Gratë dhe fëmijët nga Ulqini, prezantohen me ekspozitë në Galerinë Qahili

Gratë dhe fëmijët nga Ulqini do të prezantohen me një ekspozitë në Galerinë Qahili, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë do të prezantohet më 21 prill, prej orës 19:00, ekspozitë që vjen nga OJQ “Art Dulcinium”. Në këtë ekspozitë do të prezantohen piktura me motive nga Ulqini dhe veshjet tradicionale te Ulqini!/KultPlus.com

Kosova do të ndërtojë një shtëpi në Bienalen e Venedikut

Zbulohet tema e Pavilionit të Kosovës në Bienalen e Venedikut për arkitekturë. Kuratorja Eliza Hoxha tregon më shumë detaje rreth ekspozitës gjersa vazhdon ftesën e saj ndaj qytetarëve për dhurimin e satelitëve. Satelitë këta që do merren nga shtëpitë e qytetarëve dhe do dërgohen në Venedik, në kuadër të ekspozitës, shkruan KultPlus

Alberina Haxhijaj

Pavilioni i Kosovës këtë vit fokusohet në periudhën e viteve të ’90, ku paralelizmi ishte një mënyrë e mbijetesës kolektive dhe e mobilizimit social të shqiptarëve etnik në kontekstin e pabarazive politike, etnike dhe ekonomike.

Për ta prezantuar Pavilionin e Republikës së Kosovës, kuratorja Eliza Hoxha ka zgjedhur që të paraqes shtëpinë si kompensim për qytetin. Gjithë kjo vjen pasi që përgjatë viteve të ’90-ta shqiptarët e Kosovës u përjashtuan nga të gjitha aktivitetet e jetës institucionale publike për shkak të situatës politike dhe konflikteve në ish-Jugosllavi. Si pasojë e kësaj shqiptarët e Kosovës krijuan sistemin paralel të institucioneve publike nëpër shtëpitë private në zonat periferike të qytetit.
Prandaj shtëpia jonë në bienale është shtëpi nga pamja e jashtme por që brenda është hapësirë publike. Pikërisht në këtë shtëpi vërehen dy elemente.

Fillimisht hapësira e pavilionit të Kosovë është e mbështjellë me pasqyra ku kjo krijon efektin e zgjerimit të hapësirës dhe hapjes si metaforë për lirinë psikologjike, por jo edhe atë fizike duke qenë se pasqyra njëkohësisht është barrierë fizike dhe ballafaqimi.

Në anën tjetër streha janë satelitët. Të privuar nga marrja e informacionit, gjatë viteve të 90ta, familjet kosovare kanë blerë antena satelitore. Çdokush, lehtësisht mund të shënjonte në mënyrë precize në peizazhin urban se cilat banesa u takonin shqiptarëve të Kosovës, thjeshtë sepse këto antena satelitore që dukeshin si qarqe të bardha, qëndronin të varura në ballkonet e tyre.
Ndërsa brenda për ti dhënë një dimension të ngrohtë hapësirës është do të vendoset një tepih i punuar në vek, i cili sjellë hartën mentale të viteve të 90-ta ku janë shënuar shtëpitë apo hapësira që kanë shërbyer gjatë këtij vite.

Kuratorja Eliza Hoxha tregoi se titulli “Qyteti është gjithandej” vjen për arsyeje se këto vite janë shquar për gjithëpërfshirje. “Pavilioni nuk ekspozon diçka specifike por vet si i tillë është një vepër në vetë. Tema e pavijonit tonë ka qenë shumë sfiduese, në kontekstin e temës së përgjithshme e që është hapësira e lirë. Shumë gjatë kam menduar se çka mundet Kosova me prezantu në kornizën e asaj se çka nënkupton hapësira e lirë në Kosovë dhe si realizohet ajo, kush e prodhon dhe si shfrytëzohet ajo. Konteksti i viteve të 90-ta, një kontekst shumë pak i eksploruar për shumë arsyeje mendoj që ka qenë moment shumë i mirë për me ju rikthye edhe me e rimendu e risjellë si një rrëfim më gjithëpërfshirës, pikërisht siç kanë qenë edhe ato vite. Dhe me e paketu siç është në këtë rast ekspozita në kuadër të Bienales së Arkitekturës”, është shprehur kuratorja Eliza Hoxha.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se për shtetin e Kosovës është shumë e rëndësishme pjesëmarrja në një ngjarje të tillë. Sipas tij kjo është mënyra më e mirë që Kosova të shpalosë sfidat dhe rrëfimet e saj pas një viti mungesë apo mos pjesëmarrje në Bienalen e kaluar.
“Eliza ka përzgjedhur që në kuadër të kësaj temë të prezantohet Kosova me rrëfimin për vitet e 90-ta. Rrëfimi sa është i rëndësishme që të ndahet më të tjerët në kontekstin global besoj që është edhe në kontekstin lokal, për shkak se ne nuk kemi biseduar dhe nuk i kemi memorizuar akoma zyrtarisht shumë nga ngjarjet dhe temat që kanë ndikuar për shtetformimin e Kosovës”, tha ai. Sipas tij kjo ka rëndësi edhe për gjeneratat e reja që të njohin më mirë vendin e tyre dhe përpjekjet për liri dhe pavarësi.
Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venedikut për arkitekturë, do të hapet më 24 maj në orën 14:15 në Arsenale./KultPlus.com

Thesari im

 Charles BAUDELAIRE

Nëse dhomat e shpirtit tim do vizitoje
Çfarë pretendon se do shikoje?
Cilin përbindësh mendon se fsheh?
Po të zhgënjej, por nuk më njeh.
Nuk ka nevojë për të trokitur
Hyr, shih, kërko, mbet’ e habitur.
Mure të zbrazët lyer pa ngjyra
Fotografi, por pa fytyra.
Diku e hedhur afër shtratit
Është nje kuti e tersit, e fatit.
E mbushur plot është me kujtime.
Brenda gjithë historia ime.
Janë fjalët që kam thënë aty,
gjithkush që njoha, përfshi ty.
Gjithçka që bëra, e që vetëm i ëndërrova
Vendet ku shkela, ku jetova.
Janë zënkat tona dhe mëritë
Janë puthjet netëve pa dritë.
Veset e mia që aq urreve
Mërgimi i ngadaltë i reve.
Dënimet që vuajta për ty
Herët kur s’të pash në sy.
Jetët që pa ty jetova
Të tjera femra që dashurova.
Janë dhe sekretet që s’të kam thënë
E amanetet që të kam lënë.
Fëmijët që kurrë nuk më lindën
Epshet që vrava se nuk mu bindën.
Ka letra, që për ty i shkrova
Në zarfet që kurrë s’ti dërgova.
E nëse gjithçka përmbys do kthesh
Sekretin më të madh do gjesh.
E kam fshehur në fund fare
Po s’e zbulove, s’ke pare gjë fare.
Nxirre mes duarsh në shtrëngim
Atë më të shtrenjtin sendin tim.
Balsamin që plagët shëronte
kur kjo djall jete më kafshonte.
Para fytyrës ngadalë afroje
Dhe mbylli sytë, pastaj zbuloje.
E kur ngadalë ta kesh zbuluar.
Veç një pasqyrë do gjesh në duar.
Do shohësh veten, reflektim
Se ti , ishe thesari im!

Dua Lipa me “One Kiss” në BBC

Këngëtarja e famshme Dua Lipa sonte do të promovojë këngën e saj më të re “One Kiss” në BBC One, shkruan KultPlus.

Kjo këngë që tash për tash nuk ka videoklipin është pëlqyer mjaftë nga audienca, kurse kjo këngë ka ardhë në bashkëpunim me Calvin Harris.
Pikërisht edhe Harris do të jetë bashkë me Duan në këtë shoë që do të transmetohet prej orës 22:30./KultPlus.com

Akademik Rexhep Ismajli është zgjedhur anëtar nderi i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Amerikës

Akademik Rexhep Ismajli është zgjedhur anëtar i jashtëm nderi i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Amerikës. Njoftimin e ka bërë të mërkurën kryetari i Akademisë Amerikane, Jonathan F. Fanton.

“Ky nderim shënjon konsideratën e thellë që kanë drejtuesit e fushës suaj dhe anëtarët tanë”, shkruan në njoftim.

Akademia e Arteve dhe e Shkencës e Amerikës është themeluar më 1780 nga disa nga themeluesit e SHBA-së, Benjamin Franklin, John Adams, Thomas Jefferson e George Washington.

Në mesin e anëtarëve të saj janë mbi 200 fitues të Çmimit Nobel dhe të Çmimit Pulitzer.

Ndër emrat më të njohur që kanë qenë anëtarë të kësaj Akademie janë edhe Charles Darwin, Albert Einstein, Alexandar Graham Bell, Winston Churchil, Akiro Kurosawa, John Updike e Nelson Mendela. Në mesin e anëtarëve që janë pranuar sivjet është edhe ish-presidenti amerikan Barack Obama.

Akademik Ismajli do të marrë pjesë në ceremoninë e pranimit në Cambridge, Massachusetts, në tetor të këtij viti.

Rexhep Ismajli (1947) është gjuhëtar, student i Andre Martinet-së në Paris, profesor i Universitetit të Prishtinës. Anëtar i ASHAK-ut është që nga viti 1993.

Në janar të këtij viti ai është zgjedhur edhe anëtar i përhershëm nderi i Shoqatës së Linguistëve të Amerikës (Linguistic Society of America (LSA) që është institucioni më i rëndësishëm shkencor për çështje të gjuhësisë, duke qenë autoriteti i vetëm nga Evropa Juglindore i zgjedhur në këtë institucion.

