I riu që shndërron në art gjethet e thara

Stavros Tsobanidis, një shtetas grek 24-vjeçar, themeluesi i PHEE, që i kthen gjethet e thara të bimës së detit “Posidonia Oceanica” në produkte të dobishme si në këllëfë për iPhone dhe kuti dhuratash, është përfshirë në listën vjetore të gazetës amerikane ”Forbes”, “30 nën 30” për Evropën (“30 Under 30 Europe Class of 2018”), ku renditen 300 të rinjtë më të suksesshëm në kategori të ndryshme.

“Ekzistojnë shumë gjëra që ne i kemi përpara syve dhe nuk i vëmë re asnjëherë, dhe gjethet e thara (algat e detit) që ekzistojnë në pjesën bregdetare të Greqisë janë një material i papërpunuar i dobishëm dhe një pasuri e vërtetë për Greqinë”, deklaroi Tsobanidis.

Ky proces ka filluar në vitin 2013, kur Tsobanidis kuptoi se gjethet e thara, që gjendeshin kryesisht gjatë muajve të verës dhe përfundonin në mbeturina, mund të ishin të përdorshme në jetën e përditshme./ KultPlus.com

Elton John do të pensionohet nga turnet por vetëm pas 300 koncerteve të lamtumirës

Elton John tashmë ka paralajmëruar largimin e tij nga muzika. Por së pari, ai do të kalojë shumë ditë duke i thënë lamtumirë fansave të tij.

Në një ngjarje që u shfaq të mërkurën, këngëtari njoftoi vendimin e tij për t’u larguar nga turnet në vitin 2021, duke thënë se do të nisë një turne trevjeçar, me 300 koncerte në mbarë botën, përcjellë KultPlus.

John gjithashtu tha se nuk ishte i alarmuar, dalja e tij e pensionit nuk ka të bëjë fare me ndonjë sëmundje, edhe pse ai e pranoi se të qenit 71 nuk është një moshë shumë e favorshme për koncerte.

Këngëtari i njohur John gjithashtu tha se nuk do të largohet plotësisht nga muzika, duke thënë se do të dëshironte të publikonte edhe dy albume derisa do të shpallte pensionimin e tij, por përjashtoi ndonjë turne të mëtejshëm pas vitit 2021.

“Nuk dua të shkoj me zhurmë . Unë dua të shkoj me një goditje “, tha ai për turneun e lamtumirës. Ky turne do të filloj në shtator. /KultPlus.com

ALGIERS me koncert në Prizren

Lumbardhi nw bashkëpunim me NO RECESS prezantojnë koncertin e ALGIERS, të cilët do të performojnë në sallën e kinemasë në Lumbardhi-Prizren, të mërkurën, më 7 shkurt me fillim nga ora 20:00.

Koncertin e ALGIERS do ta hapë bendi I TPAME I TVRAME, një duo darkwave / coldwave / minimalwave / shoegaze / post-punk / industrial nga Tirana dhe Prishtina.

Muzika e ALGIERS përmban elemente të post-punk, no wave, blues, gospel dhe muzikës industriale. Muzika e tyre e vlerësuar nga kritikët është jashtëzakonisht politike; ata në këngët e tyre tingëllojnë të shqetësuar, të gëzuar dhe të zemëruar në të njëjtën kohë. ALGIERS shprehin aktivisht kritikë kulturore duke komentuar sferën politike, shoqërore dhe fetare.

ALGIERS është i bazuar në NEW YORK (ShBA) dhe Londër (Britani e Madhe). Grupi u formua në vitin 2009 në Atlanta, Gjeorgji, kur kitaristi Lee Tesche dhe basisti Ryan Mahan, të dy anëtarë të skenës së rock-ut dhe noise-it të qytetit, hasën në vokalistin dhe kitaristin Franklin James Fisher, i cili rrënjët muzikore i kishte në traditën e madhe të muzikës gospel të Deep South, soul-blues të Nina Simone dhe zhanrit funk. Të gjithë anëtarët e bendit luajnë në perkusione e tastierë dhe bëjnë programimin e daulleve.

Drejtori i Lumbardhit, Ares Shporta, shprehet i lumtur që në bashkëpunim me NO RECESS është bërë e mundshme që ALGIERS të performojnë në Prizren, respektivisht te Lumbardhi.

“Bashkëpunimi me NO RECESS është një mundësi e jashtëzakonshme për ta ndërtuar një platformë alternative në Prizren dhe kultivuar një audiencë të re në hapësirën e Lumbardhit. Jemi shumë të entuziazmuar për ardhjen e ALGIERS, por edhe të programeve tjera që do të pasojnë drejt pranverës”, pohon Shporta.

