Disa ditë pasi Eliza Dushku akuzoi koordinatorin e Joel Kramer për ngacmim seksual në filmin “True Lies” të vitit 1994 kur ajo ishte 12 vjeçare, edhe gra të tjera e kanë bërë të njëjtën gjë, shkruan KultPlus.
Laura Albert, e cila ka punuar me Krammer ka thënë për Deadline se mikja e motrës së saj e cila ishte 16 vjeçare në atë kohë, pati një takim seksual me Kramer. Albert kishte ftuar të dy vajzat në pishinë, ato në atë kohë ishin në klasën e dhjetë.
“Pa dijeninë time, shefi im, Joel Kramer, kishte joshur vajzat të notonin në pishinën e hotelit të tij”, shpjegoi Albert.
Një tjetër grua e cila kishte punuar me Krammer dhe e cila kërkoi që të mbetet anonime ka thënë se Krammer e sulmoi një natë në fund të viteve ’70.
Pas publikimit të këtyre dy rasteve, Eliza Dushku ka shkruar në Facebook.
Ju falënderoj për guximin tuaj. Ne do të ecim në këtë me forcë. Nga thellësia e pjesëve të zemrës time, faleminderit për mbështetjen e jashtëzakonshme”, ka shkruar Eliza.
Krammer ka mohuar të gjitha pretendimet duke i quajtur “trillime”. Ai gjithashtu i referohej akuzave të Dushkut si “të çuditshme, të manipuluar dhe gënjeshtra”. Ai mohoi akuzat e saj duke thënë, “Nuk e kam kërcënuar seksualisht atë”.
Sipas Deadline, pretendimet e Dushkut janë pohuar nga nëna e saj, vëllai dhe ish agjenti e saj. Jamie Lee Curtis ka shkruar një ese rreth akuzave të Dushkut, duke duartrokitur aktoren e re që ka vazhduar të ecën përpara./ KultPlus.com
Në Ukrainë do të krijohet Katedra Shqipe. Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko gjatë vizitës në Ukrainë u takua me zv.ministrin e parë të Arsimit dhe Shkencës në Ukrainë, Kovtunets Vladimir Vitalievich.
Bisedimet prodhuan dy rezultate të veçanta; Krijimi i Katedrës Shqipe në Ukrainë dhe dakordësimi lidhur me bursat për studentët shqiptarë në nivelet Bachelor, Master dhe Phd, shkruan atsh.
Majko gjithashtu zhvilloi një takim me zv. kryeministren e Ukrainës, Ivanna Klympush-Tsintsadze
Gjatë takimit u vu theksi tek nxitja e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve, dhe u fol gjithashtu për firmosjen e një marrëveshje për tregtinë e lirë. Majko e ftoi zv.kryeministren ukrainase në një vizitë në Shqipëri.
Gjatë qëndrimit në Kiev, ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko gjithashtu vizitoi fshatin Karakurt në rajonin e Odesës ku u prit nga autoritetet rajonale e gjithashtu përfaqësuesit e diasporës shqiptare. Në këtë vizitë Ministri Majko shoqërohej nga Ambasadorja e Shqipërisë, Shpresa Kureta, në Ukrainë.
“Pas 300 vitesh duhet të vini në Shqipëri, për ta parë nga afër vendin tuaj të origjinës, i cili është kthyer në një destinacion mjaft të preferuar turistik”, tha Majko.
‘Gjaku nuk bëhet ujë’, tha më tej ministri i Shtetit, i cili premtoi se do të ketë gjithmonë një sy e një vesh për diasporën në Ukrainë.
Implementimi i projekteve të përbashkëta në arsim dhe kulturë ishte në qendër të një tryeze të rrumbullakët të mbajtur me autoritetet rajonale dhe përfaqësues të diasporës.
Majko vizitoi edhe shkollën ku mësohet gjuha shqipe e gjithashtu Shtëpinë e Kulturës ku performuan një sërë grupesh artistike të diasporës./ KultPlus.com
Vajza e Martin Luther King Jr, Bernice King, dje mbajti fjalim në nderim të datëlindjes së babait të saj, ndërsa tha se zëri i tij ishte i nevojshëm në dritën e gjendjes aktuale në SHBA, shkruan CNN, përcjellë KultPlus.
“Ne nuk mund t’i lejojmë kombet e botës t’i marrin fjalët që vijnë nga Presidenti ynë si një pasqyrim i shpirtit të vërtetë të Amerikës,” i tha ajo publikut në Ebenezer Baptist Church në Atlanta.
“Ne jemi një popull. Ne jemi një komb. Ne jemi një njerëzim. Një gjak. Një fat dhe siç është thënë tashmë i gjithë qytetërimi dhe humaniteti e kanë origjinën nga tokat e Afrikës”, ka thënë tutje Bernice King në fjalimin e saj.
Ajo tutje vazhdoi duke thënë se: “Tani unë mendoj se ju do të pajtoheni që në gjendjen aktuale, në këtë komb dhe në këtë botë, ne kemi nevojë për zërin e atit tim, mësimet e tij dhe dashurinë e tij për njerëzimin”, ka thënë vajza e Martin Luther King dje gjatë ceremonisë./ KultPlus.com
Aktorja e njohur shqiptare, Eliza Dushku të shtunën doli me një postim me anë të cilit tregoi se si ajo ishte ngacmuar seksualisht kur ishte 12 vjeçare, shkruan KultPlus.
Ajo tregoi se si gjatë përgatitjeve të filmit “True Lies”, Joel Kramer në atë kohë 36 vjeçar e kishte abuzuar seksualisht Elizën, 12 vjeçare. Ndërsa Krammer ka mohuar akuzat lidhur me këtë deklarim të aktores.
Deklarata e aktores ka ngjalluar reagime të shumta në botën e kinematografisë, ndërsa së fundi ka reaguar edhe aktori i njohur Arnold Shwarzenegger i cili në filmin “True Lies”, ka luajtur rolin e babait të Elizës. Ai ka thënë se ndihet krenar me kurajën e saj për shprehur publikisht historinë e saj, ndërsa tutje ka shtuar se ai nuk ka ditur lidhur me këtë ngjarje në atë kohë.
“Të gjithë ne do të kishim bërë diçka po ta dinim. Unë jam i tronditur dhe i trishtuar për Elizën, por jam gjithashtu krenar për të – përtej të qenit një talente e madhe dhe një grua mahnitëse, ajo është shumë guximshme”, ka shkruar aktori në rrjetin e tij social Twitter./KultPlus.com
Nesër më 17 janar vjen premiera e shfaqje “Kosova jo ‘o’.”, me regji të Ekrem Sopit, shkruan KultPlus.
Shfaqja sjellë kërkimin e dinjitetit, të dy shokëve që të dy rreth moshës 40-45 vjeçare. Njëri emigrant në Gjermani e tjetri në Kosovë. Balerina freskon ngjarjen me lojëra të ndryshme. Bekimi dhe Linda përmes dialogut sarkastik i rrëfehen gjeneralit te varri i tij, çka po ndodhë më “Kosova-n jo, o-n”…Bazuar në Kadare, Chekhov.
