Bebe Rexha dhe Eminem performojnë së bashku në Coachella (VIDEO)

Festivali Coachella Valley Music and Arts Festival tashmë ka filluar dhe po mbledh rreth vetës emra të njohur të muzikës.

Në skenën e këtij festivali është ngjitur edhe këngëtarja Bebe Rexha për të performuar së bashku me Eminem këngën “The Monster”, shkruan KultPlus.

Këngëtarja Bebe Rexha edhe pas performancës ka qenë e shokuar nga ky bashkë interpretim. Këngëtarja e cila ka qenë edhe bashkë autore e tekstit “The Monster” asnjëherë nuk e kishte menduar se do të performonte në skenë së bashku me këngëtarin.

Ajo përmes llogarisë së saj në Twitter ka shkruar në lidhje me këtë interpretim.

“Posa performova ‘The Monster’ së bashku me Eminem në Coachella. E kam shkruar këtë këngë në vitin 2013 në një kohë kur mendoja se nuk do arrija që t’i realizoj ëndrrat e mia. Pesë vite më vonë, heroi im më ftoi në një nga skenat më të mëdha botërore për të kënduar këtë këngë që ka shumë kuptim për mua.”, ka shkruar këngëtarja Bebe Rexha.

https://www.youtube.com/watch?v=cJRaoYpqlFY

Në skenë për të performuar këngë të ndryshme gjatë këtij koncerti Eminem kishte ftuar edhe këngëtar të tjerë si: Dr Dre, Skylar Grey, 50 Cent, e shumë të tjerë./ KultPlus.com

Drama fituese e Pulitzer inskenohet në Teatrin Metropol

Kanë mbetur edhe tri ditë nga premiera e shfaqjes “Natën, Má”, në Teatrin Metropol në Tiranë.

Shfaqje sjellë dramën fituese të çmimit Pulitzer dhe të çmimit të Teatrit Botëror nga autorja Marsha Norman. Drama “Natën, Má”, vjen si produksion ekskluziv dhe premierë absolute e teatrit Metropol, me regji të Ema Andreas dhe interpretimin e shkëlqyer të Ilire Vincës dhe Egla Cenos, shkruan KultPlus.

Telma, një grua në të 50-at jeton me të bijën 30-vjeçare, Xhesin në një të njëjtën shtëpi. Në një mbrëmje në dukje të zakontë, midis bisedës për manikyrin dhe pazarin e javës, papritur Xhesi zbret nga papafingoja me pistoletën e babait të saj. Ajo me qetësi i komunikon të ëmës një vendim të rëndësishëm që do të ndryshojë jetët e të dyjave. Në orën në vijim zbulohet e jashtëzakonshmja brenda jetës rutinë, urgjentja brenda normalitetit, dëshpërimi brenda dashurisë.

Muzikën për këtë shfaqje e ka bërë Bojken Lako, muzikantë do jenë Endi Aron Cekani, Rei Kondakçiu, skenografina e shfaqjes është realizuar nga Enjo Shehi kurse identiteti vizual Vincenzo Giannattasio.

Shfaqja do të ngjitet në skenë në datat 20 prill – 6 maj, në ora 19:00 në Teatrin Metropol./ KultPlus.com

Ka vdekur aktori Harry Anderson

Harry Anderson ka ndërruar jetë në moshën 65-vjeçare.

Aktori vdiq të hënën në një shtëpi në Asheville. Deri tani, nuk raportohet për shkakun e vdekjes.

Harry luajti rolin e gjykatësit Harry T.Stone në “Night Court” në mesin e viteve ’80 transmeton Klan Kosova. Aktori së fundi luajti rolin kryesor në “A Matter of Faith” në vitin 2014./ KultPlus.com

Në Muzeun e Kosovës nisë projekti “Qytetet e Paqës”

Dje, më 16 prill, në Muzeun e Kosovës, ka filluar projekti “Qytetet e Paqës”, i cili është një bashkëpunim që njihet si një projekt Global.

Projekti drejtohet nga Ellen Frank, e cila ka formuar një konsorcium pune me katër entitete në Kosovë, pra në partneritet me:
Muzeun e Kosovës
Trashëgiminë Kulturore pa Kufijë
Universitetin e Prishtinës
Bibliotekën Kombëtare të Kosovës

Frank është shprehur së është e ngazëllyer me ardhjen në Kosovë, duke e vlerësuar lartë takimin me stafin dhe drejtorin e Muzeut të Kosovës.

“Jam e lumtur për arritjen e këtij bashkëpunimi. Asistentja ime sa ka arritur nga Armenia, që është një demonstrim I demokracisë kulturore. Fuqia e artit është për të kaluar kufijtë Ndërkombëtar. Ky është vetëm fillimi në mes Muzeut të Kosovës dhe Qyteteve të Paqës, gjithashtu me festën e diversitetit kulturor”.

Në anën tjetër, Muzeu i Kosovës, është i kënaqur që të presë një projekt të madh dhe të mahnitshëm si Qytetet e Paqës. Ky është një projekt i madh që do të ndihmojë të promovohet trashëgimia kulturore e Kosovës, me qytetet e tjera botërore (Jeruzalem, Sarajevë, Jerevan, Hiroshima etj).

Gjatë këtij projekti 2 mujor do të ketë simpoziume dhe debate të cilat do të përfundojnë me krijimin e një pikture të madhe me një teknik të veçantë që do të prezantojë trashëgiminë dhe kulturën e Kosovës.

Kjo pikturë e mahnitshme me fletë ari do të bashkojë etni të ndryshme në Kosovë që të shprehin trashëgiminë e Kosovës. Ky projekt do të na ndihmojë që të kemi institucione gjithëpërfshirëse dhe interaktive të hapura për shoqërinë.

Piktura e Kosovës do të udhëtojë me 10 piktura të tjera në shtete të ndryshme botërore. Por për pikturën e Kosovës, kemi arritur edhe një marrëveshje, që piktura të udhëtojë deri në fund të vitit në Kombet e Bashkuara në SHBA së bashku me dokumentarin (që do të bëhet gjatë 2 muajve), kështu që do të kemi një prezantim më të gjerë të shtetit kosovar./ KultPlus.com

Elhaida Dani “pushton” Rusinë, Kryeministri e pret me lule

Elhaida Dani ka udhëtuar drejt Kremlinit për të interpretuar si aktore në shfaqjen “Katedralja e Parisit”.

Shfaqja luhet në Pallatin e Kremlinit, ku këngëtarja shqiptare ka rolin kryesor, atë të Esmeraldës.

Pas shfaqjes së të dielës në Pallatin e Kremlinit, Elhaida nuk mori vetëm duartrokitjet e publikut vendas, por edhe mirënjohjen e Kryeministrit rus, Dmitry Medvedev, i cili i kishte dërguar një buqetë me lule.

Vetë këngëtarja e njohur shqiptare postoi në rrjetet sociale dhuratën e marrë me falënderimin përkatës.

Ndërsa, edhe Ambasada e Rusisë në Shqipëri ka shkruar për këtë ngjarje, duke thënë se “kultura bashkon”.

“Këngëtarja e njohur shqiptare Elhaida Dani ndodhet në Rusi si aktore e shfaqjes ‘Katedralja e Parisit’ që luhet në Pallatin e Kremlinit dhe ku ka rolin kryesor, atë të Esmeraldës. Mbrëmë pas shfaqjes, Elhaida mori një buqetë me lule nga kryeministri i Rusisë Dmitri Medvedev. Lajmin e bëri të ditur vetë këngëtarja në një nga postimet e saj”, ka shkruar kjo Ambasadë në Facebook./KultPlus.com

Është e ndaluar

Poezi e shkruar nga Pablo Neruda.

Është e ndaluar:
të qash pa nxjerrë një mësim,
të çohesh një ditë pa ditur çfarë të bësh,
të kesh frikë nga kujtimet…

Është e ndaluar:
të mos u buzëqeshësh problemeve,
të mos luftosh për atë çfarë do,
të braktisësh gjithçka nga frika,
të mos realizosh ëndrrat…

Është e ndaluar:
të mos tregosh dashurinë,
të bësh dikë të paguajë
per dyshimet dhe humorin tënd të keq…

Është e ndaluar:
të mos jesh vetvetja para njerëzve,
të pretendosh nga njerëz që nuk të interesojnë,
të bësh qesharakun me qëllim që të të kujtojnë,
të harrosh të gjithë njerëzit që të duan…

Është e ndaluar:
të mos bësh gjërat për veten tënde,
të mos kesh besim në vetvete,
të mos plotësosh fatin tënd,
të kesh frikë nga jeta dhe angazhimet e saj…

Të mos jetosh çdo ditë
sikur të jetë frymëmarrja e fundit…

Është e ndaluar:
t’i japësh dikujt më pak nga sa mundesh,
të mos ndjesh lumturinë,
të harrosh sytë, buzëqeshjen e tij, gjithçka
sepse rrugët tuaja nuk kryqëzohen më,
të harrosh të kaluarën
dhe ta bësh të paguajë me të tashmen…

Është e ndaluar:
të mos përpiqesh të kuptosh njerëzit,
të mendosh se jeta jote vlen më shumë se e tyre,
të mos kuptosh se gjithkush ka rrugën dhe fatin e tij…

Është e ndaluar:
të mos besosh historinë tënde,
të mos kesh kohë për njerëzit që kanë nevojë për ty,
të mos kuptosh se jeta atë që të jep
mund dhe të ta marre prapë…

Është e ndaluar:
të mos kërkosh lumturinë,
të mos jetosh jetën
duke patur një qëndrim pozitiv ndaj saj,
të mos mendojmë se mund të përmirësohemi…

Është e ndaluar
Të mos mendosh se kjo botë
Do mund të ishte e njëjtë pa ty…

L’ ecrivain chilien Pablo Neruda (1904-1973, nom de plume de Neftali Ricardo Reyes Basoalto) vers 1969 — chilean writer Pablo Neruda, (1904-1973, pen-name of Neftali Ricardo Reyes Basoalto) c. 1969

Grafite me portretin e Oliver Ivanoviqit në Prishtinë e Mitrovicë

Me rastin e tremujorit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit sot në dy qytete të Kosovës dhe në tri qytete të Serbisë kanë gdhirë grafite me portretin e tij dhe me mbishkrimin Oliver.