The Underside of Power, albumi i dytë i ALGIERS i publikuar në qershor 2017, është produksion i Adrian Utley dhe Ali Chant nga Portishead, derisa është miksuar nga Randall Dunn (Sunn O)))), me post-produksion nga Ben Greenberg (the Men, Hubble). The Observer e quan ‘fuzion fenomenal të muzikës klasike soul nga të 60-at me eksperimentim post-punk’, derisa ‘Rolling Stone’ e komplimenton si ‘mënyrë e re dhe origjinale për interpretim të blues-it’.

Drejtori i programit të NO RECESS, Alush Gashi, shprehet i lumtur që është bërë i mundshëm bashkëpunimi me ALGIERS dhe se ata do të performojnë në kuadër të serisë muzikore NO RECESS.

“ALGIERS janë një ndër bendet më të respektuara të skenës alternative botërore. Besoj se koncerti në Lumbardh do të jetë pikë referente për artistët tjerë të kësaj fryme muzikore që ta konsiderojnë Kosovën si pjesë e turneve të tyre ndërkombëtare”, shprehet Gashi.

NO RECESS është platformë kulturore e bazuar në Prishtinë, e cila mëton promovimin e shprehjeve alternative artistike në Kosovë, si dhe eksportimin e iniciativave të ngjashme jashtë vendit. Gjatë vitit të parë të themelimit të platformës (performanca e parë ishte më 21 dhjetor 2016 me REPETITOR nga Beogradi), para publikut vendor performuan Marc O’Reilly (IRL), Camera (GER), I Tpame I Tvrame (ALB), Kralj Čačka (Serbi, në bashkëpunim me festivalin POLIP), Desert Mountain Tribe (UK/GER), My Baby (NL), RiB (MK), Bledi Boraku dhe Dritëro Nikqi (ALB/KS), Stray Dogg (SRB), Transformer (UK), Tetris (KS), Chickn (GR), Inaktiv + Uj Pa Gaz (ALB), K-X-P (FIN), Birth Of Joy (NL), A Victim Of Society (GR), Ben Caplan & The Casual Smokers (CAN), Battleme (USA), Otherkin (IRL), AK/DK (UK), si dhe Damo Suzuki, këngëtari legjendar i bendit CAN, i cili performoi në Hamam Bar së bashku me Tetris nga Prishtina më 18 qershor 2017.

Bendi që do ta hapë natën është I TPAME I TVRAME, i përbërë nga Franc Kurti (Tirana) dhe Dina Hajrullahu (Prishtina). Në mars 2017, mini-albumi i tyre i parë “Future Attitude”, i incizuar dhe miksuar nga Bledi Boraku (Tiranë) dhe i masterizuar nga Philipp Läufer (Berlin), është publikuar në audio kasetë dhe digjitalisht nga Black Verb Records (Berlin). Altered EP u publikua në shtator 2017 në limited edition 50 kaseta (25 silver / 25 gold)./ KultPlus.com

Besim Xhelili botoi romanin “1803” në gjuhën gjermane dhe suedeze

Shkrimtari shqiptar nga Tetova i cili jeton në Vjenë të Austrisë botoi romanin e tij të parë me titull “1803” në gjuhët gjermane dhe atë suedeze. Ky roman u botua në shqip në vitin 2016.

Besim Xhelili emigroi në Austri në vitin 1998, ku dhe sot e kësaj ditë jeton e vepron. Deri më tani ka botuar në gjuhën shqipe 7 vëllime me poezi dhe një roman, i cili do të vazhdojë me dy pjesë të tjera, duke u bërë kështu një trilogji. Ai gjithashtu është prezantuar në disa antologji shqipe dhe gjermane, është anëtar i PEN Klubit austriak, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, një ndër themeluesit dhe anëtar i kryesisë së Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, ndër themeluesit dhe kryetar në periudhën 2011-2015 i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”, me seli në Vjenë dhe pritet në një të ardhme të afërt anëtarësimi i tij në Lidhjen e Shkrimtarëve të Austrisë.

Për krijimtarinë e shkrimtarit dhe poetit Xhelili kanë shkruar shumë kritikë letrarë dhe njohës e përcjellës të shkrimeve të tij. Ai dallohet për aktivitetet e ndryshme letrare e kulturore në diasporë, duke lënë vragë e shembull të mirë të ruajtjes e zhvillimit të gjuhës shqipe, identitetit shqiptar, pasurisë kombëtare dhe vlerave shpirtërore patritotike. Bashkëpunon me thuajse të gjitha shoqatat relevante shqiptare në diasporë, por dhe me qarqet e rëndësishme letrare dhe kulturore austriake, me shkrimtarë e krijues vendas e të huaj në Austri etj.

Një ndër qëllimet e tij madhore është prezantimi dhe përfaqësimi i denjë e i mirëfilltë i kulturës shqiptare, i letërsisë moderne shqipe, para së gjithash i asaj që krijohet në diasporë, përballë shoqërive vendase ku janë vendosur shqiptarët në diasporë.

