19 vjet nga eksodi i shqiptarëve nga Kosova (FOTO)

​Sot shënohet 19-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës në 1998-1999, rreth një milion shqiptarë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni.

Për veç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kaluan kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.

Eksodi, apo dëbimi shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, arriti kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi).

16 prilli është data kur në Kukës shënohet Dita e Eksodit, si shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapen dyert e veta për të pritur vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova./ KultPlus.com

Anulohet premiera “Hamleti simbas Horacit”, lëndohet aktori kryesor i shfaqjes

Për shkak të lëndimit të aktorit Shkëlqim Islami në rolin kryesor të shfaqjes “Hamleti simbas Horacit”, me regji të Ilirjan Himajt, kjo shfaqje e paraparë ta ketë premierën sot më 16 prill, është anuluar, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nga Teatri Kombëtar i Kosovës, të cilët në një njoftim kanë thënë se kjo shfaqje pritet të vijë me premierë përgjatë muajit maj.

“Njoftim
Të nderuar artdashës dhe publik i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Me keqardhje ju njoftojmë se për shkak të lendimit të aktorit në rol kryesor, Premiera “Hamleti simbas Horacit” e planifikuar të mbahet me 16 Prill (e hënë) si dhe reprizat me 17.19 dhe 25 do të anulohen. Duke shpresuar në shërimin sa më të shpejtë të aktorit dhe rikthimit të tij në skenë, kjo shfaqje pritet të vijë përpara publikut gjatë muajit Maj.
Ju falenderojmë për mirëkuptim!”, thuhet në njoftimin e TKK-së./ KultPlus.com

Fotografia që tregon emocionet e fëmijëve refugjat nga Kosova në Kukës (FOTO)

Fotografja amerikane, Carol Guzy ka shkrepur disa fotografi gjatë vitit 1999 në Kukës të Shqipërisë, atje ku ishin nisur një pjesë e madhe e banorëve të Kosovës, shkruan KultPlus.

Një fotografi e saj paraqet fëmijët kosovarë në një kamp në Kukës të Shqipërisë, pas udhëtimit të tyre nga toka e trazuar.

Në përshkrimin e gazetares së Washington Post, shkruhet se programi i UNICEF kishte ndihmuar fëmijët kosovar që t’i kalojnë traumat psikologjike të përjetuara gjatë luftës. Në këtë foto shihet Lindita Morina, 9 vjeçare (me një kurorë të bërë nga nëna e saj) derisa përqafon një tjetër fëmijë refugjat gjatë seancës.

Përmes poezisë, vizatimeve dhe lojërave, ata kanë mësuar të shprehin emocionet e tyre. Vizatimet janë më shpesh nga tmerret që ata kanë parë, nga vrasjet dhe shkatërrimi. Poezitë e tyre flasin për lirinë. Vullnetarët e UNICEF-it kishin vizituar çdo kamp në Kukës në baza ditore. Fëmijët e kishin pritur me padurim këtë pjesë të ditës dhe u shfaqnin atyre shumë dashuri dhe mirënjohje./ KultPlus.com

“Kthimi” i Kastriot Abdylit të mërkurën me premierë

Filmi “Kthimi’ i regjisorit Kastriot Abdylit vjen premierë këtë të mërkurë, më 18 prill në Cineplexx (City Mail), në qytetin e Shkupit, shkruan KultPlus.

Skenari i filmit është punuar nga Kastriot Abdyli së bashku me Isa Qosën ndërsa ky film është koproduksion i parë mes Maqedonisë dhe Kosovës, realizuar nga “Dardania Film” Shkup & “Shkupi Film” Prishtinë.

