhe pjesëmarrje.

Veçantia e koncertit të sivjetshëm për Ditën e Flamurit ishte rikthimi pas shumë vitesh i emrave të njohur në reportorin e Agimit. Koncerti pati një program shumë cilësor, me performansë të korit nën udhëheqjen e Fikrim Emrës, oktetit (grupit) nën udhëheqjen e Besim Berishës, orkestrës nën udhëheqjen e Kastriot Markut, grupit të valltarëve nën udhëheqjen e Luljeta Brahës dhe Blerim Gashit, valltarëve veteranë nën udhëheqjen e Mazllum Karamanit dhe rapsodëve nën udhëheqjen e Tomë Sokolit. Pjesë e programit ishin edhe solistë të njohur të Kosovës, Rina Bilurdagu, Neki Emra, Elizabeta Krasniqi dhe Agim Tejeci.

Në fjalën e hapjes, aktori dhe udhëheqësi i seksionit dramatik në ShKA Agimi, Xhevdet Doda, theksoi se koncerti është vazhdimësi e protestës artistike dhe përsëriti qëndrimin e anëtarësisë thënë nga fillimi se Agimi është i të gjithëve dhe nuk do të ndalemi së vepruari derisa të shohim këtë të realizuar plotësisht. Sipas Xhevdet Dodës, rezistenca ndaj të keqes e cila mori hov në fund të vitit të kaluar është edhe një dëshmi që Agimi gjithmonë ishte dhe vazhdon të jetë nismëtar i ndryshimeve në Prizren dhe më gjerë, duke shtuar se qindra anëtarë e dashamirë të Agimit kishin vendosur t’i japin fund heshtjes e durimit, sepse një grup i vogël individësh të papërgjegjshëm po keqpërdornin një vlerë gjithëshoqërore, duke tentuar të përvetësonin Agimin për qëllime të ngushta. Sipas tij, ajo që nisi si rezistencë ndaj kapjes dhe abuzimit me të mirën e përgjithshme në fund të vitit të kaluar, nxiti edhe lëvizje tjera që tanimë po rezultojnë edhe me ndryshime politike e shoqërore, duke e konfirmuar edhe një herë Agimin si fole dhe frymëzim të ndryshimit në Prizren.

Rezistenca e anëtarëve do të vazhdojë në formën e protestës artistike, gjithnjë me synimin që Agimi të kthehet në piadestalin e veprimtarisë dhe namit të vet, si Shoqëri që i bën bashkë të gjithë personat që ia duan të mirën Prizrenit dhe kulturës. Kjo protestë do ta vazhdojë edhe tutje, derisa Agimi t’i kthehet të gjithëve, anëtarëve të vet, dashamirëve e përkrahësve dhe gjithë qytetarëve. Paralelisht protestës artistike, po ndiqen edhe të gjitha rrugët ligjore. Dëshmitë për keqpërdorime të këtij grupi të vogël individësh të papërgjegjshëm tashmë janë dërguar në autoritetet përgjegjëse, ndërsa i gjithë dokumentacioni në formën e padisë do t’i dërgohet gjykatës kompetente brenda disa ditësh.

(Njoftimi përfundon me nënshkrimin: Kryesia e ShKA Agimit – Besim Berisha, Agnesa Çipa Laçi, Arben Mashkulli, Flaka Xërxa, Fikrim Emra, Arbëreshë Berisha dhe Luljeta Braha, ndërsa autore e fotografive theksohet emri i Elmedina Arapi)./ KultPlus.com

Ilir Meta, interpreton këngë me çifteli gjatë vizitës në Medvegjë (VIDEO)

Ilir Meta u prit nga dhjetëra qytetarë në një vizitë në Medvegjë, ku ai ka edhe ka interpretuar këngë çiftelie të kësaj zone, shkruan KultPlus.

Presidenti Meta ishte i ulur në një tryezë me përfaqësues të komunitetit të shqiptarëve dhe disa rapsodë, merr në duar çiftelinë dhe fillon të këndoj së bashku me tingujt e saj.

Video është postuar nga gazetari Idro Seferi i cili shkruan: “Leksion me çifteli rapsodi nga Skrapari, Ilir Meta”./ KultPlus.com

Kjo grua…

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli.

