Lasgush Poradeci, jeta e vështirë në shtëpinë me lagështirë

“Shtërgu i fundit” iku nga kjo jetë në orën 3 pasdite të 12 nëntorit të vitit 1987.

Një nga lirikët më të mëdhenj të letërsisë shqiptare, që i dhuroi Shqipërisë “Vallen e yjeve”, “Yllin e Zemrës”, e më tej bëri të flasin shqip “Eugjen Onjegin” i Pushkinit, lirikat e Lermontovit, poemat e Hajnes, të Majakovskit e Miskieviçit, lirikat e Gëtes dhe poezi të Lanaut, Brehtit, Hygoit, Mysesë, Bajronit, Shellit, Bërnsit, të Emineskut, etj., u la në harresë dhe në mjerim të plotë pas vitit 1944.

I diplomuari në Grac të Austrisë, ishte një përkthyes me normë, që po vdiste dalëngadalë nga indiferentizmi i shtetit. I ballafaquar çdo ditë me rrezikun e ndonjë internimi të mundshëm që kishte kapur shumë shokë të tij të letrave, ai stërmundohej për gjëra nga më të voglat.

Një jetë e vështirë që e kaloi në shtëpinë e tij me lagështirë, të papërfunduar, në Tiranë, e pjesërisht në shtëpinë e rrënuar të tij në Pogradec, i solli edhe sëmundjen që e çoi drejt vdekjes. “Kostandinë, bijë e babait, trupin tim edhe të vdekur ta shpiesh në Pogradec”, i thotë ai vajzës së tij të dashur që i qëndron tek koka. Pasi heshti pak e pyet: “Po a ke lekë ti, bijë e babkës, të më varrosësh mua atje?”.

Këto janë fjalët e fundit të poetit të madh shqiptar që vdiq padrejtësisht si i vogël. / KultPlus.com

Shiten në ankand 112 letra dashurie të Simone de Beauvoir

Sipas shtëpisë së ankandeve Christie’s, kineasti Claude Lanzmann shiti 112 letra dashurie që ia kishte dërguar francezja e famshme Simone de Beauvoir. Regjisori i dokumentarit mbi holokaustin Shoah tha se u detyrua të përshëndetej me korrespondencën për shkak të një ligji skandaloz trashëgimie në Francë që lejon kalimin e trashëgimive të të gjitha shkrimeve të një autori të afërmëve shpesh herë të panjohur duke vjedhur destinatarët e vërtetë të kësaj korrespondence. “Sipas këtij ligji përkatësia e asaj që shkruhet është e atij që e shkruan dhe jo e marrësit,” – u shpreh Lanzmann.

Letrat janë plot pasion çmendurie që çifti shkëmbeu gjatë aventurës së tyre prej 7 vitesh në dekadën 1950 e nuk janë publikuar kurrë. Christie’s njoftoi se këto u blenë nga universiteti i Jeillit që kishte tashmë dorëshkrime dhe arkiva personale të Beauvoir-it. “Nuk e kam menduar kurrë t’i publikoj këto letra,” – tha Lanzmann, 93 vjeç që ishte sekretar i filozofit dhe dramaturgut Jean-Paul Sartre, partneri për shumë vite i Beauvoir-it. Çifti i artë i intelektualizmit francez të gjysmës së shek XX mbajti një marrëdhënie të hapur në të cilën shijonin dhe inkurajonin një seri dashurish mes tre personave.

Lanzmann që ishte 17 vjeç më i vogël se Beauvoir u dashurua me të kur ishte redaktor në revistën “Les Temps Modernes”, e ngritur nga çifti pas Luftës së Dytë Botërore. Agnes Poirier, autore e “Left Bank”, një libër sesi idetë që modeluan botën moderne lindën në kryeqytetin francez gjatë revoltave intelektuale në dekadën e viteve 40 thotë që Lanzmann-i ishte i vetmi burrë me të cilin Beauvoir-i bashkëjetoi. Me Sartrin mbajtën gjithmonë jetë të ndara, por ajo i lejoi Lanzmann-in të shpërngulej në shtëpinë e saj.

Ai ishte 26 vjeç dhe ajo 44 kur filluan një romancë dhe ai gjithmonë i thoshte asaj se ishte një dashnore shumë e apasionuar. “Pas të 40-ve Beauvoir nuk ndihej një grua e dëshirueshme, por me të ajo jetoi një rini të dytë, – shpreh Poirier, – dhe autorja e “Seksi i dytë” jetoi në një rilindje.” Ashtu si me Sartrin edhe me Lanzmann-in mbajti një marrëdhënie të hapur, por ajo e mori shumë për keq kur zbuloi se ai kishte një aventurë dhe nuk ia kishte thënë. “Ajo nuk e gjykonte se pse e kishte, por pse nuk ia kishte thënë,” – shtoi shkrimtarja. Sipas bibliotekës së Jeillit që për momentin e lejon leximin e letrave vetëm në sallë leximi, pjesa më e madhe janë shkruar ndërkohë që Beauvoir ishte në udhëtim me Sartrin gjatë vizitave të saj në Rusi, Kinë, Japoni dhe në Kubë.

Kristal

Poezi e shkruar nga Ismail Kadare.

Ka kohë që s’shihemi dhe ndjej
si të harroj une dalëngadal
si vdes tek une kujtimi yt
si vdesin flokët dhe gjithçka.

Tani kërkoj poshtë e lartë
një vend ku ty të të lëshoj
nje strofë a notë, a një brilant
ku të të lë, të puth, të shkoj.

Në s’të pranoftë asnjë varr
asnjë mermer, a morg kristal
mos duhet vallë prapë të të mbart
gjysëm të vdekur, gjysëm të gjallë.

Në s’gjetsha hon ku të të hedh
do gjej një fushë a një lulnajë
ku butësisht porsi polen
gjithkund, gjithkund të të shpërndajë.

Të të mashtroj ndoshta kështu
dhe të të puth të ik pa kthim
dhe nuk do dine as ne askush
harrim ish ky a s’ish harrim.

