Të fshehtat e Migjenit, lidhja e përfolur me kushërirën dhe poezia që i dedikoi asaj

Dokumente, letërkëmbime, një poezi dhe disa fotografi të Migjenit, të pabotuara kurrë më parë, janë përfshirë në botimin e fundit “Migjeni –Vepra”. Ky botim, sjell të tjera anë të fshehta, nga jeta e poetit, të cilin e detyruan t’i japë lamtumirën kësaj bote, që në moshën 27- vjeçare. Në këtë libër, veç veprës së plotë të tij, janë përfshirë edhe mjaft detaje të tjera nga jeta.

Skënder Luarasi mblodhi gjithë jetën e Migjenit, “Vargjet e Lira” të këtij poeti të madh (ku janë përfshirë “Kangët e mjerimit ”, “Kangët e përndimit”, “Kangë në vete”, “Kangët e rinisë” dhe “Kangët e fundit), e krahas tyre mblodhi dhe “Novelat e qytetit të Veriut”( ku përfshihen edhe shkrimet e fundit të tij, si dhe shënime të ndryshme nga leximet, dokumente, letra të Migjenit, dërguar miqve dhe të afërmëve të tij, etj).
E së fundi, përgatiti dhe kronologjinë e jetës dhe të veprimtarisë së Millosh Gjergj Nikollës – Migjenit (1911-1938), botimet në gjuhë të huaja të veprës së tij. Një pasthënie e shkruar nga e mbesa e poetit, (Angjelina Ceka (Luarasi) vajza e motrës së tij të dashur Olga) mbyll fletët e librit i cili u përgatit nga ndërmarrja botuese “Cetis Tirana”.

Të njohurat e të panjohurat

Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni, Angjelina i kishte parë sa e sa herë dorëshkrimet dhe botimet e të atit të saj (i cili ka qenë studiuesi që i ka hyrë deri në hollësi veprës së Migjenit). Kishte marrë në duar botimet e veprave të plotë të Migjenit.
Vendosi të botonte të katërtin e radhës. Siç edhe shpjegon në pasthënien e këtij botimi të ri, Angjelina pohon se ky libër përmbledh botimin bazë të përgatitur dhe redaktuar nga Skënder Luarasi,si dhe letërkëmbimet me miq e të afërm si dhe mjaft foto, letra e dokumente të pabotuara më parë. Një libër i tillë që i ka munguar gjatë bibliotekës shqiptare është përgatitur me shumë kujdes.
Është dashur shumë kohë për të sjellë imazhin përfundimtar të tij. Veç materialeve e veprës së Migjenit, botuar edhe më parë, janë bërë hulumtime edhe përtej kufirit të Shqipërisë ku gjenden të afërm dhe miq të Migjenit.
Nga e vetmja vajzë xhaxhai e Migjenit (86 vjeç) e cila jeton sot në Zagreb janë marrë fotografi të reja të Migjenit. Po ashtu janë bërë kërkime për materiale të reja edhe në shtëpinë muze “Migjeni”, ku janë marrë letra të pabotuara të së dashurës së tij. Përmes atyre letrave mëson diçka për vdekjen e Migjenit.
Ato letra, Bojka ( kështu quhej vajza shkodrane, që kish zaptuar zemrën e poetit) ia dërgonte motrës së tij Olgës, e cila ishte e vetmja pjesëtare e familjes që iu gjend pranë asaj, pas vdekjes së Migjenit.

Kjo letër është botuar edhe në këtë libër e sipas Angjelinës ka vlera të veçanta se mbi të gjitha tregon edhe nivelin kulturor të këtyre vajzave, në ato kohë. Po ashtu, një tjetër dorëshkrim që vjen për herë të parë në duart e lexuesve është edhe një faksimile e dorëshkrimit origjinal të poezisë “Malli rinuer”.
Letrat e Migjenit…

Në këto faqe ndodhen përjetimet e poetit, dhimbjet, meraku dhe malli i tij, për miqtë më të afërt , motrat dhe njerëzit e tjerë të familjes. Ndër këto letra gjen radhë të shkruara për Skënder Luarasin në të cilat rrëfen mbi përgtitjen e botimit të vargjeve të para të tij.

Në të tjera letra ai i është drejtuar mikut të tij të ngushtë, Teufik Gjylit, motrës Cvetka, burrit të Lenkës (motrës së madhe), Llazar Jovanit e motrës tjetër, Jovankës. Vendin më të rëndësishëm në këtë libër e zënë letrat e shkruara nga e dashura e tij Bojka, letra këto që ajo ia shkruante motrës së Migjenit Olga, ( e cila ishte edhe mikja më e ngushtë e saj).
Ndër rreshtat e atyre letrave, Bojka ka shprehur dhimbjen për humbjn e njeriut të saj më të dashur. Fraza të mbushura me dhimbje e keqardhje, mall e brenga, rrëfejnë për një dashuri mjaft të pastër e të veçantë mes poetit dhe Bojkës.

90- vjetori që s’u kujtua

Ky botim i plotë i veprës së Migjenit ishte përgatitur për t’u botuar që në 90 -vjetorin e lindjes së tij. Por mes heshtjes dhe kaosit të jetës kulturore në Shqipëri, përvjetori i veçantë i Migjenit, u harrua. Përveçse në Pukë, dhe në një mbrëmje performance, organizuar nga studentët e Akademisë së Arteve, në Tiranë, askush nuk u kujtua ta nderonte Migjenin e madh e të organizonte diçka për nder të këtij përvjetori.
E që nga ajo kohë deri para pak muajsh kur Ministria e Kulturës Rinisë dhe Spoteve e mundësoi shtypshkrimin e këtij libri në Slloveni, nga familja e Migjenit janë bërë përpjekjet maksimale për të sjellë një botim sa më dinjitoz.
Origjina e shtrembëruar e Migjenit

Mbesa e poetit, Angjelina, është mjaft e prekur nga gjithçka dashakeqe që është thënë kundër Migjenit këto dhjetë vitet e fundit. Ajo i ka ndjekur me shumë kujdes të gjithë artikujt e shkruar në shtypin e këtyre kohëve.
Madje veç dëshpërimit, ajo ka provuar edhe një ndjenjë fyerjeje të fortë ndaj figurës “së cënuar” të dajës së saj të dashur. Në pasthënien e këtij libri, ajo thekson se “Këto vite në shtypin shqiptar janë bërë edhe shpifjet më të ulëta për Migjenin.
Është shkruar se nuk ishte shqiptar dhe se familja e tij kishte origjinë sllave, duke injoruar kështu faktet e paraqitura në biografinë e Skënder Luarasit, që dëshmojnë gjakun shqiptar të poetit nga familja dibrane e Nikollave dhe ajo Shkodrane e Kokoshëve”.

Kështu shpjegon Angjelina, ndërsa rrëfen se gjyshi i tij vinte nga Nikollat e Dibrës. Më tej ajo shpjegon se emrat me tingëllim sllav, duke përfshirë edhe atë të pagëzimit të Migjenit dhe të motrave të tij, nuk dëshmojnë më shumë se sa përkatësinë në komunitetin ortodoks të Shkodrës , të ndikuar në atë kohë nga kisha fqinje malazeze”.
Pra sipas saj asnjë prej këtyre pretendimeve të ngritura në shtyp nuk qëndrojnë. Origjina e tij është krejtësisht e pastër shqiptare

Dashuri e përfolur…

Dashuria e tij me vajzën shkodrane Bojka ka qenë një dashuri mjaft e veçantë Mes tij dhe Bojkës, kishin lindur ndjenja jo vetëm të forta por edhe shumë fisnike.
Ato që e dëshmojnë më shumë se çdo gjë tjetër këtë janë letrat e të dashurës së tij, Bojka. Por kjo dashuri mes tyre është përfolur mjaft ndër shkrimet e këtyre viteve të fundit. “Mjaft dashakeqe ka qenë edhe përpjekja e bërë në shtyp për të përdhosur dashurinë e vetme të Migjenit si një lidhje incesti, nëpërmjet sajimit të një përafrie gjaku midis Migjenit dhe Bojka Nikollës”- thotë Angjelina.

Dhe e gjithë kjo është bërë duke u nisur nga mbiemri i njëllojtë i tyre. Veçse e vërteta nuk qëndron kështu. “Në të vërtetë Kola, i ati i Bojkës, kishte ardhur në moshë të rritur në Shkodër, nga komuniteti ortodoks i i Kavajës dhe nuk kishte asnjë lidhje gjaku me Nikollë Dibranin, gjyshin e Migjenit, të ardhur nga komuniteti ortodoks shqiptar i Rekës së Dibrës shumë kohë më parë”- shpjegon ajo, duke shtuar se “lidhja e Migjenit me Bojkën ka qenë aq fisnike sa mund të merret si shembull për rininë e sotme.

Sa dhimbje forcë e kulturë përmbajnë letrat e mikes së tij Bojka, ndërkohë që Migjeni e përjetësoi atë në poezinë Z.B”,- shkruan Angjelina në pasthënien e librit. A. Peçi

(Kjo është poezia e botuar në këtë libër në formën e një faksimilje, ku paraqiten vargjet e marra direkt nga dorëshkrimi i poetit)

Malli rinuer

“Valët muzikore flutrojnë nga prendimi
Shkrepen e përtrihen
Për muret e dhomës s’eme
Edhe mandaj dridhen
Mbrenda në zemrën t’eme
Dhe zgjojnë ndijesina që mblue ka hini
Ndijesitë e mija me valët muzikore
Shkëmbejnë puthje të nxehta
Posi dy dashnorë
E pamëshirë shëgjeta
Më ther në krahnor
Edhe më merr malli për jetë ma gazmore
Malli rinuer për jetë ma shkrumbuese
Flen pa fat në mue
Një tingull pendimi
Asht ngushëllim për mue
Kur më mbështjell mashtrimi
Me melankolinë e vet aq trishtuese
Tingujt miqëdashës që në dhomën t’eme
Më tregojnë rythmin
E një dansit të largët
Më kujtojnë përqafimet
E çifteve të shkathët
Që sjellen lirshëm nëpër dërrasa të gdhenme

Fotografi të rralla të cilat tregojnë gjurmët e pashlyeshme të masakrës së Srebrenicës (FOTO)

Kanë kaluar më shumë se dy dekada që nga vrasja masive e më shumë se 8,000 burrave dhe djemve muslimanë nga forcat serbo-boshnjake në qytetin e Srebrenicës gjatë Luftës së Bosnjës, përcjellë KultPlus.

