Po vonohemi gjithnjë e më tepër

ANTONIO TABUCCHI / Përktheu Beti Njuma

Shkoi pranvera për ne,
miku im i shtrenjtë, dashuria ime
dhe trokiti vjeshta, me gjethet e saj të verdheme.
madje dimri tash ka hyrë.
Mblodha gjithçka tënden,
grimca, copëza, pluhur, gjurmë,
hamendësime, fjalë të mbetura nga zërat e tjetërkujt,
kokrriza rëre, një guaskë,
të kaluarën tënde sipas fantazisë sime,
përfytyrimin e të ardhmes sonë,
atë që prej teje do kisha dashur,
atë që më kishe premtuar
ëndrrat e mia fëmijënore….

Ekspozita e Ilir Xheladinit mbi Skënderbeun, pikënisje për muzeun e parë shqiptar në Zvicër (FOTO)

Gili Hoxhaj

Koleksionisti shqiptar Ilir Xheladini sonte solli ekspozitën e cila përmbante libra, gravura, pulla dhe bankënota për jetën e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Të gjitha këto materiale përshkruanin një rrugëtim historik nga mesjeta e deri në vitet e 30-ta. Në murin e Muzeut Kombëtar ishte vendosur rrugëtimi i jetës së figurës heroike Gjergj Kastrioti Skënderbeu, gjersa përshkruante fatin dhe të bëmat e tij që nga lindja deri në betejat e fundit të tij.

Ilir Xheladini tregon për KultPlus se si kishte nisur krejt ky rrugëtim i koleksionimit të gjërave të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar. Duke studiuar letërsinë moderne në Universitetin e Neuchatel-it në Zvicër, profesori i historisë i kishte folur shpesh atij për grekët e Greqinë, Romën dhe romakët por asnjëherë për ilirët dhe Ilirinë dhe shpesh çdo pyetje e tij si student kishte mbetur pezull pa përgjigje nga profesori.

Kështu Xheladini gjatë vizitës në një librari të vjetër, gjen një hartë të Ilirisë përmes së cilës dhe fillon dialogun me profesorin. Harta e Ilirisë në këtë librari të vjetër njëzetë vite më parë mbetet si pikënisje e kësaj ekspozite që sonte erdhi në 550 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Në mesin e librave për Skënderbeun, kjo ekspozitë sjellë edhe kopjen origjinale të autorit Jacques de Lavardin e cila është shkruar në frëngjishten e vjetër dhe është botuar në vitin 1621.
Kalaja e Shkodrës në këtë ekspozitë mbartë një moment të rëndësishëm për traditën shqiptare mbi kombin dhe religjionin. Një gravurë që Xheladini e solli në këtë ekspozitë tregon gratë shqiptare të cilat në ditën e Bajramit nga Kalaja hedhin lule për ta nderuar heroin. Kjo pamje kishte zënë hapësirë në revistën angleze “Ilustrated London News”.

“Kjo është tejet e veçantë për shkak se pavarësisht religjionit, heroi mbetet hero”, tha Xheladini për KultPlus.
Një gravurë tjetër përmban një mesazh edhe më të fuqishëm lidhur me tolerancën shqiptare që e ka karakterizuar këtë popull edhe pesë shekuj para. Kjo gravurë që daton nga dita e vdekjes së Skënderbeut tregon se si njerëz nga treva të ndryshme shqiptare, që u përkisnin religjioneve të ndryshme, kryejnë rite të ndryshme fetare pranë arkivolit të Skënderbeut.

Duke qenë se koleksionisti i kishte mbledhur këto materiale nga vende të ndryshme të botës, ai thotë se kjo ka qenë edhe një shtysë pasi që të huajt i zotërojnë gjërat që lidhen me historinë tonë, kurse ne nuk dimë as për ekzistencën e tyre.

Kjo ekspozitë është pjesë e një iniciative shumë të madhe të Xheladinit dhe Muzeut të Kosovës për të krijuar një muze shqiptar në Zvicër, e që do të quhet “Museum Illirycum”.
“Jemi një numër i madh i shqiptarëve që jetojmë në Zvicër, por edhe që zviceranët të na njohin më mirë për të kaluarën tonë sepse zviceranët kanë dëshirë t’i besojnë gjërat, vetëm kur i prekin faktet”, tregoi shkrimtari dhe koleksionisti Xheladini.

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Skender Boshtrakaj tha se ekspozita investon në grumbullimin e fakteve, artefakteve dhe dokumenteve të ndryshme të cilat përfaqësojnë të kaluarën tonë shqiptare. Ai tha se kjo ekspozitë flet edhe për relacionin dhe rëndësinë e diasporës në koleksionimin e materialeve të rëndësishme për historinë shqiptare.

“Ne shpesh flasim se si diaspora është një vlerë e madhe e jona në kuptimin financiar, unë mendoj që diaspora jonë ka qasje në informacion, në ngjarje dhe në biblioteka të shumta. Mendoj se duhet t’u japim më shumë hapësirë njerëzve që jetojnë jashtë, e ata janë aq të vullnetshëm për të promovuar vlerat tona”, tha Boshtrakaj për KultPlus.

Për të gjithë ata që duan të shohin këto materiale, dyert e ekspozitës do të qëndrojnë të hapura për një javë në Muzeun Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Erzen Shkololli emërohet drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë

Qeveria ka emëruar sot drejtorin e ri të Galerisë Kombëtare të Arteve. Ai është Erzen Shkololli, i cili zëvendëson në këtë detyrë Artan Shabanin, i cili ka përfunduar mandatin në tetor 2017-të.

Shabani është emëruar në vitin 2013 në krye të Galerisë së Arteve, si zgjedhje e vetë kryeministrit Edi Rama, ashtu siç përzgjodhi edhe koreografin e njohur Ilir Kerni ne krye të Teatrit të Operës dhe Baletit, i cili më vonë dha dorëheqjen më vonë.

Vendimi:

EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË GALERISË KOMBËTARE TË ARTEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1 e 3, të nenit 9, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Erzen Shkololli emërohet drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Florist dhe Andi Bajgora, dy vëllezërit në ekranin e Berlinale 2018

Vëllezërit Andi e Florist Bajgora do të shihen nga publiku i Festivalit prestigjioz BERLINALE.

Dyshja janë pjesë e filmit “Kiem Holijanda” i cili do të shfaqet në kuadër të programit Generation 14plus në Berlinale – Festivalin e Filmit në Berlin.

Andi dhe Floristi jetojnë në një fshat të varfër në Kosovë. Duke shitur qumësht ata mbajnë familjen.

Filmi në fjalë ka për regjisore Sarah Veltmeyer nga Holanda dhe është një nga 16-të filmat në këtë kategori, shkruan KultPlus.

Në film luajnë edhe Arbresha Grabovci Nixha dhe Shpetim Kastrati.

Filmi 14-të minutësh vazhdon me historinë e Floristit i cili aspiron të udhëtojë për në Holandë.
“Kiem Holijanda” ka qenë pjesë e Nederlands Film Festival, në shtator të vitit të kaluar.

Berlinale, në anën tjetër, mbahet nga 15 deri me 25 shkurt të këtij viti.

Andi dhe Floristi janë aktorë të dëshmuar tanimë në kinematografi. Andi Bajgora ka qenë një prej aktorëve kryesorë në filmin “Shok” i cili edhe u nominua për Oscars, ndërsa Floristi është aktor i teatrit dhe filmit, ndërsa disa prej roleve të tij janë në “T`padashtun”, “Egjeli”, “Lost Exile”, “The Remigrant”. / KultPlus.com

1300 jugosllavët në Shqipërinë e vitit 1948

Nga Kastriot Dervishi

A e dini sa jugosllavë qëndronin në Shqipëri në kohën kur vendi ynë po bëhej gati të bashkohej me Jugosllavinë? Ishin plot 1.300 persona. Kjo e dhënë del nga mbledhja e Byrosë Politike të Partisë Komuniste Shqiptare e datës 15.7.1948, sipas së cilës, ishin larguar deri atë çast 900 persona (faksimile e mbledhjes, bashkëlidhur, cilësia lë për të dëshiruar).

