Dua Lipa, mysafire e shfaqjes së njohur amerikane Saturday Night Live (FOTO)

Këngëtarja me prejardhje shqiptare Dua Lipa, e cila po mahnitë botë me zërin e saj të shtunën e 2 shkurtit do të jetë mysafirë në shfaqjen televizive amerikane Saturday Night Live, shkruan KultPlus.

Saturday Night Live shfaqet në NBC, ndërsa lajmi është bërë i ditur nga vetë Dua Lipa dhe faqja zyrtare e SNL në Twitter./ KultPlus.com

Mjuzikli për Millosheviqin, shfaqja që do të ndajë sërish Ballkanin

Gjatë jetës së tij, Sllobodan Millosheviqi, ndau popujt në Ballkan. E tani, 12 vjet pas vdekjes gjatë gjykimit të tij për krime lufte, i fuqishmi i dikurshëm i Serbisë pritet të ndajë sërish ata – kësaj here si karakter i një shfaqjeje.

Millosheviqi nisi një valë të nacionalizmit popullist për t’u ngritur në pushtet në Beograd më 1989 teksa komunizmi po binte në mbarë Evropën lindore, e më pas e udhëhoqi Serbinë në një dekadë luftërash në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë.

I quajtur nga nacionalistët serbë si mbrojtës i tyre kundër kroatëve katolikë dhe boshnjakëve e shqiptarëve të Kosovës myslimanë, Millosheviqi u ofendua si diktator brutal nga Perëndimi dhe përfundimisht, pas një fushate bombarduese të NATO-s më 1999, humbi pushtetin dhe përfundoi në gjykim për krime lufte në Hagë.

Një shkrimtare me bazë në Beograd, Jelena Bogavac, tani ka shkruar një shfaqje e cila do të luhet nga serbë të Kosovës në Graçanicë që përpiqet të portretizojë kompleksitetin e plotë të një njeriu që ende fajësohet në Ballkan për vdekjet dhe vuajtjet e dhjetëra mijëra njerëzve.

“Fillimisht kemi dashur të bëjmë një shfaqje për të treguar tregime personale të serbëve të Kosovës në të ’90-at, por derisa po i bënim intervistat e kuptuam se gjithçka ishte e ndërlidhur me një emërtues të përbashkët – Millosheviqin”, tha për Reuters Bogavac, që e shkroi shfaqjen, transmeton Koha.net.

“Në shfaqje po prezantojmë kronologjinë e ngjarjeve që përfundojnë në Hagë”, thotë ajo gjatë ushtrimeve për shfaqjen e saj në Beograd.

Njeri familjar
I quajtur “Ngritja – Shou i Slllobodanit”, shfaqja është një mjuzikël që përqendrohet më shumë në marrëdhënien e tij personale me bashkëshorten e tij të fuqishme Mirjana, vajzën e tij Marija dhe djalin e tij Marko sesa në politikë, sipas skenarit të papërfunduar që e ka parë Reuters.

Në një skenë ai ngushëllon të bijën e tij për shkak të gjendjes së dobët financiare të radio-stacionit të saj, dhe në një tjetër ai i thotë Markos që e mos tejngroh ujin në pishinën familjare.

Pjesa e fundit e shfaqjes – gjykimi i tij në Hagë, ku ai vdiq nga një sulm në zemër më 2006 – pritet të përfundohet.

Shfaqja nuk pritet të kënaq shqiptarët që përbëjnë shumicën në Kosovë, që shpalli pavarësinë e saj nga Serbia më 2008 në një hap që ende nuk është njohur nga Serbia apo nga 40,000 serbë që ende jetojnë në Kosovë, transmeton Koha.net.

Rreth 800,000 shqiptarë u dëbuan dhe rreth 10 mijë të tjerë u vranë nga forcat e Millosheviqit në vitet e ’90-ta.

“Askush nuk do ta ndryshojë historinë me një shfaqje”, thotë Naser Shatrolli, regjisor e skenarist.
“Nuk ka rëndësi se çfarë thotë shfaqja. Millosheviqi është kriminel, tiran, që shkatërroi rajonin e Ballkanit, jo vetëm shqiptarët, dhe kështu do të mbetet dhe askush nuk do ta ndryshojë këtë”./ KultPlus.com

Vizatimet e rralla të Marilyn Monroe zbulojnë talentin e saj për artin vizual (FOTO)

Frank Sinatra, dikur e kishte këshilluar aktoren që të blinte një kabinete arkivimi për të mbrojtur gjërat e saj personale. Dhe ajo e dëgjoi. Kur Monroe vdiq në vitin 1962, në moshën 36 vjeçare, letrat, faturat, kujtimet dhe fotografitë u gjetën të ruajtura në një strehë të fshehura prapa një sirtari në një nga këto kabinete, përcjellë KultPlus.

“Ajo ishte me të vërtetë shumë e talentuar edhe në aspektin intelektual, ajo ishte mirë e informuar për botën, më shumë sesa mund t’i lejonte karakteri i saj”, vuri në dukje Laura Woolley, e cila katalogonte një numër artikujsh nga koleksioni i saj.

Gjithashtu në ankand janë të përfshira edhe një seri vizatimesh nga Monroe, të cilat shpërfaqin talentin e saj edhe në artin vizual. Edhe pse këto nuk janë të datuara, Woolley tha se është e mundur kanë qenë rezultat i kursit të artit të cilin e ndiqte ajo. Njëra nga skicat e saj përfshijnë një formë femërore të mbështetur.