Grafitet në Kosovë janë vërejtur në Prishtinë e Mitrovicë, ndërsa në Serbi në Nish, Krushevc dhe Kralevë, përcjell n1. Garfite janë vendosur në mure, trotuare dhe institucion,transmeton Koha.net

Iniciativa Qytetare SDP ka përkujtuar se anë kaluar tre muaj nga vrasja e tij liderit ë saj dhe se hetimet nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Kjo iniciativë nesër do të fillojë aksionin që zona për këmbësorë në rrugën Sutjeska, ku është vrarë ai, në të cilën është vrarë Ivanoviq, të marrë emrin e tij./ KultPlus.com

Fotografia e refugjatit të vogël nga Kosova që i dhuroi çmimin Pulitzer fotografes amerikane (FOTO)

16 prilli është data kur në Kukës shënohet Dita e Eksodit, si shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapen dyert e veta për të pritur vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova, shkruan KultPlus.

Fotografja Carol Guzy, ka kapur shumë pamje të refugjatëve nga Kosova që po shkonin drejt Kukësit gjatë luftës së Kosovës. Por me një pamje atje, ajo ka arritur të marr çmimin Pulitzer. Në këtë fotografi shihet një fëmijë refugjat me emrin Agim Shala. Ai në atë kohë 2 vjeçar, shihet teksa gjyshërit e tij e kalojnë përmes gardhit të telave me gjemba tek familjarët e tjerë që po vendoseshin në një kamp në Kukës të Shqipërisë.

“Gardhi ishte skena e shumë ribashkimeve. Kur u nënshkrua marrëveshja e paqes, ata u kthyen në Prizren për të gjetur shtëpitë e tyre që kishin mbetur të dëmtuara lehtë. Kishte lot gëzimi dhe trishtimi nga familja pasi fëmijët kalonin përmes gardhit, simbolik e pafajësisë dhe tmerrit e konfliktit”, shkruhet në përshkrimin e fotografisë.

Ajo thotë se imazhet që ka bërë atje, janë imazhe të dhimbjes dhe shpresës, por çka veçon ajo është se këto pamje e përvoja e kanë prekur atë emocionalisht në momentet kur ka marr rrugën e kthimit.
“Ndihesha shumë fajtore sa që më duhej të hyja në avion dhe t’i leja mbrapa meje shumë nga këto vende. Por unë mendoj se mënyra më e mirë për tu përballur me këtë që t’ia bëni me dije vetes se ajo çfarë po bëni është një mision, kjo nuk është vetëm një punë”, ka thënë Guzy.

“Është një fotografi e mbushur edhe me lumturi”, thotë Guzy. “Familjet që kishin shpëtuar nga spastrimi etnik nuk e dinin nëse të dashurit e tyre kishin mbijetuar apo jo. Kur një familje shihte të afërmit në anën tjetër të telit me gjemba, ata gëzoheshin dhe ua dorëzonin fëmijët e tyre të vegjël, duke pritur që të ribashkohen”, ka thënë fotografja e Washington Post.
Po ashtu në një intervistë, ajo ka treguar se Pulitzer e pranon si dedikim ndaj atyre që janë pjesë e fotografisë.

“Unë nuk besoj se çmimet Pulitzer na përkasin neve, unë mendoj se ne vetëm i pranojmë ata për njerëzit që janë në tregimet tona. Ata janë të guximshmit, janë ata që e tregojnë hapur jetën e tyre në mënyrë që të mund t’i marrim ato fotografi dhe të tregojmë historitë e tyre “, kishte thënë Guzy. / KultPlus.com

Ekskluzive: Kur fisnikët shqiptarë e vizituan Vjenën në vitin 1917, Imzot Kacorri i printe delegacionit (FOTO)

Në mesin e prillit të vitit 1917, një delegacion prej 34 shqiptarësh, të ftuar nga komandanti i forcave ushtarake austriake qe gjindeshin në territoret shqiptare, gjenerali Ignaz Freiherr Trollmann, vizitoj kryeqytetin perandorak austriak Vjenë.

Nga Pjeter Logoreci

Delegacioni që arriti në Austri me 17 prill, u prit në stacionin qëndror hekurudhorë nga shumë personalitete ushtarake dhe diplomatike perandorake, si gjeneralet Trollmann e Myrdacz, gjenerali Ritter von Gross, konsulli Rudnay si dhe gazetari i njohur perandorak Leo Freundlich (i cili ka shkruar e dokumentuar të detajuara momentet e vizitës së delegacionit shqiptar gjatë gjithë kohës, të cilat janë referenca ime në këtë shkrim).

Qellimi i ardhjes së përfaqësuesve shqiptare ishte një takim nderimi me perandorin e ri Karl, si dhe për të bërë homazhe tek varri i perandorit Franz Josef.

Delegacioni, në përberje të cilit ishin burrat më në zë(prijës) nga të gjithë territoret shqiptare, bëri pershtypje të madhe nëqytet. Prijësit e fisem malësore shqiptare të veshur me kostumet e tyre kombëtare, shumëngjyrëshe, të qendisur me fije arit, ndiqeshin me vemendje nga vjenezët, gjatë vizitave të tyre të shumta në pikat më të spikatura të qytetit.Njerzit ishin të befasuar nga pamja kranare e burrërore e këtyre burrave shtatëlartë me mustaqe kreshnikësh që njiheshin deri atë herë vetëm në shkrimet apo veprat e publikuara nga studiusit albanologë austriak. Turma kureshtare njerzish mbushnin trotuaret, kur delegacioni kalonte në makina luksoze, pajtonet karakteristike vjeneze apo në ndonjë vagon special tramvaji, për të shijuar bukuritë e qytetit më në zë europian. Grupi shoqërohej nga Profesorët Gjergj Pekmezi dhe Kolë Rrota që jetonin e punonin në Vjenë.

Në arkivat e ministrisë së jashtme të kohës së perandorisë Austro – Hungareze, gjinden informacione konfidenciale, të cilat janë dërguar (në shifër) nga konsulli austriak në Shqiperi Kral, ministrit të jashtëm kontit Ottokar Czernin, në Vjenë. Dokumentet janë lista që përmbajnë emrat e të ftuarve, e ku për secilin të ftuar, gjindet një pershkrim i shkurtër biografik i bërë nga konsullatat austriake në Shqipëri. Dokumenti i parëështë dërguar nga Shkodra dhe mband datën 10 prill 1917. Listat jane te formuluara sipas ndarjeve te rretheve apo qyteteve:

Bezirku I – RRETHI I SHKODRES

Musa Efendi Juka, Kryetar Bashkie i Shkodres, rrjedh nga një familje e përmendur shkodrane. Në kohën e turkut ai ishte nënpunës i lartë i finanzave në vilajetin e Shkodres. Mbas pushtimit të qytetit nga malazezët (1913) u largua për në Konstantinopel, por me pas u kthye përsëri në Shkoder ku ndihmoj shumë në përhapjen e politikës së turqve të rinj. Për këtë arsye, mbas pushtimit të dytëtë qytetit nga malazezët (1915), u mbajt në burg për një muaj. Eshtë Kalorës i urdhërit të Franz Josefit.

Kol Ujka , tregtar ( ka zevendësuar Gjon Cobën i cili për arsye shëndetsore ka lajmëruar mos marrjen pjesë në grup) Gjon Coba, vjen nga një familje e njohur katolike shkodrane. Babai i tij ishte për 40 vjet përkthyes i konsullatës së pergjithëshme austriake në Shkoder, punë të cilën e ka kryer me nder. Ai ka mbajtur me ne lidhje të ngushta e për këtë në vitin 1915 u internua nga malazezët e Podgoricës. Ai është si babai i tij, një tregëtar i madh.

Hassan Efendi Bekteshi, rrjedh nga një familje e vjetër shkodrane. Eshtë tregëtar i madh. Gjyshi i tij, ishte në kohën e vezirit Mustafa Pasha “Kuluktishibash”, postëkomandant i Shkodres, babai i tij ishte “Bylykbash”, perfaqësues i malesive në Shkoder. Hasan Efendi është politikisht në anen tonë. Në vitet 1914/1915 ndihmoj politikën e turqve të rinj, që vepronte kundër Essad Pashës, prandaj u kap dhe u burgos nga malazezët per një muaj.

Vat Marashi, Bajraktar i Shkrelit. Mudir (administrator)i Pulaj në kohë të turkut dhe të fuqive nderkombëtare. Ai kishte lidhje shumë të mira me autoritetet turke, por pas qëndrimit të njeanshëm poshtërues të turqve u vendos në krah të malësorve. Në pushtimin e parënga malazezët u internua si mbeshtetës i turqve. Ai është një politikan i mirëfilltë dhe një orator i talentuar.