Gjatë këtyre viteve, jugosllavët e ardhur në Shqipëri u morën me organizimin e aparatit shtetëror e partiak. Ata ishin të pranishëm në formatimin e Këshillit të Ministrave, ministrive, komiteteve ekzekutive, Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, gjykatave, prokurorisë, Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, forcave të armatosura, etj.

Organizuan e inspektuan “grupe armiqësore” në reformën agrare, tharjen e kënetës së Maliqit, hekurudha, etj. Një numër kaq i madh të huajsh për një kohë të shkurtër, nuk hasen në asnjë periudhë tjetër. Jugosllavët u larguan nga Shqipëria pas konfliktit të rastësishëm të Stalinit me Titon, duke mos përmbyllur dot bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavisë, të menduar në prill 1948.

Dy ambasadat shqiptare në Londër, lule tek busti i Skënderbeut

Sot, në 550 vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, dy ambasadat, e Kosovës dhe Shqipërisë, së bashku edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar, kanë vënë lule tek busti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Londër.

“Në këtë vit mbarëkombëtar të Skënderbeut, përkulemi para veprës së heroit tonë, i cili, jo vetëm që u doli zot tokave shqiptare, por u vu në mbrojtje edhe të vlerave më të larta të qytetërimit evropian. Busti i tij sot i jep nder dhe krenari qytetit të Londrës, falë kontributit të ish ambasadorit shqiptar Mal Berisha, komunitetit shqiptar në Londër dhe autoriteteve britanike” ka shkruar në rrjetin e tij social Lirim Greiçevci – Ambasador i Kosovës në Londër.

Aktivitete të ndryshme po organizohen në disa shtete evropiane për të nderuar figurën e trimit Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në përvjetorin e vdekjes së tij.

Epoka e Skënderbeut e shekullit XV dhe vetë figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe për rritjen e vetëdijes kombëtare të tyre. Të frymëzuar prej tyre, intelektualë të shquar shqiptarë, i pasqyruan e i përjetuan ato në vepra historike monumentale, në të cilat nisi jetën e vet historiografia shqiptare. / KultPlus.com

Një sherr nga Sanremo, Ermal Meta akuzohet si përdorues droge

Ai tanimë ka marrë famë në Itali, më shumë se ndër shqiptarë, për zërin e tij por edhe për muzikën dhe mesazhin që përçon me anë të saj.

Dhe si ndodh shpesh, një këngëtar do të duhet të marrë goditje nga të tjerët. Ermal Meta, këngëtari shqiptar i cili këtë vit do të këndojë prapë në Festivalin SANREMO në Itali, është akuzuar si përdorues droge.

Marko Castoldi, i njohur me emrin Morgan, pasi nuk është pranuar në Sanremo, ka hedhur pluhur mbi emrin e Metës dhe Fabrizio Moros, dyshe kjo që kanë vendosur të bashkojnë forcat për Sanremo, shkruan tgcom24.

“Ndoshta kënga ime nuk është më e mira, por a është kënga e Endrigos, Gino Pioli-t? Kush është aty? Fachinetti! Kjo është pra, Sanremo i Biglionit fiton Fabrizio Moro-n, i cili më pas qëndron me Ermal Merdal, dmth Meta si Metadoni!” ka shkruar këngëtari pasi ka reaguar në rrjetet sociale.

Meta më pas reagoi duke i thënë këngëtarit se ai duhet të sjellë këngë të reja dhe projekte të reja, dhe ato duhet të na befasojnë, duke dashur ta anashkalonte ndonjë eskalim tjetër në mes të dyshes.

Dyshja kanë komunikuar më shumë në Twitter me njëri tjetrin, ndërsa Meta ka treguar se Morgan nuk duhet ta harxhojë potencialin e tij duke akuzuar e ofenduar. / KultPlus.com

Ivanov nuk e nënshkruan ligjin për gjuhën shqipe

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, deklaroi të mërkurën se ka vendosur të mos e dekretojë miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Sipas presidentit, ligji rrezikon karakterin unitar të shtetit, sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë.

“Më 11 janar të vitit 2018 Kuvendi i Maqedonisë e votoi ligjin për përdorim të gjuhëve pa debat publik, pa përfshirjen e ekspertëve akademikë dhe pa opozitën. Në fjalimin e fundvitit theksova se ky ligj është sjellë me flamurin evropian. Me miratimin e këtij ligji është keqpërdorur flamuri evropian, i cili i ndryshon sistemet ligjore”, tha mes tjerash Gjorge Ivanov, president i Maqedonisë i cituar nga ALsat –M.

Ivanov këmbënguli se ligji është në kundërshtim me kushtetutën dhe si i tillë, ai do të rikthehet në parlament. / KultPlus.com

Roma e quajti gjeneral, Parisi e sheh si frymëzim, Hungaria si mik

Nga Edlira Gjoni

Sot është dita t’i jemi thjesht mirënjohës historisë. Jo larg nesh, heronjtë i shpikin a i marrin borxh. Ne e kemi tonin, dhe gjithë bota nderon guximin, aftësitë, këmbënguljen, zotësinë në fushë të betejës e në kuvendin e vendimit. Roma e quajti Gjeneral. Parisi e sheh si frymëzim. Hungaria si mik. Ne thjesht ta respektojmë madhështinë e një lideri që nuk po përsëritet më në trojet shqiptare.

Të respektojmë elementët e theksuar të Gjergj Kastriotit si lider, elemente për të cilat sot lëngon toka e tij: integritetin, guximin, sakrificën, qëllimin, modestinë dhe mos-përkuljen as jashtë, as brenda në besimin e tij që sot do përkthehej “Shqiptaria mbi të gjitha”. Vërtet sot nuk na duhet më shpata e Skënderbeut, por mendja e tij po. E zemra pro-arbërore, akoma më shumë.

Promovohen pullat postare të Kosovës dhe Maqedonisë me Gjergj Kastriot Skënderbeun

Gili Hoxhaj

Nën patronazhin e kryeministrit Haradinaj, sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës është mbajtur një ceremoni kushtuar 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Krahas fjalimeve që himnizojnë figurën e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, po ashtu në këtë ceremoni u promovua edhe pulla postare e Postës së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë, e cila paraqet figurën e Skënderbeut, të punuar nga Odhise Paskali.

Në këtë ceremoni fjalën e mori kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, i cili tha se në këtë ditë kujtojmë edhe heronjtë tanë Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zekën dhe të gjithë ata që janë flijuar për liri.

“Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte një ndër të parët në Ballkan që vizion e kishte rreshtimin me perëndimin. Ishte përcaktues se cilën rrugë duhej ta zgjedhin shqiptarët, ai ishte dhe vazhdon të mbetet fija e artë që na lidhë me aleatët tanë të përjetshëm, të djeshëm dhe të sotëm”, tha Haradinaj sot, ndërsa shtoi se breza të tërë shqiptarësh janë rritur dhe edukuar duke dëgjuar këngë e tregime për luftërat heroike e liridashëse të Gjergjit tonë të madh, shkruan KultPlus.

Pas tij fjalën e mori Kryeparlamentari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, i cili tha se Gjergj Kastrioti në mënyrë shumë të vendosur është angazhuar për bashkimin e principatave ballkanike. Për rolin dhe vendin e Gjergj Kastriotit në historinë kombëtare, si dhe për rolin dhe kontributin e tij në vlerat civilizuese kombëtare janë bërë një serë kërkimesh e hulumtimesh shkencore nga emra me autoritet në pothuajse të gjitha vendet evropiane.

“Sot përmbushim 550 vite nga vdekja e tij po vepra dhe trashëgimia e tij edhe sot është ende aktuale jo vetëm për shqiptarët, por edhe për popujt e rajonit”, ka thënë Xhaferi.

