Haradinaj para shtatores së Skënderbeut: Me pietet përulemi para gjithë të rënëve për liri

Në kuadër të organizimeve të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, në 550-vjetorin e vdekjes, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga kabineti qeveritar dhe Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, bëri homazhe te shtatorja e heroit kombëtar, në sheshin që mbanë emrin e tij në Prishtinë.

Me këtë rast, Haradinaj tha se ky nderim është pjesë e aktiviteteve të përbashkëta të dy qeverive, Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës për Vitin Mbarëkombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

“Në këtë ditë kujtojmë gjithë veprën e madhe, luftën e madhe dhe gjithë të arriturat e heroit tonë, të arritura, në të cilat edhe ne sot ndërtojmë të tashmen dhe e kemi të garantuar të ardhmen. Po ashtu, me pietet përulemi para gjithë të rënëve për liri. Sot kujtojmë me respekt heronjtë e Kosovës, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka”, tha Haradinaj./ KultPlus.com

Samir Karahoda dërgon gratë 100 vjeçare të Kosovës në Festivalin Ndërkombëtar të Fotografisë në Stamboll

Në Stamboll nga data 19 janar deri më 11 shkurt do të mbahet edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë, ZFotoFest.

Në këtë edicion do të prezantohen 54 projekte në formë ekspozite duke përfshirë edhe punime të emrave të njohur botëror si fotografët e National Geographic Ami Vitale e Matheë Paley si dhe emra të tjerë si Abelardo Morell, Corey Arnold e Kamil Firat…

Samir Karahoda do të prezantohet me projektin Centenarian i cili paraqet portretet e grave 100 vjeçare të Kosovës. Projekt i cili edhe u ekspozua në Prishtinë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës.

Po ashtu në festival do të ketë një numër të madh aktivitetesh si ëorkshope, debate, biseda, prezantime të portfoliove të fotografëve të rinj ku po ashtu edhe autori Samir Karahoda të dielën me 21 janar do të mbaj një Artist talk për të folur për punën dhe eksperiencën e tij si fotograf.

Hapja zyrtare e festivalit dhe ekspozitës do të bëhet të premten me 19 janar prej orës 19:30 në qendrën kulturore në rajonin e Zeytinburnu të Stambollit.

Të ju kujtojmë, projekti “Centenarian”, paraqet Historinë e nënave Kosovare të cilat kanë arritur të jetojnë mbi një shekull ku përmes portreteve të tyre paraqitet karakteri i tyre i fortë dhe historia përmes rrudhave në fytyrë./ KultPlus.com

Filmi i Besim Ugzmajlit, premierë në Manchester Film Festival (VIDEO)

Më një rrëfim të fuqishëm, kastë aktorësh kosovarë e një ekip të madh pas syrit të publiku, regjisori kosovar Besim Ugzmajli sjellë filmin e tij të metrazhit të shkurtër “Forgive me”, shkruan KultPlus.

“Forgive me” i cili para pak ditësh përfundoi do të shfaqet premierë në festivalin Manchester Film Festival, ka njoftuar vetë regjisori Ugzmjali përmes një publikimi në rrjetin social Facebook.

Një djalë i ri, i quajtur Bujar, manipulohet nga një imam kosovar që t’u bashkohet grupeve terroriste që luftojnë në Siri. Ai i bashkohet luftës tinëzisht dhe pastaj i kërkon ndihmë vëllait të tij t’ia dërgojë në Siri edhe gruan. Por vëllai tmerrohet nga veprimet e Bujarit dhe i kërkon të kthehet në Kosovë. Bujari e kërcënon gruan e tij se nëse nuk i bashkohet në Siri do të martohet me një grua që ka mbetur e ve nga lufta.

Ky rrëfim do të shfaqet në këtë festival i cili ka rezervuar datat nga 1 deri me 4 mars ndërsa filmi kosovar do të shfaqet më 3 mars me fillim nga ora 13:00. http://www.maniff.com/shorts-2018

““Forgive me”eshte premiere ne Manchester Film Festival, ku pjesmarres ne kete Festival jane edhe Sean Penn, Jodie Foster, Jonathan Meyers e shume artist te tjere”, ka shkruar Ugzmjali i cili poashtu ka publikuar edhe traileri-n e filmit.

“Forgive me” është jetësuar nga aktorët: Agron Shala, Semira Latifi, Bibi Qena, Kushtrim Asllani, Ekrem Sopi, Sherif Bega, Orik Berani, Adrian Obertinca, Kosovare Hoti.

Ndërsa drejtor fotografie në këtë film ishte Latif Hasolli, tonist Gezim Rama, kostumografe Samka Ferri…/ KultPlus.com

Do të kthehem nënë

Poezi e shkruar nga Jusuf Gërvalla.

Sa fort më mundon
Vetmia, o nanë
E votër braktisa një ditë
N’vendlindje ishte vjeshtë
Tani vonë
Të presin të korrat e brengat

N’mendime më ke tretur
Tani, o nanë
Për birin që të la në vetmi
Shikim imi kah dera, kah dera më përgjon
Trokitje të lehta dëshiron.

Ktheu shpejt më ke pas thënë
Se brengat më kanë molisur
Të presin shokët në varr nën bli
Porositë e babit tënd

Kaluan pranvera dhe vjeshta o nanë
Që kur të ndjell veç një kthim
Nëse vetë nuk do të mundem
Do i them birit tim
Në vendlindje të shtrojë çdo gëzim

Të lutem jeto me shpresa o nanë
Se një ditë dikush do të trokllojë
Në atë votër ku së pari zëri im jehoi
Andej nipat do të ngrejnë shtëpinë.

Për një këshillë mbarëkombëtare për Vitin e Skënderbeut

Shkruan Rexhep Qosja.

Qeveria e Shqipërisë e ka shpallur vitin 2018 Vit të Skënderbeut.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka propozuar themelimin e një Komisioni të posaçëm për organizimin dhe përurimin e këtij viti

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar, njëkohësisht, nga qytetarët që të japin ide, sugjerime e propozime për kalendarin e aktiviteteve që do të mbahen gjatë këtij Viti.

Edhe pse me vonesë, po i përgjigjem tash kësaj kërkese të Kryeministrit.