Më 11 korrik 1995, gati në përfundim të luftës, ushtarët serbo-boshnjakë sulmuan njërin nga vendet i cili ishte përcaktuar si “strehë e sigurt” nga OKB-ja. Ushtarët serbo-boshnjakë mblodhën burra të moshës ushtarake, ku përfshiheshin djem të ri dhe burra të moshuar. Gjatë ditëve që pasuan, ata i ekzekutuan dhe i hodhën trupat e tyre në gropa të pyjeve përreth. Ekzekutimet ishin të mirë-planifikuara dhe ushtria serbe bëri përpjekje të vazhdueshme për të fshehur gjurmët e këtij aktiviteti e saj.

Ndërsa vrasjet e shumta ndodhën brenda pak ditësh, procesi i gjetjes së trupave mori vite, dhe procesi i identifikimit dhe e varrosjes siç duket vazhdon edhe sot, më shumë se 1,000 persona janë ende të listuar si të zhdukur. Gjykatat ndërkombëtare kanë dhënë një numër dënimesh për gjenocid lidhur me vrasjet e Srebrenicës ndërsa disa gjykime dhe apele janë ende në vazhdim.

KultPlus ju përcjellë përshkrimin dhe 15 fotografi të rralla që lidhen me gjurmët e pashlyeshme që ka lënë kjo masakër në historinë e luftërave.

1. Mejra Djogaz, 66 vjeçare mban në duar një foto të tre djemve dhe burrit të saj në Srebrenicë, Bosnje dhe Herzegovinë, më 4 korrik 2015. Tashmë e vetmuar, kujtimi i vetëm që i ka mbetur nga familja janë disa fotografi.

2. Kjo foto është shkrepur më 12 korrik të vitit 1995, ku shihen disa nga 20,000 gra muslimane nga enklava lindore boshnjake e Srebrenicës. Ato së bashku më fëmijët e tyre presin për transport, në fshatin Potocari, 5 kilometra në veri të Srebrenicës.

3. Në këtë foto është e paraqitur një grua me nënën e saj, të cilat ishin refugjate nga Srebrenica. Ato derdhin lot pranë njëra-tjetrës , sepse nuk e dinë asgjë lidhur me fatin e pjesës tjetër të familjes së tyre, të cilët ndodheshin një bazë të OKB-së, 12 kilometra në jug të Tuzllës, në Bosnje dhe Herzegovinë, më 13 korrik 1995. Në dorën e gruas më të re shihet një karton që përmban ujë mineral që dhurohej OKB-ja.

4. Në këtë fotografi shihet një grua boshnjake e cili i përkiste besimin islam ndërsa është shfaqur teksa kërkon ndihmë nga ndërkombëtaret në gjetjen e mijëra burrave të humbur nga qyteti i Srebrenicës, që ishin marrë nga forcat serbe të Bosnjës. Prapa saj gjendet një mbishkrim ku shkruan: “Srebrenica. Ku janë burrat, vëllezërit dhe bijtë tanë?”.

5. Një ekspert finlandez i mjekësisë ligjore shikon eshtrat e një prej më shumë se 100 muslimanëve të vrarë në një kodër, thellë në territorin serb të Bosnjës më 2 korrik 1996.

6. Një ekspert finlandez i mjekësisë ligjore vendos një numër tjetër pranë kafkës së një viktime të Srebrenicës që gjendet në kodrat mbi fshatin Kravica, 15 kilometra në veriperëndim të Srebrenicës më 5 korrik 1996.

7. Në këtë fotografi shihen gjurmët e kufomave të paidentifikuara që janë të vendosur afër mureve të një strehimoreje nëntokësore në një morg në Tuzla më 28 mars 1997. Aty janë mbështjellë viktima të cilat janë gjetur në varre masive dhe në zona të pyllëzuara pas masakrës së Srebrenicës më 1995.

8. Aida Civic është një grua boshnjake e refugjatëve myslimanë nga Srebrenica, ajo në këtë foto shihet teka bërtet pasi hyn në një vend ku gjenden rreth 3,500 muslimanëve boshnjakë të vrarë, shumica prej tyre nga ish zona e sigurt e Srebrenicës.

9. Hajra Catic në këtë fotografi shfaqet para imazheve të viktimave të gjenocidit në Tuzla më 11 qershor 2015. Catic është njëra nga mijëra gratë që ende kërkojnë eshtrat e të afërmve të tyre edhe 20 vjet pas masakrës së Srebrenicës. Me ndihmën e Edmin Jakuboviç, i cili ishte personi i fundit që e ka parë djalin e saj të plagosur në terren, Hajra Catic ka qenë vazhdimisht në kërkim të djalit të saj në pyll. Ajo ndihet e frikësuar se nëse nuk arrin t’i gjej eshtrat e tij, do të jetë sikur ai të mos ketë ekzistuar kurrë. E gjitha që i ka mbetur nga djali i saj sot është fotografia e tij.

10. Në këtë fotografi është i mbijetuari i masakrës në Srebrenicë, Nedzad Avdiç, 37 vjeçar, i cili shihet teksa prek emrat e gdhendur të atyre që janë vrarë në një masakër dhe varrosur në Qendrën Përkujtimore në periferinë e Potocarit në Srebrenicë më 27 qershor 2015. Ai ishte 17 vjeç kur u bashkua me një grup njerëzish që u përpoqën të iknin nëpër pyje. Grupi i tij u gjuajtën nga ushtarët serbë dhe më pas u dërguan në një shkollë për ekzekutim.

11. Qendra përkujtimore në Potocari afër Srebrenicës, Bosnje dhe Hercegovinë. Kjo fotografi është bërë më 20 qershor të vitit 2015.

12 Kjo foto paraqet 5 vjeçaren, Ema Hasanoviç e cila në atë kohë ishte një vajzë e vogël muslimane nga Bosnja. Në këtë fotografi ajo shihet teksa bën homazhe pranë arkivolit të xhaxhait të saj, në Qendrën Përkujtimore në Potocari më 9 korrik 2014.

13. Në këtë fotografi shihet një gërmues teksa fshin djersët e tij gjatë kohës sa ishte duke përgatitur varre në një qendër përkujtimore për viktimat e masakrës së Srebrenicës në Potocari, më 5 korrik 2015.

14. Subjekti i kësaj fotografie është një burrë mysliman nga Bosnja i cili po kërkonte varrin e një të afërmit të tij në Srebrenicë më 11 korrik 2014.

15. Kjo fotografi është shkrepur më 4 korrik të vitit 2015. Në fotografi shihet 66 vjeçarja, Hanifa e cila po qëndron në pragun e shtëpisë së saj në Srebrenicë kurse në duart e saj mban një kuti duhani. Këtë kuti ia kishte lënë djali i saj Sabahudin. “Ruaje këtë kuti për mua, kështu që kur unë të kthehem mund të vendos cigaret e mija përsëri këtu”, i kishte thënë i biri. Pas këtij momenti ajo nuk e pa më kurrë të birin. / KultPlus.com

Shuhet poeti i xhazit, Jon Hendricks

Vokalisti legjendar, Jon Hendrick ka vdekur të mërkurën në moshën 96-vjeçare.

Stili unik i këngëtarit i ndihmoi që të ngjitej në majat e muzikës botërore dhe shpesh cilësohej si “poet laureat i xhazit”.

Lajmin për vdekjen e ka konfirmuar vajza e tij Aria për gazetën “The New York Times”. Ai njihej gjatë viteve ’50-ta si pjesë e treshes së famshme Lambert, Hendrick dhe Ross. Suksesin më të madh e kishte në karrierën solo kur më së miri shfaqi mjeshtërinë e stilit të vokalit.

Ai ishte i njohur për krijimin e vargjeve “aty për aty” të instrumentaleve shumë të njohura, përfshirë ato të “Count Basie Orchestra” dhe “Horace Silver Quintet”./ KultPlus.com

Vazhdojnë përçarjet në ShKA Agimi

Shoqëria Kulturore Artistike “Agimi” nga Prizreni, është përçarë keq mes veti. Ata sot përmes një komunikatë për medie, kanë paraqitur disa “sulme” “Kryesia e ShKA Agimit”. Krejt kjo duket se po bëhet për koncertin i cili vjen më datën 26 nëntor, dhe kjo shoqëri tashmë është ndarë në dy grupe.

Sjellim komunikatën e plotë të ShKA Agimi:

Dëshirojmë të informojmë publikun e gjerë për sulmin e radhës të të ashtuquajturës “Kryesi e ShKA Agimit”, e cila doli nga Kuvendi klandestin në të cilin nuk u ftuan pjesa dërmuese e anëtarësisë së Shoqërisë. Ky grup i njerëzve në krye me Z. Xhemal Kabashin, i vetëshpallur Kryetar i ShKA Agimit, që vazhdon të mbajë të zaptuar ndërtesën dhe pasurinë e Shoqërisë, duke i përjashtuar anëtarët pa procedurë legjitime, sot ka publikuar një komunikatë me shumë të pavërteta.