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, e vazhdoi këtë ceremoni me një program artistik, ku solli valle të përgatitura nga ky ansambël, ndërsa këngë me motive kombëtare e kushtuar heroit Gjergj Kastriotit, sollën këngëtaret Riza Bytyçi, Violeta Kukaj, Granit Musliu, Liridon Sadriu, e emra të tjerë.
I gjithë ky program u përmbyll me vallen “Festa e bashkimit”, e cila ishte e punuar sipas motiveve të këngës “Xhamadani vija vija”. / KultPlus.com

Bashkim Paçuku këndon ‘Barinjtë e Korabit’ në vitin 1988 (VIDEO)

Një tenor i pashoq dhe i paqortueshëm, Bashkim Paçuku gjithmonë ka ditur të na ngrohë zemrat e të na rrëqethë me zërin e tij të fuqishëm.

Paçuku, i lindur në Maqedoni dhe aktiv në muzikën klasike, në vitet 80-të paraqitej në Televizionin e Prishtinës asokohe krahas emrave të tjerë, me muzikën e tij të veçantë.

Në këtë video që po e sjellim sonte, për ta sjellë kuptohet edhe emocionin, Paçuku këndon “Barinjtë e Korabit”, në vitin 1988, ndërsa afër vetes ka Sabri Fejzullahun, Valentina Saraçinin dhe Shpresa Gashin, shkruan KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?v=cNY6XluXo3U

Paçuku e ka vazhduar karrierën e tij më shumë në muzikën klasike, ndërsa nëpër vite ka sjellë edhe bashkëpunime të ndryshme, mes tyre edhe me Bilbilin Nexhmije Pagarusha.

Bashkim Paçuku u lind nga prindërit shqiptarë në Dibër (Dibër-ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë), dhe u diplomua nga Fakulteti i Muzikës Art nga Universiteti i Shkupit / Shkup. Ai kishte dy vizita studimore: në La Scala të Milanos (Itali), Qendra e famshme për përkryerje të Lyrical Artisti dhe në Tiranë (Shqipëri) Teatri i Operës dhe Baletit. Përvoja e tij profesionale përfshin formimin dhe udhëheqjen e korit profesional të Radio / TV Prishtina në Kosovë (korit sot e Kosovës Opera Company), si një trajner, Asistent Dirigjent Mësues i Vocal Technique dhe solist.
Ai përfundoi studimet e tij dhe u diplomua nga Universiteti i Bostonit, Instituti i Operës, në shkallë më të lartë.
Ka marrë pjesë në 7 konkurse ndërkombëtare të “PI Tchaikovsky” ne Moskë, dhe në konkursin ndërkombëtar të “Belvedere” në Vjenë. Iu dha çmimi i parë në konkursin 20-të federal të artistëve muzikor në Zagreb, ku ka qenë i pakrahasueshëm me ndonjë solist tjetër. / KultPlus.com

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu – “Moisiu arbëror”

Nga Don Lush GJERGJI

Kaluan 550 vjet pas vdekjes së tij. Shumëçka ka shkruar historiografia botërore, diçka më pak ajo arbërore dhe shqiptare. Megjithatë kemi mjaft elemente për ta portretizuar dhe paraqitur atë në dimensione historike dhe aktuale. Figura e tij zgjon gjithnjë shumë mendime, vlerësime, shqyrtime, këndvështrime, deri te kundërshtimi, urrejtja, keqinterpretimi, frika nga e vërteta dhe jeta e tij. Kjo dëshmon bindshëm që aktualiteti i tij, “ballafaqimi” me të, siç duket, jo vetëm që nuk zbehet kurrë, por gjithnjë është personalitet, përmbajtje, porosi për të tashmen dhe të ardhmen tonë.

Ai popullit tonë Ilir dhe Arbëror ia gjeti rrënjët, ia gjeti damarin, ia ktheu besimin dhe dinjitetin, lirinë dhe pavarësinë, duke i përmirësuar gabimet e shumta të dinastive apo princave tanë, që të ndarë dhe përçarë, luftonin njëri – tjetrin duke u bërë “pré” e të huajve, në vend që të bashkoheshin për t’i luftuar armiqtë tanë të përbashkët dhe të përbetuar..

Besëlidhja e Lezhës (1444), akti kulmor i urtisë dhe strategjisë vizionare të tij, ku u vunë themelet për shtetin arbëror, me kohezion dhe bashkim në çdo kuptim dhe drejtim për formimin e binomit Shtet dhe Komb.

Hapi tjetër i strategjisë dhe urtisë së tij ishte bashkëpunimi me aleatet perëndimor, ndër të cilët duhet përmendur Mbretërinë e Napolit, atë të Venedikut, Raguzës, Papatin, Hungarinë, sidomos trimin Janos Hunyadi, por edhe shumë të tjerë. Këtu erdhi në shprehje aftësia e tij në diplomacinë e mirëfilltë dhe komunikim i vazhdueshëm me qendrat e rëndësishme evropiane.

Në këtë punë tejet të madhe dhe vendimtare Gjergj Kastrioti i ndriçoi dhe vlerësoi rrënjët tona ilire, pra, lashtësinë, traditën, kulturën, qytetërimin, krishterimin tonë që nga kohët apostolike, duke u frymëzuar nga këto vlera dhe virtyte ai dhe populli ynë, si pasardhës të Aleksandërit të Madh, të Ilirikut antik, të një historie dhe tradite të gjatë dhe të lavdishme shekullore, që qëllimisht ishte mbuluar me harresë dhe mospërfillje.

Nëpërmjet Jeroni De Radës, më vonë rilindësve tanë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ishte “ngjallur” edhe një herë në popullin tonë, në histori, traditë, kulturë, qytetërim, si model dhe ideal për çdo shqiptar, si mundësi për rikuperimin e historisë, ndërgjegjes, vlerave dhe virtyteve tashmë të harruara dhe tjetërsuara.

Nga ajo që dimë dhe mund të theksojmë:

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, pati forcën, vizionin, guximin, trimërinë t’i kthehet vetvetes, rrënjëve ilire dhe arbërore, fesë së krishterë dhe të vërtetës historike. Kthimi te burimi është porosi dhe testament shpirtëror i tij edhe sot për ne, kaq të ndarë dhe të përçarë, të shkapërderdhur anekënd, pa ndonjë identitet dhe personalitet bazik, pa vetëdije dhe përcaktim në këto tri pika: kush jemi, çka duam dhe si duam të realizojmë atë çka vërtet duam.

Ai nuk e kishte humbur kujtesën historike personale, familjare, fetare dhe kombëtare. Edhe pse babai i tij Gjon Kastrioti qe i detyruar t’ua dorëzonte Gjergjin në moshën e brishtë 9 vjeçare, diku në fillim të vitit 1415, Gjergji ynë i mbeti besnik historisë familjare, kombëtare dhe fetare.

Ai është shembull i shkëlqyer i përfaqësuesit të “diasporës”, i cili nuk mendonte me “bark”, por me krye, vlerësonte me mendje dhe me zemër, dhe thënë me gjuhën e Shën Nënës Tereze, e “jep pjesën më të mirë të vetvetes”, por për të tjerët, për të mirën e përbashkët për të gjithë, si model flijimi dhe dhurimi, altruizmi dhe atdhedashurie shembullore. Shtyllë jete dhe veprimi pati BESËN, dhe me Besëlidhjen Shqiptare më 2 mars 1444, vuri themelet e reja dhe të vjetra tona kombformuese dhe shtetformuese, duke nderuar traditat e përbashkëta, simbolet, mbi të gjitha synimet, idetë dhe idealet tona, nën flamurin e përbashkët drejt historisë dhe ardhmërisë.

Ai është dhe mbetet model i intelektualit, filozofit, dijetarit, vizionarit, burrështetasit, luftëtarit të pashembullt për popullin tonë ilir dhe arbëror, për ta gjetur edhe një herë vendin dhe dinjitetin e humbur, bashkimin dhe vëllazërinë gjithëkombëtare me popuj dhe vendet e qytetërimit të krishterë dhe evropian.