Woolley thotë se nuk habitet nga këto zbulime. “Ju shikoni njerëz si Frank Sinatra, Tony Bennett, Ronnie Wood, Jonathan Winters, Phyllis Diller, Anthony Quinn, Van Johnson, Dinah Shore, Cecil Beaton, ka kaq shumë njerëz, të gjithë këta njerëz gjithashtu pikturojnë”, tha ajo.

“Është një gjë me të vërtetë e zakonshme për njerëzit në një fushë krijuese të kenë një prizë në artet pamore gjithashtu. Sa më shumë që njerëzit janë të rrethuar nga llojet e tilla krijuese, aq më shumë rrugë hapen nga kjo energji krijuese “.
Jo vetëm që ishte një lexuese e pangopur dhe një poete por, siç dëshmojnë disa prej këtyre objekteve, Monroe gjithashtu ishte thellësisht e përkushtuar në mbledhjen dhe krijimin e artit vizual. Ndër këto objekte – shumë prej të cilave asnjëherë nuk janë parë nga publiku – ishin planet arkitekturore të vitit 1961 për apartamentin e parealizuar të Manhattan të Monroe.

Përveç kësaj, një seri letrash nga fundi i viteve 1950 tregojnë se Monroe u regjistrua në një kurs të artit përmes Shkollës së Artistëve të Famshëm në Westport, Connecticut. / KultPlus.com

Himni i Pankhurst: Kënga e shkruar për 100 vjetorin e votimit të grave

Të afërmit e aktivistes së të drejtave të grave Emmeline Pankhurst kanë shkruar një copë të re korale që shënon 100 vjetorin e votimit të grave, shkruan BBC, përcjellë KultPlus.

Himni Pankhurst përmban muzikë nga kompozitori Lucy Pankhurst kurse tekstit është shkruar nga Helen Pankhurst, bazuar në fjalët që kishte shkruar gjyshja e saj.

Kjo këngë do të shfaqet për herë të parë në faqen e internetit të Radio 3 më 6 shkurt, pikërisht 100 vite pasi (disa) gra britanike gëzuan të drejtën e votës.

Performanca është e ndarë në dy pjesë, pjesa e parë fillon me psherëtimën e Emmeline Pankhurst, e cila reflekton në luftën e tyre në kërkim të së drejtës së votës. Helen Pankhurst e cila e quajti pjesën e dytë si himn, e përshkroi atë “një himn optimist, duke na çuar përpara, ku inkurajohen të marrin pjesë edhe koret e komunitetit”.

Për të mundësuar që të përfshihen edhe koret amatore, rezultatet e punës vokale do të vihen në dispozicion për shkarkim pa pagesë nga faqja e BBC Radio 3.

Publiku gjithashtu do të ftohet të bashkohet me korin amator “Zërat e Shpresës” për ta kompletuar punën në ditën e hapjes së Festivalit të Mendimit të Lirë të Stacionit në Sage Gateshead të premten, më 9 mars./ KultPlus.com

Fotografi të papublikuara nga ceremonia e mbrojtjes së doktoraturës së Ibrahim Rugovës (FOTO)

Dje janë bërë 12 vite nga shkuarja në amshim e presidentit historik Ibrahim Rugova, një nga figurat me emblematike të Kosovës. Thënie, fotografi e tregime lidhur me figurën e tij u shpërndanë dje nga njerëz të afërm e simpatizant të Rugovës, shkruan KultPlus.

Ibrahim Rugova kujtohet si një politikan me vizion paqësor dhe si një intelektual e studiues i rrallë. Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen e kreu në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, në École Pratique des Hautes Études, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi me interesim fushën shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare.
Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984.

Profesor Naser Ferri, koleg dhe mik i Rugovës ka ndarë disa momente gjatë ceremonisë se mbrojtjes së doktoraturës së Ibrahim Rugovës në vitin 1984, në Fakultetin Filozofik.

“In memoriam kolegut e mikut Dr.Ibrahim Rugova. Nga mbrojtja e doktoratës se kolegut dhe mikut të nderuar Dr. Ibrahim Rugova (punuam bashkë ne Institut Albanologjik te Prishtinës prej 1979 deri më 1990). Atëherë ishim kolegë e miq të mirë dhe mua më qëlluan nja 5-6 poza te filmit ne aparat. Meqë ai nuk kishte mundësi ta angazhonte ndonjë fotograf i bëra unë disa foto me atë rast, dhe këto foto e përjetësuan një moment historik”, ka shkruar profesori Naser Ferri./ KultPlus.com

“Kënga ka mbaruar, por kujtimet vazhdojnë”, fansat nderojnë Dolores O’Riordan në Limerick

Mijëra njerëz u mblodhën në Kishën e Shën Jozefit për të nderuar yllin irlandez të pop-it dhe këngëtaren e bandit “Cranberries”, përcjellë KultPlus.

Shumë njerëz u mblodhën në Limerick për të kujtuar jetën e këngëtares Dolores O’Riordan, e cila vdiq javën e kaluar në Londër. Fansa të rinj dhe të moshuar, shumë trëndafila me ngjyrë të bardhë dhe të verdhë, hynë në kishën e Shën Jozefit këtë të diele.

Zëri i O’Riordan e mbushi atë ndërtesë, ndërsa këngët e saj u dëgjoheshin me një melodi të lehtë gjatë gjithë shërbimit, ndërsa fotografitë e saj dhe një fotografi e saj me Papën u vendosën përgjatë mureve të kishës.

Një buqetë me lule pranë arkivolit të saj të hapur lexohej: “Kënga ka mbaruar, por kujtimet vazhdojnë”.

Një hetim për vdekjen e 46-vjeçares ishte përcaktuar të bëhet javën e kaluar mirëpo është shtyrë deri më datë 3 prill./ KultPlus.com

U mbajt simpoziumi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe identiteti kombëtar shqiptar”

Në kuadër të Vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, Fakulteti i Edukimit në universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, organizoi simpoziumin me temë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe identiteti kombëtar shqiptar”.