Ngjarja zhvillohet në një fshat shqiptar. Iliri, një i ri shqiptar nga Maqedonia që emigroi në Francë, ka vendosur të martohet me një franceze me emrin Sabine. Për shkak të çështjeve ligjore (Iliri hyri në Francë në një vizë të rreme) ai duhet të kthehet në fshatin e tij të lindjes për t’u martuar. Kjo duket si një mundësi e madhe për ta parë familjen e tij përsëri pas shtatë vjet mungese dhe për Sabine që të mësojë më shumë për rrënjët e tij. Sidoqoftë, vizita e tyre e papritur bëhet e tharë kur babai i Ilirit, një burrë tradicional i moshuar, e kupton se djali i tij është kthyer vetëm për t’u martuar me një grua të huaj dhe pastaj për t’u larguar, duke thyer “Besën” që ai i kishte bërë Bardhës, një vajze nga fshati i tyre. Filmi është një dramë që ngërthen kontardita mes kulturës perëndimore dhe asaj shqiptare që shkaktojnë situata komike.

Në rolet kryesore, pra në rolin e Sabine, paraqitet Delphin Depardieu , aktorja nga Franca (njëherësh mbesa e aktorit me famë botërore Xherard Depardeu). Krahas saj në rolet kryesore paraqiten Selman Lokaj, Hazir Sh. Haziri, Liridona Shehu, Safete Rogova, Sefedin Nuredini.
Drejtori I Fotografisë Vlatko Samoilovski, Kostumograf Izet Curri, Skenograf Zeni Ballazhi, Kompozitorë Memli Kelmendi, Montazhier Kastriot Saqipi dhe Blagoje Nedelkovski, Producent Ekzekutiv Simeon Damevski.

Në rolet tjera paraqiten: Xhevat Qoraj, Shkëlqim Islami , Ismail Kasumi, Labinot Lajqi, Valon Bujupi, Virus Shala, Venera Lumani, Zijadin Murtezi , Teuta Ajdini, Hamdi Rashiti ,Muqbajadin Qamili,Nikola Kumev, Avdullah Gjikoka, Ellhame Bilall, Beqir Nuredini, Shota Baraliu, Muzafer Etemi, Flerentina Ademi, Valdete Ismaili, Donika Ahmeti, Enver Halimi, Agim Sulejmani, Ramadan Malaj, Abdurahman Rahman, Shkup Abdyli, Jon Saqipi, Arb Abdyli, Rron Grajqevci, Nadire Ismaili Salihu, Burhanedin Salihu Metush Agjani, Shoqëria Kulturo Artistike “Karshiaka”.

Ky film do të shfaqet këtë të mërkurë në Cineplexx Mall në Shkup ndërsa nga 19 prilli do të jetë në repertuarin e rregullt në Cineplexx. / KultPlus.com

Gondola, ikona e Venecias, në rrezik nga zhdukja

Gondolat, varkat turistike në rrugët ujore të Venecias janë ikona romantike dhe simboli i qytetit italian.

Të prodhuara për herë të parë në shekullin e 19, gondolat unike tani janë në rrezik nga zhdukja.

Disa thonë se ato janë viktimë e një brezi të ri që duket më pak i interesuar në ruajtjen e këtyre varkave të veçanta. Por, siç njofton korrepondentja e Zërit të Amerikës, një punishte në këtë qytet ia ka vënë mision vetes për të prodhuar dhe ruajtur gondolat për brezat e ardhshëm.

Gondolat u japin turistëve pamje të paharrueshme të qytetit të bukur të Venecias. Rreth 400 prej tyre lundrojnë nëpër kanalet e qytetit.

“Kam dëgjuar se gondola është objekti më i fotografuar në botë dhe kjo më bën të lumtur”, thotë Roberto Tramontin, i kompanisë “Tramontin & Figli”.

Roberto është marrë me ndërtimin e gondolave në punishten e tij për 48 vjet, një biznes familjar që e themeloi stërgjyshi i tij në vitin 1884.

“Ai hapi punishten e tij kur ishte 32 vjeç, pasi mori njohuritë dhe aftësitë nga mjeshtrit e asaj kohe”, thotë ai.