Albulena Jashari reflekton në ekspozitën ‘Akordet e çikave’ (FOTO)

Gili Hoxhaj

Piktura, kitara e CD të stolisura shpërfaqnin multidimensionalitetin e artistes Albulena Jashari. Ajo sonte solli ekspozitën e dytë personale duke e dëshmuar stilin e veçantë edhe në pikturë derisa shpalosi punimet në ambientin e Hanit të 2 Robertëve në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Albulena është artiste e grafikës, e muzikës dhe e kitarës, por janë këto vitet e fundit ato që e kanë tërhequr vëmendjen më të madhe të kësaj artisteje drejt pikturës. Janë tetë punime të pikturave, tri kitare të stolisura dhe pesëmbëdhjetë CD të cilat vijnë të modifikuara me stolitë personale të artistes, e të cilat ajo i ka parë si mënyrë riciklimi. Në disa nga pikturat e saj kishin zënë vend dy e më shumë portrete femrash, e në disa të tjera figura e tyre ishte e shtrirë e vetme në një pikturë. Sytë e tyre diku janë të hapur, e diku rrinë të mbyllur, kjo për artisten nënkuptonte kërkimin e ëndrrave të tyre, apo meditimin si pjesë edhe e vetë artistes. Albulena, e dëshmuar tashmë edhe si këngëtare sonte solli kitarat me të cilat ishte rritur, mirëpo duke i dhënë një qasje tejet estetike në dukje.

“Talenti i saj më ka intriguar shumë duke qenë se ne gjatë gjithë ciklit jetësor, e kemi shumë të rëndësishme që të gjejmë akordet tona dhe të kemi një harmoni me veten në mënyrë që të jemi pjesë e një sistemi më të madh, duke qenë në harmoni edhe me ato çfarë ndodhin përreth nesh’’, tha artistja Eliza Hoxha në hapjen e kësaj ekspozite, ndërsa shtoi se përshtypje i ka lënë edhe ideja e riciklimit të CD-ve duke i sjellë kështu përmes kreativitetit të saj artin vizual me atë muzikor, ku ajo edhe bën pjesë.

Albulena ekspozitën e parë personale e kishte ndarë me publikun tiranas, mirëpo ndjenja e të qenit pranë të afërmve të saj, e shoqërisë këtu në Prishtinë, po dhuronte sonte emocione të veçanta. Madje ajo thotë se me shumë emocion i ka numëruar momentet drejt ekspozitës. Çdo punim i saj sonte këtu shpërfaqte një reflektim të artistes mbi veten.

“Secila femër e vendosur në këto piktura ka diçka të Albulenës, e kam paraqitur vetveten. Janë femra të lira, të cilat vazhdojnë ta ndjekin ëndrrën e tyre, janë femra paqësore dhe të pavarura. Është një frymë se si unë jam rritur në familjen time’’, tregoi artistja Jashari për KultPlus.

Pikturat në mur përmbajnë brenda kornizave të tyre personalitetin e fuqishëm të femrës. Disa prej tyre mbajnë flokë ngjyrë blu, disa ngjyrë kafe, të kuqe, disa të bardha, disa ngjyrë të verdhë e një prej tyre nuk ka fare flokë. Veshjet, pozita, e ngjyra e trupit të tyre prekin përtej realitetit të femrës shqiptare. Përmes këtyre elementeve artistja ka prekur femrën e kulturave të ndryshme të botës.

Artiste të disa disiplinave, e konsideron Albulenën, profesori i saj Hajrush Fazliu.

Ai tha për KultPlus se artistja duke bashkuar stilizimet e veta edhe në pëlhurë e kitarë arrin të sjellë një ekspozitë shumë të veçantë.

“Përmes një stilizimi, dekoracioni e ndërlidh çdo kompozicion dhe hapësirë por si lajtmotiv kryesisht e ka femrën, e cila paraqitet gjithnjë me një zbukurim për të treguar atë që e bën gjininë e bukur vërtetë artistike”, tha profesori Fazliu në këtë ekspozitë, i cili duke qenë profesor i artistes e ka kuptuar potencialin e saj për pikturë.

Albulena Jashari përveç magjisë së pikturave, ajo nuk kishte si ta lë anash edhe muzikën të cilën e kishte shkrirë në punimet e saj. Me këngë, e vallëzime bëri që kjo mbrëmje të jetë e plotë në aspektin artistik. Ekspozita do të shoqërojë për njëzetë ditë të gjithë vizitorët e Hanit të 2 Robertëve në Prishtinë./ KultPlus.com

“Si grua që jam, nuk kam atdhe. Si grua, nuk dëshiroj të kem atdhe…”

Thënie nga Virginia Woolf. Woolf ka lindur me 25 janar 1882 dhe mbetet një ndër shkrimtaret më të mira angleze.

“Për pjesën më të madhe të historisë, anonim ka qenë gjithnjë një grua”.

“Nuk mund të gjesh paqe, duke shmangur jetën”.

“Përse vallë gratë janë kaq … të interesuara për burrat, sesa vetë burrat janë të interesuara për gratë”

“Mbyllini bibliotekat, nëse doni, por nuk ka derë, as çelës, as shul, që mund të bllokojë lirinë e mendjes”

“Të shkruash është njësoj si të bësh dashuri. Në fillim e bën për ndjenjën, më pas e bën për mikun dhe në fund e bën për para”

“Si grua që jam, nuk kam atdhe. Si grua, nuk dëshiroj të kem atdhe. Si grua, atdheu im është gjithë bota”

“Sytë e të tjerëve janë burgu ynë; mendimet e tyre janë kafazi ynë”

“Librat janë pasqyra e shpirtit”

“Asgjë më e trashë se tehu i thikës nuk e ndan më mirë lumturinë nga melankolia”.

“Kam humbur shumë miq, disa kanë vdekur … të tjerët i kam humbur nga paaftësia për të kapërcyer rrugën”.

“Të gjitha ekstremet e të ndjerit janë të lidhura me marrëzinë”

“U nisa të shkruaj për vdekjen, veçse jeta më mori me vete, si gjithnjë”.