Ky aktivitet u zhvillua në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe bashkinë Durrës.

Fjala përshëndetëse në çelje të këtij aktiviteti të rëndësishëm u mbajt nga Rektorja e universitetit “Aleksandër Moisiu”, e cila ndër të tjera theksoi se: “fjalët e fundit të lëna si testament nga Gjergj Kastrioti, duhet të shërbejnë si udhërrëfyese për rrugën e progresit që duhet të ndjekë kombi shqiptar”.

I ftuar nderi në aktivitet ishte Moikom Zeqo, i cili i kushtoi rëndësi paraqitjes së figurës së Skënderbeut si një hero semantik evropian. “

“Ky personalitet i rëndësishëm”, – pohoi Moikom Zeqo, – ka luajtur një rol themelor jo vetëm në historinë shqiptare, por njëherazi në atë evropiane”.

Dekani i Fakultetit të Edukimit Jani Sota solli përmes një analize krahasimtare një analogji mes figurës së Skënderbeut dhe figurave më të rëndësishme të historisë së përbotshme, duke theksuar idenë se dimensionet e shfaqjes së kësaj figure, janë të shumanshme.

E njëjta ide u shpreh nga drejtori i Drejtorisë për Arsim, Kulturë, Rini dhe Komunitete fetare pranë bashkisë Durrës, Ardian Gurra, i cili për më tepër sqaroi se jo vetëm historia, por dhe e sotmja i detyrohen shumë Skënderbeut”.

“Për më tepër, – pohoi drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës, Ledjon Lako, – uniteti kombëtar shqiptar e ka gurin e themelit në kohën e Skënderbeut. Është meritë e tij, bashkimi i shqiptarëve në një flamur, dukuri kjo e pazakontë për kohën mesjetare”.

Në një tjetër qasje paraqitet kumtesa e drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido, i cili edhe pse thekson nevojën e çmitizimit të figurës së Skënderbeut, shpreh kujdesin që duhet treguar për të shmangur rrezikun që vjen nga lidhja e gabuar e kësaj figure vetëm me një besim të caktuar fetar.

Lorenc Agalliu, specialist në Drejtorinë Rajonale e Arkivit Shtetëror Durrës, e vuri theksin në imazhin e prezantimit të figurës së Skënderbeut, si një marrëdhënie mes mitit dhe realitetit, shkruan noa.

Në përfundim të simpoziumit shkencor, pjesëmarrësit u ftuan të ndjekin ekspozitën me temë “Skënderbeu në dokumentet arkivore”, një bashkëpunim mes Fakultetit të Edukimit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. / KultPlus.com

Rita Ora e Dua Lipa, ndër 30 evropianët e rinj më me ndikim

Dy këngëtaret nga Kosova, Rita Ora dhe Dua Lipa, janë përfshirë në listën prestigjioze të “Forbes” për 30 evropianët moshën 30-vjeçare me ndikimin më të madh.

Rita Ora udhëhoqi sezonin e “America’s Next Top Model”, ishte dizajnuese e koleksioneve të veshjeve dhe me shumë hite më 2017. Ajo u kthye fuqishëm më 2017 me hitin “Anywhere” që ka dominuar në disa top-lista botërore, transmeton Albinfo.ch.

Dua Lipa, që pati vitin më të suksesshëm në karrierë deri tani, përfshihet në listë falë sukseseve me albumin debutues. 22-vjeçarja u bë hit botëror me “New Rules” që ka marrë më shumë se 925 milionë klikime në YouTube si dhe u bë femra e parë që dominoi në top-listat zyrtare të Britanisë së Madhe që nga viti 2015.

Lista e Forbes “30 under 30” në kategorinë “Ligj dhe Politikë” është votuar nga juria e cila ka qenë e përbërë nga Eva Maydell, anëtare e Parlamentit Evropian, Atifete Jahjaga, ish-presidente e Kosovës dhe Rama Yade, ish-sekretare e shtetit të Francës.

Në listë përfshihen edhe yjet e sportit si Anthony Joshua e Paul Pogba.

Lista e 30 evropianëve të rinj më me ndikim:

Rita Ora

Dua Lipa

Lady Leshurr

Zara Larsson

Maisie Williams

Aj Tracey

Hayley Squires

Bill Skarsgard

Sampha

Paul Pogba

Daniel Kaluuya

Hannah John-Kamen

J Hus

Paapa Essiedu

Nathalie Emmanuel

Millie Bobby Brown

Ray BLK

Jacob Anderson

Josh Wilson

Carolina Marin

Katinka Hosszu

Jonnie Peacock

Laura Kenny

Max Verstappen

Ricky Rubio

Little Mix

Vaughn McKenzie-Landell

Anthony Joshua

Alexander Zverev

Karolina Pliskova

Natalia Portman: Terrorizimi seksual bëri që unë të mendoj më shumë mbi pranimin e roleve në filma (VIDEO)

Natalie Portman tha se përjetimi i “terrorizmit seksual” në moshën 13 vjeçare e bëri atë të ndjejë nevojën për të mbuluar trupin e saj dhe që të ngurroi para se të shprehej, po ashtu ajo tha se kjo ka bërë që ajo të mendoj më shumë se cilat role do t’i pranoj, përcjellë KultPlus.

Aktorja e cila është shpërblyer me shumë çmime ndau përvojën e saj traumatike në marshimin e grave që u mblodhën në qendrën e Los Anxhelos-it.

“Ndjeva nevojën që të mbuloj trupin tim dhe që të pengoj vetën në të shprehurit dhe në punën time” ka kujtuar aktorja Portman.

