Historia prekëse për skulpturën e foshnjës të gdhendur në një mal (FOTO)

Imazhi mahnitës i një foshnje është një vepër skulpturore e një artisti të quajtur Dubian Monsalve. Skulptura, e titulluar “Mali shtatzënë”, gjendet në afërsi të qytetit të Santo Domingo, në Kolumbi, dhe së fundmi është shndërruar edhe një vend turistik, përcjellë KultPlus.

Me fjalët e Dubian Monslave i cili përfundoi punën në vitin 2012, kjo vepër arti u krijuar për të nderuar gratë që japin jetë sepse jeta është një gjë e vlefshme nga konceptimi e deri në fund të saj.

Po ashtu qarkullojnë edhe shumë mendime të cilat thonë se kjo pjesë e artit është bërë nga një baba që ka humbur gruan dhe fëmijën gjatë një aksidentit rrugor me një veturë shoferi i të cilës kishte qenë i dehur. Kjo skulpturë synon të ngrit vetëdijen për shoferët e dehur që të mos pinë dhe të ngasin sepse jeta është e pa çmim, ndërsa të tjerët janë të mendimit se mbrojtja e fëmijëve të pa-lindur është një përgjegjësi e çdo njeriu që ecën në fytyrën e tokës./ KultPlus.com

Edhe dy ditë deri në mbyllje të konkursit të poezisë “KultStrofa”

Konkursi mbarëkombëtar i poezisë “KultStrofa”, hapë thirrjen për edicionin e dytë të këtij konkursi. Konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe të rinjtë.

Organizatorët kanë bërë të ditur se në këtë konkurs mund të aplikojnë të gjithë të interesuarit me vetëm nga një poezi, poezia duhet të jetë e pabotuar dhe duhet të dërgohet me emër dhe mbiemër, në adresën [email protected], me subjektin “Për konkursin e poezisë “KultStrofa”. Nuk pranohet asnjë poezi që vjen nëpërmjet formave tjera.

Dhjetë poezitë më të mira do të përzgjidhen nga juria profesionale, kurse nga dhjetë poezitë, më pas do të zgjidhen tri poezitë më të mira, të cilat edhe do të shpërblehen nga organizatori.
“KultStrofa”, organizohet nga gazeta online për kulturë dhe art www.kultplus.com, kurse sponsor gjeneral i këtij edicioni është ProCreditBank.

Thirrja do të jetë e hapur deri më 20 janar. /KultPlus.com

Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës, festë zyrtare në Shqipëri

5 Shtatori, Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës, do të shpallet festë zyrtare.

Këshilli i Ministrave miratoi një ndryshim në ligjin “Për festat zyrtare” në vend, sipas të cilit data 19 shtator që është Dita e Lumturimit të Nënë Terezës, zëvendësohet me datën 5 shtator, që është Dita e Shenjtërimit të saj.
5 shtatori i 2016-s shënoi në kalendarin Apostol Ditën e Shenjtores shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës.

Nënë Tereza ose Shenjt Tereza e Kalkutës lindi në Shkup në vitin 26 gusht 1910. Emri i saj i lindjes është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu. Ajo vizitoi Shqipërinë për herë të parë në gusht të vitit 1989.

Shenjt Tereza, por që në mbarë botën thirret “Nënë Tereza”, një grua me fytyrë të imët, të rrudhur, të plakur, pushtoi imagjinatën e botës me përkushtimin e saj ndaj të varfërve, veçanërisht në qytetin indian të Kalkutës, ku ajo fillimisht themeloi strehimoren e saj të parë për të pritur me mijëra “njerëz të trotuar”.

Shenjt Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve e motrave më të varfër e më të braktisur të botës, pa dallim e pa përjashtim race, feje, kombësie apo përkatësie shoqërore./ KultPlus.com

Ka vdekur rapsodi i grupit folklorik “Bijtë e Sefës”

Ka vdekur rapsodi i njohur Ibrahim Sefë-Mleqani, i njohur nga grupi folklorik “Bijtë e Sefës”.

Lajmi për vdekjen e tij është bërë i ditur në rrjetet sociale. Varrimi i të ndjerit do të bëhet gjatë ditës së nesërme në orën 14:00, në fshatin Mleqan.

Ibrahimi, bashkë me vëllezërit e tjerë, ishin inspiruesit kryesor të rezistencës së shqiptarëve.
Ndër këngët e tij që do të mbahen mend janë: Hikmetja, Ajshja, Ali Pasha, Selman Kadrija, Ahmet Delia…/ KultPlus.com

Në të kaluarën tonë, shtënia me armë kishte qëllim konkret, sot shpërfaqë “folklorizëm”

Shkruan: Elizabetë Qarri

Megjithëse trashëgimia e një populli konsiderohet si tërësi unike kulturore, individi trashëgon specifika vendore regjionale të cilat në rrethana të caktuara dhe i motivuar nga stimuj të ndryshëm, shpërfaq ato si fenomene të cilat reflektojnë përkatësi kulturore gjeografike, por jo rrallëherë edhe inercion momental arkaik.

Harta dhe konteksti gjeografik duke pasur parasysh jetën sociale si faktor kulturor, janë determinantë kryesorë të përcaktimit të sjelljeve njerëzore në shoqëri, e rrjedhimisht edhe fenomeneve të ndryshme që shfaqen në një kontekst të caktuar shoqëror.

Disa procese që lidhen me historinë e një populli apo edhe me vetë jetën e individit si qenie, ashtu sikur kanë kohën kanë edhe momentin e tyre. E tillë ishte edhe shtënia me armë, e cila në të kaluarën tonë kishte qëllim dhe funksion konkret, pra kushtrimin përkatësisht lajmërimin e krushqve kur “merrnin nusen“ apo manifestimin e ceremonialeve e gëzimeve të ndryshme familjare. Por, bartja e këtyre fenomeneve nga një hapësirë autentike burimore para një populli nga përmbajta heterogjen, në rrethanat e sotme ka një transpozicion të madh si emocional ashtu edhe psikologjik dhe si e tillë shkakton gjendje objektivisht të papranueshme.