Ndërtimi i një gondole mer rreth dy muaj. Duke përdorur tetë lloje druri, varka montohet me kujdes me 280 pjesë të përgatitura me punë dore. Dërrasave u jepet forma duke i njomur me ujë, dhe përmes përpunimit të tyre në zjarr pas procesit të tharjes.

Për të ruajtur origjinalitetin e tyre, punishtja e Tramontin-it ende përdor matje tradicionale veneciane. Sistemi metrik nuk hyri në përdorim në Itali deri në fund të shekullit të 19-të.

“Kur erdha këtu solla një vizore metrike druri, por shumë shpejtë mësova se në këtë punishte nuk përdoret centimetri, por këmbët veneciane”, thotë zdrukthtari Matteo Tamassia.

Kërkesat për gondola tradicionale kanë rënë me kalimin e viteve. Në vitet 1960, punishtja e Tramontin-it prodhonte tre gondola në ditë, por tani, ajo prodhon vetëm një në vit.

Por, mjeshtëria që zbatohet në prodhimin e çdo varke vlerësohet nga pronarët krenarë të produkteve të prodhuruara nga Tramontini.

“E veçanta e gondolave të Tramontinit është manovrimi i lehtë. Ajo lundron me lehtësi dhe ka një formë dhe siluetë unike”, thotë Alessio Trentin, pronar gondole.

Por, Tramontini shpesh mendon për fatin e këtyre anijeve krenare veneciane.

“Gjithmonë do të ketë diçka të zezë që lundron në Venedik, të zbukuruar mirë, që do ta quajnë gondola. Por nëse jo, atëherë ndoshta do të ketë varka plastike ose gomone”, thotë ai.

Një gjë është e sigurtë thotë ai: gondola e Tramontinit do të vazhdojë të prodhohet njësoj si paraardhëset e saj, me vëmendje të madhe ndaj detajeve dhe traditës./ KultPlus.com

Piktori Demush Avdimetaj me ekspozitë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës

Më 19 prill, në ora 19:00, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës bëhet hapja e ekspozitës “Simbiozë e Artit Klasik dhe Modern” të piktorit Demush Avdimetaj, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë përmban tridhjetë (30) punime, vepra pamore – vizatime dhe piktura të realizuara në teknikat akrilik në pëlhurë, akrilik në letër, teknikë e kombinuar, etj. të cilat paraqesin elemente reale dhe të imagjinuar poetike, me kontura vizatimore grafike, piktoreske e skulpturore.

Piktori Avdimetaj është një ilustrator i shquar dhe një piktor me identitet të formësuar prej artisti. Demush Avdimetaj dëshmon prirjen e tij për dy lëmi të artit pamor, vizatimin – që është bazë dhe pikturën. Peizazhet lirike merren nga natyra, por transponohen varësisht nga emocionet, disponimet dhe përjetimet estetike, duke krijuar imazhe vizuale mbresëlënëse, asociative dhe refleksive.

Demush Avdimetaj u lind më 1949 në Strellc të Deçanit. Studimet e larta i ka mbaruar në Kosovë, në Fakultetin e Arteve, drejtimi i Pikturës. Deri më tani, z. Demush Avdimetaj ka realizuar mbi 20 ekspozita personale, ndërkaq kjo është ekspozita e tretë me radhë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës.

Karriera e tij artistike është përcjellë edhe me çmime e mirënjohje të ndryshme si ajo nga Akademia Evropiane e Arteve në Belgjikë në vitin 2006, nga Salloni i 36-të Ndërkombëtarë, po në Belgjikë, nga Salloni Mbarëkombëtarë i Gostivarit në vitin 2010, etj.