Kjo shfaqje vjen nën lojën e aktorëve Makfire Miftari, Besim Ajeti dhe Ekrem Sopi.
Shfaqja vjen premierë në Amfiteatrin e American School of Kosova në Prishtinë, nesër më 17 janar me fillim nga ora 19:30./ KultPlus.com
Projekti gjigant që hap sezonin e ri operistik në TKOB, është opera “Carmen”, shkruan KultPlus.
Kjo shfaqje ndërthurë ekselencën shqiptare në botë me emra të mëdhenj të muzikës operistike shqiptare. “Carmen” vjen me regji të baritonit të njohur shqiptar Gëzim Myshketa e nën dirigjimin e Ricardo Casero.
Kjo operë që vjen premierë më 30 janar, sjellë në skenë aktoren Tinka Kurti, pastaj i ftuari special, koreografi me famë ndërkombëtare Gheorghe Iancu, të ftuar special janë edhe balerinët: Anbeta Toromani dhe Alesandro Macario ndërsa Carmen vjen nën interpretimin e Vikena Kamenica dhe Ivana Hoxha.
Mjeshtri Gheorghe Iancu do të jetë koreografi i trupës së baletit të TKOB. Ai sot ka mbërritur në Tiranë që t’i bashkohet stafit të operës “Carmen”. Inacu për dy vite radhazi nga viti 2008 drejtoi trupën e baletit të Operas Shtetërore të Bukureshtit.
Kjo shfaqje gjigante, vjen më 30 janar në Pallatin e Kongreseve me fillim nga ora 19:00. Pas premierës pasojnë edhe reprizat ku e para do të jetë menjëherë më 31 janar, 1, 2 dhe 3 shkurt./ KultPlus.com
Aktori shqiptar Bekim Fehmiu i cili ishte një aktor me përmasa ndërkombëtare, shumë herë ka marë vëmendjen e kolegëve të tij, shkruan KultPlus.
Në këtë video të realizuar më herët shihet duke kënduar aktori i njohur Rade Serbedzija dhe Miroslav Tadic, këngë kjo e cila i dedikohet aktorit të madh Bekim Fehmiu. Kjo këngë titullohet “Pjesma za Bekima”, dhe tingujt e kësaj kënge janë mjaftë melankolike/KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=1gG-tYKTtu8&feature=youtu.be
Një anketim i ri, i cili bazohet në tre sondazhet të WIN/Gallup International, publikuar në median Telegraph të Britanisë së Madhe tregon se ballkanasit janë më fetarë se homologët e tyre në Europën Perëndimore.
Anketimi, i cili ka analizuar tre sondazhe të marra gjatë disa viteve dhe i ka kthyer ato në një hartë të botës, sugjeron se feja mbetet një faktor më i fuqishëm në mendjet e njerëzve dhe në shoqëri, në të gjitha vendet ish-komuniste të rajonit të Ballkanit, me përjashtime të pjesshme të Bullgarisë dhe Shqipërisë.
Kosova, Maqedonia dhe Rumania rezultojnë të jenë shoqëritë më fetare dhe të vetëdijshme për këtë në rajon dhe në Europë; ku 88% e njerëzve në Maqedoni, 83% në Kosovë dhe 77% në Rumani e konsiderojnë veten besimtarë.
Serbia, Kroacia, Mali i Zi dhe Greqia pasojnë me 70% deri 72% të popullatës së tyre që e konsiderojnë veten si besimtarë. Bosnja vjen më pas me 65%.
Bullgaria mbetet disi mbrapa, me vetëm 52% të popullatës atje që e sheh veten si besimtar.
Shqipëria është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit me një sjellje të “stilit perëndimor” ndaj fesë – ku vetëm 39% e popullatës e konsideron veten fetar, e njëjta përqindje si Austria dhe Hungaria dhe pak më shumë se Spanja (37%).
Në Europën Perëndimore, Italia, kryeqendra e Kishës Katolike është i vetmi vend ku shumica dërrmuese e popullatës e konsideron veten besimtare – 74%.
Në vende të tjera shifrat priren të jenë më të ulëta – 30% në Mbretërinë e Bashkuar, 26% në Holandë dhe 34% në Gjermani.
Veriu i Europës është veçanërisht jo-fetar. Vetëm 16% të estonezëve kanë ndjesi fetare, 19% e suedezëve dhe 21% e norvegjezëve.
Panorama është më e përzier në Europën Qendrore dhe varion nga 86% në Poloni në vetëm 23% në Republikën Çeke.
Në vende të tjera të botës, në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Azinë Juglindore vendet priren të jenë shumë fetare, shifra që variojnë përgjatë viteve.
Azia është gjithashtu shtëpi e dy shoqërive më pak fetare në botë, Kinës dhe Japonisë, ku vetëm 7% dhe 13% e popullatës rrëfejnë se kanë ndjesi fetare.
Sondazhi u prodhua për të shënuar Ditën Botërore të Fesë, 14 janarin. (Burimi: BIRN)
Profesorët Sali Bashota, Lindita Rugova e Osman Gashi qëndronin sot pranë derës së Sallës së Kuqe të Fakultetit Filologjik, ndërsa prisnin edhe shumë kolegë, studentë e figura të njohura nga Kosova, Shqipëria e Ulqini për t’i dhënë lamtumirën e fundit poetit e profesorit Basri Çapriqit, me të cilin kishin ndarë shumë vite brenda këtij objekti, shkruan KultPlus.
Gili Hoxhaj
Profesori Osman Gashi ishte ai që udhëhoqi këtë akademi mortore, ndërsa lexoi një letër ngushëlluese të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, në të cilën thuhej se Universiteti i Prishtinës ka humbur një njeri të madh.
“Jemi mbledhur sot me një dhimbje te papërshkrueshme për t’i dhënë lamtumiren profesorit, mikut tonë të shtrenjtë, kolegut dhe intelektualit të madh, Basri Çapriqit”, tha profesori Gashi derisa theksoi punën e gjatë të tij në Universitetin e Prishtinës dhe synimet e tij për ta ngritur sa më lart këtë institucion.
Kurse rektori i Universiteti të Prishtinës, Marjan Dema tha se Universiteti i Prishtinës humbi një nga profesorët me të çmuar. Letërsia, kultura dhe publicistika humbën një shkrimtar të shkëlqyeshëm, kurse studentët humbën udhërrëfyesin e tyre, ndërsa familja prindin dhe bashkëshortin e dashur.
