Regjisori serb, në Festivalin e Kanës me personat e zhdukur në luftën në Kosovë

Filmi “The Load” me regjisorin serb Ognjen Glavonic është përzgjedhur të marrë pjesë në Festivalin e Filmit në Kanë.

Filmi do të jetë pjesë e programit Directors Fortnight në Festivalin prestigjioz të filmit që do të nisë muajin maj.

E veçanta e filmit është se ai flet edhe për personat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, kjo e përfshirë brenda tregimit të përgjithshëm të projektit filmik.

Filmi flet për një shofer kamioni, Vladën, i cili udhëton nga Kosova për në Beograd për të dërguar një pako misterioze, në kohën kur po ndodhim bombardimet e NATO-s në Serbi në vitin 1999. Në film luajnë Leon Lucev, Tamara Krcunovic dhe Pavle Cemeric.

Filmi është 90 minuta dhe në gjuhën serbe, i xhiruar në shkurtin e vitit 2017-të, dhe i bazuar në një ngjarje krejt të vërtetë. Filmi është bashkëproduksion mes Serbisë, Katarit, Francës, Kroacisë dhe Iranit.

Edicioni i 71 i Festivalit të Filmit në Kanë do të mbahet nga 8-19 maj.

Edhe filmi i kaluar i këtij regjisori, “Dubina Dva” ka folur për viktimat shqiptare në luftën e fundit në Kosovë, me kontekstin e varrezave masive në Beograd dhe në tërë Serbinë. / KultPlus.com

Bebe Rexha do të performojë sonte te Ellen Show

Këngëtarja e njohur shqiptare Bebe Rexha është duke korrur mjaft sukses në skenën muzikore ndërkombëtare, veçmas me hitin e saj “Meant to be”.

Ajo së fundmi ka treguar se do të jetë pjesëmarrëse në shoun e njohur amerikan “The Ellen Show”.

Ajo sot ka publikuar një fotografi në Instragm me Ellen DeGeneres ndërsa i ka ftuar të gjithë fansat që ta ndjekin performancën e saj.

“Sonte. Mos e humbisni performancen time tek The Ellen Show”, ka shkruar këngëtarja Rexha.

Ajo së fundmi ka publikuar dy këngë të reja – “Ferrari” dhe “2 souls on fire”. / KultPlus.com

Hana Arapi sjellë ekspozitën e parë personale ‘n’4tën’

Hana Arapi po e sjellë ekspozitën e saj personale.
Hana Arapi është absolvente e dizajnit grafik, ndërsa për ta kurorëzuar rrugëtimin e saj katërvjeçar, ajo këtë të shtunë sjellë ekspozitën e parë personale të titulluar “n’4tën”.

Kuratore e kësaj ekspozite është profesoresha Lyra Zajmi. Punimet e Hana Arapit do të prezantohen në Prizren dhe janë të fushës së Komunikimit Vizual, duke perfshirë Mediat Dixhitale, Ilustrimin, Fotografinë dhe Tipografinë.

Ekspozita hapet këtë të shtunë, më 21 prill, në Hamamin “Gazi Mehmet Pasha” ne Prizren , duke filluar nga ora 19:00. / KultPlus.com

Gani Llalloshi hap ekspozitë në Slloveni

Mbrëmë në Galerinë Hest të Lubjanës është hapur ekspozita e piktorit nga Kosova që tash sa vite jeton e krijon në Slloveni, Gani Llalloshi.

Ekspozitën e shpalli të hapur ambasadori i Kosovës në Slloveni, Nexhmi Rexhepi i cili në fjalën e tij vlerësoi punën dhe përkushtimin e piktorit Llalloshi në prezantimin e veprave artistike me motive nga vendlindja për artdashësit në Slloveni, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Llalloshi është shumë aktiv në kultivimin e këtij arti autentik dhe si i tillë është pranuar me shumë respekt në botën artistike të krijuesve të artit figurative në Slloveni”, tha Rexhepi, transmeton Koha.net.

Dhjetëra punime artistike të dimensioneve të ndryshme janë prezantuar për publikun, të cilat janë të krijuara nga frymëzimet e hershme të piktorit Llalloshi nga vendlindja e tij.

Kurse kuratorja e njohur sllovene Elizabeta Rogoviq tha se, “çdo ekspozitë e këtij artisti me rrënjë nga Kosova, që tashmë ka bërë emër të njohur ndër ne, përcillet me interesim nga artdashësit sllovenë”.

Në hapjen e kësaj ekspozite morën pjesë dashamirë të shumtë të këtij lloj arti jo vetëm nga kryeqyteti slloven por edhe nga qytete të tjera, diplomat të akredituar në Slloveni si dhe bashkëqytetarë që jetojnë dhe punojnë në Slloveni. Ambasada e Republikës së Kosovës në Slloveni që e mbështeti hapjen e kësaj ekspozite, me këtë rast, për të pranishmit ofroi edhe nga një gotë vere kosovare./ KultPlus.com

Candan Erçetin nesër e hapë Balkan Trafik Festival

Nesër mbrëma Candan Erçetin do ta hapë edicionin e këtij viti të festivalit Balkan Trafik Festival.

Këngëtarja turke me origjinë shqiptare do të ngjitet në skenë për të sjellë ritmin e saj të përzier mes Turqisë dhe Ballkanit.

Erçetin e nisi karrierën rreth viteve 80-të ndërsa në vitin 1986 ajo ishte pjesë e grupit Klips Ve Onlar – i cili e përfaqësoi Turqin në Eurovizion.

Në vitin 1995, albumi i saj “Hazirim” ishte në kryesimin e toplistave muzikore në Turqi. Në vitin 2009 ajo u bë profesoreshë në Universitetin e Galatasaray ndërsa sot njihet si një prej këngëtareve më të njohura nga Ballkani dhe me një bagazh muzikor që ka tejkaluar kufinjtë e kontinentit.