Ashtu siç kemi njoftuar publikun edhe para disa ditësh, koncerti për nder të Ditës së Flamurit i ShKA Agimit do të mbahet më 26 Nëntor 2017, duke filluar nga ora 19.30 në Shtëpinë e Kulturës në Prizren. Organizatorë të këtij koncerti nuk janë disa “ish anëtarë” të Agimit siç pretendon komunikata e këtij grupi të vogël të individëve të papërgjegjshëm, por afër 200 anëtarë të Shoqërisë, të cilët në mënyrë transparente kanë mbajtur Kuvendin Zgjedhor të datës 20 Maj 2017, ku i kanë zgjedhur organet legjitime të Shoqërisë. Gjithashtu, bartës artistik të koncertit të 26 Nëntorit janë emrat më të njohur që ka sot ShKA Agimi, përfshi Fikrim Emrën, Besim Berishën, Kastriot Markun, Xhevdet Doden, Luljeta Brahën dhe shumë të tjerë. Mbi të gjitha, koncerti për nder të Ditës së Flamurit është vazhdimësi e protestës artistike të anëtarëve të përkushtuar të ShKA Agimit. Rezistenca e anëtarëve do të vazhdojë në formën e protestës artistike, gjithnjë me synimin që Agimi të kthehet në piadestalin e veprimtarisë dhe namit të vet, si Shoqëri që i bën bashkë të gjithë personat që ia duan të mirën Prizrenit dhe kulturës. Kjo protestë do ta vazhdojë edhe tutje, derisa Agimi t’i kthehet të gjithëve, anëtarëve të vet, dashamirëve e përkrahësve dhe gjithë qytetarëve.

Duke marrë shkas nga ky rast, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos bien pre e manipulimeve të këtij grupi të vogël të individëve të papërgjegjshëm, të cilët e kanë degraduar Agimin viteve të fundit, duke e tjetërsuar dhe keqpërdorur pronën dhe ndërtesën e Shoqërisë dhe duke shmangur transparencën financiare dhe obligimet tatimore ndaj autoriteteve të shtetit. Të gjitha dëshmitë për keqpërdorime të këtij grupi tashmë janë dërguar në autoritetet përgjegjëse, ndërsa i gjithë dokumentacioni në formën e padisë do t’i dërgohet gjykatës kompetente brenda disa ditësh. Në të njëjtën kohë, si rezultat i angazhimit tonë, ndërtesa e Agimit është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Kulturore, ndërsa individë nga ky grup i vogël kanë tentuar të manipulojnë opinionin duke pretenduar rrjeshëm se kjo arritje ishte rezultat i punës së tyre.

Ju faleminderit për përkrahjen tuaj të vazhdueshme dhe për vëmendjen tuaj të shtuar ndaj manipulimeve dhe dashakeqësisë së këtij grupi të vogël të individëve të papërgjegjshëm që kanë zaptuar ndërtesën, pasurinë dhe emrin e Agimit. Përpjekjet tona, që tashmë gëzojnë mbështetjen e qindra anëtarëve dhe mijëra qytetarëve dhe dashamirëve të Shoqërisë, nuk do të ndalen derisa të shpëtojmë Agimin nga duart e këtij grupi dhe t’ia kthejmë të gjithëve.

U takofshim në koncertin për Ditën e Flamurit këtë të diel, më 26 Nëntor 2017 në orën 19.30 në Shtëpinë e Kulturës në Prizren./ KultPlus.com

Mediat izraelite reportazh për Parkun Kombëtar të Thethit (VIDEO)

Një grup gazetarësh izraelitë kanë realizuar së fundmi një reportazh në fshatin turistik të Thethit. Duke e cilësuar një vend magjik, në reportazh përshkruhet mënyra e jetesës në Theth, kultura e trashëguar, gojëdhënat, eposi, por mbi të gjitha kulinaria vendase.

Gazetarët kanë bujtur në kullat e malësorëve, kanë ndjekur nga afër amvisat vendase teksa përgatisnin ushqimet tradicionale të kësaj zone.

Gazetarët janë befasuar nga disa virtyte të veçanta të zonës që janë ruajtur ende në këtë zonë të largët të Shqipërisë. Vet zona e Thethit gjendet në qendër të vendbanimeve të hershme të Labeatëve. Thethi është vendbanim shumë i hershëm duke u bazuar në të dhënat historike dhe zbulimet arkeologjike.

Thethi për herë të parë shfaqet i dokumentuar në Defterin e regjistrimit të sanxhakut të Shkodrës, në vitin 1485, me emrin Fusha dhe në atë kohë kishte vetëm 7 shtëpi të mëdha. Me kalimin e viteve që nga viti 1968 e në vazhdim, u hapen disa qendra të tjera turistike dhe do të ndërtohen godina, hotele e shumë objekte të tjera, që do të prisnin vizitorë të shumtë nga e gjithë Shqipëria dhe Evropa Lindore për 35 vjet rresht.

Kapaciteti i sezonit veror ishte mesatarisht deri në 600 vetë dhe në dimër mbi 400 vetë, mesatarisht 1 pushues për 1 banor. Në vitin 1976, Thethi shpallet “Park Kombëtar””. Sot është një nga pikat turistike më të frekuentuara nga vendasit dhe turistët e huaj. Aty ndodhen hotele dhe bujtina që presin dhe strehojnë vizitorët dhe pushuesit.

Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve Shqiptare e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar. Duke u nisur nga veçoritë e tij dhe nga vendndodhja pranë kufirit, Parku Kombëtar i Thethit është pjesë e një parku ndërballkanik të quajtur Parku i Paqes, ku përfshihen territore edhe nga Kosova dhe Mali i Zi, përcjell ATSH./ KultPlus.com

Shënohet 1 vjetori i themelimit të Muzeut të Qytetit në Gjilan

Këtë të premte, më 24 nëntor me fillim nga ora 16:00 , Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore e Gjilanit shënon njëvjetorin e themelimit të Muzeut të Qytetit, shkruan KultPlus.

Stafi drejtues i kësaj Qendre ka vendosur që këtë akt solemn ta shënojë bashkërisht me dhuruesit e eksponateve të Muzeut, të cilët realisht ishin dhe mbeten ndër kontribuuesit më të mëdhenj në themelimin e këtij institucioni për të cilin, edhe një vit pas themelimit, vazhdon të përkujdeset QRTK-ja, meqë ende mungon stafi i Muzeut./ KultPlus.com

Na Fal, Fatima!

Një opinion i botuar nga aktivisti serb i të drejtave të njeriut, në edicionin e sotëm të Danas, para fjalës përfundimtare mbi gjeneralin Ratko Mlladiq, i cili u dënua për gjenocid.

Mbyllni sytë dhe imagjinoni një të re të lindur në Srebrenicë, Fatima Muhiq. Ajo është 22 vjeçare, ka flokë të gjatë e të pastër ngjyrë kafe, nën një hixhab mëndafshi, një fytyrë të ngushtë dhe krenare. Ajo është studente e filozofisë në Sarajevë, krenaria e gjithë familjes së saj. Ajo është modeste dhe qesharake, ka shumë miq. Në këtë mëngjes të artë, ajo ulet vetëm në Bashçarsija, duke kaluar nëpër shënimet e saj të ligjeratave. E shijon ajrin e pastër. Merr frymë thellë, pi një gllënjkë kafe dhe kafshon llokumin e aromatizuar turk. Pi një gllënjkë ujë të ftohtë, sheh kodrat e mjegullta të Sarajevës dhe ëndrrat për të shkuar në Nju Jork. Kontrollon kohën, është vakti për të shkuar. Ngre duart lart deri në ballin e saj, me gishta përshkon rreth fytyrës dhe i forcon flokët nën hixhab. I dërgon një mesazh mamit të saj në Srebrenicë, duke i uruar një mëngjes të mirë dhe i thotë asaj i do të gjithë. Ngritet, vendos çantën e saj mbi shpatulla dhe kalon nëpër një grup turistësh me një buzëqeshje në fytyrë, duke u zhdukur në turmë. E shihni ju? Tani hapni sytë.

Fatima ka lindur në Potoçari, një ditë pasi Ushtria e Republika Srpska marshoi në Srebrenicë. Të ballafaquar me një trysni të padurueshme, mijëra njerëz u arratisën nga paniku nga ushtria serbe, në pyje dhe në kodra për të arritur deri në Tuzla, në Potoçari. Atë ditë, serbët kuptonin shumë mirë fjalët e deklaruara të komandantit të tyre, një deklaratë që ai e dha në momentin që shkeli në Srebrenicë. Ata festuan dhe kënduan deri natën vonë, ndërsa bosët po përgatisnin një masakër masive dhe ndërsa pajisjet nga Serbia po grumbulloheshin për javët e gjakderdhjes së tyre. Për gjueti mbi burrat dhe djemtë nëpër pyje, për komandat si “Bini në gjunjë!”, për gënjeshtrat si “Asgjë nuk do të ndodhë me ju, ndjehuni të lirë për të dalë”. Për qeshjen djallëzore prapa kokave të djemve të rinj të cilët, të lagur nga djersët dhe nga urina, të gjunjëzuar dhe të paarmatosur para heronjve serbë, për regjistrimet e vrasjeve të tyre, për goditjen e një trupi të vdekur kur përplaset me tokën e rëndë boshnjake me bar të verdhë.

Më 11 korrik, gratë, fëmijët, të moshuarit dhe të rinjtë po iknin drejt bazës së OKB-së. Ata nuk dinin dhe as nuk mund ta dinin se po vraponin në dhomën e pritjes së vdekjes, duke siguruar vendin e tyre në një varr masiv. E guximshmja Hava, me barkun e saj të rritur, ishte gjithashtu pjesë e ikjes së shpirtrave të tmerruar. Ajo kishte frikë se do të binte, se turma do ta rrokulliste atë në tokën e djegur. Gjatë natës së saj në Potoçari, Hava lindi në kushte të paimagjinueshme. Nata ishte më e keqe se dita. Zagushia ishte duke mbytur mijëra njerëz që ndanin ajrin e tmerrshëm të strehimit. Ajo lindi një vajzë.