“Të adhuroj, por kam neveri për martesën. Urrej vetëkënaqësinë e saj, sigurinë, kompromisin e saj dhe mendimin se ti do ndërhysh në punën time, duke më vënë gardhe; pra, cila është përgjigjia jote?”

“Të rritesh do të humbësh disa iluzione, me qëllim që të kërkosh të tjera”.

“Ta shohësh jetën në sy, gjithmonë, ta shohësh jetën në sy dhe të njohësh për atë që është … në fund, ta duash atë për atë që është dhe më pas ta lësh mënjanë”.

“Shpesh në ditët me shi, nis të numëroj; çfarë kam lexuar dhe çfarë jo”.

“Në të vërtetë nuk më pëlqen natyra njerëzore, nëse nuk sheqeroset me art”.

“Pikërisht në plogështinë tonë, në ëndrrat tona, e vërteta nganjëherë e gjen rrugën mbi sipërfaqe”.

Përktheu: Rudina Dahri

Çfarë mendimi kishin rusët për Skënderbeun?

Historianët shqiptarë e kanë konsideruar Rusinë si armiken natyrale të popullit shqiptar. Pavarësisht kësaj, më herët, intelektualët e këtij populli kanë vlerësuar dhe nderuar heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Jakov Kozelcki, shkrimtar rus: Shkroi Veprën “Filozofskije predlozenia” (Propozime filozofike), botuar në Petërburg në vitin 1768. Në qendër të librit është figura e Skënderbeut, ku vihet në dukje lufta heroike e popullit shqiptar kundër pushtuesve osmanë nën udhëheqjen e Skënderbeut. Kjo luftë thekson ai është një shembull tipik i luftës së drejtë të një populli të vogël kundër një agresori shumë të fuqishëm.

Duke krahauar Gjergj Kastriotin me Aleksadnrin e Maqedonisë, jep një vlerësim të ri: “Skënderbeu është me të vërtetë, i madh, hero i vërtetë i njërëzimit, sepse ka luftuar për lumturinë dhe lirinë e popullit të vet e të popujve të tjerë.”

Nikollai Karamzini, shkrimtar i madh rus i fund shek. XVIII- fillim shek. XIX.
Në veprën dymbëdhjetëvëllimëshe “Istoria Gosudarstva Rossiiskovo” botuar më 1842 ,e zemërimin thekson: “Të tmerruar nga fitoret e Muratit e të Mehmetit II, sunduesit perëndimorë dridheshin por nuk vepronin. Heroi i Shqipërisë i famshmi Skënderbej, u dha atyre shembulllin e shpirtmadhësisë. Vetëm me një grusht njerëzish ai zmbrapsi ushtritë e panumërta të sulltanëve.

Por më kot: “sunduesit evropianë jo vetëm ishin të pa aftë ta imitonin atë, por me paturpësinë më të madhe e bënë të merrte pjesë edhe në përleshjet që kishin midis tyre.”

***Marrë nga libri 300 autorë të huaj për Shqipërinë

Shteti serb financon dokumentarin për betejën e Koshares dhe Pashtrikut

Po mblidhen të dhëna për një dokumentar i cili do të fokusohet në betejat e Koshares dhe Pashtrikut, në vitin 1999.

Gjenerali në pension i Ushtrisë Jugosllave, Dragan Zivanoviç, dhe koloneli Dusko Sljivancanin, të cilët janë akuzuar, por e kanë mohuar të kenë qenë përgjegjës për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë, do të shërbejnë si konsulentë jozyrtarë për dokumentarin me tre pjesë, u lajmërua të enjten.

Dokumentari mbi betejat në Koshare dhe Pashtrik në vitin 1999 po prodhohet nga Ministria Serbe e Mbrojtjes dhe televizioni publik RTS.

“Oficerët po merren në pyetje për filmin, por në një farë mënyre ata janë gjithashtu konsulentë ekspertë,” tha regjisorja e dokumentarit, gazetarja e RTS Sladjana Zariç, në një konferencë shtypi në Beograd.
Beteja në postën ushtarake të Koshares u zhvillua midis Ushtrisë Jugosllave dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga 9 prilli deri më 10 qershor 1999.

Luftimet në malin Pashtrik, në kufirin midis Kosovës dhe Shqipërisë, vazhduan nga 26 maji deri më 14 qershor të të njëjtit vit, shkruan Balkan Insight.

E pyetur nga BIRN për koston e dokumentarit, regjisorja Zariç tha se realizimi do të bëhet me ndihmën e forcave të armatosura serbe, ndërkohë që intervistat nuk kushtojnë asgjë.

Sljivancanin tha se pyetja e BIRN-it në lidhje me koston “e zemëroi atë” dhe ai nuk iu përgjigj pyetjes pasardhëse në lidhje me padinë penale të ngritur kundër tij nga HLC-ja.

Dokumentari prej tre pjesësh do të shfaqet për herë të parë me rastin e 20 vjetorit të betejës në Kosare më 9 prill 2019. / KultPlus.com

Petku

Poezi nga Ezra Pound / Shqipëroi Edon Qesari

Ti shtrëngon gjethen tënde të trëndafilit
Deri sa stin’ e trëndafilëve të sosë
Thua vallë Morti do të të puthë?
Thua vallë se Shtëpia e Errët
Do të të pajtojë një dashnor
Bash si unë? A do të kenë mall për ty
Trëndafilët rishtarë?

Zgjidh petkun tim para petkut prej dheu,
Nën të i mbrami mot rri,
Vëngërt veç ndaj kohës kthehu
Kurrësesi ndaj syve të mi.

Besa Luzha: Arti mundet të ketë funksion politik

Nëse arti dhe politika janë dy sfera që shkojnë afër njëra tjetrës apo jo, është debat i pafund dhe me shumë mendime.

Besa Luzha, profesoreshë dhe aktiviste, mbrëmë në një prej emisioneve të Televizionit Klan Kosova, tregoi se arti mund të ketë funksion politik, por jo domosdo.