Candan do ta hapë nesër edicionin e Balkan Trafik Festival me koncertin në BOZAR – hapësira kulturore e njohur në Bruksel të Belgjikës. Koncerti fillon në ora 20:00. / KultPlus.com

Shqipëria, destinacion turistik për spanjollët

Trashëgimia kulturore dhe traditat shqiptare tërhoqën vëmendjen e vizitorëve në Panairin Diplomatik Solidar 2018 të organizuar në Madrid, Spanjë, të cilët shfaqën interes për bukuritë natyrore të Shqipërisë.

Panairi u zhvillua në Pallatin e Kongreseve në Madrid nga Shoqata Ndërkombëtare e Diplomatëve në Spanjë (AIDE), në bashkëpunim me Fondacionin “Mbretëresha Sofi”, ndërsa ai u përurua dhe u përshëndet nga mbretëresha Sofi.

Ambasadori i Shqipërisë në Spanjë, Ridi Kurtezi në një prononcim për ATSH-në tha se “në këtë panair morën pjesë rreth 50 përfaqësi diplomatike, 3000 vizitorë, 15 grupe artistike të vendeve pjesëmarrëse, të cilët transmetuan mesazhin e solidaritetit, paqes dhe bashkëpunimit. Stenda shqiptare ishte nga më të vizituarat për vetë llojshmërinë e produkteve tradicionale të ekspozuara dhe paraqitjes së disa kostumeve popullore të Shqipërisë së Mesme”.

“Stenda shqiptare u përfaqësua denjësisht me produkte të gastronomisë, artikuj artizanati, prospekte turistike, letërsi shqiptare dhe kostume popullore”, tha Kurtezi.

Ambasadori Kurtezi u shpreh se “gastronomia shqiptare ishte nga më të preferuarat nga të pranishmit dhe bashkëpunimi i ambasadës me shqiptarët në Madrid, kontribuoi në suksesin e përfaqësimit dinjitoz të vendit në këtë aktivitet të rëndësishëm”.

“Stendën e Shqipërisë e vizitoi mbreterësha Sofi, e cila përgëzoi angazhimin e përfaqësisë shqiptare dhe tregoi interes të veçantë duke u përshëndetur edhe me të pranishmit. Nëpërmjet stendave të tyre, çdo vend ekspozoi artikuj artizanati dhe produkte gastronomie tradicionale. Fondet e grumbulluara u destinuan për projektet në ndihmë të njerëzve të sëmurë dhe në nevojë. Po ashtu, me këtë rast nga pjesëmarrësit u promovua edhe turizmi, arti dhe në përgjithësi imazhi i secilit vend”, theksoi ambasadori Kurtezi.

Lidhur me ndikimin e organizimit të këtij panairi në tërheqjen e turistëve të huaj drejt Shqipërisë, Kurtezi shprehet se “përfaqësimi i vendit në këtë panair dhe vizitorët e shumtë në stendën tonë treguan një interesim për traditat dhe kulturën që ne përfaqësojmë. Unë besoj se përfaqësimi në këtë aktivitet do të jetë një vlerë e shtuar në përpjekjet tona të përbashkëta në promovimin e imazhit pozitiv të vendit dhe në ekspozimin e potencialit dhe kapacitetit turistik të vendit”.

“Vlen të theksoj se tashmë prej disa vitesh Shqipëria shfaqet si një destinacion turistik për spanjollët dhe kjo edhe si rezultat i disa vizitave turistike dhe disa dokumentarëve në të cilat janë promovuar bukuritë natyrore të vendit dhe janë inkurajuar operatorët turistikë vendas për të përfshirë Shqipërinë në paketat turistike”, tha Kurtezi.


Stendën e Shqipërisë e vizitoi Mbretëresha Sofi, e cila përgezoi angazhimin e përfaqësisë shqiptare dhe tregoi interes të veçantë duke u përshëndetur me të pranishmit. Mbretëresha Sofi përmendi vizitën e saj në Tiranë në vitin e kaluar duke përcjellë përshtypjet dhe vlerësimet më të mira.

Ambasadori i Shqipërisë, Kurtezi i dhuroi Mbretëreshës Sofi, librin “Pallati i Ëndrrave” të shkrimtarit Ismail Kadare dhe e ftoi që të rivizitojë vendin në një kohë të favorshme për të./ATSH/ KultPlus.com

Serbia e Kroacia ‘porosisin’ një serial mbi mafinë dhe besën shqiptare

Tony Jordan, një shkrimtar dhe një skenarist i njohur britanik, po punon në një projekt televiziv që merret me mafian shqiptare.

Ai është bashkuar me Antenna Group për të prodhuar “Besa” – një seri prej 45 minutash e ndarë në 12 episode.
PRVA në Serbi, Planet TV në Slloveni dhe RTL në Kroaci e kanë ‘porositur’ një projekt të tillë.

Produksioni do të punojë deri në muajin shtator kur edhe mendohet të fillojë transmetimi i serialit, fillimisht në këto tri shtete, shkruan UkAlbanians.

Peter Smith nga Antenna Group ka thënë se drama do të trajtojë çështjen e identitetit, moralit dhe lidhjeve ndërnjerëzore. Gjithçka do të fokusohet në kodin moral të shqiptarëve, në lidhjen mes besës dhe mafisë.

Antenna Group po punon që më pas seriali të shpërndahet gjithandej nëpër Evropë dhe në shtetet ku një temë e tillë do të zgjonte interesim. / KultPlus.com

Dua Lipa në kopertinën e revistës Teen Vogue (VIDEO)

Këngëtarja Dua Lipa është shfaqur në kopertinën e Teen Vogue duke shpalosur më shumë për punën e saj dhe sukseset që ajo po arrin, përcjellë KultPlus.

Shkrimi vë në pah rregullat mbi lidhjet, e që këngëtarja i kishte sjellë në këngën e saj të suksesshme “New Rules”. Aty tregohet se këngëtarja ka zbuluar edhe një rregull të ri e që e ka ndarë me lexuesit e revistës.

“Bllokoni ata në rrjetet sociale”, ka treguar këngëtarja shumë sinqerisht.