Një popull i qytetëruar ruan dhe çmon kulturën e tij autentike, por keqinterpretimi dhe keqpërdorimi i karakteristikave apo ritualeve të caktuara në emër të “tradicionales” qoftë me apo pa vetëdije, cenon vlerat e secilit popull, komb apo edhe vetë individit. Në qoftëse problemit i qasemi nga pikëpamja socio – kulturore, bartja e “ritualit” të shtënies me armë nga origjina e tij autientike paraqet një problem tejet kompleks për shoqërinë tonë, e mbi të gjitha shpërfaq një mentalitet të ashtuquajtur ”folklorizëm” i cili qoftë edhe nga ky këndvështrim i trajtuar, dëmton sërish trashëgiminë shpirtërore të popullit.

Tipar kundërthënës neve shqiptarëve na kanë karakterizuar historikisht, si psh. temperamenti në njërën anë dhe durimi në anën tjetër, por jo rrallëherë këto karakteristika janë përcjellur edhe me nevojën e pamposhtur për tu identifikuar me “tiparë burrërorë”. Deliri i manifestimit të gëzimit bashkë me dramën e rrezikut për jetën brenda një uniteti binar, sintetizon egon njerëzore dhe logjikën e stoicizmit, e këto bashkë shpeshherë për bilans kanë sjellë fatalitetin njerëzor, fenomen ky që na ndjek edhe sot, e fatkeqësisht, akoma nuk po ia dalim të mohojmë akte të tilla.

Duhet të kuptojmë se me ndryshimin e kushteve dhe rrethanave të jetës, natyrshëm ndodhin edhe transformimet në shoqëri. Si pranimin, ashtu edhe refuzimin e fenomeneve të caktuara në shoqëri, duhet trajtuar si probleme socio-kulturore, që lëndojnë integritetin njerëzor por dhe të pengojnë emancipimin e tyre. Duke qenë shoqëri në zhvillim, duhet të kuptojmë se krahas saj evoluojnë edhe proceset shoqërore në përgjithësi, pra evoluimi ecë paralelisht me të gjitha transformimet që ndodhin brenda saj në të gjitha sferat e jetës, e këto etapa duhet akceptuar si normale.

Përveç tjerash, evoluimi nënkupton edhe trasnformimin e nivelit të traditës nga një periudhë kohore në një tjetër. Duke e ndjekur këtë trasnformim në shoqëri, njeriu modern i nënshtrohet një dinamike të caktuar shoqërore, duke respektuar një rend sistematik, i cili apriori nënkupton respektim të normave të asaj shoqërie. Pra, ç’do tendencë për të justifikuar apo relativizuar aktin e fenomeneve të tilla qoftë edhe aktin e shtënies me armë gjithnjë në emër të ”tradicionales”, paraqet elementë të theksuar të problematikave etnopsikologjike.

Në anën tjetër, paraqitet fenomeni homo duplex dhe individi i ndrydhur në mes veprimeve e dëshirave të nxitura nga instikti, si dhe kufizimeve shoqërore si ndërgjegje kolektive, e cila në njëfarë mënyre disiplinon dëshirat e vullnetit individual. Në këtë antagonizëm, gjejmë rivalitet midis integrimit apo jo të individit brenda normave shoqërore. Në shoqëritë e bazuara në lidhje farefisnore ndërgjegjia kolektive është më e ulët, që do të të thotë se sa më i pa integruar të jetë komuniteti, aq më “normal” cilësohet fenomeni. Duke qenë homogjene për nga struktura, në këto rrethana është mjaft i theksuar solidariteti, i cili poashtu është nxitës i madh i këtyre dukurive. Në të kundërtën, një shoqëri e integruar dhe me ndërgjegje të lartë, marrëdhëniet shoqërore i vendos në funksion të artit dhe shkencës ndërkaq perspektivën e saj e ndërton drejt normave universale, si parime të vetme të një një mjedisi modern./KultPlus.com

Një femër

Poezi e shkruar nga Heinrich Heine.
Përktheu: Petraq Kolevica.

Ata u deshën me afsh e zjarr,
Ajo çapkëne, ai kusar.
Kur ai ndonjë mufke ia veshte,
Ajo kërcente në shtrat dhe qeshte.

Ditën e shkonin për bukuri,
Natën ajo flinte mbi gjoksin e tij.
Kur e futën në burg atë, ajo s‟reshte
Në dritare qëndronte dhe qeshte.

Ai i fliste: “O, eja këtu
Se më merr malli kaq fort për ty.
Ty të thërres se do vdes”, i theshte,
Ajo tundte kokën dhe qeshte.

Në orën gjashtë ai u var.
Në orën shtatë e kallën në varr.
Dhe në orën tetë, ajo që e deshte,
Pinte verë të kuqe dhe qeshte.

Gresë Lahu sjellë ekspozitën “Nature in and out”

Gresa Lahu këtë të shtunë do të sjellë ekspozitën “Nature in and out”, në Traffic Gallery, shkruan KultPlus.

Fjalën “keramikë” kur e dëgjojmë na kujtohen filxhanët e kafesë ose pllakat, ose shume gjëra të tjera që na shërbejnë për të jetuar më lehtë. Duke përdorur qeramikën për të bërë art, dhe duke e studiuar, më ka lënë mbresa fakti që i gjithë materiali për qeramikë si mella dhe ngjyrat vijnë nga natyra, është një copë e tokës me të cilën unë krijoj diçka”, ka thënë artistja në njoftimin e kësaj ekspozite.

“Dhe siç e dimë njeriu duke punuar me tokë qoftë duke e punuar për të sjellë fryte si perimet ose pemët, qoftë duke e përdorur për të krijuar diçka .. ai kontakt me natyrën kthehet në meditim sepse siç e kam dëgjuar shpesh nga bujqit si shprehje “toka ta thith energjinë e keqe”, ose kam parë artikuj si puna me qeramikë e shëron depresionin. Duke u bazuar edhe nga përvojat personale dhe duke e parë këtë fenomen tek të tjerët kam filluar të dashurohem edhe më shumë në natyrë dhe në punën me qeramikë, dhe në çdo punim kam paraqitur natyrën tonë njerëzore dhe lidhjen që e kemi me natyrën rreth nesh”
, ka shpjeguar artistja Lahu lidhur me këtë ekspozitë.