Në të njëjtën kohë, 120 kilometra nga atje, në Beogradin që kutërbon nga era e keqe, zotërinjtë i shihnin lajmet e mbrëmjes nga karriget e tyre të zyrës dhe dëgjonin deklaratën e gjeneralit: “Këtu jemi në një Srebrenicë serbe. Ka ardhur koha më në fund për t’u hakmarrë kundër turqve në këtë zonë.” Gratë po përfundonin përgatitjet e tyre për lavdinë e së nesërmes, Ditën e Shën Pjetrit. Një javë më vonë, gjatë lajmeve të mbrëmjes së Radio Televizionit të Serbisë, një zë i ri i deputetit Vuçiq u dëgjua nga fjalimi në Kuvendi: “Vritni një serb dhe ne do të vrasim njëqind myslimanë”.

Mijëra myslimanë tashmë ishin hedhur në varre masive. Kur këto u mbushën, trupat u copëtuan dhe u transferuan në varret sekondare, pastaj u ri-paketuan dhe u hodhën në varre terciare. Serbët i kishin duart e tyre plot deri në fund të verës. Kush i ka hapur ato? Kush voziste autobusë nga Valeva, Shabaci, Uzhica, autobusë që më vonë do të përdoreshin për të transportuar njerëz nga Potoçari në vende ku do të ekzekutoheshin? Kush i ngriti trupat dhe i hodhi ato në gropa në Tomasicë, Kozluk, Budak, Snagovo, Kamenicë?

Komandanti i këtyre vrasësve ishte “në arrati” për 16 vjet pas gjenocidit dhe ishte nën mbrojtjen e vendit tonë. Ai ishte parë shpesh në Beograd, në lojëra, midis të ftuarve të ndryshëm nëpër festa. Pastaj ai u zhduk. Sot e dimë se, të paktën për një kohë, ai ishte duke u fshehur në një objekt ushtarak në Topcider. Kush janë Drazhen dhe Dragan? Këta janë dy rojet ushtarake që janë gjetur të vdekur më 5 tetor 2004 në të njëjtin objekt.
Vendi ynë dhe mediat pohojnë se ishte vrasje, ndërsa rojet u vranë në të vërtetë sepse e panë ‘vetë Djallin’ atë mëngjes. Në atë kohë, Ministri i Mbrojtjes ishte Boris Tadiq.

Gjenerali ‘u gjet’ në vitin 2011 në fshatin Lazarevo, afër Zrenjanin. Me krenari deklaroi emrin e tij të vërtetë pa asnjë hezitim tek policia. Boris Tadiq i dëshpëruar, kryetari i atëhershëm i Serbisë, e informoi publikun se ‘heroi’ ishte kapur. Gjenerali menjëherë kërkoi ta vizitonte varrin e vajzës së tij Ana, e varrosur në Topcider. Ana kreu vetëvrasje në vitin 1994 duke qëlluar veten me plumb në kokë me armën e babait të saj. Thashethemet tregojnë se babai i saj kërkoi që ai ta shihte atë për herë të fundit. Disa thashetheme gjithashtu tregojnë se ai e pengoi hetimin mbi shkaqet e vdekjes së saj. Ata thonë se vdekja e vajzës së tij e goditi shumë atë aq sa e bëri të ndryshojë “strategjinë e tij të luftës”.

E mbani në mend Fatiman? Hava Muhic e quajti ashtu vajzën e saj të vogël në vitin 2012 kur kockat e foshnjës ishin identifikuar. Ato ishin të vogla dhe të përziera me të tjerat. Nuk ishte e lehtë për t’i gjetur ato, as për të vendosur se kujt i përkisnin. Fatima është viktima më e re e gjenocidit të Srebrenicës. Janë të paktën 8,371 viktima, por Fatima ka jetuar më së paku gjatë natës së ferrit të korrikut. Fatima, të cilën ne sot e imagjinojmë duke kaluar me një buzëqeshje në fytyrën e saj përmes Bashçarsisë, vdiq në të njëjtën ditë të lindjes së saj. Ajo kurrë nuk do të shohë kodrat e Sarajevës, as do të pi një gllënjkë me ujë të ftohtë. Nëna e saj sot e sheh vendimin e vrasësve të fëmijës së saj, ndërsa vrasësit e saj të tjerë ecin lirisht mes nesh. Disa prej tyre janë në pushtet, disa janë në opozitë, disa i mësojnë fëmijët tanë, disa shkruajnë lajmet tona, disa prej tyre drejtojnë vendin tonë.

Na fal, Fatima.

Autori është një aktivist i të drejtave të njeriut nga Beogradi dhe një bashkëpunëtor i Shkollës për Studime të Mediave të Shkollës së Re në New York.

Artikulli origjinal u botua nga e përditshmja serbe Danas ndërsa u përkthye nga Kallxo.com./ KultPlus.com

Ka ndërruar jetë Dmitri Hvorostovsky, një gjigant i skenës së operës (VIDEO)

Dmitri Hvorostovsky njëri nga baritonët më të mirë që ka shkelur skenat e operës botërore ka ndërruar jetë dje në Londër në moshën 55 vjeçare, përcjellë KultPlus.

Ai ka ndërruar jetë si pasojë e kancerit në tru ndërsa kishte dal në pension në dhjetor të vitit 2016, një vit e gjysmë pasi kishte marr lajmin për diagnozën e tij.

Dmitri Hvorostovsky befasoi publikun me një shfaqje të papritur në muajin maj në mbrëmjen e 50-vjetorit të Metropolitan Operas në Nju Jork, duke interpretuar “Cortigiani! Vil Razza!” nga “Rigoletto” i Verdit. OperaWire e cilësoi këtë mbrëmje si një performancë e cila solli shumë emocione, duke raportuar se “publiku shpërtheu me duartrokitje të pasionuara”.

“Teatro alla Scala” i Milanit, ku ai u paraqit për herë të parë në vitin 1992, e quajti Hvorostovsky “një nga interpretuesit më karizmatik të dekadave të fundit në një repertor që varionte nga Verdi tek Çajkovski dhe Musorgski”.

“Me vdekjen e tij, bota e muzikës ka humbur një nga figurat e saj më të dashura dhe më të respektuara”, thuhet në deklaratën e Teatrit. /KultPlus.com

Fjalimi më emocionues i shekullit XX që njoftoi ardhjen e një epoke të re

Në kujtim të Xhon F. Kenedit

Në një ditë të ftohtë të dimrit, më 20 janar 1961, John Fitzgerald Kennedy mori betimin e zyrës nga Shefi i Drejtësisë Earl Warren, për t’u bërë Presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara. Në moshën 43 vjeçare, ai ishte burri më i ri dhe katoliku i parë irlandez që u zgjodh në zyrën e Presidentit. Ky është fjalimi që ai dha duke njoftuar agimin e një epoke të re, pasi të rinjtë amerikanë të lindur në shekullin e 20-të, morën për herë të parë udhëheqjen e Kombit.

Nënpresident (Lindon) Xhonson, Z. Kryetar i Dhomës, Z. Kryetar i Gjykatës së Lartë, President Ajzenhauer, Nënpresident Nikson, President Truman, të përndershëm klerikë, bashkëqytetarë: Ne nuk festojmë sot fitoren e një partie por jemi mbledhur në një kremtim të lirisë, një kremtim që simbolizon një fund po aq sa edhe një fillim e që nënkupton një ripërtëritje po aq sa edhe një ndryshim.

Sepse unë kam bërë përpara jush dhe Zotit të Gjithëfuqishëm të njëjtin betim solem, që paraardhësit tanë përcaktuan gati 175 vjet më parë. Sot bota ka ndryshuar shumë. Sepse sot njeriu mban në duart e tij të vdekshme fuqinë për të zhdukur çdo formë të varfërisë, por edhe të gjitha format e jetës njerëzore.

E megjithëtatë, të njëjtat bindje revulucionare për të cilat luftuan paraardhësit tanë, janë prapë në diskutim anë e mbanë globit edhe sot e këtë ditë – sikurse është besimi se të drejtat e njeriut nuk burojnë nga bujaria e shtetit, por nga dora e Zotit. Neve nuk na lejohet sot të harrojmë që jemi trashëgimtarët e atij revulucioni të parë.

Le ta bëjmë botën të ecë përpara nga ajo kohë e nga ky vend, të ecë përpara njëlloj për miqtë dhe për armiqtë, në mënyrë që flaka e stafetës të kalojë në duarte një brezi të ri amerikanësh – të lindur në këtë vend, të kalitur nga lufta, të disiplinuar nga një paqe e vështirur dhe e hidhur, krenarë për trashëgiminë tonë të lashtë, duke mos pranuar asnjëherë për të lejuar shpërbërjen e ngadaltë të atyre të drejtave njerëzore, ndaj të cilave ky komb ka qënë gjithmonë i përkushtuar dhe për të cilat ne zotohemi sot t’i jetësojmë në vendin tonë e në mbarë botën.

Le t’i bëjmë të ditur çdo kombi, pavarësisht nëse janë dashamirësit apo dashakeqësit tanë, se ne do të paguajmë çdo çmim, do të mbajmë çdo barrë, do të përballojmë çdo vështirësi, do të mbështesim çdo mik e do t’i kundërvihemi çdo armiku për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë.

Por ne zotohemi më shumë se kaq.

Atyre aleatëve të vjetër, me të cilët kemi një origjinë kulturore dhe shpirtërore të përbashkët, ne u zotohemi për bësnikëri dhe miqësi. Të bashkuar, ne mund të arrijmë çdo gjë në një mori përpjekjesh të përbashkëta. Të përçarë, ne mund të arrijmë fare pak, sepse veç e veç nuk guxojmë dot të përballemi me sfida të rënda.