Portman tha se këto eksperienca bënë që ajo të ketë një perspektivë krejtësisht të re mbi rolet e filmit që ajo do të pranonte. Ajo u shpreh se për t’iu përshtatur sjelljes së saj ajo kishte refuzuar rolet ku shfaqeshin skena me puthje duke theksuar anën e saj si një vajzë “librash dhe serioze”. Ajo krijoi një reputacion si një grua e re “e kujdesshme, konservatore, e zymtë, serioze”, për të ndjerë se trupi i saj ishte i sigurt dhe zëri i saj po dëgjohej.

“Reagimi ndaj meje që nga komentet e vogla në lidhje me trupin tim deri në deklaratat më kërcënuese dhe të qëllimshme shërbyen për të kontrolluar sjelljen time nëpërmjet një mjedisi të terrorizuar seksual”, ka thënë nder të tjera Portman./ KultPlus.com

Kjo është lista me 10 librat më brilant që janë shkruar për Skënderbeun

1. Kryqtari i fundit nga Virgjil Kule: E botuar me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë ky është libri monografik më brilant deri tani për Gjergj Kastriot Skënderbeun, i cili tregon muaj pas muaji, vit pas viti çfarë ka bërë Skënderbeu.

2. Skënderbeu, një histori politike nga Aurel Plasari: Historiani që studion burimet dokumentare lidhur me karrierën e tij gjen dëshmi të pareshtura të qartësisë së vizionit të Skënderbeut. Veçohen dokumentet nga arkivat e Milanos.

3. Historia e Skënderbeut nga Marin Barleti: Edhe pse praktikisht biografi i parë i Skënderbeut është Martin Segoni, është Marin Barleti, prifti shkodran, që botoi në latinisht për herë të parë në Romë rreth viteve 1508 – 1510, një biografi “zyrtare për Skënderbeun. Edhe pse ky Barleti përdori si referencë Martin Segonin.

4. Skënderbeu nga Sabri Godo: Roman historik, ndryshe nga të tjerët, i shkruar nga i mirënjohuri Sabri Godo, që tregon historinë e heroit tonë kombëtar. Romani përshkruan trimëritë e luftës 25-vjeçare kundër turqve, por edhe ndjenjat e tij, çfarë mendon ai, mënyrën e komunikimit me të afërmit, ushtarët, trimat shqiptarë, dashurinë për Shqipërinë. Një roman që këtë figurë kaq të lartë kombëtare e afron më shumë me ne, e bën më njerëzore dhe më të afërt.

5. Skënderbeu –histori shqiptare e shekullit XV nga Antonio Zonkada: Romani, i botuar në Milano 1874, frymëzoi popullin italian në luftën për lirinë dhe bashkimin e Italisë, e cila ndodhej ende nën sundimin e huaj.

6. Historia e Skënderbeut nga Fan Noli: Është libri i parë historik i Skënderbeut në shqip i shkruar nga Fan Noli. Noli bëri një punë torturuese duke rrëmuar gjithë arkivat e mundshëm në kërkim të të dhënave për Skënderbeun. Historia e Skënderbeut ishte tema e diplomës së Nolit në Universiteti e Bostonit.

7. Skënderbeu: Një histori e Gjergj Kastriotit dhe e Rezistencës Shqiptare ndaj ekspansionit Islamik në Europën e shekullit XV nga A. K. Brackob: Një libër biografik i dalë së fundmi për Skënderbeun, i cili argumenton se sukseset e Skënderbeut shpëtuan Italinë duke vonuar operacionet ushtarake të Mehmetit II. Autori e botoi me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti, i cili sipas tij, shpëtoi qytetrimin perëndimor.

8. Skanderbeg: Nga i burgosur i osmanëve në heroin shqiptar nga Harry Hodgkinson: Biografia e parë për heroin kombëtar të Shqipërisë e botuar në Angli pas më shumë se 400 vjetësh.

9. Skënderbeu nga Oliver Jens Schmitt: Në vazhdën e jetëshkrimeve dhe monografive të shumta kushtuar Gjergj Kastriotit, “Skënderbeu” i Schmittit është portreti më i plotë, i ndërtuar me mjetet e historiografisë moderne, me një depërtim të pazakontë në shoqërinë, në protagonistin dhe personazhet kryesore rreth Aleksandërit të ri.

10. Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Shqipëria në shekullin XV nga Jovan Radoniç: Një punim volumiz i këtij autori serb për Skënderbeun, i cili ka dokumentuar historinë e Skënderbeut duke mbledhur dokumente nga të gjitha arkivat, si: Napoli, Milano Raguza të Spanjës etj./ KultPlus.com

“Familja ime Ylber”, Kroacia boton përralla ku përfshihen martesat e të të njëjtës gjini (FOTO)

Në Kroaci për herë të parë janë publikuar libra për fëmijë, në të cilët portretizohen familje të çifteve të të njëjtës gjini. Libri “My Rainbow Family” (Familja Ime Ylber) në pamje të parë duket si të gjithë librat e tjerë që u dedikohen fëmijëve, me shumë figura dhe i lehtë në përmbajtje.

Mirëpo shpejt mund të vëreni ndryshimet dhe risitë që sjellë ky libër me përralla. Fillimisht mund të lexohet nga fundi në fillim, ngaqë ka dy histori që takohen në mes. Pastaj këtu portretizohet një vajzë që ka dy baballarë dhe një djalë i cili ka dy nëna, shkruan klankosova.