Kjo grua që bie erë çokollate,
Me mua ra dikur në dashuri,
Tani jeton me burrin në pallatet,
Që ngritem vjet në bulevard të ri.

Dhe nuk e di, e lumtur është vallë,
Me burrin zemërbardhë e shtatëlartë,
Qëndroj ta përshëndes, t’i them ca fjalë,
Si kalimtar, si mik e shok i largët.

Por kokën nuk e kthen ajo nga unë,
Trak-trukun e sandaleve lë pas,
Atë në djalëri e desha shumë,
Betoheshim të ishim përherë bashkë..

Por bashkë s’patëm fat të lidhnim jetën,
Se donte apartament të ri e telefona,
Unë bëja veç artikuj për gazetën,
Dhe flija redaksive në poltrona…

Por unë e di, akoma natën në ëndërr,
i shfaqem, e hap derën bojë hiri,
i shfaqem dhe i futem drejt në zemër,
Megjithëse pranë saj fle zemërmiri.

Kjo grua që bie erë çokollate,
Që desh nga unë apartament të ri,
Tani jeton me burrin zemërbardhë,
Jeton e lumtur?
Nuk e di!

Nga Ismail Qemali tek Luigj Gurakuqi, aktorët që luajtën tek “Nëntori i dytë” (FOTO)

“Nëntori i dytë” filmi që tregon udhëtimin e Ismail Qemalit drejt Vlorës për të ngritur aty flamurin e shqiptarëve, vazhdon të jetë një ndër filmat më historikë në historinë e kinematografisë shqiptare. Çdo 28 nëntor ai është simboli që çdo shqiptar do donte ta rishihte si pjesë e krenarisë së tij.

Filmi u realizua në vitin 1982 nga regjisori Viktor Gjika nën skenarin e Dhimitër Shuteriqit dhe Kico Blushit. Me muzikë nga Kujtim Laro kolona zanore e filmit vazhdon të shoqërojë çdo përvjetor të pavarësisë së vendit. Por ajo çfarë i dha suksesin këtij filmi nuk ishte vetëm historia, por dhe një kastë e zgjedhur aktorësh me kujdes nga regjisori Gjika.

Ai zgjodhi për Ismail Qemalin një karakter të fortë të teatrit e kinemasë shqiptare siç ishte Sandër Prosi. E kush mund ta kishte interpretuar më mirë se Prosi Ismail Qemalin. Në atë rol ai sapo kishte kaluar të 60-at dhe vetëm tre vjet më vonë ai do të ndahej nga jeta në mënyrë tragjike. Isa Boletini, përfaqësuesi i Kosovës në festën e madhe të shqiptarëve do të interpretohej nga Reshat Arbana. Atëherë mbi të 40-at Arbana kishte trupin dhe mendjen e Boletinit duke sjellë një karakter impulsiv dhe të matur njëkohësisht që e personifikon më së miri Isa Boletinin. Mario Ashiku do të interpretonte Shpend Dragobinë.

Aktori i talentuar do të shndërrohej i tëri në djalin luftëtar të Jah Elezit nga Dragobia, Malësi e Gjakovës i cili ishte delegat i Kosovës në Vlorë më, 28 nëntor 1912 kur u shpall pavarësia e Shqipërisë. Shpend Dragobia ishte mik i ngushtë dhe bashkëluftëtar i Isa Boletinit. Gjenerali turk do të interpretohej nga aktori shkodran Sulejman Dibra. Demir Hyskja do të interpretonte Mytesarifin. Bujar Lako do të interpretonte Luigj Gurakuqin i cili në qeverinë e përkohshme të Vlorës do të zgjidhej më vonë Ministër i Arsimit. Robert Ndrenika do të interpretonte Hakiun. Petrit Malaj atëherë një aktor i ri do të luante Adem Boletinin.