Dil moj nënë lajmëro dasmorët, se do shkoj unë partizane…

KultPlus ju sjell këngën “Nënë moj do pre gërshetin”, të Vaçe Zela. Sjell mjaft bukur nga Anjeza Shahini.
na na na na na naaaaaa….
nene moj do pres gershetin
e do dal malit perpjete
shoke e shoqe po ma presin
na ta bjeshk ku puthin rete

dil moj nane lajmero dasmoret
se do shkoj une partizane
mos me bej nuse zakoni
do marr pushke ne male te dal

Ref.:
ne mu t’ka ky rrip i pushkes
nene moj ne shi e n’er
do ta lidhe ne balle te luftes
do ta lidhe ne balle te luftes
me gershetin tim te prer
o mori nan
do ta lidhe ne balle te luftes
do ta lidhe ne balle te luftes
me gershetin tim te prer
o moj nan

ne te marrt malli per mua
dil degjo krismat nga mali
mbi lirin asgje nuk dua
se jam nuse partizani

mos i pyet zogjt neper pyje
ku kam qene e ku skam qene
gjurme me gjurme do le ca yje
te me gjesh kudo moj nane./KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=ys1kRiSik1A

Në Ukrainë flitet shqip në 4 fshatra, ja lutjet e lashta

Shkruan Aleksander Novik.

Përshkrimi dhe studimi i së folmes së fshatrave shqiptare të Ukrainës, për të cilën bie fjala më poshtë, ishte filluar që në çerekun e parë të shek. XX nga akademiku N. S. Derzhavin dhe ka vazhduar deri kohët e fundit, shkruan Aleksander Novik. Kontributin me vlerë në studimin linguistik të këtyre fshatrave e kanë dhënë studiuesja nga Moska N. V. Kotova, gjuhëtarja nga Minsku L. J. Demkodhe ekipi i albanologëve nga Leningradi / Sankt-Petërburgu me prof. A. V. Desnickaja në krye, të cilët patën punuar në terren gjatë viteve 1950–1970. Si rezultat e kësaj pune shumëvjeçare u krijua një varg punimesh për fonetikën, gramatikën dhe leksikun e së folmes së shqiptarëve të Ukrainës (Kotova 1956; 2017; Demko 1971; 1972; Sitov 1975; Voronina et al. 1996; Zhugra, Sharapova 1998, etj.). Në etapën bashkëkohore me hulumtimin etnografik dhe gjuhësor të fshatrave shqiptare të Ukrainës janë marrë studiues nga Sankt-Petërburgu me prof. A. A. Novikun në krye (Novik etj. 2016).

СЛАЙД 1E folmja shqipe në fjalë flitet në katër fshatra në jug të Ukrainës: Karakurt në rrethin e Bollgradit, qarku i Odesës (fshati quhej Zhovtnevoe nga 1944 deri në 2016; emri i vjetër Karakurt iu rikthye në kuadrin e fushatës së likuidimit të trashëgimisë ideologjike të komunizmit në Ukrainë në vitet 2014–2016); Georgievka, Devninskoe dhe Gammovka në rrethin e Priazovjes, qarku i Zaporozhjes (përkatësisht Tyshki, Taz dhe Xhandran; toponimet e vjetra njihen nga të gjithë banuesit dhe u përkasin vendbanimeve të tartarëve nogaj që kishin banuar në stepën e zonës së bregdetit Azov).

СЛАЙД 2Në ditët tona, sipas Censusit të vitit 2001, në territorin e Ukrainës banojnë 3.308 shqiptarë: 1.862 në qarkun e Odesës, 892 në qarkun e Zaporozhjes dhe 554 në qarqe të tjera,përfshirë këtu shqiptarët që vazhdojnë së banuari në të katër fshatra shqiptare të Ukrainës, si dhe ata që ikën në qytete ose u shpërndanë nëpër fshatra të qarqeve fqinje. Për sa i përket ruajtjes të së folmes së shqiptarëve të Ukrainës, sipas të dhënave zyrtare të Censusit, shumica e shqiptarëve të qarkut të Odesës kanë deklaruar se gjuha e tyre amtare është shqipja, kurse në qarkun e Zaporozhjes 608 veta u përgjigjën që gjuha e tyre amtare është rusishtja dhe vetëm 198 veta pohuan që kanë si gjuhë amtare shqipen.

Tabela 1. Shqiptarët e Ukrainës dhe gjuha e tyre amtare, sipas (Censusi 2001)

Popullsia e Karakurtit, sipas po atij Censusi,përbën 2.207 veta, ndër të cilat janë shqiptarët, bullgarët, gagauzët, ukrainasit, molldovanët, rusët dhe përfaqësuesit e etnive të tjera. Georgievka ka 446 veta, në fshatin Devninskoe banojnë 668 veta dhe në Gammovkën ka 479 veta. Shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë, edhe pse përveç shqiptarëve në këto fshatra banojnë shumë rusë dhe ukrainas. Gammovka është i vetmi fshat në rajon me një numër relativisht të vogël banorësh gagauzë, të cilët pothuaj nuk flasin tani gjuhën e tyre.

Vëzhgimet tona sociolinguistike në fshatin Karakurt (vitet 2011–2013) tregojnë se në familjet shqiptare të fshatit e folmja shqipe vazhdon të përdoret rregullisht nga përfaqësuesit e të gjithë brezave, përfshirë këtu edhe fëmijë. Madje edhe nënat e reja dhe gjyshet preferojnë të flasin shqip me fëmijët, me qëllim që ata të mësojnë gjuhën e tyre amtare nga mosha e njomë(Morozova 2016). Situatën e fshatrave të rajonit të detit Azov e pasqyrojnë rezultatet e anketimit sociolinguistik të kryer më 2005 në fshatin Georgievka (Biçurina 2006). Brezi i vjetër dhe i mesëm zotëron mjaft mirë të folmen shqipe dhe e përdor në kuvendim me bashkëmoshatarët, kurse shumica e të rinjvee konsiderojnërusishten si gjuhë amtare dhe përdorin vetëm atë në komunikimin e përditshëm. Moszotërimi i së folmes shqipe prej brezit të ri buron te përfaqësuesit i brezit të mesëm, të cilët, sipas fjalëve të tyre, që në fëmijëri kishin për të përballuar vështirësitë në shkollë për shkak të njohurisë së dobët të rusishtes. Prandajata nuk janë përpjekur shumë që fëmijëve të tyre t’ua mësojnë të folmen e tyre shqipe dhe akoma kanë prirje të hedhin poshtë vlerën dhe rolin e së folmes në kompetencat e tyre gjuhësore, meqë e zotërojnë mirë. Pavarësisht nga kjo, të rinjtë vazhdojnë të vetëdeklarojnë si shqiptarë dhe ia japin së folmes shqipe vlerësimet pozitive, ndryshe nga prindërit e tyre. Kjo do të thotë se “kthimi” i mëvonshëm i brezit të ri të sotëm te gjuha amtare dhe ruajtja e saj nuk mund të përjashtohet edhe në fshatrat e rajonit të detit Azov.

СЛАЙД 3E folmja e shqiptarëve të Ukrainës i përket toskërishtes veriore dhe zhvillohet në shkëputje nga arealja amtare gjatë një periudhe pothuaj gjashtëshekullore. Meqë shpërngulja e paraardhësve të shqiptarëve të Ukrainës nga trojet shqipfolëse ndodhi mjaft herët, në të folmen e tyre deri më sot paraqiten trajtat arkaike në fonetikë dhe në morfologji dhe ruhen tiparet dialektore të arealit “nënë”.

СЛАЙД 4Disa shembuj mund t’i gjejmë, ndër të tjera, në tekstin e lutjes “Ati ynë” në të folmen e shqiptarëve të Ukrainës, incizuar nga A. A. Noviku gjatë bisedës me shqiptaren nga fshati Karakurt N. G. Kirçevën, lindur më 1970. Teksti është transkriptuar nga A. A. Noviku me alfabetin e shqipes standarde, duke përdorur edhe shenjatsuplementare, dhe u botua për herë të parë në (Novik 2016).

Lút’je

Parëndíe jóne,

Nd’i je lart,

Lle të ndríte jémra índ’e,

Lle të vínë mbretëríja índ’e,

Lle të bë́net kysh do ti,

Si lart, si mar dhéut.

Búken e góles na jep sot

Dhe mos na kall néva n’i mukátat

Dhe ma ndëléj mukátët tántë,

Si na i ndëlénem kush na bë́ri të lik.

Dhe na mbroj néva ga mukátët.

(Novik 2016: 539)

Lutje

Zotiynë,

Nëse je lart,

Le të ndritë emri yt,

Le të vijë mbretëria jote,

Le të bëhet qysh do ti,

Si lart, si mbi dhé.

Bukën e gojës jepna sot,

Dhe mos na kall ne në mëkatet

Dhe na fal mëkatet tona,

Si ne i falimata që na bënë të ligën.

Dhe na mbroj ne nga mëkatet.

