Albulena Jashari sjellë nesër ekspozitën “Akordet e çikave”

Artistja Albulena Jashari nesër do të hap ekspozitën personale të titulluar me emrin “Akordet e çikave”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë do të hapet në ora 17:00 në ambientin e ‘Hanit të 2 Robertëve’ në Prishtinë. Kjo është ekspozita e dytë personale e artistes Albulena Jashari pasi që ajo para rreth dy muajsh ka prezantuar rreth dhjetë piktura në ekspozitën e parë personale në Tiranë. / KultPlus.com

Më mungon ti…

Poezi e shkruar nga Pablo Neruda.

Nuk është se mendimet më janë mbyllur,
Nuk është se nuk dua te shoh dritë përsëri…
Është e thjeshtë, më mungon kjo,
Kjo që adhuroj – Më mungon ti!

Nuk është se fëmijët, nuk me pëlqejnë,
Por vdes morali, para syve të mi…
Edhe iluzionet e mia vdesin,
Përpara trishtimit – Më mungon ti!

Nuk është se kam harruar, qe për burrat,
Te mos tregosh qe dashuron, quhet trimëri…
Nuk është asnjë nga këto,
Por nuk me përgjigjesh,
Kur te thërras – Më mungon ti!

10 milionë shikime në videon promovuese të Shqipërisë (FOTO/VIDEO)

Ditë më parë është lansuar videoja promovuese e Shqipërisë, e cila ishte shpërndarë fillimisht nga ministri i Turizmit në Shqipëri, Blendi Klosi, shkruan KultPlus.

Por si duket kjo video mori dhenë, pasi që brenda disa ditëve, ky projekt është parë nga dhjetë milionë njerëz, dhe edhe më tej vazhdon të shpërndahet. Vetë ministri Klosi është shprehur të jetë i lumtur për këtë promovim.

“10 milionë shikime për videon promovuese të Shqipërisë në postimet e blogerave shqiptarë në mbarë botën. Edhe vetëm 1 mijë nga 10 milionë shikues të vijnë në vendin tonë do të kemi bërë ndryshimin. Bashkohu edhe ti me jehonën e Shqipërisë turistike!

Jehojeeee!”, ka shkruar Klosi./ KultPlus.com

Shtëpia e At Gjergj Fishtës në shkatërrim e sipër, nisin matjet për hartimin e projektit restaurues (FOTO)

Shtëpia ku ka jetuar At Gjergj Fishta, tashmë është në një gjendje thuajse të mjerueshme.

Dritareve të thyera, pamjes jo të mirë të oborrit dhe gjendjes fizike të shkatërruar të kësaj shtëpie që është Monument Kulture, duket se i ka ardhur fundi, shkruan KultPlus.

Sot përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, nga drejtori i Trashëgimisë Kulturore-Historike në Lezhë Paulin Zefi, është bërë e ditur se kanë nisë të bëhen matjet për hartimin e projektit restaurues të këtij objekti.

“Në Fishtë pranë shtëpisë Monument Kulture ku ka jetuar i madhi At.GJERGJ FISHTA duke bërë matjet për hartimin e projektit restaurues të këtij objekti tejet të amortizuar së bashku me specialistët e Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit(Bashkia-Lezhë)..
*Lidhur me gjendjen fizike të Monumentit, pamjet flasin vetë…”, ka shkruar Zefi në rrjetin social Facebook./ KultPlus.com

Klosi në Beograd: Shqipëria dhe Serbia me ofertë të përbashkët turistike

Rajoni i Ballkanit Perëndimor duhet të paraqitet me një ofertë të përbashkët turistike, veçanërisht për vendet e largëta, të kontinenteve përtej Europës. Kjo u dakordësua në takimin mes ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi me Zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit serb, Rasim Ljajiç, në kuadër të vizitës zyrtare që ministri Klosi zhvilloi në Beograd, shkruan 24 ore.

Në takimin midis ministrit shqiptar të turizmit dhe atij serb, u ra dakord që palët të nënshkruajnë një marrëveshje mbi bashkëpunimin në fushën e turizmit, e cila do të jetë baza për paraqitjen e përbashkët në tregjet e treta. Dy homologët diskutuan edhe për mbajtjen e një takimi në Tiranë të ministrave përgjegjës për turizmin në pranverë, për një sezon turistik më të pasur.

Diskutimi i ofertës së përbashkët turistike me ministrin serb, vjen pas takimeve të veçanta, me të njëjtën tematikë, që ministri Blendi Klosi ka patur me homologët e vendeve të tjera në rajon, Kosovë, Maqedoni, Kroaci e Mali i Zi. Duhet nenvizuar se gjate vitit të fundit është rritur prania a e turistëve nga serbia në brigjet detare të vendit tonë./KultPlus.com

Elton John pensionohet nga muzika

Elton John raportohet se ka vendosur të pensionohet nga muzika pas 50 vjetësh karrierë në skenën muzikore.

70-vjeçari ka vendosur t’i jap fund ngjitjeve në skenë shkaku i dobësimit të shëndetit dhe rënies së shitjeve.

Gazeta britanike “The Mirror” raporton se ylli muzikor do të pensionohet pasi të përfundojë turneun e tij të fundit botëror.

Vitin e kaluar, krijuesi i hitit botëror “Rocket Man” njoftoi për 27 koncerte që do t’i mbante në Las Vegas nën titullin “The Million Dollar Piano”, por në një komunikatë të gjatë përfaqësuesit e tij njoftuan se John është detyruar të anulojë gjithë koncertet shkaku i një infeksioni.

Njoftimi për pensionim do të zyrtarizohet më vonë nga ylli britanik./ KultPlus.com

Merita Halilit, çmimi “Queen of Albanian Music” (VIDEO)

Këngëtares shqiptare i është dhënë titulli “Queen of Albanian Music”, shkruan KultPlus.

Këtë çmim i’a ka ndatë AAWO, Albanian American Women’s Organization në New York, dhe sipas organizatorëve, ceremonia e ndarjes së këtij çmimi do të mbahet më 3 mars të këtij viti.

Merita Halili është e njohur për zërin e saj të vecantë sikurse edhe për kontributin e saj në Amerikë. Ajo tash e sa kohë është promovuese e muzikës shqipe, pasi që bashkë me bashkëshortin e saj janë duke mbajtur një shkollë të muzikës, ku shumë amerikanë dhe jo vetëm, janë duke u njohur për së afërmi me muzikën e pastër shqipe./KultPlus.com

Shfaqet dokumentari me histori personale të familjes shqiptare dhe izrealite

Gili Hoxhaj

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit më 27 janar, sot në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë u shfaq dokumentari “Trashëgimtarët e një historie shpëtimi” i cili tregon se si familja Rezniqi ka kontribuar në shpëtimin e një familje izraelite, shkruan KultPlus.