“Arti mundet me pasë funksion politik, jo vetëm në raport me agjendën politike, por e merr këtë funksion kur promovon barazinë gjinore, shembull, apo kur e kundërshton dhunën në familje, ose dhunën ndaj gruas” tregoi në një pjesë të debatit Besa Luzha.

Ajo iu referua artistes Alketa Xhafa Mripa, e cila dhimbjen për gratë e dhunuara, pra një aktualitet politik, e ktheu në art.

“Nëse artisti promovon ambientin e pastër, tolerancën, atëherë arti merr funksion politik. Megjithatë ndonjëherë artisti vendosë edhe për diçka që nuk është e lidhur me zhvillimet në shoqëri” tregoi Luzha.
Në këtë emision televiziv i pranishëm ishte edhe Mehmet Behluli, artist e profesor.

Behluli tha se raporti i tillë fuqizohet pasi artistët, në ambient ku jetojnë, janë gjithmonë më kritikët.

“Artistët e rinj sot i brengosë aktualitet, i bren. Arti kësisoj shërben si një vegël për me e shprehë një pozicion, për me e ndriçu një pozicion” tregoi mes tjerash Behluli.

Gjatë emisionit në fjalë u diskutua mbi artin dhe politikën dhe se si ato ndërhyjnë në njëra tjetrën, kjo edhe në pajtimin mes dy popujve apo në sukseset dhe dështimet që njëra fushë mund ti arrijë para tjetrës. / KultPlus.com

Flaka Haliti, këtë vit pjesëmarrëse në Public Art Munich

Public Art Munich – PAB ka prezantuar disa prej pikave kryesore të edicionit të këtij viti.

Nga data 30 prill e deri me 27 korrik të këtij viti, në Olympic Stadium në Munih vjen organizimi artistik, kësaj here me konceptin “Game Changers”.

Artistja shqiptare Flaka Haliti është njëra nga pjesëmarrëset në këtë panair arti, së cilës i është besuar njëra prej punimeve artistike.

Me datë 1 maj do të inaugurohet Pavijoni i PAM, ku kanë punuar Flaka Haliti dhe Markus Miessen në një program me kurator Gursoy Dogstas.
PAM 2018 do të adresojë mekanizmat e ndryshimit dhe ndryshimet fondamentale që zënë vend sot në Munih, një qytet që ka kaluar nëpër zhvillime të ndryshme ideologjike, socio-politike dhe simbolike.

Projektet që u janë besuar këtë vit artistëve kanë të bëjnë me Radion Evropa e Lirë, me Republikën Sovjetike të Bavarisë, me de-nazifikimin e pasluftës, me vitin 1989, me inteligjencën artificiale dhe me kampanjën #Metoo. Çka duhet të ndryshojë, dhe si?

Çdo vikend, nga 30 prilli e deri me 27 korrik, në Munih vijnë ngjarje të ndryshme në kuadër të PAM.
PAM është programi artistik më i madh në Munih, ndërsa këtë vit hapet me instalacionin e arkitektes Alexandra Wasilkowska, shkruan KultPlus.

Flaka Haliti nuk është emër i panjohur për artin momental evropian. Haliti përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venecias, bienale prestigjioze dhe e respektuar, ndërsa në vazhdimësi ka realizuar ekspozita të ndryshme brenda Kosovës dhe jashtë saj.

Haliti ka ekspozuar në Sallonin e Tetorit në Beograd, në Castilla në Spanjë, në mumok në Vjenë. Vitin 2015-të ajo morri çmimin Ars Viva Prize.

Artistët tjerë që janë porositur për këtë edicion të PAM janë Lawrence Abu Hamdan, Cana Bilir-Meier, Anders Eiebakke, Leon Eixenberger, Massimo Furlan, Mariam Ghani, Rudolf Herz & Julia Wahren, Alexander Kluge, Michaela Melián, Ari Benjamin Meyers, Dan Perjovschi, Alexandra Pirici & Jonas Lund, Olaf Nicolai, The 9th Futurological Congress/Julieta Aranda & Mareike Dittmer dhe Franz Wanner. / KultPlus.com

Mos e bëj

Poezi nga Ilnisa Agolli.

E vetmja gjë që kërkonte në avullin e pasqyrës,
ishte një copë vete.
E pashë!
Një copë vete,
mbetur mëngës së një peshqiri
që nuk ishte më i bardhë si ai që gjente dikur shtëpisë.
Ai që ishte gjithnjë i hekurosur
megjithëse i ashpër.
Ai që ishte padyshim i vogël
por nuk ishte asnjëherë qull.
Atë që nuk e shihte më varur sot
aty afër në pasqyrë.
E pashë si e mbushi gojën me kolinoz,
pastaj pa thonjtë,
pastaj kalendarin.
E shtunë.
Pastaj pa orën: 21:19
Kishte kohë sa të gjente furçën apo vinte re
një puçër në faqe dhe mandej t’i vinte për të qarë,
deri më 11:00 që dilte.
Mendonte se dashuria lypej netëve dhe se këtë e bënte të mërkurave zakonisht
jo të shtunave.
Të shtunat s’kanë datë, as orë
janë të lumtura.
Por sot qenka kaq e mërkurë, sa nuk do qaj-tha.
Pastaj u merzit dhe mbylli derën.
E pashë si hutua!
Ishte përvjetori martesës.
Nga ato që festohet pa fjalë derisa dëgjohet një zile telefoni
dhe është gjithmonë një bjonde mes tyre.
Një bjonde klasike,
nga ato që
nuk është kurrë aty,
sepse s’do ta kuptonte asnjëherë atë shije trishtimi që gjendet mes rreshtave ku kërkon
thjesht për një “natën e mirë”
që ta thotë me aq lehtësi një tjetër.
Brune, këtë herë,
që s’ka telefon por me një poet në dorë
veç kur ia nis e të citon:
“se si vetëm në ca netë ngrihet e shembet botë e tërë?”
Qëlloi e shtunë, u habit!
Të dielën, e pashë:
Kërkonte poshtë kalendarit një copë botë
Është fatkeqësi kur e kupton
se në fakt gjithë jetën
paske qenë më shumë njeri
se gomar.
Kaq pak mjafton
fare pak,
hiçgjë.
Më pak se pak, për të parë veten
që s’je as i bukur
dhe se vetëm pafuqia të paska dhënë nur,
dhe se sa shumë pështymë kërmilli
t’u desh të gëlltitësh prej frikës
se mos rrije dhe pak
aq sa për të larë dhëmbët në mëngjes.
Se sa shumë pendesë poeti
t’u desh të ndiesh mes rreshtave
si vdes nje burrë nga një i vetëm gurë.