(Përkthimi shqip i M. Morozovës)

Siç shihet nga teksti, e folmja në shqyrtim ruantiparet themelore dhe leksikun bazë të shqipes. Ndër tiparet arkaike të fonetikës shfaqet këtu ruajtja e l-së ndërzanore: g′oljǝ ‘gojë’. Në shumicën e të folmeve shqipe l-ja në pozitën midis dy zanoresh kapërfunduar në j. Deri më sot ajoshqiptohet vetëm në jugun e arealit toskë (në Çamëri) dhe në të folmet e diasporës shqiptare në Greqi, Itali, Bullgari dhe Ukrainë (Gjinari1960: 110; Domi, Shuteriqi 1965: 106; Desnickaja 1968: 272–273;Haxhihasani 1971: 154; ADGjSh 2007: 189–191, 196). Në sistemin përemëror,në vend të pronorit jotenë të folmen e shqiptarëve të Ukrainës përdoret forma dialektore índ’e, e cila i ngjan formësjənde në të folmen e Devollit (ADGjSh 2007: 296). Në fondin leksikor, bie në sy përdorimi i fjalëve bukur të vjetra, siç është, për shembull, folja ndëlej ‘fal’ të përdorur edhe nga arbëreshët e Italisë (Jeta Arbëreshe 2014: 15).

Kontaktet me gjuhët sllave gjatë shekujve

Gjatë disa shekujve e folmja e shqiptarëve të Ukrainës ka zhvilluar në kontakt me gjuhët sllave (bullgarishtja, rusishtja, ukrainishtja), turanike (gagauzishtja) dhe romane (rumanishtja / molldavishtja). СЛАЙД 5Që nga shek. XV–XVI paraardhësit e shqiptarëve të Ukrainës kishin jetuar në verilindje të Bullgarisë dhe e folmja e tyre kishte pësuar ndikimin e fortë të gjuhës bullgare dhe ndoshta gagauze. СЛАЙД 6Pas shpërnguljes së shqiptarëve në Perandorinë Ruse në fillimin e shek. XIX, e folmja e tyre vazhdoi të kontaktonte me gjuhët e fqinjëve, përkatësisht të bullgarëve dhe gagauzëve, gjithashtu të mërguar “nga përtej Danubit”. Në periudhën e përshkruar në botimet shkencore e folmja e shqiptarëve të Ukrainës u ndikua fort nga rusishtja, e cila duhet të përhapej gradualisht në fshatrat shqiptare të Ukrainës që nga çereku i dytë i shek. XX (Morozova 2013: 125–128).

СЛАЙД 7Ndikimi i gjuhëve fqinje bie në sy në të gjitha nivelet e sistemit gjuhësor të së folmes. Pasqyrimin më të qartë të kontakteve shumëshekullore e gjejmë në fusha të ndryshme leksikore, për shembull, në sistemin e termave të farefisnisë. Krahas fondit të burimit indoevropian (b’ir,‑i ‘bir’; b’íl|e,‑a ‘bijë’; vlla,‑u ‘vëlla’; mót|ёr,‑ra ‘motër’;dhë́nd|ër,‑ri / llî́nd|ër,‑ri ‘dhëndër’; gru,‑ja ‘grua’; nús|e, ‑a ‘nuse’, etj.) dhe huazimeve të vjetra latine (ndr’ík|ull,‑lla/ ndrî́k|ull,‑lla‘ndrikull’, prej lat. matricula), ky sistem ka përfshirë edhe shtresat e huazimeve nga gjuhë të tjera me të cilat kishte kontaktuar e folmja e shqiptarëve të Ukrainës, veçanërisht nga bullgarishtja dhe gagauzishtja. СЛАЙД 8Shih, p.sh., emërtimet e vëllezërve dhe motrave,kunetërve dhe kunatave në të folmen e shqiptarëve të Ukrainës:

bát|e, -i1. vëllai i madh; 2. përdoret në vend të emrit për t’i drejtuar me nderim vëllait të madh; 3. kunat,vëllai i madh i burrit; 4. përdoret për t’i drejtuar vëllait të madh të burrit; 5. përdoret para emrit të një të moshuari në shenjë nderimi. Nga bullg.bate, bačo‘fjalë e përdorur për të thirrur vëllain e madh’. Khs. gagauz. bati,baty;

kák|o, -u 1. motra e madhe; 2. përdoret në vend të emrit për t’i drejtuar me nderim motrës së madhe; 3. kunatë,motra e madhe e burrit; 4. përdoret për t’i drejtuar motrës së madhe të burrit; 5. përdoret për të thirrur me nderim një grua të moshuar. Nga bullg. kaka‘motra e madhe’ (Voc.kako, përdoret për të thirrur motrën e madhe ose gruan e moshuar). Khs. gagauz. kaku;

drag’ínk|o, -u (Karakurt) / bashá(Georgievka) 1. kunat,vëllai i vogël i burrit a të gruas; 2. përdoret për t’i drejtuar vëllait të vogël të burrit a të gruas. Khs. bullg. draginko‘kunat, vëllai i vogël i burrit’, bašta‘baba’; gagauz. draginku,baša‘vëllai i vogël i burrit’;

kalín|o, -a(Karakurt) / k’irác|o, -a (Georgievka) 1. kunatë,motra e vogël e burrit a të gruas; 2. përdoret për t’i drejtuar motrës së vogël të burrit a të gruas. Nga bullg.kalina, fjalë e përdorur për të thirrur me nderim motrën e burrit; keracadial., vjetr. ‘qytetare; zonjë; mënyra e lidhjes së shamisë (ndër vajzat e reja)’ (< gr. κεράτζα). Khs.gagauz. kiraca /keraca‘motra e vogël e burrit’; jen’ísht|e,‑ja1. kunat, burri i motrës. 2. burri i motrës së madhe. Khs. gagauz. jenište. Bie në sy që të gjitha huazimet nga bullgarishtja dhe gagauzishtja dalin plotësisht të adaptuara dhe të integruara në tipat e lakimit të mbarë shqipes që ruhen mjaft mirë në të folmen e shqiptarëve të Ukrainës. Këto dhe të tjera veçori që karakterizojnë gjendjen aktuale të së folmes së shqiptarëve të Ukrainës janë përshkruar në skicën tonë të gramatikës. Studimi i mëtejshëm dhe vlerësimi i ndikimeve të kontaktit gjuhësor mund të ndihmojnë, ndër të tjera, për të kuptuar më mirë jo vetëm shkaqet dhe kronologjinë e zhvillimit të inovacioneve në të folmen e shqiptarëve të Ukrainës, por edhe faktorët dhe mekanizmat e përgjithshme që veprojnë gjatë evolucionit të dialekteve të ndryshme në situatën e kontaktit. Literaturë dhe burime ADGjSh 2007 — J. Gjinari, B. Beci, Gj. Shkurtaj, Xh. Gosturani, A. Dodi, M. Totoni. Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe. V. I. Università degli studi di Napoli l’Orientale, Akademia e shkencave e Shqipërisë,2007. 464 f. Biçurina 2006 — Biçurina N. M. Otnoshenie k jaziku kak faktor sohranenija titulnogo jazika v kaçestve sredstva mezhliçnostnoj kommunikacii [Vlerësimi i gjuhës si faktor i ruajtjes së gjuhës së kombit në funksionin e mjetit të komunikimit të përditshme] // Kommunikacija i konstruirovanie socialnih realnostej [Komunikimi dhe konstruktimi i realiteteve shoqërore] / Red. O. G. Filatova. Sankt-Petërburg: Roza mira, 2006. Pjesa I. F. 262–269. Censusi 2001 — Vseukrainskij perepis naselenija 2001 [Censusi gjithëukrainas i popullsisë]. URL: http://2001.ukrcensus.gov.ua (kontrolluar më: 10.04.2017). Demko 1971 — Demko L. J. O nekotorih osobennostjah gllagolnoj sistemi allbanskogo govora s. Karakurt [Për disa veçori të sistemit foljor të së folmes shqipe të fshatit Karakurt] // Voprosi fillollogii [Çështje të filologjisë] / Red. A. I. Kiselevskij. Minsk: Vishejshaja shkolla, 1971. Vip. 1. S. 60–66. Demko 1972 — Demko L. J. Allbanskij govor s. Karakurt (fonetika, morfollogija imeni i gllagolla) [E folmja e shqiptarëve të Karakurtit (fonetika, morfologjia e emrit dhe të foljes)]. Dis. … kand. filol. nauk. Leningrad, 1972. 247 f. Desnickaja 1968 — Desnickaja A. V. Allbanskij jazik i ego dialekti [Gjuha shqipe dhe dialektet e saj]. Leningrad: Nauka, 1968. 380 s. Domi, Shuteriqi 1965 — Domi M., Shuteriqi Dh. S. Një vështrim mbi të folmen shqipe të Mandricës // Studime filologjike 2, 1965. F. 103–119. Gjinari 1960 — Gjinari J.Mbi të folmen e Devollit // BUShT. SShSh. 1960. № 4. F. 103–137. Haxhihasani 1971 — Haxhihasani Q. Vёshtrim i pёrgjithshёm mbi tё folmen e banorёve tё Çamёrisё // Dialektologjia shqiptare. Tiranё: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë: Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, 1971. Vëll. I. F. 118–193. Jeta Arbëreshe 2014 — Jeta Arbëreshe. Nr. 77, viti / anno XIII, janàr-theristì / gennaio-giugno 2014. Kotova 1956 — Kotova N. V. Materiali po allbanskoj dialektollogii (allbanskie govori Ukraini) [Materialet për dialektologjinë shqiptare (të folmet e shqipes në Ukrainë)] // Uçenie zapiski Instituta sllavjanovedenija [Vrojtime shkencore të Institutit të studimeve sllave]. Moskva, 1956. Vëll. XIII. F. 254–287. Kotova 2017 — Kotova N. V. Jazik allbancev Ukraini v seredine XX veka. Teksti i sllovarj. Kommentarii [Gjuha e shqiptarëve të Ukrainës në mesin e shekullit XX. Tekste dhe fjalor. Komente] / I. A. Sedakova (red. përgjegjëse), A. V. Zhugra, M. S. Morozova (red. shkencore). M.: Jaziki sllavjanskoj kulturi, 2017. Morozova 2013 — Morozova M. S. Govor allbancev Ukraini: evolucija dialektnoj sistemi v usllovijah jazikovogo kontakta [E folmja e shqiptarëve të Ukrainës: evolucioni i sistemit dialektor në kushtet e ndërveprimit gjuhësor]. Dis. … kand. filol. nauk. Sankt Petërburg, 2013. 183 f. Morozova 2016 — Morozova M. S. Allbanskij govor sella Zhovtnevogo v usllovijah jazikovogo kontakta: po materiallam ekspedicij 2011–2013 godov [E folmja shqipe e fshatit Zhovtnevoe në kushtet e ndërveprimit gjuhësor: në bazë të materialeve të viteve 2011–2013] // Acta Lin­guistica Petropolitana / Red. përgjegjës N. N. Kazanskij. Sankt-Petërburg: Nauka, 2016. Vëll. XII, pjesa 3. F. 149–170. Novik 2016 — Novik A. A. Dialektnie teksti [Tekste dialektore] // Novik A. A., Buçatskaja J. V., Dugushina A. S., Ermolin D. S., Morozova M. S. “Priazovskij otrjad”. Jazik i kultura allbancev Ukraini [“Ekspedita në detin Azov”. Gjuha dhe kultura e shqiptarëve të Ukrainës] / Red. A. A. Novik (red. përgjegjës), M. S. Morozova, D. S. Ermolin. Sankt-Petërburg: MAE RAN, 2016. Pjesa I. Vëll. 2. F. 539–540. Novik etj. 2016 — Novik A. A., Buçatskaja J. V., Dugushina A. S., Ermolin D. S., Morozova M. S. “Priazovskij otrjad”. Jazik i kultura allbancev Ukraini [“Ekspedita në detin Azov”. Gjuha dhe kultura e shqiptarëve të Ukrainës] / Red. A. A. Novik (red. përgjegjës), M. S. Morozova, D. S. Ermolin. Sankt-Petërburg: MAE RAN, 2016. Pjesa I. Vëll. 1. 912 f.; Vëll. 2. 672 f. Sitov 1975 — Sitov A. P. Gllagolnie innovacii i arhaizmi v govore allbanojaziçnih poselenij Ukraini [Risitë dhe arkaizmat foljorë në të folmen e fshatrave shqipfolëse të Ukrainës] // Lingvistiçeskie issledovanija. Voprosi stroja indoevropejskih jazikov [Studime gjuhësore. Çështje të strukturës së gjuhëve indoevropiane] / Red. T. M. Nikollaeva. Moskë, 1975. Pjesa I. F. 136–150. Voronina et al. 1996 — Voronina I., Domosileckaja M., Sharapova L.E folmja e shqiptarëve të Ukrainës / Përkthyes M. Vejzaj. Shkup: Shkupi, 1996. 208 f. Zhugra, Sharapova 1998 — Zhugra A. V., Sharapova L. V. Govor allbancev Ukraini [E folmja e shqiptarëve të Ukrainës] // Etnolingvistiçeskie issledovanija. Vzaimodejstvie jazikov i dialektov [Studime etnolinguistike. Ndërveprimi i gjuhëve dhe dialekteve] / Red. përgjegjës J. K. Kuzmenko. Sankt-Petërburg: Izd. ILI RAN, 1998. F. 117–151.