“Është moment shumë pikëllues dhe i dhimbshëm ky çast i mbledhjes tonë për t’u përshëndetur për herë të fundit fizikisht me profesorin tonë të çmuar Çapriqin, i cili i dha kaq shumë Universitetit të Prishtinës dhe shoqërisë tonë. Sot e kam të vështirë të flas e ta them fjalën e ndarjes për njeriun që kaloi jetën në sallë të ligjëratave para studentëve të tij, para librit dhe penës që me mendjen e tij të ndritur të ndris mendjen e shumë të rinjve dhe të rinjve”, tha rektori Marjan Dema, i cili ndër të tjera theksoi edhe punën e tij si lider i mirë i Këshillit Drejtues të UP-së, ku kishte ndarë gjashtë vite të punës me të, ndërsa tha se ai gjatë këtyre viteve ka dhënë një kontribut të madh në avancimin cilësisë së Universitetit të Prishtinës.
Më pas dekania e Fakultetit Filologjik, Lindita Rugova tha se puna e tij dha një kontribut të rëndësishëm në auditoriumet e Fakultetit të Filologjisë. “Jemi mbledhur në këtë sallë ceremoniale për ta përshëndetur pa praninë fizike të tij punën dhe veprën e njërit prej profesorëve të shquar të Katedrës së Albanologjisë. Studimet e tij letrare do të mbesin si pikë reference për shumë studiues të tashëm dhe të ardhshëm”, tha dekania Lindita Rugova, derisa ngriti lart kontributin e tij pedagogjik, shkencor e artistik.
“Të dashur të pranishëm, profesori nuk e mbërriti për pak orë datëlindjen e tij të 58-të , e keqja e pafund e sëmundjes e mbërtheu fort dhe nuk e lëshoi, megjithatë emri i tij tashmë ka zënë vend në mesin e atyre që kujtohen, derisa studiohet letërsia shqipe në këtë vend”, përfundoi Rugova,
Njëri nga miqtë e tij të hershem dhe shoku i gjeneratës, Sali Bashota në fjalën e tij përshëndetëse tha se Basri Çapriqi ishte një poet i mrekullueshëm, një stilist brilant, profesor i pakrahasueshëm dhe studiues i thellë i letërsisë shqipe. Ndërsa tha se ai ka arritur të jetë një nga poetet më të veçantë shqiptar.
“Kur ne prisnim ditëlindjen tënde pse miku im u ngute dhe harrove dritaren hapur për të fluturuar shpirti yt në zemrën e qiellit, shpesh na thoshe dritaren lëre hapur që të hyj ajri nga rruga. Basri i dashur, nuk mund të themi lamtumirë asnjëri nga ne këtu. Asnjeri nga të dashurit e tu, nuk kemi lamtumirë për ty, na fal. Ti ishe poet i jetës, jo i vdekjes. Pranë teje ishte vetëm dashuria për jetën dhe miqësia për njeriun”, ishin fjalët e profesorit Bashota.
Në emër të familjes, fjalën e mori vajza e poetit e profesorit, Bulza Çapriqi e cila emocionoi të pranishmit me fjalën e lamtumirës kushtuar babait të saj. “Me të gjitha mësimet që na i mësove për gjuhën dhe fjalët, sot nuk po arrijmë t’i kujtojmë. Ike aq shpejt dhe na le në heshtje, a thua që i deshe fjalët aq shumë na i more të gjitha me vete. E kemi shumë të vështirë ta pranojmë humbjen tënde. Një gjë e dimë shumë mirë dashuria dhe mirësia me të cilat na rrethove, do të na ngrohin zemrat përjetë. Do të na mungosh shumë, kurrë nuk do të arrijmë ta përmbushim zbrazëtinë që na lë pas”, ishin fjalët e Bulza Çapriqi për babain.
Basri Çapriqi ka ndërruar jetë të dielën në moshën 58 vjeçare, Punoi profesor në Universitetin e Prishtinës, ku ligjëroi lëndët; Stilistikë, Semiologji dhe poezi bashkëkohore. Poezitë e tij janë përfshirë në shumë antologji të poezisë shqipe dhe në antologji të poezisë bashkëkohore në gjuhë të ndryshme. Poezitë i janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rumanisht, polonisht, serbokroatisht, turqisht, arabisht, maqedonisht. Ishte Kryetar i PEN Qendrës së Kosovës dhe njëherësh themelues në vitin 2004. Ka qenë Kryetar i Bordit të Universitetit të Prishtinës, kurse nga viti 2012 ishte anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave./KultPlus.com
Pikërisht në këtë periudhë që jemi sot, këngëtarja Eliza Hoxha në vitin 1999 kishte bërë një gjest mjaft human për fëmijët e Reçakut.
Disa muaj pas çlirimit dhe pas masakrës që hapi sytë e gjithë botës, këngëtarja Eliza Hoxha kishte organizuar një aksion humanitar në prag të festave të fundvitit të vitit 99 për fëmijët në Reçak, shkruan Magazina.al
Në atë kohë Eliza ishte studente e Akademisë së Arteve dhe bashkë me disa studentë të tjerë kishte organizuar shpërndarjen e dhuratave për fëmijët në Reçak, të cilët ende i kishin të freskëta kujtimet e luftës.
“Nga paratë që kemi grumbulluar kemi blerë 2500 dhurata. Kjo është gjëja më e vogël që mund të bëjmë për këta fëmijë, sepse të gjithë e dimë se nuk mund t’i kthejmë prindërit, shtëpitë dhe të gjitha gjërat e tjera që ata humbën gjatë luftës, kështu gjërat që mund të bëjmë janë të sjellim më shumë lumturi dhe gëzim ” kishte thënë Eliza për mediat e huaja./ KultPlus.com
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në New York 2018-të, që nga sot ka hapë thirrjen për aplikim, shkruan KultPlus.
Ky festival fton autorët e filmave të metrazhit të gjatë, të shkurtër dhe atij dokumentar që t’i dërgojnë filmat e tyre për edicionin e shtatë të këtij festivali që nis nga 25 e përfundon më 29 maj në New York.
Të gjithë prodhuesit e filmave nga e gjithë bota që kanë prodhuar filmat këto 3 vitet e fundit kanë të drejtë aplikimi duke dorëzuar filmi online.
Në këtë edicion do të ndahen tetë çmime si në vijim:
Best Feature Film
Best Short Film
Best Feature Documentary Film
Best Short Documentary Film
Best Actor Award
Best Actress Award
Production Award
Best Photography Award./ KultPlus.com
Regjisori Adonis Filipi këtë vit e nis me projektin teatror “Lule dielli”. Një projekt teatror, i cili ka bërë bashkë regjisorin Filipi me aktorët për të vijuar me këtë shfaqje në disa skena të ndryshme. Individë, grupe njerëzish, në një rendje të papërmbajtshme drejt fatit.