Kështu unë e vlerësoj figurën më madhore të historisë sonë, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, i cili së bashku me Shën Nënën Tereze, është përfaqësuesi më i mirë i lashtësisë, autoktonisë, krishterimit, traditës, kulturës dhe qytetërimit tonë shekullor ilir, arbëror dhe shqiptar, Njeri i Provanisë së Zotit dhe historisë sonë, figurë për nderim, admirim, mbi të gjitha imitim dhe vijim për çdo shqiptar. Historia, si Mësuesja e jetës, edhe një herë na fton dhe na mëson për atdhedashuri dhe vëllazëri gjithëshqiptare, si parakusht për zhvillim dhe përparim të gjithanshëm. / KultPlus.com

Mentor Berisha sjellë ekspozitën personale “Frymëmarrje në Gardh”

Më 23 janar në Galerinë e Ministrisë së Kulturës hapet ekspozita “Frymëmarrje në Gardh” e artistit Mentor Berisha.

Kuratori i kësaj ekspozite është profesor Fadil Hysa.

“Mentor Berisha është piktor dhe skulptor i brezit të ri të artistëve figurativ të Kosovës i cili kultivon një stil të veçantë pikturimi dhe skulpturimi, që rrallë e ndeshim tek artistët e brezit të ri. Në pikturat e tij mund të shohim imazhe nga e kaluara jonë, e cila rrezikon të tretet në harresë por fatmirësisht, ndonjëherë rrallë, si në këtë rast, ato ri-gjejnë rrugën e kthimit në kohën tonë përmes laboratorit krijues të artistit”, thotë kuratori, thuhet në komunikatën dërguar për medie.

“Frymëmarrje në Gardh” vjen më 23 janar me fillim nga ora 19:00 në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. Ekspozita mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe drejtohet nga Dhurata Ramosaj Shala – koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës./ KultPlus.com

Rënia e dëborës

Poezi nga Ismail Kadare.

Ty ndoshta nuk të shkoi ndërmend
Se qielli rastësisht s’u mbyll
Se kjo dëborë që shtroi kudo
Në të vërtetë ka rënë për ty.

U projektua çdo kristal
I saj në qiell të madh diku
Dhe nuk pushoi së rëni ajo
Gjersa i gjeti flokët e tu.

Që ti ta shkundje me një gjest
Shkujdesshëm krejt e gjithë gëzim
Një natë të tërë qielli punoi
me ernat në bashkëpunim.

Dhe në mëngjes i zbehtë ai,
I ftohtë hapej madhërisht,
ndërsa shëtisnim ne të dy
Nën altruizmin e tij të hirtë.

Fara e përlindjes sonë kombëtare

Ese: Ragip Sylaj

Nëse sipas psikanalistëve, mitet janë riprodhim i ëndrrave, mund të thuhet se këtu fillon edhe njëra nga përmasat mitike të Gjergj Kastriotit, që para lindjes së tij. Siç tregon Barleti ( ), “kur e ëma e tij (Vojsava) mbeti me barrë me të, pa në ëndërr se lindi një dragua aq të madh, saqë mbulonte gati gjithë Epirin, kokën e shtrinte ndërmjet kufijve të turqve, të cilët i përpinte me gurmazin e vet të gjakosur, ndërsa bishtin e mbante në det ndërmjet kufijvet të krishtera dhe sidomos të shtetit venedikas” (1). Dhe Gjoni “profetizoi me lehtësi se prej saj do të lindë një burrë i përmendur në luftë e në vepra, i cili do të ishte armiku më i rreptë i turqve dhe njëkohësisht kapedani i tyre më fatbardhë, mbrojtës i fesë së krishterë (…)” (2) . Duke filluar që para lindjes së kryetrimit tonë, kjo linjë e shtrin parabolën e saj deri “pas vdekjes së tij kur kërkojnë ‘një grimë asht të burrit’ për hajmali, që të mos i zërë plumbi dhe që t’u ecë fati si atij” (3). Esenca e kësaj aureole mitike nuk është e rastësishme (dhe ky nuk është zbulim imi), kuitesenca e këtyre përmasave është vetë qenia reale, që fatbardhësisht i kaloi kufijtë e asaj që është natyrore për një njeri të vdekshëm, andaj Gjergj Kastrioti me atributet e një njeriu të jashtëzakonshëm, i përftoi edhe përmasat mitike e legjendare.

Irealiateti i përçartjes së somnambulëve

Përmasën ireale kësaj figure, ndër më të shquarat në historiografinë tonë dhe atë botërore, u munduan t’ia mveshin serbët. Kjo ndodhi kur, nga thellësia e marrëzisë së tyre të begatshme, nxorën përfundimin se Skënderbeu na qenkësh bashkëluftëtar i Xhafer Devës dhe për shkak të saj nuk u lejuaka të mësohej në shkolla (bëhet fjalë për vitet ’80 të shekullit që shkoi). Këso faktesh nuk do të pjellë asnjë teatër absurdi ende sado imagjinatë e bujshme që ta vërë në lëvizje.
Një përmasë tjetër ireale që deshën t’ia zbulojnë somnambulët e përçartjes ishte edhe origjina e kontestuar e këtij vigani të historisë. Por, lidhur me këtë çështje historiani Flamur Hadri (i ndjerë) konstaton: “Tezat absurde të pak historianëve të huaj të shek. XIX, të cilët pretenduan që heroi kombëtar i shqiptarëve ishte me kombësi sllave ose greke, qenë rrëzuar përfundimisht nga historia skënderbejane e paraluftës” (4) (para L.II.B – plotësim imi).
Shkrirja e përbërjes substanciale reale me përbërësit mitikë te Gjergj Kastrioti ka amalgamuar figurën madhështore të historisë sonë kombëtare, e cila sa vjen e merr peshë historike e civilizuese, shkëlqim e dritë optimizmi etj. Le më që, përveç përbërësve të përmendur, aty gërshetohen e shkrihen si te rrallë ndonjë personalitet tjetër historik: perëndimorja (me emrin Gjergj, me besimin e krishterë, me simbolikën e diellit e të dritës…) dhe lindorja (me emrin Skënderbe, me besimin e shartuar-mysliman, me simbolikën e hënës, d.m.th. të natës…). Kështu, ai (Skënderbeu) del figurë ngjashëm si vendi dhe populli i tij), ku ndeshen, ku priten, ku pleksen, ku shkrihen e amalgamohen kundërshtitë më të skajshme. Tek ai është sublimuar trimëria, virtyti, shkëlqimi dhe, gjithsesi, edhe madhështia e popullit të tij. Pa e hedhur penelin e ngjyrosjes së portretit të tij real, sikurse edhe ishte besuar, qoftë për të gjallë të tij, qoftë pas vdekjes së tij, për shkëndijat hyjnore që kishin prafulluar nga shpirti ti tij i pamort, na duket shumë e arsyeshme kërkesa e presidentit (të ndjerë) të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, drejtuar Papa Gjon Palit II për shenjtërimin e kryetrimit tonë, pas kërkesës së ngjashme për shenjtërimin e Nënës Tereze, gjë e cila edhe u jetësua.

Esenca e rrezatimit të përtëritjes së shqiptarizmës

Tashmë duhet konsideruar se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu njihet në plotni, në të gjitha dimensionet që përbëjnë figurën grandioze të tij. Ai ishte esenca e rrezatimit të përtëritjes së shqiptarizmës, ose thënë shul shqip: ai është fara e Rilindjes sonë kombëtare. Figura e tij e ndritshme mbetet tepër frymëzuese, mbase së pari, nëpërmjet veprës së të madhit Barlet, “Historia e Skënderbeut”. I pashembëllyeshëm pothuaj mbetet (po ashtu) me asnjë figurë tjetër, jo vetëm të historisë sonë po as të asaj botërore (5), për luftërat titanike që kishte bërë me tërë madhështinë e thjeshtësisë dhe me shembullin e fisnikërisë më të lartë. Si i tillë, ai nuk kishte si të mos ishte forca më vitale e ripërtëritjes së shqiptarëve, përkatësisht udhërrëfyes mbase i vetëm për frymën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Me atributet e pakundshoqe që sintetizon figura e monumentale e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, edhe sot bashkë me flamurin e tij, mbetet simboli qenësor i qëndresës dhe i bashkimit kombëtar të shqiptarëve kudo që janë.