Derisa në Ditën Ndërkombëtare të Holokastit në mbarë botën kujtohet e kaluara, vuajtjet dhe mizoritë në të cilat kanë kaluar populli hebre.

“Kjo ditë ka një dimension tjetër edhe për shqiptarët, është dita kur ne ndihemi krenar për veprën më njerëzore që njeh historia ngaqë kombi ynë ka ndihmuar ata që të përndiqeshin nga nazistët”, kështu u tha sot para shfaqjes së dokumentarit.

Lekë Rezniqi përfaqësues i familjes Rezniqi tregoi se hulumtime të shumta kanë treguar se numri më i madh i hebrenjve ka kaluar nëpër Kosovë, nëpër shtëpitë e shumë familjeve shqiptare, siç janë familja Rezniqi, familja Behluli, familja e Halim Spahiut, Hasan Mulla Shabanit, Ramadan Nuzës, Mon Belegut, familja Aliçkaj e shumë të tjera. Ky dokumentar vjen pikërisht për të nxjerrë në pah këto marrëdhënie, të cilat përballën me mungesë të fakteve.

“Siç e do tradita shqiptare kur një mik gjendet në vështirësi dhe ndihmohet, atij zakonisht nuk i kërkohet që në letër të shkruhet se kush ia shpëtoi jetën, e lerë më t’i kërkohet kompensim material. Sot historia pas më shumë se 70 vitesh i kërkon këto fakte e ne po mundohemi t’ua ofrojmë ato”, u shpreh Rezniqi para fillimit të dokumentarit.

Dy familje, njëra shqiptare e tjetra izraelite kanë trashëguar marrëdhëniet e të paraardhësve të tyre. Përmes kujtimeve personale, vizitave e miqësisë, ata edhe vazhdojnë ta kultivojnë këtë miqësi. E kaluara e tyre sot erdhi përmes një dokumentari autori i të cilit ishte Lekë Rezniqi, e producent Dardan Selimaj. Ky dokumentar u dedikohet të gjitha familjeve që kanë ndihmuar hebrenjtë, kontributi i të cilave ende nuk është njohur.

Lekë Rezniqi (stërnipi i Arsllan Mustafa Rezniqi dhe Rachel-Shelly Levi Drammer (mbesa e Dr. Haim Abravanel) takohen në Manastir, në vendbanimin e fundit ku kanë jetuar familja e doktorit Haim Abravanel. Derisa familja Rezniqi kishte strehuar familjet hebrenje në shtëpinë e tyre në Deçan, ata ishin bërë edhe një urë për ta sjellë doktorin Haim Abravanelin nga Shkupi në Kosovë për t’i ndihmuar banorët në tejkalimin e epidemisë tifoide. Për ta shpëtuar doktorin izraelit nga forcat naziste gjermane, familja Rezniqi ishte bërë strehë e tij dhe e kishte shpëtuar atë duke e veshur me veshje myslimane.

Rezniqi dhe Shelly ishin rritur me kujtimet e të bëmat e familjeve të njëri-tjetrit. Ata të ulur shumë pranë njëri-tjetrit sot kujtojnë disa momentet më të rëndësishme të familjeve të tyre deri në largimin e familjes izraelite nga Shqipëria. Mes kujtimeve të tyre personale mësohet se prindërit e Rachel-Shelly-it humbën jetën në tërmetin që goditi Shkupin në vitin 1963, në këtë rast familja e Arsllan Rezniqit shkojnë në Shkup për të ndarë dhimbjen me familjen e doktorit Haim, e për t’u mos u takuar me vite të tëra. Derisa në kohë lufte në Kosovë, Rachel-Shelly përpiqet në çdo mënyrë që të gjetur familjen Rezniqi dhe për ta strehuar atë në Izreal. Ajo përmes këtij dokumentari tregon për lidhjen e ngushtë që ndjejnë me familjen kosovare Rezniqi, sipas saj kjo marrëdhënie është përtej miqësore, është si një marrëdhënie familjare.

Lekë Rezniqi tha gjatë këtij takimi se kombi shqiptar është i vetmi në botë i cili ka mundësuar shpëtimin e popullit hebre.

“Kombi shqiptar është i vetmi në botë i cili në mënyrë të organizuar ka mundësuar dhe siguruar shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit dhe për këtë humanizëm të dimensioneve botërore, bota di shumë pak. Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që nuk e ka njohur antisemitizmin dhe është vendi i vetëm në botë që pas Luftës së Dytë Botërore ka pasur numrin më të madh të hebrenjve se sa para luftës”, tha sot Rezniqi. Familja Rezniqi, është dekoruar me mirënjohjen “Fisnik mes kombeve”, në vitin 2008, nga Yad Vashem, ambasadori i Izraelit. /KultPlus.com

Meryl Streep, aktorja e rekordeve në Oscars (VIDEO)

“The Post”, është filmi ku ka luajtur me regji të Steven Spielberg, dhe pikërisht roli i Meryl Streep në këtë film ka bërë që të nominohet për çmimin Oscar, shkruan KultPlus.

Por këtë emocion për këtë çmim prestigjioz, aktorja e njohur botërore është duke e shijuar për të 21-tën herë, dhe gjithë këto nominime përgjatë karrierës së saj po e bëjnë që kjo grua ti thyej rekordet vetvetes, pasi që asnjë aktor tjetër nuk është nominuar kaq shumë herë. Streep ka lindur më 22 qershor të vitit 1949. Ajo ka fituar tri çmime Oscar./KultPlus.com

Shoqet e ngushta, Rita Ora e Bebe Rexha

Këngëtaret shqiptare me famë botërore, Rita Ora e Bebe Rexha janë takuar të martën mbrëma në New York. Dy këngëtaret kanë publikuar fotografinë e njëjtë nga takimi dhe e kanë quajtur njëra tjetrën shoqe të ngushta.

Në fotografinë e publikuar në Instagram dy yjet shihen duke u puthur, shkruan koha.net
Muaj më parë Rita në një intervistë kishte paralajmëruar bashkëpunim me Rexhën në një këngë të re./KultPlus.com

Rusia ndalon shfaqjen e komedisë “Vdekja e Stalinit”

Komedia britanike ‘The death of Stalin’ (Vdekja e Stalinit), nuk i bën për të qeshur rusët. Pas një ekranizimi të rezervuar për personalitete të larta, të cilët, sipas BBC-së, nuk e pëlqyen satirën e regjisorit Armando Iannucci, autoritetet vendosen të ndalonin shfaqjen e komedisë në kinematë e vendit.

Spektatorët e zgjedhur u ankuan se filmi përmbante ‘luftë ideologjike’ dhe ekstremizëm. Liçensa e shpërndarjes së filmit u tërhoq, duke anuluar shfaqjen e tij në kinema ditën e enjte.