Luan Qerimi do të luante Sali Drenicën. Gyljem Radoja do të luante Lym Kepin ndërsa Harjie Rondo do të ishte gruaja e Lym Kepit. Ilia Shyti do të ishte Mullai i Beratit, ndërsa Pandi Raidha do luante Demir Arbanën. Spiro Urumi do të interpretonte Xhaferr Bej Kadenën. Këta janë aktorët që i dhanë jetë një prodhimi të jashtëzakonshëm kinematografik që formatoi në kujtesën e shqiptarëve një udhëtim të gjatë dhe historik që do të shënjonte përgjithmonë një histori tjetër të shqiptarëve, shkruan GSH. Dhe pse shumë pjesë të filmit nuk u shfaqën për shkak të censurës së kohës, kjo nuk e pengoi regjisorin Gjika të sillte me këtë film udhëtimin e shumëpritur në shekuj të shqiptarëve./ KultPlus.com

Ansambli “Shota”, mbrëmë solli një koncert të fuqishëm artistik në TKK (FOTO)

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, për nderë të 28 nëntorit, Ditës së Flamurit, mbrëmë solli një koncert të pasur artistik i cili ishte titulluar “Festa e Bashkimit”, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Ky koncert barte dedikime të rëndësishme që lidhen me historinë e kombit shqiptar, pasi që mbrëmë ky koncert iu kushtua edhe ditëlindjes së komandantit Adem Jashari dhe 20 vjetorit të daljes publike të UÇK-së.

Të gjithë që ngjiteshin në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës bartnin një mesazh të veçantë të simbolikës së këtij koncerti festiv, me veshje kombëtare të interpretuesve, e shqiponjën që reflektohej mbi njërin skaj të skenës, të krijonte ndjesinë e vërtetë të një festë të madhe kombëtare dhe të rikujtimit të përpjekjeve heroike të Adem Jasharit dhe UÇK-së. Tingujt, zëri, lëvizjet e trupit e të instrumenteve që vinin në një koordinim më njëra-tjetrën krijonin një harmoni të përsosur ku dukej që gjithçka po frymonte shqip.

“Mora Fjalë” e interpretuar nga Sarandë Aliu, ishte një nga këngët e para që në këtë koncert i kushtohej Adem Jasharit, e që arriti të nxjerrë emocionet e publikut që më shumë përkushtim e duartrokitje po e përcillnin këtë program. Po ashtu këngë dedikuar figurës historike të Adem Jasharit, solli edhe këngëtarja Majlinda Cikaqi me interpretimin e këngës “Po ku je, heu, burrë i dheut”, dhe më pas dhe grupi polifonik “Bilbili”, me interpretimin e këngës “Cili je ti more burrë”. Grupi polifonik “Bilbili” erdhi nga Vlora për ta pasuruar këtë program me interpretimin e dy këngëve.

Dukej se koncerti arrti kulmin me këngën “Heu Drenicë, heu trungu i lisit” që erdhi në interpretimin e Denik Prizrenit, e që plotësohej mrekullueshëm nga kori i ansamblit, i cili dirigjohej nga Ylber Asllani. Emocionet u shumëfishuan në momentin kur njëri nga pjesëtarët e ansamblit solli flamurin kuq e zi në skenë.

Po ashtu Trupa e Ansamblit “Shota”, prezantoi tri valle të fuqishme të cilat erdhën në koreografinë e Fehmi Shaqirit, vallja “Festa e Bashkimit” është ajo që bëri publikun të krijonte një muzikalitet edhe më të fuqishëm përmes duartrokitjeve të ngadalta, e shpesh fishkëllimave të zgjatura. Të gjithë interpretuesit u pritën dhe u përcollën me orkestrën që qëndroi pa lëvizur në skenë. Kjo valle arrin në momentin më të bukur kur pasi burrat përfundojnë vallen e tyre, vihen përballë njëri tjetrit dhe me duart e ngritura lart duartrokasin lojën e valltareve të cilat të vendosura në një rreth lëvizin lehtë duart e tyre. Plisi dhe shamia e kuqe ishin dy simbole që nuk u mungonin pothuajse asnjërit nga interpretuesit.

Po ashtu me interpretime të fuqishme erdhën edhe këngëtare e njohur si Violeta Kukaj–Retkoceri, Mirvete Bajrami- Haziri, Riza Bytyçi e Liridon Sadriu.

Koreografi Fehmi Shaqiri tha për KultPlus, se edhe pse ka një jetë që merret me art, kjo natë i solli emocione të jashtëzakonshme.