Në Mitrovicë u hap Panairi i Shkencës dhe Kulturës 2018

Në ambientet e qendrës se kulturës “Rexhep Mitrovica“ është hapur Panairi i Shkencës dhe Kulturës 2018

Ky panair tashmë është tradicional dhe organizohet nga nxënësit e gjimnazit “Frang Bardhi“ , ndërsa në panairin e organizuar për këtë vit marrin pjesë edhe nxënësit e shkollave tjera të mesme të Mitrovicës.

Anëtarët Këshillit organizativ Rexhep Avdiu dhe Endrit Haliti kanë thënë se në panair do të tregohen vlerat e nxënësve që kanë arritur në lëndët shkollore si Kimi, Fizikë, Biologji, Astronomi dhe sektori multimedial e teknologji, ato nga kultura e muzika dhe trashëgimia kulturore etj, si dhe do të ketë aktivitete nga fusha e bamirësisë.

Panairi është vizituar nga kryetari i komunës, Agim Bahtiri dhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci.

Kryetari Bahtiri e cilësoi këtë panair si ngjarje me rëndësi për qytetin për dëshmimin e punës së madhe që bëhet në këtë shkollë si burim i dritës dhe edukimit, raporton KALLXO.

“Puna juaj është tregues i mirë i aktiviteteve dhe angazhimit që bëhet në këtë shkollë, andaj ju do keni mbështetjen e vazhdueshme edhe në të ardhmen për organizime të këtilla, sepse në ju mbetet e ardhmja e vendit” tha Bahtiri.

Ndërsa drejtori i gjimnazit Ismet Ferizi shprehu kënaqësinë që nxënësit e kësaj shkolle, ashtu sikur edhe në të kaluarën, me këtë organizmin pasqyrojnë punën e madhe që bëhët në këtë tempull të dijes në drejtim të edukimit dhe arsimimit të gjeneratave të reja.

Në panair, i cili është organizuar që nga dita e merkurë, ndërsa sot është dita e fundit, po marrin pjesë rreth 200 nxënës.

Sipas një komunikatë të Komunës se Mitrovicës nxënësit janë organizuar në 28 sektorë.

Kurse panairi qysh në ditën e parë zgjoi interesim të madh te të rinjtë dhe qytetarët tjerë të Mitrovicës, raporton KALLXO.

Organizatorët presin që panairin ta vizitojnë rreth 6.000 qytetarë./kallxo.com

Ekspozita e Demush Avdimetaj, gërshetim i artit klasik me atë modern (FOTO)

Tridhjetëenjë punime në muret e Galerisë së Ministrisë (QAFA), janë përmbledhje e mijëra punimeve të autorit Demush Avdimetaj. “Simbiozë e Artit Klasik dhe Modern” quhet ekspozita e tij që paraqet elemente reale dhe të imagjinuara poetike, me kontura vizatimore grafike, piktoreske e skulpturore.

GiliHoxhaj

Çdo punim i tij në muret e Galerisë, ishte një dëshmi më tepër për kapacitetin krijues të këtij piktori. Punimet e tij preknin të dy fushat, vizatimin dhe pikturën, këto dy fusha të cilat me pasion i ka kultivuar gjatë gjithë karrierës së tij. Diku ngjyrat e punimeve janë më të ndritshme e shumëngjyrëshe, e diku në të errtën. Kjo ekspozitë që përmban punime të autorit edhe nga shekulli i kaluarpërmban shumë elemente nga historia, legjendat e mitet e historisë shqiptare, të cilat janë një reflektim që nga koha e Gjegj Kastriotit Skënderbeut, andaj në një nga punimet e tij, vizitori aty do të ndeshet edhe në figurën imagjinare të Gjergj Kastriotit.

Përveç kësaj jo dhe në pak raste, shihet edhe imazhi i femrës, që zë jo dhe pak vend të krijimtarinë e tij artistike.

Piktori Musë Prelvukaj ishte njëri nga të pranishmit e kësaj ekspozite. Ai për KultPlus tregoi se ka gati gjysmë shekulli bashkëpunimi dhe miqësie me piktorin Demush Avdimetaj, të cilin tha se e vlerëson si një ilustrator e piktor të shkëlqyer, e që ka dhënë një kontribut të veçantë edhe në ilustrimet për fëmijë në revistën letrare për fëmijë “Pioneri”.Në mungesë të kuratorit Nebih Muriqi, Prelvukaj lexoi disa nga fjalët e Muriqit për ekspozitën.

Muriqi thotë se e cilëson Avidemetajn si një ilustrator të dalluar e me talent që më vonë shndërrohet në një piktor befasues, me identitet të formësuar dhe talent të dalluar.

“Një krijues që nuk eksperimenton, nuk humbë se koti kohën e çmuar, frymëzohet nga ambienti ku jeton, nga dhimbja e popullit, nga jeta dhe mbijetesa e tij, nga drama e lufta për mbijetesë, nga balada, miti, tradita, epika popullore, historia, heroizimi, lufta, sakrifica dhe martirizmi. Këto motive të larmishme i freskon edhe fryma antike, nostalgjia për kohën, kur populli ynë ndeshej në dyluftim edhe me Perandorinë Romake”, shkruan Muriqi.

Demush Avdimetaj tregoi se ai fillimisht ia ka lenë në dorë kuratorit rreth 130 punime, prej të cilave i kishte zgjedhur tridhjetë. Punimet e tij janë të punuara me teknikë akrilik ndërsa dominojnë ato me ngjyra të tushit.

“Antikitetin të cilin e sjelli unë, njeriun e kësaj kohe e trajtoj taman në kohën skulpturale, gjithmonë shkoj duke e gdhend dhe duke e skulpturuar një problem që e kam marrë”, tha Avidemetaj.
Punimet e piktorit janë aq shumë të lidhura me vendin dhe të kaluarën e tij sa që ai edhe dhimbjen dhe dhe tundimet për liri, i ka reflektuar në punimet që solli mbrëmë.