Kjo është hera e parë e publikimit të një libri me përralla në Kroaci, ku trajtohet martesa e të njëjtës gjini./KultPlus.com

“Three Billboards”, fitues i tri çmimeve në SAG Awards

Komedia e zezë “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri”, ishte fituesi i madh në SAG Awards 2018, duke marrë çmimet për tri kategoritë ku është nominuar, përcjellë KultPlus.

Frances McDormand mori çmimin si aktorja më e mirë ndërsa Sam Rockwell u shpërblye me çmimin aktori më i mirë në rolin dytësor. Ndërkohë, Gary Oldman sërish mori çmimin më të mirë të aktorit për rolin e Winston Churchillin në Darkest Hour kurse Brit Claire Foy fitoi për portretizimin e saj të Mbretëreshës Elizabeth II në The Crown.

Ceremonia e SAG u zhvillua dy ditë pas marshimeve nga qindra mijëra gra në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Nikoqirja e kësaj mbrëmje, Kristen Bell, tha se gratë kishin një “moment kthese”. Ketë të diele kjo ceremoni u shënua nga gratë dhe tregimet e tyre lidhur me abuzimet seksuale që kanë përfshirë Hollivudin./ KultPlus.com

Ministria e Kulturës miraton projektin për restaurimin e Xhamisë së Plumbit

Më në fund një projekt për të shpëtuar Xhaminë e Plumbit në Shkodër nga përmbytjet. #MbrojmeTrashegimineKulturore,- ky është lajmi i mirë që Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka shpërndarë ditën e diel përmes një statusi në Facebook ku thekson se pas një bashkëpunimi të hershëm, projekti i restaurimit tashmë është gati.

“Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës i japin zgjidhje plagës kryesore në Xhaminë e Plumbit në Shkodër, pas miratimit të projektit për restaurimin e saj. Ky është vendimi i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve marrë në mbledhjen e tij të fundit, ku u shqyrtua në detaje projekti “Restaurimi i Xhamisë së Plumbit, Shkodër”, hartuar nga studio Ecolimarlik me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve në Turqi. Për këtë projekt Ministria e Kulturës ka nisur një bashkëpunim të hershëm me Ambasadën turke dhe Agjencinë turke Tika, duke njohur vështirësinë e ndërhyrjes në një si të tillë që pëson rregullisht përmbytjet nga lumi por edhe nga uji i reshjeve”, shkruan Kumbaro.

Ministrja gjithashtu thekson se ndërhyrja e posaçme kërkon ndërtimin e një dige rreth xhamisë për të mbajtur larg ujërat nga muri strukturor i ndërtesës dhe për t’i dhënë zgjidhje një herë e mirë këtij fenomeni që jo vetëm e bën të papërdorshme Xhaminë e Plumbit por edhe ka dëmtuar vlera të saj, që tashmë do të jenë objekt restaurimi.

Xhamia e Plumbit është ndërtuar në vitit 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushatliu, ajo është shpallur Monument Kulture në vitin 1973 dhe është e vetmja xhami e ngelur në këtë zonë nga periudha osmane.

Xhamia është e ngritur në një fushë midis lumit të Drinit dhe kodrës së Kalasë së Rozafatit. Arkitektura e saj interesante përbëhet nga një sallë lutjeje në formë katrore, nga portiku i mbyllur në veri i rrethuar me harqe, në qoshen jugperëndimore gjendet tyrbja në formë katrore dhe minarja. Në anë të sallës kryesore të lutjes, jashtë dallohen dy ballkone në formë portiku të rrethuar me harqe në formë galerie që rrallë ndeshet në xhami të tjera.

Sipas të dhënave në IMK punimet restauruese të fundit janë bërë në vitin 1863, pas kësaj deri në shekullin e 20 nuk ka ndonjë ndërhyrje tjetër të regjistruar. Në vitin 1967 minarja e xhamisë është rrëzuar nga rrufeja. Gjatë viteve të regjimit komunist xhamia ka qenë e mbyllur dhe është hapur vetëm në vitin 1991. Në ndërhyrjet e viteve të fundit e gjithë suvatimi i ndërtesës është rinovuar me suva çimentoje dhe të gjitha dritaret dhe dyert janë rinovuar.

“Tashmë vjen faza e vështirë e zbatimit të këtij projekti kompleks, por që do të shtojë një destinacion të ri për t’u vizituar në Shkodrën e kulturës dhe të diversitetit fetar”, përfundon Kumbaro në statusin e saj./ KultPlus.com

Në mjegull

Poezi e shkruar nga Hermann Hesse.

Sa çudi të endesh në mjegull!
Çdo gur e kaçubë në vetmi,
Asnjë dru s’i sheh drurët e tjerë,
Vetëm gjithkush rri.

Plot miq bota ime pat qenë,
Kur jeta kish dritë ende.
Tani që kaq mjegull ka rënë,
Asnjërin s’e shoh as më sheh.

I mençur nuk është, pa fjalë,
Ai që terrin s’kupton.
Se si fshehtësisht ngadalë,
Nga gjithçka e veçon.

Sa çudi të endesh në mjegull!
Jeta bëhet vetmi.
Asnjeri nuk njeh njerëz të tjerë,
Vetëm gjithkush rri.

Poema plot emocion e këngëtares Halsey-t në marshin e grave në NY (VIDEO)

Këngëtarja dhe kompozitorja amerikane Halsey ka pushtuar mediet me një poemë të fuqishme dhe emocionale të cilën e lexoi në marshin e grave që u mbajt në New York, përcjellë KultPlus.

Poema e titulluar “Një histori si e imja”, u lexua në vend të një fjalimi tradicional në këtë tubim.

“Unë nuk e di se si të bëj një fjalim nëse nuk rimon, kështu që unë do të bëj një poemë të vogël për ju njerëz”, tha ajo.