Ky projekt drejtohet nga znj. Dhurata Ramosaj-Shala – koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, ndërkaq kurator i ekspozitës është z. Nebih Muriqi./ KultPlus.com

Intelektualët shkodranë bashkohen për të ruajtur “Bashkimin”

Një grup intelektualësh të qytetit të Shkodrës po bëjnë përpjekje për ta shndërruar në muze shtëpinë ku në vitin 1899, u themelua shoqëria “Bashkimi”, e cila luajti rol për përhapjen e gjuhës shqipe dhe për lëvizjen arsimore në Shqipëri.

Gjatë 27 viteve të fundit, Shkodra ka humbur disa nga shtëpitë muze, ndaj nisma e fundit e intelektualëve shkodranë vlerësohet si përpjekje për rigjallëruar vlerat kulturore të qytetit.
https://www.zeriamerikes.com/a/shkoder-ruajtja-e-vlerave-muzeale-shoqeria-bashkimi/4349104.html

Përmes “Na shkoj ftyra”, Fiona Abdullahu shpalosi veçantitë e saj artistike e profesionale (FOTO)

Gili Hoxhaj
Beat Brunch është një koncept i ri në kryeqytet e që po mbledh artistët më të mirë të talentuar nga Kosova dhe më gjerë. Njerëz të fushave të ndryshme artistike nga muzika, moda, piktura tanimë vijnë në një dimension tjetër. Adhuruesit e artit krahas një mënyje me çmim jo dhe shumë të lartë, mund të qëndrojnë në këtë ambient dhe të shërbehen edhe me punën e artistëve që vijnë aty.


Fiona Abdullahu është vetëm 21 vjeçare, por eksperienca e saj në dy shtete të huaja, duket sikur vetëm e ka shtyrë artisten drejt një pjekurie profesionale.

Fiona Abdullahu është artiste e grimit për filma (Movie Make Up Artist). Ajo studimet i ka përfunduar në Paris në “Movie and Tv Makup Academy”, ku edhe ka specializuar. Akademi kjo e njohur për grimer me famë botërore. Vitin e kaluar ajo është kthyer nga Parisi dhe tani merret me filma, seriale dhe reklama të ndryshme. Ajo kishte nderin të punonte me këngëtarin britanez Issac Gracie – Tarrifie, po ashtu punoi në reklamat ndërkombëtare të telefonisë “Huaëei” dhe qëllimi i saj është që puna e saj të njihet në mbarë botën.

Me talentin, ambiciet e përkushtimin në çdo detaj të punës së saj, duket se ky qëllim nuk është larg. Pasioni i saj gjithnjë kishte qenë i gërshetuar mes muzikës, filmit dhe grimit. Fillimisht modelet e para, ku ajo kishte shprehur talentin, janë fytyrat e shoqeve të saj. Trajnimi i saj në Finlandë e studimet në Paris, do t’ia dëshmonin përfundimisht pasionin e saj për grimin, duke ia hapur rrugët edhe drejt filmit. Karakteristika e artit të saj është një lloj grimi shumë unik e artistik kurse inspirimi i vie nga puna e përditshme dhe temat aktuale të shoqërisë. Arti i Fionës në Beat Brunch erdhi me një mesazh të rëndësishëm, sa i përket idesë së saj dhe përmbajtjes që fshihet prapa, por mënyra se si ajo e sjellë përmes fytyrës së modelës, e nxjerrë paska edhe qesharak në dukje.
“Na shkoj ftyra”, është tema që ajo e vizualizon përmes grimit në fytyrën e aktores Rina Krasniqi. Krejt ky mesazh lidhet me eksperiencës e saj personale e profesionale.

“Përmes këtij mesazhi, do ta tregoj një eksperiencë timen kur kam shkuar gjatë studimeve në Paris, unë kam arritur të ndryshoj shumë gjëra tek vetja dhe kjo vetëm falë kritikave që ia kam dhënë vetes, sepse ne si shqiptar nuk e kritikojmë shumë veten por i kritikojmë shumë të tjerët. Ideja është që krejtve na ka shku fytyra kështu që ndryshimi është mirë që të filloi nga vetja”, është shprehur për KultPlus, artistja Fiona Abdullahu.