Gjelosh Gjoka, Vojvoda i Kastratit, bashkëpunetori ynë i sinqertë. Ishte në sherbim të princit Wied në Durrës e mbas ikjes së tij u kthye në Kastrat përseri. Kur ushtritë malazeze kaluan kufirin shqiptar ai largohet për në Shkoder (1915). E gjithë pasunia e tij u plackit dhe u dogj në mungesë të tij. Eshtë mbajtës i kryqit të arit për merita.

Abdi Kola, Bajraktari i Shoshit

Hasan Ahmeti, Vojvoda i Postripës

Për Lezhën:

Mano Bey Mehmed Bey, rrjedh nga një familje shumë e vjetër dhe e permendur nga Lezha. Babai, gjyshi si edhe ai vetë ishin Mudir të malsisë së Lezhës. Familja e tij është pronare e madhe tokash.

Ded Coku nga Bregu i Matit,vjen nga fisi Klementi (Nikci), ishte perpara shumë i pasur, por e humbi një pjesë te pasurisë (tokave)për shkak të rebelimit të tij kundër pushtetit osman, luftës kundër rebelleve të Shijakut dhe kundër Essad Pashës. Ai është nacionalist i flakët shqiptar dhe perkrahës i hapur i Austro Hungarisë. Ka luftuar ne anën tonë kundër armiqve të perbashkët. Eshtë mbajtës i Kryqit të artë për merita të vecanta.

Mehmed Bey nga Lezha

Bezirku III – Për Pukë e Mirditë

Kapitan Nue Gjoni, vëllai i kapitanit të Mirditës Marka Gjoni, kushëri i Prenk Bib Dodës. Pasardhës i familjes së permendur Gjon Markaj nga Oroshi. Përkrahës i monarkisë Austro Hungareze. Mori pjesë në luftimet kundër rebelve të Shijakut, kundër serbëve dhe Essad Pashës.

Zef Ndoci, Vojvoda i Spacit ( i biri i Ndoc Ndrecës, komandant i Mirditës në kohë të turkut). Ka qënë për shumë vjet mësues në shkollën e famullisë së Spacit. Mori pjesë aktive në qëndresën kundër turqve, në luftën kundër serbëve dhe kundër Essad Pashës të cilit i shkaktoj dëme të mëdha. Shqiptar nacionalist dhe simpatizant i monarkisë Austro Hungareze. Mbajtës i kryqit të artë për merita të vecanta.

Zejnel Aga Ibalja, Vojvoda i Iballës, nga një familje shumë e permendur dhe e pasur. Ai luftoj bashkë me Bajram Bey Currin kundër serbëve dhe Essad Pashës në krah të prinzit Wied. Eshtë i njohur për miqësinë me ne.

Bezirku i IV

Muharrem Pengili nga Kruja, përpara Mufti, tashti Naib-Mufti në Krujë. Një klerik shumë i njohur dhe shumë burrëror muhamedan.

Ahmed Bey nga Mati, përfaqësues e trashëgimtar i fisit zotërues të Matit, Zogolli që trashëgoj nga rregjimi turk ofiqin Kajmakam. Luajti një rol të rëndësishëm në autonominë e Shqipërisë. Luftoj kundër serbëve dhe ishte një kundërshtarë i Essad Pashës. Vuri në dispozicion të ushtrisë tonë kur hymë në Shqipëri, 4000 – 5000 luftëtarë vullnetarë të cilët luftuan në frontin pranë Vjosës. Eshtë nderuar me urdhërin më të lartë të Kaiserit Franz Josef.

Bezirku i V – Rrethi i Tiranës

Mussa Maci, perpara ishte Kryetar Bashkie, familje me zë, tregtar dhe qytetar tiranas me ndikim shumë të madh në Tiranë.

Xhelal Bey, nga familja e Toptanve, kushëri por kundërshtar i Essad Pashës. Pronar i madh tokash. Politikan dhe burrë i mencur.

Për Durrësin

Izzeddin Beshiri, ishte perpara Nën- Perfekt e tashti Kryetar Bashkie i Durrësit. I ri në moshë, por shumë inteligjent dhe i gatshëm të ndihmojë kudo. Vjen nga një familje e mirë. Bashkëpunëtor i zellëshëm i administratës tonë qysh në fillim të okupimit. Mban kryqin e artë me kurorë për merita të vecanta.

Monsignor Nikollë Kacorri, Protonotar Papnuer, famullitarë i Durrësit, nacionalist dhe mbështetës i monarkisë Austro Hungareze. Prift i përkushtuar. Burrë me inteligjencë e personalitet të vecantë.

Për Kavajen

Kassim Bey, nga një familje e permendur. Shumë i pasur, Kryetar Bashkie i Kavajës.

Shehziver Bey, nip i Eliaz Pashës nga Dibra – Ohri. Nip i të shumë njohurit e të nderuarit nga Shqipëria e mesme Aqif Pashës. Ka ndihmuar gjatë ardhjes së trupave tona dhe bullgare me vullnetare. Në gjashtë muajt e parë të vitit që shkoj ishte Perfekt i Elbasanit. Eshtë i dekoruar si kalorës i Franz Josefit.

Për Elbasanin

Lef Nossi, i besimit ortodoks, nga një familje e pasur tregëtare kristiane, me gjithë rrezikun e madh në kohë të qeverisë turke, ka organizuar njerzit, shumica nga banorët ortodoks të Elbasanit, për një levizje nacionale shqiptare. Ishte minister për postë dhe telegraf në qeverinë e Ismail Qemal Beyt dhe sekretar i pergjithëshëm në të njëjtën ministri në kohë të Wiedit.

Irfan Bey nga Elbasani, nip i Aqif Pashës

Për Berat e Skrapar

Sami Bey Vrioni, pjestar nga familja e vjetër Vrioni që janëzotërues tokash e pasanikët latifondistë më të mëdhenjtë në zonën e Devollit. Eshtë dhëndërri i Essad Toptanit, ishte Administratori i oborrit (Hofmarschall) te Prinz Wied-it.

Mehmed Essad, një klerik mohamedan shumë i përmendur, përpara ishte myftiu i Beratit, tashti drejtues i seminarit muhamedan aty.

Demeter Lavda, i besimit ortodoks grek, burrë i përmendur dhe tregëtare i njohur.

Për Lushnjën

Ahmed Bey Resuli, vjen nga një familje e vjetër dhe e përmendur, shumë i pasur.

Emin Vokopola, një burrë me shumë autoritet, shumë i njohur dhe pasanik.

Për Fierin

Kahreman Bey Vrioni, kushëri i afërt i Samy Bey Vrionit, i pasur dhe i nacionalist. Luftoj si oficier kundër rebeleve dhe Essad Toptanit, ka arritur suksese të mëdha në këtë luftë duke i prirë trupave tona, është i besuari jonë dhe është Kalorës i urdhërit të Franz Josefit.

Bezirku i VI – Zhuri – Peshkopija

Elez Jussuf, është një burrë shumë i njohur dhe me autoritet në zonat e Drinit nga Dibra. Eshtë i besuari ynë, bëri qëndresë ndaj disa grupeve në Diber duke propaganduar influencën gegë. Kundërshtoj hapur propagandën e partisë së Essad Toptanit. Luftoj në krye të vullnetarve kundër serbëve deri në tërheqjen e tyre. U vu në sherbim të forcave tona dhe ka fituar për merita lufte urdhërin e lartë si oficier i Franz Josefit.

Salih Spahija nga Luma, është përfaqësues i familjes më të rëndësishme në Lumë, ka luftuar kundër Serbve, është nënprefekt në administraten tonë. Ka shumë influencë.

Për Krasniqin

Hysni Bey Curri, nip i Bajram Bey Currit. Në kohën e reformave në Maqedoni (1914), bashkë me Bajram Currinishte ndjekës i Hysni Hilmi Pashës, inspektorittë komisionit të reformave. Në kohën e revolucionit të Kosovës (1910) bashkë me Bajram Currin mori pjesë në qëndresen e shqiptarve kundër qeverisë turke. Në të njëjtën kohë mori pjesë në cdo levizje e qëndresë kundër sllavëve si dhe në luftimet e Princit Wied në Durrës.

Sali Mani Bunjaj, është pjestar i një familje të njohur dhe të pasur. Ka qënë dhe është kurdoherë një ndjekës i Bajram Currit.

Hasan Bey Prishtina, është një nga njerëzit më të përmendur, nacionalist dhe me influencë në të gjitha zonat verilindore që janë shqipfolëse. Ishte minister në qeverisjen e princit Wied

Delegacioni në shoqerinë e gjeneralit Trollmann vizitoj shumë objekte të artit, të kulturës e të historisë së perandorisë. Viziten e parë e bëri tek Dhoma e Thesarit të perandorisë prej ku më pas në Museun e Artit ku patën rastin të njihen e të kundrojnë nga afër armët dhe perkrenaren e heroit tonë kombëtare Gjergj Kastrioti që ndodhet në dhomën e koleksionit të armëve. Një vizitë tjetër e rëndësishme ishte edhe nëkatakombet e kishës së Kapucineve ku ndodhen varrezat e pjestarëve të familjes perandorake dhe sarkofagu i Kaiserit Franz Josef, i cili kishte pak muaj që kishte vdekur (21 nentore 1916). Këtu u vendos një kurorë me lule dhe u mbajtën fjalime falenderuese, nga Gjergj Pekmezi dhe Hasan Prishtina,në nderim të perandorit të vdekur. Ditët e tjera, u mundësuan vizita në Museum ushtarak, Katedralen madhështore të Shën Stefanit në qendër të qytetit, e më pas u bë edhe audienza ku delegacioni ynë u prit nga Perandori Karl dhe Perandoresha për rreth 45 minuta. Në emër të shqiptarve zotëri Xhelal Toptani i dhuroj princeshës së vogel tre vjecare, një fustan të qendisur me fije ari, punë dore e nënave shqiptare. Nga takimi me perandorin, shqiptarët të hypur ndër 10 makina ushtarake, vizituan bashkinë e Vjenës ku u pritën me nderime nga kryetari Dr. Weiskirchner.