Viti 2018, si vit i Skënderbeut, është Vit i figurës më të madhe, më të rëndësishme e më largpamëse në historinë e popullit shqiptar.

Është ky Vit që do të shënohet në Shqipërinë shtetërore, në Kosovë, në Maqedoni dhe kudo ka tjetër shqiptarë në Ballkan dhe në Botë.

Është ky Vit që do të shënohet prej institucioneve shtetërore, prej institucioneve shkencore, prej Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, prej Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës, prej lidhjeve e shoqatave të shkrimtarëve, të krijuesve të tjerë të arteve, prej shoqatave të ndryshme kulturore, prej partive e prej grupeve të ndryshme partiake e jopartiake.

Është ky Vit që do të shënohet në mënyra të ndryshme: me akademi shtetërore, me akademi shkencore, me manifestime e me veprimtari politike, kulturore, argëtuese. E të tjera. E të tjera.

Mund të besohet se gjatë gjithë këtyre akademive, manifestimeve e veprimtarive të tjera shënuese do të sillen të dhëna të reja, shqyrtime të reja, gjykime e vlerësime të reja shkencore, historike, kulturore, politike për figurën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, për kohën e tij, për trajtimin e tij të deritashëm në historiografinë, në letërsinë e në artet kombëtare dhe në historiografinë, në letërsinë e në artet evropiane e botërore.

Mund të pritet që në gjithë këto manifestime e veprimtari shkencore, kulturore, artistike, politike, shtetërore, argëtuese të ketë edhe shumë retorikë e patos.

Por, mund të besohet se gjatë gjithë këtyre manifestimeve e veprimtarive shkencore, politike, shtetërore, kulturore e argëtuese do të prodhohen edhe kiç mendime, kiç gjykime e kiç vlerësime.

Mund të pritet gjithashtu që në të gjitha këto manifestime e veprimtari do të prodhohet edhe jo pak kiç atdhetarizëm.

Për të qenë Viti i Skënderbeut i shënuar më mirë e më suksesshëm, në pikëpamje shkencore, kulturore, artistike, politike, shtetërore më dinjitetshëm e më ndikueshëm jo vetëm në përpjesëtime gjithëkombëtare e, pse jo, edhe më gjerë, mendoj se duhet të formohet Këshilli i quajtur Këshilli Mbarëkombëtar për Vitin e Skënderbeut, i cili do të merret me “organizimin dhe përurimin e këtij Viti” në gjithë hapësirën shqiptare e në diasporë.

Nuk është vonë për krijimin e këtij Këshilli Mbarëkombëtar, i cili do të përbëhej prej përfaqësuesve politikë e shtetërorë, prej përfaqësuesve të organizatave qytetare, prej historianëve, prej shkrimtarëve e krijuesve të arteve të tjera, prej publicistëve të Shqipërisë shtetërore, të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Luginës së Preshevës, të Arbëreshëve të Italisë dhe shqiptarëve të diasporës evropiane e amerikane.

Për vitin kushtuar një figure madhore historike, mbarëkombëtare e gjithëkohore, siç është Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i cili në jetën e vet bashkoi Idenë e madhe mbarëkombëtare dhe Shpatën për mbrojtjen dhe sendërtimin e saj, doemos duhet të ketë edhe një Këshill i tillë Mbarëkombëtar. Apo jo?

Sot 36 vite nga vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës

17 janari i vitit 1982, dita kur u vranë mizorisht vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, është një datë e dhimbshme në historinë e shqiptarëve.

Edhe pse kanë kaluar 36 vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me ta.

Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë. Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit luftojnë mes tyre. Pas kroatëve në ekzil, Qeveria e Beogradit u ka shpallur luftën të përgjakshme shqiptarëve që vijnë nga Kosova.

Atentati ka ndodhur derisa drejtuesi i veturës (BMW 316, targa: HN CY 353) nxirrte veturën nga garazhi, duke e drejtuar prapthi në drejtim të udhëkryqit. Në mot me borë, diku në 40 metrat e para vetura ka ndaluar pasi që nga një vend ndërtim në anë të djathtë, një person nga një distancë pre tre metrave ka shtënë. Krahas kësaj, një person tjetër ka gjuajtur dhe ju ka afruar asaj për të vërtetuar se ia kanë arritur qëllimit. Fqinjët, të frikësuar nga krismat, i shohin dy persona të gjinisë mashkullore duke ikur.

Vetura ka mbetur e ndezur, pasi që drejtuesit i kishte mbetur këmba në pedalin e gazit. Si pasojë e kësaj, vetura ka vazhduar më tutje të ecën derisa përplaset me një garazhe. Gjatë kësaj kohe, drejtuesi ka vdekur, ndërsa pas përplasjes është fikur motori. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur të vdekur drejtuesin e makinës, Bardhosh Gërvallën, 31 vjeç, i goditur nga gjashtë plumba, Kadri Zekën i vrarë nga dy goditje me plumba në trup dhe Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, gjithashtu i plagosur rëndë nga dy goditje me plumba.

Der Spiegel (25 janar 1982) për motivin e krimit shkruan se identifikimi i shpejt i viktimave e ka sqaruar edhe motivin dhe drejtimin politik të tyre: “Jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare nga provinca e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisjes së Beogradit”.

Edhe për autorët e vrasjes pati shënjime. Në vendin e ngjarjes, Jusuf Gërvalla, i cili më vonë vdes, i kishte pëshpëritur policisë:”Ka qenë UDB-ja”.

Dymbëdhjetë herë ishte gjuajtur mbi të tre burrat nga pistoletat e kalibri 7,65, dhjetë goditje kishin qëlluar zemrën, mushkëritë dhe qafën. Një polic në vendin e ngjarjes thotë: “E tëra dukej si pas një ekzekutimi”.

Ishte metodë që përdoret nga shërbimi sekret, siç thoshte snajperisti dhe instruktori i policisë nga Stuttgart-i, Siegfried Hübner: duhet qëlluar me katër plumba, “tre për ta mbërthyer viktimën nëse ajo qëndron ende, pra për ta rrëzuar dhe për ta bërë të paaftë për kundërvënie, dhe pastaj rigjuajtja e katërt e domosdoshme dhe vdekjeprurëse”, shkruan KP. Koha dhe atentati ishte kulminacion i grindjeve të shërbimit sekret jugosllav me kundërshtarët e regjimit në botën e jashtme në këto vite.