Se sa shume dhimbje koke do të përtypje çdo vakt
dhe se kaq shumë kohë
që në lavaman të vije duart
para pasqyrës me avull
dhe tre peshqirëvë përdhe
për t’i thënë vetes se :
– As një copë hale s’je!

Kadare, bota tragjike e një autori mes maktheve dhe lajkave të regjimit

“Churchil ka një fjalë të famshme për Ballkanin: “Ballkani, prodhon më shumë histori se sa mund të konsumojnë”. Nga kaosi shpesh lind një fatkeqësi politike dhe një letërsi e madhe në Ballkan. Letërsia dhe arti janë të destinuara të shkojnë në drejtimin e duhur atëherë kur gjërat nuk shkojnë mirë në një vend. Një krijues i tillë është edhe Ismail Kadare”, me këto fjalë e fillon shkrimin e përditshmja italiane Corriere della Sera, përcjellë KultPlus.

Shqipëria e tij është – gjuhësore, kulturore, historike – një larmi e veçantë madje edhe brenda kaleidoskopit ballkanik. Shqipja është një gjuhë ilire që nuk ka të bëjë me gjuhët sllave, të cilat ndikojnë, por vetëm pjesërisht, një nga dy dialektet e saj të mëdha. Vendi ishte për shekuj nën Perandorinë Osmane dhe islamizimi, siç vuri në dukje Kadare, e ka vendosur atë në imagjinatën perëndimore, duke e vënë në një krahasim nganjëherë negativ me botën sllave, ortodokse e të krishterë.

Kadareja gjithashtu ka shpërfaqur në tregimin e tij rezistencën e pamposhtur shekullore të shqiptarëve ndaj sundimit otoman, si në romanin e tij “I tamburi della pioggia” (1981), i cili përfshin temën epike të lashtë dhe shumëvjeçare të rrethimit dhe feston veprat dhe fitoren e Heroi kombëtar shqiptar Skënderbeu, kampion i luftës kundër turqve.

Luftërat dhe skllavëria kanë karakterizuar Shqipërinë jo vetëm në kohët e lashta. Nazizmi dhe fashizmi kanë imponuar kurorën e Shqipërisë në krye me Victor Emmanuel III. Lidhur me këtë pjesë Kadare shkroi një roman të mrekullueshëm, Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur (1963), kërkimi i mjegullt për trupat e ushtarëve italianë e tregimet e fantazive. Forca poetike e Kadaresë është në shkrimin e tij në të zezë dhe në të bardhë, më shumë sesa në atë orientim fantastik, në ftohtësinë e tij që nxjerr edhe më shumë historinë njerëzore dhe tragjike dhe prek ngjyrat tragjike të luftës.

Kadare jetonte në një vend të izoluar, në një diktaturë mizore. Përvoja, vështirësitë, lajkat e të këqijat e diktaturës ishin ndoshta në mënyrë të pashmangshme përvoja themelore e Kadaresë. Ai ishte anëtar i Kuvendit të Shqipërisë nga viti 1970 deri në vitin 1982, atëherë kur kërcënimet me vdekje festoheshin me krenari ndaj donte të kishin një shkrimtar të madh i cili do të kurorëzonte suksesin në mbarë botën. Eksperiencën e të jetuar në një regjim të tillë të tjerët nuk mund as ta imagjinojnë, e lëre më të gjykojnë. Kadare e ka lënë Shqipërinë në vitin 1990, kur diktatura ishte edhe zhgënjimi për demokracinë lindur nga hiri i atij totalitarizmi duket se ka qenë për atë jo me aq shumë guxim sa shfaqet tani./ KultPlus.com

Instrumentet Bagllama dhe Udi vijnë në Prishtinë

Historia e instrumenteve turke vjen në Kosovë duke mishëruar të kaluarën me të sotmen.

Instituti Yunus Emre Enstitüsü në Prishtinë, organizon kurse të mësimit të instrumenteve Bagllama dhe Udi me muzikantin Ilir Bërveniku.

“Të dyja këto instrumente zënë vend të veçantë në muzikën turke dhe mund të jetë shembull i mirë i bashkëpunimit të kulturave që jetojnë në Kosovë. Zakonisht përdoren për shoqërimin e këngëve apo instrumentaleve të vjetra,por nuk mungojnë as improvizimet, duke u gërshetuar me poezi të vjetra të folklorit turk”, thuhet në komunikatën dërguar nga Instituti Yunus Emre në Prishtinë.

Kursi është pa pagesë dhe fillon nga muaji Mars./ KultPlus.com

Ka vdekur shkrimtarja Ursula Le Guin

Ursula Kroeber Le Guin një nga emrat më të njohur të letërsisë amerikane është shuar në moshën 88 vjeçare.

Ajo nisi të shkruajë fillimisht në gjininë e tregimit, eseve, për të vijuar me librat fantastiko-shkencorë që do ta bënin një emër të dashur për lexuesit në të gjithë botën. E botuar për herë të parë në vitet 1960, puna e saj shpesh ka përshkruar botën alternative futuriste ose imagjinare në politikë, religjion, etnografi apo seksualitet. Në vitin 2016, The New York Times e përshkroi atë si “shkrimtarja më e madhe e gjallë e shkencës amerikane”, megjithëse ajo shprehej se preferonte të njihej thjesht si një “shkrimtare amerikane”.