“Në nëntor kemi dy tregime shumë të mëdha, nëntori për ne është histori, është gjakosje për atë liri që në mënyrë të padrejtë na e kanë mohuar. Kam tetë vite që punoj me “Shotën” dhe më bëhet shumë qejfi sepse ishin kombinuar shumë bukur edhe me vokalin pasi që Ylber Asllani ka punuar jashtëzakonisht mirë. Programi ka qenë shumë mirë i menaxhuar sepse nuk është e thjeshtë që koncerte tematike të momente të tilla siç është Pavarësia e vendit apo figura historike si është heroizmi i Adem Jasharit dhe e them me sinqeritet se kam një jetë që kam kaluar me art por sonte jam emocionuar jashtëzakonisht shumë. Në Kosovë gjej një mbështetje të jashtëzakonshme dhe është një ndjenjë e përkryer të punosh me ansamblin “Shota”, puna e tyre është vërtetuar edhe me trofetë ndërkombëtare që kanë marr ata dhe janë pikërisht këta që përfaqësojnë kulturën kombëtare të gjithë kombit”, pohoi Shaqiri, duke vazhduar të thotë se edhe pse ka shumë vite që punon me valltarët këtë natë ishte i magjepsur nga loja e tyre.

“U ndjeva jashtëzakonisht i kënaqur dhe ndonjëherë më hidhej të ngjitesha në skenë dhe t’i përqafoja të gjithë”, tha përplot emocion koreografi Shaqiri.

Drejtori artistik i këtij programi, Ylber Asllani tha për KultPlus, se ansambli “Shota” edhe me këtë koncert e dëshmoi që dita e ditës po rritet në aspektin kualitativ mirëpo ai po ashtu theksoi se kjo mbrëmje do duhej të vinte pikërisht në Ditën e Flamurit, gjë që atyre u pamundësohet për shkak të mungesës së një salle.

“Ansambli si ansambël shtetëror e ka strukturën e vet dhe organizimi nuk është aspak probleme për neve, problemi ynë kryesor është salla sepse gjithmonë duhet të kërkojmë lejë. Nuk varet preje neve se ku dhe kur do ta bëjmë koncertin, është një detaj i vështirë për neve për arsye se ky koncert i konceptuar në këtë mënyrë ishte dashur të jetë pikërisht në Ditën e Flamurit dhe të transmetohet drejtpërdrejt. Ansambli po rritet dita e ditës në aspektin kualitativ dhe veçantia e këtij koncerti është gjithnjë reagimi i publikut për punën tonë për fat të mirë ne artistët dimë të ngopemi me ato duartrokitje më se të domosdoshme për neve sepse ansambli nuk paguhet aq sa duhet përkundër punës që e bën”, tregoi Asllani për KultPlus.

Valltari Besnik Grajçevci tregoi për KultPlus, disa detaje rreth organizimit të këtij koncerti ndërsa theksoi se sonte çmimi më i madh që morën janë duartrokitjet e publikut.

“Ansambli “Shota” është në kontinuitet të punës së përhershme mirëpo gjithmonë para eventeve të caktuara këshilli artistik e përpilon programin i cili duhet t’i përshtatet karakterit të manifestimit dhe mbi atë përgatitje dhjetë ditë bëjmë përgatitje teknike, komisionale dhe artistike për nivelin e duhur që prezantuam sot. Jemi munduar që edhe në këtë program t’i përmbahemi qëllimit të festes së 28 Nëntorit, daljes publike të UÇK -së dhe ditëlindjes së komandantit Adem Jasharit. Për artistin çmimi më i madh është duartrokitja e publikut, andaj mendojmë që sonte kemi sjellë emocion dhe kemi shprehur vlera që publiku u nda i kënaqur dhe ka festuar me zemër”, tha Grajçevci për KultPlus.

Koncerti i radhës nga ansambli “Shota” do të shfaqet në Gjilan më 27 Nëntor, me rastin e zbulimit të shtatores së Idriz Seferit./ KultPlus.com

“Jam burr!?” sonte në TKK

Qendra Multimedia & Katharina Maschenka Horn sonte më 27 nëntor do të prezantojnë shfaqjen “Jam burr’!?” në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje trajton temën se si është të jesh burrë në Ballkan. Katharina Maschenka Horn dhe performuesit merren me realitetin dhe klishetë e të qenurit “burrë i vërtetë”, ose “tamam burrë”.