Shkrimi vazhdon tutje duke sjellë historinë e këngëtares deri tek suksesit që ka arritur ajo tani. Në shkrim po ashtu flitet edhe për koncertin që këngëtarja do të mbajë në Prishtinë.

Dua Lipa po ashtu ka treguar sesa e rëndësishme është të kesh karakter garues dhe se konkurrenti i saj më i madh është vetja. “Unë gjithmonë dua ti bëjë gjëra më mirë sesa i kam bërë deri dje”, është shprehur ajo duke biseduar tutje edhe për shoqërinë.

“Është shumë e rëndësishme të kujdesesh për vajzat rreth teje, dhe që ti mbash miqtë afër vetes”, ka treguar Dua Lipa.

Gjithë këto detaje por edhe të tjera janë zbuluar në artikullin e realizuar për muajin prill në kuadër të revistës Teen Vogue./ KultPlus.com

Gazmend Freitag hapë ekspozitën “Erotizmi” në Austri

Figura njerëzore, sidomos portetizmi i gruas është tematika me cilën artisti Gazmend Freitag merret vazhdimisht në artin e tij.

Ai me sensualitet dhe pasion krijon portretet dhe aktet e bukura të femrave, të cilat ai i njeh personalisht, me të cilat ka miqësi ose ato vetë janë artiste.

Prandaj pikturimi i aktit të gruas paraqet një prioritet të lartë në krijimtarinë e piktorit Gazmend Freitag. Ai i është përkushtuar aq shumë asaj sa që madje ka ndjekur edhe një kurs përkatës në Universitetin për Art dhe Dizajn në Linz të Austrisë, me qëllim që të fitojë bazat thelbësore dhe me shumë finesë për këtë, transmeton Koha.net.

Nga kjo rezultojnë jo vetëm studimet e shumta me laps, por edhe piktura vaji të formatit të madh, të cilat stilistikisht janë të vendosura midis impresionizmit modern dhe ekspresionizmit, shkruan për të Ursula Pfeiffer.

Ekspozita “Erotizmi” e Gazmend Freitag, që jeton në Austri, do të hapet më 17 maj dhe do të zgjasë deri më 12 korrik të këtij viti (çdo të enjte) në Strandgut (Linz, Austri) – Shoqata për Arte të Bukura, Kabare dhe Literaturë./ KultPlus.com

Në ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, fushës së arkeologjisë iu shtuan edhe tre libra të ri

Alberina Haxhijaj

Fushës se arkeologjisë sot i janë shtuar edhe tre libra të ri. Harta Arkeologjike e Kosovës, Vëllimi i III-të, Trashëgimia Arkeologjike e Komunës së Istogut dhe Trashëgimia Arkeologjike e Komunës së Skenderajt, janë përuruar në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, shkruan KultPlus.

Arkeologu Shafi Gashi tha se Harta Arkeologjike e Kosovës, Vëllimi i III-të vjen si rezultat i një punë mjaft intensive pas botimit të dy vëllimeve të tjera, në vitin 2006 dhe 2012.

“Këtu kemi dhënë një material i cili do i hyjë në punë çdo arkeologu por jo vetëm atyre. Në këto 10-të vite, në komunat në të cilat kemi mbledhur materialin janë bërë gërmime intensive arkeologjike dhe gërmime të karakterit të kontrollit dhe shpëtimit”, tha ai duke shtuar se kjo hartë është e rëndësishme pikërisht për komunat të cilat janë përfshirë në libër.

“Harta arkeologjike është shumë e rëndësishme për të gjithë ne, por edhe për komunat përgjegjëse pasi që është një udhërrëfyes për urbanizëm, para realizmit të planeve hapësinore. Kështu që ftoj komunat që t’i marrin parasysh të dhënat që janë mbledhur në këtë libër dhe të ruhet trashëgimia kulturore nëpër këto komuna”, tha ai duke shtuar se kjo vlen edhe për qeverisjen qendrore.

Tutje më shumë për dy librat e tjerë, Trashëgimia Arkeologjike e Komunës së Istogut dhe Trashëgimia Arkeologjike e Komunës së Skenderajt, foli drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha. Ai tregoi se këto dy libra kanë ardhur si rezultat i kërkimeve arkeologjike dhe përnjohjeve sistematik të cilat i kreu Instituti Arkeologjik i Kosovës, nën udhëheqjen e autorit Haxhi Mehmetaj.

“Monografinë e Istogut kisha me e përshkru shumë shkurtë pasi që libri flet vetë. Në libër ka përshkrim shkencor, të dhëna historike, por edhe materiale të gjetura e të skicuar, fotografi e të tjera. Është interesante se në këtë veprimtari që e ka bërë Mehmetaj në Istog evidentohen përafërsisht 116 qendra arkeologjike dhe ky është një rezultat i jashtëzakonshëm në këtë fushë…Ndërsa në librin Trashëgimia Arkeologjike e Komunës së Skenderajt, po ashtu kemi përshkrime të periudhave të ndryshme, me theks të veçantë në periudhën dardane. Aty paraqitën të dhëna të mjaftueshme dhe autori ka arritur që të evidentoj afërsisht rreth 140 lokalitet”, tha ai.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se për Kosovën është e rëndësishme vazhdimi i botimeve të tilla dhe përkrahja e fushës së arkeologjisë.

“Jemi së bashku për të promovuar tri botime të Institutit Arkeologjik të Kosovës, por edhe punën e arkeologëve, profesionistëve dhe komunave që kanë bashkëpunuar me institucionet tona gjatë procesit të evidentimit të lokaliteteve. Puna e Institutit Arkeologjikë bashkë me punën e arkeologëve dhe ndërkombëtarëve, e më mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, ka mundësuar në vazhdimësi hulumtimin e të kaluarës sonë, thesarit të trashëgimisë, dhe qytetërimit të lashtë”, tha ai./ KultPlus.com

Izraeli pret me interesim dokumentarin gjerman mbi hebrenjtë e mbijetuar nga lufta

Një dokumentar gjerman mbi 14 të mbijetuar të Holokaustit nga qyteti Vroklav, në perëndim të Polonisë, ka ngjallur interes të madh në Izrael, ku brezi i ri ka reaguar fuqishëm, deklaruan në Tel Aviv regjisorët e filmit, Karin Kaper dhe Dirk Szuszies.