Ajo ndihet tejet e emocionuar të flas për përvojën e saj para publikut të Prishtinës, e veçmas të prezentoi procesin e punës së saj përmes krijimit të një personazhi që ka tejet rëndësi për të. Ky grim që erdhi sot, e nënkupton ndjenjën e saj pas shkuarjes në Paris, atje ku kishte kuptuar sensin e vërtetë të punës.

“Ky është eventi më i madh i jetës time deri sot sepse kanë me u mbledh të gjithë, do ta shohin punën time dhe do ta shohin punën time për së afërmi. Po ashtu do të mundohem që çdo gjë të rrjedhë në mënyrë shumë spontane dhe jo shumë serioze po gjatë gjithë kohës duke dëgju muzikë, duke vallëzu, duke ngrënë”, tregoi Fiona për KultPlus.

Mes vallëzimit, buzëqeshjeve e muzikës njerëzit ofroheshin tek këndi, ku tashmë mesazhi i Fiona Abdullahut vetëm se po merrte formën e tij në fytyrën e modeles, Rina Krasniqi. Fiona me kujdesin më të madh profesional, përdorte mjetet e saj në çdo vijë që kishte planifikuar. Gjithë ky event i përcjellur me muzikën e Yll Megit dhe Alti’nBeats BEATS (Balearic Deep Guitar).

Ktiaristi Altin Tila kishte ardhur shumë shpesh për të perfomuar në Prishtinë ndërsa tregoi për KultPlus se është tejet i kënaqur që të marr pjesë në këtë ngjarje, për shkak të mënyrës së organizimit dhe vendit ku mbahet. Ai solli një pjesë të krijimtarisë së tij që ai e gërshetoi mes stilesh të ndryshme, në një bashkëpunim me Dj-n.

Po ashtu në këtë ekspozitë, të pranishmit kishin mundësi të shohin dhe t’i blejnë disa nga punimet e piktorit të njohur, Agron Mulliqi. Në kuadër të këtij eventi që vjen pothuajse çdo të diel në Hotel Garden, të pranishmit kanë një menu para-fix, duke filluar me një mimozë, sangri apo ndonjë pije të butë. Zgjedhja e supës ose sallatës si një kurs i parë. Kursi kryesor nga një sërë zgjedhjesh të shijshme, më pas dhe kafe ose çaj. Të gjitha për një çmim të arsyeshëm.

Ideatroi i këtij eventi është Gentian Rizaj, i cili për shumë vite ka jetuar në Amerikë, atje ku edhe e ka hasur për herë të parë konceptin e brunch-it, të cilin që nga atëherë ka dashur ta sjellë edhe në Kosovë. I inspiruar nga puna e babait që është koleksionar i madh i artit, e studimet e tij në fushën e turizmit, ai ka gërshetuar të gjitha këto përmes këtij organizimi që po zgjon mjaft interesim.
“Unë kam organizuar shumë bruncha që është koncept mes mëngjesit dhe drekës, unë kam jetuar për dhjetë vite në Amerikë dhe kjo është shumë e njohur atje. Gjithmonë kam dashur që ta sjellë edhe në Kosovë por kurrë s’kam gjetur lokacionin e duhur që më është përshtatur, kur kam ardhur në “Garden”, e kam parë që vendi është ideal”, ka treguar Gentian Rizaj.

Ai tutje për KultPlus shpjegoi që përmes synimi i Beat Brunch është që të mbledh artistë të vjetër dhe të rinj te të gjitha fushave.
“Dera është e hapur për të gjithë artistët e Kosovës, rajoni dhe botës. Ideja është që këtu të vijnë edhe shokë të vendeve të ndryshme të botes”, është shprehur Gentian Rizaj.
Evente të tilla mbahen çdo të diele në “Hotel Garden”, duke filluar nga ora 12:00 deri në ora 18:00./ KultPlus.com

Dua Lipa: Gjyshi im u pushua nga puna sepse nuk pranonte të shtrembëronte historinë e Kosovës

Këngëtarja shqiptare, Dua Lipa edhe pse në moshë të re, ajo po prek majat e suksesit në muzikën ndërkombëtare. Viti që shkoi e nxori atë si këngëtaren më të dëgjuar në Spotify, ndërsa kënga e saj “New Rules”, mblodhi përplot 1 milion klikime.