Me botimin e romanit “1803” në shqip dhe suedisht u realizua një ëndërr e tij e kahmotshme, kurse tani pritet përurimi i kësaj vepre në Austri, Gjermani, Zvicër dhe Suedi. Përkthimin në gjermanisht e bëri albanologu nga Universiteti i Gracit Kurt Gostentschnigg, kurse atë në suedisht e bëri albanologu Ullmar Qvick.
Ky roman në të dy gjuhët mund të gjendet në internet si libër i shtypur dhe si libër elektronik (E-Book), duke kërkuar me emrin dhe mbiemrin e autorit për shembull në Amazon etj., ose në libraritë lokale gjithandej globit. Librat mund të porositen dhe dërgohen në gjithë botën. Numri ISBN në gjuhën gjermane: 9783746066134 dhe në atë suedeze: 9789176997864. Autori mund të kontaktohet edhe gjithandej në rrjetet sociale ose duke vizituar webfaqen e tij personale www.besimxhelili.at, si dhe përmes postës së tij elektronike [email protected]./ KultPlus.com

“Të rinjtë për trashëgiminë” hapet sot në Prishtinë

Sot, në orën 11:00 në Qendrën Kulturore Informative të BE-së (EUICC) , hapet ekspozita e fotografisë “Të rinjtë për trashëgiminë”.

Në këtë ekspozitë, do të prezantohen fotografitë më të mira të realizuara nga nxënësit e katër shkollave fillore të Kosovës gjatë punëtorisë dy ditore të fotografisë, organizuar në Novobërdë dhe Graçanicë më 16 dhe 17 dhjetor të vitit 2017.

Në dy ditët e këtij aktiviteti nxënësit kanë vizituar edhe dy lokalitete të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Kosovë: Kalanë e Novobërdës dhe Parkun Arkeologjik Ulpiana, ku njëherësh edhe janë realizuar fotografitë e ekspozuara. Përtej njohjes me fotografinë dhe një pjese të trashëgimisë kulturore të Kosovës, fëmijët e komuniteteve të ndryshme kanë pasur mundësi të njihen mes tyre duke investuar në të ardhmen pa paragjykime pavarësisht të kaluarës në konflikt. Shkollat fillore pjesëmarrëse në këtë aktivitet janë: “Ditët e Minatorit” në Kishnicë, “Kralj Milutin” në Graçanicë, “Dositej Obradovic” në Prekovc dhe “Minatori” në Novobërdë.

Ky projekt është mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë si pjesë e programit “Promovimi i integrimit social dhe pajtimit në Kosovë” dhe është implementuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim – IOM në bashkëpunim me Institutin Columbus në Prishtinë. Në hapje të ekspozitës do të marrin pjesë përfaqësues të IOM-it në Prishtinë dhe znj. Chablize Stoner nga Ambasada Britanike në Kosovë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 30.01.2018./ KultPlus.com

Filmi për dashurinë mes mbretit mysliman dhe mbretëreshës hindu, ngjallë protesta masive

Masat e sigurisë janë shtuar në disa shtete indiane përpara lansimit të një filmi të Bollywood-it, i cili ka shkaktuar tashmë protesta të dhunshme në shumë qytete indiane.

Shkollat janë mbyllur në një lagje në periferi të Delhit pas një sulmi në një autobus shkollor dhe kinematë në disa qytete thonë se nuk do të shfaqin filmin.

Protestuesit janë të zemëruar, sepse besojnë se Padmavaat përshkruan një romancë midis një mbretëreshe hinduiste dhe një mbreti mysliman.

Premiera e filmit u vonua për dy muaj për shkak të protestave.

Grupet e djathta hindu kanë djegur automjete dhe kanë sulmuar kinematë në disa shtete, duke kërkuar që filmi të mos lansohet, shkruan insajderi.

Të mërkurën, pamjet e turmave që sulmuan një autobus shkollash pranë kryeqytetit indian shkaktuan zemërim.

Cila është mosmarrëveshja?

Yjet e Bollywoodit Deepika Padukone dhe Ranveer Singh luajnë rolet kryesore.

Filmi tregon historinë e sulmit të perandorit të shekullit të 14-të, Alauddin Khilji mbi mbretërinë, pasi u mahnit nga bukuria e mbretëreshës, Padmavati, e cila i përkiste kastës hindu Rajput.

Grupet hindu dhe një organizatë e kastës Rajput pohojnë se filmi përfshin një skenë intime mes mbretit mysliman dhe mbretëreshës hindu.

Drejtori Sanjay Leela Bhansali ka thënë se filmi nuk ka fare një “sekuencë të tillë ëndrre”.

Por thashethemet për një skenë të tillë ishin të mjaftueshme për të inatosur grupet e krahut të djathtë hindu që kërkuan që filmi të ndalohej./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=8YaF2m7hCx0

Rikthehet buxheti për shtatoren e Çettës, ende në kërkim të lokacionit

Shteti ka rikthyer buxhetin për shtatoren e Anton Çettës. Brenda dy javësh pritet të hapet konkursi për propozimet për realizimin e saj. Por procedurat për këtë do të nisin ende pa u ditur vendi se ku do të vendoset vepra në nderim të mbledhësit të folklorit e prijësit të Lëvizjes për pajtimin e gjaqeve.

Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale planifikon që gjatë periudhës së punimit të shtatores të gjendet edhe lokacioni. Tash ky është institucioni te i cili është bartur projekti, i cili dështoi vitin e kaluar.

Shteti ka ndarë 70 mijë euro për këtë projekt. Synimet për ngritjen e shtatores së prijësit të njërës prej lëvizjeve më të mëdha gjatë viteve të ’90-ta në Kosovë është rikthyer në agjendën e institucioneve shtatë muaj pasi Qeveria kishte tërhequr buxhetin për këtë projekt. Përderisa Agjencia për menaxhimin e komplekseve memoriale synon konkretizimin e realizimit të shtatores, Këshilli që ka iniciuar ngritjen e saj ende është në kërkim të vendit ku do të vendoset.

Vendosjen e gurit themeltar për bazamentin e shtatores të paralajmëruar në shkurt të vitit të kaluar do ta pengonte refuzimi i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Ministria e Arsimit kishte marrë leje nga Komuna e Prishtinës që shtatorja të ngrihej në oborrin e IAP-it, që kishte reaguar se për këtë nismë është anashkaluar krejtësisht. Mosarritja e një pajtimi kishte bërë që t’i skadonte afati pëlqimit për vendosjen e shtatores.

Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve memoriale, Idriz Blakaj, ka thënë se planifikohet gjithçka të marrë epilog këtë vit, shkruan Koha Ditore./ KultPlus.com

Ditën kur vdiq, Fan Noli nënvizoi disa vargje në një libër

Një nga figurat më të mëdha të historisë së Shqipërisë, Fan Noli, u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare në Fort Lauderdale, Floridë, larg vendit të cilit i kushtoi jetën e tij.

Më 13 mars të vitit 1965, në ditën e fundit të jetës, Noli kishte në dorë një libër me poezi të poetit francez, Alfred Devinji (Afred de Vigny) dhe po lexonte poemën “Vdekja e ujkut”. Sipas studiuesit dhe shkrimtarit Nasho Jorgaqi, Noli dha frymë në kopshtin e shtëpisë ku po lexonte poemën.

Libri i Devinjit i kishte rënë nga dora dhe ai kishte nënvizuar këto vargje: “Rënkimi, vaji dhe lutjet janë të gjitha dobësi! Detyrën bëj si burrë pa u epur kurrsesi! Në rrugën vetë fati që deshi të caktojë! Pastaj si unë, vuaj dhe vdis pa hapur gojë”.

Të gjithë studiuesit që janë marrë me fundin e jetës së Nolit, i mbajnë si testament këto vargje të cilat nënvizoi Noli.

Sipas Nolit, njeriu duhet të përballej në këtë mënyrë me vdekjen. Të vuante, të vdiste pa hapur gojë, gjë të cilën e dëshmoi edhe vetë në fundin e tij. / KultPlus.com

Shqiptarja nga Fieri, për përfaqësimin e Qipros në Eurovizion?

Shqiptarja Eleni Foureira do të mund të përfaqësojë Qipron në Eurovizion.

Thashethemet e medieve greke tregojnë se këngëtarja e njohur në Greqi është gati ta pranojë ofertën për ta përfaqësuar Qipron në Festivalin Evropian të Këngës – Eurovizion 2018.

Foureira, me origjinë shqiptare, është një yll muzikor në Greqi.

Ende nuk dihet saktë nëse lajmi është i vërtetë. Javën e kaluar, Elena Paparizou – këngëtarja greke që fitoi Eurovizionin në vitin 2005 me këngën “My Number One”, nuk e pranoi ofertën e Qipros për përfaqësim.

https://www.youtube.com/watch?v=hdzmeb05ye0

Shqiptarja Foureira ishte shumë afër përfaqësimit të Greqisë në Eurovizionin e vitit 2010-të, kur doli në finalen e festivalit kombëtar me këngën “Kivotos tou noe”.

Eleni Foureira ka lindur në Fier të Shqipërisë ndërsa ka lëvizur për në Greqi në fëmijëri, bashkë me familjen e saj. / KultPlus.com

Unë s’mbaj shpresë

Poezi nga Robert Shvarc.

E ç’të shpresoj tani për ritakime?
Ato po mbeten gonxhe që nuk çelin!
Parajsë dhe skëterrë në zemrën time,
rënkime dhe shpresa që më dhelin!

Gjithnjë tek un’ jetoka një dëshirë:
t’i falem pastërtisë së panjohur,
asaj që është m’e lartë dhe m’e mirë,
asaj që deri tani nuk më ka ngrohur.