Filmi që titullohet “Wir sind Juden aus Breslau” (“Ne jemi hebrenj nga Vroklavi” – emri polak i Breslau), që prek edhe situatën aktuale në Poloni, do të shfaqet në kinematë e Tel Avivit, Jeruzalemit, Haifa, Sderot dhe Kolon deri më 25 prill.

Në këtë film prezantohen 14 dëshmitarë okular hebrenj të cilët i mbijetuan terrorit nazist kur ishin të rinj, mes të cilëve edhe Anita Lasker Wallfisch, një prej të mbijetuarave të fundit nga Orkestra e Vajzave në Aushvic, e cila mbajti një fjalim në janar në Parlamentin gjerman.

Në vitin 1929 jetonin rreth 25 000 hebrenj në Vroklav.

Premiera e filmit u dha në Vroklav në nëntor 2016.

Ky film është shfaqur gjithashtu në SHBA dhe Britani të Madhe./ KultPlus.com

Fëmijët e Prishtinës vazhdojnë traditën, mësojnë për lojërat e gjyshërve

Alberina Haxhijaj

Loja me tërheqje, gura-peshk, kullas, kliqka, bëz-bëz, pit-pitak (me shtaga), turraz, sorra, cic- mic (dëgërrxhik), fshehurazi (symbylltazi) dhe loja me guralec janë lojërat të cilat fëmijët sot mësuan për to dhe i zhvilluan së bashku në mjediset e Muzeut të Kosovës, shkruan KultPlus.

Pleqtë i rikthyen në praktikë ndërsa fëmijët mësuan sot se si paraardhësit e tyre argëtoheshin në kohërat kur të parëve u mungonin videolojërat e interneti për ta kaluar kohën e lirë.

Të shoqëruar nga gjyshërit dhe prindërit, fëmijët patën mundësinë që të mësojnë më shumë për “Lojërat e gjyshërve tanë” aktivitet që u organizua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve.

Pedagogia muzeore, Besnike Rraci-Gjikolli nga Muzeu i Kosovës tha se “Lojërat e gjyshërve tanë” vijnë si thirrje që fëmijët të mësojnë më shumë për këto lojëra por edhe t’i shijojnë ato.

“Këtë vit e kemi temën “Trashëgimia ndër brezat” dhe kemi ftuar fëmijët nga shkollat e ndryshme së bashku me gjyshërit dhe gjyshet e tyre. Esenca e gjithë programit është që të kthejmë vëmendjen e fëmijëve nga lojërat e mëparshme, që ata të rrinë më shumë në natyrë dhe të largohen nga pajisjet elektronike”, u shpreh ajo.

Të vegjlit të cilët vizituan sot Lapidariumin e Muzeut të Kosovës patën mundësin që të luanin lojëra të vjetra tradicionale të gjyshërve të tyre. E kjo është konsideruar shumë e rëndësishme për gjyshet dhe gjyshërit që sollën nipat e tyre në këtë aktivitet.

Feride Zeqiri e cila kishte sjellë mbesën e saj Sarah Zeqirin kujtoi për KultPlus kohën kur vet si fëmijë kishte luajtur këto lojëra. Duke shtuar se tani lojën si tërheqja me litarë dhe lojën me guralec, ua ka mësuar edhe mbesave dhe nipave të saj.

“Kjo është diçka shumë e vlefshme. Fëmijët mësojnë për lojërat por edhe ne gjyshet mësojmë më shumë për muzeun e aktivitetet e tij të cilat ne më parë nuk i kemi përcjellë. Kjo është diçka e mirë pasi që fëmijët po largohen prej pajisjeve elektronike. Sepse tash fëmijët më shumë po luajnë më këto lojërat e reja që janë edhe nëpër telefonë sesa me lojërat që kanë qenë përpara. Lojëra të cilat ne i kemi luajtur shumë”, tha ajo për KultPlus.

Duke bërë gara më njëri-tjetrin e duke tërhequr litarët, duke luajtur më gurë dhe duke vrapuar fëmijët të lodhur pastaj janë ulur në sofrat të cilat ishin shtruar posaçërisht për ta, me ushqime tradicionale./ KultPlus.com

Kosova dhe Shqipëria vazhdojnë prezantimin e përbashkët në festivalin e Kanës

Qendra Kinematografike e Kosovës bashkë me atë të Shqipërisë do të jenë pjesë e tregut të madh ‘Marche Du Film’ të festivalit prestigjioz të Kanës nga data 8 deri më 17 maj 2018.

Këtë vit lokacioni i pavijonit do të jetë në një hapësirë më të mirë dhe pranë shteteve me industri më të zhvilluar të filmit. Pavijoni do të jetë i vendosur afër shteteve të Evropës Juglindore, Republikës Çeke, Sllovakisë, Amerikës, Gjermanisë etj.

Në ‘Marche Du Film’ do të prezantohen të rejat e kinematografisë kosovare, si me anë të katalogut, ashtu edhe duke i prezantuar të gjithë filmat e mbështetur nga QKK para producentëve ndërkombëtar, përfaqësuesve të fondeve të filmit, të festivaleve, agjentëve të shitjes, distributorëve etj.

Gjatë qëndrimit në Kanë do të mbahen shumë takime me partnerë ndërkombëtar të kinematografisë, fonde filmi, përfaqësues të festivaleve të mëdha ndërkombëtare, producentë e distributorë të ndryshëm ku edhe pritet të nënshkruhen disa marrëveshje./ KultPlus.com

Sa më lëndon

Poezi nga Jaime Sabines, sjellë në shqip nga Erion Karabolli.