Në poezinë e saj, Halsey tregoi se si ajo ishte sulmuar seksualisht si një fëmijë dhe se si ajo së bashku me shoqen e saj më të mirë kishin shkuar në Planned Parenthood pasi ajo u përdhunua.

“Është viti 2009-të dhe unë jam 14 vjeçare dhe unë jam duke qarë
Nuk jam me të vërtetë e sigurt se ku jam, por unë jam duke i mbajtur dorën e mikes time më të mirë Sam
Në dhomën e pritjes së një Parenthood Planned
Ajri është steril dhe i pastër, dhe muret janë jo gri, por jeshile
Dhe dritat janë kaq të ndritshme sa mund të digjnin në tërësi xhinset e mija
Telefoni im po vibron në xhep
Nëna ime po më pyet nëse i kam çelësat e mi për shkak se ajo duhet ta mbyll derën
Por unë nuk mund t’i them nënës sime ku kam shkuar
Nuk mund t’i them askujt”, kështu fillon poemën këngëtarja.

Ajo tregoi se si ish i dashuri i saj e detyroi atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe se si asaj iu desh të performonte pasi kishte kryer një abort ndërsa tha se të qenit të para syve të publikut nuk e kishte mbrojtur atë nga abuzimi.

Është viti 2012 dhe unë jam duke u takuar me një djalë dhe unë fle në shtratin e tij dhe sapo mësova se si të vozis
Dhe ai është më i vjetër se unë, ai pi whiskey dhe ai paguan për gjithçka
Kjo gjë e të rriturve nuk është e lirë
Ne jemi përlarë shumë herë, pothuajse 10 herë në javë
Dhe ai dëshiron të ketë marrëdhënie seksuale kurse unë dua vetëm të flemë
Ai thotë se nuk mund t’i them jo atij
Këtë ia kam borxh atij” ishte vazhdimi i poemës së saj.

Demonstratat në mbështetje të fuqizimit të femrave u caktuan në qytete anembanë SHBA-ve dhe Australisë, një ditë pasi qindra mijëra njerëz anembanë globit marshuan, këndonin dhe protestuan.

“Dëgjo, dëgjoj dhe pastaj bërtit në majë të mushkërive
Ji një zë për të gjithë ata që kanë gjuhën e burgosur
Për njerëzit që duhej të rriteshin shumë të rinj
Ka punë për t’u bërë
Ka këngë për t’u kënduar
Zoti e di se ka një luftë për t’u fituar”, është pjesa e fuqishme më të cilën përmbyll fjalimin e saj këngëtarja Halsey, e që impresionoi të gjithë të pranishmit./ KultPlus.com

Rikthehet Adelina Ismaili (FOTO)

Diva shqiptare Adelina Ismaili, duket se ka vendosur që të rikthehet përsëri në skenë, shkruan KultPlus.

Ajo ka kohë që nuk ka publikuar ndonjë këngë, por pjesëmarrjet e saj nëpër evente të ndryshme kanë qenë të pranishme herë pas herë dhe duke se tash definitivisht do të jetë me afër publikut me projektet e reja.

Një gjë të tillë Adelina e ka bërë publike nëpërmjet rrjetit social Instagram, ku ka shkruar se së shpejti Adelina, duke e shoqëruar edhe me një fotografi të sajën.

Komenteve të shumta që ka marrë ajo në instagram, u ka kthyer përgjigje duke konfirmuar se ajo do të sjellë diçka të re.
Adelina një fanseje i ka kthyer koment duke i thënë “jo vetëm të dielën, por rikthim të plotë për pak kohë”./ KultPlus.com

Soon… Very much ADELINA

A post shared by Adelina Ismaili (@adelinaofficiel) on

‘The Tale,’ një portret vizionar i abuzimit seksual të fëmijërisë, është filmi i parë i vitit 2018

Filmi “The Tale” i regjisore Jennifer Fox po cilësohet si filmi i parë i kampanjës #MeToo. Premiera e këtij filmi autobiografik u prit me një entuziazëm të paparashikueshëm në Festivalin e Filmit Sundance, përcjellë KultPlus.

Regjisorja Jennifer Fox u shpërblye me një “A” për një ese imagjinatave që ajo e kishte shkruar si një 13-vjeçare në orën e gjuhës angleze, rreth 45 vjet më parë. Eseja përshkruante një vajzë 13 vjeçare, emri i së cilës ishte i paidentifikuar ndërsa paraqet marrëdhëniet që kishte pasur verën e kaluar me dy persona shumë të veçantë, të cilët i kishte dashur shumë, ishin trainer i saj Bill (Jason Ritter) dhe instruktori për kalërim (Elizabeth Debicki). Eseja duhej të ishte imagjinare dhe mësuesi i anglishtes e mori si të tillë – por mamaja e saj e kupton se Jennie po e përshkruan veten dhe një situatë reale të abuzimit seksual.

Jennifer i rritur nuk e mban mend atë mënyrë, por pranon se kujtimi i saj i vitit 1973 është i mjegullt. Me kërkimin e nënës së saj, ajo fillon të hetojë dhe të marrë në pyetje të kaluarën e saj personale, e cila çon në zbulimin tronditës të një komploti nga Bill dhe Elizabeth Debicki për të joshur dhe abuzuar seksualisht me vajzat e reja.