Atyre shteteve të reja, të cilat ne i mirëpresim në radhët e shteteve të lira, ne u zotohemi për një botë ku një formë e kontrollit kolonial nuk do të zëvendësohet nga një formë tjetër tiranie shumë më të hekurt. Vërtet që ne nuk duhet të presim gjithmonë të na mbështesin për pikëpamjet tona, por ne duhet të shpresojmë t’i shohim ata të mbështetin fuqishëm lirinë e tyre dhe të mos harrojmë se, në të kaluarën, ata që kërkuan marrëzisht pushtetin duke mos kalëruar në shpinë të tigrit, përfunduan në gojë të tij.

Atyre njerëzve në kasollet e fshatrave të gjysmës së globit, të cilët luftojnë për të këputut zinxhirët e mjerimit masiv, ne u zotohemi se do të bëjmë çmos për t’i ndihmuar të ngrihen vetë në këmbë, sado kohë që kjo të kërkojë dhe jo sepse këtë gjë mund ta bëjnë komunistët e jo sepse ne kërkojmë votën e tyre, por sepse kjo është e drejtë.

Nëse një shoqëri e lirë nuk mund të ndihmojë të shumtët që janë të varfër, ajo nuk mund të ndihmojë as të paktit që janë të pasur.

Republikave tona motra në jug të kufirit tonë, ne ju bëjmë një zotim të veçantë: t’i kthejnë fjalër tona të mira të vepra të mira, në një alencë të re për progres, të ndihmojmë njerëzit dhe qeveritë e lira që të flakin tej zinxhirët e varfërisë.

Por ky revulolucion paqësor i shpresës, nuk mund të bëhet pe e fuqive armiqësore. Le t’u bëjmë të ditur të gjithë fqinjëve tanë se ne do të bashkohemi me ta kundër çdo agresioni apo subversioni kudo që të ndodhë në kontinentin Amerikan. Por le t’i bëjmë të ditur çdo fuqie tjetër se kjo hemisferë synon të mbetet zot i fateve të veta në shtëpinë e vet.

Asamblenë botërore të shteteve sovrane, Kombeve të Bashkuara, shpresës sonë të fundit për mirë në një epokë ku instrumentet e luftës i kanë tejkaluar shumë instrumentet e paqes, ne u përsëritim zotimin tonë për mbështetje –zotimin tonë për të mos lejuar që ato të bëhen thjesht një forum sharjesh, për të fuqizuar mbrojtjen e tyre ndaj të resë e të dobtit, dhe për të zgjeruar hapësirën ku mund të shtrihet mandati i tyre.

Dhe më në fund, atyre shteteve që do të jenë kundështarët tanë, ne nuk u ofrojmë ndonjë zotim, por u bëjmë një kërkesë: le t’ia nisim të dyja palët punës në kërkim të paqes, përpara se fuqitë e errëta të shkatërrimit që ka zgjuar shkenca, ta kenë përfshirë të gjithë njerëzimin në një vetëshkatërrimin, qoftë ky i planifikuar apo edhe aksidental.

Dhe është një thirrje që se bëjmë nga dobësia. Vetëm kur s’ka pikë dyshimi ë armët tona janë të mjaftueshmë, ne mund të jemi të sigurtë jashtë çdo dyshimi se ato nuk do të përdoren kurrë. Por asnjëri prej dy grupeve të mëdha e të fuqishme të kombeve nuk mund të ndjehen të qeta nga ecuria jonë e tanishme – të dyja palët të mbingarkuara nga kostoja e armëve moderne, të dyja me të drejtë të alarmuara nga përhapja e pandalshme e armëve vrastare atomike dhe që të dyja palët në garë për të ndryshuar balancën e pasigurt të terrorit, që ndalon dorën e luftës finale të njerëzimit. Prandaj le ta nisim nga e para, duke kujtuar në të dyja anët se qytetaria nuk është shenjë dobësie dhe sinqeriteti gjithmonë duhet provuar.

Le të mos negociojmë kurrë nga frika, por le të mos kemi kurrë frikë nga negociatat. Le të dyja palët të gjejnë se cilat janë problemet që na bashkojnë, në vend që të bëjmë tërkuzë problemet që na ndajnë. Le të formulojmë të dyja palët, për herë të parë, propozime serioze dhe të sakta për inspektim dhe kontrollin e armëve dhe le ta vendosim nën kontrollin absolut të të gjithë kombeve fuqinë absolute të shkatërrimit të kombeve të tjerë.

Le të kërkojmë të dyja palët mrekullitë e shkencës dhe jo tmerrët e saj. Le të zbulojmë tok yjet, të mposhtim shkretëtirat, të çrrënjosin sëmundjet, të njohin thellësitë e oqeanit dhe të nxitin artet e tregëtisë. Le të bashkohemi të dyja palët duke ia vëne veshin urdhëresës së Isaiah-s: “Të shkarkojmë barrat e rënda… e të çlirojmë të varfërit.”

E nëse parimi i bashkëpunimit mund të zmbrapsë xhunglën e dyshimit, atëherë le të bashkohemi të dyja palët në një përpjekje të re, jo për një balancë të re force, por për një botë të re të ligjit, ku i forti është i drejtë, i dobëti është i sigurt është e mbrojtur.

Të gjitha këto nuk do të mbarojnë në 100 ditët e para. Nuk do të mbarojnë dot as në 1000 ditët e para, nuk do të mbarojnë as sa të jetë kjo administratë ndoshta, as në tërë jetën tonë mbi këtë planet. Por le të fillojmë! Do të jetë në duart tuaja, bashkëqytetarët e mi, më tepër se në dorën time, suksesi apo dështimi final i rrugës sonë.

Qysh kur është themeluar ky vend, çdo brez i amerikanëve ka qenë thirrur të dëshmojë besnikërinë e vet kombëtare. Varrezat e të rinjve amerikanë, që iu përgjigjën thirrjes për t’i shërbyer atdheut, rrethojnë globin.

Tani trumpeta po na thërret përsëri- jo si një thirrje për të marrë armët, edhe pse dhe armët na duhen – jo si një thirrje për betejë, edhe pse jemi gati për betejë – por si një thirrje për të mbajtur barrën e një lufte të gjatë në mugëtirë, vit pas viti, të gëzuar nga shpresa, të duruar nga vuajtja, një luftë kundër armiqve të përbashkët të njeriut- tiranisë, varfërisë, sëmundjes dhe vetë luftës.

A mund të farkëtojmë ne kundër këtyre armiqve një aleancë të madhe globale, nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim, që të mund të na sigurojnë një jetë më të frytshme për mbarë njerëzimin? A do të na bashkoheni ju në këtë përpjekje historike?

Në historinë e gjatë të botës, vetëm pak brezave iu është dhënë roli i mbrojtjes së lirisë, atëherë kur ajo është më e rrezikuar. Unë nuk tërhiqem përpara kësaj përgjegjësie, unë e mirëpres atë. Unë nuk besoj se ndonjëri nga ne do ta ndërronte vendin me ndonjë njëri tjetër apo me ndonjë brez tjetër.

Energjia, besimi dhe përkushtimi me të cilin ne do t’i futemi kësaj përpjekjeje, do të përndritë vendin tonë dhe të gjithë ata që i shërbejnë atij. Dhe drita e këtij zjarri mund të ndritë botën e tretë.

E prandaj, bashkëqytetarët e mi amerikanë, mos pyesni se çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju, por pyesni se çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj. Bashkëqytetarët e mi të mbarë të botës, mos e pyesni se çfarë mund të bëjmë ne të gjithë së bashkë për lirinë e njeriut.

Dhe në fund, qofshi ju qytetarë të Amerikës apo qytetarë të mbarë të botës, kërkoni nga ne këtu të njëjtët standarte force dhe sakrifice, që kërkojmë dhe ne nga ju.

Duke pasur si të vetmin shpërblim, ndërgjegjen tonë, me historinë si të vetmin gjykatës të bëmave tona, le të ecim përpara ta udhëheqim tokën që duam, duke kërkuar bekimet dhe ndihmën e Tij, por duke ditur se këtu mbi tokë puna e Zotit në të vërtetë duhet të jetë puna jonë.(Marrë nga Konica.al)./ KultPlus.com

“Qeleshja e bardhë” prek zemrat e poetëve zviceranë

“Sherifi kërkon përkthyes, gjen një shtëpi botuese, hap dritare dhe na fton; hajde të flasim së bashku se, kush flet, nuk është i vdekur” -thërret në stilin e një slam-poeti, shkrimtari dhe publicisti i njohur zviceran, Fred Kurer.

“Një rezultat mahnitës qëndron sot para nesh”, thotë Kurer për librin e titulluar: “Die weisse Filzkappe”.

“Sherifi kërkon përkthyes, gjen një shtëpi botuese, hap dritare dhe na fton; hajde të flasim së bashku se; kush fletë nuk është i vdekur” -thirrë në stilin e një slam-poeti, shkrimtari dhe publicisti i njohur zviceran, Fred Kurer.

Poeti Isuf Sherifi, ka vite që shkruan, por kështu qartësisht, e me një gjuhë të rrjedhshme gjermane nuk ka folur më parë.

“Qeleshja e bardhë” është libri i fundit i poetit Isuf Sherifi i përuruar mbrëmë në St. Gallen para një numri të madh të lexueseve dhe lexuesve shqiptarë e zviceranë.

“Një i huaj, një emigrant, përpiqet t`i njohë poetët e Zvicrës me shqiptarët. Poezitë e Isuf Sherifit janë patetike atje, ku ai këmbëngul mbi dashurinë e tij ndaj vendlindjes. Ato janë të hidhura, e të kujtojnë çfarë ka ndodhur politikisht- dhe do të ndodhë. Në “Qeleshen e Bardhë” rri ulur pikëllimi dhe humbja e vendlindjes- por trishtimi, pavarësisht hidhërimit ka një qetësi melankonike”, shprehet Kurer.