Gjatë kësaj kohe shtetasit jugosllavë në ekzil i kanë sulmuar ambasadat, konsullatat dhe përfaqësuesit e qeverisë jugosllave. Reagimet kriminele dhe terroriste të Beogradit në këto raste kanë qenë gjithnjë të ngjashme./ KultPlus.com

Viti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut

Shkruan Ndue Ukaj.

Sot është 550-të vjetori i vdekjes së Kryezotit tonë, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Është ditët e shënuar kombëtare.

Gjergji, para 550 vitesh, iku për botën e përjetshme dhe na la një vepër të pasur dhe shumëdimensionale.
Që atëherë, ai mbetet gurrë e pashtershme frymëzimi kundër demoralizimit dhe ligështimit kombëtar.
Një gurrë e pashtershme frymëzimi për vepra të shumta kulturore dhe artistike.

Sot është ditë e shenjtë kombëtare.
Është një ditë, në të cilën shqiptarët, të bashkuar duhet t’i ulin flamujt e ndarjes, mërisë kundër njërit-tjetrit, dhe të ndërgjegjësuar, të hyjnë në tempullin kastriotian.

Që nga vdekja e tij e deri me sot, asnjëherë nuk u pushua së shkruari për të dhe për bëmat e tij të bujshme e madhështore, me të cilat, Gjergji ynë, i dha nder e lavd të përjetshëm kombit shqiptar.
Vepra dhe figura e tij, janë përjetësuar në shumë fusha të artit: muzikë, pikturë, letërsi, skulpturë, etj. Po ashtu, në nder të emrit dhe veprës së të tij, nëpër qendra të mëdha europiane, janë emëruar shumë sheshe e rrugë, dhe janë ngritë shumë shtatore.

Emri dhe vepra e tij, përgjatë historisë sonë, qenë frymëzim për të gjitha lëvizjet politike dhe kulturore shqiptare.

Pa të, kombi ynë, vështirë mund të mbijetonte përballë furtunave të shumta që goditën, prandaj, me të drejt Ismail Kadare, te libri Mosmarrëveshja, shkruan:
“Gjergj Kastrioti i duhet Shqipërisë, jo si luks, por si gur i themelit. Koha e kishte treguar se pa Shqipërinë ai jetonte, kurse Shqipëria s’bënte dot pa të.”

Viti kushtuar 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, do të duhej t’ na shërbente si algoritëm për t’i zgjedhur shumë probleme dhe mosmarrëveshje ndërmjet nesh.

Viti kushtuar Skënderbeut duhet të jetë vit kundër amnezisë historike dhe në funksion të kultivimit të kujtesës kombëtare.

Viti kushtuar Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, ka kuptim të plotë, nëse vetëdijesohemi dhe ilumninohemi politikisht, fisnikërohemi shpirtërisht dhe emancipohemi kulturalisht. Duke i lënë prapa paudhësitë dhe duke i luftuar batakçinjtë.

Çka ndodhi nëpër botë më 17 janar

1917 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia paguajnë Danimarkës 25 milionë dollarë për ishujt e Virgjëra.

1945 – Forcat sovjetike marrin qytetin pothuajse tërësisht të shkatërruar të Varshavës.

1945 – Nazistët fillojnë evakuimin e kampit të përqendrimit Auschwitz me afrimin e forcave sovjetike.

1946 – Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mban seancën e parë.

1966 – Një aeroplan bombardues “B-52” përplaset me një “KC-135 Stratotanker” gjatë fluturimit mbi Spanjë, duke hedhur kështu tri bomba bërthamore 70-kilotonëshe në afërsi të qytetit Palomares dhe një tjetër në det.

1989 – Policia arreston shkrimtarin, Vaclav Havel, në Pragë.

1991 – Operacioni “Stuhia e shkretëtirës” fillon në orët e hershme të mëngjesit. Iraku hedhë tetë raketa “Scud” në Izrael në një përpjekje të pasuksesshme për të provokuar kundërpërgjigjen izraelite.

1991 – Harald V shpallet Mbret i Norvegjisë me rastin e vdekjes së babait të tij, Olav.

1996 – Republika Çeke aplikon për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

1998 – Paula Jones akuzon presidentin amerikan, Bill Clinton, për abuzim seksual.

2002 – Mali Nyirangongo shpërthen në Republikën Demokratike të Kongos, duke nxitur evakuimin e 400.000 personave.

2005 – George W. Bush inaugurohet për mandatin e dytë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës./ KultPlus.com

Edi Rama publikon vulën e akteve shtetërore të Skënderbeut (FOTO)

Edi Rama kryeministri shqiptar, mëngjesin e së mërkurës ka publikuar vulën e akteve shtetërorë të Skënderbeut, shkruan KultPlus.

“MIRËMËNGJES
dhe me këtë imazh spektakolar të vulës së akteve shtetërore të Gjergj Kastrioti Skënderbeut (që mund ta kundroni sot në sallën e krijuar enkas në Pallatin e Kongreseve, në këtë 17 janar të 550-të të vdekjes së Heroit Kombëtar), ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Edi Rama.

Muzeu i hapur te Pallati i Kongreseve do të vizitohet ditën e mërkurë dhe të enjte nga ora 10:00 deri në 22:00 të mbrëmjes.

Në të mund të shihni imazhe të Skënderbeut dhe artefakte autentike pjesërisht të pashfaqur më parë, me rastin e 550 vjetorit të vdekjes se Gjergj Kastriotit Skënderbeut./ KultPlus.com

Sot 550 vite nga vdekja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut

Sot bëhen 550 vjet nga vdekja e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Kjo ditë do të shënohet me aktivitetet të shumta në Kosovë, të cilat fillojnë me orën e parë mësimore në shkolla, ku nxënësve do t’u ligjërohet për Skënderbeun.

Nga ora 10:00 do të bëhen homazhe tek Shtatorja e Skënderbeut në Prishtinë. Në orën 11:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, hapet ekspozita me portrete të Skënderbeut.