Këtë e quaj unë shenjtërim –
dhe e ndiej për Ty, o mike e shpirtit tim!

Por ja që mbetem prapë i vetmuar
dhe koha shkon, asgjë nuk më dhuron.
E gjith’ ajo, që n’heshtje kam varguar,
më lumturon e prapë më trishton…

E malli prapë më shtyn nëpër shtegtime,
ku unë dalngadalë vras veten time.
Dhe po humbas, por nuk më vjen çudi,
se jeta më llastoi e përkëdheli:
më fali zjarr, kurorë dhe lavdi,
por dhe më shpesh më tundi nga themeli –

Përmirësohet cilësia e Universitetit të Prishtinës, sipas Webometrics

Universiteti i Prishtinës është radhitur më së larti nga universitetet e Kosovës në ranglistën e Webometrics.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është radhitur i 3320 në ranglistën e publikuar nga Webometrics në muajin janar.

Krahasuar me listën e publikuar në muajin korrik të vitit 2017, Universiteti i Prishtinës ka arritur të përmirësojë pozicionin e vet duke u ranguar për 618 vende më lart në listë.

Përmirësim në rangim ka arritur edhe Kolegji AAB, i cili për dallim nga ranglista e muajit korrik tani është ngritur për 1092 vende.

Përndryshe, Universiteti i Prishtinës dhe Kolegji AAB janë të vetmet universitete shqiptare që kanë arritur të futen në listën prej 5 mijë universiteteve të ranguara sipas citimeve në Google Scholar.

Universiteti Bujqësor i Tiranës nga Webometrics është radhitur i 5277 kurse Universiteti i Tiranës i 5978.

Ranglistës së Webometrics në tri pozitat e para i prijnë, Universiteti i Harvardit, Universiteti i Stanfordit dhe Universiteti i Masaçusetsit.

Ranglista e universiteteve botërore sipas Webometrics, i publikon rezultatet dy herë në vit, në muajin janar dhe në muajin korrik kurse në të përfshihen rreth 30 mijë universitete botërore. / Kallxom.com / KultPlus.com

Traileri i Turqisë për serinë rreth Alija Izetbegović (VIDEO)

Televizioni turk TRT1, më 30 janar fillon emetimin e serisë për jetën e kryetarit të parë të Kryesisë së Bosnjë e Hercegovinës Alija Izetbegoviq.

Seria “Alija” i ka gjashtë episode me nga 90 minuta, ndërsa e tregon jetën e Izetbegoviqit që nga lindja, 1944, deri në vdekje në vitin 2003, përcjell portali serb alo.

Është xhiruar në Sarajevë, Mostar, Konjicë e vende të tjera në Bosnjë e Hercegovinë.

Izetbegoviq e ka udhëhequr popullin boshnjak në luftën kundër sulmeve të Ushtrisë serbe e jugosllave në vitet e 90-ta.

Në kohën ish- Jugosllavisë ai ka vuajtur dënimin me burg për shkak të, siç thuhej në atë kohë, veprimeve nacionaliste. / KultPlus.com

Inspiruar nga Arta Dobroshi, publikohet videoja mbi natyrën dhe ambientin (VIDEO)

“Anti-Litter” është një film i shkurtër prej tre minutash i lansuar sot nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe Këshilli Rinor i kësaj Ambasade.

Inspiruar nga aktorja Arta Dobroshi, e cila në shumë fjalime të saj i referohet ambientit dhe botës si një vend më i mirë për të jetuar, filmi tregon rëndësinë e ambientit dhe natyrës por edhe kujdesin ndaj njëri tjetrit, shkruan KultPlus.

“Natyra është diçka më e madhe se ne. Uji që buron nga malet, ndjenja e harmonisë mes njeriut dhe natyrës” thuhet në një pjesë të kësaj videoje.

Pamje tregojnë aksione të ndryshme për të pastruar Kosovën dhe ambientet e ndotura. / KultPlus.com

Gjergj Kastrioti është i vetmi shqiptar që e shkeli dhe e dogji Serbinë!


Shkruan: Gani Mehmetaj

Gjergj Kastrioti -Skënderbeu është i vetmi shqiptar që e shkeli Serbinë nga Piroti në Beograd, duke djegë dhjetëra katunde e qytete serbe. Gjergj Kastriot është i vetmi prijës shqiptarë që e ndihmoi aleatin e tij Janosh Huniadin në luftë kundër turqve, mirëpo ishin prijësit serbë ata që ia patën më të pabesë mbretit të arbërorëve, e forcuan aleancën me Sulltanin, i dolën në prit ushtrisë shqiptare dhe e vonuan në betejën përfundimtare përtej Savës e Danubit.
I zhgënjyer me vrasjen e aletit të tij Huniadit, që e kishte nën zotërim një pjesë të madhe të Serbisë, i dëshpëruar që komitët serbë me ushtarët turq e vonuan të arrinte në betejën afër Beogradit të sotëm kundër turqve, Kastrioti u hakmor si asnjëherë më parë. Vrau shumë serbë, aleatë të Turqisë, dogji qindra katunde e qytete te tyre për ta ndëshkuar tradhtinë.
Me t’u kthyer në Shkup, dëboi serbët e mbetur, e mori qytetin dhe e forcoi Kështjellën për betejat e ardhshme. Gjergj Kastrioti e rimori edhe një herë Shkupin nga turqit e serbët disa vjet më vonë.