Ekspozita do të hapet këtë të shtunë duke filluar nga ora 20:00 në Traffic Gallery./KultPlus.com

Dalai Lama: Njeriu jeton sikur nuk do të vdes asnjëherë, por pastaj vdes pa jetuar kurrë

Ai në vend që të ketë rrudha të thella në fytyrën e tij, ai ka vezullim në sytë e tij. Dalai Lama është njëri nga budistet më me influencë të madhe politike në Tibet.

Nga shumë thënie të qëlluara ai ka dhënë edhe një përgjigje mjaftë interesante lidhur me atë se çfarë e çudit më së shumti tek njerëzimi. Lidhur me këtë pyetje, kryefjala e përgjigjes së tij ishte “Njeriu”.

“Njeriu. Sepse ai sakrifikon shëndetin, për të fituar para. Pastaj, ai sakrifikon paratë, për të rifituar shëndetin. Dhe pastaj, ai është kaq në ankth për të ardhmen e tij, saqë nuk shijon të tashmen; rezultati është që ai nuk jeton as në të tashmen, as në të ardhmen; ai jeton sikur nuk do të vdesë asnjëherë, por pastaj vdes, pa jetuar kurrë”./ KultPlus.com

Bill Clinton: Njerëzit nga mbarë bota donin të dëgjonin rrëfimin për gurin e Rugovës (VIDEO)

Bill Clinton e kishte vizituar Kosovën në nëntor të vitit 2009, me rastin e ngritjes së statujës së tij në Prishtinë, ku gjatë kësaj vizite ai në një fjalim në Parlamentin e Kosovës kishte përfshirë edhe rrëfimin e tij për vizitën e Rugovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan KultPlus.

Bill Clinton e fillon fjalimin e tij me falënderim për njerëzit të cilët nuk janë të pranishëm por që kanë kontribuar mjaft shumë në sigurinë e Kosovës, kishte thënë se atë moment dëshironte ta shfrytëzonte për ta përkujtuar presidentin historik, Ibrahim Rugovën.
“Do të doja të kujtoj paraardhësin tuaj i cili ishte një njeri i shkëlqyer”, pat thënë Clinton gjatë këtij fjalimi.

Tutje ish- presidenti i SHBA-së pat treguar për rëndësinë e një dhurate që i kishte dhuruar Rugova gjatë vizitës së tij në SHBA, dhe se si ky gur unik u bë i njohur gjatë trajtimit të problematikës së Kosovës në Shtëpinë e Bardhë.

“Kur më dhuroi një gur unik i cili ishte gjysmë kristal, gjysmë diçka tjetër nuk më tha krejt çka është, i cili u bë i njohur në Shtëpinë e Bardhë, derisa merreshim me problemin e Kosovës. Ai u bë i njohur si “guri i Rugovës” dhe njerëzit vijnë nga mbarë bota dhe dëshirojnë të dëgjojnë rrëfimin, kështu që kam një gur tjetër sot që do ta vendos në Nju Jork në mënyrë që të ju kujtoj” kishte thënë Clinton.

Po ashu Clinton pat treguar edhe rrëfimin që kishte ndarë me Rugovën lidhur me rëndësinë e kësaj dhurate për të dhe lidhjen që kishte kjo me vendlindjen e tij. Më pas Clinton tregoi dhe përgjigjen që kishte marrë nga presidenti Rugova, pas rrëfimit të tij.

“Mirëpo nuk e thash pjesën tjetër të rrëfimit kur presidenti Rugova më dha këtë kristal të bukur, unë ia sqarova atij se unë jam rritur në një vend që nga aspekti gjeologjik ishte i ngjashëm me Kosovën, vendlindja ime ishte burimi më i madh i kristalit të papërpunuar çdo kund në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe kur shkova larg në Universitet, unë si i ri fillova një kurs në gjeologji dhe kisha një profesor i cili nuk dinte se nga isha dhe ditën e parë që ishim në mësim më tha, vendi më interesant në SHBA nga aspekti gjeologjik është shteti i vogël i Arkansasit, aty ku isha rritur unë, dhe pastaj e përmendi vendlindjen time. Kështu kur ia tregova rrëfimin presidentit Rugova më tha ‘Atëherë duhet të na ndihmosh sepse është fati i tillë’, dhe është nder për mua që të jem këtu”, ishte shprehur Clinton gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës.

Presidenti historik Rugova gjatë vizitës së tij në SHBA gjatë vitit 1998, kishte vizituar Shtëpinë e Bardhë dhe ishte takuar me presidentin Clinton ndërsa ishte takuar edhe me media pas takimit me presidentin. Atë ditë Rugova e kishte cilësuar si ditë historike për Kosovën, shkruan KultPlus.
“Zonja dhe zotërinj sot ishte një ditë historike për Kosovën. Pranimi i kryetarit të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë është një ngjarje historike. Jam shumë i nderuar dhe kërkuam që të bëhet diçka urgjentisht në ndaljen e dhunës dhe sulmeve në Kosovë. Zgjidhja më e mirë për Kosovën është një Kosovë e pavarur dhe kërkuam një fazë transitore për Kosovën që të ndalet dhuna dhe të kërkojmë një zgjidhje politike. Gjithsesi kërkuam një prezencë më të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe një mbrojtje më të madhe”, kishte thënë presidenti Rugova pas këtij takimi./KultPlus.com

Publikohet flamuri i parë i Kastriotëve

Arkitekti Artan Shkreli, dje ka publikuar një shkrim me një fotografi duke treguar pamjen e parë të flamurit të Kastriotëve, shkruan KultPlus.

Shkreli, ka shkruar se tani që festa e flamurit kaloi, dhe tingujt e fanfarat po mehen, ai po poston në rrjetin social Faebook, pamjen më të parë që trashëgojmë të flamurit të Kastriotëve.

Po sjellim të plotë shkrimin e Artan Shkrelit:

“Tani që festa e flamurit kaloi, dhe tingujt e fanfarat po mehen, postoj këtu pamjen më të parë që trashëgojmë të flamurit të Kastriotëve. Natyrisht nuk është pamja e parë e shujkes (stemës) me shqiponjë dykrenëshe të tyre, pasi të tilla kanë tepruar, por pikërisht ajo për së pari e një flamuri.