Në ora 13:00, Komuna e Gjilanit bënë zbulimin e bustit te heroit Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, në sheshin kryesore të qytetit. Po ashtu, në ora 16:00, Komuna e Gjilanit organizon akademinë e Flakës së Janarit 2018, që i kushtohet 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Skënderbeu dhe 50 vjetorit të protestave masive për flamurin kombëtar.

Nga ora 18:00, Muzeu i Kosovës dhe Museum Illyricum në Zvicër, hapin ekspozitën me libra, pulla dhe bankënota nga mesjeta e deri në vitet e 30-ta./ KultPlus.com

Regjisori serb Malagruski e lidhë vrasjen e Ivanoviqit me Amerikën

Pas vrasjes së Oliver Ivanoviq, shumë njerëz kanë dhënë versione të ndryshme rreth vrasjes së liderit të Iniciativës Qytetare SDP.

Një koment për vrasjen e Ivanoviq e ka bërë edhe regjisori serb, Boris Malagruski, i njohur për filmin dokumentar anti-shqiptar të titulluar: “Kosova – një moment civilizimi”.

Malagruski pretendon se prapa kësaj vrasje qëndron Amerika.

Ai përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ka kujtuar datën 10 janar të këtij viti, kohë kjo kur sipas tij Ambasada Amerikane në Prishtinë kishte paralajmëruar për rrezikun e sulmeve terroriste në veri të Mitrovicës.

Ndërsa pikërisht sot, më 16 janar, Malagurski thekson se edhe ndodhi vrasja e zyrtarit serb. / KultPlus.com

Bashkëbisedim në Muzeun Marubi, për artin bashkëkohor dhe trashëgiminë fotografike

Në kuadër të përmbylljes së ekspozitës “Urtësi sot e mot” të artistes Lala Meredith-Vula, Muzeu Marubi në bashkëpunim me De Montfort University Leicester organizon një konferencë e cili trajton rolin e fotografisë në raport me trashëgiminë kulturore dhe artin.

Duke u nisur nga rëndësia e arkivave fotografikë, sot vëmë re një rritje të përdorimit të trashëgimisë kulturore në praktikat e artit bashkëkohor.

Si perceptohet e kaluara përmes tyre, nga ana politike dhe estetike? Si kjo e kaluar dhe trashëgimia e saj -që bëhet eksperimentale, sensoriale dhe afektive përmes fotografisë- vishet me kuptime të reja në të tashmen, si kur i referohemi një momenti dhe konteksti historik ashtu edhe kur bëhet fjalë për fotografitë vetë? Me çfarë dialogësh kreativë dhe tensionesh etike përballemi kur fotografitë i përkasin kohërave të ndryshme e përmes një logjike ricikluese, a artikulojnë ata dinjitetin e trashëgimisë kombëtare dhe/ose spektaklin e artit bashkëkohor?
Muzeu Marubi, si një hapësirë që ndërton historinë përmes kontributeve të fotografëve, artistëve, kuratorëvë apo edhe vizitorëve të tij, është në qendër të një performance të historisë përmes digjitalizimit të imazheve të arkivës duke bërë të aksesueshëm dhe duke inkurajuar qarkullimin e imazheve të papara për dekada të tëra. Çfarë politikash kombëtare dhe identitetesh po vihen në lojë dhe për cilat audienca: lokale, elitiste, kosmopolite dhe europiane? Si funksionon kjo në raport me një hapësirë për memorien, ambient edukativ apo forma të tjera të përdorimit të trashëgimisë kulturore?

“Vëzhgime kritike të politikave të riqarkullimt të imazheve” dhe “Muzeu Marubi si një hapësirë performative” janë dy tematikat që do të trajtohen në një bashkëbisedim mes një grupi të ftuar kuratorësh, artistësh, historianësh e profesionistësh ndërkombëtarë të fushës së artit dhe kulturës.

Konferenca dhe bashkëbisedimi në Muzeun Marubi: Arti Bashkëkohor dhe Trashëgimia Fotografike, do të mbahet me datë 20 janar. / KultPlus.com

Nesër, ora e parë e mësimit i kushtohet Skënderbeut

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, merr vendim që nesër, në të gjitha shkollat fillore të mesme të ulëta dhe të mesme të Republikës së Kosovës, ora e parë e mësimit t’i kushtohet figurës së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu.

Vendimi i ministrit Bytyqi është marrë në kuadër të shënimit të 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, me emrin e të cilit lidhet një epokë e tërë historike.

Me rastin e shënimit të 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, janë organizuar edhe aktivitete të ndryshme kulturore, si dhe është nxjerrë kalendari për vitin 2018 me motive për figurën e Skënderbeut. / KultPlus.com

Gardalina

Nga David Staka

Gardalinë moj Gardalinë
me at’ kangën tande t’lumtun
ma kujton ti mu rininë
ma kujton Shkodrën e bukur.

Sa herë nadje jena çu‘
me kafaza e lule dillit
veç me xan’ Gardalina
n’katër t’nadjes në zall t’Kirit.

Herë na bite naj zog i ri
herë naj nushe qi nuk na duhej
me gzim t’madh shkojshim n’shpi
knaqësia nuk pershkruhej.

Njato ishin qefet tona
Gardalina e Plluma t’bardhë
na nuk kishim trlefona
ajo kohe ma s’ka me ardhë.

Nuk e di po sa e pava
mu mbush zemra me nostalgji
m’u kujtu’ mu Shkodra jonë
m’u kujtu ajo Shqipni.

Gardalinë merrja i here kangës
si dikur kur ishim t’ri
se Shkodrani ku do t’jete
kur t’nigjon ty kalon merzi.

Pse po e mjelë tjetrin?

Poezi nga Rumi.

Zhvishe veshjen e krenarisë nga trupi yt:
në mësim, vish rrobat e përuljes.
Shpirti e merr nga shpirti njohurinë
e përuljes,
jo nga librat apo fjalimet.

Edhe pse misteret e përuljes shpirtërore
janë brenda në zemrën e kërkuesit,
ajo ende nuk posedon njohurinë e këtyre
mistereve.

Lere le të pret derisa zemra e saj të zgjerohet dhe mbushet
me Dritë:
Zoti tha: “A nuk e zgjeruam zemrën tënde…? (K. 94:1)
sepse kemi vënë iluminim aty,
Ne e kemi vënë zgjerimin në zemrën tënde.”
Kur je një burim i qumështit,
përse po e mjelë një tjetër?