“Lëndina e lotëve”, e shtjellon rastin e masakrës së Mejes, dhimbjen dhe humbjen nga kjo masakër. Në jo dhe pak raste shohim edhe gruan si subjekt i punimeve të tij artistike, ai tha se mundohet që në pikturat e tij, të sjellë fatin e saj.

Njëra nga punimet e tij asocon në legjendën për Rozafën, përmes të cilës ai ngërthen edhe një personifikim tjetër nga Kalaja e Shkodrës, duke treguar kështu fatin e grave që kanë qenë gjithnjë të mbyllura dhe të izoluara brenda ambienteve të shtëpisë.

”Gjithmonë shkoj duke e menduar të kaluarën antike por e vendosi figurën në një pozicion që tregon qëndrimin e saj apo ku është dhimbja dhe ndjenja, pra figurativisht mundohem të nxjerrë ndjenjën e individit”, tha tutje Avdimetaj.

Demush Avdimetaj u lind më 1949 në Strellc të Deçanit. Studimet e larta i ka mbaruar në Kosovë, në Fakultetin e Arteve, drejtimi i Pikturës. Deri më tani, Avdimetaj ka realizuar mbi 20 ekspozita personale, ndërkaq kjo është ekspozita e tretë me radhë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. Karriera e tij artistike është përcjellë edhe me çmime e mirënjohje të ndryshme si ajo nga Akademia Evropiane e Arteve në Belgjikë në vitin 2006, nga Salloni i 36-të Ndërkombëtarë, po në Belgjikë, nga Salloni Mbarëkombëtarë i Gostivarit në vitin 2010, etj.

Ekspozita e tij do të qëndroj e hapur deri më 3 maj në Galerinë e Minsitrisë (QAFA)./ KultPlus.com



E njëjta agjenci që menaxhon Ermonela Jahon, ka marë edhe sopranon kosovare Elbenita Kajtazin

E njejta agjenci që menaxhon Ermonela Jahon, ka marë edhe sopranon kosovare Elbenita Kajtazin

Sopranoja shqiptare Elbenita Kajtazi tashmë i është bashkuar agjencionit menaxhues, Zemsky Green. Agjencion ky i cili menaxhon emra të njohur të muzikës klasike, duke përfshirë edhe sopranon e njohur botërisht Ermonela Jaho, shkruan KultPlus.

Sopranoja Elbenita Kajtazi ka shfrytëzuar rrjetit sociale për të ndarë këtë lajm të cilin e ka konsideruar të mrekullueshme.

“Miq të dashur, jam e stërlumtur të ndaj me ju një lajm të mrekullueshëm. Nga ky muaj unë i jam bashkangjitur agjencionit të madh menaxhues Zemsky Green, agjencion ky që përmban emra të mëdhenj botërorë të muzikës operistike e një ndër ta edhe diva jonë Ermonela Jaho e cila është udhërrëfyesja ime dhe të cilës i jam dhe do i jem falënderuese gjithë jetën time, Ermonela gjithmonë citon një fjali, ‘ të bashkuar jemi më të fort’”, ka shkruar ajo në postimin e saj në Facebook.

http://www.zemskygreenartists.com/roster/
Kujtojmë se një muaj më parë sopranoja Elbenita Kajtazi Në Glyndebourne të Anglisë, në një nga shtëpitë operistike më me nam, në konkursin Glyndebourne Opera Cup, ka fituar dy çmime, vendin e tretë si dhe çmimin e publikut./KultPlus.com

Pranverë e ftohtë kosovare

Pranverë e ftohtë kosovare
Me të ikur, me të vrarë, me varre…
Pranverë kësisoj u harrofsh fare.

Poezi nga Petraq Kolevica

Bie shi,
Fryn erë e ftohtë,
Rrjedh shi,
Rrjesh gjak
E rrjedhin lotë.
Qumësht gjinjësh
I rrjedh nuses që shtëngon
Foshnjën e ftohtë në zemër.
E ku t’i gjesh emër
Gjithë kësaj gjëme të saj?
Qiell pa skaj
Gjëmon
Dhe shi lëshon.
Mbi trupa të njomë fëmijësh,
Përmbi çembere të vejash,
Mbi koka me borë thinjash.
Mbi kaçurrela të rejash.
Rrjedh shi
Përmbi fëmijë të mekur
Nga të qarët.

Rrjedh shi
Përmbi të vdekur.
Përmbi të vrarët.
Ç’pranverë qënka kjo
Moj botë?
Ç’pranverë?
Me shi,
Me erë të ftohtë!
Rrjedh shi
I vrullshëm,
I ngadaltë.
Njerëz te unshëm
Ecin nëpër baltë.
Prindër pa fëmijë;
Fëmijë, pa prindër.
Grua pa burre
Bijë, pa baba.
Pleq të sëmurë
Ecin, ecin… Po ja!
Tek ngasin,
Rrëshqasin,
Bien, qytetarët,
Po prapë ngrihen,
Ecin përsëri Kosovarët.

Dhe rrallë e më rrallë
Kthejnë kryet
Të shohin pyjet,
Tokën e pakë.
Shtëpitë në flakë
Dhe mullarët.
Dhe prapë shi
E madje breshër.
Te ftohtët u futet në eshtër
Dhe fjalë… fjalë…
Në veshët vjen e shpon një gënjeshtër.
Ngadalë!
Kush tha?
Ata?
E shka do t’bahet me na?
Rrjedh shi,
Rrjedh gjak
E rrjedhin lotë,
Të vrullshëm,
Të ngadaltë.
Njerëz të unshëm
Ecin nëpër balte.
S’ka tokë më,
Po llucë, baltë.
Ku të varrosin të vdekurit.
Të vrarët?
Po si ti gjejnë rrugët Kosovarët,
Në këtë botë të mugët? /KultPlus.com

Pranverë 1999

Salla koncertale – bosht i jetës muzikore

[…për ambientin tonë kulturor ende nuk është e qartë dallimi në mes sallës koncertale dhe sallave të tjera si tipi i sallës universale apo sallës së operës (!)]

Shkruan:Rafet Rudi

Salla koncertale – bosht i jetës muzikore

Vlerësim për gjendjen e vërtetë të jetës muzikore të një ambienti kulturor, mund të merret më së miri përmes sallave koncertale. Edhe sot (por edhe gjatë historisë), shpeshherë salla e caktuar koncertale është bosht rreth të cilës zhvillohet jeta muzikore. Ajo, në mënyrë vendimtare, e kushtëzon nivelin dhe forcën kulturore të një mesi. Rëndësia e saj mund të jetë shumëfish më e madhe sesa që në dukje ka. Ta zëmë, informatat për një periudhë historike munden më me saktësi dhe në mënyre më komplete të gjenden në arkivat e sallës sesa në arkiva apo biblioteka shtetërore. Sallat, thjeshtë, mund të kenë peshën e një muzeu prestigjioz. Pikërisht për shkak të kësaj fuqie reale kulturore pronarët e sallave të tilla i kushtojnë rëndësi parësore ruajtjes së traditës dhe formimit të renomesë së sallës.

Kultivimi i renomesë së sallës

Ta zëmë në përvjetorin (të njëqindtë) e inaugurimit të Sallës në zë Carnegie Hall të New York, u botuan publikime të ndryshme për punën e sallës, u botuan seri të ndryshme disqesh; u organizuan cikle të posaçme të koncerteve etj. Gjatë sezonit festiv kujdes i posaçëm i kushtohet angazhimit të emrave eksluzivisht me renome botërore. U muar vesh se krejt kjo shfrytëzohet që të ngritet nami i sallës.
Përmes angazhimit të emrave të mëdhenj ata e ndërtojnë por edhe e ruajnë me fanatizëm pikërisht në këtë mënyrë. Në Europë e cila i kushton rëndësi të madhe ruajtjes së traditës, salla dhe renomea e saj është çështje edhe e prestigjit (dhe në këtë element ajo ndryshon edhe nga Amerika ku në këtë drejtim bëhet një politikë më tolerante dhe më fleksibile).

Në ç’masë ruhet mëvetësia e sallës tregon edhe fakti se shpeshherë fizionomia programore e tyre specializohet qoftë në kuptim të zhanrit, qoftë edhe të orientimit stilistik(!) Kështu, një sallë e caktuar kultivon vëtëm muzikë estrade, tjetra vetëm muzikë klasike, ose salla e caktuar specializohet vetëm për muzikë kontemporane, tjetra për muzikë baroku, klasike, romantike etj. Formohet një traditë e qëndrueshme dhe ajo mbrohet gati me fanatizëm. Ta zamë, salla e njohur Olympia e Parisit e cila kultivon muzikën e popullarizuar (muzikën e lehtë estradeske) e tipit të një Edith Piaf, Iv Montan, etj., më 1969 tenton ta ndryshojë fizionominë, të etabluar me kohë, me organizimin e koncertit të pianistit të famshëm György Cziffra dhe të disa emrave të tjerë të muzikës klasike. Por publiku (i këtyre emrave të mëdhenjë të muzikës klasike) i cili është mësuar që ata ti shohë në sallat e tjera standarde, nuk i ka vizituar koncertet, spjegimi ka qenë i thjeshtë, “në sallën në të cilën mban koncerte edhe një Johnny Holliday ose Charles Aznavour etj.(!), nuk dëshiron të dëgjojnë një koncert të muzikës serioze”.