Dua Lipa nuk e ka mohuar asnjëherë vendlindjen e saj, kështu dhe në intervistën e fundit për “The Guardian”, ajo ka treguar për historinë e familjes së saj, për luftën në Kosove dhe Bosnjë, për sakrificat e prindërve dhe gjyshërve të saj.
“Dukagjin Lipa ishte djali i historianit të njohur, Seit Lipa që në atë kohë ishte kryetari i Institutit të Historisë. Kur filloi konflikti në Kosovë, përfundoi edhe karriera e gjyshit”, ka treguar tutje Dua, duke thënë se kjo ka ndodhur pasi që gjyshi i saj, nuk pranonte assesi të shtrembëronte historinë e Kosovës.
“Kur erdhën serbet, ata kërkonin nga historianet të rishkruanin historinë e Kosovës. Ta ndryshojnë atë, të thonë se Kosova ka qenë gjithnjë pjesë e Serbisë dhe asnjëherë pjesë e Jugosllavisë dhe gjyshi im ishte nga ata njerëzit që nuk mund ta bënin, kështu ai e humbi punën pasi që nuk donte të shkruante diçka të cilën nuk e besonte”, ka treguar Dua.

Tutje ajo ka treguar për prindërit e saj të cilit kanë shkuar si refugjat në Londër, në vitin 1992, ndërsa gjyshërit kishin mbetur në Kosovë dhe Bosnie, përcjellë KultPlus.
Dua gjatë kësaj interviste ka treguar se gjyshi i saj kishte vdekur në vitin 1999, pas luftës në Kosovë mirëpo për shkak se kufijtë kishin qenë të mbyllur, babai i saj, Dukagjin Lipa nuk kishte pasur mundësi ta vizitonte babain e tij, Seit Lipa.

Ajo tutje ka shpjeguar se si prindërit e saj kanë punuar dhe në të njëjtën kohë kanë ndjekur studimet.
“I kam parë prindërit e mij duke punuar çdo ditë të jetës time”, ka thënë tutje, Dua Lipa, e cila ka shtuar se derisa ajo shkonte në shkollë edhe prindërit e saj shkonin në shkollë.

Ajo po ashtu në këtë intervistë ka folur rreth refugjatëve dhe rëndësinë e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Ylli botëror nga Kosova, pritet që këtë verë të vizitoi kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën. / KultPlus.com

Dua Lipa: Gjithmonë kemi folur shqip në shtëpi

Këngëtarja shqiptare, Dua Lipa edhe pse në moshë të re, ajo po prek majat e suksesit në muzikën ndërkombëtare. Viti që shkoi e nxori atë si këngëtaren më të dëgjuar në Spotify, ndërsa kënga e saj “Neë Rules”, mblodhi përplot 1 milion klikime.

Dua Lipa nuk e ka mohuar asnjëherë vendlindjen e saj, kështu dhe në intervistën e fundit për “The Guardian”, ajo ka treguar për historinë e familjes së saj, për luftën në Kosove dhe Bosnjë, për sakrificat e prindërve dhe gjyshërve të saj, përcjellë KultPlus.