Ministria e Kulturës tha për agjencinë Interfax se vendimi nëse filmi do të shfaqej në të ardhmen në Rusi, do të merrej më vonë. Filmi i Iannuccit është një satirë për luftën për pushtet në Moskë, që pasoi vdekjen e Stalinit në 1953-shin. Si rezultat, shumë prej personazheve kryesore janë figura historike reale.

Në ekranizimin e filmit që në Britaninë e Madhe është shfaqur në muajin tetor, morën pjesë anëtarë të parlamentit e gjithashtu përfaqësues të industrisë kinematografike ruse. Shumë prej tyre u pezmatuan nga ajo që panë, me politikanen Yelena Drapeko që tha se kurrë më parë nuk kishte parë diçka kaq të shpifur.

Vajza e Marshallit Zhukov që drejtoi betejën e Stalingradit në 1943-shin, u ankua se filmi parodizonte historinë e vendit dhe denigronte kujtimin e qytetarëve rusë që luftuan kundër nazistëve./ KultPlus.com

Skënderbeu në Piazza Albania në Romë

Ambasada e Italisë në Tiranë në vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut shpallur nga qeveria shqiptare sjell një foto të monumentit të Skënderbeut vendosur në sheshin Piazza Albania, në Romë.

Në një postim në faqen e saj Facebook, Ambasada e Italisë në Tiranë shprehet se “pak njerëz e dinë se në Piazza Albania në Romë gjendet monumenti i Skënderbeut, heroit kombëtar shqiptar”.

Bashkë me postimin e saj, ambasada e Italisë në Tiranë poston dhe foton e monumentit të Skënderbeut në Piazza Albania në Romë./ KultPlus.com

“Magjia e gramafonit” vjen për herë të parë para publikut

“Magjia e gramafonit”, me gramafonët dhe revistat e Fonotekës së Arkivit Qendror Shtetëror është dhe ekspozita e përbashkët e Muzeut Historik Kombëtar dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, e cila u çel për publikun.

Në vitin 1986 koleksionisti britanik Martin Moir i dhuroi AQSH-së mbi 18,000 pllaka gramofoni, 20 gramofonë mekanikë dhe elektrikë, 2 fonografë dhe një mori revistash periodike kushtuar muzikës në pllaka. Kjo çoi në krijimin e Fonotekës së AQSH si sektor i zgjeruar. Objektet ruhen në Fonotekën e AQSH dhe përveç një katalogu të lëndës muzikore, asgjë tjetër nuk i është bërë e njohur publikut.

Çelja e ekspozitës “Magjia e gramafonit” bëri të mundur që në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar të lancohej muzikë popullore shqiptare, regjistruar në disqe të një teknologjie që prej vitesh nuk ekziston më dhe transmetuar po nga gramafonë një pjesë e të cilëve datojnë si prodhim që para viteve të Luftës së Dytë Botërore. Gramofonët që janë ekspozuar mosha e të cilëve shtrihet përgjatë një shekulli duke filluar nga 1903 do të qëndrojnë për një javë në MHK.

Në këtë ekspozitë për herë të parë paraqitet në origjinal koleksioni i fonografëve dhe gramafonave, si dhe disa disqe gramafoni, LP dhe vinyl-e. Pllaka gramafoni të hershme me zërin e tenorit të famshëm Enriko Karuzo, i cili ka qenë ndër të parët që ka regjistruar disqe, disqe me zërin e Aleksandër Moisiut, monologun e “Makbethit”, zëri i Ëinston Churchill është në këto pllaka gramafoni. Përmes kësaj ekspozite AQSH shpalos një anë të panjohur të tij, pasurinë muzikore që ruan heshtazi prej 30 viteve. Pjesë e dhuratës së vitit 1986 ishin edhe disa seri revistash, si “The Monthly Letter”, “The Strand”, “Gramophone” apo botime lidhur me historinë e gramafonit dhe muzikës, disa prej të cilave do të ekspozohen pranë koleksionit të gramafonëve.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi e vlerësoi si shumë të rëndësishëm vijimin e bashkëpunimit duke theksuar gjithashtu se ekspozita të tilla të bëjnë të kuptosh se si ka qenë jeta sociale e shqiptarëve.

“E kemi filluar këtë bashkëpunim edhe më herët siç ishte ekspozita e vulave të shtetit shqiptar, po e vijojmë me ekspozitën e gramafonave dhe shpresojmë të ketë edhe ekspozita të tjera për të nxjerrë në pah vlerat e trashëgimisë tonë kulturore, historike, muzeale që ndajnë dy institucionet”, tha ndër të tjera Dorian Koçi gjatë fjalës së tij të rastit në çeljen e ekspozitës “Magjia e gramafonit”.

Bashkëpunimi AQSH dhe MHK

Po në të njëjtën mendim edhe drejtori i përgjithshëm i Arkivave Ardit Bido u shpreh se Shqipëria është një vend i pasur me trashëgimi kulturore, duke shtuar se bashkëpunimi mes dy institucioneve do të vazhdojë me qëllim që objektet muzeale, që janë pronë e arkivit, të mund të dalin në dritë dhe të njihen nga publiku pikërisht nëpërmjet ekspozimit në një vend atraktiv siç është Muzeu Kombëtar.

“Ka pasuri që janë ekspozuar shumë rrallë, por shumica asnjëherë” u shpreh Ardit Bido.

Aktiviteti i fundit mes dy institucioneve mund të jetë dhe referenca më e mirë për të rrëfyer se mes Muzeut Historik Kombëtar dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave bashkëpunimi është intensifikuar. E duket se kjo merr më shumë vlerë kur aktiviteti anonçohet në kuadër të veprimtarive të “Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”, shkruan SotNeës. Një marrëveshje e nënshkruar, të paktën dy muaj më parë, parashikon që në muze të ekspozohen dokumente origjinale, por dhe objekte muzeale, pjesë e pasurisë së Arkivit Qendror Shtetëror./ KultPlus.com

Sot plotë 99 vite nga vdekja e mistershme e Ismail Qemalit

Sot janë mbushur 99 vjet nga vdekja misterioze e Ismail Qemali, njeriu që më 1912 shpalli pavarësinë e Shqipërisë, në qytetin e Vlorës. Ai vdiq më 24 janar të vitit 1919 në Peruxhia të Italisë, pak momente para se të jepte një konferencë për shtyp. Deri më sot nuk ka një variant përfundimtar të vdekjes së tij, por gjithmonë janë hedhur dyshime se është helmuar nga qarqet greke, serbe, turke apo italiane.