Sipas programit te vizitës, delegacioni shijoj dhe bukurinë e “vallëzimit të kuajve të racës” në shkollën spanjole të kuajve të oborrit perandorak, më pas u njoh me koleksionet e pashëmbullta e unikale të muzeut të natyrës, të cilin perandori e kishte ndertuar për të kënaqur ndjesitë e tija dhepër ti treguar botës fuqinë dhe pasurinë e perandorisë.
Gjëja me interesante në ditën e tretë të ardhjes, ishte shkuarja e grupit në operan e famëshme të Vjenës ku atë natë luhej “FIDELIO”. Për shumë pjestarë të delegacionit kjo ishte një risi që nuk kishin pasur mundësi më perpara ta shijonin.

Me 20 prill, shqiptarët u priten në ministrinë e mbrojtjes (të luftës) ku kembyen me ministrin falenderime e lavde reciproke e më pas delegacioni vizitoj kështjellën e Schönbrunnit me bukuritë e saj që e rrethojnë. Në orët e vona të natës një pjesë e delegacionit ishte parashikuar të largohej nga Vjena në drejtim të atdheut e për to u organizua nga autoritetet një festë percjellje.
Në programin javor ishte edhe një takim me femijët shqiptarë të cilët shkolloheshin në Vjenë e qëjetonin në një konvikt të vecantë vetëm për to, në Krottenthalergasse.
Ajo që bëri pershtypje në festen madhështore të lamtumirës ishte fjala që mbajti komandanti i forcave austriake në Shqipëri, gjenerali Trollmann i cili pershëndeti fisnikët shqiptar për ndihmën e madhe të dhënë për organizimin e ndihmave, të ushtrisë e vullnetarve. Në fund të fjalës së tij ai thirri në gjuhën shqipe: RROFTE SHQIPNIA…

Mbrapa e mori fjalën Imzot NIKOLLE KACORRI, i cili tha që shqiptarët ishin më se të kënaqur për pritjen e bërë në këtë qytet të mrekullueshëm për nga bukuria e kultura. Në emër të gjithë të deleguarve ai falenderoj për pritjen e ngrohtë që u bëri atyre PERANDORI dhe autoritetet e tjera të shtetit e të qytetit. Në fund Imzot Kacorri me fjalë të ngrohta falenderoj dhe i dëshëroj gjithë të mirat gjeneralit Trollmann për simpatinë që ai ushqente për popullit shqiptar, urim që u brohorit nga të gjithë të pranishmit pjestarë të delegacionit. Delegacioni shqiptar u nis për në atdhe me 23 prill 1917.
Shenim: Imzot Kacorri vdiq pas afro nje muaji ne Wien (29 maj 1917)…/KultPlus.com

Lorik Halilaj dhe ngjashmëria e tij me zërin e Johnny Cash (VIDEO)

Gili Hoxhaj
Lorik Halilaj është i ri në moshë por që me zërin, kitarën e pianon e tij, shpesh merr përsipër të luaj edhe këngë të artistëve më të vjetër, shkruan KultPlus.

Përmes zërit e kitarës, ai së fundmi ka realizuar një pjesë të këngës së Johnny Cash “I walk the Line”. Kjo këngë veçohet për muzikalitetin e vokalit depërtues dhe të thellë, ndërsa përmes zërit të Lorik Halilaj, vërehet një ngjashmëri e jashtëzakonshme e interpretimit me këngëtarin e njohur amerikan.
Fusha e studimit të Lorik Halilaj është krejt e ndryshme me muzikën, të cilës ia kushton një pjesë të madhe të kohës së tij. Ai tregoi për KultPlus se familja e tij ka qenë gjithnjë dëgjuese e muzikës së kohës së rock and rollit, jazz- pop –it etj dhe si e tillë ka kontribuar shumë në rritjen e pasionit të tij për muzikën.

“Interesimi im që të merrem me muzikë është formuar atëherë kur e mora një dhuratë prej prindërve që ka qene një tastierë, lodër e vogël. Atëherë kam qenë vetëm 12 vjeçar dhe aty kam pasur mundësinë që t’i mësoj akordet dhe meloditë e para”, tregoi Lorik Halilaj, i cili shtoi se hera e parë kur brenda tij do të shpërthente pasioni i tij për t’iu përkushtuar më seriozisht muzikës, ka qenë momenti kur ka luajtur në piano për herë të parë, në moshën 15 vjeçare.

Zëri i artistit të njohur amerikan Johnny Cash ka qenë një nga zërat e këngëtarëve të parë që do të dëgjonte Loriku si fëmijë. Arsyeja përse ai ka zgjedhur të sjellë një pjesë nga kënga “I walk the Line”, është fakti se këtë këngë e ka dëgjuar me vite dhe si e tillë ia kthen nostalgjinë e fëmijërisë.
“Për arsye se ka qenë njëra ndër këngët e mia të preferuara të tij edhe krahas shume kohëve nostalgjike prej fëmijërisë që mi kujton i është përshtatë vokalit tim shumë”, tregoi Loriku.

Krejt në fund po ju sjellim edhe këtë version të shkurtër të këngës “I walk the Line”, interpretuar nga Lorik Halilaj./ KultPlus.com

Një udhëtim drejt “ferrit” të Spaçit, aty ku im atë la rininë e jetën

E diel… mëngjes… Sot, bashkë me një mikun tim kam vendosur të shkoj në një vend, i cili më lidh fort me historinë time… Kam vendosur të rrëmoj thellë në plagët e së shkuarës time…e nis shkrimin Kujtim Xhaja, në 27.al, duke përshkruar udhëtimin e tij drejt Burgut të Spaçit.

E diel… mëngjes…

Sot, bashkë me një mikun tim kam vendosur të shkoj në një vend, i cili më lidh fort me historinë time…

Kam vendosur të rrëmoj thellë në plagët e së shkuarës time…

Sot, jam gati ta ndërmarr vetë këtë udhëtim…

Do të shkoj në Spaç!

Shumë prej jush, mbase nuk e dinë ku i bie ky vend dhe keni plotësisht të drejtë! As unë mbase nuk do ta dija, po të mos më kishin vrarë veshin ato tregime, histori të gjyshes dhe nënës time për të.

Do të vizitoj burgun famëkeq të Spaçit, kampin e përqëndrimit të burgosurëve politik, atë vend ku vuajti dënimin për plot dymbëdhjetë vjet im atë…akuza: agjitacion-propagandë…

Nisemi…

Ende nuk ka gdhirë mirë. Është ora pesë e mëngjesit. Fshati ndodhet 100 kilometra nga Tirana.

Kureshtja është e madhe. Për herë të parë do të ballafaqohem me një realitet, të cilin e kam projektuar në mendje që fëmijë…

Vallë do të jetë ashtu siç e kam parashikuar, apo do të jetë edhe më keq?

Rrugës më vijnë ndërmend ca histori të gjyshes time, peripecitë që ajo hiqte për të takuar vetëm tre herë në vit tim atë në kampin famëkeq. Më tregonte për ca rrugë të vështira nëpër male, për një vend të rrethuar nga kodrinat, ku edhe drita e diellit e kish të vështirë të depërtonte…

Lëmë pas kthesat e Rrëshenit, shoh me vëmëndje minierat e këtij qyteti. Ato tashmë kanë mbetur disa rrënoja të së kaluarës…Një qytet gri… pa ngjyra, pa jetë…

Jemi afër… edhe pak kilometra na ndajnë nga fshati ku duam të shkojmë.

Rrugët, një pjesë e mirë e tyre të amortizuara, e bëjnë edhe më të vështirë udhëtimin…

Këto 100 kilometra po më duken si 100 vjet. Gjatë gjithë rrugëtimit solla ndërmend disa copëza tregimesh të gjyshes time. U kujtova se të burgosurit i kishin zhvendosur nga fshati Spaç, në burgun e Qafë-Barit, matanë Fushë Arrëzit, në fshatin Tuç. Shkaku ishte se në atë vend kishte shumë lagështi.

Mbërrijmë…

Nga larg shoh një gërmadhë të vjetër dhe të ftohtë, rreth e përqark maleve dhe kodrinave, i futur si në grope, ky ishte burgu famëkeq i Spacit, (i mbajtur hapur në vitet 1968-1991)i projektuar si një kamp përqëndrimi për të burgosurit politik.

Ajo pamje ish më keq nga ç’e kisha imagjinuar kur isha i vogël. Gjyshja paska pasur të drejtë…

Në një pozicion të thepisur, 600 metra mbi nivelin e detit, shtrihej një ndërtesë e stërzgjatur me korridore dhe me shumë dhoma… Afër tij, një minierë…

Ja këtu, ka vuajtur dënimin e egër dhe mizor im atë, në këtë minierë ka derdhur djersën ditë dhe natë bashkë me qindra të burgosur të tjerë…

Futem brenda, shoh qelitë, birucat. Ato dhoma aq të vogla, në të cilat dyndeshin 50 veta.