U deshën dekada që e vërteta të dilte plotësisht, duke kulmuar me një film dramatik “The Tale”. Jennifer Fox ka bërë dokumentarë për 30 vite, por ky është filmi i saj i parë i shkruar. Ky është një film autobiografi, ose mund të thuhet se është një lloj dialogu midis Fox-it të rritur (siç e luan Laura Dern) dhe versionin e saj si 13 vjeçare. Si fëmijë ajo shkroi një tregim të shkurtër (mbi të cilin ky film është teknikisht “i bazuar”), dhe në atë kohë ajo pohoi se ishte fiktiv. Përballja e kësaj historie “tani” fillon një rrugë të gjerë e të lakuar për një realizim tronditës: Fox ishte seksualisht e sulmuar në moshën e para pubertetit, edhe pse ajo i mbajti këto kujtime të struktura në vete./ KultPlus.com

Letër Ibrahim Rugovës

Poezi e shkruar nga Faruk Tasholli.

Unë nuk të vij të varri, Ibrahim
As për ditëlindje as për ditëvdekje – hiq,
Nuk dua ta zbeh të bukurin kujtim
Kur terasave, Prishtinës, rrinim si miq.

Te varri yt vijnë sa për pozë
Politikanë poltronë të kohës së re,
Intrigantë të shkathtë me kravata rozë
Që veten e shohin si yje mbi re.

Vijnë edhe ata që të shanë me afsh
Injorantë kokëbosh, kameleonë pa fytyrë,
Vijnë ata që me djallin hanë bashkë –
Veç në pushtet të vijnë me çdo mënyrë.

Unë nuk të vij te varri, Ibrahim
Si thonë gazetat, të bëj homazh,
Ma kanë zënë udhën figurat shqim
Që urrejtjen për ty e kishin tatuazh.

Kur i shoh para kamerave te varri yt
Me qëndim gatitu kokoroshë të krekosur,
Them me vete, sa kanë respekt, këta konvertitë –
Si Bogdanin turqit të kishin zhvarrosur

Nicole Kidman me fjalim emocional për aktoret mbi të 40-at

Aktorja Nicole Kidman, 50 vjeçare, mbajti një fjalim emocional për epokën e Hollywoodit, në SAG Awards, ku edhe mori çmimin si aktorja femër më e mirë në filmin Big Little Lies.

Kidman ndër të tjera theksoi se industria më e madhe e filmit në botë, më në fund tregoi se gratë mbi të 40-at janë shumë të fuqishme.

“Reese Witherspoon, Laura Dern, ju të dashurat e mia të para dhe më të rëndësishmet në jetën time. Shoqet e mia të para dhe të talentuara, këtë çmim sot po e ndaj me ju”, tha Kidman duke iu drejtuar yjeve tjera të Big Little Lies, e më pas përfshiu edhe aktoret tjera që janë mbi 40 vjeçe, Susan Sarandon, Jessica Lange dhe Meryl Streep, transmeton Koha.net.

“Ju falënderoj të gjithave për shfaqjet tuaja që keni dhënë gjatë karrierës tuaj dhe sa të mrekullueshme vazhdoni të mbesni edhe pse jeni përtej të 40-ve”, vazhdoi tutje Kidman me lot në sy.

“20 vjet më parë, ne ishim goxha në formë në fazat tona të para në Hollywood. Kemi dëshmuar, ndërsa ju po dëshmoni edhe më tepër se sa të fuqishme jeni dhe të qëndrueshme t’ia dilni mbanë edhe tani”, tha ajo.

“Unë vetëm do të lutem që kjo industri të mbetet pas nesh, sepse tregimet tona më në fund u thanë. Jam krenare që jam pjesë e një komuniteti që po nxit ndryshim, por i përgëzoj regjisorët, drejtorët, studiot e ndryshme e financierët që vënë pasion në historitë tona. Kemi dëshmuar se ne mund ta bëjmë këtë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë me mbështetjen e të gjithëve”, ka përfunduar Kidman.

Ndërkohë kujtojmë se ajo tani është duke xhiruar sekuenca për filmin e radhës nga regjisori Karyn Kusama “Destroyer”./ KultPlus.com

Nesër vjen “Frymëmarrje në Gardh”

Më 23 janar në Galerinë e Ministrisë së Kulturës hapet ekspozita “Frymëmarrje në Gardh” e artistit Mentor Berisha.

Kuratori i kësaj ekspozite është profesor Fadil Hysa.

“Mentor Berisha është piktor dhe skulptor i brezit të ri të artistëve figurativ të Kosovës i cili kultivon një stil të veçantë pikturimi dhe skulpturimi, që rrallë e ndeshim tek artistët e brezit të ri. Në pikturat e tij mund të shohim imazhe nga e kaluara jonë, e cila rrezikon të tretet në harresë por fatmirësisht, ndonjëherë rrallë, si në këtë rast, ato ri-gjejnë rrugën e kthimit në kohën tonë përmes laboratorit krijues të artistit”, thotë kuratori, thuhet në komunikatën dërguar për medie.

“Frymëmarrje në Gardh” vjen nesër më 23 janar me fillim nga ora 19:00 në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. Ekspozita mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe drejtohet nga Dhurata Ramosaj Shala – koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës./ KultPlus.com

Sonte në Gjilan nis “Talia e Flakës”, 6 shfaqje nga të gjitha trojet shqiptare

Festivali i dramës shqipe “Talia e Flakës” ndër vite ka mbledhur më së shumti shikues në manifestimin “Flaka e Janarit”.

Edhe sivjet në këtë festival do të marrin pjesë teatro nga të gjitha trevat shqiptare, kurse organizatori është përpjekur që të sjellë në Gjilan shfaqjet më të mira, me autorë shqiptarë.

Bashkim Nexhipi, koordinator i “Flakës së Janarit 2018”, ka thënë se kështu, në natën e parë, më 22 janar, që është edhe mbrëmje hapëse, të parët do të paraqiten vendasit, Teatri i Gjilanit, i cili do të japë shfaqjen “Një natë në hotel” me tekst të Muharrem Shahiqit, me dramatizim të Agush Mulliqit e në regji të Bashkim Ramadanit.