Natyrisht, kjo neve, nga perspektiva jonë, e një mesi, në të cilën ruajtja e traditës për objektet (kjo vlenë edhe për thesarin kulturor) kulturore nuk është e thelluar dhe ku rrethanat nuk kanë mundësuar që “një sallë koncertale” (çfarëdo qoftë ajo) tek ne t’a fitojë identitetin e vet, kjo është e çuditshme. Së këndejmi ne jetën muzikore e zhvillojmë në objekte që nuk kanë biografi të veten.

Mosnjohja e termit “sallë koncertale”

Vendi kryesor që ne e trajtojmë si “sallë koncertale” (Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë) nuk i plotëson asnjë prej kushteve për një sallë koncertale. Pastaj në këtë sallë organizohen edhe gjëra që nuk i takojnë një salle të vërtet koncertale (ta zëmë, pos koncerteve të të gjitha zhanreve, mbahen tubime politike, svilatet mode, ajo ndonjëherë shërben për panaire shitjeje librash bile edhe panaire të ushqimeve bujqësore (!).

Pse gjendja është kështu, natyrisht nuk është vështirë që të gjenden arsye, meqë ato janë të shumta. Megjithatë burim inicial pse kjo gjendje është sepse për ambientin tonin kulturor ende nuk është e qartë dallimi në mes sallës koncertale dhe sallave të tjera si tipi i sallës universale apo sallës së operës (!) etj. Koncertet simfonike dhe kamertale nuk mbahen në mënyrë cilësore në sallat universale (që janë të dedikuar edhe për variete) apo në podiume të operës. Natyrisht se mund të mbahen, tekefundit ato mund të mbahen edhe në vende të hapura edhe në stadiume, por gjiri i tyre i natyrshëm është vetëm salla koncertale. Kjo mosnjohje është vërejtur shumë mirë në përpilimin e “strategjisë kulturore” në Ministrinë tonë, lidhur me ndërtimin e një salle koncertale, ku këto ngatrime kanë qenë tejet të theksuara deri në banalitet.

Tërë këtë galimacias e sforcojnë në një anë udhëheqësit e politikës tonë kulturore, në anën tjetër gazetarët diletant që me një pakujdesi operojnë me tema dhe me nocione që nuk i njohin, por kësaj i kontribuojnë edhe vetë muziktarët meskin që plasojnë “vizione” naive personale dhe janë ata në të vërtet, që nuk lejojnë që të qartësohen gjërat.

Ndërtimi i objekteve kapitale në mese të ngritura kulturalisht, zakonisht iu prinë një kultivimi i një “masës kritike” për një realizim të till. Gjërat strategjike nacionale nuk bëhen me vizione provincialiste, lokale, partiake etj. Duhet të ekzistojë një pajtueshmëri (koncezus) në mes shtresave të interesuar dhe shtresave vendimmarrëse – pra, të puntorëve kulturor, establishmentit politik dhe shtetëror, por edhe opinionit të gjërë. Ndoshta, gjeneratës më të vjetër mund t’iu kujtohet ndërtimi i sallave koncertale qendrore në Zagreb dhe në Ljublanë – sallat “Vatroslav Lisinski” dhe “Cankarjev dom”). Ato janë ndërtuar me pregaditjet dhjetëvjeçare, në arritjen e “pikës kritike” të senzibilizimit të opinionit. Përfundimisht, kur këto projekte janë konsideruar dhe trajtuar prej të gjithëve si arritje kulminante nacionale dhe shtetërore, është marrë vendimi për ngritjen e tyre. Pikërisht për shkak të flijimit të madh nacional, ato sot mund të konsiderohen si arritje e respektueshme edhe për ambientin kulturor të Europës perendimore.

Për një sallë koncertale në Prishtinë

Pyetje në fund do të ishte se në ç’fazë ne gjendemi, mendimi im është që medoemos institucionet tona duhet të zhvillojë një debat me ekspertët (jo vetëm “ekspertët” meskin dhe partiak) e të gjitha fushave ku do të qartësohen gjërat, dhe pastaj të fillohet me marrjen e vendimeve të mëdha. Mendoj në ambientin tonë kulturor, edhepse ndonjëherë e artikuluar në mënyrë të plogësht, është duke u formuar një kërkesë e qartë, për ndërtimin e një salle koncertale.

Koncertet që janë duke u organizuar me artistë të vendit dhe të huaj, koncertet të rangut europian që janë duke u mbajtur në festivalet ndërkombetare që tash disa vite organizohen këtu, ekzistimi i Filharmonisë së Kosovës, publiku i mrekullueshëm me të cilën artistët nga bota vazhdimisht befasohen, artistët tanë të rinj, instrumentistët tanë e forcojnë këtë kërkesë. Ambienti ynë muzikor e meriton një sallë koncertale./KultPlus.com

Ibrahim Rugova, nuk pati nevojë ta paguante askënd, që të shkruante libra për të

Shkruan: Ndue Ukaj

Ibrahim Rugova, sa qe gjallë, nuk pati nevojë ta paguante askënd, që të shkruante libra për të, për të fituar nder dhe lavdi.

Ai, sa qe gjallë, nuk u mposht kurrë. Ai, edhe për së vdekuri, vazhdon t’ i tremb kundërshtarët e tij të politikës.

Rugova, nderin dhe lavdinë e fitoi me punë, dije dhe dashuri të vërtetë për vendin. Dhe, këto vlera e virtyte, ia pranoi dhe ia vlerësoi e gjithë bota e përparuar. Në këtë mënyrë, ai e shkroi librin e tij, në zemrat qindra mijëra shqiptarëve, që e mbajnë për Atin e pavarësisë së Kosovës.
Prandaj, të tentosh ta përbaltësh atë, është njësoj si të tentosh ta pështysh diellin./KultPlus.com

Sonte “Natën, Má” në Teatrin Metropol të Tiranës, Ilire Vinca rolin kryesor

Drama e skenaristes amerikane Marsha Norman “Natën, Má” ka rikthyer si regjisore Ema Andrean. Premierra me regji të Andreas do të jetë nga sonte e deri më 6 maj në skenën e Teatrit të Metropolit, pra plot 13 ditë .

Puna për veprën ka disa kohë. Ema Andrea ka zgjedhur që të interpretojnë në rolet kryesore aktoret Ilire Vinca dhe Egla Cenon. Është hera e parë që kjo vepër ngjitet në skenën e një teatri në Tiranë, ndërsa më parë është vënë në skenën e Prishtinës.

Vepra tregon fatin e një nëne dhe bijës së saj Xhesit. Pjesa nis me rrëfimin e Xhesit e cila duhet ti thotë së ëmës që në mëngjes do të vdesë.

Si do ndihej një nënë nëse fëmija i thotë qartë, ftohtë, vendosur, me bindje dhe pa emocion që mbrëmja që po kalojnë bashkë, është mbrëmja e fundit! Që kur të thotë natën e mirë, do hyjë në dhomën e vet dhe do vrasë veten. Xhesi është një grua e divorcuar e cila jeton me të ëmën. Asgjë deri tani nuk i ka ecur siç duhet ndaj ajo ndjehet e humbur. Prej kohësh vuan nga një depresion kronik. Thelma është nëna e saj, e cila duhet të përballojë depresionin e së bijës.

Shfaqa sjellë dramën fituese të çmimit Pulitzer dhe të çmimit të Teatrit Botëror nga autorja Marsha Norman.

Muzikën për këtë shfaqje e ka bërë Bojken Lako, muzikantë do jenë Endi Aron Cekani, Rei Kondakçiu, skenografina e shfaqjes është realizuar nga Enjo Shehi kurse identiteti vizual Vincenzo Giannattasio.

Shfaqja do të ngjitet në skenë sonte, më 20 prill, dhe do të shfaqet deri më 6 maj, nga ora 19:00 në Teatrin Metropol të Tiranës.

Thënie nga Osho: Jeta fillon aty ku merr fund frika

“Nëse e dashuron një lule, mos e këput.
Sepse nëse e këput, ajo vdes dhe puhson së qëni ajo që dashuron.
Kështu që, nëse e do një lule, lëre të jetë.
Dashuria nuk është zotërim.
Dashuria është vlerësim”.
“Përjetoje jetën në gjithë mënyrat e mundshme…
e mirë-e keqe, e hidhur-e ëmbël, errësirë-dritë,
verë-dimër. Përjeto gjithë dualitetet.
Mos ki frikë nga eksperienca, sepse
sa më shumë eksperiencë që të kesh, aq
më i pjekur do të jesh”.