Bashkë me mikun tim bëjmë drejt vendeve të takimit. Aty ndal hapin, vështroj me kujdes dhe ndërmend më vijnë fjalët e gjyshes:

“Takimi i të burgosurve me familjarët e tyre bëhej me radhë. Ai nuk zgjaste as gjysmë ore. Përballë tyre ish vendosur një dërrasë e stërmadhe me një vrimë, nga ku mezi shquhej i burgosuri matanë. Nuk lejohej ta takoja tim bir, as t’i jepja dorën, asgjë…na mjaftonte vetëm një shikim dhe disa biseda formale, të cilat i ndërprisnin vrazhdësia e dy rojeve, që të qëndronin mbi krye: “Hajt, hajt, boll, mjaft!”. Kaq zgjaste takimi…”

Radhën tani e kishte mensa e të burgosurve. Një katrahurë e vërtetë. Mbase për të tjerë ajo s’thoshte gjë, por për mua thoshte shume…

Sërish në mendje më vijnë tregimet e gjyshes:

“Sendet e qelqta nuk lejoheshin. Vajin, ujin e lëngje të tjera i hidhnim në shishe plastike, çdo ushqim kontrollohej rreptësisht! Një ditë kisha marrë me vete edhe një shalqi, kontrollorët e morën dhe e prenë copa-copa se mos kish ndonjë send brenda. Edhe bukën, ata e ndanin përgjysmë, e bënin grimca të vogla në miniaturë…”

Lë pas mensën me një shije të keqe…

I hedh një vështrim të heshtur bashkëshoqëruesit tim. Gjatë gjithë rrugës nuk biseduam fare me njëri – tjetrin. Fytyra e tij kish marrë një qasje më serioze, ashtu, i çuditur dhe njëherësh i pështjelluar në mendime, ai kërkonte të dinte çdo gjë nga ai vend. Të dy shkojmë drejt udhës së minierës…

Sërish këto rrugë më sjellin në kujtesë një bisedë me nënoken time:

“Çdo mëngjes, aty, në atë vend, bëhej apeli. Të gjithë të burgosurit rreshtoheshin me të njëjtën uniformë. Ata dukeshin gati njësoj…Ne, familjarët, shihnim nga larg dhe mezi i dallonim kush ishin tanët. Çdo i burgosur bënte një shenjë dalluese, që të kuptohej që ish ai “.

Gjyshja ime e dallonte lehtë tim atë, ai vendoste dorën mbi kokë dhe rregullonte balukën e tij të pabindur…Kjo ishte shenja e tij.

E gjithë kjo skenë mu krijua atypari tek shihja udhën e drejtë, e cila të çonte drejt minierës…Largohem nga ai vend, i hedh edhe një herë një vështrim të fundit…

Në mendjen time këto pamje duken kaq absurde, në kufijtë e makabritetit dhe çmendurisë. Kjo përballje ishte një tronditje e dytë për mua…Dukej sikur isha shkëputur tërësisht nga realiteti dhe isha bërë pjesë e asaj kohe të mbrapshtë…

Iki nga ai vend, nga ai fshat verior, ku çdo hap që bëj më lidh në mënyrë të pashmangshme me vuajtjet, mundimet e tim eti.

Sot, pas 27 viteve, unë mbaj si kujtim vetëm emrin e tij, një fotografi të vjetër dhe këto copëza përjetimesh nga ky fshat, të cilat do më shoqërojnë gjatë gjithë jetës.

Nuk arrita kurrë ta njoh babanë tim. Ky vend i mori atij dymbëdhjetë vitet më të vyera të rinisë dhe ai sistem i mori më të shtrenjtën gjë… jetën e tij!

E unë ndihem sot, kaq i pafuqishëm.

Pas 27- viteve duket sikur gjërat kanë ndryshuar… Është një iluzion i ëmbël… ato kanë mbetur sërish të njëjtat…

Sot pas dy dekadash, ne, fëmijët e tyre kemi nevojë të dëgjojmë të paktën një: “Më fal”, një “ndjesë publike”, nga ata persona, ekzekutorë, zbatues, që deri dje i mbikëqyrnin dhe sot janë ende gjallë, madje të “veshur” me pushtet dhe japin leksione demokracie… / KultPlus.com

Shënohet 90-vjetori i lindjes së shkrimtarit Murat Isaku

Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, organizon shënimin e 90 – vjetorit të lindjes së shkrimtarit, poetit të njohur të letërsisë shqiptare, Murat Isaku.

Në këtë përvjetor, do të promovohet edhe përmbledhja me poezi të përzgjedhura: “Jeta e Ketrit”, (poezi të botuara dhe të pabotura të Murat Isakut).

Ky aktivitet do të mbahet më 19 prill (e enjte), në orën 19:00, në amfiteatrin e Fakultetit të Arteve të UT- së, (Qendrën për Kulturë të Tetovës)./ KultPlus.com

Nis rindërtimi i Kishës së Shën Thanasit

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, mori pjesë në këtë fundjavë në ceremoninë e bekimit të punimeve për rindërtimin e Kishës së Shën Thanasit, Dhërmi. “Jam shumë e nderuar që sot isha pjesë e ceremonisë së bekimit të rindërtimit të Kishës së Shën Thanasit, në javën e shenjtë të ringjalljes së Krishtit.

Mbajtëm premtimin e dhënë nga Qeveria shqiptare banorëve të Dhërmiut, dy vjet më parë. Falë punës së përbashkët nga Ministria e Kulturës, Bashkia Himarë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe fshati Dhërmi, treguam se me vullnet të mirë, me dialog e zemër të hapur bëhen punët e mira e të paqme!”, u shpreh Kumbaro. Ceremonia që shënon një ditë të bekuar për besimtarët ortodoksë, trashëgiminë kulturore dhe banorët e Dhërmiut u bë në javën e shenjtë të ringjalljes së Krishtit. Në ceremoni merrnin pjesë Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, kryeplaku i Himarës, Aleks Marko, banorë, etj.

Kisha e re është ende në themelet e para të ndërtesës, por po ngrihet në të njëjtin vend ku ndodhej e para. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka parë nga afër punimet për rindërtimin e kishës në Dhërmi, duke theksuar se referuar turizmit kulturor në jug të vendit, në fokus mbeten edhe qendrat historike të fshatit Dhërmi dhe Vuno, të bashkisë së Himarës, të cilat do të jenë gati për sezonin turistik të këtij viti. “Rruget e Besimit” eshte njeri nga destinacionet e Turizmit Kulturor.

Bëhet fjalë për një investim rreth 7 milion euro, me qendrën historike të Dhërmiut dhe Vunoit, por edhe kishën e shumpërfolur të Shën Thanasit në Dhërmi, ndërsa synimi mbetet turizmi gjithëvjetor dhe jo vetëm në muajt e verës në jug të vendit. Kryetari i bashkisë Himarë Jorgo Goro ka theksuar se qëllimi mbetet që zonat historike në jug të vendit dhe kryesisht në bashkinë Himarë të jenë qendra të rëndësishme historike, për një turizëm jo vetëm në det, por kryesisht në promovimin e kulturës dhe historisë.

Qendra historike e fshatit Dhërmi dhe Vuno, por edhe ndërhyrje të tjera në jug të vendit janë padyshim investime që synojnë ndryshime të rëndësishme në thithjen e turistëve vendas dhe të huaj, ndërsa krahas detit dhe resurseve të tjera, në fokus mbetet padyshim edhe turzimi kulturor. Qëllimi mbetet edhe rikthimi i banorëve në këto zona, për të investuar në bashkinë Himarë, me qëllimin rikthimin e turizmit kulturor në jug të vendit./ KultPlus.com

Autorët kosovarë lexojnë në Ditën Ndërkombëtare të Librit

Në Ditën Ndërkombëtare të Librit më 23 prill, në kuadër të projektit Kultura për Ndryshim, Qendra Multimedia dhe Insituti Goethe organizojnë lexim publik në Prishtinë, në hapësirën e Qendrës Multimedia.

Autorët që do të lexojnë janë: Arbër Selmani, Ardiana Shala, Edi Shukriu, Genc Kadriu, Sibel Halimi.

Pas leximit mbrëmja do të shoqërohet me muzikë të përzgjedhur nga grupi String String.

“Mirëpriten të gjithë dashamirët e librit e sidomos të rinjtë, nxënësit dhe studentët”, thuhet në njoftim.

23 prilli është ditë simbolike e literaturës botërore.

Kjo datë është caktuar si dita ndërkombëtare e librit nga UNESCO në Konferencën e Përgjithshme të mbajtur në Paris në vitin 1995, për t’i çmuar librat dhe autorët, duke i inkurajuar të gjithë e posaçërisht të rinjtë që të zbulojnë kënaqësinë e leximit dhe të respektojnë kontributin e atyre që kanë ndihmuar në zhvillimin shoqëror dhe kulturor të njerëzimit.

***Projekti Kultura për Ndryshim, menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe zbatohet nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut***

“Bekimi i Plisit të Moisiut”, sjellë copëza jete të aktorit Çun Lajçi (FOTO)

“Bekimi i Plisit të Moisiut” është libri më i ri i Çun Lajçit që u promovua sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Ky libër me një gjuhë të thjeshtë të një njeriu nga Rugova arrin që të komunikojë me lexuesin duke i treguar shumë momente nga gëzimet e hidhërimet e jetës së aktorit Çun Lajçi.