Një fontanë e pafund e qumështit gjendet brenda në ty:
Pse po kërkon qumësht me enë?
Ti je një liqe me një kanal që shkon në det:
bëhu i turpshëm të kërkosh ujë nga liqeni;
se a nuk ua zgjeruam ne gjoksin tuaj…?

Prapë, a nuk e zotëron zgjerimin?
Pse endesh andej sikur një lypës?
Kuptoje zgjerimin e zemrës
brenda në ty,
që të mos pyetesh me fjalë,
A nuk sheh? (K. 51:21).

Mbahet punëtoria e fotografisë organizuar nga Qendra për Multimedia dhe Art ‘Kult’

Qendra për Multimedia dhe Art “Kult” në Gostivar po organizon një workshop kushtuar fotografisë.

Është një projekt i financuar nga Ministria e Kulturës, i cili ka bërë bashkë të rinj dhe të reja të pasionuar pas artit të bukur të fotografisë.

Artisti i mirënjohur, fotografi Osman Demiri, i cili po udhëheqë këtë trajnim, shprehet me entuziazëm për talentin, pasionin dhe përkushtimin e këtyre dhjetë të rinjve, që po ndjekin këtë punëtori.

Janë tepër të rralla këto lloj aktivitetesh në qytetin e Gostivarit, ndaj interesimi i të rinjve është i paparë dhe ky fakt i bën ata të shpresojnë se ky aktivitet do të ndiqet edhe nga të tjerë në të ardhmen. Qëllimi i këtij trajnimi është njohja me teknikat e fotografisë, përpunimit dhe llojeve të saj.

Shumica e pjesëmarrësve veç janë të kyçur në botën e fotografisë dhe kjo punëtori do të jetë edhe një shtytje për ta, kurse për fillestarët, një botë e re dhe një mundësi që të komunikojnë përmes imazhit. Në fund të workshopit do të përzgjidhen fotografitë më të mira dhe do të hapet një ekspozitë. / KultPlus.com

“Oliver Ivanoviqi u rrit në Manastirin e Deçanit…”

Vrasja e Oliver Ivanoviqit sot në mëngjes, një politikani të zëshëm dhe kryetar i Iniciativës Qytetare, sot ka trazuar edhe ata që janë në fronin e objekteve të trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë.

Sava Janjic nga Manastiri i Deçanit sot e ka kujtuar në formën e tij Ivanoviqin, i cili u vra në mëngjes në afërsi të zyrës së tij.


Sava Janjic

“Oliveri ishte shumë i afërt me Manastirin e Deçanit, pasi është rritur këtu dhe unë i mbaj në mend të gjitha takimet tona dhe kohën që e kaluam bashkë. Të gjithëve do të na mungojë, veçanërisht familjes së tij” ka shkruar në rrjetin social Facebook Janjic.

Ai thotë se një vrasje e tillë duhet hulumtuar dhe vrasësi duhet të dalë para drejtësisë, shkruan KultPlus.

Peshkopi Teodosije nga Dioqeza e Rashkës po ashtu ka shprehur ngushëllimet e tij familjarëve të Oliver Ivanoviq.

“Ne i lutemi Zotit për shpirtin e tij. Kemi humbur një njeri i cili ka ndihmuar serbët që ata të jetojnë në Kosovë dhe Metohi. Ai ka qenë një ndër përfaqësuesit më të mirë të serbëve” ka thënë Teodosije për RadioKIM.
Në anën tjetër, vrasja e Ivanoviq ka ndërprerë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Vrasja e politikanit serb ka shkaktuar debat edhe në Kosovë edhe në Serbi. / KultPlus.com

Datëlindja e Bajram Currit, patriotit e demokratit çlirimtar

E kujtojmë sonte datëlindjen e Bajram Currit.

Më 16 janar 1862, në Gjakovë lindi patrioti dhe demokrati që çoi në çlirimin e kombit, Heroi Kombëtar, Bajram Curri. Ishte një nga organizatorët dhe udhëheqësit e Lidhjes së Pejës dhe një nga udhëheqësit kryesorë të Mbledhjes së Ferizajt.

Ai ndihmoi në ngritjen e shkollave shqipe në Kosovë, mbrojti alfabetin shqiptar të miratuar në Kongresin e Manastirit, mori pjesë dhe drejtoi Klubin “Bashkimi” në Shkup.

Bajram Curri ishte një luftëtar dhe udhëheqës në të gjitha lëvizjet dhe kryengritjet kundër pushtuesve osmanë në kryengritjet e malësisë së Shkodrës, në kryengritjen e armatosur të viteve 1910-1912. Pas vitit 1912, ai mbrojti shtetin shqiptar nga planet për copëtimin e saj dhe luftoi me armë për lirinë e Kosovës.

Bajram Curri nuk u pajtua me vendimet e Konferencës së Londrës të 1913 që lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar Kosovën dhe vise të tjera shqiptare dhe luftoi për bashkimin e tyre me atdheun. Në vitin 1913 qe një nga drejtuesit e kryengritjes së armatosur popullore në Kosovë kundër zgjedhës serbomalazeze.

Ai ishte udhëheqësi i komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Në Kongresin e Lushnjës, Bajram Curri u zgjodh Anëtar i Këshillit Kombëtar dhe u rendit krahas forcave demokratike të vendit. Ai ishte pranë Nolit dhe Demokratëve në Revolucionin e Qershorit. Bajram Curri u vra në shpellën Dragobia në vitin 1925.

Pazari i Grave, të martat dhe ardhja e janjevalive (FOTO)

Pjesë e kësaj lagjeje asokohe ishte edhe Pazari i Grave ose pazari i plaçkave, që mbahej të martave, herë në hapësirat e garazheve të sotme të RTK-së e herë në brendi të lagjes në të djathtë të Muzeut Etnologjik, e herë në hyrje të sokakut.

Aty shitej gjithçka, që nga penjtë për qëndisje të ndryshme, rruazat e kërkuara, pëlhura e llojit të veçantë për këmishë, që shërbenin për përgatitje nusërie, deri te teshat e bajtura.