Një kosovar, një bosnjë-hercegovinas dhe një kroat bëhen bashkë në skenë. Edhe pse kanë nacionalitetet të ndryshme, ata janë bërë bashkë për të shqyrtuar e diskutuar nëse është vërtetë e nevojshme për një burrë që ta ‘bindë’ veten për dhunë e agresivitet, apo burrat munden të shihen edhe si viktima të shoqërisë.

Performuesit e kësaj shfaqje janë Robert Nuha nga Kosova, Nemanja Mutić nga Bosne-Herzegovina, Jan Novosel nga Kroacia dhe Katharina Maschenka Horn nga Gjermania.

Kjo shfaqje do të prezantohet për publikun më 27 Nëntor në Teatrin Kombëtar të Kosovës duke filluar nga ora 20:00. Ndërsa do të jepet edhe për publikun e Ferizajt më 29 Nëntor në teatrin “Adriana”, më pas më 30 Nëntor në Teatrin “Istref Begolli” në Pejë dhe me 2 dhjetor në Kino Kultura në Shkup. / KultPlus.com

Sonte në GKK, hapet ekspozita e artistëve nga Maqedonia

Sonte më 27 nëntor me fillim nga ora 19:00, në Galerinë Kombëtare të Kosovës do të hapet ekspozita kolektive e artistëve nga Maqedonia “Esenca e ekzistencës”, shkruan KultPlus.

Ekspozita do të qëndroj e hapur në GKK, deri më 12 dhjetor ndërsa po ju sjellim një pjesë të shkurtër rreth asaj se çfarë përmban kjo ekspozitë”

“…është një koncept artistik i cili u drejtohet sferave të ndryshme të përditshmërisë, të jetës, ekzistencës, perceptimeve të cilat vijnë nga aspekte të ndryshme drejt esencës së qenies, të mbijetesës, të funksionimit. Këtu përfshihen gjeneza e dashurisë, shpirtërores, të ushqyerit… kurse nën këtë diskurs zbulohen edhe çështjet e dinjitetit, ideologjisë, politikës, jetës sociale. …Ky koncept me një kuptim të përgjithshëm do t’i përfshijë aspektet e tridhjetë artistëve bashkëkohorë të Maqedonisë të cilët reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj parimeve ekzistencialiste, duke përdorur media të ndryshme të shprehje vizuale – nga ato klasiket: piktura, grafika, skulptura, duke kaluar te instalimet, objektet, fotografitë, e deri te video projektimet, printimet digjitale, performansat, audioinstalimet. Artistët e përzgjedhur, Ismet Ramiçeviq, Metodi Angellov, Atanas Botev, Vana Urosheviq, Irena Paskali, Aleksandar Stankoski, Velimir Zhernovski, Gjorge Jovanoviq, Marija Sotirovska, Igor Sekovski, Osman Demiri, Sllavica Janeshlieva, OPA, Mihaela Jovanovska, Zero, Nehat Beqiri, Zeni Ballazhi, Zhaneta Vangeli, Dita Starova Qerimi, në fjalorin e tyre krijues përdorin elemente të cilat i shkojnë për shtat diskursit kryesor të konceptit, ndërkohë që secili prej tyre i shqyrton gjërat esenciale të ekzistencës në mënyra të ndryshme dhe prej këndvështrimeve të ndryshme. Shpresojmë dhe besojmë se me këtë pamje tematike do të ofrojmë një mundësi këndvështrimi të artit bashkëkohor të Maqedonisë.” – Ana Frangovska, Goranço Gjorgjievski, Maja Çankullovska./ KultPlus.com

Fotografi kosovar fitues i edicionit të 7-të të PreFoto (FOTO)

Në Preshevë sot është mbajtur edicioni i 7-të i konkursit ndërkombëtar të fotografisë artistike, PreFoto.

Pjesëmarrës në këtë edicion ishin fotografë nga Kosova, Shqipëria dhe nga vende te ndryshme të botës.

Konkursin Ndërkombëtar të Fotografisë e ka fituar Bleron Caka nga Kosova.

Vendin e dytë e mori Anatolie Poiata nga Moldavia.

Kurse vendin e tretë Willem Halbach nga Holanda.