Butësisht, padurueshëm, ti më lëndon.
Merrma kokën. Këputma qafën.
Asgjë s’më mbetet pas kësaj dashurie.
Midis gërmadhave të shpirtit tim kërkomë, aty dëgjomë.
Diku aty ka mbetur zëri im dhe thërret,
kërkon mrekullinë tënde, heshtjen tënde që ndrit.
Duke kaptuar mure, mjedise, mosha,
fytyra jote (sa qartë duket fytyra jote!) prej vdekjes vjen,
prej dikurshëm, nga dita e parë që botën të zgjojë.
Ç’fytyrë e qartë, ç’dritë e butë, dritë e përhumbur,
ç’përvijim i ëmbël mbi gjethe uji!
I dua ata sy, i dua, i dua sytë e tu.
Si fëmija i atyre syve jam, jam si një pikë loti i syve të tu.
Ngremë. Te këmbët e tua kam rënë, ngremë nga toka,
nga hija ku ti shkel, nga cepi i dhomës tënde që kurrë, as në ëndërr nuk e sheh.
Ngremë. Në duart e tua kam rënë dhe dua të jetoj, të jetoj, të jetoj.

Artistët nga Shqipëria sollën gërshetim të mahnitshëm muzikor në Chopin Piano Fest (FOTO)

Gili Hoxhaj

Para objektit ku po mbahet tash e disa net “Chopin Piano Fest Prishtina”, vizitorët e shohin të shkruar pikërisht emrin e këtij festivali, dritat e kuqe pranë hyrjes veçse janë një ftesë më shumë për të hyrë në një festival ku interpretuesit e veprat janë të zgjedhura. Ky festival që është bërë pikëtakim i dëgjuesve me interpretues të huaj e vendor po e vazhdon traditën tashmë në edicionin e 9-të të tij.

Pas emrave të njohur vendor e interpretuesish nga vende si Portugalia, Franca, Austria, Kroacia, Maqedonia, mbrëmë ky festival solli dy instrumentistë nga Shqipëria. Për ata që janë adhurues të muzikës klasike dhe e ndjekin atë, këta dy emra nuk janë të panjohur për shkak që aktiviteti i tyre është i shtrirë në rajon e më gjerë. Ata kanë interpretuar edhe në shumë vende të botës. Klaidi Sahatçi në violinë e Merita Rexha Tërshana në piano u sollën një lojë bindëse publikut prishtinas.

Veprat që ata kishin zgjedhur tregonin për përkushtimin e tyre për t’i dhuruar më të mirën nga loja publikut të Kosovës. Vepra e tyre e parë mbrëmë erdhi si një rrugëtim nga i cili publiku nuk do ndahej lehtë. Ata interpretuan Sonatën nr. 9 op.47 të Bethoovenit, e njohur ndryshe edhe si “Sonata Kreutzer”. Këtë vepër kompozitori i njohur Bethooven ia kishte dedikuar violinistit George Bridgetower, me të cilin e solli edhe premierë në orët e hershme të ditës së 24 majit të vitit 1803 në Augarten Theatre. Pas një zënke me Bridgetower, pas performances Bethooveni kishte vendosur t’ia dedikoi një violinisti tjetër që quhet Rodolphe Kreutzer.

Vepra si e tillë ishte një përzierje emocionale sa që tingujt vijnë në trajta më ndryshe, herë më të qetë e herë më të fuqishëm, e që kombinimi i lojës së këtyre dy interpretuesve arrinte t’i përmbushte kërkesat e kësaj vepre. Pas kësaj, ata të dy sollën një sonatë tjetër nga kompozitori César Franck. (Sonata A-dur) për piano dhe violinë, është vepër të cilën kompozitori e kishte shkruar në moshën 63 vjeçare, në vitin 1886 si dhuratë e martesës për violinistin belg, Eugène Ysaÿe. Kjo vepër kërkon tejet përkushtim, e bagazh interpretues andaj dhe rëndom është luajtur nga pianist e violinist të njohur. Krejt në fund dyshja nga Shqipëria sollën veprën (Nocturno Posthumous Cis-mol) të kompozitorit më virtuoz në histori, Frédéric Chopin. Me këtë vepër si përfundim i koncertit, ata u kthyen për të dytën herë në skenë nga duartrokitjet e publikut, një pjesë e të cilëve edhe u ngrit në këmbë.

Të dy instrumentistët nga Shqipëria edhe nga eksperienca e tyre e shpeshte e interpretimit së bashku, dëshmonin një komunikim e harmoni të interpretimit, që dhuronte një gërshetim të rrallë artistik mes dy instrumentesh. Shpesh tingujt e violinës zgjateshin, e të pianos rëndoheshin por edhe në disa raste tingujt e instrumenteve vinin të ndarë nga njëra-tjetra, duke lënë publikun të shijoi lojën e vetëm njërit nga interpretuesit, për ta bërë më pas bashkimin e tingujve edhe më të bukur. Kur instrumentistit arrinin notën e fundit, duart e tyre shkëputeshin me ngadalësi nga instrumenti, duke i dhënë publikut edhe në momente të fundit një ndjesi artistike. Merita Rexha Tërshana është një nga pianistet më aktive në skenën muzikore shqiptare. Ajo tregoi për KultPlus se fakti që Festivali Chopin Piano Fest e ka në qendër të tij pianon, ajo e kishte pranuar më shumë kënaqësi ftesën e këtij festivali.

“Chopini është një nga kompozitorët e mi të preferuar, ashtu si për shumë pianist andaj është shumë kënaqësi që erdha këtu. Dy sonatat që interpretuam janë dy sonata impenjative dhe më të interpretuarat sa i përket këtij formati dhe fakti që janë aq të njohura gjithnjë përpiqesh t’i bësh gjërat më ndryshe nga ajo që janë mësuar ta dëgjojnë publiku”, u shpreh pianistja Merita e cila tha se ndihet e kënaqur me rezultatin pasi që edhe dhanë dhe morën emocione për publikun.