Regjisori Filipi tregon se është një endje njerëzore në kufijtë e ekzistencës, kryqëzim kulturash shoqëruar me ankthin, pasigurinë, diskriminimin, përbuzjen. “Individë, grupe njerëzish që pavarësisht nga prejardhja apo kulturat e ndryshme, ndajnë bashkë të njëjtën faturë; pagesën e frikës ndaj të “huajit”. Një sfidë e motivuar nga shpresa për një jetë më të paqtë e më të mirë”, pohon për këtë shfaqje regjisori. Shfaqja “Lule dielli”, e hapi siparin në qytetin e Elbasanit ditë më parë, për të vazhduar turin e shfaqjeve në qarkun e Elbasanit dhe më gjerë, përgjatë vitit në vazhdim. Përgjatë muajit janar, shkurt dhe mars shfaqja do të jetë në turn ë Librazhd, Cërrik Gramsh, etj. Kjo vepër realizuar nga Asocacioni A.T.K dhe drejtuar nga regjisori i mirënjohur Adonis Filipi dhe Xhuljano Brisku është duartrokitur nga të pranishmit për emocionin dhe mesazhet e saj përmes lojës së mrekullueshme, plot ndjenjë e vërtetësi të artistëve. Në role janë Xhuliano Brisku, Ilirda Bejleri, Donald Shehu, Dajana Nenaj, Amri Hasanlliu dhe Evis Serani. Një dramaturgji e bazuar në mbledhjen e një materiali të gjallë, të dhënave mbi subjektin e frikës, emigrimit, përmes intervistave, ndodhive, kujtimeve personale dhe të njohura, shtypit, materialet letrare për zhvendosjen dhe përvojat e refugjateve, azilkërkuesve, tregimeve nga individë apo grupet me diferenca e dallime kulturore. Ky projekt është bashkëmbështetur nga Creative Europe program / Uninoni Europian dhe është i pari projekt teatror mbështetur nga deri më sot në vendin tonë. Ai vjen në kontekstin projektit europian të titulluar “Atlas i tranzicionit”, bazuar në zhvillimin e audiencës, promovimin e dialogut ndër-kulturor dhe sjelljen e komuniteteve së bashku përmes artit, kulturës në hapësirat e përbashkëta publike. Performanca e ideuar dhe konceptuar nga Adonis Filipi vjen si një (working progress) .
“E gjithë puna jonë ka synuar të prodhojë një shfaqje publike interaktive për ta paraqitur si në hapësirat konvencionale po ashtu dhe në ato jo-konvencionale, të tilla si sheshe, shkolla, hapësira publike urbane, shkruan SotNews. E kemi quajtur lule dielli, çdo njeri në vetvete është një lule dielli, dikush e ka e dikush nuk e ka dhe gjithkush provon ta kërkoj një çelës, motivuar nga shpresa për ta pasur atë dritë sikurse dhe të tjerët”, thotë regjisori Filipi. Ai tregon se synimi është që ky projekt ka për tu shtrirë në kohë deri në 2020 me ambicien për të qenë dhe pjesëmarrës i edicionit të 20 të festivalit ndërkombëtar “Skampa” si dhe eventeve të tjera ndërkombëtare si në Itali, Poloni, Francë etj.
Tema globale në shfaqje
Për bashkëregjisorin dhe aktorin Xhuljano Brisku, projekti “Lule dielli” ishte një sfidë dhe diçka ndryshe nga ajo që ishin mësuar. Sipas tij, një eksperiencë emocionale e frymëzuese ka qenë kontakti me spektatorët. “Gjatë shfaqjes ne ndjemë shumë ndjesi emocionale tek shikuesit që ishin të ndryshëm , që vinin dhe nga zona periferike, ata ishin gati të ulërinin e të thoshin mjaft dramave të emigrantëve, refugjatëve nëpër botë. Ai ishte një sadisfaksion shumë i madh për gjithë grupin, që ne kishim arritur të sjellim një mesazh kaq të fortë dhe jo vetëm tek ata që e kanë përjetuar emigrimin, por dhe ata që e kanë dëgjuar nga të afërmit e vet, që është një realitet sa shqiptar, por dhe Europian e në botë”, thotë ai. Tema kryesore është emigrimi dhe bashkëregjisori tregon se janë fokusuar të sjellin histori të njerëzve të ndryshëm nga e gjithë bota. “Një nga temat më globale dhe më shqetësuese që po mbërthen botën. Jemi munduar më shumë të sjellim ndjesitë, vuajtjet, rreziqet, peripecitë që kanë hequr gjithë emigrantët anembanë në endjen duke kërkuar dritën. Ashtu si Luledielli e cila ndjek dritën e diellit ashtu dhe gjithë emigrantët kërkojnë shpresën”, vijon bashkëregjisori i shfaqjes.
Këngëtarja e bendit irlandez Cranberries pati planifikuar që të incizojë versionin e ri të këngës së tyre të famshme “Zombie” një ditë pasi ajo vdiq.
Dolores O’Riordan u gjet e vdekur dje në një dhomë hoteli në Park Lane, Londër, vetëm disa orë para se ajo të këndonte së bashku me brendin hard-rock “Bad Wolves”, transmeton Koha.net.
Këngëtarja i kishte thënë grupit se e pëlqente shumë këngën e famshme të “Zombiet” dhe dëshiroi që të incizojë një version të ri të kësaj kënge në një sesion të planifikuar për sot./ KultPlus.com
Është një komedi e zezë në plot kuptimin e fjalës, sepse ndodhë në një ditë funerali, në një ditë kur familjarët e të vdekurës do të duhej të ishin duke mbajtur zi, por ata në atë ditë ata bëjnë gjëra të prapta, duke mos pasur pikë respekti për të vdekurën.
“Plaçkitësit”, është komedi e shkruar nga Joe Orton ndërsa me regji të regjisorit kosovar Ben Apolloni ajo jepet premierë sonte në Teatrin e Kumanovës, shkruan KultPlus.
Shfaqja jetësohet nga aktorët: Sefedin Shabani, Rabije Alilovska, Shkëlqim Islami, Ismail Kasumi, Qazmedin Nuredini dhe Beqir Nuredini.
Kjo komedi e mbushur përplot situata e batuta komike, në fakt është shumë e hidhur dhe fshikulluese për njeriun e kohës tonë i cili ka humbur të gjitha vlerat humane, vlera për të cilat gjithmonë është folur, por duket se kurrë nuk kanë ekzistuar në të vërtetë.
Asistent regjie i kësaj shfaqje është Ibër Deari kurse teksti është përkthyer nga Artu Lena. Skenografia nga Armend Ademi, kostumet Bjondina Abduli kurse për muzikën është përkujdesur Orhan Shaqiri.
Sonte më 16 janar me fillim nga ora 20:00, në Teatrin e Kumanovës, ju presin “Plaçkitësit”./ KultPlus.com
Që nga fillimi i vitit 2018-të, nuk ka ndonjë ditë që nuk po organizohet dhe paralajmërohet ndonjë ngjarje në shënim të 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.
Kësisoj, kryeministri shqiptar, Edi Rama, është ai që bashkë me qeverinë e tij shpalli vitin 2018-të, Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ndërsa ky vit duket se po festohet në mënyra të ndryshme e mjaft kreative. Rama, e ka nisur ditën sot duke publikuar pamjet e përgatitjeve të fundit të muzeut muzeal “Triditëshi i Yllit të Mëngjesit”, shkruan KultPlus.