Grafika nuk është e panjohur, por doja të theksoja rëndësinë e saj si paraqitje parake e atij që më pas u bë flamuri kombëtar i shqiptarëve.

Figura në fjalë gjendet në veprën madhore latinisht të humanistit gjenealogjist gjerman Hieronymus Henninges, botuar në Magdeburg me 1598 dhe titulluar “Theatrum Genealogicum ostentans omnens omnium aetatus familias…”. Në fakt libri ishte përfunduar në vitin 1578, por u botua 20 vjet më pas, një vit mbas vdekjes së autorit.

Vepra është konceptuar në katër pjesë që nyjetohen në pesë volume, në të cilat paraqiten jo vetëm gjenealogjitë dhe shujkat e familjeve më të njohura e me rëndësi për kohën, por edhe vetë studiuesit bashkëkohore. “Theatrum Genealogicum” është tejet voluminoz, dhe në ndërtimin e gjenealogjive Henninges përdor si burimet klasike ashtu dhe ato kohanike të shek XVI (përfshirë veprën e Barletit mbi të cilën mbështetet për nxjerrjen në pah të familjes zulmëmadhe të Skënderbeut).

Çka bie në sy është fakti se Kastriotëve u jepet rendësi e posaçme, qoftë edhe në raport me familjet princërore e mbretërore të Europës mesjetare, ndonëse ata nuk janë veçse zotër të Arbënisë dhe Epirit. Trajtimi i Kastriotëve bëhet në kaptinën “Epiri et Albania reges…”, në plot tre faqe (606-607-608) dhe me ta mbyllet pjesa e tretë e librit.

Figura paraqet Skënderbeun në këmbë me shpatë në brez dhe me flamurin në dorën e djathtë. Në fakt është një paraqitje shume e hijshme dhe duket se me këtë qëndrim gravuristi ka dashur të theksojë faktin se ai është jo vetëm figura më e shquar e gjindjes së tij, por edhe konfirmuesi i një simboli që do bëhet flamur i provincës së

Arbënisë dhe Epirit. Është hera e parë që, me zotin e kësaj province, parashihet flamuri që do ju prijë më vonë shqiptarëve në përpjekjen për një formacion shtetëror të mëvetësishëm e të qëndrueshëm – gjë që, për shkak të represionit turk, nuk mbërritën ta bëjnë atëherë kur po ngjizeshin formacionet e reja shtetërore në Europën e Rilindjes dhe Illuminizmit.

Bie gjithashtu në sy veshja fisnikërore, civile e Kastriotit, me në krye kësulën e famshme tipike arbërore, të ashtuquajturën botërisht “chapeau albanaise”, kësulë që do të bënte trend në gjithë kontinentin, duke dhënë më pas variacionet e shumta të asaj që rëndom e quajmë kapele republike. Fytyrimi i shqiponjës në flamur është i traditës miteleuropiane dhe ka të bëjë, sa i takon formës, më shumë me shqiponjën e ngritur për herë të pare nga Gjoluli në Deçiç (1911) dhe Ëiedi në Durrës (1914), se atë të ironizuar nga Zogu në vitet 20 e që u bë bazë për flamurin e sotëm.

Për në, kjo gravurë e Pesëqindës, simbolizon Nëntorin e Parë, atë të ngritjes së flamurit në Krujën e çliruar nga osmanët më 28 Nëntor 1443”./ KultPlus.com

QRTK evidenton tejkalim të lejes në “Sheshin e lidhjes” në Prizren

Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren një muaj më parë ka evidentuar tejkalimin e një lejeje për renovim të një ndërtese në rrugën “Adem Jashari” përkatësisht “Sheshin e Lidhjes” dhe e ka njoftuar për këtë drejtorinë e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, e cila ditë më parë ka konfirmuar tejkalimin e lejes dhe ka bërë të ditur se lënda është në procedim e sipër.

Sipas shkresës së QRTK-së, autoritetet kanë miratuar projektin e rinovimit në këtë pjesë të ndërtesës me rekomandimin që pala obligohet që ta bëjë përshtatjen e elementeve që do ti vendosë në fasadën e lokalit, me arkitekturën e ndërtesës ekzistuese dhe në bashkëpunim me QRTK-në, duke respektuar Planin e Konservimit dhe Zhvillimit për Zonën Historike të Prizrenit. Por në shkresë thuhet se gjatë verifikimit të punimeve në datën 14 dhjetor 2017, “zyrtarët e QRTK-Prizren kanë vërejtur mosrespektimin e lejes dhe nëpërmjet një letre përcjellëse kanë njoftuar Komunën e Prizrenit-Drejtorinë e Inspektorateve, MKRS-DTK dhe IMMK”.

Në shkresën përkatëse QRTK ka bërë të ditur se punët e rinovimit në këtë ndërtesë kanë nisur pasi që është aprovuar projekti nga Komisionit përkatës i IKMM-së, sipas vendimit nr. 23/2016, të datës 21.06.2016. “Gjatë inspektimit të punëve në terren ekipi i QRTK Prizren ka vërejtur që investitori nuk po i përmbahet kushteve të lëshuara në vendimin nr.23/2016”, thuhet në shkresë. QRTK, më 14 dhjetor 2017, ka kërkuar nga Inspektorati ndërmarrjen e hapave të nevojshme për ndalimin e punimeve dhe largimin e pjesëve që paraqiten si tejkalim i lejes së lëshuar.

Kërkesës së EC-it për qasje në informata zyrtare lidhur me këtë rast, Drejtoria e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit i është përgjigjur më 17 janar 2018, ku ky organ thekson se pala posedon leje për renovim të objektit në fjalë si dhe në aneks të projektit kryesor është lejuar vendosja e konstruksionit prej hekurit përqark shtyllave të betonit të lokalit afarist.