“Trishtimi jep thellësi. Lumturia jep lartësi. Trishtimi jep rrënjë. Lumturia jep degë. Lumturia është si një pemë që ngjitet drejt qiellit, dhe trishtimi është si rrënjët që shkojnë poshtë në tokë. Të dyja nevojiten, dhe sa më lart të hskojë një pemë, aq më thellë shkon, njëkohësisht. Sa më e madhe pema, aq më të mëdha rënjët. Në fakt, janë gjithmonë në proporcion. Ky është ekuilibri i saj”
“Të jesh krijues do të thotë të jesh në dashuri me jetën. Ti mund të jesh krijues, vetëm nëse e do jetën mjaftueshëm, sa që të duash t’i rrisësh bukurinë, të duash të sjellësh pak më shumë muzikë, pak më shumë poezi, pak më shumë vallëzim”

“Miqësia është dashuria më e pastër. Eshtë forma më e lartë e dashurisë, aty ku nuk kërkohet asgjë, nuk ka kushte, ku njeriu thjesht jep dhe e shijon”
“Jeta fillon aty ku merr fund frika”
“Hiq dorë nga ideja për t’u bërë dikushi, sepse ti je tashmë një kryevepër. Nuk mund të përmirësohesh. Vetëm duhet që ta kuptosh kush je”
“Duke rënë në dashuri, ti mbetesh fëmijë; duke u rritur në dashuri, ti maturohesh. Me kalimin e kohës, dashuria bëhet jo një marrëdhënie, por një gjendje e qenies tënde. JO se je në dashuri – ti tani je vetë dashuria”.
“Kurajo është një marrëdhënie dashurie me të panjohurën”./KultPlus.com

Kjo është lista e ngushtë e The Man Booker International Prize 2018

Juria e këtij çmimi ka bërë të ditur titujt e librave si dhe emrat e të nominuarve e që janë: “Vernon Subutex” i Virginie Despentes (Francë), “The White Book” i Han Kang (Korea e Jugut), “Wa (Spanjë), “Frankenstein in Baghdad” i Ahmed Saadaëi (Irak) dhe “Flights” i Olga Tokarczuk (Poloni).

Gjashtë shkrimtarë nga gjashtë vende të ndryshme të botës tashmë kanë hyrë në garën e ngushtë për të fituar çmimin prestigjioz të letërsisë “The Man Booker International Prize 2018”.Juria e këtij çmimi ka bërë të ditur titujt e librave si dhe emrat e të nominuarve e që janë: “Vernon Subutex” i Virginie Despentes (Francë), “The White Book” i Han Kang (Korea e Jugut), “World Goes On” i László Krasznahorkai (Hungari), “Like a Fading Shadoë” i Antonio Muñoz Molina (Spanjë), “Frankenstein in Baghdad” i Ahmed Saadaëi (Irak) dhe “Flights” i Olga Tokarczuk (Poloni).

Përmes këtij çmimi, që jep një fitues të vetëm çdo edicion, puna e përkthyesve shpërblehet në mënyrë të barabartë, me vlerë monetare prej 50,000 funtesh, që ndahen midis autorit dhe përkthyesit. Përveç kësaj, çdo autor dhe përkthyes që është nominuar do të marrin 1,000 euro secili. Për këto nominime që juria ka zgjedhur sivjet janë shqyrtuar 108 libra.

Javë më parë, kur u bë publikua lista e parë me 13 shkrimtarët potencial për të fituar këtë çmim, Lisa Appignanesi, kryetare e panelit gjykues të çmimit ndërkombëtar të “Man Booker 2018” është shprehur e kënaqur që lista finale e të nominuarve ka sjellë një diversitet autorësh.

“Analizimi i propozimeve për çmimin ndërkombëtar të ‘Man Booker’ ka qenë një aventurë joshëse. Ne kemi udhëtuar nëpër vende, kultura e imagjinata deri sa kemi arritur në këtë listë, që mund të ishte një listë edhe më e gjatë. Kjo listë prezanton një pasuri talentesh e formash të ndryshme dhe disa shkrimtarë pak të njohur në gjuhën angleze më parë.

Ka shkrimtarë të mëdhenj dhe ne shpresojmë që lexuesit të marrin sa më shumë kënaqësi në zbulimin e punës së tyre, ashtu siç bëmë edhe ne”, ka thënë Appignanesi. Çmimi “Man Booker” bashkë me çmimin “Man Booker për Fiksion” shpërblejnë më të mirët e globit që botohen në Mbretërinë e Bashkuar.

Ky çmimi sponsorizohet nga Man Group, një firmë aktive për menaxhimin e investimeve, e cila gjithashtu sponsorizon çmimin “Man Booker për Fiksion”. Fituesi i çmimit “Man Booker Prize” do të shpallet më 22 maj, në një darkë në Muzeun Victoria & Albert në Londër.

Më parë me këtë çmim të rëndësishëm të letërsisë është vlerësuar dhe shkrimtari ynë Ismail Kadare, ndërsa dy vjet më parë libri i tij “Kamarja e turpit” ishte sërish kandidat për këtë çmim nën përkthimin e John Hodgson, përgatiti Express. (b.an)

The Culture Trip liston Prizrenin dhe Beratin në 8 qytetet që duhet vizituar në Ballkan

Faqja “The Culture Trip”, e ka listuar Prizrenin dhe Beratin në top listën e qyteteve të Ballkanit që duhen vizituar.

Janë Prizreni dhe Berati, Pirani, Rovinjini, Mostari, Ohri, Novi Sadi dhe Budva.

“Gadishulli Ballkanik nuk është destinacion i madh turistik si disa vende tjera evropiane, Por, kjo zonë ka plazhe e male të bukura, qytete kulturore e parqe arkeologjike, dhe janë përgjysmë më të lira se disa destinacione turistike të famshme në Evropën Perëndimore”, thuhet në një shkrim në këtë faqe, transmeton Koha.net.

BERATI

I njohur si qyteti i njëmijë dritave, Berati është një ndër qytetet më të bukura të Shqipërisë dhe Ballkanit. Nëse e vizitoni, do ta kuptoni pse! Qendra e vjetër karakterizohet nga ndërtesat otomane, me kulmet ngjyrë kafe, fasada të bardha dhe dritare të vogla. Ata që do ta vizitojnë kalanë, ta dinë se është e vendosur në maje të kodrës, dhe do të jenë në gjendje të shohin pamje mahnitëse të qytetit.

PRIZRENI

Kosova është një nga vendet më pak të vizituara në Ballkan, por megjithatë, mburret me vendet e bukura dhe të ruajtura. Ka fortesa e panorama të mrekullueshme, një rast i tillë është qyteti i Prizrenit. Në Prizren gjendet edhe kalaja, ku nga aty shihet i gjithë qyteti i bukur i vjetër, kafe e lokale të ndryshme, dhe lumi i bukur që rrjedh.

Promovohet ‘Dushkaja’ nga Jusuf Buxhovi, mes depresionit shpirtëror dhe hulumtimit historiografik

Gili Hoxhaj
“Dushkaja”, titullohet libri më i ri i shkrimtarit e historianit të njohur Jusuf Buxhovi. Sot në mesin e adhuruesve të librit dhe atyre që e çmojnë veprimtarinë e Buxhovit, ky libër u promovua në Librarinë “Dukagjini”.

Në qendër të këtij libri është një piktor i cili shtjellon idetë e tij lidhur me ngjarjet që e rrethojnë, duke nxjerrë dhe pasqyrimin edhe për periudhat e kaluara të historisë. Përmes këtij personazhi autori do të nxjerrë reflektimin e tij mbi “kaosin” e jetës së përditshme në një vend të pasluftës që ende orvatet në kërkim të lirisë ideale. Krahas përmbajtjes, vlerën artistike këtij libri ia shton edhe kopertina e librit që përmban pamjen e një nga pikturave më të njohura të piktorit të famshëm shqiptar Ibrahim Kodra.

Nazmi Rrahmani nga shtëpia botuese “Faik Konica”, u shpreh se romani më i ri i Jusuf Buxhovit është roman interesant dhe jo vetëm për nga tema që trajton dhe nga mënyra e shkrimit e vlera artistike, por është interesant edhe për mënyrën e re në të cilën autori përpiqet ta paraqesë një pjesë të historisë përmes këndvështrimit të një krijuesi dhe veprave të tij, të cilat pasqyrojnë momente, ngjarje dhe situata të ndryshme.

Pas tij fjalën e mori recensenti i librit, Ramadan Musliu, i cili tha se ky libër është një roman për lexuesin elitar që më shumë do të përqendrohej tek idetë sesa tek veprimet. Ai tutje shtoi se Buxhovi pas dy romaneve të mëparshme, “Dosja e hapur” dhe “Dosja B” që i përkasin karakterit dokumentar, vjen me romanin “Dushkaja” që është pothuajse tematikë e njëjtë mirëpo ndryshim në procedim.

“Vetë titulli zgjon shumë dilema. Dushkaja mund të merret si një toponim, si një metaforë, si alegori dhe si mitologji. Nëse e marrim në planin mitologjik ekzistojnë edhe fjalë që lidhen me dushkun. Ekziston fjala “Dushk për gogla”, që zgjon kontekstin ironik të një mashtrimi që ndodh. Ekziston edhe dushku si një lloj mburoje e mysafirit që ishte në bela”, u shpreh Musliu, i cili tutje shtoi se realiteti i romanit është më konkret sesa kontekstet figurative.

“Romani trajton një tematikë specifike, bën një autopsi psikologjike. Nëse romanet e mëhershme që përmenda bëjnë një autopsi të një procesi historik me shkaqet dhe pasojat, këtu kemi një autopsi të llojit tjetër, një gjendje të ndrirë të një situate psikologjike, morale e një situate të një shoqërie të pasluftës” tha tutje Musliu duke shtuar se në gjithë këtë rrëfim shpërfaqet një lloj dyshimi për shkak të një gjendje ekzistuese.

Autori i librit, Jusuf Buxhovi, tha se në këtë libër ka ndërlidhje me historiografisë me pjesën shpirtërore, duke shtuar se nuk mund të ketë histori që nuk ka histori të shpirtit.

“Mund të them se ky roman për mua është një intermexo në punën time hulumtuese historiografike. Nga puna fizike ku punoj me mesazhe të thata e dokumente kaloj tek idetë. Këtu ndërlidhet historiografia me pjesën shpirtërore. Përpiqem që paralelisht t’i krijoj këto dy çështje”, tha në fjalën e tij Buxhovi ndërsa shtoi se vepra nuk mund të jetë jashtë kontekstit kohor, shoqëror e politik ndërsa ai si krijues e intelektual gjithnjë e ka parë me shqetësim periudhën e tranzicionit dhe kohës nëpër të cilën po kalon vendi.