Bëhet fjalë për një labirint ndërveprues imazhesh të Skënderbeut dhe artefaktesh autentike pjesërisht të pashfaqur më parë, që nga mbrëmja e sotme pritet të çelet në Tiranë, në hollin e Pallatit të Kongreseve, si pikë kulmore e 550 vjetorit të vdekjes se Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
“MIRËMËNGJES
dhe ju uroj një ditë të mbarë me përgatitjet e fundit për ta bërë të ndriçojë siç duhet Yllin e Mëngjesit, i cili, pasi mori rrugëtimin e tij fantastik më 28 nëntor në Vlorë, do të qëndrojë në Tiranë gjatë tre ditëve të jubileut të Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, ka shkruar Rama.
Mësohet se muzeu do të vizitohet falas prej ditës së sotme, ora 19:30 me 22:00 të mbrëmjes si dhe të mërkurën e të enjten, nga ora 10:00 me 22:00 të mbrëmjes./ KultPlus.com
Në 550 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Muzeu i Kosovës, me nismën “Museum Illirycum”-Zvicërr, Organizojnë ekspozitën me libra, gravura, pulla dhe bankota nga mesjeta e deri në vitet e 30-ta, shkruan KultPlus.
Ekspozita, e cila vjen nga koleksionuesi shqiptar Ilir Xheladini, do të hapet nesër më 17 janar, në Muzeun e Kosovës, me fillim nga ora 18:00./ KultPlus.com
Këngëtarja Dolores O’Riordan, vokaliste e Cranberries, e cila u nda nga jeta në mënyrë të papritur në moshën 46-vjeçare, sipas miqve të saj, vuante nga depresioni.
Artistja irlandeze u gjet pa jetë në një dhomë në Hilton London ditën e hënë, ndërsa policia nuk ka dhënë shpjegime mbi arsyet e vdekjes.
As zëdhënësi nuk komentoi, duke thënë vetëm se ishte një vdekje e papritur dhe se familja e saj është shumë e trishtuar, transmeton tch.
Vitin e kaluar, 46-vjeçarja kishte zbuluar se gjatë shumicës së karrierës ka vuajtur nga depresioni dhe problemet e shëndetit mendor, që kanë kulmuar me tentativën për vetëvrasje në vitin 2013.
Në vitin 2015 u diagnostikua me çrregullim bipolar./ KultPlus.com
Ajo po të donte mund të bëhej Mbretëresha e Shqipërisë. Të paktën Zogu e donte aq shumë këtë gjë. Princesha ishte vajza e Mbretit të Greqisë Aleksandër dhe e Aspasia Manos, e një grekeje me origjinë nga Stambolli. Mori emrin e të atit pasi erdhi në jetë pesë muaj pas vdekjes së tij. Mbreti në moshën 27-të vjeçare humbi jetën(nga septicemia) për shkak të kafshimit gjatë një shëtitje në periferinë e rezidencës verore Tatoi nga një majmun.
Aleksandra nga ana e nënës ishte e vetmja anëtare e familjes mbretërore me prejardhje greke. Në shumicën e familjeve mbretërore europiane dinastia Glucksburg bashkëshorti/ja ishin me prejardhje gjermane.
Në moshën 3-vjeçare u detyrua të largohet nga Greqia dhe së bashku me nënën e saj u vendosën në disa qytete europiane. Por qëndra ishte Venecia. Rininë e kaloi duke studjuar dhe duke krijuar shoqëri me njerëzit brenda fisit të saj. Një nga miqtë më të afërt ishte Princi Filip, bashkëshorti i Mbretëreshës së Anglisë, Elisavet.
Në moshën 16- vjeçare sapo ishte formuar si personalitet dhe po dilte në jetën shoqërore me një shkëlqim dhe bukuri të veçantë në vilën ku jetonin në Venecia erdhi një njoftim shumë interesant dhe me shumë rëndësi. Mbreti Zog dërgonte nga Roma ambasadorin e tij me një mision tepër konspirativ. Ishte viti 1937-të.
Përpara se të ndalemi tek ky takim letë të bëjmë një retrospektivë në vend të parantezës.
Në vitin 1928-të Zogu vetëshpallet Mbret i Shqipërisë. Në shtator të po këtij viti Greqia njohu e para këtë veprim, duke i sjellë Shqipërisë dhe vetë Zogut një shërbim mjaft thelbësor.
Pas shpalljes së Mbretërisë përveç problemeve të shumta që ai kishte për të ndjekur në aspektin politik, shoqëror dhe ekonomik, njëra ishte disi më e veçantë. Proekupimi kryesor, martesa me një vajzë që vinte nga një familje aristokrate dhe mundësisht mbretërore europiane. Shumë janë thënë dhe janë shkruar për këtë periudhë. Le të ndalemi tek disa prej tyre, më pikantet dhe më thelbësoret të cilat ndoshta e pikëlluan Zogun.
Italianët qenë të parët të interesuar për një martesë të tillë, një martesë që më shumë se sa e tillë, shikohej si snjë aleancë politike, që mbartëte brenda saj vetëm interesa, qoftë të së kaluarës por edhe të ardhmes gjeopolitike te saj në rajon.
Ata qysh më 1931 i kishin dërguar Mbretit një listë të gjatë që përmirësohej vazhdimisht në kohë dhe në rrethana të caktuara me markeze, kontesha,barone dhe princesha, kandidate të mundëshme për Mbretëresh, bashkë me fotografitë e tyre. Këto veprime bëheshin më intensive pasi shpesh shtypi i huaj fliste për një martesë të mundëshme të Mbretit herë me një gjermane e herë me një hungareze apo edhe serbe e rumane…Detaje më të plota për këto janë shkruajtur në librin me kujtime ‘’Valixhia Diplomatike’’(Pietro Kuarone, Ugo Sola).
Pamvarësisht nga të gjitha këto, preferncat më të shumta të Zogut ishin për të bijën e Mbretit të Italisë, Princeshën Maria. Pak më vonë Ai tëthiqej më shumë nga Princesha Xhovana, vajza 22-vjeçare e Viktor Emanueli lll dhe Elenës së Malit të Zi. Një martesë e tillë e mundëshme do të sillte një fuqizim të pozitave italiane në gjithë rajonin por edhe të Zogut.
Dëshirat e Mbretit nuk po bëheshin realitet, vitet rrokulliseshin dhe mosha po bënte punën e vet…Për të mos u zgjatur me faktet e shumta dhe peripecitë e një pas njëshme le të ndalemi përsëri tek viti 1937-të.
Faktet e këtij viti nuk kanë zënë vend aq sa duhet, ose ose, nuk janë pasqyruar ndoshta nga mungesa e tyre, apo edhe nga arësyetime dhe rrethana të tjera, në historikun e familjes mbretërore, por edhe të historiografisë shqipëtare.