Gili Hoxhaj

Jeta e tij në skenë, në shumë personazhe e marrëdhënia e tij me shumë njerëz, e sjellë këtë libër me gjallëri duke ndërfutur shumë copëza të jetës së tij. Si i tillë, ky libër është i bazuar në detaje nga memoria e aktorit dhe është një homazh për të gjithë njerëzit që kanë kaluar në jetën e tij.

Në mesin e të pranishmëve, sot pjesëmarrësit treguan për rëndësinë e librit dhe vlerat e autorit. Para kësaj, me plisin e tij në kokë e fyellin në duar, ai solli një performancë artistike përmes recitimit të një nga poezitë e tij. E gjithë ceremonia e përurimit të këtij libri u udhëhoq nga poeti Agim Doçi, i cili fillimisht lexoi një letër të kryeministrit Ramush Haradinaj, që ishte shkruar për të përuruar këtë libër. Doçi pati shumë fjalë e emocione gjatë përurimit të librit ndërsa shtoi se veprimtaria e autorit Çun Lajç duhet vlerësuar si pasuri kombëtare.

“Lus që Çuni të mos i kuptoj vlerat e veta se ndryshe nuk do i kishte folur shumëkujt që nuk i di vlerat e Çun Lajçit. Ai është memoria e dëshmorëve dhe heronjve të kombit”, u shpreh Doçi gjatë promovimit të librit.

Nazmi Rrahmani tha se Çun Lajçi përmes këtij libri sjellë një mozaik të përgjithshëm të punës, jetës dhe qëndrimeve të tij. Ai po ashtu tha se aktori përmes këtij libri arrin dy qëllime që të tregojë rrugëtimin e tij gjatë jetës dhe kontaktet me njerëzit dhe që lexuesin ta dërgoi në ato ngjarje e momente qe nuk kanë qenë vetëm të tij, por edhe të gjitha gjeneratave të asaj periudhe.
“Me rrugëtimin e tij jo vetëm artistike me rolet e luajtura nga vepra të ndryshme, ai ka diçka tjetër, diçka më plotësuese që nganjëherë gjatë punës dhe jetës së tij nuk është vërejtur, prandaj ndalet tash dhe i shkruan këto kujtimet të cilat e plotësojnë figurën e njeriut dhe aktorit të njohur Çun Lajçi”, tha Rrrahmani gjatë fjalës së tij, ndërsa shtoi se këto copëza të jetës e kujtojnë një dhjetëvjeçare të viteve 90-ta.

Pas tij, fjalën e mori shkrimtari Besnik Mustafai i cili tha se beson se ky libër është një kontribut shumë i dobishëm, pasi që kujtimet e tij të shkruara përbëjnë pasuri kombëtare dhe të gjithë personalitetet me standarde të tilla duhet t’i shkruajnë kujtimet e tyre. “Për mua është aktori më i madh shqiptar që është gjallë dhe më besoni si një shkrimtar, si një njëri i letrave po e them se është edhe një shkrimtar shumë i mire” , tha ndër të tjera Mustafai, duke shtuar se edhe përse ky libër sjellë disa copëza të ndara mund të lexohet si një roman pasi që marrëdhëniet dhe tregimet kanë një koherencë brenda vetes.

Ky libër është botuar nga Shtëpia Botuese “Buzuku”, andaj për botuesin e këtij libri, Abdullah Zenelin, botimi i librit të autorit Çun Lajçi është një privilegj. Ai tutje tregoi një detaj nga libri i parë, se si mes bisedash e kishte inkurajuar Lajçin që ato që po i tregon të ulet dhe t’i shkruaj.
“Kur e botova librin e parë ma tregoi një detaj që ishte margaritar dhe para se të arrij kulmin e asaj që më thoshte i thash “Ndal” dhe u habit, i thash “Ndal, ulu dhe shkruaj dhe pastaj flasim”, dhe me siguri nga respekti dhe mbështetja morale ai i hyri punës një pas një deri tek libri që u kurorëzua sot, faleminderit Çun që ky detaj ndikoi që ta shkruaj në libër”, tregoi botuesi Abdullah Zeneli.
Mes fjalëve të tij, Zeneli ftoi aktoren Safete Rugovën për ta nderuar aktorin me një buqetë të luleve.

“E filluam karrierën para 50 viteve, me ndjenja atdhedashurie u rritëm dhe u edukuam gjithë jetën, si kolege e falënderoj Çunin për të gjitha ato role e personazhe që i dhuroi teatrit, ndërsa si lexuese e falënderoj për të gjithë këta libra që i solli viteve të fundit”, u shpreh aktorja Rogova, për aktorin Çun Lajçi.

Krejt në fund fjalën e mori autori i librit, Çun Lajçi i cili tha se sot në kokë mban plisin, sepse dëshiron t’i respektoj rrënjët e tij. Ai tha se përmes këtij libri ka thënë gjithçka që s’ka mundur të thotë në skenë.

“Jo pse jam më patriot se ata që na udhëheqin, jo se jam më pak trim, por që vi prej një rraje që kemi pasur me çka të krenohem e kam trashëguar prej babai tim, që të eci në shputat e mija pa e marr parasysh a do të më qohet pluhuri mbrapa”, tha aktori Çun Lajçi. Ai tutje tha se ky libër nuk është thjeshtë një autobiografi dhe se nuk e ka filluar si autobiografi, po për të treguar se në jetë ka mësuar shumë nga të tjerët.

Krejt në fund para se të pranishmit të takoheshin me autorin për ta uruar për librin, ai emocionoi të pranishmit me një pjesë të librit. Rrëfimi i tij tregonte për jetën e tij prej aktori në moshën 22 vjeçare, ku pak momente para se të sjellë para publikut rolin e Hamletit në Teatër, merr njoftimin e vdekjes së nënës së tij, të cilën ditën e nesërme do ta gjente poshtë varrit të mbuluar nga bora. / KultPlus.com

Filmi i Lorena Sopit pjesë e programit Film Short Corner në Cannes

Filmi i shkurtër “Rreze” me skenar dhe regji të Lorena Sopit, i sjellë si adaptim nga Ditari të famshëm i luftës me autore Rreze Abdullahu, është filmi i vetëm shqiptar që këtë vit do të jetë pjesë e programit Film Short Corner në kuadër të festivalit më prestigjioz në botë – Cannes Film Festival.

Festivali i Cannes në Edicionin e 71-të do të mbahet nga data 8 – 19 maj dhe do të hapet me filmin ‘Everybody Knows’ të regjisorit Iranian Asghar Farhadi me Penelope Cruz dhe Javier Bardem në rolet kryesore.

Në programin Short Film Corner, do të shfaqen më shumë se 70 filma nga vende të ndryshme të botës dhe më shumë se 100 filma të përzgjedhur në seksionin e shollave më prestigjioze të filmit. Filmi kosovar Rreze /Ray/, do të shfaqet me datë 17 maj në Palais G në ora 15.

Filmi Rreze, trajton një ditë të vetme të ditarit të mrekullueshëm të Rreze Abdullahut, e cilësuar si Ana Frank e Kosovës. Pikërisht, në ditëlindjen e nëntë, gjatë vitit të luftës 1999, Rreze Avdullahu kishte shkruar Ditarin e Frikës. Atë ditë të shenjuar, ajo nuk kishte pritur dhurata e as festë. Ajo kishte vetëm një dëshirë: Nuk donte të vdiste. Atë ditë, Rrezja shkon te ushtari serb që bënte roje dhe i thotë: unë sot e kam ditëlindjen dhe nuk po due me vdekë! Veç po due me mbetë gjallë… Ushtari nis e qan. Rrezja befasohet sepse kishte kujtuar se ushtarët nuk qajnë. Tetëmbëdhjetë vjet më vonë, mbi gërmadhat e së kaluarës, Rrezja shfaqet e dëshpruar me botën që nuk është bërë më e mirë…

Filmi prej 12,30 minutash me titull ‘Rreze’ /Ray/ është prodhuar nga AS Film Production nga Prishtina. Filmin Rreze, gjatë muajve në vijim, e presin edhe shumë evnte tjera të rëndësishme.

Në rolet kryesore paraqiten Agron Shala, Glorioza Shala dhe Aurita Agushi. Në rolet e tjera vijnë Beslidhje Bytyqi, Selman Lokaj, Uran Duli, etj. Drejtor i fotografisë është Besnik Hasolli, mjeshtër zëri Gëzim Rama, skenograf Uran Duli, kompozitor Mendi Mengjiqi dhe producent Agim Sopi.

Lorena Sopi, është studente e regjisë dhe produksionit në Toronto Film School, njërën ndër shkollat më prestigjioze të botës. Deri më tani ka realizuar disa filma të shkurtër. Filmat e saj ‘Mona’, ‘Më e bukur se pranvera’ dhe ‘Përjetësisht Fëmi’, kanë qenë pjesë e më shumë se 50 festivaleve ndërkombëtare dhe kanë fituar më shumë se 20 çmime kinematografike./ KultPlus.com

65 vite nga gjyqi i famshëm për grupin e Hamit Matjanit

Auron Tare

65 vite të shkuara, si sot, u dha vendimi për Gjyqin e famshëm që Qeveria Komuniste e Shqipërisë bëri kundër grupit të dërguar nga amerikanët nën pseudonimin “Apple” apo i njohur si Grupi i Hamit Matjanit.

Në fakt me deklasifikimin e arkivave amerikane mund të themi se Matjani ishte një pjesëtar jo shumë i rëndësishëm në këtë operacion dhe drejtuesit e vërtetë ishin oficerët e Zogut, Zenel Shehu dhe me vone Halil Branica, të dërguar nga ai personalisht për drejtimin e një rebelimi antikomunist.