Pazari i Grave – Pejë

E, në mes të atij kallaballëku, rëndom qëndronte salepçiu me salepin e nxehtë, që nxirrte avull… po kështu shërbehej edhe kungulli i Misirit, i pjekur dhe i vendosur në tepsi, që mbahej lart me njërën dorë ose mbi kokë të shitësit.

Por, të ndalemi te dita e pazarit: karakteristikë e së martës ishte ardhja e janjevasve (ose janjevalive, siç u thoshin), zanatçinj të mrekullueshëm të punimit të bizhuterive, të cilët e ekspozonin mallin e tyre shtrirë në tezga. Jo vetëm për atë kohë punimet e tyre kanë qenë të njohura dhe të kërkuara. Mjerisht, tashmë janjevalitë dhe prodhimet e tyre nuk shihen të vijnë në këtë qytet e më gjerë, jo se malli i tyre u harrua, por pse, të rinjtë, si duket, nuk e ndoqën traditën e të parëve.

Burimi: Sanije Gashi


Pazari i Grave – Pejë, 1959


Pazari i Grave – Prizren, 1912

“Moti i madh” për Skënderbeun, ekspozohet objekti i vitit 1465 (FOTO)

Një ekspozitë me statute, faksimile, gravura të autorëve të ndryshëm dhe portrete, me anën e të cilave vizitorët njihen me momente nga jeta dhe betejat e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ky është thelbi i ekspozitës “Moti i madh”, që çelet në Muzeun Historik Kombëtar më 17 janar.

Drejtori Dorian Koçi tha dje për “Gazeta Shqiptare” se ndërkaq, do të ketë edhe projeksione artistike me dokumentarë dhe imazhe nga filmi i Skënderbeut, që e pasurojnë këtë ekspozitë të veçantë gjatë gjithë hapësirës së hollit kryesor të Muzeut Historik Kombëtar.

Ai kujton se Viti i Skënderbeut nuk ka në vëmendje heroin. “Në fakt, brenda këtij viti ka edhe ngjarje të tjera të rëndësishme, që kanë po të njëjtën rezonancë. Kemi 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit, të cilat do të përkujtohen dhe festohen në këtë kuadër. Edhe aktivitetet e tjera, që do të organizojë Muzeu Historik Kombëtar do të jenë në kuadër të këtyre ngjarjeve. Në këtë mënyrë do të kemi një përafrim dhe një përqasje më tepër të historisë”, vërejti Koçi.

Ai bëri me dije se do të jenë në dispozicion të ekspozitave me tematikë nga epoka e Skënderbeut, por edhe të ngjarjeve të tjera që përmenda më sipër, holli qendror i Muzeut Historik Kombëtar, si dhe sallat e ekspozitave. Salla “UNESCO” dhe ajo “Konstandin Shpataraku” gjithashtu do të jenë të gatshme për aktivitete shkencore dhe mbajtje kumtesash. Ndërkohë që vizitorët do të mund të njihen me objektet e kësaj periudhe, që janë të pasqyruara në Pavionin e Mesjetës, ku një hapësirë të madhe të tij e zë periudha e Skënderbeut.

Në përgjigje të pyetjes se çfarë ruan Muzeu prej kohës që heroi qe gjallë, Koçi thotë se “objekti qendror i ekspozitës është kambana e Karpenit, e cila daton në vitin 1465. Po ashtu, përshkrimi i Arbërisë para pushtimit osman pasqyrohet nëpërmjet hartës me principatat shqiptare të kohës, bashkë me emblemat e tyre, fisnikët që morën pjesë në Besëlidhjen e Lezhës, bashkimin politik dhe ushtarak më të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve. Ekspozita përmban ekspozitorë, të cilat paraqesin për vizitorët armë mesjetare si dhe libra të autorëve të ndryshëm dedikuar Skënderbeut. Objektet e ekspozuara e ilustrojnë qartë armatimin e kohës”.

Në kuadër të përkujtimit të 550-vjetorit të Skënderbeut do të ekspozohet edhe një tjetër kambanë, që për nga paraqitja, simbolikat që bart dhe viti i gdhendur në të është ende më e rëndësishme. Kjo kambanë do jetë pjesë e ekspozitës që Kryeministria çel në Pallatin e Kongreseve.
Bëhet fjalë për kambanën e Shelcanit.

Deputeti i LDK-së vizaton një portret gruaje gjatë punës në Kuvend

Të gjithë e njohin për deputet, por jo edhe për piktor. Arben Gashi, deputet i LDK-së ka një hobi interesant. Siç duket, Gashit i pëlqen të vizatojë, dhe këtë e bën edhe gjatë mbledhjeve të komisioneve.

Gashi, i cili është anëtar i Komisionit për Legjislacion gjatë tërë kohës ka shkarravitur mbi një letër të bardhë.

Rezultati i këtyre shkarravinave del të jetë portreti i një femre, shkruan Insajderi.

Gashi është pjesë e Komisionit për Legjislacion si i dërguar nga Grupi Parlementar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. / KultPlus.com

Një kujtim më i vonë i Çun Lajçit për Bubën

Nga Çun Lajçi

“I ligu për men” po luhej atë natë, premierë e Fishtës me rexhizor Altin Bashën, të cilën komedi në asnji variant skenik pa s’e kisha, e atë natë po shfaqej ne Teatrin tim, ku unë e kisha lanë rininë e latua aktrimin për 45 vite. Për dreq isha ulë në rendin e parë, edhe pse kurrë zakon s’e pata, por ishte ardhë nga Shkupi Bajrush Mjaku e meqë edhe ai kishte dal ato ditë n’pension, vendosa me shoqnua n’premierë mbas shumë vitësh.

Isha thellua krejtësisht në ngjarjet e viteve të largëta e m’dukej se jam n’Shkodër, aq fort po me pelqente shfaqja, kur më vjen nji SMS nga ti: babë eja n’ Shkup me merr, se mbeta!
M’iku gjaku.
More Zot i thash vetës, po ajo u nis për Tiranë, pse n’Shkup tash?
Dhe derisa po mundohesha me zgjidhë enigmen e me kuptua çfarë mund t’ketë ndodhë, cingëroi telefoni.
I turpnuem që po e prishja atmosferën e premierës u ngrita me rreptim e tue folë të vogël me ty, dola nga shfaqja.