Ursula ishte vajza e antropologut Alfred Louis Kroeber dhe shkrimtares Theodora Kracawë. Ishte e pamundur që ajo të mos frymëzohej nga leximi në ambientin ku u rrit. Bashkë me tre vëllezërit e saj Clifton, Theodore dhe Karl Kroeber, ajo nisi të lexonte shumë herët. Le Guin do të shprehej më vonë se ishte mirënjohëse për lumturinë që prindërit I kishin dhënë duke e njohur me leximin. Historinë e parë ajo e shkroi kur ishte 9 vjeç, e kjo do ta nxiste më vonë që interesi I saj për shkollimin të përqendrohej tek letërsia. Në vitin 1953, ndërsa udhëtonte për në Francë, Le Guin u takua me burrin e saj të ardhshëm, historianin Charles Le Guin. Ata u martuan më vonë atë vit në Paris. Pas martesës, Le Guin zgjodhi të mos vazhdonte studimet e doktoraturës mbi jetën e poetit Jean Lemaire de Belges. Çifti u kthye në SHBA në mënyrë që ai të mund të ndiqte Ph.D. në Universitetin Emory. Gjatë kësaj kohe, ajo punoi si sekretare dhe mësoi frëngjisht në nivel universitar. Fëmija i tyre i parë, Elisabeth (në vitin 1957), lindi në Moskë, Idaho. Në vitin 1959 Le Guins u zhvendos në Portland, Oregon, ku lindi vajza e tyre Caroline (në vitin 1959), shkruan gazeta shqip.

Charles ishte profesor Emergjent i Historisë në Universitetin Shtetëror Portland. Gjatë kësaj kohe, ajo vazhdoi të shkruante krahas rritjes së fëmijëve. Në vitin 1964, lindi fëmija i saj i tretë, Theodore. Nga viti 1951 deri më 1961 ajo shkroi pesë romane, të cilët botuesit ia hodhën poshtë duke menduar që nuk ishin të botueshme. Në vitin 1964 u botua tregimi i shkurtër “Fjala e zbrazjes”. Ky ishte i pari i serisë së fantazisë së Tokës, e cila përfshin gjashtë libra dhe tetë tregime të shkurtra. Tre romanet e rinj të lidhur me të, duke filluar me A Wizard of Earthsea (1968), Varret e Atuan (1970) dhe The Largest Shore (1972), dikur të referuara si Trilogjia Earthsea, në vitet e mëvonshme do të bashkohen me librat Tehanu , Tales from Earthsea dhe The Other Wind. Le Guin mori njohje të gjerë me romanin e saj The Left Hand of Darkness, i cili fitoi çmimet Hugo dhe Nebula në vitin 1970. Romani i saj i ri The Dispossessed e bëri atë personin e parë për të fituar dy çmimet Hugo dhe Nebula për Best Novel dy herë për të dy librat. Gjatë karrierës së saj si shkrimtare ajo mori çmimet më të larta letrare. Por ajo që e dalloi nga shkrimtarët e tjerë ishte pikërisht imagjinata tërësisht befasuese. Ajo shkroi më shumë se 20 novela dhe mbi 100 tregime të shkurtra që shiten miliona kopje në mbarë botën. “Fjalët, – shkruante Ursula K. Le Guin në meditimin e saj të qëndrueshëm mbi magjinë e komunikimit të vërtetë njerëzor, – shndërrojnë si folësin edhe dëgjuesin; ato ushqejnë energji në të dyja anët dhe e plotësojnë atë./ KultPlus.com

Studimi i parë kinez mbi veprën e Kadaresë do të prezantohet edhe në Tiranë

Në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, të premten, në ora 17:00, do të mbahet seminari “Përthyerje Antropologjike” me temë “Vetja dhe Tjetri”, shkruan KultPlus.

Në këtë seminar do të prezantohet edhe albanologia Prof. Dr. Ke Jing, e cila do të mbajë ligjëratën “Katër të Tjerët në veprën e Ismail Kadaresë: një studim mbi identitetin kombëtar shqiptar”. Fjala e Prof. Dr. Ke Jing do të mbahet në shqip. /KultPlus.com

Nicolas Cage: I urrej rrjetet sociale

A ka ndonjë që vazhdon ti pëlqejë rrjetet sociale? Ish presidenti i Facebook, Sean Parker shprehu shqetësimin për trurin e fëmijëve nga mediat sociale.

Dhe administratori i Apple, Tim Cook, tha se nuk do e lejonte nipin e tij të qëndronte pranë tyre.
Por tashmë Facebook ka një kundërshtar edhe më të fortë, dhe ai është Nicolas Cage.
Aktori mjaft i njohur shpreh ndjesitë e tij ndaj rrjetit social, në Sundance Film Festival në Park City, Utah, shkruan koha.net.

“I urrej rrjetet sociale. Jam nga një kohë tjetër. Më vjen të ulëras. Nuk kam as Twitter, as Facebook apo Instagram”, e nis Cage. Ai është partizan i kohës së vjetër. “Unë dua të mbaj çdo gjë të epokës së artë, aurën misterioze sepse nuk dua të jem pjesë e atij klubi”, ka thënë ai./KultPlus.com

Ermal Meta publikon trailerin e këngës për Sanremo 2018

Kantautori shqiptar Ermal Meta, i cili për të tretën herë radhazi do të jetë pjesë e Sanremo 2018, publikoi sot trajlerin e këngës që do të prezantohet në festivalin më të madh të muzikës italiane.

Kënga, që është një duet me këngëtarin e njohur italian Fabrizio Moro dhe titullohet ”Non mi avete fatto niente” (Nuk më keni bërë asgjë), sjell një tematikë mjaft të rëndësishme e aktuale siç është frika ndaj rrezikut terrorist.

“Kënga jonë është një rebelim i njerëzimit ndaj frikës së terrorizmit”, kanë deklaruar dy këngëtarët. Kantautori shqiptar e publikoi trajlerin e këngës në faqen e tij në rrjetin social Facebook.

Sanremo 2018 do të zhvillohet prej datës 6 deri më 10 shkurt në teatrin Ariston të qytetit të Sanremos e do të drejtohet nga një emër i rëndësishëm i muzikës italiane, nga këngëtari Claudio Baglioni. Në kategorinë big do të garojnë 20 këngëtarë të njohur italianë.