Në mbrëmjen e dytë do të jepet shfaqja “Kosovatrans” e Teatrit “Agush Ramadani” të Podujevës, me tekst e regji të Naser Shatrollit.

Teatri Shqiptar i Shkupit, në mbrëmjen e tretë të festivalit do të jap shfaqjen “G” të autorit Gjergj Fishta me dramatizim dhe regji të Sulejman Rushitit.

Regjisori Milto Kutali, i cili më herët kishte realizuar shfaqje edhe në Gjilan, kësaj radhe do të sjellë shfaqjen nga Shqipëria “Rrno për me tregue”, të cilën e pati shkruar At Zef Pllumi.

Teatri nga Prishtina “Dodona” do të paraqitet me shfaqjen “Portreti i pakryer”, të autorit Besim Rexhaj e regjinë e së cilës e ka bërë Elmaze Nura.

Festivalin do ta përmbyll shfaqja “Në dorë të fatit…” e Teatrit “Petro Marko” nga Vlora, tekstin e së cilës e ka bërë Ledian Gjeçi, kurse regjia është e Arben Kumbaro.

Të gjitha shfaqjet do të nisin me fillim në ora 19:00.​/ KultPlus.com

Kur bashkohen Dua Lipa dhe Beyonce! (VIDEO)

Dikujt i është kujtuar se shkojnë shumë mirë bashkë dy këngë të dy këngëtareve të njohura.

“IDGAF” e Dua Lipës dhe “Irreplaceable” e Beyonce janë miksuar kësisoj për të sjellë një melodi, por edhe një videoklip amator të mrekullueshëm.

“Irreplaceable” e Beyonce është këngë e realizuar në vitin 2006 ndërsa kënga e Duas ka vetëm pak ditë që është lansuar.

Në këtë videoklip që po e sjellim poshtë, vetëm një nga qindra të tjerë në Youtube, mund ta dëgjojmë se si tingëllon zëri i Duas në këngën e Beyonce dhe vargjet e këngës së Beyonce në melodinë e këngës së Dua Lipës.

Për vetëm 1 javë, videoja ka marrë 60 mijë shikime. / KultPlus.com

12 vjet më parë, homazhet për Ibrahim Rugovën (FOTO)

Vdekja e presidentit historik të Kosovës ishte shndërruar një dhimbje gjithë popullore, dhe jo vetëm, shkruan KultPlus.

Shumë qytetarë, në atë kohë kanë pritur me orë të tëra për të bërë homazhe pranë trupit të pajetë të Ibrahim Rugovës, edhe pwrkundër temperaturave tejet të ulta, deri në -15 gradë C.
Dhe jo vetëm shqiptarët kishin treguar këtë dhimbje, pasi që, në varrimin e Ibrahim Rugovës kishin marë pjesë me dhjetëra burrështetas, nga shtetet më të fuqishme në botë, duke u konsideruar si lamtumira më e madhe në rajon.






Presidenti i Kosovës, njëherësh kryetar i LDK-së, Ibrahim Rugova, ndërroi jetë më 21 janar 2006 në orën 11:38 në rezidencën e tij në lagjen Velania të Prishtinës. Presidenti për disa muaj vuante nga kanceri në mushkëri./KultPlus.com



Shqipëria u vizitua nga 5 milionë turistë në 2017 (VIDEO)

Zëvendësministri i Turizmit dhe Mjedisit, Hajrulla Çeku shpalos strategjinë e këtij institucioni për vitin 2018 duke veçuar si prioritet shtrirjen gjithëvjetore të lëvizjes turistike dhe rritjen e shërbimit te vizitori.

Duke konsideruar se viti 2017 pati një rritje të konsiderueshme të vizitorëve të huaj në vendin tonë, një shifër që arriti deri në 5 milionë turistë që vizituan Shqipërinë në të katër stinët, obligimi ynë është që kjo shifër të rritet për vitin 2018, tha zv.ministri Çeku për ATSH-në.

Më tej, ai solli dhe shifra konkrete mbi të ardhurat në buxhetin e shtetit nga turistët e huaj që kapin shumën e rreth 1.5 miliardë lekë. Duke u ndalur te turizmi gjithëvjetor, Çeku nënvizoi se bregdeti mbetet prioritar, por ai është shumë pranë maleve që po marrin një akses të veçantë në shtrirjen turistike.

Për operatorin turistik që vepron i pavarur, por i monitoruar nga strukturat qeveritare, zv.ministri tha se atë do ta konsiderojmë si faktor kryesor në zhvillimin dhe prezantimin tonë turistik në botë, por edhe duke e nxitur në investimet e tij për sa i përket infrastrukturës, kulturës dhe higjienës së shërbimit.

Është ky operator tha Çeku, që bënë edhe promovimin, por edhe shpërndarjen e vizitorit të huaj në ambientet tona të vizitueshme.

Infrastruktura rrugore dhe mjedisore është një tjetër prioritet i Ministrisë së Turizmit për 5 vitet e ardhshme duke theksuar se për këtë vit rritja e të ardhura nga turizmi do të jetë rreth 6.2%, ndërsa në fund të vitit 2027, çdo 3 të punësuar, njëri do të jetë i punësuar në turizëm ose në sektorët që lidhen me turizmin.

“Duke përcaktuar më saktë zonat me vlera turistike, do të mund të shpallen projekte për të investuar”, thotë Çeku.

Trendi i turizmit në vendin tonë është vlerësuar dhe nga operatorë apo media të huaja, duke e cilësuar Shqipërinë si një destinacion të veçantë në Ballkan. / KultPlus.com