Fusnotat:

1 Marin Barleti, Historia e Skënderbeut, “Rilindja”, Prishtinë, 1988, fq. 50
2 Po aty, fq.50
3 Po aty, fq.33 (nga parathënia e Stefan I. Priftit), por të shikohet edhe faqja 490
Ndërkaq Fan S. Noli, Vepra 4 (Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (1405-1468), faqe, 174. At thuhet “Dhjetë vjet më vonë, kur pushtuan Lezhën, turqit hapin dhe varrin e tij, që të mernin copëra të koskave të tija, si hajmali që t’i bënin ata aq të paprekshëm, sa ç’e kishte famën se ishte edhe vetë Skënderbeu”. Të shikohet edhe Barleti, Vita, Libri XIII, fq. 373
4 Flamur Hadri, “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe epoka e tij n…”, fq.78
5 Shih edhe Ymer Jaka, Skënderbeu në letërsinë frënge, Rilidnja, Prishtinë, 1990, fq.26, ku ndër të tjera autori thotë: “Në kohën e luftërave qytetare në Francë Skënderbeu duhet të shërbente si shembull për bashkimin e kombit”
Te Fan S. Noli, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, fq.183,184: “Për sa u përket rezultateve të fushatave të tij, Kaliksti III i përmblodhi ato fare bukur kështu: Si një pendë e
patundshme, ai i preu vrullin vërshimit turk dhe nuk e la që ta përmbyste Evropën e krishterë”
“Dhe vërtet, pothuajse fill i vetëm, ai i qëndroi furisë së turqve mizorë si një ledh i patundur, duke mos i lënë të afroheshin dhe t’i turreshin krishterimit” (FARLATI)./ KultPlus.com

In memoriam Jusuf Gërvalla

Faqja e tretë e Jusuf Gërvallës.

Shkruan: Erenestina Gjergji Halili

Një nga fushat e dashura të mia, të cilat shënjuan rritjen, ishte gazetaria.Koha shqiptare prodhoi histori, gjatë gjithë periudhës së ushtrimit tim të profesionit.Njoha vendin tim pëllëmbë për pëllëmbë, njoha njerëzit, bukuritë e dëshpërimin, u rrita udhëve të tij me shenja e dëshmi… Vite më pas, në auditor ligjëroj ende edhe për gazetarinë televizive, si një nga aplikimet e mëdha e më të dashura të këtij profesioni aq të dashur nga të rinjtë. Një nga lëndët e mia, ishte edhe Faqja e tretë, të cilën e kam përgatitur me dashuri e vëmendje të veçantë, nxitur edhe nga përkushtimi i Profesor Artan Fuga, atëbotë drejtues i Departamentit të Gazetarisë e Komunikimit.

Më ra në dorë reportazhi letrar Me kompleksin e Anteut, të Jusuf Gërvallës, të nr.3.Jehona. Shkup.1972.
Sot flitet shumë mbi raportin e narrativës në gazetari, mbi raportet e reales, lajmit, faktit dhe fiksionit në mjeshtërinë e gazetarisë, siç kemi dëgjuar se letërsia nuk është lexuar ende, ndërsa gazetaria është e palexueshme, thënë prej Wajlld.

Rasti Ryszard Kapuściński, si rasti më i përfolur i ligjësive të reportazhit të udhëtimit, i dëshmuar edhe në librin e ish-nxënësit të tij, Artur Domoslawski, Kapuściński non fiction ( titulli në original), si dhe polemikat mbi faktin,kanë përfshirë botën gazetareske e më gjerë. Të gjitha argumentet sillen rreth pyetjes- bosht: A informojmë përmes letërsisë, detajit si pjesë e tekstit letrar, nga ana tjetër a duhet të marrim kënaqësi estetike nga leximi i faktit gazetaresk? A mund të jenë bashkë këto dy fusha të shprehjes njerëzore? Në të gjitha pyetjet e gritura gjejmë shembuj autorësh, të cilët kanë eksploruar të dy kampet, si Balzak, Dikens, gjatë viteve 1800 e më vonë Zola e Matilde Serao, Passolini, Calvino, Orwell,i cili nisi polemikat e më pas solli veprën e tij Animals Farm, të paralajmëruar pikërisht në Faqen e tretë.

Termin reportazh, të lindur fillimisht në Itali e shohim të evoluojë edhe në terma si :non fiction writing e/o travel literaturee më vonë me togfjalëshin New Giornalsm në SHBA, me përfaqësues si:Truman Capote, Norman Mailer ose Gabriel García Marquez. Prej fillimit të konceptit të Faqes së tretë, faqes së dedikuar narracionit, romanit shtojcë, rubrikës me thelb të dukshëm letrar e deri në raportet konceptuale të përfshira në analiza transgjenerike, thelbi mbetet i njëjtë. Reportazhi dhe natyrat e tij, si dhe kërkimi i mjeteve, larg leksikut stereotipik, për të kapërcyer “paplotësinë” përmes letërsisë- si për të përligjur mendimin e Kapuściński -shkaktuar nga gjuha e shtypur e pamjaftueshme në krahasim me shumëllojshmërinë e realitetit të kulturave, traditave apo feve të huaj. Ndaj ende mbetet në këmbë përkufizimi i Clifford Geertz, referuar letërsisë së udhëtimit e reportazhit letrar, si zhanre konvergjence e vijave paralele. Gazetaria e Re amerikane, u cilësua pikërisht për përshkrimin e ngjarjeve dhe njerëzve në mënyrë autentike, përmes formave dhe stilit të asaj që ne e quajmë narrativë apo fiksion anglo-sakson.

Dhe duket se Jusuf Gërvalla ndjek këtë metodë përshkrimi…
Reportazhi i tij ka një pikënisje: Një stacion treni, ku toka lëviz nën rrota, me vete ka një hajmali që do ta ruajë nga qyteti mëi madh i atyre anëvë, ku po shkonte si destinacion udhëtimi, kish një copë vendlindje të ndryrë në parzëm, si mit, si kompleksi i Anteut, birit te Geas( Perëndisë së tokës) e i Poseidonit ( perëndisë së ujrave), ani pse i vetëdijshëm për dobësinë e tij…
Me se ta peshonte një dridhmë, që ende nuk ia dinte shkakun?
Kësaj nuk ia doli as Anteu i madh…

Rëndë, rëndë, lehtë e ëmbël,
rrëmbyeshëm… kjo qenka masa !

I rri pranë e pandashmja, kitara, e dashura e shpirtit, ajo që i gëzon edhe askun erotik, ajo që i kupton dhimtën e shpirtit, e pagojta kur duhet, e gjithëdijshmja kur flet…
Mbërrin në Qytetin e Madh, me shushurima të rrëmbyeshme të çisternave që lajnë me vrer trotuaret, në dhomën 337 takon Ehat Musën, në fakt kujdeset të rrëfejë se e gjen në gjumë, një natë më pare, ai ka qenë në koncert. Ndërsa lë shokun të kotet, autorin e rrëmbejnë kujtimet, në retrospektivën autoriale, qyteti prej nga mori një copë Anteu nuk po fle, një burrë tjetër para tij ka shpejtuar me partitura nën sqetull, më pas një tjetër, një tjetër, që kanë shënjuar vlerat e vërteta të artit, po sikur nuk po dëgjohet më për ta…

Dhe dikur Ehati këndellet e miqtë flasin e flasin per muzikën, shokët, autorët e mëdhenj, duke u përpjekur të mos flasin për të arriturat personale, siç bëjnë në fakt miqtë…
Eh, ta shihje Ehatin duke nxjerrë nga këllëfi kitarën, duke mbështetur belin e saj mbi gjunjë, duke i ledhatuar lehtësisht gushën, duke i ngrohur me gishtërinj fijet e holla të zërit dhe ajo që nxirrte ofkëllima lozonjare, si mëz i llastuar duke u hedhur herë në gjymtyrët e parme e herë në të prapmet,,rëndë, rëndë, lehtë e ëmbël, rrëmbyeshëm…derisa triptikut i afrohet fundi.
Ndarja, miqtë duhet të ndahen, vetëm se nuk duhet bërë pyetja se si u dashurua me kitarë, ajo pyetje, jo.
Në kupenë e trenit, nën të cilën toka lëviste, ai e di një gjë: Eterin do ta shpojë edhe për një kohë tingulli i një kitare edhe pse qyteti mban shushurimën e çisternave që lajnë me vrer trotuaret, ligjërima e kitarës, paralajmërohet, se do të vijë në trojet e Jusuf Gërvallës. Jemi në vitin 1972…
Dhe do të vijë dendur, dendur, ëmbël e hareshëm, allegro con esperanza…