Shtatorja e Gjergj Kastriotit ne Miçigan -ShBA

“Një shqiptar radikal nuk mund të hyjë në restaurantin serb ‘Korcagin’…”

Është princip i restaurantit që të servojnë vetëm ushqim nga shtetet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur.

“Korcagin”, një restaurant në Serbi, funksionon i tëri bazuar në këtë mentalitet dhe ideologji.

VICE ka realizuar një mini-dokumentar me pronarët por edhe me ata që hanë në këtë restaurant, i cili muret i ka të mbuluara me fotografi të Stalinit, Titos e Leninit.

Ushqimi përgatitet nga kuzhinierët serbë, ndërsa mes ushqimit mund të gjesh diçka nga Bjellorusia apo edhe nga Guinea-Bissau, shkruan KultPlus.

Pronari Vojin Vujic i ka thënë mes tjerash VICE se ata që hanë në restaurant, edhe edukohen.
“Më pas, klientët tanë mund të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe të njoftohen më shumë me kulturën dhe me shtetet në fjalë. Shtetet që nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës janë plot, prandaj kemi punë” tregon Vujic.

Mes tjerash, kur është pyetur se a do të ishte i mirëseardhur një shqiptar në këtë restaurant ku gastronomia është më ndryshe se në restaurantet tjera, ai ka dhënë këtë përgjigje.

“Patjetër, nëse nuk është një shqiptar ekstremist. Çdokush është i mirëseardhur” ka thënë Vujic.
Vujic ka treguar se është kundër homoseksualizmit dhe se beson se një pjesë e mirë e serbëve kanë po këtë qëndrim, karshi homoseksualitetit por edhe karshi Kosovës dhe pavarësisë së saj. / KultPlus.com

150 poezi aplikojnë në konkursin e poezisë ‘KultStrofa’

Është përmbyllur kësisoj aplikimi për konkursin e poezisë ‘KultStrofa’.

Janë gjithsej 150 poezi të cilat kanë ardhur në adresën e KultPlus, nga autorë e poetë të moshave të ndryshme, për të provuar të kualifikohen në dhjetë poezitë më të mira.

Konkursi i poezisë “KultStrofa” edhe këtë vit sjellë dhjetë poezitë më të mira në një paraqitje para publikut në Prishtinë.

150 poezi, shumëzuar me qindra emocione që jep secila, tanimë po shikohen nga juria e këtij konkursi, e cila do të bëhet e ditur me kohë. Poezitë na kanë ardhur nga duart magjike të shkrimtarëve nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi e diaspora.

Numri i poezive është i kënaqshëm dhe e ka tejkaluar numrin e poezive që kanë aplikuar në edicionin e parë të konkursit “KulStrofa”, gjithsej 101.

Sponsor gjeneral i këtij edicioni të dytë të konkursit që organizohet nga KULTPLUS, është PROCREDIT BANK.

Ditëve në vazhdim në KultPlus do të prezantojmë edhe jurinë e konkursit por edhe finalistët të cilët do të ftohen në natën e konkursit të poezisë, aty ku edhe mund të vijnë e të dëgjojnë poezitë të gjithë lexuesit e KultPlus dhe ata që e dashurojnë poezinë. / KultPlus.com

A nuk ndiheni edhe ju të vrarë?!

Nga Entela Resuli

Sa herë ndodh një vrasje, tre ditë diskutohet për të. Studiot televizive mbushen plotë me specialistë, mjekë, psikologë, gazetarë, shkencëtarë, gjithollogë, të gjithë dalin e… flasin. Është rasti i tyre, është puna e tyre. Të gjithë bëhen të mirë, të ndjeshëm, fryjnë e shfryjnë mbi viktimën, autorin… shoqërinë, madje kërkojnë edhe falje. I kërkojnë falje të drejtpërdrejtë viktimës edhe pse nuk e kanë njohur, edhe pse nuk kanë bërë asgjë për ta ndryshuar këtë realitet.

Për tre ditë rrjeti mbushet plotë me “engjëj” dhe më pas… jeta vazhdon!

Ata (njerëzit) kthehen në hiena për njëri-tjetrin, madje, në rrjetet online, kur ka data ditëlindjesh, urojnë “suksese dhe lumturi në jetë” dhe sapo e shohin “mikun” apo “mikeshën” ta prekë atë (suksesin), nxijnë nga zilia dhe iu bie tension…!