“Pas kontrollit është konstatuar se ka tejkalim të lejes dhe është urdhëruar të ndërpriten punimet derisa të pajiset me leje shtesë për shfrytëzimin e hapësirës publike, në afat prej 15 ditësh nga dita e kontrollit. Pas skadimit të afatit ligjor të aktvendimit për ndërprerje punimesh, ka pasuar aktvendimi për largim vullnetar të konstruksionit të hekurt nga hapësira publike. Për shkaqe objektive shtyhet ekzekutimi i detyrueshëm. Lënda është në procedim e sipër”, thuhet në përgjigjen e DI-së.

EC Ma Ndryshe përkujton se shumë herë ka bërë thirrje për mbikëqyrje më rigoroze të çdo aktiviteti ndërtimor në Qendrën Historike të Prizrenit. Drejtuesit e QRTK-së patën konfirmuar se në 90 për qind të lejeve ndërtimore për objektet në Qendrën Historike të Prizrenit ka tejkalime të natyrave të ndryshme, si në gabarit, në etazhitet, në detaje apo në fasada.

EC edhe njëherë e përsërit qëndrimin se është çasti i fundit që organet shtetërore të veprojnë në mënyrë serioze dhe më energjike për zbatimin e plotë të legjislacionit në raport me këtë zonë të mbrojtur./ KultPlus.com

Portreti i Skënderbeut

Poezi e shkruar nga Ismail Kadare.

Si ditë e plotë ai shtjellej
Me re dhe erë përmbi atdhe.
Një emër Gjergj e kish si diellin
Tjetrin si hënën, Skënderbe.

Dy brirë dhie kish mbi krye
Emblemë e vjetër e çuditshme
Sikur ta dinte që mes brirëve
Dy perandorë do të godiste.

Njëzet e katër luftëra bëri
Njëzet e katër vdekje theu
Çka mangut linte ditën Gjergji
Plotësonte natën Skënderbeu.

Pas vdekjes eshtrat iu ndanë
Në mijëra varre ata u shtrinë
Gjithçka të shumtë ai e pati
Të vetme kish veç Shqipërinë.

A e dimë saktë portretin e Skënderbeut?

Ilir Muharremi

Portreti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut prej shumë shekujsh u pasqyrua edhe në veprat e artistëve botëror si: Italian, Gjerman, Holandez etj. Mirëpo, pjesa dërmuese e artistëve na shfaqin Skënderbeun me sy të gjallë dhe hundë në formë të sqepit të Shqiponjës. Piktori holandez Rembrant e punoi krejt ndryshe portretin e tij: Sy të mëdhenj, buzë të holla, hundë jo shumë të kthyer, krejtësisht gati ndryshe me sqepin e shqiponjës.

Kemi edhe portretin më të hershëm të tij që ndodhet në Galerinë Ufizi të Firences të piktorit Xhentile Benini, dhe ky mendohet të jetë portreti më i përafërt me dukjen origjinale të Skënderbeut. Ai këtu paraqitet në moshë të shtyrë si duket këtu ndërmori edhe udhëtimin e fundit drejt Italisë.
Portreti më i famshëm dhe më i hershëm paraqitet në veprën e historianit shqiptar Marin Barleti. Kemi edhe në gravurë të punuar nga artistët gjermanë Jang Breu dhe Jost Aman, i cili u paraqit me një sfond kështjelle.

Edhe një tjetër artist gjerman e bëri në gravura Sigizmund Fejgrahent. Kurse, për herë të parë përkrenaren dhe shpatën e paraqiti Tabias Shtimer.
Piktori francez N. Auronks është autor i portretit që u botua në poemën e Bysjerit (1658). Në vitin 1662, kjo poemë u ribotua, por tani me portretin të bërë nga piktori Blanshet. Ndërkaq librin e Biemit, të botuar në vitin 1672, e ka ilustruar piktori italian F. Zuçi (Zucci). Një gravurë në dru bëri I.B. Skotin.

Edhe artistët arbëreshë të Italisë në veprat e tyre e krijuan Skënderbeun. Kemi në afresk në kishën Monreales në shek XVI në Sicili. Por, më 1878 në një kishë katolike në Prizren, aty ku u krijua Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Portreti i Skënderbeut na shfaqet ne medaljon.

Në kohën e Rilindjes Kombëtare, në veprat e artistëve shqiptar figura e Skënderbeut u bë temë qendrore. Sidomos portreti tradicional i kthyer në profil i krijuar nga artisti Gjergj Panariti (1883), figura e plotë e heroit mbi kalë dhe në sfond beteja, u trajtua më 1889 nga Anastas N. Ballamaçi dhe Theohar Gjini (1880-1956). Ballamaçi u ndihmua nga tabloja e piktorit francez T. Zheriko.

Më pastaj, figura e tij i krijua edhe nga artisti autodidakt Spiro Xega (1876-1953) autor i një cikli romantik-heroik prej më se tetë veprave. Midis tyre edhe “Skënderbeu” (1913). Me fjalë të tjera, prej tij ruhen mbi dhjetë tablo me figurën e Skënderbeut, disa prej tyre të fillimit të shekullit XX.
Mendohet që linja origjinale e Skënderbeut ndodhet në tablonë Skënderbeu në betejë” e pikturuar në vitin 1915-1916 nga piktori shkodran Simon Rrota (1887-1961). Artisti shkodran Ndoc Martini, portretin e punoi në disa variante.

Odhise Paskali, njëri nga skulptorët më të fuqishëm në Shqipëri e ngriti më 1968 bashkë me skulptorin Andrea Mano si dhe Janaq Paco, e realizuan në Tiranë monumentin e tij. Siluetat japin heroin në lëvizje, në një paradë, shpatën e ka të mbështetur anash, kokën shumë energjike, duket si luftëtarë, burrë shteti, tejet madhështor.

Në Prishtinë, shtatorja e Skënderbeut e punuar nga Janaq Paco erdhi në vitin 2001. E planifikuar për një teren shkëmbor e jo të rrafshët sepse në dukje, Skënderbeun na jap më të madh se kalin.
Monumenti i heroit, vepër e skulptorit italian Romano Romanelli (1882-1969), i ngritur në vitin 1940 ndodhet edhe në sheshin Albania të Romës. Bustit i Skënderbeut ndodhet edhe në Vaccarizzo Albanese – fshat i Kozencës në Kalabri. Në vitin 2008, busti i heroit u vendos edhe në Civita të Italisë.