Vetëm Bajrushi u shqetësua sepse ai e dinte hallin tim e dhimbjen tande dhe e luhati kokën, sikur deshti t’me thoshte a ka nevojë të vi me ty.
Atij iu kujtua siduket ajo nata kur po ktheheshim me “Tartufin” nga Tirana e kur mami m’telefonoj e m’tha: Buba po pret sonte m’u nisë për Beograd, n’Klinikën Lorien m’u shtrua!
E kishte vrejt hijën e keqe që m’kishte ra ftyrës e t’vogël n’vesh m’tha: çka ke?
I thashë po m’pret çika m’u nisë urgjent për Beograd e ai me shumë dhimbje m’tha:
Je i rraskapitun more, nuk mundësh me vozitë edhe 400 km.
M’duhet i thash, se vetëm ajo mund ta kuptoj dhimbjen e vet, e unë jam babë e fëmiu prej kujt mund ta pret shpëtimin nëse jo nga baba. S’kam zgjidhje tjetër!
Dhe pa i pi ato kafe që vet Bajrushi na i kishte porositë aty “n’ Aktiva” n’hymje të Shkupit, ku ti e unë ndaleshim shpesh kohëve të fundit, urdhnoj m’u çua: Çuni ka urgjencë tha, andaj duhet sa ma parë me mbrri n’Prishtinë.

Kjo siduket iu kujtua kur m’pa të hallakatun tue dal nga shfaqja e mbet gojëhapun
Dola para Teatrit e folem e folem, u përlamë aç shumë sa kisha përshtypjen se po çuditej edhe Gjergji që rrinte mbi kal aty përball Teatrit.
Të përcolla për Tiranë e ti ke përfundua në Shkup…Ora asht 21 e natës… lek n’xhep s’ke, as autobus m’u kthy, e mua me nxjerrë nga premiera e m’urdhnon me ardhë me t’marrë.
Ç’po ndodhë me Ty?
O nisu babë nisu, po t’pres n’stacion, edhe merri 300 euro me veti se duhesh me m’çua n’Tiranë.
Dhe ma mbylle telefonin!
Ç’asht kjo urgjencë?
Pse këto pare dhe pse natën me udhëtua trup e tërthor Maqedonisë për Tiranë.
Nuk mujsha me ta kuptua hallin, andaj shkova shpejt n’Postë me i vu kredit telefonit tim e tandit e pastaj si i marrë vrapova drejt Dardanisë.
Shkova n’banesë dhe e mora çelsin e veturës dhe shpejt u nisa. Për fatin tand aç pare kisha e vetura ishte plot karburant. Bile thash me veti, shihe more çfar nafake ka thinesha.
Mamit i telefonova, i tregova fill e për pe.
A je n’vete m’tha, qysh doni me shkua n’Shqipni natën dhe pse me i dhanë pare.
Nuk e përfilla fare kundërshtimin e saj, po si i çmendun vozita tue i blua miliona mendime që m’vishin n’kokë.

Erdha e t’gjeta me nji çantë n’shpinë e me atë aparatin muzikor të Digjejve n’dorë që e pate ble n’Tiranë, e që kurrë s’ia mësova emnin. M’thojshe dua mu ba “Digjej” e me punua se s’jetohet pa punë!
Tani po ta them, se kurrë ma t’mjerueshme s’të pata pa moj e mira ime që tretësh n’dhé!
Ishe e lodhune, e unët, e humbun, e zbeht dhe menxi i tërhiqje kamtë zvarrë.
Ku po e çon aparatin t’bërtita, e ti vetëm m’the, merre kët mut se m’këputi e ami do pare t’ha diçka se vdiqa unit.
Unë dojsha me pelcit inatit që t’gjeta n’at gjendje, isha përgaditë me t’ba paçavër e s’pata zemër as me të trua, por t’i dhash 10 euro e ti shpejt e more sendviçin nji Fanta e nji paqetë cigare.
Medet sa shumë u grindem kur u futëm n’veturë. Shumë herë i rashë grusht xhamit e kokës time tue t’sha e ti qajte e tue dënesë u struke n’karrikë e the:
Me ço n’Tiranë dhe ruju po t’pelcet zemra, se n’oren 23 m’duhet atje me qenë!
A ban me fjet sonte n’Prishtinë e nesër heret m’u nisë t’thash.
O çom sonte dhe mos u vono po t’them se sonte m’presin, a merr vesh ti!
Heshta dhe i dhash turr veturës,por s’ia fala vetës që s’mendova para se të nisesha Mavrovës përpjetë. Mujta me u kthye për Kosovë e rrugës Kombit me shkua n’Tiranë, e jo rretherrotull.Nata s’ka ispatë thonë as kerri siguri.

Para se me hi n’Strugë u dhezen do drita të kuqe në ekranin e veturës dhe krejt u tmerova.
-U prish kerri t‘thash. A po e sheh çka m’bane.
Dhe prap ia nisem m’u hangër si qentë.
U ndala nji pikë karburanti dhe u afrova të nji autobus. E luta shoferin e ai erdh me pa se çka janë ato drita t’kuqe. Frejt t’u kan harxhu m’tha dhe mos gabo m’u lëshua Qafës Thanës teposhtë.
I telefonova Leartit dhe i tregova.
-Flej sonte n’Strugë babë e nesër ndreqe kerrin e vazhdo, mos gabo sonte me rrezikua.
Po me çka m’e ndreq kerrin more i mjer i thojsha vetës kur n’xhep i ke vetëm ato eurot që po i duhen Bubës.
Ku me i marrë paret për hotel e qysh me fjet n’veturë kur nata ishte e ftoftë.
U futa n’Strugë dhe nisa me kërkua hotele t’lira. Ti rrishe n’kerr e unë hisha n’hotel e delsha.
-S’paskan vende t’lira t’thojsha!
-Më këputi gjumi bre babë m’thojshe ti!
-Çka me t’ba unë, ke lyp me t’çua natën n’Tiranë. Duro tash. S’ka vende s’ka, a merr vesh!