I gjithë arkivi i mjeteve që paraqitëm, duke dashur të risjellim në vëmendje falubën, konsiderohet i vlefshëm për të parë situatën fakt, por ndërkohë, ato qëndrojnë si pushka e Çehovit, koncept i njohur dramatik, si parakusht detajor, që sjell aksion e suspancë. Nga njëra anë kemi një rrëfim real, me koordinata të sakta e konkrete, me situate të udhëtimit, duke pasur para syve praninë e autorit, si dëshmi reale e faktit raportues, në anën tjetër, associimin me situata metaforike, që dëshmohen në retrospektivë e në kohën e tashme të rrëfimit të reporterit- shkrimtar, të cilat janëprodhim i ligjërimit fiksional. Si pasojë mbërrijmë në të ashtëquajturën Tregim i tregimit. Reportazhi i tij narrativ, shfaqet si një tipologji tekstuale, ku përshkruhet subjekti narrativ nga këndvështrimi subjektiv personal. Në të nuk kemi një rregjistrim të thjeshtë faktik të udhëtimit të tij, udhëtimi i tij nuk është më një justifikim realist, nuk është i mjaftueshëm dhe mbi të gjitha synim i selektimit tëtoposit, çka na jep tablonë e një zhanri hibrid, ku dallimi fiction– nonfiction, nuk ka më kufij të saktë , po aq sa edhe raporti mimesis- invencion, apo subjektit që vëren dhe objektit të vëzhguar.
Aq sa dallojmë koordinata udhëtimi, aq shohim përsiatjen e trajtuar si fiktion, dialogët, përshkrimet realiste nga ana tjetër, por edhe figurat si metafora, epitete,krahasimet e bëjnë leximin të rrjedhshëm e imagjinativ si dhe konfirmon idenë e Bakhtin, rreth polifonisë karakteriale, që ndërton mozaikë të pasur socialë,pluralitetin e ideve, të cilat mbajnë raportin ide konsensuale- kundërshtinë e fuqisë, ku zërat, personazhet, teksti, autori, mbivendosen.Rrëfimi shndërrohen në një arenë, ku subjekti, diskursi dhe realitetet e botës konfrontohen.

Mjeshtri i fjalës si ai, synimit faktik i ka veshur gjithë aureolën e kënaqësisë estetike të leximit, duke synuar të kumtojë idenë e tij dhe të dekodohet përata që kuptojnë.
Në ndarje me mikun, por në të njëjtin vend nga mbërriti për tu bashkuar, diktoi se po kthehej me një shqetësim më të vogël e një përshtypje më tëpër…
Ai pyet ekzistencialisht, gjatë udhëtimit triptik, ku shenjat shihen dendur, dendur…
– Ç’pe ashtu mbi tela, Jusuf Gërvalla ?!/KultPlus.com

As humbëse, as qaramane

Poezi e shkruar nga Maya Angelou.
Përktheu: Orjela Apolloni.

“E urrej kur humb diçka,”
pastaj ajo kokën anon,
“qoftë edhe ndonjë cent, veç vdekja më shpëton.
S’mund ta shpjegoj këtë. S’ke çka shton,
Përveç që e urrej kur humb diçka.”

“Njëherë humba një kukull dhe një javë derdha lot.
Ajo i hapte sytë, bënte gjithçka, veç që s’fliste dot.
Besoj se atë e mori ndonjë hajdut kukullash e të tillë ka plot.
Po të them se e urrej kur humb diçka.”

“Njëherë, një orë që kisha, më ra nga dora dhe e humba.
Në atë orë për matjen e ditës ishin dymbëdhjetë numra.
Krejt çka mund të them për orën, që ta harroja s’munda,
Është se vërtet e urrej kur humb diçka.”

“Tash, nëse për orën dhe për kukullën ashtu jam ndjerë.
A s’mendon çka ndjej nëse dikush të dashurin ma merr?
S’po të kërcënoj, madam, por ai është kënaqësia ime n’terr.
Dhe dua të them që vërtet e urrej kur humb diçka.”

Skica e rrallë e Van Gogh do të shfaqet për herë të parë pas 100 viteve (FOTO)

Dashamirësit e artit tani mund t’i shohin katër vepra të harruara nga mjeshtrit holandez Vincent Van Gogh dhe piktori i shekullit të 17- të, Govert Flinck, shkruan The Guardian, përcjellë KultPlus.

Këto punime dalin në pah, pasi kanë qëndruar të mbuluara nga pluhuri për më shumë se 100 vite. Punimet përfshijnë një vizatim të Van Gogh-ut që nuk ishte parë më herët dhe që kishin qëndruar në një vend të fshehtë deri më tani.

E quajtur “Hill of Montmartre with Quarries”, vepra artistike e Van Gogh daton që nga viti 1886 kur ai jetonte në Antwerp dhe Paris, ku edhe punoi në studion e piktorit historik francez Fernand Cormon.

Skica, së bashku me një vizatim të dytë “Hill of Montmartre”, u zbuluan të martën në një ekspozitë në muzeun Singer Laren, në Holandën qendrore.

“Një zbulim i tillë është gjithmonë i madh. Është me të vërtetë e jashtëzakonshme dhe nuk ndodh shpesh”, tha për AFP Teio Meedendorp, studiues i lartë për Muzeun Van Gogh të Amsterdamit./ KultPlus.com

Skënderbeu sot vlerësohet e studiohet në Akademinë Mbretërore të Londrës për strategjinë dhe taktikën e tij ushtarake (FOTO)

Në kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, Muzeu Historik Kombëtar hapi ekspozitën me armë mesjetare si dhe libra të autorëve të ndryshëm dedikuar prijësit mesjetar të shqiptarëve. Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite kishte mjaft të pranishëm, të interesuar për dokumentacionin e larmishëm, pjesë e këtij koleksioni, përcjellë KultPlus.

“Personaliteti i Skënderbeut si burrështeti, strateg e mjeshtër i artit ushtarak dallonte me mbretërit e me princat evropianë të kohës, sepse ndryshe nga veprimtaria ushtarake e tyre që bazohej mbi trupat mercenare, ai u mbështet mbi një ushtri të formuar kryesisht nga vullnetarë që kishin gatishmëri luftarake dhe shpirt vetëmohimi”, ka thënë drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, në hapjen e ekspozitës “Moti i Madh” e cila përkujton 17 janarin e vitit 1468, ditën kur një prej gjeneralëve më të mëdhenj të të gjitha kohrave, politikani, diplomati e burrë shteti, mbylli sytë.

Ekspozita “Moti i Madh” është si një kujtim e si një shenjë e bashkësisë arbëreshe që nëpërmjet traditës së vet dhe letërsisë së shkruar e mbajti të pashuar zjarrin e viteve të Skënderbeut për ta ringjallur ashtu si Feniksi në memorien dhe kujtesën kolektive të mbarë shqiptarëve.
Sipas Dorian Koçit, Skënderbeu sot vlerësohet e studiohet në Akademinë Mbretërore të Londrës për strategjinë dhe taktikën e tij ushtarake, ndërsa bustet dhe monumentet e tij janë në të gjitha sheshet qendrore evropiane, ndaj është një hero dhe simbol i qytetërimit evropian.

Ekspozita përmban statute, faksimile, gravura të autorëve të ndryshëm dhe portrete, kryesisht nga përkthimi i Marin Barletit në Gjermanisht i vitit 1533 ku janë të përfshirë rreth 107 ilustrime. Si autorë të mundshëm përmenden Hans Burgmair, Jorg Breu i Vjetri, Jorg Breu i Riu etj. Përzgjedhja e këtyre gravurave që pasqyrojnë shpirtin e kohës është bërë me qëllimin për ta parë Skënderbeun ashtu si e vështroi dhe përjetoi Evropa e Humanizmit e shekullit të XI-XVI.