Në vitet ’60 të shekullit XX, emigrantët shqiptarë në Belgjikë paraqitën kërkesë për ta vendosur monumentin e Skënderbeut në Bruksel. Kjo u realizua në vitin 1968. Monumenti u vendos pranë parkut Josafat të komunës Schaerbek në Bruksel. Monumentet, përkatësisht bustet e Heroit Kombëtar ndodhen edhe në Vjenë, në Budapest, buzë liqenit të Gjenevës, në Detroit etj.

Përmendorja e Skënderbeut në Miçigan të SHBA-së është përuruar në vitin 2006, në prani të mijëra vetëve, përfshi kryepeshkopin e Detroitit – Kardinalin Adam Maida dhe presidentin e Shqipërisë – Alfred Moisiun. Monumenti është vendosur në hyrje të oborrit të Kishës katolike shqiptare Shën Pali në Roçester Hills, rreth 40 kilometra në veri të Detroitit.

Të gjithë artistët e lartpërmendur, portretin e riprodhuan mbas fiksimeve imagjinatave, ndonëse jo edhe të sakta, ashtu siç do ta paraqiste shkenca. Si mund të ketë version të saktë derisa eshtrat e Skënderbeut u zhvarrosën nga turqit pas rënies së Krujës, më 1480, 12 vjet pas vdekjes? Varri i tij, që ndodhej në Kishën e Shën Nikolla në Lezhë, u dhunua dhe eshtrat u morën si hajmali nga ushtarët turq. Për t’u ditur saktë pamja e tij, duhet marrë eshtrat dhe mbas versionit tredimensional të montohet mishi dhe në saktësi do dimë çdo gjymtyrë, artistët kështu do ta riprodhonin origjinalin e jo imagjinatën. Portreti më i përafërt me pamjen origjinale të tij mendohet të jetë i artistit italian Xhentile Belini. Por, ende pamja e tij mbetet imagjinative mbas artistëve dhe kjo s’mund të ofrojë saktësi.

Te ne në Kosovë, në librat shkollorë, por edhe në pikturat e artistëve, riprodhohet imazhi i Skënderbeut i krijuar nga Odhise Paskali. Pasi nuk kemi imazh të saktë të tij, atëherë artistët duhet me ndryshime dhe mbas përpjekjes imagjinative ta pikturojnë. Ende edhe në ditët e sotme, nuk e dimë saktë si është dukur Skënderbeu./KultPlus.com

“Aida’s Secrets”, vjen premierë për Ditën Përkujtimore të Holokaustit (VIDEO)

Akademia e Filmit dhe Multimedias Marubi dhe Ambasada e shtetit të Izraelit për nderë të ditës memoriale të Holokaustit do të sjellin premierën e filmit “Aida’s Secrets” të Alon Schwarz, shkruan KultPlus.

Ky film do të shfaqet javën tjetër, më 27 janar në Akademinë e Filmit dhe Multimedias Marubi në Tiranë, ndërsa do të filloj në ora 19:00. /KultPlus.com

Aida's Secrets Trailer from JIFF on Vimeo.

Telegrami i Enver Hoxhës nga Beogradi: Organizoni një pritje e manifestim madhështor me flamurët tanë e të Jugosllavisë (FOTO)

Historiani dhe ish-kreu i arkivës në ministrinë e Brendshme, Kastriot Dervishi ka publikuar për herë të parë një telegram që kishte dërguar Enver Hoxha gjatë qëndrimit të tij për një vizitë në Beograd, shkruan KultPlus.

Përmes këtij telegram diktatori informon se së bashku me të në Shqipëri do të vinte edhe Tito. Në këtë letër ai i shkruante zëvendësit të vet, Koçi Xoxe, duke i dhënë udhëzimet të cilat duhet të ndiqen për një pritje madhështore.

KultPlus po ju sjellë të plotë këtë dokument që historian Dervishi e ka publikuar në profilin e tij në rrjetin social ‘Facebook’:

1946/Telegrami i diktatorit tonë nga Beogradi

Më 23 qershor – 2 korrik 1946, kryeministri i Shqipërisë Enver Hoxha vizitoi Jugosllavinë. Në përfundim të vizitës, më 1 korrik 1946, pra disa orë para mbërritjes në Shqipëri, i dërgon një telegram zëvendësit të vet, Koçi Xoxe, të cilin e udhëzon për masat që duhet të marrë në këtë pritje. Hoxha ka tejkaluar se tepërmi detyrat komunale e bashkiake teksa porosit mënyrën e pritjes dhe parullat që duhen hedhur. Ja telegram i datës 1 korrik 1946:

“Nesër në mëngjes nisemi me aeroplan në ora 8. Organizoni një pritje e manifestim madhështor. Autoritetet më të larta, e qeveria të dalin për të na pritur në aerodrom. Populli të dalë me shumicë. Qyteti të zbukurohet me flamurët tanë e Jugosllavisë. Bëni çmos të punohet tërë natën që të bëni flamuj të Jugosllavisë e Shqipërisë e t’i mbajë populli në duar. Përgatitni mikrofona dhe megafona dhe unë do të flas shkurt gjatë manifestimit. Përgatitni parulla të shkruara dhe parulla që duhet të hidhen nga populli. Përveç parullave të tjera të zakonshme të ketë edhe parulla si “Rroftë marrëveshja midis popullit shqiptar dhe popujve të Jugosllavisë”, “Rroftë mareshali Tito”; parulla të shkruara “Tirana-Beogradi”, të thirret “Enver-Tito”, të bëhet parulla rreth ushtrisë sonë si dhe ushtrisë jugosllave: “Rroftë vëllazërimi i ushtrisë kombëtare shqiptare dhe i ushtrisë heroike jugosllave”, “Rrofshin popujt heroikë të Jugosllavisë”. Sa më shumë parulla mbi miqësinë tonë me Jugosllavinë. Në aeroport të vinë automobilat më të mirë për të na marrë, veçanërisht të vinë ato që janë të hapura”, shkruhet në këtë letër./ KultPlus.com

Ka vdekur ish-kryetari i Prishtinës

Ka ndërruar jetë të mërkurën mbrëma, në moshën 87-vjeçare, ish-kryetari i Prishtinës, politikani, gazetari dhe autori i një libri për kryeqytetin, Sherafedin Sylejmani.