Ermal Meta në vitin 2015 u prezantua në Sanremo në seksionin e të rinjve me këngën “Odio le favoel” (Urrej përrallat) ku u klasifikua në vend të tretë, ndërsa më vitin 2016 garoi në kategorinë big me këngën “Vietato di morire” (E ndaluar të vdesësh) duke fituar çmimin e kritikës “Mia Martini”./KultPlus.com

Meryl Streep i bashkohet sezonit të dytë të ‘Big Little Lies’

Meryl Streep i është bashkuar kastës së aktorëve në sezonin e dytë të “Big Little Lies” që do të transmetohet në HBO, përcjellë KultPlus.

Streep do të luajë rolin e Mary Louise Wright, pra do të jetë nëna e Perry Wright (Alexander Skarsgård). E shqetësuar për mirëqenien e nipërve të saj pas vdekjes së djalit të Perry, Mary Louise arrin në Monterey duke kërkuar përgjigje.

Aktorja Streep mban rekordin e nominimeve për Oskar, në rolet e filmave si “The Deer Hunter”, “Kramer vs. Kramer”, “Silkwood” dhe “The Devil Wears Prada”, ajo po ashtu ka fituar tre çmime Oscar gjatë gjithë karrierës së saj.

Meryl Streep do të jetë pjesë e serisë së HBO , ky televizion po vazhdon të tërheqë yje të mëdhenj, duke u bashkuar kështu Nicole Kidman dhe Reese Witherspoon. Sezoni i ardhshëm do të bazohet në një tregim nga Liane Moriarty, libri i të cilit frymëzoi sezonin e parë./ KultPlus.com

Datëlindja e Eleni Qiricit, balerina e parë shqiptare që preku Hollywood-in

Më 25 janar 1925, lindi Eleni Qirici, balerina e parë, aktorja dhe akrobatja shqiptare, e cila debutoi me sukses të madh në skenat e Evropës, Australisë dhe Shteteve të Bashkuara te Amerikës, shkruan KultPlus.

Karriera e saj filloi në një moshë mjaft të re. Gjatë turit të saj të parë në Itali ajo bëri disa shfaqje sensacionale ku morën pjesë personalitetet më të larta dhe familja mbretërore. Fama që ajo fitoi gjatë këtij turneu, i dha asaj kontratën e dytë në Francë, që u konsiderua si qendër e artit botëror. Eleni Qirici është personi i parë që shkoi dhe shkëlqeu në Hollywood, duke u bërë e njohur në mbarë Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1938, së bashku me prindërit e saj, ajo erdhi në Shqipëri ku dha disa shfaqje në Korçë, Tiranë dhe vende të tjera. Për më tepër ajo është koreografja e parë që organizoi trupën e parë shqiptare të baletit.

Nuk kish si të ndodhte ndryshe, Elena Qirici bijë e dy bashkëshortëve artistë, domosdoshmërish do të ecte në rrugën e prindërve, aq më tepër që ende foshnje, ishte përkundur në gjumë, qe zgjuar mëngjeseve e lodruar gjatë ditës nën tingujt e kitarës e të këngëve, që aq mrekullisht i luanin dhe i këndonin enkas për të bijën, çifti Vasil e Rudi Qirici. Fill pas këtij suksesi, prindërit e saj menduan, që në këtë rast shkollimi për vajzën e tyre ishte më se i domosdoshëm. Dhe kështu një vit më pas më 1936, Elena nis studimet në Vjenë./ KultPlus.com

The Guardian: Shqipëria, mes 20 vendeve më të mira të udhëtimeve të aventurës në 2018

Shqipëria vazhdon të përmendet si njëra nga destinacionet më të mira të turizmit për vitin 2018, nga shumë gazeta në shtete të ndryshme.

Këtë herë, ka qenë prestigjiozja britanike “The Guardian” që ka renditur Shqipërinë në 20 vendet ku mund të zhvillohet turizmi i udhëtimeve të aventurës.

“Ylli i Shqipërisë është në rritje, me më shumë udhëtarë që çdo vit dëshirojnë të eksplorojnë thesaret e saj, siç janë Alpet në veri dhe plazhet e bukura të bardha të jugut”, shkruan The Guardian.

“Agjencia e udhëtimeve ‘Frontiers Wild’ sugjeron dy aventura të reja për grupet turistike, nga një në çdo skaj të vendit. Në paketën tetëditore në jug të vendit, ecjet përgjatë bregdetit dhe shtigjeve malore e çon grupin drejt Rivierës Shqiptare, qyteteve otomane dhe parkut kombëtar të Butrintit”, shkruan më tej britanikja./ KultPlus.com

Ndalohet kënga “Albanian” në Mal të Zi, vjen reagimi i reperëve

Kënga “Albanian” nga Etnon, Lyrical Son dhe Dj Blunt ka lënë gjurmë në muzikën shqiptare. E publikuar vite më parë kjo këngë vazhdon të dëgjohet nga të gjitha gjeneratat.

Mirëpo, duket se kjo këngë 13 vjet pas publikimit po përbën ‘rrezik’ për dikë. Agjencia për Mediat Elektronike e Malit të Zi u ka shqiptuar vërejtje televizioneve “Boin” dhe “Teuta” për shkak të transmetimit të spoteve muzikore të dy këngëve shqipe me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit. Siç konsiderohet se përmbajtja programore përbën rrezik për rendin kushtetues në Mal të Zi, shkruan gazeta express.

Njëra nga këngët ishte “Albanian” e Etnon, Lyrical Son dhe Dj Blunt të cilët kanë reaguar përmes rrjeteve sociale. “Pas shumë paralajmërimeve si duket shteti i Malit të Zi e paska urdhëruar ndalimin e transmetimit te këngës Albanian”- ka shkruar Genc Prevlukaj, teksa Lyrical Son ka thënë se “#Albanian, ju s’mund të ndaloni”./KultPlus.com

Dy projekte filmike të Kosovës në Festivalin e Filmit të Rotterdamit

Ka filluar festivali i filmit të Rotterdamit, pjesë e të cilit është edhe punëtoria Rotterdam Lab, që edhe këtë vit, falë partneritetit që QKK ka me CineMart, do të mirëpres përfaqësues të projekteve filmike kosovare.