Poetët zviceranë janë mahnitur me stilin goditës të poezive lirike të poetit Isuf Sherifi, i cili këtë vit po e mbyll jo me kërkesat e urimet e rëndomta për më tepër dashuri e mirësi, por për më tepër mirëkuptim, kurajë njerëzore në një botë ku jeta mes ferrit dhe parajsës kalon këmbëzbathur duke mos lënë gjurmë në shpirtrat tanë të etur për pushtet e pasuri.

Shkronjat e tij prekin trishtimin njerëzor, skajin e vuajtjeve të njerëzimit, luftërat, vrasjet, pikëllimin për vendlindje e mallin për dashurinë. Ai i shkruan Srebrenicës, Aleppos, refugjatëve, vendlindjes e Plisit. Emocioni ndaj gruas, diellit, yjeve e lirisë janë shputat e këpucëve të shpirtit të vjedhur, shkruan albinfo.ch.

“Libri i Isufit me poezi është një libër i çmuar, nuk janë poezi dashurie. Ato janë shpjegime me pyetje të mëdha mbi integrimin të cilat ai i sjell në dhjetë variacione mbi vendlindjen, e jetën me një të kaluar që është në kërkim të orientimit”, ka përcjellë fjalët e Rheinhard Mermit, moderatori i mbrëmjes, gazetari Richard Butz.

Libri me 54 poezi mbanë titullin “Die weisse Filzkappe” dhe është i pari i këtij lloji i shkruar në gjuhën gjermane nga poeti tetovar, Isuf Sherifi.

Librin e ka botuar shtëpia botuese “Waldgut” në Frauenfeld kurse kritikën letrare i kanë dhënë mbrëmë në librarinë e qytetit St. Gallen “Comedia”, kolegët e tij zviceranë, të cilët kanë vlerësuar në superlativ poezitë e Sherifit. Ky i fundit, ndonëse me një zë të mekur e i mbushur me emocione, por krah tingujve të muzicentit Altin Asllani, u doli përballë edhe një herë shkronjave që dukej se kishin marrë rolin e “Ujkut të stepave” të shkrimtarit të madh gjerman, Herman Hesse.
Në krijimtarinë poetike, Sherifi ka dëshmuar veten në më së paku shtatë botime të tjera, si “Plisi”, Ndarjen nuk e nënshkruaj“, “Udha e kripës”, “Hyrje për në agim“, “Tej harrimit”, “Hije mbi tokë”, “Blick durchs geöffnete Fenster”, “Vështrim nga dritarja e hapur”./ KultPlus.com

Përfundojnë xhirimet e filmit “Derë e hapur”, në fokus historia e dy motrave

Filmi “Derë e hapur” ka bërë bashkë regjisorin Florenc Papas dhe producentin Eno Milkani. Një filmi cili sjell në role aktorë të njohur të kinemasë shqiptare, por dhe emra të rinj, një projekt me skenar nga Florenc Papas dhe Ajola Daja.

Ky është një film i metrazhit të gjatë dhe regjisori tregon se xhirimet kanë përfunduar, duke shtuar se ka shumë rëndësi në aktivitetin e tij ky projekt. “Për mua realizimi i këtij projekti kinematografik ka rëndësi dhe përgjegjësia është e madhe. Një regjisor debutant merr një përgjegjësi ndryshe nga ato të karrierës, pasi vepra e tij do ta ballafaqojë me audiencën dhe me industrinë e filmit. Nga ana tjetër përgjegjësia vjen dhe prej bashkëpunëtoreve të tu, institucioneve financiare dhe një gjë e rëndësishme është sfida që ti bën me veten”, tregon regjisori. Sipas regjisorit Florenc Papas në këtë film në qendër është njeriu i thjeshtë.

““Derë e hapur” do të jetë një film intim, ku në qendër është ai njeriu i thjeshtë me plot ndjesi dhe komplekse brenda tij”, zbulon ai për filmin e tij që ka përfunduar xhirimet. Rolet në filmin “Derë e hapur” i janë besuar aktorëve të njohur për publikun por nuk mungon dhe një djalë 5 vjeçar. “Kasti i aktorëve përshin një shumëllojshmëri aktorësh, që nga djali i vogël 5-vjeçar deri tek emra të mëdhenj të kinemasë shqiptare si Guljelm Radoja, Lutfi Hoxha dhe Sotiraq Bratko”, vijon më tej regjisori. Ai tregon se dy personazhet kryesore i luajnë emra të njohur të ekranit Luli Bitri dhe Jonida Vokshi.

“Një dyshe mjaft e mirë dhe do ta quaj me plot bindjen të suksesshëm bashkëpunimin. Surpriza më e madhe ka qenë djali i vogël, i cili mund ta quajmë kryesor në film pasi përshkon edhe ai gjithë rrugëtim dhe ai është Maxwell Guzja”, shprehet mes të tjerave Florenc Papas regjisor i filmit “Derë e hapur” që ka përfunduar xhirimet gjatë vjeshtës. Shumë shpejt regjisori bën me dije se do të fillojë postproduksioni i filmit. Projekti kinematografik i filmit artistik me metrazh të gjatë “Derë e hapur” është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri, Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Kosovë, por ka gjetur financime dhe nga Eurimages, SEE Cinema Network. Producent Eno Milkani, Co-producent Besnik Krap, Goran Stojilkovic, Line producer Gerta Qurku

Ngjarjet në film

Filmi “Derë e hapur” i vendos ngjarjet në ditët tona dhe zhvillohen sipas regjisorit në Tiranë, Krrabë, Prrenjas dhe Lin. Filmi ka në qendër tre personazhe, dy motrat Rudina dhe Elma dhe djalin 5 vjeçar të Rudinës. Sipas regjisorit, personazhet e tjera janë episodike, por të rëndësishme përgjatë udhëtimit të tre personazheve kryesore. “Ka këtë gjeografi, pasi zhanri i filmit i përket asaj që quhet road-movie, pra filmi ndodh në rrugëtim dhe hera- herës skenat zhvillohen në “kutinë” e veturës së personazhit kryesor.

Një hapësirë e limituar nga ana vizuale, por e fortë dramaturgjikisht për dy heroinat e filmit”, cilëson regjisori Florenc Papas. Filmi “Derë e hapur” tregon historinë e rrugëtimit të dy motrave, duke shkuar tek babai i tyre në fshat, tek e shkuara, fëmijëria e tyre. Motra e vogël kthehet shtatzënë dhe e pa martuar nga Italia. Motra madhe e pret në port dhe të dyja nisin rrugën për në fshat pa ditur se si do ballafaqohen me babain e tyre. Pas shumë peripecish dhe një mori marrëdhëniesh midis motrave, në një moment në histori ato i lidh e shkuara dhe i bën bashkë derisa ja dalin të shkojnë të babai i tyre në fshat, shkruan SotNews./ KultPlus.com

Presidenti Thaçi, i impresionuar me Librarinë e Parlamentit të Kanadasë

Presidenti Hashim Thaçi ka vizituar Librarinë e Parlamentit të Kanadasë gjatë vizitës së tij në këtë shtet, dhe nga ajo që ka shkruar në Facebook, ku ka publikuar disa fotografi ai është impresionuar me këtë librari.

“Gjatë vizitës në Parlamentin e Kanadasë vizitova disa prej pjesëve më të veçanta të ndërtesës. Libraria e Parlamentit, me mbi 1 milion ekzemplarë të librave e dokumenteve historike, që nga themelimi i Konfederatës së Kanadasë para 150 viteve, te marrja e sovranitetit të plotë e deri te zhvillimet e sotme, por edhe me arkitekturën dhe orenditë e saj, është një elaborim madhështor i historisë së Kanadasë”, ka shkruar Thaçi në Facebook. / KultPlus.com

Sidrit Bejleri: Çapaçulët që shkojnë në dasmat VIP, e harruan kompozitorin Lalo

Këngëtari i njohur Sidrit Bejleri ka reaguar ditën e djeshme pas ndarjes nga jeta të Mjeshtrit të Madh, Aleksandër Lalo.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ai kritikon ata artistë që nuk kanë marrë pjesë në homazhet për kompozitorin Lalo.

Duke iu drejtuar atyre që i quan “çapaçulë” dhe sipas tij, pretendojnë se po bëjnë art në këto kohë, Bejleri shkruan se: “ata nxitojnë të shkojnë në dasmat vip, por nuk nderojnë figurat e njohura të artit shqiptar”.

POSTIMI I PLOTË:

“Sot në drekë, tek po prisnim të përcillnim trupin e të ndjerit, mjeshtrit Aleksandër Lalo, vura re me keqardhje, por nuk u surprizova, se mungonin shumë “yje” të “showbizit” shqiptar. Nuk e kam për ata që e kishin të pamundur të vinin nga largësia dhe varet sa e njihnin. E kam për ata që rendin kush e kush të shkojë sa më shpejt në “dasmat vip”, ftuar e pa ftuar…
E kam për ata që pretendojnë se po bëjnë “muzikë” dhe “art” në këto kohë të “arta të muzikës”.

E kam për “çapaçulët” që nuk dinë dhe s’kanë për ta kuptuar kurrë sa vlerë dhe peshë ka për t’u bërë Arti i Vërtetë.
Mjeshtrat po ikin një nga një dhe vështirë të zëvendësohen e për më tepër Arti që na dhuruan. E di që kohët ndryshojnë, por të zezës nuk i them dot e bardhë.

E kam sërish me “çapaçulët”
Kush nuk respekton rrënjët dhe baballarët e vet nuk i mbetet gjë pas, e vërtetuar kjo. Si të hash “plehra” po “plehra” do prodhosh.

Kam mllef, po po, kam mllef sepse e di mirë çfarë arti na dhuruan Kujtim Laro e Aleksandër Lalo me shokë.
Se “çapaçulët” janë bërë të pasur dhe harrojnë se baballarët ikën të varfër, por pasurinë e lanë prapa.