Sylejmani ka qenë kryetar i komunës së Prishtinës gjatë viteve 1963-1967 ndërsa më herët ka qenë mësimdhënës në fshatin Krajishtë të Lipjanit.

Gjatë viteve 50 është emëruar gazetar dhe redaktor i emisioneve në gjuhën turke në Radion e Prishtinës.

Në vitin 2010, Sylejmani botoi librin monografik për kryeqytetin “Prishtina ime”, në të cilin ka ofruar dëshmi të çmuara mbi zhvillimin dhe rrjedhat e jetës në qytet gjatë kohës sa ishte udhëheqës i tij, por edhe të periudhave paraprake.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet të enjten, në orën 12:00, në varrezat e qytetit të Prishtinës./ KultPlus.com

Historia e dashurisë së princit Harry dhe Meghan Markle bëhet film televiziv

Martesa mes Princit Harry dhe ish aktores së “Suits”, Meghan Markle, paralajmërohet të jetë dasma e vitit dhe bota e showbizit amerikan nuk ka humbur kohë.

Gjatë mbledhjes së dimrit të Shoqatës së Kritikëve të Televizionit, rrjeti i Rrjetit Lifetime ka bërë të ditur se ata kanë në plan një film televiziv mbi përrallën e tyre të dashurisë, shkruan Tgcom24, transmeton atsh. Transmetimi është planifikuar për muajin maj, që përkon me martesën mbretërore.

Sipas “Entertainment Weekly” filmi do të titullohet “Harry & Meghan: The Royal Love Story” dhe do të tregojë lidhjen e tyre nga takimi i parë deri në zyrtarizimin e fejesës , në nëntor 2017. Filmi do të hedhë dritë në sfondin e këtij çifti të veçantë: që nga bërja për vete, ndërhyrja e mediave në lidhjen e çiftit dhe fantazmat e jetës së kaluar të Meghanit, që ka një divorc pas saj. Nuk dihet akoma nga kush do të interpretohen bashkëshortët e ardhshëm, ndërsa filmi mendohet të transmetohet në muajin maj, që përputhet me martesën.

Nuk është hera e parë që Lifetime merret me çifte të vërteta. Në vitin 2011 ai prodhoi “William & Kate: The Movie”, duke u përqendruar në historinë e dashurisë mes mbretit të ardhshëm dhe Middleton, duke e transmetuar atë pak ditë para martesës mbretërore të parashikuar./ KultPlus.com

“T’padashtun” nga Edon Rizvanolli, shkon në Santa Barbara International Film Festival

Filmi i metrazhit të gjatë “T’padashtun” me skenar e regji nga Edon Rizvanolli, është përzgjedhur për tu shfaqur gjatë edicionit të 33-të të Santa Barbara International Film Festival në Kaliforni, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë skenaristi dhe regjisori Rizvanolli, i cili është shprehur shumë i lumtur për këtë gjë.

“Jam i lumtur qe “T’padashtun” eshte perzgjedhur per tu shfaqur gjate edicionit the 33te te Santa Barbara International Film Festival”, ka shkruar Rizvanolli në rrjetin social Facebook. http://sbiff.org/2018-sbiff-films/

Ky film sjellë në rolet kryesore Adriana Matoshin dhe Jason de Ridder si dhe në role të vijnë aktorët: Besnik Krapi, Shkumbin Istrefi, Bislim Mucaj, Xhejlane Tërbunja… filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës./ KultPlus.com

Artisti Gani Sunduri, përfaqësues i karikaturës për Kosovën në Union of the World Cartoonists

Karikaturisti dhe strip artisti Gani Sunduri nga përfaqësuesit e Union of the World Cartoonists, është përzgjedhur si përfaqësues i Karikaturës për Kosovën.

Me vlerësimin e këshillit të UWC-së këtë muaj kanë bërë zgjedhjen e anëtarëve dhe përfaqësuesve botërorë të karikaturës. Pas disa sukseseve kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe një nga organizatorët e suksesshëm të festivaleve dhe ekspozitave ky post i është ofruar artistit kosovar Gani Sunduri. http://www.worldcartoonists.com/

Në këtë organizatë janë bërë zgjedhjet e kryesisë prej 11 anëtarëve dhe prej 33 përfaqësuesve të shteteve si dhe më se 370 anëtarëve anembanë botës.
Gani Sunduri është edhe ambasador i karikaturës për Kosovën nga shoqata PDH në Poloni dhe nga shoqata e karikaturistëve në Maqedoni, organizator i festivalit ndërkombëtar të stripit dhe karikaturës në Prizren, ku këtë vit do të organizohet edicioni i 15-të.

Është një nga artistët e parë të stipit kosovar ku ka promovuar stipin dhe karikaturën shqiptar në shumë shtete botërore. Është fitues i një çmimi të artë në Qipro dhe një medalje të artë në Bulgari, pjesëmarrës në shumë festivale dhe ekspozita botërorë si dhe fitues i më se 50 mirënjohjeve dhe diplomave si për karikaturë ashtu edhe për strip./ KultPlus.com

Kënga e Gjergj Kastriotit (VIDEO)

Po e sjellim sot këngën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Kjo këngën është kënduar në filmin e Skënderbeut dhe kjo video është pikërisht një fragment i shkëputur nga filmi, shkruan KultPlus.

Rikujojmë se dje ishte 550 vjetori i vdekjes së heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ndërkaq viti 2018-të është shpallu Vit Mbarëkombëtar i Skënderbeut./ KultPlus.com

Dua Lipa nominohet për tre çmime në “NME Awards”

Pas Brit Awards, në të cilën u nominuar për pesë çmime, këngëtarja me prejardhje shqiptare Dua Lipa ka konfirmuar se është në garë edhe për tre çmime në “NME Awards”.

Ajo ka konfirmuar se është në garë për Solo artistin më të mirë në Britani, këngën më të mirë dhe videon më të mirë, transmeton Koha.net.