Dy orë u solla qytetit të Strugës tue hi e tue dal nga hotelet e tue rrejt vajzën time,tue i thanë nuk paska vende t’lira e hotelet ishin bosh se Pranverë e hershme ishte, por unë s’kisha pare e s’dojsha m’u dorzu.
S’dojsha moj të raftë pika m’e dijtë Ti se baba e kishte prekë fundin e skamjës, e s’dojsha me t’deshpërua.
Po mundohesha me qenë n’sytë tu i pasun veç me ta ruej at grimë ymyd jete që t’kishte mbet.
Si me pagua hotelin kur ti m’thojshe m’duhet me e pagua borxhin, e unë ato t’shkretat euro po i rujsha për Ty.
Vonë dikur m’kërkove falje.
-Gabuam babë që u nisem,
kemi mujt me fjet të shpia e nesër m’u nisë!
Kështu m’the kur nisën sytë me tu mbyllë. Kishte fillua me t’lodhë gjumi moj rrita ime që s’prite m’u rritë!
-Po flejmë n’veturë të thash dhe u afrova të nji mekanik kerrësh e u pshteta n’karrikë. Ti u shtrine mbrapa, por duhej herë pas herë m’e dhezë kerrin se bante ftoft.
Kur duel dielli prap bamë xhiro qytetit tue kërkua me pi kafe.
Pritem deri sa erdhi mekaniku.
E kontrolloi veturën e tha: ec se mundesh edhe 500 km më shkua me këta frej.
U nisem Bubë n’at mengjes Pranveror, pa m’shkua mendja se do t’jetë udhëtimi i fundit me ty Qafë Thanë -Tiranë.

Kafen e mengjezit e pimë n’hotel Rogner. Fati e deshti ta takojmë aty Agim Doçin dhe s’na la m’u koritë. Pagoi kafet e parkingun e veturës, sikur ta dinte se Çuni s’e kishte asnji metelik.
Ti shkove e pagove borxhin dhe u ktheve e foto bane me Agimin dhe u nisem për Prishtinë.
Unë gjith’ natën vozita e gjithë ditën të pyeta e ti kurrë s’me tregove: kuj i pate borxh n’Tiranë dhe pse?

Por as unë kurrë s’të tregova se at natë n’Strugë kishte vende të lira me qinda, por baba s’kishte pare e Ty s’donte me të deshpërua.
Hej, qe nga ajo natë, tre muaj rresht kam lut miqë e shokë me ta pagua Klinikën n’Ashkelon!
Por s’ishte thanë prej Zoti m’u sherua. Ai t’fali dhe Ai t’mori.
Mua ma la dhimbjen e sikur m’tha:
“Jeto n’dish me jetua me vajin e parë të 1983 dhe kujtoj ato 33 vitet e bukura të engjullit tand. Nëse dorëzohesh, s’ke me mujt kujt me i tregua se sa e pafajshme ishte jote bijë e sa e pamëshirshme shoqnia demokratike që solli liri”
Unë i ligu për men që t’humba Ty e që kurrë s’e pashë shfaqjen, tani eci i humbun rrugëve tue shkrua letra kujtimi.
Amen!

Për nder të sime motre

Poezi nga VISLLAVA SHIMBORSKA / Përktheu: Agron TUFA

Motra ime nuk shkruan poezi
dhe zor se do të nisë të shkruaj papritmas.
Ajo është gjallë mamaja – edhe ajo nuk shkruante poezi,
po është gjallë babi, i cili, sikundër mami, nuk shkruante poezi.
Ndjehem shumë mirë nën çatinë e shtëpisë së saj:
burri i sime motre më parë do të vdesë, se sa të nisë të shkruajë poezi.
Dhe pavrësisht faktit, se po filloj të përsëritem,
e vërteta është, se askush prej soit tim
nuk ka shkruar kurrë poezi.

Në sirtaret e tavolinës së shkrimit të motrës s’gjen poezi të vjetra,
ndërsa në çantën e saj nuk do të gjeni të reja.
Kur ime motër më grish për drekë,
unë e di – ajo s’ka për të më lexuar poezi.
Supat e saj janë të mrekullta edhe pa to,
dhe kafja e saj kurrë s’do të derdhet mbi dorëshkrim.

Ka shumë familje, ku askush asnjëherë s’ka shkruar poezi,
por, si thuhet, çdo familja e ka një budallë: poezia,
nëse bën vaki, fillon të gurgullojë përmes brezave,
duke formuar një gjeratore, në të cilat mund të mbytet
çdo lumturi familjare.

Motra ime nuk është aq keq me fjalën e folur,
por trashëgimia e saj shkrimore përbëhet veç prej kartolinash,
të cilat ajo i shkruan kur është me leje, çdo vit duke premtuar,
se kur të kthehet, ajo ka
aq shumë
shumë
shumë,
për të më treguar mua.

Kur ‘Cranberries’ u inspiruan nga tmerri dhe lufta në Sarajevë (VIDEO)

Këngëtarja e grupit The Cranberries, Dolores O’Riordan, e ka shkruar për dhjetë minuta një këngë për Bosnjën.

Dolores, e cila ndërroi jetë vitin e kaluar dhe shokoi industrinë e muzikës me ikjen e saj nga kjo botë, në vitin 1996 shkroi një këngë për Sarajevën dhe Bosnjën, shkruan KultPlus.

Kënga “Bosnia” është pjesë e albumit “To be faithful departed”, aty ku janë përfshirë edhe këngët “War Child”, “Free to decide” apo “Hollywood”.

Kënga për Bosnjën vjen menjëherë pas disa viteve luftë në Bosnjë dhe në kryeqytet – në Sarajevë.

“Kam qenë e shokuar nga ngjarja në Bosnjë dhe sidomos nga pamjet e tmerrshme me fëmijët dhe vuajtjet e tyre. Këngën e kam shkruar për dhjetë minuta, e emocionuar tej mase” pati treguar këngëtarja asokohe kur e realizoi këngën.

“Kënga është për fëmijët të cilët vuajnë në një luftë të cilën nuk e nisën ata vetë. Fëmijët asnjëherë nuk e nisin një luftë” pati treguar Dolores, e cila ndërroi jetë dje. Ende nuk dihet shkaku i vdekjes. / KultPlus.com