…dhe “çapaçulët” vazhdojnë të qelbin ajrin dhe realitetin që me aq mund e sakrifica na e lanë të pastër baballarët tanë…
TURP!!!

Kujt t’i djegë le ta mbajë!”

Vazhdon tradita e koncertit të ShKA Agimit për Ditën e Flamurit

ShKA Agimi ka kënaqësinë të njoftojë publikun për organizimin e koncertit tradicional kushtuar 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit.

Veçantia e koncertit të sivjetëm për Ditën e Flamurit është rikthimi pas shumë vitesh i emrave të njohur në reportorin e Agimit. Koncerti vjen me një program shumë cilësor, me performansë të korit nën udhëheqjen e Fikrim Emrës, oktetit nën udhëheqjen e Besim Berishës, orkestrës nën udhëheqjen e Kastriot Markut, grupit të valltarëve nën udhëheqjen e Luljeta Brahës dhe Blerim Gashit dhe valltarëve veteranë nën udhëheqjen e Mazllum Karamanit. Një numër solistësh, emra të njohur të artit në Kosovë do të jenë gjithashtu pjesë e programit të koncertit, i cili mbahet me 26 Nëntor në Shtëpinë e Kulturës në Prizren dhe fillon në orën 19.30.

Koncerti për nder të DItës së Flamurit është vazhdimësi e protestës artistike të anëtarëve të përkushtuar të ShKA Agimit.

Rezistenca e anëtarëve do të vazhdojë në formën e protestës artistike, gjithnjë me synimin që Agimi të kthehet në piadestalin e veprimtarisë dhe namit të vet, si Shoqëri që i bën bashkë të gjithë personat që ia duan të mirën Prizrenit dhe kulturës. Kjo protestë do ta vazhdojë edhe tutje, derisa Agimi t’i kthehet të gjithëve, anëtarëve të vet, dashamirëve e përkrahësve dhe gjithë qytetarëve. / KultPlus.com

Sia sjellë me videoklip këngën “Santa’s Coming for Us” (VIDEO)

Pasi e kishte publikuar këngën më 30 tetor, Sia ka sjellë edhe me videoklip “Santa’s Coming for Us”.

Kjo është kënga e parë e saj e albumit të Kërshëndellave, “Everyday Is Christmas”.

Albumi “Everyday Is Christmas” është lansuar më 17 nëntor. / KultPlus.com

Sarajevo City of Film thërret regjisorët shqiptarë

Sarajevo City of Film – një projekt i veçantë në kuadër të Festivalit të Filmit në Sarajevë, ka hapur aplikimin për edicionin e radhës, të 23-tin me radhë.

Projekti i fton filmbërësit nga regjioni për një mundësi bashkëpunimi për filmat e metrazhit të shkurtër – duke punuar, duke i financuar ata dhe duke i shfaqur, shkruan KultPlus.
Kushti i vetëm është që aplikuesit të jenë pjesëmarrës të edicioneve të kaluara të Sarajevo Talents – dhe një numër i konsiderueshëm prej tyre janë shqiptarë, nga Kosova e Shqipëria.


Secili film do të marrë shumën prej 15 mijë eurosh ndërsa do të ndihmohet nga ekipi për zhvillimin e filmit dhe më pas shfaqjen e tij.

Deri me 1 dhjetor të këtij viti, kjo thirrje është e hapur për të gjithë të interesuarit. / KultPlus.com

Informata të tjera i gjeni në linkun poshtë:

http://www.sff.ba/en/page/call-for-entries-ts-2017

Arben Bajraktaraj, mësuesi i rreptë i të rinjve në Kamboxhia

Arbër Selmani

Arben Bajraktaraj është i rreptë me të rinjtë, por megjithatë ka një arsye pse ai bërtet, që ata të perfomojnë si duhet.

Të rinjtë në Kamboxhia, shtet në Azi, janë të talentuar kur vjen puna për performancë para publikut, por kanë frikë dhe ende nuk janë ballafaquar me të kaluarën e shtetit të tyre. Gjyshërit e tyre, prindërit e tyre, kanë vuajtur pasojat e një regjimi të fuqishëm. Në vitet 1975-1979, gati 3 milionë qytetarë në Kamboxhia kanë vdekur nga regjimi Khmer Rouge – i cili ushtroi një gjenocid në vend.

Shqiptari Arben Bajraktaraj është angazhuar që të rinjtë që kanë pasion teatrin dhe performancën të japin më të mirën e tyre. Në dokumentarin “Year Zero36”, i cili u dha këtë javë në një nga kinematë e Berlinit, e pasqyron rreptësinë por edhe profesionalitetin e Arbenit krahas të rinjve.

“Jam vetë me prapavijë nga një shtet ku ka pasur luftë e gjenocid dhe e kuptoj emocionin e këtyre të rinjve” tregon mes tjerash Bajraktaraj, një aktor i njohur tanimë jo vetëm në Francë por edhe në mbarë Evropën, sidomos në shtetet ku flitet gjuha franceze, shkruan KultPlus.

“Puna kërkimore në Kamboxhia rreth kujtesës ndërbrezore ( transgjeneratash) ka qenë punë e gjatë, e thellë dhe të ju them të drejtën shumë prekëse” tregon për KultPlus Bajraktari.

“Ndjeshmëria është një prej gjërave më të rëndësishme në procesin e krijimit. Duhet ti lëmë anash gjykimet tona për të zbuluar një pikturë të vërtetë të asaj se si e shohim botën. Për këtë, duhet të çlirohemi në tërësi” tregon Bajraktari.

Në Kamboxhia, ai vjen si trajner i trupës së të rinjve në bashkëpunim me Global Arts Corps.

Trupa, pasi bëhet gati për performancë, udhëton për në Ruandë, atje ku në kampin e refugjatëve jepet performanca e parë e trupës. Tanimë, të rinjtë futen thellë në role dhe nga një grup i amatorëve shndërrohen në aktorë. Me anë të aktrimit, ata e zbulojnë dhe ballafaqohen me të kaluarën e familjes së tyre, pjesën tjetër të identitetit.

Bajraktaraj, pjesë e dokumentarit i cili ende nuk ka përfunduar në tërësi, shihet se ka plot emocione për shkak të përvojë personale si një njeri me të kaluarën ku përfshihet lufta e gjenocidi.

Gjatë dokumentarit në fjalë, një prej valltarëve pëson një aksident që gati del të jetë fatal për të. Trupa pengohet nga shumë çështja drejt suksesit, por megjithatë ia del të formohet, me ndihmën e trajnerëve dhe regjisorit të dokumentarit, dhe vetë Arbenit.

Bajraktaraj ka studiuar në Slloveni, ndërsa ka luajtur në filmin “Heroi” dhe në “Woman who brushed off hear tears”, në mes plot filmave tjerë.

Dokumentari “Year Zero36” ende është ëork-in-progres, i papërfunduar. / KultPlus.com

Sprova identitare e Kongresit të Manastirit

Shkruan Dorian Koçi

Gjuha shqipe është ndoshta gjuha e vetme europiane që ka provuar persekutimet, ndalimet dhe dënimet deri në mosushtrimin e saj bash në kohën kur zhvillimi i kulturës së shkruar ishte shndërruar në një kulturë mbizotëruese në Europë. Këto persekutime dhe ndalime sollën si rrjedhim edhe përhapjen më me vonesë të nacionalizmit etnik, pasi ashtu si është provuar prej kohësh, shpërhapja e shtypit të shkruar ka luajtur rol të pazëvendësueshëm ndër kombet e Europës Juglindore.

Mirëpo së bashku me këtë zhvillim negativ, ndalimi i saj nga ana e regjimit të Sulltanit otoman Abdyl Hamitit, në fund të shekullit XIX, apo dhe mallkimet dhe shkishërimet si ato të mitropolitëve grekë në Shqipërinë e Jugut që para se të ishin barinj të tufës së Zotit ishin nacionalistë të përbetuar të Megali Idesë, në fakt përforcuan më tepër dëshirën për ta lëvruar ndër shqiptarë dhe për ta parë atë si një nga mjetet e tyre më të suksesshëm për të arritur kohezionin e duhur shpirtëror. Si e tillë, gjuha shqipe ka ardhur përmes zhvillimit të idesë sonë kombëtare dhe evolucionit etnik si një sprovë e fortë e mbijetesës dhe afirmimit tonë si kombësi më vete në Ballkan, por edhe si një njësi vetëpërcaktuese e identitetit tonë.

Janë të rralla momentet në historinë e popujve ballkanikë kur procesi i caktimit të një alfabeti të përcaktojë brenda së njëjtës kohë identitetin kombëtar, orientimin politik të popullatës dhe të shërbejë si provë madhore për pavarësinë. Kongresi i Manastirit 14-22 nëntor 1908, kongresi ku u përcaktua se ç’alfabet do të kishte gjuha shqipe, është pa dyshim një nga ngjarjet që kanë shënjuar historinë dhe kulturën e afërt të shqiptarëve. Në Maqedoninë shumetnike të fillimit të shekullit XX dhe në qytetin shumëkulturor të Manastirit, shqiptarët hodhën themelet e shkrimit të identitetit të tyre të veçantë linguistik, duke u dhënë jetë përpjekjeve disashekullore për të pasur një alfabet, një popullatë, një komb. Kësisoj historia dhe kultura e afërt e shqiptarëve nuk mund të kuptohen pa rëndësinë e një trekëndëshi gjeografik e kulturor Prizren-Manastir-Vlorë, si vende ku u themeluan dhe morën jetë idetë kombëtare të shqiptarëve. Në Prizren morën jetë për herë të parë dëshirat për autonomi të shqiptarëve, në Manastir u arrit bashkimi kulturor i tyre dhe në Vlorë u shpall pavarësia.