Klaidi Sahatçi përveç interpretimit e tingujve të plotë, u prezantua edhe me një lojë elegante e me muzikalitet tejet të theksuar. I vendosur në këmbë pranë pianistes, përveç duarve, ai shpesh lëvizte dhe këmbët duke bërë hapa mbrapa e përkulje të lehta. Sahatçi tregoi se u ndje shumë mirë me praninë e publikut të Prishtinës, për të cilin tha se ishte shumë i vëmendshëm gjatë koncertit dhe tek ata ndihet dhe pozitiviteti me të cilin vjen në koncert, e që atyre si artistë u ka dhënë frymëzim që të japin maksimumin.

“Vepra e Chopinit ishte një homazh për Festivalin dhe është një melodi shumë e bukur dhe funksionon mirë edhe me violinën pasi që i jep diçka edhe më ndryshe nga pianio, kurse veprat e tjera mendoj se janë më të rëndësishmet sa i përket reportorit violinistik dhe pianistik dhe për këtë doja që t’i prezantoja publikut të Prishtinës vepra më me peshë, ndërsa edhe këto dy vepra ishin edhe emocionalisht shumë të forta” tregoi violinisti Klaidi Sahatçi.

Chopin Piano Fest në mbrëmjen e radhës sjellë “Podium artistik”, me studentët e Pianos, në Fakultetin e Arteve të UP-së. Mbrëmja mbahet të enjten dhe fillon nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Qendrore Universitare./ KultPlus.com

Ndërtohet biblioteka më moderne në botë

Këtë të hënë u inaugurua biblioteka Kombëtare e Katarit në Doha. Kjo bibliotekë cilësohet si një nga projektet më moderne.

Emiri i Katarit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani inauguroi duke vendosur në raftet e saj librin e njëmiliontë, një kopje dorëshkrimi i rrallë i “Sahih Buhari” i shkruar para 843 vjetësh, çka shënoi dhe hapjen zyrtarisht të bibliotekës me një kapacitet total prej 2 milion e 200 mijë librash.

Në ceremoninë e hapjes së bibliotekës morën pjesë të ftuar nga 52 vende të botës, përfshirë Babain Emir Sheik Hamad bin Kalifa Al Thani, Princeshën e Marokut Laila Hasna, Zëvendëskryeministrin e Omanit Fahd Bin Mahmud Al Said, Ndihmës kryeministrin turk Bekir Bozdag, Shefin e Kabinetit të Kuvajtit Ali Jarrah Al Sabah, ish-presidentin turk Abdullah Gul, ish-presidentin francez Nicolas Sarkozy, ish-kryeministrin italian Matteo Renzi, si dhe ish-presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga.

Në fjalën e hapjes, Sheikha Moza Bint Nasser tha se “librat dhe bibliotekat kanë treguar gjatë historisë thellësinë e marrëdhënies mes njeriut dhe shkrimit si një burim i qytetërimit njerëzor”, dhe shprehu aspiratën e saj që Biblioteka Kombëtare e Katarit të jetë “një mekanizëm modern për të mbështetur avancimin e kulturës vendase dhe për të ringjallur praninë e trashëgimisë arabe nëpërmjet leximit”.

Në fjalën e tij, arkitekti i bibliotekës holandeze Rum Koolhaas theksoi se “dizajnet arkitektonike mund të zgjidhin situata, të sigurojnë opsione, të krijojnë bukuri dhe të japin qetësi. Gjithashtu ato ka potencial të madh për të sjellë ndryshime dhe transformime të thella”.

Shefi Ekzekutiv i Bibliotekës Britanike Roly Keating ligjëroi për rëndësinë e bibliotekave, ndërsa themeluesi i Media Lab në MIT (Massachusetts Institute of Technology) Nicholas Negroponte foli për impaktet e teknologjisë në shërbimet bibliotekare.

Ceremonia u ndoq nga një film i shkurtër në lidhje me objektet e bibliotekës dhe karakteristikat arkitektonike të ndërtesës, si një mjet që pasqyron udhëtimin e Katarit në shkencë dhe njohuri.

Biblioteka ka një kapacitet prej 1,200,000 librash. Ndërtesa përfshin një sektor të veçantë trashëgimie që përmban 50 mijë materiale historike dhe kulturore, përfshirë 4 mijë dorëshkrime, 1400 harta historike, 26 mijë libra të rrallë, krahas dhjetra atlaseve dhe 30 mijë fotografi, si dhe mjete lundrimi dhe astronomie të lashta.

Ajo gjithashtu përfshin një ekspozitë të përhershme të bibliotekës tradicionale dhe një tjetër dixhitale rreth grafikës së informacionit, dhe një sektor “Blind Club”, një projekt ky që synon sigurimin e mundësive të barabarta për të verbërit në rrjetet sociale dhe në përdorimin e shërbimeve dhe materialeve bibliotekare.

Biblioteka mbështet progresin e Shtetit të Katarit në transformimin nga varësia në burimet natyrore tek diversifikimi i burimeve të ekonomisë për të ruajtur qëndrueshmërinë, si dhe disponueshmërinë e burimeve të njohurive të nevojshme për studentët, hulumtuesit dhe të gjithë ata që janë rezidentë në Katar.

Ndërtesa e bibliotekës është e pajisur për të gjitha kategoritë e vizitorëve si psh njerëzit me nevoja të veçanta, dhe përmban një numër risish teknologjike, si sisteme të automatizuara klasifikimi të librave, ekrane dhe media interaktive, dhe pajisje huazimi dhe kthimi automatik të librave.

Librat në Bibliotekën Kombëtare të Katarit ndahen në tri fusha kryesore, ku midis të tjerash ofrohen mbi 150 mijë libra dhe revista për fëmijët dhe adoleshentët, rreth 200 burime elektronike. Secila prej këtyre materialeve përfaqëson një dritare të fjalës së fundit të njohurive njerëzore./ KultPlus.com

Kino ARMATA, fton artdashësit të diskutojnë për mënyrën e funksionimit të kësaj hapësirës në të ardhmen

Kino ARMATA, shtëpia e filmit dhe kulturës, prej kësaj jave ka filluar misionin e saj në promovimin e shprehjeve alternative artistike.