Fitues i çmimit special ishte Musa Talasli nga Turqia, ndërsa fituesi i çmimit Inkurajues Iljada Ndoci, po ashtu nga Kosova. E me çmimin karrierës u shpërblye, Seude Selimi, raporton KP. Të pranishmeve iu drejtua drejtori artistik i këtij konkursi, Edon Agushi i cili tha se ndjehet tejet i lumtur që kjo garë ndërkombëtare e fotografisë tashmë është tradicionale në Preshevë, gjë e cila sipas tij ndikon në promovimin e vlerave kulturore të këtij vendi në mbarë botën.

“Na vjen mirë qe PreFoto tashmë është bërë tradicionale dhe është bërë një vendtakim për të gjithë fotografët e rinj dhe profesionistë që veprojnë në të gjithë botën. Është një ndjenjë e mirë qe e kthejmë vëmendjen e Preshevës duke e njohur edhe më gjerë, e jo vetëm në trevat shqipfolëse. Kjo do të jetë ndoshta gjëja më e mirë që PreFoto do ta promovojë Preshevën edhe në vendet e tjera, duke e njoftuar me kulturën tonë këtu”, tha Agushi.

I pranishëm në këtë edicion, ishte edhe i deleguari i Ministrisë së Kulturës në Kosovë, Valon Kashtanjeva, i cili përcolli mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, sa herë që Lugina e Preshevës të marrë iniciativa të tilla kulturore e artistike. Anëtari i jurisë nga Kosova, Mumim Jashari, para ndarjes së çmimeve tha se ky eveniment është një tjetër dëshmi se është vetëm arti ai që i bashkon popujt e vendeve të ndryshme.

“Kjo është edhe një dëshmi se vetëm arti na bashkon, këto ngjarje kulturore të cilat janë shumë të rëndësishme për këtë vend. Artistët janë ambasadorët më të mirë, të gjithë ata që vijnë dhe vizitojnë Preshevën, te cilët kanë dëgjuar për Preshevën por tash po vijnë po e prekin Preshevën dhe po e përjetojnë këtu ku nuk mungon dashuria për artin”, tha Jashari.

Juria e konkursit ndërkombëtar të fotografisë artistike për këtë edicion ishte e përbërë nga: Albes Fusha nga Shqipëria, Vladimir Jovanovski nga Maqedonia dhe Mumin Jashari nga Kosova.

Edicioni i 7-të i PreFoto u mbështet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, Ministria e Kulturës Kosovës, Komuna Preshevës, Komuna Bujanocit si dhe nga Këshilli Kombëtar Shqiptar./ KultPlus.com

Në familjen shqiptare të Novi Pazarit

Të njohur historikisht për zanatet e punimit të arit dhe argjendit nuk është çudi që në qytetin e vogël të Novi Pazarit, aktualisht me më pak se 100 mijë banorë të gjesh një rrugë të tërë me dyqane aksesorësh të çmuar, ku rruga e pamirëmbajtur bën kontrast me luksin e vitrinave.

Në dyqanin “Smaragd” (Smerald) pronari Redzep Škrijelj thotë se këto kohë krize ekonomike nuk janë aq të mira për stolitë. Megjithëse hyrje-daljet e njerëzve dhe interesimi për unaza, varëse, vathë e byzylykë tregon se vendasit kanë uri për objektet e metaleve të çmuara.

“Mbiemrin e kam Shkreli”

Škrijelj, profesor në Historinë Orientale në Universitetin e Novi Pazar, thotë se ky lloj biznesi është edhe pasioni i tij. Duke folur shqip dhe maqedonisht, pasi mëson kombësitë tona, ai rrëfen se familja e tij prej Peshterit, një fshat malor në rajonin e Rashkës, e kanë origjinën shqiptare.

Kthehet duke treguar një fotografi të varur në murin e dyqanit ku një malësor me qeleshe kullot bagëtitë. “Unë mbiemrin e kam Shkreli dhe familja ka emigruar prej Koplikut” –zbulon Škrijelj. Pasi u vendosën në rajonin e Rashkës, familja e tij u nis të emigronte drejt Turqisë. Me shpresën se mund të merrnin një vizë në Shkup, mbetën aty për vite. “Unë shkollën fillore, të mesmen dhe univertitetin e kam kry’ në Shkup”, zbulon historiani, ndërsa shton se zanatin e punimit të arit dhe argjendit e mësoi në Shkup. Më pas familja vendosi të kthehej edhe njëherë në Novi Pazar, ku bashkë me të vëllain Nexhibin zotërojnë dy dyqane stolish.