Përzgjedhja e alfabetit latin për të shkruar gjuhën shqipe, më tepër se një veprim politik përqasës drejt Europës siç është komentuar shumë herë, ishte vazhdimësi e një orientimi dhe vetëpërcaktimit të shqiptarëve si një popull europian. Shkrimi dhe lëvrimi i një gjuhe askund tjetër nuk ka marrë një rëndësi të veçantë sesa te shqiptarët që, ndodhur mes Lindjes dhe Perëndimit, pa asnjë institucion të rëndësishëm kombëtar që do të mund t’u mbronte identitetin, te gjuha dhe kultura e tyre kishin gjetur një nga forcat lëvizëse për të themeluar kombin e tyre. Vështirë të gjesh një numër kaq të madh poetësh dhe mendimtarësh në kulturat e tjera ballkanike që t’i kenë kënduar apo thurur himne gjuhës së tyre kombëtare sa në letërsinë shqiptare të shekullit XIX-XX. “Gjuhë perëndie” e quan Naim Frashëri, ai që nuk flet shqip sipas Fishtës, “duket i ulët…Krejt i turpëruar? Si ai që…. nuk di se kush është babai i tij”. Rëndësinë e gjuhës dhe lëvrimit të saj e jep Kristoforidhi kur shprehet se “nëse gjuha shqipe nuk do të shkruhet, atëherë brenda një kohe të shkurtër nuk do të ketë më Shqipëri në faqe të dheut dhe as do lexohet më emri shqiptar në hartën e botës”.

Këto vargje dhe sentenca të elitës së kohës tregojnë qartë se shqiptarët kishin zgjedhur identitetin kulturor si kështjellën e identitetit të tyre bashkues dhe besoj se kjo zgjedhje e fillimit të shekullit XX në Manastir vazhdon të jetë aktuale dhe sot për të përfaqësuar më mirë shqiptarët në rajon. Kultura dhe gjuha janë dy komponentët më të rëndësishëm të etnosit shqiptar përballë të cilave ndarjet artificiale janë të vogla dhe të papërfillshme. Por, në të njëjtën kohë, shqiptarët janë po aq të ndërgjegjshëm se paqja dhe stabiliteti në rajon kërkon të ketë të zbatuar mes tyre edhe kulturën e pranimit të Tjetrit, si një formë kulture që kultivon një bashkëjetesë të gjatë mes popujve në Ballkan, ndaj, së bashku me fqinjët, duhet të kontribuojnë më tepër në këtë drejtim. Gjuha shqipe, prej kohësh, e ka fituar qytetarinë e saj në Kosovë, por ende duhet të riafirmohet në Mal të Zi, Preshevë dhe në Maqedoni ku, duke qenë një gjuhë zyrtare sipas Marrëveshjes së Ohrit, duhej të kishte status të barabartë me gjuhën maqedonase. Një fat akoma më i keq e ka ndjekur dialektin arvanitas në Greqi, ku sa për mentalitete të prapambetura nacionaliste greke po aq dhe për shpërfillje nga institucionet qendrore në Tiranë, po shuhet ngadalë duke humbur një thesar i paçmuar i trashëgimisë sonë etnike.

Një përkujdesje më e madhe për gjuhën tonë, si institucioni shpirtëror prej nga ka nisur kohezioni i kombit, do t’i jepte dimension tjetër kulturës sonë në Ballkan dhe shqiptarëve në rajon. Koha kur Marrëveshja e Ohrit, marrëveshje kyç për ekzistencën e Maqedonisë do të zbatohet plotësisht edhe në rrafshin gjuhësor, por edhe largimi i frikës dhe anktheve të shteteve fqinjë nga statusi i gjuhës shqipe në shtetet e tyre, do të jetë koha që mund të themi pa frikë se Ballkani do ta lërë pas të shkuarën dhe do të përfitojë dimensionin europian të tij./ KultPlus.com

Flaka Goranci magjeps publikun austriak në sallën e famshme “Stefanienesaal” (FOTO)

Për KultPlus, Goranci, tregoi emocionet që kishte mbrëmë gjatë interpretimit para publikut austriak, dhe gjatë këtij koncerti që dirigjohej nga Svetoslav Borisov.

Gili Hoxhaj

Mezzo-soprano shqiptare Flaka Goranci, mbrëmë interpretoi në një koncert në Grazë të Austrisë. Ajo me zërin e saj ka magjepsur të pranishmit gjatë interpretimit të mbrëmshëm në sallën e famshme “Stefanienesaal”, bashkë me orkestrën “Con fuoco”.

Për KultPlus, Goranci, tregoi emocionet që kishte mbrëmë gjatë interpretimit para publikut austriak, dhe gjatë këtij koncerti që dirigjohej nga Svetoslav Borisov.

“Ishte një kënaqësi e madhe të interpretosh nën drejtimin e një dirigjenti në zë si Svetoslav Borisov. Bashkë me orkestrën “Con fuco” kemi interpretuar tri arie nga repertori operistik dhe ai i operetave. Koncerti është pritë mjaft mirë nga publiku”, ka thënë për KultPlus, Goranci.

Flaka Goranci, ka interpretuar në sallën Stefaniensaal, që është një sallë 150 vjeçare dhe është një nga sallat më me renome jo vetëm ne Graz por edhe në gjithë Austrinë, meqë aty interpretojnë emrat më të mëdhenj të muzikës klasike. /KultPlus.com

Ansambli “Shota” sjellë koncertin festiv këtë të diele në TKK

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, për nderë të 28 nëntorit, Ditës së Flamurit, këtë të diele do të sjellë koncertin festiv të titulluar “Festa e Bashkimit”, shkruan KultPlus.

Ky koncert i kushtohet edhe ditëlindjes së komandantit Adem Jashari dhe 20 vjetorit të daljes publike të UÇK-së, ndërsa do të mbahet të dielën duke filluar nga ora 20:00, në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në këtë koncert do të performojë trupa artistike e Ansamblit “Shota” dhe pjesëtarët e grupit polifonik “Bilbili” nga Vlora.

Përveç në Prishtinë, Ansambli do të shfaqë program edhe në Gjakovë, me datë 24 Nëntor dhe në Gjilan më 27 Nëntor, me rastin e zbulimit të shtatores së Idriz Seferit./ KultPlus.com

Edi Rama: Akademia e Shkencave sot është kufomë e vetvetes

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar me grupin reformator të Akademisë së Shkencave, me ç’rast u diskutua ecuria e mëtejshme e institucionit.

“Unë kam kërkuar reformimin e Akademisë së Shkencave si një proces që duhet të vinte në udhën e një reflektimi brenda jush, brenda gjithë trupës së përfshirë në këtë institucion me propozime konkrete, mbi të cilat pastaj ne do të mund të zhvillonim një diskutim të përbashkët në funksion të transformimit të domosdoshëm të këtij institucioni në diçka tjetër. Siç e kam thënë dhe në diskutimin që kemi pasur më parë e vërteta është që Akademia e Shkencave sot është kufoma e vetvetes. Ajo nuk reflekton as vizionin e etërve themelues”, tha kryeministri Rama në fillim të takimit./ KultPlus.com

Një natë nga netët pa gjumë

Poezi e shkruar nga Ali Podrimja.

Zgjohu Kosovë! Zgjohu nana ime e dashur,
balli dhe emni im i shkelur,
zgjohu,oj! A po e ndien vajin tim?
A po sheh si ti kam ngulur sytë
mu në zemër, mu në shpirt,
si t`i kam hedhë duart rreth belit
me të përqafu unë, ashti yt?
Zgjohu,Kosovë!

Nga degët e mia të thyera kush po dahet,
këtë vatër kush po e le?
Ç’janë këto gjurmë gjaku që po shtohen
nëpër fytyrën tënde,
këto varre e murana që po sillen vërdallë
rreth shtëpisë sime?…
Zgjohu, Kosovë! Zgjohu, nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
Zgjohu, Kosovë!…

Sonte vetëm mbeta e
në derë të oborrit askush s’po më troket,
askush më, thua vdekur jam e harruar
Në këto troje e suka gjaku.

Thua më është shkrimbur hisja
e mbyllur dera e konakut…..
Zgjohu, Kosovë, flakë e hershme e ashtit tim
t`pëlcitur.
Bota në ty le të kallet!

Janë gjetur pas 11 vitesh, ditarët personal dhe syzet e vjedhura të John Lennon (FOTO)

Janë gjetur në Gjermani gjërat personale të John Lennon të cilat besohet se i janë vjedhur 11 vite më parë bashkëshortes së tij, Yoko Ono. Në mesin e këtyre gjërave është gjetur edhe ditari i tij personal dhe syzet me kornizë të veçantë, përcjellë KultPlus.

Policia në Berlin ka arrestuar të hënën një burrë i cili është akuzuar për vjedhjen e 100 gjërave që përkisnin këngëtarit të famshëm Lennon, në mesin e këtyre gjërave është i përfshirë edhe një ditar në të cilin Lennon kishte shkruar deri në ditën kur u qëllua dhe u vra në New York më 8 dhjetor 1980, sipas Associated Press.

Të dhënat e vjedhura përfshijnë ditarë, letra, kartolina, foto, e syze të Lennon. Sipas botimit gjerman Spiegel Online, shtëpia e ankandit kishte pranuar këto gjëra me dërgesë, por nuk i ka shitur ato, sepse nuk ishte e bindur se ato ishin fituar ligjërisht.

Prokurorët dhe oficerët e policisë më pas kishin shkuar në qytetin e Nju Jorkut për të verifikuar autenticitetin e gjërave nga e veja e Lennon, Yoko Ono.

“Ajo ndihej shumë e emocionuar dhe ne e pamë rëndësinë që kanë këto gjëra për të dhe se sa e lumtur do të ishte që ato t’i ktheheshin përsëri”, ka thënë prokurorja Susann Wettley./ KultPlus.com