Ndër të tjera ai shtoi se i ka dy momente që peshojnë për të: çështja e çlirimit dhe ajo e lirisë. Ai tha se këto dy koncepte dallojnë, pasi që liria është më thellë dhe më e gjerë, është përgjegjësi që fillon nga qëndrimi personal dhe bartet tek çarku i shoqërisë. Ai tha se këto 20 vitet e fundit të tranzicionit karakterizohen me rrënim të lirisë e cila kthehet në kaosin, i cili pretendon të jetë liri. E gjithë kjo situatë ka bërë që edhe personazhi kryesor rreth të cilit shtjellohet libri i tij ta reflektojë këtë gjendje që merr përmasa të depresionit shpirtëror.

“Shoqëria jonë sipas mendimit tim e ka dorëzuar lirinë, ua ka dorëzuar atë dhunuesve të lirisë. Kemi një realitet tragjik ku liria jonë dhunohet nga të ashtuquajturit çlirimtarët të cilët në vend që të jenë një avangardë në mënyrë që proceset shoqërore ta marrin një rrugë të lirisë, tek ne ndodh e kundërta, një robëri zëvendësohet gati me një tjetër”, u shpreh Buxhovi gjatë ceremonisë përuruese të librit.
“Dushkaja” është botuar nga Faik Konica Prishtinë dhe Jalifat Publishing Huston dhe përmban gjithsej 165 faqe./ KultPlus.com

Katër këngëtare shqiptare, me koncert të përbashkët në Tiranë

Irma Libohova, Rovena Dilo, Eneda Tarifa dhe Besa Kokëdhima po bashkohen.

Të katër këngëtaret do të mbajnë një koncert recital madhështor me datë 16 maj.

Orkestra Simfonike nën drejtimin e Elton Dedës do ti bashkojë katër emrat e fuqishëm, në një koncert me biletat që dalin në shitje nga data 21 prill, siç raporton Eurovision Albania.

Koncerti do të nisë prej orës 20:00.

Secila prej këngëtareve është e njohur në stilin e saj dhe ka bagazh muzikor të suksesshëm. Eneda Tarifa ka marrë pjesë në Eurovizion për Shqipërinë, ndërsa Besa Kokëdhima numëron një fitore të fuqishme në Festivalin Top Fest në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Rovena Dilo, në anën tjetër, ka disa hite të vulosura në muzikën shqipe, përfshirë “Për një çast më ndali zemra” dhe “Ante i tokës sime”, ndërsa Irma Libohova mbetet ndër këngëtaret unike që disa herë e fitoi Festivalin e RTSH-së. / KultPlus.com

Luan Bajraktari me ekspozitë në Vjenë, hapë një “BÜRO X” brenda ambienteve të Ambasadës

Në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Vjenë, është hapur mbrëmë ekspozita e Luan Bajraktarit, e titulluar “BÜRO X”.

Luan Bajraktari ka treguar përvojën e tij në lidhje me këtë ekspozitë, duke iu referuar edhe ambientit ku është hapur, ku sipas tij, ka qenë një hapësirë jo lehtë e menaxhueshme. “Vetëm hapësira ku kam prezantuar ekspozitën më ka bërë që të mendoj dy muaj më herët se si të prezantohem në këtë ambient”, ka thënë Bajraktari për KultPlus, i cili ka shpjeguar më tutje se krejt sfida ka qenë se me cfarë projekti të prezantohet që të funksionojë me hapësirën.

“Kam vendosë që të prezantohem me ekspozitën “BÜRO X”, që prezantimi të jetë në harmoni me hapësirën por edhe hapësira me prezantimin, pastaj kam punuar që kjo ekspozitë të ketë një lidhje të fortë edhe me personat që punojnë aty, që të ndërlidhet me hyrjet dhe daljet brenda një institucioni”, ka thënë Bajraktari, i cili ka njoftuar se kjo ekspozitë ngërthen mediume të ndryshme.

Kurse për kuratorin e kësaj ekspozite, Lulzim Zeqiri, Bajraktari i ngre monument gjërave të vogla, dhe frymëzimin e merr nga mënyra e jetës në ambientet e vendlindjes. “Me gjasë të nisura nga kujtimet e fëmijërisë këto forma artistike janë rezultat i kërkimit të një përgjigjeje për natyrën njerëzore. I frymëzuar nga mënyra e jetës në ambientet e vendlindjes, ai i bënë monument gjërave të vogla të cilat kishin rëndësi të madhe për ekzistencën e tij” ka thënë Zeqiri. I kënaqur me këtë ekspozitë ka mbetur edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, Sami Ukelli, që bëri hapjen zyrtare të saj./KultPlus.com

Lars von Trier kthehet prapë në Festivalin e Filmit në Kanë

Regjisori Lars Von Trier do ti kthehet garës në Festivalin e Filmit në Kanë.

Pasi ka munguar për shtatë vite shkaku i një ndalese, Trier rikthehet në festivalin e njohur të filmit në Francë.

“The House that Jack built” do të jetë pjesë e festivalit por jashtë garës. Uma Thurman dhe Matt Dillon janë dy aktorët kryesorë të filmit të regjisorit që fitoi Palme d`Or në vitin 2000. Ngjarja e filmit e përcjellë një vrasës dhe viktimat e tij, në një periudhë pesë vjeçare.

Në anën tjetër sot është publikuar edhe programi “Un Certain Regard” në kuadër të festivalit dhe janë shtuar filma të tjerë në kategoritë tjera të festivalit.

Festivali i Filmit në Kanë do të fillojë me 8 maj dhe do të përfundojë me 19 maj. Janë edhe disa filma shqiptarë që janë përfshirë në këtë festival nëpër kategori të ndryshme, ndërsa një film mbi bombardimet e NATO-s në Jugosllavi poashtu është pjesë e festivalit. / KultPlus.com

MKRS-ja nënshkruan marrëveshje për fuqizimin e rinisë përmes edukimit joformal

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me organizatën joqeveritare “George Williams Associaton in Kosovo”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Qëllimi i kësaj marrëveshje është përcaktimi i angazhimeve të ndërsjella në mes të MKRS-së dhe OJQ George Williams Association in Kosovo në fuqizimin e rinisë në Kosovë dhe zbatimin e projektit “Qendra rekreative për fëmijë dhe të rinj”, me lokacion në fshatin Pjetërshan në Komunën e Gjakovës, si dhe promovimin e edukimit jo formal si element shumë i rëndësishëm në zhvillimin e të rinjve në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se MKRS-ja do të vazhdojë në mbështetje të të rinjve me qëllim të krijimit dhe përmirësimit të kushteve për zhvillimin e aktiviteteve rinore. Ai po ashtu theksoi se përmes nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve po synohet që të promovohet edhe më tutje Ligji për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë.

“Zbatimi i këtij projekti ofron një platformë dhe infrastrukturë fizike me kushte shumë të mira për zhvillimin e aktiviteteve për fëmijët e të gjitha shkollave dhe të rinjtë e të rejat nga komunitetet pakicë, personat me aftësi të kufizuara, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet shtetërore” u shpreh Gashi.

Ndërsa drejtoresha e organizatës “William Youth Association in Kosovo”, Dorina Davies u shpreh e lumtur për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje duke thënë se do të vazhdojnë të punojnë intensivisht që nëpërmjet aktiviteteve dhe pjesëmarrjes në vizita studimore të ndikojnë në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve kosovare për udhëheqjen e qendrave të tilla. / KultPlus.com

Fotografia që dëshmon pasionin e Ibrahim Rugovës për vallëzim (FOTO)

Ibrahim Rugova cilësohet si figura historike e Kosovës, që pati rol kyç në shtetndërtimin e vendit.

Krahas që mbeti në histori si një president historik, ai ka qenë i njohur edhe si një akademik e intelektual i rrallë.

Ibrahim Rugova si i tillë ka qenë edhe shumë i lidhur me këngën tradicionale shqiptare.
KultPlus sot ju sjellë një fotografi të përbashkët të Ibrahim Rugovës së bashku me intelektualin tjetër të madh Ramiz Kelmendin.

Me fytyrat e tyre të buzëqeshura, ata shihen teksa ndjekin ritmin e valles. / KultPlus.com

Ermal Meta nesër publikon këngën e re

Këngëtari shqiptar Ermal Meta nesër do të publikojë këngën e tij të re.

Shqiptari që fitoi në Sanremo këtë vit, dhe do të ngjitet muajin tjetër në Eurovizion për Italinë, nesër do të lansojë këngën e re – “Dall’alba al tramonto”.

Kënga do të dalë nëpër radiot italiane derisa Meta nuk ka zbuluar më shumë.

Kësisoj, kjo do të funksionojë si një strategji e mirë që Ermali të rikthehet në emër të përfolur në Evropë, krahas pjesëmarrjes në Eurovizion 2018.

Ermali e fitoi këtë vit Festivalin e Sanremos në Itali me këngën e tij së bashku me Fabrizio Moron dhe të njëjtën këngë do ta performojnë në Eurovizion, me datë 12 maj në finale.

Italia gjithmonë kualifikohet për në finale pasi është në mesin e shteteve që financiarisht e mundëson mbajtjen e Eurovizionit. / KultPlus.com