Ismail Qemali u lind në Vlorë në vitin 1844. Vitet e fundit të jetës i kaloi në mërgim duke punuar gjithnjë për të mirën e atdheut dhe duke bashkëpunuar me kolonitë shqiptare. Më 1917, Partia Kombëtare Politike e shqiptarëve të Amerikës, e caktoi delegat të saj për në Konferencën e Paqes në Paris 1919-1920. Pak kohë para vdekjes, i bindur se historia do t’i jepte të drejtë largpamësisë së tij ndaj kërkesave legjitime të popullit shqiptar, do shkruante: “Paqja në Ballkan nuk do të mund të rivendoset duke sakrifikuar të drejtat e kombeve të tjera në interes të synimeve ekspansioniste. Pa iu shtuar Shqipërisë nga ana e veriut Kosova dhe nga ana e jugut Çamëria, nuk mund të shtrohet qetësia në sinisin e Ballkanit”.

Situatat që Ismail Qemali kishte kaluar ato ditë në Peruxha të Italisë i kishin shkaktuar një gjendje të rëndë mendore dhe fizike. Edhe pse në atë gjendje, ai nuk kishte ngurruar të dilte para shtypit.

Njëri nga djemtë e Ismail Qemalit ka deklaruar në ato ditë se qëndrimi i Romës e dëshpëroi shumë babanë e tyre. Për të mos e lënë në harresë misionin e tij, Ismail Qemali ftoi më 23 janar 1919 në hotelin “Brufani” ku kishte bujtur, korrespondentët e disa gazetave italiane që ndodheshin në Peruxha. Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi dhe dy djemtë e Ismailit.

Sipas të birit, Et’hemit, kur Ismail Qemali, pasi kishte ngrënë drekë doli para gazetarëve që po e prisnin, sapo filloi të fliste u zverdh dhe filloi të dridhej e të belbëzonte. Ali Asllani, kryetari i Bashkisë së Vlorës, tregon se Ethemi i kishte thënë që Ismail Qemali “kërkoi ta shoqëronin në banjë. Atje e mbyti shkuma e të vjellët”.

Vdekjen e tij e njoftoi, ndër të tjera, me një komunikatë të veçantë gazeta italiane “L’Unione Liberale”, organ i Partisë Liberale të Italisë, e qendrës së djathtë, me këto fjalë:

“Dje në mbrëmje, në orën 23.30 pushoi së jetuari në hotel ‘Brufani’ mysafiri i shquar i qytetit, Ismail Qemal Bej Vlora”.

Ai përfaqësonte denjësisht një familje të madhe dhe të lashtë nga Vlora. Meqenëse ishte patriot i flaktë, mik i Italisë sonë, i frymëzuar nga parimet e lirisë dhe drejtësisë, shihej me sy të keq nga qeveria turke, e cila e kishte dënuar dhe detyruar të kërkonte shpëtim në mërgim.

Ishte 75 vjeç, ruante mendimin e kthjellët dhe fuqinë trupore, i palodhur në punë, sikur të ishte i ri dhe i përzemërt me të gjithë.

Hemorragjia cerebrale e goditi më 23 janar dhe si pasojë paralizimi. Për të përballuar sëmundjen nuk patën dobi as mjekimi më i kujdesshëm i mjekut që e kuroi, doktor Leone Pernossi dhe të konsulentëve, prof. Silvestrini dhe prof. Righetti dhe as prania e dhembshur e djemve.

Kufoma e Ismail Qemalit është mbajtur në Peruxha për dy javë pas vdekjes, me idenë e balsamosjes. Por, kjo i shtoi edhe më shumë dyshimet për helmim, pasi i kanë nxjerrë të gjitha organet e brendshme për të zhdukur çdo shenjë për autopsinë.

I shoqëruar nga tre djem të tij: Et’hemi, Qazimi dhe Qamili dhe nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme italiane, më 8 shkurt 1919, trupi i Ismail Qemalit u dërgua me tren në Brindizi nga ku, në bordin e torpedinieres “Alpino”, u shoqërua në Vlorë. Më 12 shkurt, nën një ceremoni madhështore, trupi i tij, i vendosur mbi shtratin e topit dhe i mbështjellë me Flamurin Kombëtar, u shoqërua në Kaninë, ku u varros në oborrin e Teqesë, në varrezat e familjes Vlora. “…Nëse masim madhështinë e një personaliteti politik me dashuri në e popullit të thjeshtë,- shkruante në ‘Kujtime familjare’, Safa Vlora,- duhet të pohojmë se asnjë nuk i afrohet Ismail Qemal Vlorës. Në ceremoninë e përmotshme… as fshatar as qytetar nuk qëndroi në shtëpi. Tërë faqet e maleve dhe brigjeve, që qëndronin gjatë udhëtimit, ishin mbushur me njerëz. Ishte një apotezë madhështore e të gjithë popullit, pa dallim, dhe një kurorë që Ai e fitoi me punën e tij të madhe në shërbim të vendit të tij, derisa dha frymën e fundit..”..

Në atë kohë Vlora ndodhej nën pushtimin italian. Komanda italiane, që ia kishte frikën rebelimit, urdhëroi që në ceremoni të mos përdorej asnjë flamur shqiptar. Kjo ishte poshtëruese për ndjenjat e një populli patriot. Këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar. Komanda italiane e kuptoi mirë ultimatumin atdhetar dhe lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar. Dhe ashtu u bë. Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë. Këtë flamur ia kishte dhuruar Ismail Qemalit duka i Monpasiesë në mars 1913, kur ai bëri një vizitë në Vlorë.

Në ato ditë flamurin e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Ethem Bej Vlora. Ceremonia e varrimit u bë me 12 shkurt 1919. Ishte e mërkurë. U mbajtën dy fjalime mbresëlënëse nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi.

Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga Djelmoshat e Vlorës, të shoqërisë me po këtë emër. Kurorat ishin gjithë lule, nderim dhe dashuri nga populli i Vlorës, nga shkollat, nga shoqëria Djelmoshat e Vlorës dhe nga gazeta Kuvendi. Mbas këtyre vinte Shoqëria djaloshare. Pastaj ecte banda ushtarake që luante marshin funebër. Mbas këtyre ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh.

Mbas karrocës ecte grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre të tre djemtë e Ismail Qemalit. Pastaj gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lrubetti, autoritete ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë. Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, të cilin flamur e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në Sheshin e Flamurit me 28 nëntor 1932. Mbas kësaj Ethem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar.

Më 28 nëntor 1932, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë, me kërkesën e popullit të Vlorës dhe me vendim të Qeverisë Mbretërore, trupi i tij u zhvendos në Vlorë, në lulishten e qytetit, në një varr monumental, vepër e skulptorit Odhise Paskali, aty ku më parë ishte shtëpia ku ai kish lindur dhe nga ku Shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Sot, përbri varrit të tij, ngrihet një monument madhështor, që simbolizon atë ditë nëntori, që do t’i jepte emrin e bukur atij sheshi të madh: “Sheshi i Flamurit”.