Rotterdam Lab nis nga data 27 deri me 31 janar dhe pjesë e kësaj punëtorie pesë ditore do të jenë edhe Blerim Gjoci me projektin filmik ‘Kodra e Diellit’ si dhe Ujkan Hysaj me projektin ‘Hana’, të dy këta filma, të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Punëtoria Rotterdam Lab ka për qëllim avansimin e producentëve në zhvillim nga e gjithë bota dhe krijimin e mundësive për njohuri dhe ekspertizë. Kjo punëtori është e organizuar nga tregu për bashkëprodhim ‘CineMart’, i njohur si tregu joformal i filmit, i ndjekur nga një numër i madh i profesionistëve ndërkombëtar të filmit, të cilët janë të interesuar të investojnë në projekte të reja filmike. Ky program përfshin diskutime dhe punëtori me ekspertë nga industria e filmit.

Festivali i filmit të Rotterdamit është një ndër festivalet më të rëndësishme evropiane ku sivjet është edicioni i 47-të me radhë dhe gjatë dymbëdhjetë ditëve të festivalit, qindra filmbërës dhe artistë të tjerë paraqesin punën e tyre para një audience të madhe./ KultPlus.com

Fëmijët shqiptarë dhe të komuniteteve tjera në Kosovë sjellin ekspozitën “Të rinjtë për trashëgiminë”

Gili Hoxhaj

Puna e 29 nxënësve të katër shkollave fillore erdhi sot në ekspozitën “Të rinjtë për Trashëgiminë”, e cila u hap në Qendrën Kulturore Informative të BE-së (EUICC), shkruan KultPlus.

Rreth tridhjetë nxënës ishin mbledhur sot në këtë ekspozitë duke ngritur gishtat drejt punimeve të tyre. Krejt kjo ekspozitë është rezultat i punëtorisë dy ditore të fotografisë, me trajner fotografin Arben Llapashticën e që ishte organizuar në Novobërdë dhe Graçanicë më 16 dhe 17 dhjetor të vitit 2017.

Gjatë aftësimit në aspektin e marrjes së fotografisë, nxënësit e komuniteteve të ndryshme veçse ndajnë tashmë një përvojë të përbashkët lidhur me fotografinë. Veç kësaj ata kanë vizituar edhe dy lokalitete të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Kosovë: Kalanë e Novobërdës dhe Parkun Arkeologjik Ulpiana, prej nga edhe kanë nxjerrë fotografitë e tyre. Shkollat fillore pjesëmarrëse në këtë aktivitet ishin: “Ditët e Minatorit” në Kishnicë, “Kralj Milutin” në Graçanicë, “Dositej Obradovic” në Prekovc dhe “Minatori” në Novobërdë.

Dardan Selimaj nga Instituti Columbus tha se përtej njohjes me fotografinë dhe një pjese të trashëgimisë kulturore të Kosovës, fëmijët e komuniteteve të ndryshme kanë pasur mundësi të njihen mes tyre duke investuar në të ardhmen pa paragjykime pavarësisht të kaluarës në konflikt.

Përfaqësuesja e Ambasadës Britanike Chablise Stoner tha se për ambasadën britanike është një kënaqësi e veçantë të bashkëpunojnë në këtë projekt të rëndësishme. Ajo tha se Ambasada Britanike konsideron ndërlidhjen sociale si një pjesë kyçe për pajtimin në Kosovë.

“Këto aktivitete sjellin dy mundësi shumë të rëndësishme, e para sepse lidhin të gjitha aktivitetet bashkë dhe e dyta sepse u mundëson gjeneratave të reja të mësojnë aftësitë e reja për të pasur një të ardhme më të mirë”, tha ambasadorja Stoner.

Përfaqësuesja e Iomit, Svetlana Rakic i falënderoi bashkëpunëtorët e këtij projekti duke thënë se shpreson që të gjithë janë kënaqur gjatë këtij aktivitet, duke shtuar se shpreson që aktivitete të tilla të vazhdojnë tutje.

Po ashtu në fund të këtij aktiviteti, këtyre katër shkollave iu dhuruan fotoaparate me të cilat kanë punuar gjatë kohës së punëtorisë, në mënyrë që ata të zhvillojnë edhe më tutje aftësitë e tyre lidhur me fotografinë.

Bledar Ajeti, një nxënës, pjesëmarrës në këtë ekspozitë tregoi për KultPlus se ndihet i kënaqur nga përvoja e tij në këtë aktivitet dhe thotë se kanë kaluar shumë mirë edhe më fëmijët e komunitetit serb ndërsa ky trajnim u ka dhënë mundësi t’i vizitojnë edhe dy lokalitete mjaft të bukura dhe të fitojnë aftësi kreative.

“Kemi kaluar shumë mirë gjatë atyre ditëve dhe fotografi na ka treguar vazhdimisht se si t’i përdorim aparatet, efektet dhe opsionet e ndryshme në mënyrë që fotografitë të dalin sa më të mirë dhe kreative”, tha nxënësi Ajeti.

Ky projekt është mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë si pjesë e programit “Promovimi i integrimit social dhe pajtimit në Kosovë” dhe është implementuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim – IOM në bashkëpunim me Institutin Columbus në Prishtinë./ KultPlus.com

“Po ku ka si ti, o Shqipëria ime” (VIDEO)

Një nga dy këngët që fitoi çmimin e dytë në festivalin e 19-të të Këngës në RTSH.

Kjo këngën erdhi në dhjetor të vitit 1980 përmes zëri të mrekullueshëm të Vaçe Zelës, shkruan KultPlus.

Po ku ka si ti, o Shqipëria ime,
Moj fisnikja përmbi gur.
Rrjedh në këngë e ligjërime,
ballëlarta me flamur…/ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=kYD5dtQjGNY