Projeksionet artistike me dokumentarë dhe imazhe nga filmat për Skënderbeun pasurojnë ekspozitën “Moti i Madh” gjatë gjithë hapësirës së hollit kryesor të Muzeut Historik Kombëtar./ KultPlus.com

Arbëreshët e Italisë dhe Kroacisë, klerikët fetarë e shumë qytetarë sot vizituan varrin e Skënderbeut në Lezhë (FOTO)

Sot 550 vite më parë ka vdekur heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Kësisoj në këtë ditë është e pamundur që secili shqiptar të mos e vizitoi varrin e Skënderbeut në Lezhë dhe kjo gjë mrekulloi sot edhe drejtorin e Trashëgimisë Kulturore-Historike në Lezhë Paulin Zefi, shkruan KultPlus.

Zefi, sot përmes rrjetit social Facebook, shprehi falënderimet e përzemërta për të gjithë ata që ndanë kohën që të vizitojnë vendin ku prehet përjetësish heroi kombëtar shqiptar.

“ 550 vite(1468-2018); nga kalimi në amshim i Heroit tonë Kombëtar, GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBEU”…*Falenderoj nga zemra të gjithë pjesëmarrësit e shumtë që na nderuan me praninë e tyre por në vecanti, Arbëreshët nga Italia e jugut, Arbneshët e Kroacisë, Shqiptarët e Turqisë dhe Shqiptarët e mrekullueshëm të Kosovës që janë të denjë për cdo lëvdatë…*Falenderoj punonjësit e Bashkisë-Lezhë, por në vecanti Stafin tim dhe të gjithë ata që na ndihmuan sadopak(me punë, jo me fjalë) në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti kaq të rëndësishëm për mbarë Kombin-Shqiptar.*Lavdi jetës dhe veprave të hyjnorit”GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBEU”, ka shkruar Paulin Zefi, bashkë me publikimin e disa fotografive nga vizitat e ndryshme që iu bënë varrit të Skënderbeut./ KultPlus.com

Zbulohet busti i heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Gjilan (FOTO)

Në Gjilan, në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit 2018”, u zbulua busti i heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, shkruan KultPlus.

Me këtë rast, një fjalim mbajti edhe i pari i Gjilanit Lutfi Haziri, i cili theksoi se ky bust dhe ky vend do të rrezatojë mbi gjeneratat e reja.

“Në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit” ne jemi krenarë dhe ndihemi krenarë para veprave të mëdha të patriotëve e baballarëve tanë që na mësuan se si të luftohet për liri. Skënderbeu është shkaku që ne jemi gjallë. Ky bust dhe ky vend do të rrezatoj mbi gjeneratat e reja”, tha Lufti Haziri./ KultPlus.com

Matthias Pfaffenbichler: Shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut nuk do të zhvendosen në Shqipëri (VIDEO)

Historiani dhe drejtori i Muzeut të Armëve në Vjenë, Matthias Pfaffenbichler, hedh dritë se si vajti shpata dhe përkrenarja në Muzeun e Vjenës, në një intervistë për “Deutsche Welle”.

Ndër të tjerash, ai ka folur edhe për kontekstin historik të simboleve të Skënderbeut, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar.

Shpata dhe përkrenarja e Heroit, – që ndodhen në Muzeun e Vjenës, – erdhën dhe u ekspozuan në Shqipëri në vitin 2012, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, ndërsa këtë vit, i shpallur nga qeveria shqiptare si Viti i Skënderbeut, nuk ka plan për zhvendosjeje drejt Shqipërisë, – pasi ato janë pronë e Mbretërisë së Hasburgëve

Sipas Pfaffenbichler, Ferdinand von Tirol, një koleksionist i njohur dëshironte me çdo kusht të kishte simbolet e Skënderbeut në koleksionin e tij. “E nëse një koleksionist e dëshironte këtë gjë, tregu i artit e prodhon këtë”.

Por a është origjinale përkrenarja e tij, aq shumë e mitizuar.

Ndiqeni këtë intervistë tejet interesante nga DW, me drejtorin e Muzeut të Armëve në Vjenë. (Përshtati nga DW: Edmond Prifti/Konica.al)./ KultPlus.com

BKK, hapë ekspozitën me koleksionin e pazbuluar të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut (FOTO)

Gili Hoxhaj

Ekspozita me titull “Lirinë e gjeta këtu” kushtuar 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, sot mblodhi shumë vizitorë të cilët më shumë vëmendje shikonin materialet e koleksionit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë prezantoi një kronologji të materialeve për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, duke shfaqur një korpus të përzgjedhur të librave, artikujve, citateve dhe fotografive, që po ekspozoheshin për herë të parë dhe që shumë prej tyre pasqyrojnë ndikimin e figurës emblematike të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, në kulturën dhe dijen në Kosovë.

Ekspozita nxjerrë në pah rëndësinë e kësaj figure emblematike e cila kishte zgjuar interesin e krijuesve nga vende të ndryshme të botës. Gravurat angleze, franceze, gjermane, e italiane kishin zënë vend në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Ndërsa artikuj gazetash që qëndronin në anën tjetër të hollit, nxirrnin në pah fakte tejet të rëndësishme lidhur me figurën heroike të Skënderbeut. Ndërsa në hollin sipër ndodheshin një serë botimesh të huaja dhe shqiptare, ku përfshiheshin botimet që nga koha Marin Barletit. Ilustrimet sipër po ashtu tregonin rrugëtimin heroik të jetës së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut.

Hapjes së kësaj ekspozite i paraprinë fjalët e drejtorit të BKK-së, Fazli Gajrakut i cili tha se Skënderbeu ishte prirës me të cilin ka filluar dhe ka marrë formë ideja identitetit shqiptar, shtetit shqiptar dhe ideja e bashkimit shqiptar ndërsa shtoi se Gjergj Kastrioti është figura më e madhëruar e shqiptarëve.

“Figura e Gjergj Kastriotit është figura më monumentale që është thirrur në ndihmë gjatë periudhave të vështira. Ne po i zbulojmë këto materiale që të ngjallim kujtesën për lavdinë e një të kaluare të cilën sa më shumë e kujtojmë, aq më mirë i kemi punët. Edhe pas pesë shekujve dalin fakte interesante dhe të pazbuluara ndonjëherë duke u bazuar në monedha, letra zyrtare, pamflete, kronika, regjistra të gjetura në arkiva turke dhe ato evropiane” ka thënë Gajraku sot gjatë hapjes së kësaj ekspozite.

Gajraku tha se ky koleksion tregon se Figura e Gjergj Kastriotit nga koha e Barletit e deri më sot ka tërhequr vëmendjen e politikanëve, historianëve studiuesve të letërsisë së shkruar dhe popullore, të historisë së qytetërimeve, të piktorëve, skulptorëve, regjisorëve e të rapsodëve.

Pas tij fjalën e mori Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi i cili tha se ndihet i nderuar të jetë pjesë e hapjes së kësaj ekspozitë ndërsa tha se figura e Skënderbeut gjatë shekujve të tërë ka qenë frymëzim për gjenerata të tëra se si duhet dashur e ruajtur atdheu, ndërsa theksoi se ai po ashtu ka qenë frymëzim për shumë krijues.

“Skënderbeu me veprimtarinë e tij ka nderuar popullin shqiptar duke u bërë ambasadori më i mirë i mbrojtjes se vlerave civilizuese dhe evropiane. Sa më shumë kohë që do të kaloi figura e Skënderbeut do të bëhet gjithnjë e më e rëndësishme” tha ministri Gashi ndërsa shtoi se kjo ekspozitë është një kontribut i çmuar i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe duhet të mbete si një shembull i mirë që secili nga ne të jap kontribut në ndriçimin e historisë tonë të pasur. / KultPlus.com

Përvjetori i “Beqir Musliut” i kushtohet gazetarit Ganimet Klaiqi

Me rastin e 18 vjetorit të Klubit të Gazetarëve “Beqir Musliu”, në vend të shënimit dhe prezantimit të punës për vitin 2017, është vendosur që ky përvjetor t`i dedikohet jetës dhe veprës së Ganimet Klaiqit i cili ishte pjesë e Bordit të Klubit që nga themelimi.