Dhe sot flitet për vrasje…

Këtu të vrasin çdo ditë dhe ngadalë… Të vret mentaliteti dhe njerëzit rreth e rrotull, që dinë çdo hall tëndin. Të vret pamundësia për të realizuar një dëshirë apo ëndërr që ke. Pengesat që me dashje t’i vendosin në rrugëtimin tënd. Të vret politika me show-n e përditshëm, të vret shoqëria me indiferencën e saj…Të vret stresi i përditshëm dhe i vazhdueshëm për mbijetesë! Të vrasin çmimet e larta, pagat e ulëta. Të vret mungesa e sistemit të shëndetësisë. Të vret mjeku që të nxjerr diagnozë tjetër për tjetër. Të vret mungesa e ilaçeve, shtrenjtësia e tyre… Të vret ndotja e ambientit. Të vret luksi i shfrenuar diku dhe varfëria ekstreme diku tjetër.

Të vrasin analistët e përnatshëm në ekranet televizive që bëjnë si të brengosur për hallet e popullit dhe këtej kur qeshin me të madhe u shfaqet dhëmbi i floririt…

Të vret…

A nuk ndiheni edhe ju të vrarë?!

Zojës n’rrug’ teme

Poezi e shkruar nga Erenestina Gjergji Halili.

Rrug’s teme, e kqyri nji zojë t’hijeshme,
Flok’t her’ ia merr era e herë s’ja don,
Duert i çon rreth qaf’s, dikur si bora,
Her’ m’doket se kjan’e her’ se k’ndon…

S’di kush ia merr njat’ sy larushë,
a dera, qi msheli, kur duel me ecë,
a péngu, q’i varet n’gji si ujdhesë,
A- dâmi dikur, qi mâ dam s’ban…

E bukur njajó zojë, qi t’trand n’naze
N’rrug’ teme, e kqyri kur jam tuj ecë,
Prej vedit, reg’timet, nji gjâ e mundon…
N’kapak t’shpirtit, prore jeta gjamon.
Her’ m’doket se k’ndon, her’ se loton…

Ministrja viziton Tinka Kurtin në spital

Para pak orësh mediat raportuan që aktorja e mirënjohur Tinka Kurti është shtruar me urgjencë në spital për shkak të shqetësimeve shëndetësore.

Aktorja e mirënjohur është vizituar në spital nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Ministrja madje ka publikuar edhe një fotografi të vizitës së saj në spital ku ndodhet e shtruar aktorja Tinka Kurti.

Krahas fotos Manastirliu shkruan:

“Të shkuara Tinka Kurtit, yllit të skenës shqiptare e të fëmijërisë së të gjithëve ne dhe gruas që gjithnjë frymëzon gratë me fisnikërinë, energjinë e kurajon e saj”. / KultPlus.com

Shqiptari Arian Asllani, në film bashkë me Al Pacinon dhe De Niron

Action Bronson, një shqiptar i njohur në Amerikë për muzikën e tij por edhe për emisionin e famshëm të cilin e modern, do të jetë pjesë e një projekti filmik në NETFLIX.

Asllani i është bashkuar ekipit të filmit “The Irishman” me regji nga Martin Scorsese.

Siç shkruan Billboard, Action Bronson do të jetë pjesë e filmit ku luajnë De Niro, Al Pacino dhe Joe Pesci.

Nuk dihet ende natyra e rolit të Bronson në projektin filmik në fjalë Ariani është 34 vjeçar, ndërsa në vitin 2012-të nënshkroi kontratë me Warner Bros. Records, për të kaluar më pas tek Vice Records, shkruan KultPlus.

Religious Art.

A post shared by Action Bronson (@bambambaklava) on

“The Irishman” do të publikohet vitin 2019-të ndërsa është bazuar në librin “I Heard You Paint Houses: Frank ‘The Irishman’ Sheeran and the Inside Story of the Mafia, the Teamsters, and the Final Ride by Jimmy Hoffa” shkruar nga Charles Brandt. / KultPlus.com

Adelina Ismaili, tanimë pjesë e serialit ‘O sa mirë’

Vetëm pak kohë pasi paralajmëroj se do të largohet nga muzika për t’iu përkushtuar aktrimit, Adelina Ismailin e pamë pjesë të serialit “O sa mirë”.

Ndryshe nga të famshmit tjerë që sprovojnë veten në aktrim në këtë serial, këngëtarja e njohur nuk do të jetë më vetëm mysafire, shkruan GazetaExpress.

Adelinën do ta shohim sërish. Ajo tashmë është bërë pjesë e kastës së aktorëve të serialit dhe do të ketë rolin e drejtoreshës së shkollës së famshme.

Adelina tashmë ka arritur një marrëveshje me epikën realizuese të “O sa mirë”, por nuk do ta shohim në çdo episod.

GazetaExpress mëson se pjesëmarrja e saj në këtë projekt do të jetë afatgjatë me shfaqje të kohë pas kohëshme.