Në Prizren kam mësuar si punohet

Disa prej aksesorëve janë të punuara me dorë prej tij. “Por jo të gjithë janë punime dore, pasi pak interesohen për to”, thotë, ndërsa shpjegon procesin e punimit të stolive me shtampa të gatshme, por të gjitha të prodhuara në qytet.

Prej banakut, të mbështjellë në cohëra të kadifenjta nxjerr disa stoli me motive të vjetra, punuar me filigran. “Këto janë të gjyshes. Sot zor se gjen ndokënd që i prodhon. Asht’ shum’ v’shtir. Ama Tirana, Shkodra dhe Prizreni jan’ njoft për filigranin. N’Prizren kam msue’ shumë si punohet” , thotë Škrijelj, ndërsa tregon se bashkëshorten e ka marrë prej Prizrenit. “Por nuk e flet gjuha shqipe, flet gjuha turke”.

Të parët ….pasi lanë Shqipërinë u martuan me gra boshnjake

Thotë se në familjen e tij kanë folur shqip dhe kur e pyesin ai thotë se ndihet nëntëdhjetë përqind shqiptar dhe dhjetë përqind boshnjak, pasi shpjegon sesi të parët e tij pasi lanë Shqipërinë u martuan me gra boshnjake. Pasi të ketë mbyllur dyqanin në rrugën e stolive, thotë se do të merret me organizimin e një eventi të rëndësishëm për të gjithë boshnjakët.

“Sot me 20 të nandorit asht’ dita e Sanxhakut dhe asht’ shumë me randsi. Sot do të kemi nji kremtim, kurse nesër asht’ nji mbramje kushtu’ poezisë boshnjake” , thotë Škrijelj, duke zbuluar se është edhe kryetar i Këshillit Kombëtar të Boshnjakëve në Novi Pazar. “Ka shumë shqiptar’t mes boshnjakve. Ngaqë kanë harru’ gjuhën janë deklaru’ si boshnjakë”, rrëfen profesori ndërsa bën një rrugëtim në histori, duke përfunduar se gjuha është një element i rëndësishëm në ruajtjen e identitetit./DW

Shtëpia e Flamurit në Korçë hapet nesër, takohen dy Qeveritë: Rama e Haradinaj

Shtëpia e Flamurit në Korçë është gati për tu hapur ditën e nesërme. Madje ajo do të promovohet së pari nga mbledhja e përbashkët e dy qeverive, Shqipëri-Kosovë. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila ka postuar këto foto të transformimit pas djegies e rrënimit shkruan se Ministria e Kulturës të cilën ajo po e drejton edhe në këtë mandat të dytë, e mbajti premtimin dhe e ndërtoi.

“Në 2013, premtuam që do e rindërtojmë, sepse është një ndërtesë shumë e rëndësishme historie për Korçën dhe për Shqipërinë, për Kombin dhe për Kulturën. Ministria e Kulturës e mbajti premtimin, e ndërtoi! Sonte ajo është gati, për të hapur dyert për të parën herë nesër, për qeverisjen e përbashkët Shqipëri-Kosovë dhe më pas për t’u kthyer në një qendër kulture e për kulturën”,- shkruan ministrja Kumbaro.
Kumbaro nuk lë pa përmendur edhe kalvarin e gjatë të shkatërrimeve e lënies në harresë nga shteti deri në vitin 2013, ku siç shkruan ministrja e Kulturës “hetimi nuk bëhej kurrë për “mungesë provash”./KultPlus.com

Dren Abazi e Zig Zag Orchestra me koncert recital në Tiranë, shënon dhjetë vjetorin e themelimit(VIDEO)

“Mes Yjesh”, titullohet albumi i Zig Zag Orchestra që do të prezantohet në Tiranë, shkruan KultPlus.

Vetë Dren Abazi ka njoftuar se ky koncert është koncert recital dhe do të përcillet me orkestër të madhe. Ai këtë koncert e ka quajtur, ndoshta si më të rëndësishmin deri më tani, kurse ka falenderuar Bashkinë e Tiranës për mbështetje. Koncerti do të mbahet në sallën e Kishës Ortodokse dhe nisë në ora 20:00, më 28 dhjetor/KultPlus.com