Zogu ishte 42-vjeç, ndërsa Aleksandra vetëm 16-të. Siç e përmendëm dhe më lart, në vilën Edem në Venecia ku jetonte Princesha, mbëriti një letër nga Mbreti i Shqipërisë me ambasadorin e akredituar në Romë. Në ato vite ambasador ishte miku personal i Mbretit Zog, Xhafer Villa.(1936-1938). Për ironinë e fatit dhe të përpjekjeve të tij ndaj Naltmadhërisë ai humbi jetën pothuajse pas një viti në aksident aeroporik gjatë kthimit për në Romë pas marjes pjesë në dasmën e Mbretit, në të cilën ai ishte i ftuar.
Aspasia dhe Aleksandra e pritën me përzëmërsi…Ai i njoftoi se Mbreti Zog i Shqipërisë kërkonte dorën e vajzës për tu martuar. Ambasadori shpjegoi se Naltmadhëria kishte kohë që donte të martohej por për fat të keq nuk kishte pasur deri atëherë lumturinë dhe dashurinë për një gjë të tillë, deri sa pa një fotografi të Aleksandrës. Sa e bukur, sa e madhërishme, sa që Mbreti ra në dashuri (nëpërmjet një fotografie). Ai ju tha se kishte marë udhëzime për ta shoqëruar deri në portin e Durrësit ku do ta priste Mbreti për tu njohur me Aleksandrën dhe për të thënë ‘’Po’’-në e madhe.
Nëna e saj Aspasia, pamvarësisht nga befasia e këtij propozimi, ju përgjigj ambasadorit me shumë takt. E konsideronte vajzën shumë të vogël dhe njëkohësisht duhej marë pëlqimi i shtyllës së familjes Mbretërore, Mbretit Jorgo ll.
Ai për disa arësye nuk e lejoi një bashkim të tillë. Ndoshta i trembej ndonjë divorci në të ardhen e tyre që mund ti sillte pasoja politke për të dy vendet. Ndoshta nuk donte një lidhje që mbesa e tij të bëhej Mbretëresha e një vendi ku Greqia kishte probleme… Ndoshta nuk e shikonte këtë lidhje siç e shikonin italianët…Ndoshta…
Por edhe Aleksandra nuk mendoi për asnjë çast të thoshte ‘’Po’’-në . Kështu që Princesha e Greqisë dhe e Danimarkës nuk u bë Mbretëresha e Shqipërisë. Pak vite më vonë Ajo u bë Mbretëresha e një shteti tjetër ballkanik.
Ato çka përmenda më lart janë marë ekskluzivisht nga autobiografia e saj(1957).
Në mbyllje të këtyre fakteve interesante , kujtesa më çon në disa rreshta lapidar, ku Faik Konica ka përmbledhur karakterin e Zogut;-
“Por edhe për ata që u pëlqen, edhe për ata që nuk u pëlqen, ai mbetet një karakter enigmatik interesant, një përzierje e papajtueshme kontradiktash, gjysmë hero e gjysmë karagjoz, i cili për shumë kohë do të tërheqë si mbledhësin e çudirave të historisë edhe studiuesin e psikologjisë”.
“The Zombie” konsiderohet si kënga që ka shkundur pub-et dhe hapësirat e tjera rinore, hit ky i viteve të 90-ta, që u pat shndërruar si një këngë e dashur për shumë adhurues të “The Cranberries” , shkruan KultPlus.
Dolores O’Riordan, është vokalistja e këtij bendi që ka shkrirë vokalin e saj në këtë super hit, por që e njëjta sot ka ndërruar jetë në moshën 46 vjecare.
KultPlus sjellë edhe njëherë këtë hit të madh për ta kujtuar këtë këngëtare të madhe./KultPlus.com
Gjergj Pelini, një kosovar i Novobërdës, ambasador i Skënderbeut në Republikën e Venedikut.
Kështu shkruan historiani i njohur Jahja Drançolli, që thotë se krahas politikës së brendshme, rëndësi të madhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i ka kushtuar edhe politikës së jashtme.
“Në skenën europiane Skënderbeu kishte hyrë kur ajo ishte e përçarë, sikurse edhe Arbëria. Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, Skënderbeun do të zëvendësonin një sërë diplomatësh, siç ishin, vëllezërit Gazulli (Gjini, Pali dhe Ndreu), Gjergj Pelini i Novobërdës, arqipeshkvi Pal Engjëlli, Ndrte Snatiku, abati Lazar, e ndonjë tjetër. Rol kyç në diplomacinë skënderbejane kanë luajtur vëllezërit Gazulli, të cilët kishin specializuar për çështje të marrëdhënieve të Skënderbeut me Raguzën, Shtetin e Papës dhe Mbretërinë e Hungarisë. Gjergj Pelini i Novobërdës (? – 1463, lat. Georgius Pelino, Georg/Georgo Pelinus/Pellinus, Georgius Polini, etj.), ndërkaq ishte i specializuar për çëshje të marrëdhënieve me Republikën e Venedikut”, ka thënë Drançolli në një artikull autorial, raporton Koha.net.
Sipas tij, ambasadori e diplomati Pelini ka lindur në Novobërdë (“venerabilis vir dom Georgius Pellini de Nouomente; “Georgius Andree Pellini de Nouamonte”, etj.), dhe pjesën e madhe të jetës e drejtonte Kuvendin benediktin të Shën Mërisë në Rotec afër Tivarit (1436-1463, Rotezo, Rhotetio, Rotazio, Roteza, Ratec, Retec, Rozezo, de Reteco, Ertezo, etj.).
“Sipas lëndës arkivore të proveniencave dalmate dhe italiane, aktiviteti diplomatik i abatit Pelini mund të ndiqet së paku nga viti 1438; më 1441, e shoqëronte Gjin Gazullin në një mision diplomatik në Itali; në cilësi të diplomatit kishte vizituar shpesh Republikën e Venedikun (1448-1463). Më 1448 (4 tetor), Pelini mori pjesë me Ndreun (ipeshkëv i Arbërisë) në Traktatin e paqës, në mes të Skënderbeut e Venedikut, që është përfaqësuar nga Paolo Loredan e Andrea Venier. Traktati i paqës, që u nënshkrua në kampin e Skënderbeut, caktonte që Danja t’i mbetej Venedikut, por që edhe Skënderbeu të shpërblehej, me një pension të përvitshëm (1400 dukate); me një hua (1500 dukate), që i mundësonte të bëhej mik i Huniadit në Betejën e Dytë të Kosovës (17-19/X/1448)”, ka thënë tutje Drançolli, teksa ka shtuar se objektivi i kësaj marrëveshjeje paqësore ishte që Skënderbeu t’i shpëtonte luftës në dy fronte njëkohësisht: më Venedikun dhe më osmanët.