“Jam në garë për tre çmime ‘NME Awards’ përfshirë Solo artistin më të mirë në Britani, këngën më të mirë dhe videon më të mirë. Mund të votoni në www.nme.com/awardsvote”, ka shkruar Dua Lipa./ KultPlus.com

Sali Musliu, fitues i çmimit ‘Peneli i Flakës së Janarit 2018’

Sali Musliu, piktor gjilanas që jeton e vepron në Gjermani, është fitues i çmimit blerës të “Peneli i Flakës së Janarit 2018”, ngjarje kulturore në të cilën është hapur edhe ekspozita e cila do të qëndrojë e hapur deri në përfundim të Manifestimit “Flaka e Janarit 2018”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Në këtë edicion, sipas organizatorëve ka pasur prurje të shumta, mbi 60 sosh, por që në pamundësi që të ekspozohen të gjitha, një pjesë e tyre nuk kanë mundur të jenë pjesë e kësaj ekspozite.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka falënderuar artistët pjesëmarrës e komisionin dhe ka shtuar se kjo është ndër shtyllat kryesore të “Flakës së Janarit”, që në Gjilan zhvillohet tash e 27 vite.

Ai ka rikujtuar kohët kur kjo ngjarje mbahej në galeri alternative e në restorante, që ishin shndërruar në hapësira për ekspozim. Ai ka uruar fituesit dhe i ka ftuar gjilanasit që ta vizitojnë ekspozitën, kurse ka paralajmëruar se prioritet i tiji në të ardhmen do të jetë bërja e Gjilanit me një galeri të mirëfilltë të arteve në një objekt krejt tjetër.

“Ka ardhur koha për të gjetur rrugën, objektin apo edhe që të ndërtohet një galeri e re. Ju siguroj se gjatë këtij viti do të punoj për këtë qëllim”, ka thënë Lutfi Haziri, duke shtuar se galeria do të jetë institucion publik, por do të udhëhiqet nga Shoqata e Artistëve Figurativ dhe do të jetë në menaxhim të tyre dhe për ta e ata do të bëjnë kalendarin e plotë të ekspozitave për 12 muajt e vitit.

Ndër fitues të sivjetmë, të përzgjedhur nga Juria Profesionale, Rasim Vllasaliu, Ragip Ramadani dhe Sabri Shaqiri janë Luan Shahiqi, Shefqet Abrazhda dhe Avni Behluli. / KultPlus.com

“Skënderbeu duhet të përkujtohet në një dimension më të civilizuar…”

Filozofi Blerim Latifi përderisa ka komentuar përkujtimin e figurës historike të shqiptarëve, Skënderbeut, ka vlerësuar që do të ishte më mirë që kjo figurë të përkujtohet në një dimension më të civilizuar se sa me ngjyra të nacional-romantizmit.

Figura e Skënderbeut, sipas Latifit, perceptohet në disa mënyra.

Përderisa mitin për Skënderbeun e ka krijuar Evropa, kur ndihej e rrezikuar nga Perandoria Osmane, si figurë të rezistencës, rilindasit shqiptarë e rizbulojnë duke u përpjekur të dalin nga sundimi osman.

“Skënderbeu si figurë historike që ka ekzistuar realisht, është objekt i studimit te historianëve”.

“Është edhe Skënderbeu simbolik, si simbol i përdorur nga perspektiva të ndryshme, nga regjime të ndryshme, në epoka të ndryshme. Këtu i shoh disa lloje të perceptimit për Skënderbeun” u shpreh Latifi në një intervistë në Zona B të Klan Kosovës.

Latifi pohoi që figura e Skënderbeut është një nga simbolet e rëndësishme të identitetit kombëtar shqiptar.

Ai vlerësoi që situata aktuale në Kosovë ndikon në përfytyrimin e figurave historike të së kaluarës se afërt, siç është lufta e UÇK-së, qe sipas tij ishte ndikuar nga figura e Skënderbeut.

“Konsideroj që lufta e UÇK-së është forma e fundit që është frymëzuar nga përfytyrimi i Skënderbeut, nga modeli i rezistencës së Skënderbeut” tha Blerim Latifi. / KultPlus.com

Placido Domingo: Do të doja të këndoja bashkë me tenorin Ramë Lahaj në Kosovë

Fjalët e mira dhe kritikat pozitive nuk kanë të ndalur, kur vijnë nga Placido Domingon për tenorin shqiptar Ramë Lahaj.

Tenori Ramë Lahaj ka shpërndarë në rrjetin social Facebook një video ku shihet legjenda Placido Domingo duke folur rreth karrierës së shqiptarit dhe cilësive që ai i posedon dhe që e veçojnë si një performues në skenë.

“Kur zëri ka kualitet, nuk është me rëndësi se prej nga vjen. Në Kosovë mund të mos jenë paraqitur shumë, i gjithë ai rajon është me talentë të jashtëzakonshëm” tregon mes tjerash Domingo në këtë video katër minutëshe.
Pamjet e tregojnë Ramë Lahajn duke performuar krahas Domingos. Placido Domingo ka kohë që është një mbështetësh i karrierës së Ramë Lahajt, dhe një përkrahje i tillë do të jetë i vazhdueshëm.

“Ai e ka temperamentin, zërin, dukjen, dhe tashmë ai vërtetë mund të jetë njëri nga tenorët e mëdhenj. Sigurisht se do të doja të shkoja në vendin e tij të lindjes, dhe mezi pres një ditë të shoh publikun e mrekullueshëm të Kosovës, duke kënduar së bashku me Ramën” pohon Domingo.

Placido e ka ftuar tenorin shqiptar në disa paraqitje të tija, ndërsa ka qenë po ai që ia ndau çmimin Operalia, tenorit Ramë Lahaj, shkruan KultPlus.

Ramë Lahaj po pushton skenat teatrale të botës. Ai ka mahnitur audiencën në Rusi në nëntorin e vitit të kaluar, ndërsa në Meksikë ishte po krahas Domingos ku u veçua për paraqitjen e tij të fuqishme klasike. Edhe një tragjedi në familje nuk e ndali Lahajn të korrte suksese vitin e kaluar, duke vazhduar fuqishëm edhe në fillimin e këtij viti. / KultPlus.com