Ismail Qemali vdiq në një kohë kur në Shqipëri, për shkak të okupacioneve të huaja, nuk ekzistonte shtypi i lirë shqiptar. Nuk ka dyshim se vdekja e tij shkaktoi një dhimbje të përgjithshme në mbarë bashkatdhetarët. Këtë e dëshmojnë pak organe shtypi që botoheshin atë vit, ndonjëra në Shqipëri e të tjerat jashtë.

Nikolla Ivanaj në gazetën “Koha e Re”, që nxirrte në Shkodër, kur qyteti ndodhej nën pushtimin ushtarak frëng, shkruante pesë ditë pas vdekjes së Ismail Qemalit, më 31 janar 1919: “Na mbërriti lajmi i zi si korbi, i ftohtë si akulli e i mprehtë si shpata e mejdanit: Vdiq Ismail Qemali i Vlorës”. Më tej: “Historia e Shqipërisë së re, në kohën e vet do të flasë më gjerë e gjatë për këtë burrë të shkëlqyeshëm të atdheut tonë”. N. Ivanaj e mbyllte fjalën e tij: “Ne, sot i lutemi shpirtit të tij që të na ndihmojë në këtë kohë të vështirë e kritike, ku na lypej ende trupi e mendja e tij, më tepër se kurrë deri sot”.

Gazeta “Kuvendi”, organ që dilte një herë në javë në Romë, nën drejtimin e Sotir Gjikës, në shqip e italisht, njoftonte më 8 shkurt 1919, vdekjen e Ismail Qemalit, me këto fjalë:

“Më 24 të janarit 1919, në hotel Brufani të qytetit Perugia (Itali), vdiq në duart e të bijve, Etem e Qazim, Ismail Qemal Bej Vlora, ish-kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë e tani përfaqësues në Europë i ‘Partisë Politike’“.

Shumësia e lëndës nuk na jep leje sot të merremi gjatë me biografinë e burrit të shtetit shqiptar. Padyshim, Ismail Qemali do të zërë një faqe të gjerë në historinë e Përlindjes shqiptare, se veçanërisht i shquar është roli që luajti ky burrë me mendje të madhe i farës sonë.

Ai pati fatin të ngrejë në Vlorë më 28 Nëntor 1912 flamurin e mëvetësisë shqiptare, ngjarje që e bëri të mbetet fytyrë historike, meritë të cilën nuk do t’ia hedhin dot poshtë as kundërshtarët e tij më të rreptë.

Kuvendi merr pjesë në këtë zi kombëtare e i dërgon së fort të helmuarës familje të ndjesëpastit ngushëllime të përzemërta.

Qeveria italiane bëri, nga ana e saj, fort fisnikërisht, ç’duhej për ta shpënë trupin e Ismail Qemalit në Vlorë”.

Mihal Grameno, në një artikull me titull “Humbja e Ismail Qemalit”, botuar më 12 mars 1919, në gazetën e tij “Koha” (Boston, Mass.), shkruante ndër të tjera:

“Si vetëtima u përhap lajmi i hidhur për humbjen e Plakut të Shqipërisë, Ismail Qemalit, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë anët e botës.

Ky lajm ishte si rrufeja edhe një nga më të mëdhatë goditje për kombin shqiptar, se humbi b urrin më të madh që kishte nxjerrë, pas Skënderbeut, Shqipëria. Humbi diplomatin e madh e të famshëm, humbi shtyllën e çelniktë të programit kombëtar, humbi Atin e kombit, i cili e shpëtoi nga rreziku, humbi luanin që dërrmoi zinxhirët e robërisë dhe që ngriti flamurin e Skënderbeut e shpalli vetëqeverimin e Shqipërisë. Jemi shumë të vegjël edhe fuqia jonë është e dobët që të mund të përshkruajmë veprat e larta dhe të shenjta që ka sjellë Plaku i pavdekur, përmbi altarin e atdheut”.

Luftëtari rilindës përvijon në artikullin e tij këtë portret njerëzor për Plakun e Vlorës: “Tek Ismail Qemali përmblidheshin gjithë virtytet e mira, të cilat mund të gjenden në botë”. (Gazeta “Koha”, Boston, Mass., 12 mars 1919).

Ismail Qemali, si kryeministër dhe kryetari i parë në historinë e shtetit shqiptar, qëndroi në krye të Qeverisë nga data 28 nëntor e vitit 1912 deri në 22 janar 1914, d.m.th., 12 muaj e 56 ditë./ KultPlus.com

196 vjet më parë vdiq Ali Pashë Tepelena

Sot, më 24 janar 2018, bëhen 196 vjet që nga vdekja e sunduesit dhe feudalit më të fuqishëm të Shqipërisë së Mesme dhe Jugore, Ali Pashë Tepelena. I njohur si “Luani i Janinës”, Ali Pashë Tepelena, në historiografinë shqiptare njihet më së mirë si themelues i Pashallëkut autonom të Janinës, si dhe si kryengritës kundër pushtetit të Portës Osmane në Shqipëri.

“Luani i Janinës”, lindi rreth viteve 1740-1750 në Tepelenën e Labërisë, dhe vdiq më 24 Janar 1822 duke mbrojtur trojet shqiptare të Epirit nga forcat osmane.

Familja e Ali Pashës ishte një nga familjet me të forta në trojet shqiptare. Stërgjyshi i tij Muçojaka qenë Be nga Gjirokastra dhe besohet të ketë qenë nënguvernator i nahijes së Tepelenës, qytet që ishte pjesë e Sanxhakut të Vlorës. Gjyshi i tij, Muhtar Pasha ishte luftëtar,i famshëm për trimërinë e tij. Vdiq në rrethimin e Korfuzit (pasi shkatërroi një pjesëtë mureve veneciane) duke komanduar forcat osmane në 1716. Muhtar Pasha kishte 3 fëmijë: Salek, Mehmet dhe Veli.

Ali Pashë Tepelena si i ri u dallua shumë shpejt për aftësitë e tij dhe për energjinë me të cilën ndoqi planet e veta ambicioze për t’u bërë sundimtar i vetëm i ve ndit duke përdorur gjithë mjetet, dhunën, dinakërinë, po aq sa edhe lidhjet familjare me feudalët e tjerë vendas. Moktar, gjyshi i tij vdiq, me shpatën në dorë, gjatë ekspeditës së osmanëve kundër Korfuzit në 1716. Vdekja e babait të tij, Veli, ka shkatërruar shumë familje. Aliu do të bashkonte një grup grabitësish në rininë e tij. Ai ishte përgjegjës për bastisje të ndryshme, deri në arrestimin e tij nga Pashai i Beratit. Ai arriti megjithatë të shpëtojë dënimit nga hyrja në shërbim të tij. Ai pastaj kaloi në shërbim të një armiku të Pashës së Beratit, Pashait i Delvinës. Aliu u martua me një vajzë të këtij të fundit. Ajo i dha dy djem që u quajtën : Moktar dhe Veli. Nuk ishte e gjatë për të intriga kundër vjehrrit të tij. Ai shpreson, pas ekzekutimit të tij, të trashëgonte pashallëkun tij.