Sigurisht arsye për këtë është edhe jeta e saj në Zvicër pranë bashkëshortit dhe djalit të saj e larg Prishtinës ku dhe realizohen pjesa më e madhe e xhirimeve.

Ndryshe kjo nuk është hera e parë që Adelinën e shohim si aktore. Këngëtarja ka qenë pjesë e disa skeçeve të humoristit Sevdai Radogoshi dhe më vonë edhe te “Stpupcat”.

Interesante për të ardhmen do të ishte ta shohim në ndonjë rol serioz në ndonjë projekt filmik a po serial. / KultPlus.com

Saddam Husseini shkroi një roman dashurie i cili tani mund të blihet në Amazon

Mund të duket befasues fakti që Saddam Husseini në vitin 2000 ka botuar një roman dashurie i cili tashmë gati 18 vite më vonë, vjen në përkthimin anglisht me titullin “Zabiba and The King” dhe është në dispozicion që të blihet në Amazon, përcjellë KultPlus.

Libri 160-faqesh përshkruhet si një histori alegorike dashurie e shkruar mijëra vite më parë për një mbret irakian – i cili simbolizon vetë Saddamin dhe një emër fshataresh Zabiba. Gjatë vizitave që ajo bënte natën në pallatin e mbretit, ata bisedonin për orë të tëra për fenë, dashurinë, nacionalizmin dhe vullnetin e popullit.

“Lehtësisht në këtë libër bëhet e qartë se marrëdhënia e Zabibës në mbretin funksionon si një metaforë e cila shpjegon marrëdhëniet midis Njerëzve dhe Sundimtarit”, kishte shkruar Daniel Kalder për The Guardian në vitin 2011.

Ka pasur një debat lidhur me atë se a e ka shkruar Saddami vetë këtë libër. Fillimisht ky libër u botua në mënyrë anonime, dhe për shkak të temave politike që i trajtonte dhe faktit që thuhet se nuk ka pasur kritika ndaj librit në Irak, shumë analistë besonin se mund të ishte autorizuar nga vetë Saddami./ KultPlus.com

Rexhep Ferri dhuron dy vizatime për Galerinë Kombëtare të Kosovës, dedikim për muzeun e harruar

Dje, më 23 janar, koleksioni i Galerisë Kombëtare të Kosovës, u pasurua me dy vizatime të dhuruara nga akademik Rexhep Ferri.

“Portreti i Pjetër Bogdanit” (1986) tush në letër, dimensionet 70x100cm dhe “Portret i dyfishtë” (1985) , tush në letër dimensionet 100×70 cm, janë vizatimet që akademik Ferri i dhuroi GKK-së.

Me këtë rast, akademik Ferri, tha se gjatë këtyre 18 viteve pas luftës së fundit është harruar ideja dhe dëshira që edhe Kosova të ketë institucionin më të lartë të arteve pamore, Muzeun e Artit Bashkëkohorë, e sipas tij, me këtë rast ai i fali për këtë koleksion dy vizatime.

“I fala këto vizatime për Muzeun që është harruar, për të cilin para 30 viteve janë mbledhur e blerë shumë vepra të cilat tani gjenden në deponë e Galerisë Kombëtare. Gjatë viteve të fundit kohë pas kohe flitej për Operën, por për Artet Pamore shumë pak… Një popull që nuk e mban gjallë traditën është humbës i madh”, ka thënë Ferri.

Rexhep Ferri, piktor, profesor e shkrimtar , u lind në Kukës (Shqipëri) në vitin 1937. Më 1958 mbaroi shkollën e mesme të Artit në Pejë. Më 1962 botoi poezitë nga cikli Shëtitësit e lodhur në revistën letrare Jeta e re në Prishtinë. Në vitin 1966 u diplomua në Degën e Pikturës Monumentale në Akademinë e Arteve në Beograd. Në vitin 1970 mbaroi studimet pasuniversitare në Akademinë e Arteve në Beograd. Më 1971 mori çmimin e dhjetorit të Kuvendit të Kosovës. Në vitin 1974 zgjidhet pedagog i Akademisë së Arteve Figurative në Prishtinë. Më 1975 fiton çmimin e Sallonit Pranveror për pikturë të Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës. Në vitin 1999 zgjidhet sekretar i Seksionit të Arteve në ASHAK dhe në vitin 2000 zgjidhet anëtar i rregullt i ASHAK. Kritika i ka vlerësuar lartë veprat e tij në aspektin artistik. Ka botuar edhe disa përmbledhje të poezive, si dhe disa romane.

Ekspozita e tij e fundit e tapicerive në Akademinë e Arteve dhe Shkencave rikonfirmoi rëndësinë e tij si artist inderdisiplinar, por edhe si personalitet dinjitoz, përfaqësues i trashëgimisë artistike të Kosovës./ KultPlus.com