Musa Sabedini kryetar i këtij Klubi ka thënë se Ganimet Klaiqi mbetet njëri nga personat kyç që dha kontribut të pamohueshëm në avancimin dhe zhvillimin e Klubit. Ganimet Klaiqi ishte gazetar i përkushtuar, njeri që dinte të respektonte të tjerët dhe mbi të gjitha njeri human e njerëzor, shkruan rajonipress.

“Sot është dashur që Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” të shënoj 18 vjetorin e themelimit të tij. Ky klub edhe gjatë vitit 2017 ka qenë pjesë e debateve me interes për publikun dhe qytetarët e Gjilanit. Kanë dominuar temat që lidhen me infrastrukturën, shëndetësinë, kulturën, shërbimet publike etj.”, ka thënë Musa Sabedini.

Por Klubi gjatë vitit 2017 mbeti pa anëtarin e saj më të devotshëm Ganimet Klaiqin i cili u nda nga jeta vetëm fizikisht në maj të vitit 2017.
“Vdekja e Ganimet Klaiqit ka lënë zbrastësirë të madhe në veprimtarin e Klubit dhe ky përvjetor i dedikohet enkas jetës dhe veprës së Ganimet Klaiqit”, ka thënë Musa Sabedini.

Sabedini ka thënë se Ganimet Klaiqi kudo që ka është ndodhur ka punuar për ta avancuar veprimtarinë e Klubit.
“Ganimeti asnjëherë nuk ka prituar që të punojë për Klubin, të jap kontributin e tij edhe kur nuk ndodhej fare në Klub. Kjo na bënë të ndihemi krenar dhe të jemi mirënjohës përgjithmonë”, ka shtuar Sabedini.

“Për gazetarinë kosovare e në veçanti për gazetarinë e Anamoravës humbja e Ganimet Klaiqit është e madhe dhe e pa zëvendësueshme. Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” do ta kujtojë e përkujtojë gjithmonë me krenari e mburrje veprën dhe punën e mirë e të dobishme që ka bërë Ganimet Klaiqi”, ka shtuar Sabedini.
Ganimeti do të mbahet mend gjatë edhe për anën profesionale të tij, për respektin e dashurinë njerëzore që ka treguar ndaj të tjerëve. “Janë të rrallë njerëzit sikurse Ganimet Klaiqi i cili ka punuar me shumë devotshmëri në profesionin e gazetarit, duke dhënë maksimumin nga vetja dhe duke qenë në shërbim të lexuesve e publikut”, tha Sabedini.

Pak biografi për Ganimet Klaiqin

Ai lindi më 26 janar 1965, në Poliçkë të Kamenicës. Shkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje, të mesmen në Dardanë, fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prishtinë, si dhe studimet e nivelit master i ka mbaruar në Fakultetin e Filologjisë, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Klaiqi gjatë vitit shkollor 1993/1994, ka punuar si arsimtar i Gjuhës dhe letërsisë shqipe, në shkollën fillore “Abdullah Krashnica”, në Preshevë.
Më 1997 kishte nisur punën si korrespondent në të përditshmen “Koha Ditore”.
Pas përfundimit të luftës, në institucionet e përkohshme ka punuar një vit si shef i Zyrës së Informacionit në Kamenicë. Gjatë kësaj kohe është marrë me shkrime të ndryshme, në prozë e poezi. Në vitin 2000 i është rikthyer gazetarisë ku ka vazhduar deri më 2015, ku në të njëjtën kohë filloi ligjërimin edhe në UBT, për të vazhduar këtë punë deri në ditët e fundit të jetës së tij.

Disa orë para se të vdiste, ai la një porosi për institucionet, gazetarët dhe studentët e tij:

“Të nderuar miq, profesorë, gazetarë, familjarët e mi të dashur, vëllezër e motra, që më rrini pranë në këto ditë të vështira për shërimin tim. Lajmet nga shoqëria po vinë si bombë e kurdisur, pa rrugëdalje, për shkak të mendësisë del të jetë primitive, sepse sulmet ndaj mendimit të lirë janë sulme ndaj vetë historisë njerëzore. Edhe në organizimet më të vjetra liria e shprehjes ishte dhe mbeti bosht i demokracisë. Mos i sulmoni gazetarët për bindjen e lirë, ata mund të jenë shtyllat që i japin hov luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar! Janë tanët dhe ashtu i duam!!”.
Më poshtë po japim disa nga momentet e shumta ku Ganimet Klaiqi shfaqet ose në debatet e Klubit ose në përvjetorët e përbashkët që Klubi i organizonte për çdo vit.
Ndryshe, “Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu”, është themeluar më 16 janar 2001, me iniciativën e gazetarëve rajonalë. Ky klub, që nga themelimi, ka organizuar dhe mbajtur mbi 200 debate e tryeza, me interes për shoqërinë civile dhe qytetarët e Gjilanit e të Kosovës. Synim i këtij klubi ka qenë dhe mbetet avancimi i gazetarisë rajonale, përparimi dhe avancimi i shkrimeve, informimi i shpejt, objektiv dhe i paanshëm si dhe involvimi i qytetarëve në proceset vendimmarrëse”, thotë Musa Sabedini.
Musa Sabedini ka përkujtuar se ky Klub për këto 18 vite ishte në shërbim të informimit të drejtë, të saktë, të paanshëm dhe objektiv dhe me sukses ka arritur të realizojë misionin, duke informuar drejt, korrekt dhe në mënyrë shumë profesionale.
Duke folur për aktivitetet dhe punën e këtij klubi Sabedini tha se tashmë janë bërë 18 vite që ecëm e rrugëtuam bashkë. Folëm, diskutuam, trajtuam, polemizuam temat nga më të ndryshmet.
“E filluam punën tonë me shumë përkushtim duke u angazhuar maksimalisht të punonim dhe të ecnim në hap me kohën. Edhe gjatë vitit 2017 rrugëtuam bashkë, diskutuam bashkë, sensibilizuam bashkë, folëm e dhamë ide së bashku. Trajtuam problemet më jetike të qytetit të Gjilanit, Anamoravës dhe, kur ishte nevoja e momenti, edhe të Kosovës”, ka thënë Sabedini.
“Me debatet tona treguam vlerat e demokracisë dhe avancuam vlerat e kulturës debatuese. Dhe i vetmi qëllim që na bashkoi ishte interesi i vetëm i përbashkët – mirëqenia e qytetarit dhe avancimi i të drejtave të tij. Ishim ndërtues të institucioneve tona, dhamë një kontribut të pamohueshëm, që këto institucione të jenë në shërbim të qytetarëve”.
Sipas tij sovran i vetëm ishin qytetarët dhe ata që e deshën dialogun e hapur, të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë.
“Gazetarët e Gjilanit për këto 18 vite me përkushtim ishin në nivel të detyrës dhe asnjëherë nuk janë gjunjëzuar para së keqes e dukurive negative. Thjesht, ishim vrojtues dhe njëkohësisht atakues të gjithçkaje që ishte interes i qytetarëve. Reaguam, kundërshtuam dhe mbrojtëm në çdo kohë gazetarët dhe punën e tyre të vështirë”.
Sabedini shton se tryezat dhe debatet e Klubit ishin arenë konfrontimesh, idesh e sugjerimesh.
“Dhe, ju sigurojë që, edhe në vitet e tjera, ky Klub do të jetë në shërbim të profesionit të tij, gazetarisë hulumtuese, dhe në shërbim të avancimit të vlerave morale e njerëzore të të gjithë atyre që duan një ambient, ku mbizotëron ligji, ku krimi goditet pamëshirshëm, ku viktima mbrohet, ku e keqja merr përgjigjen e merituar”, ka thënë Sabedini.
Gjatë viti 2017, sipas Sabedinit, janë trajtuar tema që lidhen më infrastrukturën, shëndetësinë, kulturën, shërbimet publike etj./ KultPlus.com