Më 1784 fitoi gradën e Pashait si komandant u shtarak pranë Valiut të Rumelisë në Sofje. Po këtë vit siguroi me luftë qeverisjen e sanxhakut të Delvinës.

Në vitet 1786-88 u bë derbendpashë dhe qeveritar i Sanxhakut të Tërhallës (Thesali) dhe shtiu në dorë, sidomos me përkrahjen e borgjezisë zejtare-tregtare të vendit, qeverisjen e sanxhakut të rëndësishëm të Janinës, duke shtrirë kështu pushtetin e vet mbi Epirin dhe një pjesë të trojeve jugore shqiptare.

Rreth 1787, i thirrur në Kostandinopojë Tepelenë Dervenci Ali-Pasha (Marshall,- titull ushtarak) për gjithë e Thesalisë. Ai ishte i lejuar për të mbajtur nën vehte katër mijë burra për të luftuar kundër kaçakëve e të krishterëve. Ish-kaçak vetë, ai dinte të gjitha turket. Ata ai nuk e mbyti, por i mori në shërbim të tij. Sulltani shpërblen atë në mënyrë të suksesshme dhe me emrin Ali Pasha (Pasha në turqisht) në Trikala, Thesalisë.

Si pronar i madh tokash, sipërmarrës i taksave shtetërore, si pjesëmarrës aktiv në veprimtari tregtare dhe duke mbrojtur interesat e çifligarëve të rinj po dhe të borgjezisë tregtare, të cilën e bëri për vete me një politikë tolerance të gjere fetare, Ali Pashë Tepelena mënjanoi përkrahësit e pushtetit qendror osman dhe “tiranët e vegjël” si shkaktarë të anarkisë feudale në vend. Ai i shndërroi kështu trevat e përfshira nën sundimin e tij në një formacion shtetëror në fakt autonom, që dallonte nga viset e tjera të perandorisë për nga rregulli, qetësia dhe zhvillimi ekonomik e kulturor. Janina u bë një qytet nga më të rëndësishmit dhe më të begatë në viset Perëndimore të Ballkanit, qendër e tregut ndërkrahinor të Rumelisë Jugore, qe përfshinte edhe një varg krahinash të Shqipërisë, një vatër arsimore dhe kulturore ku filloi të përdorej përveç greqishtes si gjuhë shkrimi dhe shqipja.

Në vitet 1798-1812, duke nënshtruar me luftë qeveritarët rivalë të sanxhaqeve fqinjë si dhe krahinat e vetëqeverisura të Sulit, Himarës, etj. dhe duke shfrytëzuar situatën e vështirë të Perandorisë Osmane në periudhën e luftërave të Napoleon Bonapartit, Ali Pashë Tepelena arriti të zgjeronte e përforconte pushtetin e vet duke përfshirë trevat që nga gjiri i Prevezës deri afërsisht në lumin Shkumbin. Pashallëku i Janinës u bë një faktor me rëndësi ndërkombëtare në kushtet kur forcat franceze e ruse që ishin vendosur në Ishujt Jonianë si dhe Anglia, drejtuan vëmendjen e tyre ndaj sundimtarit të fuqishëm shqiptar dhe krijuan lidhje direkte diplomatike me të, duke kapërcyer Portën. Ali Pashë Tepelena ishte bërë kështu një sundimtar faktikisht i pavarur, por gjithmonë i kujdesshëm, për të mos krijuar konflikte të parakohshme me pushtetin qendror, duke pritur një moment të volitshëm për t’u shkëputur prej këtij./ KultPlus.com

“Frymëmarrje në gardh”, mbron imazhin e të kaluarës e të identitetit kombëtar (FOTO)

Gili Hoxhaj

“Gjuha âsht tulit e gjithshka bluen, “Goia s’qet kend në giak”. “Fiala mort sbân”. Aj, qi shkon tuj mjellë e tuj hapë fjalë të kqija e gergasa herë per njânin herë per tjetrin, me gojë të kanûnit thirret “Argat i keq”. Fjala e gojës s’ême hîn në vesh të tjetrit, e i treti e perdoron per rrênim të kuej, un rri e tallem. A fola a s’fola, goja nuk vûlosë gjâ. Fjalët e sterkqive kanûja s’i mêrr para sysh. Mikut do t’i bahet nderë. “Mikut i lshohet kryet e vendit”, janë këto fjalët e Kanunit që vijnë përmes dy personazheve të veshura në veshje kombëtare e që jetësojnë instalacionin e ekspozitës “Frymëmarrje në Gardh” e artistit Mentor Berisha.

“Aj, qi shkon tuj mjellë e tuj hapë fjalë të kqija e gergasa herë per njânin herë per tjetrin, me gojë të kanûnit thirret “Argat i keq”, janë fjalët e gruas së veshur në veshje kombëtare në shtëpinë prej gardhi.

Në mënyrë shumëdimensionale, artisti Mentor Berisha kishte punuar për një vit për ta sjellë këtë ekspozitë në këtë format të tillë. Çdo gjë erdhi e ekspozuar nën dritë e zbehtë në të gjelbër, e vizitorët e Galerisë së Ministrisë së Kulturës silleshin rreth gardhit të ndërtuar që ishte bërë shtëpi për dy personazhe, një burrë dhe një grua qëndronin të ndarë nga krejt ata që i rrethonin.

Ky gardh ishte si një galeri e ndërtuar nga artisti, pasi brenda mbante edhe përkrenaren e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, parzmore e shpata, me kafkat e heronjve nga koha e lavdishme. Përmes telave pikturat ishin shtrënguar fort në degët e këtij gardhi, në të cilat ishin ngrirë figurat e burrave dhe grave me veshje tradicionale. Ky gardh kishte zhvendosur vëmendjen e rëndomtë të shikuesve nga muri i kësaj galerie, në të cilën rëndom ekspozohen punët e artistëve.

Kuratori i kësaj ekspozite, profesori Fadil Hysaj, shprehet se artisti Mentor Berisha edhe pse i përket brezit të ri të artistëve figurativ të Kosovës, ai kultivon një stil të veçantë pikturimi dhe skulpturimi, që rrallë e ndeshim tek artistët e brezit të ri. Ai tregon për KultPlus se bashkëpunimi i tyre ka ardhur nga Festivali “EtnoFest”.

“Figura e gardhit krijon një frymëmarrje, një korrelacion mes njerëzve dhe një lloj kufiri të cilin ne shpesh dëshirojmë ta kalojmë duke i hyrë tjetrit në jetë. Pra gardhi si gardhi në një hapësirë ngulfatëse, ka një frymëmarrje, krijon disa kufij por që nuk janë kufij definitiv”, u shpreh Hysaj.