Ky grup i rekrutuar nga radhët e njerëzve më të besuar të Zogut, i cili qëndronte në Egjypt dhe kishte filluar një bashkëpunim me operacionet klandestine të amerikanëve për një “kundër revolucion të mundshëm në Shqipëri” u trajnua dhe u përgatit në fshehtësi të madhe nga Amerikanët në stacionin e tyre në Kifisia, Athinë.

Për vite me radhe një operacion shume sekret, por mjaft i përfolur në qarqet profesioniste të inteligjencës vuri përballë njeri-tjetrit dy fuqitë më të rëndësishme të spiunazhit botëror.

Amerikanët e CIA-s dhe KGB sovjetike, e cila ishte këshilltari i fshehtë i Sigurimit.

Por duket se ishte Kundërzbulimi shqiptar, i cili me një profesionalizëm të dukshëm udhëhoqi një operacion kundër CIA-s amerikane duke shkaktuar kthesën e rëndësishme në vazhdimësinë e këtyre operacioneve. Ashtu si në një loje shahu ku kundërshtarët planifikojnë lëvizjet e ardhshme ky Operacion mbajti të mbërthyer në këtë loje nervash të gjithë oficerët e angazhuar në të për gati 16 muaj nga dita kur grupi i Zenel Shehut u tradhtua nga njerëzit e tij dhe u kap nga grupi special i Sigurimit.

Tashmë me deklasifikimin e arkivave amerikane dëshmi shumë interesante dalin mbi këtë operacion jashtëzakonisht të rëndësishëm, i cili për nga mënyra e ekzekutimit dhe profesionalizmi i treguar nga oficerët shqiptarë të kundërzbulimit kanë marrë vlerësimin në heshtje nga kundërshtare e tyre Amerikanët. Operacioni ‘Apple Team” ishte kthesa e rëndësishme e përfshirjes amerikane në operacionet klandestine shqiptare, pasi grupi i përbërë nga agjentë të kalibrit të lartë, të pa përfshirë në bashkëpunim me italianet apo gjermanet gjatë Luftës dhe me mbështetje amerikane konsiderohej si mundësia më e madhe për krijimin e trazirave në Veriun shqiptar me shpresën e një rebelimi dhe rrëzimin e qeverisë Hoxha. Nëse ky operacion do të ishte i suksesshëm do të kishim modelin e parë të rrëzimit të një qeverie komuniste nëpërmjet operacioneve klandestine. Për këtë arsye duket se edhe sovjetiket mobilizuan personel të rëndësishëm për të këshilluar shqiptaret në infiltrimin e këtij operacioni.

Nga arkivat del se Gjenerali sovjetik, Dmitri Kurbatov ishte këshilltari i parë në këtë operacion dhe duket se kanë marrë pjesë aktive në Radiolojën e njohur si “Liqeni i Vajkalit”

Ndërkohë Grupi Apple i drejtuar nga nën Koloneli George Mason më vonë shefi i stacionit te CIA-s në Holandë dhe në Washington nga Koloneli Yasetvich për 16 muaj me radhë furnizoi nga ajri grupin e kontrolluar nga Sigurimi shqiptar i cili eliminoi çdo rrjet rezistence në Veri si dhe mundi të kapte gjallë Hamit Matjanin, një personazh tejet i famshëm për rezistencën e tij antikomuniste.

65-vjet më vonë historia duhet ta kujtojë këtë përpjekje të rëndësishme të kampeve opozitare ideologjike por me pasoja për historinë e Shqipërisë. Grupi Apple duhej kujtuar si nje grup njerëzish idealiste, besnike te traditës se ndjekjes se prijësit por fatkeq te cilët te larguar prej kohesh nga Shqipëria nuk e kuptonin ndryshim e madh qe i kishte ndodhur shoqërisë shqiptare. Te futur ne loje nga Zogu me besimin e verbër tek prijësi ata u angazhuan ne këtë Operacion te rrezikshëm por sipas dokumenteve me tu kapur nga Sigurimi bashkëpunuan me te ndoshta të zhgënjyer nga fati i keq. Tahir Preçi radisti i grupit një antikomunist i vendosur i cili me besnikëri i qëndroi detyrës duke u përpjekur të njoftojë amerikanet për radiolojën dhe si përfundim humbi jetën.

Amerikanët që drejtuan operacionin te cilët me pa mundësinë profesionale qe treguan morën ne qafe te tjerë njerëz te cilët u hodhën me parashutë apo u infiltruan me kërkesën e Sigurimit. George Mason i cili pagëzoi edhe grupin me emrin e koduar Apple” i cili u nda nga jeta vetëm disa vite më parë në shënimet e tija pranon dështimin e madh të operacionit që ai drejtonte. Aq të zemëruar ishin amerikanët me këtë dështim saqë në dokumentët e deklasifikuara shikohet qartë edhe tentativat për të eliminuar fizikisht çdo kënd qe mund të kishte dekonspiruar këtë operacion.

Zenel Shehu i cili bashkëpunoi me Sigurimin u pushkatua pa asnjë mëdyshje së bashku me shokët e tij duke dërguar një mesazh të qartë të egërsisë së regjimit për këdo që i kërcënonte pushtetin. Zogu vdiq ne mërgim i survejuar nga Sigurimi i Shtetit.

Ndërkohë nga Grupi Special dy drejtuesit kryesore te Radiolojes Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu u pushkatuan edhe si agjentë amerikanë. Anëtarët e tjerë te grupi special te Sigurimit dikush vdiq në vetmi i zhgënjyer thellësisht nga regjimi për të cilin kishin kontribuar aq shume. Një nga Oficeret e rinj të këtij grupi Pilo Shanto i cili botoi edhe një libërth shumë interesant për Operacionin e kaloi pensionin ne qetësi të plotë në rrethinat e Washingtonit jo shumë larg selisë se CIA-s, betejat me te cilës ai i kishte kushtuar pjesën më të madhe të jetës.

Deri me sot nuk ka asnjë dëshmi mbi fatin e Gjeneralit sovjetik Dmitri Kurbatov. Ndoshta arkivat ruse mund të sjellin më shumë dritë mbi rolin sovjetik në këtë ngjarje.

Operacioni Apple Team apo Liqeni i Vajkalit është një dëshmi historike shume interesante e betejës politike të pasluftes që duhet njohur dhe studiuar me shume për të kuptuar më qartë dinamiken e asaj kohe. Jo në llogore ideologjike por si një dëshmi e rëndësishme historike e pjesëmarrjes se Shqipërisë ne majat me te larta te operacioneve klandestine dhe rëndësisë që Shqipëria kishte në atë kohë për politiken globale.

Më poshtë disa nga pseudonimet e Grupit Apple

1) Airtight,

2) BNPutlog,

3) BE:Domino,

4) Airëise,

5) ORECertain,

6) Airometer.

Ministri i Brendshëm i asaj kohe Gjeneral Mehmet Shehu, i cili sipas amerikaneve e kishte drejtuar personalisht të gjithë Operacionin Liqeni i Vajkalit.

Majtas Peter Mangelli shqiptaro amerikani Komandant i Kompanisë 4000 një kompani e krijuar nga CIA për Operacione Klandestine në Shqipëri.

Artistët shqiptarë të Vjenës me një mbrëmje artistike, mjetet e grumbulluara do të shkojnë për Bekim Lumin

Artistët shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Vjenë të Austrisë do të prezantohen me një mbrëmje artistike, shkruan KultPlus.

Kjo mbrëmje artistike i dedikohet regjisorit kosovar Bekim Lumi, i cili po përballet me një sëmundje të rëndë, ku mjetet nga kjo mbrëmje do të shkojnë pikërisht në fondin e Bekim Lumit.

Artistët pjesëmarrës në këtë mbrëmje janë: Lorika Ismajli (Soprano), Flaka Goranci (mezzo soprano), Valentina Dubovci (recitim), Visar Kasa (Vokal & Piano), Ferdi Fanaj (violinë), Mennan Bërveniku (piano) dhe Astrit Alihajdaraj, ku ky i fundit do të prezantojë filmin e tij të shkurtë “The Remigrant”.

Përpos këtij filmi, në këtë mbrëmje do të prezantohet edhe interpretimi i veprave më të njohura shqiptare dhe atyre ndërkombëtare, duke përfshirë edhe këngët “Baresha”, “E dehur jam” dhe këngë të tjera të njohura.

Mbrëmja do të mbahet të martën, në Brick-5 Fünfhausgasse 5 1150 në Vjenë, kurse hyrja për të parë këtë mbrëmje është vetëm 10 euro./KultPlus.com

Ka ndërruar jetë aktori R Lee Ermey

Ish-marinsi amerikan, i cili ka ndjekur edhe karrierën si aktor, R Lee Ermey, ka ndërruar jetë në moshë 75 vjeçare.

Ai ka vdekur ditën e diel, ndërsa njoftimin për lajmin tragjik e ka bërë përfaqësuesi i tij, Bill Rogin. Aktori ka vdekur si pasojë e komplikimeve pas inflamacionit të mushkërive.

Ermey ka qenë më së shumti i njohur për rolin e tij në filmin e Stanley Kubrick, “Full Metal Jacket”.
Për filmin në të cilin luan rolin e komandanti Gunnery Hartman, ai ishte nominuar për çmimin Golden Globe.