“Pelini, dy vjet më vonë, në emër të Skënderbeut, i ofronte Venedikut sovranitetin mbi Krujën. Në vitin 1456, ai kishte ndërmjetësuar me shpenzimet e vete në zgjidhjen e një sërë çështjesh të diskutueshme mes Venedikut e Skënderbeut. Në vitin tjetër (qershor 1457), përveç ankesave të Skënderbeut ndaj Venedikut rreth mospagimit të taksave dhe shkeljen e privilegjeve të dakorduara më parë, Pelini, kishte kërkuar nga Republika, që ti lejohet Skënderbeut të dilte në Zetën Arbrore, e cila në atë kohë pjesërisht ishte nën osmanët. Gjatë shtrëngesave të paraqitura, Pelini kishte shfrytëzuar nga rasti, që t’i kërkonte Senatit të Venedikut, katër fshatra, të cilat i kishte pushtuar më parë konti Vojinoviq. Po në këtë vit, Pelini qe angazhuar edhe te Papa Kaliksti III, që Skënderbeut ti vazhdohen ndihmat financiare. Reputacioni i Pelinit në Venedik, dëshmohet nga fakti së në prill (1462), Senati i kishte shkruar princit të Shkodrës, për ta angazhuar Pelinin rreth ndërmjetësimit më gjeneralin. Pelini, edhe me këtë rast, si një ndërmjetës mes dy palëve, kishte arritur sukses. Para vdekjës i papëlqyeshëm për administratën e komunës së Tivarit, Pelini kishte kërkuar për të shkuar në Venedik, dhe atje, që të kalonte pjesën tjetër të jetës; kishte paraqitur kërkesë drejtuar Senatit për tu vendosur me të afërmit. Në cilësi të diplomatit për herë të fundit e ndeshim në Venedik (20/X/1463, protonotarius et abbas sancte Marie de Rotetio), dhe me siguri ka vdekur në mes të kësaj date dhe datës 13/XII/1463)!”, ka thënë Drançolli.
Bota e kujton si një nga figurat më te zëshëm në histori, i cili kërkoi të drejtat bazike për njerëzit me ngjyrë në SHBA, shkruan KultPlus.
“I have a dream”, apo në shqip “Unë kam nje ëndërr” është titulli i fuqishëm i fjalimit madhështor të King, përmes të cilit la një thirrje e mesazh frymëzues i cili kujtohet edhe sot. Ky fjalim mbahet mend si një nga fjalimet më të mira e frymëzuese në historinë e njerëzimit. Më 1963 në marshin protestues në Washington ai i kërkonte SHBA-së që t’i jepte fund diskriminimit racor. Ai ishte zëri i 250 mijë protestuesve të cilët qëndronin në heshtje duke ndjerë çdo fjalë të këtij fjalimi, ndërsa brohoritnin fort pas çdo fjalie.
“Unë kam një ëndërr, që të gjithë njerëzit të jenë të barabartë. Unë kam një ëndërr, që katër fëmijët e mi do të jetojnë një ditë në një vend, ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës, por nga karakteri i tyre. Sot unë kam një ëndërr”, ka thënë King gjatë fjalimit të tij.
KultPlus po ju sjellë sonte këtë fjalim të fuqishëm:
Njëqind vjet më parë, një amerikan i madh, nën hijen e të cilit qëndrojmë sot, nënshkroi Shpalljen e Emancipimit. Ky dekret i momentit erdhi si drita e një feneri të madh për miliona skllevër me ngjyrë, të cilët ishin përcëlluar në flakët e padrejtësisë përvëluese. Erdhi si një agim në fund të një nate të gjatë të robërimit.
Por njëqind vite më vonë, njerzit me ngjyrë ende nuk janë të lirë. Njëqind vite më vonë, jeta e një njeriu me ngjyrë është ende e sakatuar nga prangat e izolimit dhe zinxhirët e diskriminimit. Njëqind vite më vonë, njerëzit me ngjyrë jetojnë në një ishull varfërie në mes të një oqeani të gjerë me prosperitet material. Njëqind vite më vonë, njerëzit me ngjyrë ende brengosen në qoshe të shoqërisë amerikane dhe e ndjejnë veten si në ekzil në tokën e tyre. Prandaj ne kemi ardhur këtu të dramatizojmë një kusht të turpshëm.
Në një farë kuptimi, ne kemi ardhur në kryeqytetin e kombit tonë për të marrë një çek. Kur arkitektët e republikës sonë shkruan fjalët e mrekullueshme të Kushtetutës dhe Shpalljes së Pavarësisë, ata po nënshkruanin një shënim premtues, sipas së cilit, çdo amerikan duhet të ishte trashëgimtar. Ky shënim ishte një premtim se të gjithë njerëzit, po, njerëz me ngjyrë dhe të bardhë, do t’i garantoheshin të drejtat e patjetërsueshme të jetës, liria dhe kërkimi i lumturisë. Është fare e qartë sot se Amerika nuk i ka plotësuar zotimet e premtuara, për sa i përket qytetarëve me ngjyrë. Në vend që të nderojnë këtë detyrim të shenjtë, Amerika u ka dhënë popullit me ngjyrë një çek të keq, një çek në të cilin shënohen “fonde të pamjaftueshme”.
Por ne refuzojmë të besojmë se banka e drejtësisë ka falimentuar. Ne refuzojmë të besojmë se nuk ka fonde të mjaftueshme në kupën e madhe të mundësive të këtij kombi. Prandaj ne kemi ardhur ta marrim këtë çek, një çek që do të na japë mbi kërkesën e pasurisë, lirinë dhe drejtësinë.
Tani është koha t’i bëjmë të vërteta premtimet e demokracisë. Tani është koha ta bëjmë drejtësinë një realitet për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Do të ishte fatale sikur ky komb të tejkalonte urgjencën e momentit. Njëmijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e treshi nuk është fundi, por fillimi. Vorbulla e revoltës do të vazhdojë të tundë themelin e kombit tonë deri në ditën e shndritshme që drejtësia do të lindë.
Duhet t’i them diçka atyre që qëndrojnë në pragun e ngrohtë, që i drejton në pallatin e drejtësisë. Në procesin për të fituar vendin tonë të drejtë, ne nuk duhet të ndihemi fajtorë për veprimet tona të gabuara. Le të mos kërkojmë të kënaqim etjen tonë për liri duke pirë nga kupa e zemërimit dhe urrejtjes. Nuk duhet ta ngrijmë përpjekjen tonë në sferën e lartë të dinjitetit dhe disiplinës. Nuk duhet të lejojmë që protestat tona krijuese të degjenerojnë në dhunë fizike. Duhet të ngrihemi përsëri dhe përsëri në lartësinë madhore për të bashkuar forcën fizike me forcën shpirtërore.