Ai tutje tha se ky lloj koncepti në një mënyrë e sfidon qytetarinë primitive dhe sjellë një vlerë arkitekturore nga e kaluara e hershme dhe madje ai tha se simbolet dhe gardhi vijnë pa asnjë ndjenjë të turpit dhe gardhi karshi murit ndihet më superior.

“Zhdukja e gjërave tona me vlerë, zhduk edhe diçka brenda nesh, ne nuk kemi të drejtë të sillemi ndaj traditës tonë në mënyrë gjenocidale, duke e keqtrajtuar apo mohuar në emër të diçkaje të re”, është shprehur Hysaj për KultPlus duke shtuar se kjo ekspozitë dëshmon se e reja më të vjetrën komunikojnë mjaft mirë. Artisti Mentor Berisha tha se kjo ekspozitë kishte qenë pjesë e EtnoFestit të 2016-ës, ndërsa më tutje është zhvilluar për të ardhur në këtë format, me një qëllim kryesor, për t’i ikur ekspozimit në muret e Galerisë.

“Me zhvillimin e idesë i kam inkorporuar edhe pjesët e instalacionit dhe në këtë rast gardhin që shërben edhe si dhomë dhe shtëpi e aktorëve, por njëkohësisht u jep frymë pikturave dhe skulpturave të ekspozuara”, tha artisti Berisha për KultPlus.

Vrimat e gardhit kishin një hapësirë që të mundësonte të shihje pak nga pamja e personazheve, të cilët lëviznin në ndërveprim me citate kanunore për gojët e hallkut, kështu duke thumbuar kureshtjen e rëndomtë prapa dyerve të shtëpisë. Me vendosmëri të plotë ata hedhin shikimin tek ata që i rrethojnë për të konfirmuar kureshtjen e çdo njërit. E gjithë kjo performancë vjen nga aktorët Rajmonda Ahmetaj dhe Afrim Muçaj.

Ata shfaqen në çdo moment e më të zhveshur, duke u larguar kështu me një valixhe të vetme, e dukë lënë pas fjalët “Mikut i lëshojet kryet e vendit”, për tu lënë kështu hapësirën të gjithë vizitorëve që të shijojnë përkrenaren e Skënderbeut që gjendet në qendër të këtij gardhi. Për ta sjellë këtë ekspozitë në një format multidimensional, e për të përfshirë shumë qasje artistike, piktori Berisha thotë se në këtë ekspozitë i ka shkrirë të gjitha përvojat e tij qoftë ato në skenografi teatrale, në filma, si regjisor i shfaqjeve për fëmijë, e përvojat e tjera në pikturë e ekspozita. “Pjesa e performancës mendoj se e ka begatuar pjesën tjetër të ekspozitës, më vonë me zhvillimin e idesë kemi menduar që edhe gardhin mos ta lëmë statik, ku kemi futur edhe elemente shtesë që i japin një dinamikë atij”, tha artisti Berisha.

Ai krejt në fund tha se planet e tij janë që këtë ekspozitë ta zhvendosë edhe në hapësira të tjera më të gjera, duke shtuar se shpreson në jetëgjatësinë e ekspozitës ashtu siç është me instalacion e elemente të tjera. / KultPlus.com

Fjalët e fundit dhe kafeja e djegur e Faik Konicës

Për shqiptarin më të veçantë në historinë tonë, edhe vdekja ashtu duhej të ishte. Nuk e prishi rregullin Faik Konica në momentet e fundit të jetës së vetë.

Është e shkruar nga studiuesi i njohur i tij, Nasho Jorgaqi, që një ditë më parë se t’i ndahej shpirti nga trupi, Konicës iu dogj kafeja në dhomën e tij. Dhoma iu mbush me tym dhe u deshën ca minuta të mira të vendosej normaliteti.

“Nuk më duket shenjë e mirë kjo”, mësohet t’i ketë thënë Nolit. Por, çudia nuk mbaroi këtu. Hëngri drekë të rëndë, një bërxollë shumë të madhe dhe kur mbaroi tha: “Nuk do ha mish për tri ditë”. Por, në mbrëmje ai vdiq nga një atak në zemër.

Megjithatë, historia e fjalëve të fundit apo testamentit që ka lënë Konica nuk mbaron këtu.

Deri më sot ekzistojnë dokumente dhe dëshmi që Konica të ketë lënë një testament, sipas të cilit nuk do ta treste dheu nëse nuk do ta varrosnin në atdhe. Këtë e ka përforcuar Fan Noli, i cili në disa letra dërguar Enver Hoxhës i ankohej se Faikun e kishte në “dollap”, domethënë në morg, dhe shteti shqiptar duhet të financonte varrimin në atdhe. Por, Enveri e kishte shpallur armik me kohë Konicën dhe nuk e bëri këtë.

Mbështetur në këtë dëshmi, në vitin 1995, eshtrat e Konicës rivarrosen në Shqipëri në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës. Mendohet se testamenti i është lënë Sejfulla Malëshovës dhe kjo është përmendur, por për hir të vërtetës, testamenti origjinal i tij nuk është botuar asnjëherë. / KultPlus.com

I biri e kujton Fehmi Aganin në 86 vjetorin e lindjes (FOTO)

Mentor Agani e ka përkujtuar sot babain e tij Fehmi Aganin në 86 vjetorin e lindjes së tij.

Mentori e ka publikuar një fotografi të Aganit kur ka qenë i ri.

Fehmi Agani ka lindur më 23 janar të vitit 1932 në Gjakovë dhe është vrarë më 6 maj të vitit 1999 nga forcat serbe.

Fehmi Agani në Gjakovë mbaroi shkollimin fillor, ndërsa të mesmin e kreu në Prishtinë. Studimet për filozofi i mbaroi në Universitetin e Beogradit. Studimet pasuniversitare në shkencat politike i mbaroi poashtu në Universitetin e Beogradit, duke marrë gradën shkencore Magjistër i shkencave politike me temën Pjesëmarrja e punëtorëve në procesin e vendimmarrjes në Gjermani, më 1965.

Gradën doktor i shkencave të sociologjisë e mori në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës më 1973, duke mbrojtur me sukses tezën Partitë dhe grupet politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më 1993 u zgjodh anëtar korrespondent, ndërsa më 1996 anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Akademik Fehmi Agani ishte bartës i shumë dekoratave, ndër të cilat edhe i Dekoratës Urdhri i Lartë Skënderbeg me të cilën e dekoroi presidenti i Shqipërisë dhe Urdhri i Lidhjes së Prizrenit me të cilën e ka dekoruar kryetari i Kosovës.