Kolegu i Ermeyt, Matthew Modine, ka bërë një postim në Twitter për të kujtuar veprën e aktorit tashmë të ndjerë.
https://www.youtube.com/watch?v=3j3_iPskjxk

Ronald Lee Ermey për 14 muaj ka qenë pjesë e marinsave amerikanë në Vietnam, ku ishte bërë komandant edhe në jetën reale.
Ndër rolet e tij më të njohura, janë edhe ato në filmat “Se7en”, “The Texas Chainsaw Massacre” e “Mississippi Burning”, ndërsa gjatë karrierës është paraqitur në 60 role televizive dhe filmike. /Telegrafi/ KultPlus.com

Romani “Psycho” do të promovohet edhe në Shkup

Romani psiko-triler “Psycho” i Ilir Muharremit tashmë i njohur për publikun, do të promovohet më 19 prill në librarinë e Çarshisë në Shkup. Në promovim, publiku mund të zhvilloj edhe debat rreth romanit dhe mund t’i bëjë pyetje autorit. Për librin do të flas studiuesi i artit Faruk Buzhala.

Një roman i një zhanri të tillë në Kosovë vjen për herë të parë dhe ngjarja në roman është kjo: Ideja e romanit të tij “Psycho” qe e zhvillon përmes personazhit të tij boksier i karrierës e nxjerr atë jashtë ‘ringut’ letrar të letërsisë shqipe duke iu kundërvy absurdeve me absurd përmes sportivitetit deri të kanibalizmi. Kryepersonazhi i cili me plot dëshirë identifikon veten me Mike Taysoni-n, rrëfen jetën e tij në një bar nate i ulur në banak dhe karshi tij qëndron një kameriere jo shumë e bukur. Mirëpo, ai është boksier i dështuar, pasi që gjen kënaqësi në bixhoz, ai humb tërë pasurinë. Nga ky dështim, gruaja e tij divorcohet dhe ikën me të dy fëmijët e saj. Kjo ndikon shumë në personalitetin e tij, dhe ai strehohet në shishen e qelqtë të alkoolit. Gradualisht fillojnë t’i shfaqen simptomat e psikopatisë dhe devijimi i personalitetit, por në një rrëfim intim me vajzën e banakut, ai tregon për fëmijërinë e tij. Ai kishte torturuar kafshët, dhe i vetmuar me orë të tëra rrinte pranë zjarrit. Simptomë e një psikopati të vërtetë. Ai shtiret si i ndjeshëm, por nuk është i ndjeshëm dhe nuk duhet t’i besohet, por vajza në banak i bindet sepse psikopatët kanë shumë talent t’i bindin të tjerët. Ajo rrëshqet në rrëfimet e “ëmbla” të tij. Gjatë dialogut, ai herë-herë me vështirësi mbanë raporte të mira me të, sepse psikopatët çalojnë shumë.

Promovimi i këtij libri në Shkup do të mbahet prej orës 18:00./KultPlus.com

“Tinguj nga bjeshkët e Rugovës” u prezantuan në Köln të Gjermanisë

Shoqata kulturore URACult e.V. në Köln në këtë fundjavë organizoi një koncert klasik, ku muzikantë të shquar dhe pedagogë të Fakultetit të Muzikës së Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, sollën një program të larmishëm me vepra të kompozitorëve shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria.

Nën moderimin e pianistit dhe dirigjentit Desar Sulejmani, pianistet Syzana Jakupi, Mimoza Pajaziti – Drançolli, mexosopranoja Besa Berberi, flautistja Dardane Nallbani, klarinetisti Fatbardh Gashi e oboisti Arsim Kelmendi prezantuan para publikut shqiptaro – gjerman në Altes Pfandhaus në Köln një program të larmishëm me vepra të muzikës së dhomës nga Bashkim Shehu, Rafet Rudi, Rauf Dhomi, Isak Shehu, Viçens Gjini, Trimor Dhomi, Drinor Zymberi, Valton Beqiri.

Ky ishte koncerti i dytë i radhës, që shoqata kulturore URACult organizon me muzikë klasike në Köln. Synimet e kësaj shoqate janë bashkëpunimet e vazhdueshme mes artistëve nga vendet shqiptare në Ballkan dhe komunitetit shqiptaro – gjerman që jeton dhe është integruar prej vitesh në Gjermani.

Edhe koncerti i fundit afroi një game të gjerë veprash dhe stilesh kompozicionale, të cilat zgjuan interes dhe vëmendje të veçantë tek të pranishmit. Edhe një herë kultura shqiptare nga të dy anët e kufirit politik mundësoi ngritjen e urave të bashkëpunimit, arriti të tregoj vlerat e saja universale për të qenë e denjë me simotrat e saja evropiane. URACult dëshmoi edhe një herë me organizimin e aktiviteteve të ngjashme në lëmin e kulturës, se është një përcjellës dhe mbështetës i palodhshëm i zhvillimeve më të mira artistike shqiptare në Gjermani./KultPlus.com

KONKURS për Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu” dhe “Çmimin vjetor për Kinematografi”

REPUBLIKA E KOSOVËS
REPUBLIKA KOSOVA
REPUBLIC OF KOSOVA

QEVERIA E KOSOVËS / VLADA KOSOVA /GOVERNMENT OF KOSOVA

MINISTRIA E KULTURËS, RINISË DHE SPORTIT
MINISTARSTVO ZA KULTURU, OMLADINU I SPORTA
MINISTRY OF CULTURE,YOUTH, SPORTS

Departamenti i Kulturës / Departman za Kulturu / Department of Culture

Me qëllim të zhvillimit, avancimit, dhe promovimit të krijimtarisë filmike, dhe në pajtim me Rregulloren NR. 04/2012 për Ndarjen e Çmimeve për Kinematografi, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shpall:

KONKURS

Për çmimet që i ndanë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në fushën e Kinematografisë.
Ftohen të interesuarit që të propozojnë kandidatët për Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu” dhe “Çmimin vjetor për Kinematografi” që u jepet krijuesve të dalluar, të cilët me krijimtarinë e tyre kanë lënë gjurmë të thella në fushën e kinemtografisë.

Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore ”Bekim Fehmiu”.
• Ky Çmim u ndahet personaliteteve të shquara të fushës së kinematografisë për suksesin, të arriturat gjatë karrierës, risitë dhe kontributin e veçantë në avancimin e kinematografisë. Ky Çmim mund ti jepet edhe pas vdekjes së autorit.

• Laureat të çmimit mund të jenë: producentet, regjisoret, skenaristët, aktorët, drejtoret e fotografisë, skenografët, kostumografët, kompozitorët, animatorët dhe krijuesit që në mënyrë kreative kontribuojnë në kinematografi.

• Çmimi mund ti ndahet vetëm shtetasve të Republikë së Kosovës.

“Çmimi Vjetor për Kinematografi”
• Ky çmim i ndahet çdo vit, autorit për veprat filmike të realizuara gjatë vitit paraprak kalendarik.

• Çmimi Vjetor për Kinematografi, sipas vendimit të jurisë, ndahet çdo vit vetëm në njerën nga këto kategori: producenti më i mirë, regjisori më i mirë, skenaristi më i mirë, aktori/a më i/e mirë, drejtorit të fotografisë, skenografi më i mirë, kostumografi më i mirë, kompozitori më i mirë dhe animatori më i mirë.

• Çmimi mund ti ndahet vetëm shtetasve të Republikë së Kosovës.

Konkurrimi për çmimet për Kinematografi mund të bëhet personalisht ose përmes propozimit nga:
1. Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës;
2. Qendra Kinematografike e Kosovës;
3. Produksionet Filmike të regjistruara në Kosovë;
4. Shoqatat e Filmit të regjistruara në Kosovë;
5. Fakulteti i Arteve në Universitetin e Prishtinës.

Vlerësimin për ndarjen e çmimeve e bën juria profesionale e përbërë nga 5 anëtarë.

Propozimi që bëhet nga institucionet e lartpërmendura duhet të përmbajnë: Arsyetimin me shkrim, CV-in e të nominuarit dhe materialet tjera përcjellëse audiovizuele për të nominuarin.

Propozimi duhet të firmoset nga titullari i institucionit/asociacionit që ka të drejtën e propozimit.

Propozimi me shkrim duhet të dërgohet deri më 11. Maj 2018, në Arkivin e MKRS-së, për Departamentin e Kulturës, në Zyrën nr. 022 (Adresa: MKRS, 10.000 Prishtinë, Rruga “Nëna Terezë” nr. 35).

Propozimet me dokumentacion jo të kompletuar nuk do të shqyrtohen.

Metal United World Wide, për herë të parë në Kosovë (VIDEO)

Metal United World Wide (MUWW), koncerti me famë botërore që organizohet në 70 shtete e përfshinë mbi 300 bende të ndryshme rock e heavy metal, po organizohet për herë të parë në Kosovë, shkruan KultPlus.

Kjo ngjarje e veçantë e rock dhe heavy metal do të organizohet të shtunën, më 5 Maj 2018 nga ora 18:00, në Amfiteatrin e Pishinës së Gërmisë, ku do të jenë grupet TROJA, LAND OF CONFUSION, PINKMETAL dhe 4X4.
“Që nga 2014 kur u organizua në Australi, në kuadër të MUWW mbahen koncerte të llojit të njëjtë, në të gjithë botën, në të njëjtën datë, të identifikuar me të njëjtin flamur. Rockuzinë ka kënaqësinë që të vendos Kosovën në hartën e MUWW”, shkruhet në komunikatën e Rockuzinë.

Kjo ngjarje do të vazhdojë çdo vit në të njëjtën datë, edhe me bende tjera e të reja. Biletat do të shiten çdo ditë në Rockuzinë dhe gjithashtu në hyrje të koncertit./ KultPlus.com