Jam i vetëdijshëm se disa prej jush kanë kaluar përejtime dhe vuajtje të mëdha. Disa prej jush vijnë direkt nga qelitë e burgjeve. Disa prej jush vijnë nga zona ku kërkimi për liri ju ka lënë të dërrmuar nga stuhia e persekutimeve dhe është tronditur nga era e brutalitetit të policisë. Ne jemi veteranët e vuajtjes krijuese. Vazhdoni të punoni me besimin se vuajtjet e pamerituara janë shpenguese. Shkoni në Misisipi, shkoni në Alabama, kthehuni në Karolinën e Jugut, shkoni në Xheorxhia, kthehuni në Luiziana, shkoni në lagjet e varfra dhe getot e qyteteve veriore, duke ditur se në një farë mënyre situata mund dhe do të ndryshojë. Le të mos zhytemi në lëndinën e dëshpërimit, ju them, miqtë e mi. Edhe pse po përballemi me vështirësitë e të sotmes dhe të nesërmes, unë ende kam një ëndërr. Është një ëndërr e rrënjosur thellë në ëndrrën amerikane.
Unë kam një ëndërr se një ditë ky komb do të ngrihet dhe do të jetojë kuptimin e vërtetë të besimit të tij: Ne mendojmë se këto të vërteta janë të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë. Kam një ëndërr se një ditë në kodrat e kuqe të Xheorxhias yjet e ish-skllevërve dhe bijve të të zotëve të ish-skllevërve do të ulen krah për krah në tavolinën e vëllazërisë.
Kam një ëndërr se një ditë, madje dhe në shtetin e Misisipit, një shtet i djersitur me nxehtësinë e padrejtësisë, do të djersisë nxehtësinë e shtypjes, do të transformohet në një oazë lirie dhe drejtësie.
Kam një ëndërr se poshtë në Alabama, ku sundon racizmi i ligë, ku nga buzët e guvernatorit dalin fjalë pa kuptim, djem dhe vajza të vogla me ngjyrë, do të mund të bashkojnë duart me djem dhe vajza të vogla të bardha, si motra dhe vëllezër. Sot kam një ëndërr!
Kam një ëndërr se një ditë çdo luginë do të lartësohet dhe çdo kodër dhe mal do të ulet, vendet e ashpra do të sheshohen dhe vendet e lakuara do të bëhen të drejta, dhe lavdia e Perëndisë do të zbulohet dhe të gjithë do ta shohin së bashku.
Kjo është shpresa jonë. Ky është besimi me të cilin kthehemi në Jug. Me këtë besim do të jemi në gjendje ta kthejmë malin e dëshpërimit në një gur shprese. Me këtë besim do të jemi në gjendje ta transformojmë disharmoninë e kombit tonë në një simfoni të bukur të vëllazërisë. Me këtë besim ne do të jemi në gjendje të punojmë së bashku, për të luftuar së bashku, për të mbrojtur lirinë së bashku, me dijen se një ditë do të jemi të lirë. Dhe kjo do të jetë dita kur fëmijët e Perëndisë të jenë në gjendje të këndojnë së bashku me një kuptim të ri “Vendi im është toka e ëmbël e lirisë. Toka ku stërgjyshërit kanë vdekur, toka e krenarisë së pilgrimëve, nga çdo majë mali le të këndojë liria”. Dhe nëse Amerika do të bëhet një komb i madh, kjo duhet të bëhet e vërtetë.
Kështu lëreni lirinë të kumbojë nga majat e kodrave të Nju Hemshajërit.
Lëreni lirinë të kumbojë nga malet e gjera të Nju Jorkut.
Lëreni lirinë të kumbojë nga lartësitë e Pensilvanisë.
Lëreni lirinë të kumbojë nga shkëmbinjtë me dëborë të Kolorados.
Lëreni lirinë të kumbojë nga pjerrësirat e Kalifornisë.
Por jo vetëm kaq. Lëreni lirinë të kumbojë nga mali i gurit të Xheorxhisë.
Lëreni lirinë të kumbojë nga mali i Tenesit.
Lëreni lirinë të kumbojë nga çdo kodër dhe pirg dheu i Misisipit, nga çdo krah mali, lëreni lirinë të kumbasë!
Dhe kur kjo të ndodhë, kur ta lejojmë lirinë të kumbojë, kur ta lëmë të kumbojë nga çdo fshat dhe çdo katundth, nga çdo shtet dhe çdo qytet, do të jemi në gjendje të përshpejtojmë ditën kur fëmijët e Perëndisë, të bardhët dhe të zinjtë, hebrenj dhe paganë, protestantë dhe katolikë, do të bashkojnë duart dhe të këndojnë fjalët e ritmit shpirtëror të njerëzve me ngjyrë “Më në fund të lirë, më në fund të lirë. Lavdi Zotit të Plotfuqishëm, jemi më në fund të lirë”./KultPlus.com
Kjo ekspozitë, e cila përkon me një datë historike, atë të 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, synon t’i prezantojë publikut të gjerë figurën e Skënderbeut përmes një koleksioni të rrallë, shkruan KultPlus.
Më 17 janar 2018, Shoqata e Koleksionistëve të Shqipërisë hap siparin e aktiviteteve në vitin mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti – Skënderbeut. Muzeu Kombëtar i Krujës do të jetë stacioni i parë ku do të zhvillohet ekspozita e përkohshme, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu përmes monedhës dhe pullës shqiptare”. Kjo ekspozitë, e cila përkon me një datë historike, atë të 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, synon t’i prezantojë publikut të gjerë figurën e Skënderbeut përmes një koleksioni të rrallë monedhash, kartëmonedhash dhe pullash shqiptare, pjesë e koleksionit të Julian Demeti dhe Jovan Basho.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Muzeun Kombëtar të Krujës në datat 17 -18 Janar 2018. Julian Demeti dhe Jovan Basho janë koleksionistë dhe anëtarë të Kryesisë së Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë. /KultPlus.com
Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko zhvilloi një vizitë në fshatin Karakurt, në rajonin e Odesës ku jetojnë më shumë se gjysma e shqiptarëve të Ukrainës.
Gjatë vizitës Majko përcolli dhe një mesazh për shqiptarët që jetonin atje. “Pas 300 vitesh duhet të vini në Shqipëri, për ta parë nga afër vendin tuaj të origjinës, i cili është kthyer në një destinacion mjaft të preferuar turistik”– tha Majko
“Gjaku nuk bëhet ujë”, tha më tej Ministri i Shtetit, në këtë vizitë zyrtare ku u prit nga autoritetet rajonale e gjithashtu përfaqësuesit e diasporës shqiptare. Majko premtoi se do të ketë gjithmonë një sy e një vesh për diasporën në Ukrainë.
Implementimi i projekteve të përbashkëta në arsim dhe kulturë ishte në qendër të një tryeze të rrumbullakët të mbajtur me autoritetet rajonale dhe përfaqësues të diasporës. Ministri Majko, i shoqëruar edhe nga ambasadorja e Shqipërisë Shpresa Kureta, në Ukrainë, vizitoi shkollën ku mësohet gjuha shqipe e gjithashtu Shtëpinë e Kulturës ku performuan një sërë grupesh artistike të diasporës.