Pak prej banorëve të Prishtinës e mbajnë mend si kinema ku në vitet e ’80-ta janë shfaqur filmat me Bruce Lee, Bud Spencer dhe Terence Hill, Asterix, e heronj tjerë të kinematografisë së asaj kohe; deri tash ajo ka qenë e mbyllur për publikun e gjerë.

Për këtë shkak ftohen të gjithë artdashësit (por jo vetëm) në takim joformal këtë të premte, 20 prill, prej orës 18:00, ku do të ketë diskutim për mënyrën se si do të funksionojë hapësira në të ardhmen.

“Ndoshta dikush do të vijë vetëm për çështje nostalgjie, por ju inkurajojmë që të vini me ide dhe rekomandime të cilat do të na ndihmonin në krijimin e platformës programore e cila është ende në konceptim. Mos hezitoni t’i merrni edhe fëmijët në takim, sepse mendojmë se rritja e tyre në atmosferë të shëndoshë kulturore është shumë e rëndësishme për zhvillimin e mirëfilltë shoqëror”, thuhet në ftesën e menaxhuesit të kësaj hapësire Alush Gashi.

“Gjatë takimit do të lëshojmë (dhe ekzekutojmë) muzikë të improvizuar, kështu që kush donë mund t’i sjellë instrumentet e veta muzikore dhe të na bashkangjitet në skenën e kinemasë. Duke qenë se hapësira ende nuk është plotësisht funksionale, në frymën më të mirë të organizimit komunal ju ftojmë të sjellni pije dhe freskim për vete”, thuhet tutje në njoftim./ KultPlus.com
https://www.facebook.com/events/184450392277778/

Hapet gara e postereve dhe sloganeve rreth arsimit cilësor

Dizajno posterin dhe krijo sloganin tënd për të qenë pjesë e garës!

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Zyra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian janë të lumtur të prezantojnë garën për dizajnimin e postereve dhe sloganeve në rëndësinë e arsimit cilësor në Kosovë.

Krahas Kampanjës në Arsim Cilësor e cila do të lansohet shumë shpejt në Kosovë, dizajnerët por edhe të gjithë personat kreativë mund të aplikojnë në këtë garë me punët e tyre artistike.

Çka është arsimi cilësor? Çka nënkupton arsimi dhe edukimi për ty dhe si mund ta ndryshojë arsimi cilësor mendësinë në Kosovë? Çka mund të bëhet për përmirësimin e arsimit, cila janë pikat e forta dhe të dobëta të arsimit në Kosovë? Si e shihni ju lidhjen në mes të Bashkimit Evropian dhe arsimit në Kosovë?

Bëhu kreativ dhe dorëzo punën tënde për të qenë pjesë e garës. Çmimi prej €1000 do të ndahet në gjysmë për dy fituesit e garës.

Posterët do të jenë pjesë e ekspozitës në EUICC në Prishtinë dhe në Mitrovicë, si pjesë e aktiviteteve për Ditën e Evropës.
Afati i fundit për aplikim në garën tonë është 30 prill 2018!

Për më shumë informacione rreth aplikimit vizitoni www.euicc-ks.com, ndërsa pyetjet mund ti adresoni në [email protected]

Dita Ndërkombëtare e Monumenteve, hyrja falas në site arkeologjike

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Monumentet dhe Sitet Arkeologjike Shqipëria i bashkohet kësaj dite ndërkombëtare dhe të gjitha institucionet kombëtare që administrojnë vlera të trashëgimisë kulturore kryesisht monumente në administrim të DRKK-ve dhe parqet arkeologjike do të përfshihen gjatë gjithë javës në një kalendar aktivitetesh.

Çdo vit më 18 Prill ICOMOS përkujton Ditën Ndërkombëtare për Monumentet dhe Sitet Arkeologjike, e cila u krijua pas miratimit nga Konferenca e 22-të e Përgjithshme e UNESCO-s në 1983.

Qëllimi i kësaj dite është të inkurajojë individët dhe komunitetet lokale në të gjithë botën që të vlerësojnë rëndësinë e trashëgimisë kulturore për jetën, identitetet dhe komunitet e tyre dhe të rrisë ndërgjegjësimin për diversitetin por edhe rrezikun që i kanoset asaj duke nxitur përpjekjet për mbrojtjen e ruajtjen e kësaj trashëgimie.

Në 2018 tema e cila do të shoqërojë të gjithë veprimtaritë është Trashëgimia Kulturore për Brezat që udhëhiqet nga Grupi i Punës së ICOMOS për Profesionistët e Rinj. Shkëmbimi i eksperiencave dhe kalimi i njohurive ndërmjet brezave është hap i rëndësishëm në zhvillimin kulturor, duke e bërë përvojën njerëzore të paharrueshme.

Lidershipi/ Profesionistët e Rinj në çdo vend do të jenë në krye për të organizuar aktivitet që kanë për synim të komunikojnë me anëtarët më të rinj të shoqërisë e opinionit publik duke dëshmuar përdorimin sa më krijues të medias sociale.

Ndërkohë Drejtoria e Programeve të Zhvillimit të Kulturës në përmbushje të programit të saj në funksion të ruajtjes, mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë dhe identitetit tonë kombëtar në bashkëpunim me institucionet e saj, në përputhje me temën e përzgjedhur nga ICOMOS për 2018 “Edukimi përmes kulturës” ka përgatitur një listë aktivitetesh kulturore.

Në këtë ditë hyrja në monumente, parqe kombëtare dhe site arkeologjike është falas./ KultPlus.com

Kjo është juria e edicionit të 71-të të Festivalit të Filmit në Kanë

Tashmë është bërë publike lista e plotë e anëtarëve të jurisë që do të jenë në Festivalin e Kanës, këtë vit.

Për këtë edicion i cili do të mbahet nga 8 deri më 19 maj, festivali ka ftuar 5 gra dhe 4 burra të 7 nacionalitete të ndryshme që vijnë nga 5 kontinente, nën direktivat e presidentes së jurisë Cate Blanchett, shkruan KultPlus.