Për idetë dhe angazhimet e tij për çlirimin e Kosovës, u vra afër Lipjanit nga forcat ushtarake e policore serbe më 6 maj 1999 . Fehmi Agani ishte nënkryetar shumëvjeçar i LDK-së dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Osho, rrëfimi mbi egon dhe parajsën

“Ai tregimi i lashtë biblik është i tejmrekullueshëm: Adami dhe Eva janë të përzënë nga kopshti i Edenit sepse kanë ngrënë pemën e ndaluar – pemën nga trungu i diturisë. Kjo është një nga parabolat më të bukura në botë.
Përse pema nga trungu i diturisë ka qenë e ndaluar? Thjesht për atë se me diturinë vjen egoja. Posa ta dini se jeni, keni rënë. Ky është mëkati burimor.
Kurrkush Adamin dhe Evën s’i ka larguar nga parajsa. Po atë moment që janë bërë të vetëdijshëm për veten, për veçantitë e veta, kopshti parajsor është zhdukur. Për sy të tillë, sy të mbushur ego, parajsa nuk mund të ekzistojë.
Nuk është fare e saktë se ata janë përjashtuar nga parajsa – parajsa është këtu dhe tash. Aty është, skaj jush. Ajo parajsë ju përcjellë kudo që ju të shkoni, por ju nuk mund ta shihni. Po qe se egoja zhduket, Kopshti Parajsor përsëri bëhet i dukshëm. Përsëri jeni në të. Edeni është i zbuluar. Kurrë as që keni qenë jashtë tij.”

OSHO

U nis me urgjencë në spital, kjo është gjendja e Tinka Kurtit

Aktorja e madhe shqiptare Tinka Kurti është shtruar paraditen e sotme me urgjencë në spital, por gjendja e saj aktualisht është e stabilizuar, ndonëse nën kujdesin maksimal të mjekëve të Spitalit Amerikan.

Burime nga ky spital pohuan për “Gazetën Shqiptare” se zonja Kurti është shkëputur nga provat ku ka qenë paradite, pasi ishte planifikuar që të interpretonte në operën e famshme “Carmen” të baritonit Gëzim Myshketa.

Madje ka qenë ky i fundit që e ka shoqëruar aktoren e madhe që një muaj më parë mbushi 85 vjeç në spital.

Ajo ndodhet në terapi për të trajtuar një infeksion pulmonar. Po kështu do t’i nënshtrohet një sërë ekzaminimeve të tjera.

Por mjekët e këtij spitali pohojnë se gjendja e saj është nën kontroll.

Disa nga thëniet më kuptimplote të Arthur Schopenhauer

“Ai që shkruan për budallenjtë, audiencën e lartë e ka të sigurtë.”

“Kur e bleni një libër, ju në mënyrë optimiste mendoni se po e bleni edhe kohën për ta lexuar atë.”

“Njerëzit e mëdhenjë janë sikur shqiponjat; ata i ndërtojnë folet e tyre në lartësitë e vetmuara.”

“Të gjitha të vërtetat e mëdha kalojnë nëpër tre faza: fillimisht ato përqeshen, pastaj ato kundërshtohen dhunshëm dhe në fund ato pranohen si vetë – evidente.”

“Pasuria është si uji i kripur, sa më shumë të pish, aq më i etur je. Kjo vlenë edhe për lavdinë.”

“Dhembshuria për kafshët është e lidhur ngushtë me mirësin e karakterit, dhe mund të pohohet me siguri se ai që është mizor me kafshët, nuk mund të jetë kurrë njeri i mirë.”

“Secila dashuri, sado qiellore të duket, rrënjët e saj i ka në instiktin seksual.”

“Një njeri mund të jetë vetja vetëm për aq kohë sa ai është i vetëm; dhe nëse ai nuk e don vetminë, ai nuk do ta dojë as lirinë; sepse vetëm atëherë kur ai është i vetëm, ai është vërtetë i lirë.”

“Asgjë nuk mund të jetë e bukur pa të vërtetën.”

“Zakonisht është humbja ajo që na bënë ta dim vlerën e gjërave.”

“Një shkallë e lartë e intelektit priret ta bëjë njeriun të pashoqërueshëm.”

““Natyra e tregon se me rritjen e inteligjencës vjen e rritur edhe aftësia për të ndjerë dhimbje dhe se vetëm në shkallën më të lartë të inteligjencës, dhimbja e arrit pikën e saj supreme.”

““Doktori e sheh të gjithë dobësinë e njeriut, gjykatësi e sheh të gjithë ligësinë dhe teologu të gjithë budallallëkun e tij.”

““Talenti e godet shënjestrën të cilën askush nuk mund ta godas. Gjeniu e godet shënjestrën të cilën askush nuk mund ta shoh.”

“Ne rrallë mendojmë për atë që e kemi, ndërsa shpesh për atë që na mungon.”

“Njerëzit e zakonshëm thjeshtë mendojnë se si duhet ta shpenzojnë kohën e tyre; I talentuari tenton ta përdor atë.”

– Arthur Schopenhauer

Eugent Bushpepa, në muajin prill performon në Amsterdam

Kjo është mundësia e parë e këngëtarit Eugent Bushpepa që të afrohet me adhuruesit e tij nga tërë Evropa.

Këngëtari shqiptar që do të përfaqësojë Shqipërinë këtë vit në Eurovizion, ka konfirmuar pjesëmarrjen në “Eurovision in Concert” në Amsterdam.

Eurovision in Concert mbahet çdo vit, ndërsa në të marrin pjesë këngëtarët që do të këndojnë në Eurovizion.
Bushpepa do të jetë i pranishëm në koncertin e datës 14 prill në AFAS Live në Amsterdam. Ky është edhe koncerti më i madh jashtë Eurovizionit, por me këngëtarë të këtij festivali, shkruan KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?v=ZuZoTKTbwUA

Eugenti është i pari këngëtar që ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në këtë organizim. Bushpepa në dhjetor të 2017-tës e fitoi Festivalin e Këngës në TVSH me këngën “Mall” dhe kësisoj do të provojë të sjellë rezultat të mirë për Shqipërinë në Eurovizion.

Eurovision in Concert ditëve në vazhdim do ti bëjë publik edhe emrat e këngëtarëve tjerë që do të jenë pjesë e koncertit.

Ende nuk dihet se në cilat vende Bushpepa do të udhëtojë për të promovuar këngën e tij përfaqësuese. / KultPlus.com

Ah, krizat e tua…

Poezi e shkruar nga Edmond Tupja.

Ah, krizat e tua,
dhimbje e sfidë
janë për mua!

Që t’u ngjitem,
të mos u shqitem,
pa ngurrim t`u vërtitem,
pa pushim të përpëlitem,
për ty pa fund të vritem.
Kundër tyre të kacavirrem,
gjer në gjak gjatë të çirrem,
mendtë mos më merren,
fuqitë të mos më bjerren,
sytë të mos më erren,
shpresat të mos më teren.

Ah dhimbje e sfidë
janë për mu
Krizat e tua!