Këtë vit në juri janë Cate Blanchett-President, ajo është aktore nga Australia dhe producente. Aktori nga Kina, Chang Chen. Shkrimtarja, regjisorja dhe producentja amerikane, Ava DuVernay. Regjisori, shkrimtari dhe producenti nga Franca, Robert Guédiguian. Pastaj kompozitorja, tekst shkruesja dhe këngëtarja, Khadja Nin. Aktorja franceze, Léa Seydoux. Aktorja amerikane Kristen Stewart. Shkrimtari dhe regjisori kanadeze, Denis Villeneuve si dhe shkrimtari dhe regjisori nga Rusia, Andrey Zvyagintsev.

Juria do të publikojë listën e fituesve të shtunën më 19 maj gjatë ceremonisë përmbyllëse./ KultPlus.com

Raporti i Progresit: Kosova duhet ta respektojë të drejtën e Kishës Ortodokse Serbe

Komisioni Evropian në Raportin e Progresit të publikuar dje, mes tjerash për Kosovën ka përmendur edhe fushën e kulturës, artit dhe të drejtave kulturore.

Në një pjesë të raportit përmenden marrëdhëniet mes autoriteteve kosovare dhe Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Dihet se trashëgimia serbe në Kosovë është problematike dhe se në të kaluarën ka pasur tensione në këtë fushë mes dy shteteve.

“Ka një përpjekje që këto marrëdhënie të ripërtërihen. Njësiti i Policisë së Kosovës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Fetare dhe Kulturore i mbron objektet e trashëgimisë kulturore serbe. Disa incidente të vogla janë raportuar në disa raste. Autoritetet e Kosovës megjithatë duhet të tregojnë se Kisha Ortodokse Serbe i ka të gjitha të drejtat mbi territorin dhe pronësinë e saj. Kosova duhet të tregojë se e respekton këtë të drejtë” shkruhet mes tjerash në Raportin e publikuar dje, me vonesë dhe aspak premtues për Kosovën, shkruan KultPlus.

Raporti ka përmendur se ka nevojë për më shumë përpjekje për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nëpër Kosovë.

“Qeveria ka bashkëpunuar me EU në draftimin e strategjisë për trashëgimi kulturore 2017-2027. I njëjti përkushtim pritet edhe për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Trashëgimi Kulturore” shkruhet në këtë raport.
Duhet të punohet më shumë edhe për përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në UNESCO, ndërsa në përgjithësi raporti vlerëson se ka pasur zero progres në fushën e edukimit dhe kulturës. / KultPlus.com

Sot shënohet Dita e Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës

18 prill është Dita e Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës.

Për nder të dëshmorëve të rënë, Komuna e Prishtinës ka organizuar disa aktivitete.

Aktivitetet:
10:00 – Homazhe në varrezat e dëshmorëve në Velani;
10:30 – Nderime te shtatorja e Heroit Zahir Pajaziti;
10:40 – Dhurimi i gjakut në sheshin “Zahir Pajaziti”;
11:30 – Homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në fshatrat Makoc, Mramor, Prapashticë, Dabishec, Canaj, Barilevë, Rimanishtë, Koliq, Stallovë;
13:00 – Tubimi Qendror – Epopeja e UÇK-së në fshatin Marec;

15:30 – Homazhe në Memorialin e Dëshmorëve na fshatin Sharban;
18:00 – Akademia përkujtimore “Dita e Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës”, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.

Bebe Rexha është nominuar në Billboard Music Awards

Ceremonia e ndarjes së çmimeve, Billboard Music Awards, është shumë pranë (më 20 maj), ndërsa tashmë është bërë publikimi zyrtar i nominimeve.

Ditën e martë, DJ Khalid dhe Bebe Rexha janë bashkuar për t’i publikuar shtatë nominimet në kategoritë e mëdha të BBMA në emisionin Today, duke përfshirë artistin më të mirë, këngën më të mirë ‘Hot 100’ dhe artistin e ri më të mirë.

Pjesa tjetër e nominimeve është dhënë përmes një transmetimi të drejpërdrejtë në faqen e Facebookut të Billboard dhe faqen e BBMA në këtë rrjet social.

Konkurrentë në Billboard Music Awards janë edhe Khalid edhe këngëtarja shqiptare, prandaj ata e patën nderin që t’i tregonin nominimet e njëri-tjetrit.

“Unë jam një vajzë nga New Yorku, nuk mendoja se do të isha e nominuar për një çmim ‘country’!”, ka thënë Bebe.

Ceremonia e ‘Billboard Music Awards 2018’ do të mbahet në MGM Grand Garden Arena në Las Vegas të dielën (20 maj).

Më poshtë janë disa prej nominimeve kryesore:

Artisti më i mirë
Drake
Kendrick Lamar
Bruno Mars
Ed Sheeran
Taylor Swift

Artistja më e mirë femër
Camila Cabello
Cardi B
Halsey
Demi Lovato
Taylor Swift

Artisti më i mirë mashkull
Drake
Kendrick Lamar
Bruno Mars
Post Malone
Ed Sheeran

Kënga më e mirë ‘Hot 100’
Luis Fonsi & Daddy Yankee ft. Justin Bieber, “Despacito”
Kendrick Lamar, “Humble.”
Bruno Mars, “That’s What I Like”
Post Malone ft. 21 Savage, “Rockstar”
Ed Sheeran, “Shape Of You”

Albumi më i shitur
Kendrick Lamar, DAMN.
P!nk, Beautiful Trauma
Ed Sheeran, ÷ (Divide)
Chris Stapleton, From A Room: Volume 1
Taylor Sëift, reputation

Kënga me mirë ‘country’
Kane Brown ft. Lauren Alaina, “What Ifs”
Sam Hunt, “Body Like A Back Road”
Dustin Lynch, “Small Town Boy”
Bebe Rexha & Florida Georgia Line, “Meant To Be”
Brett Young, “In Case You Didn’t Know”

Artisti i ri më i mirë
21 Savage
Camila Cabello
Cardi B
Khalid
Kodak Black