Tutje ajo ka treguar për prindërit e saj të cilët kanë shkuar si refugjat në Londër, në vitin 1992, ndërsa gjyshërit kishin mbetur në Kosovë dhe Bosnie.
Dua Lipa ka qenë në përfundim të shkollës fillore kur prindërit i dhanë asaj lajmin se po ktheheshin në Kosovë pasi që babai i saj, Dukagjin Lipa kishte diplomuar dhe atij i ishte ofruar një punë në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.
“Të gjithë shokët e mij ishin duke shkuar në shkolla të ndryshme. Ndërsa unë u thoja atyre “Um, unë po shkoj në Kosovës”, ka treguar Dua për “The Guardian”.

Ajo tutje ka thënë se është ndjerë shumë e lumtur të kthehet dhe të takoj të afërmit që nuk kishte pasur mundësi t’i shihte më herët.
“Isha shumë e emocionuar, ne gjithmonë kemi folur shqip në shtëpi. Atje kisha kushërinj që nuk i kisha takuar asnjëherë”, është shprehur Dua Lipa për “The Gurdian”./ KultPlus.com

Shqiptarët i shpëtuan jetën, amerikania krijon organizatë për mbrojtjen e kulturës shqiptare

Një shtetase amerikane nga Atlanata, Georgia ka themeluar një organizatë për mbrojtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare.

“Tradita shqiptare e Besës më shpëtoi jetën 2 vjet më parë teksa ndodhesha në Republikën Domenikane”, tregon Ashley Ëood, themeluese dhe drejtuese e organizatës ‘Albanian Voices’ (‘Zërat shqiptarë’). Ashlye ishte duke bërë kërkime për temën e saj të doktoraturës në një qytet të vogël kur gabimisht e gjeti veten të rrethuar nga një grup njerëzish të rrezikshëm. E gjithë skena rrëfen ajo, u pa nga 4 shqiptarë.

“Ishte si një skenë e dalë nga një film. Nuk më besohet ajo që po ndodhte. Shqiptarët nisën të më mbronin për asnjë arsye tjetër, vetëm për faktin se më konsideronin si mysafire në atë vend”. Një koncept unik i kulturës shqiptare është tradita e besës; që do të thotë se jeta e mysafirit vlen më shumë se gjithçka dhe ai duhet të mbrohet derisa është në besën tënde.

“Isha aq e prekur dhe e frymëzuar nga kjo kulturë kaq e veçantë, saqë vendosa të krijoja ‘Albanian Voices’, me shpresën për ta ndarë këtë kulturë të mrekullueshme me pjesën tjetër të botës”, rrëfen vajza.

Së shpejti fillojnë aventurat e “South Outdoor Festival”

South Outdoor Festival i kthyer tashmë në një traditë me qëllim promovimin e fshatrave për zhvillimin e turizmit këtë vit do të startojë në Vuno dhe do të zgjas për tri ditë nga data 27 deri më 29 prill, shkruan KultPlus.

Disa nga fshatrat ku pjesëmarrësit e këtij festivali do të eksplorojnë bukurinë dhe misteret që fshehin janë Kuçi, Kudhësi, Çorraj, Qeparoi dhe Borshi, ku nuk do të mungojnë edhe aktivitetet e plazhit (kayaking, zhytje, volejboll, plazh) në gjiret e mahnitshme të Jalës dhe Gjipesë! Argëtimet gjatë ditës dhe çlodhja në mbrëmje rreth zjarrit në kampin me çadra të ngritura, do të jenë thelbi i mikpritjes së këtij festivali. Nuk do të mungojë edhe muzika live, si dhe iso-polifonia ( Trashëgimia Kulturore e ruajtur nga UNESCO), që do të dëgjohet gjatë gjithë festivalit.

Fshati i Vunoit ka një arkitekturë të pasur dhe unike në gjithë zonën e bregdetit dhe konsiderohet si një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, ku gjendet në afërsi të Kishës së Shën Spiridonit. Atje do të mbahen shumë aktivitete, do të ketë muzikë, kampe, lojra, seminare, forume, aktivitetet kulinarie, etj. Ujërat e mrekullueshme të plazhit të Jalës, ofrojnë mundësi për sportet ujore. Aktivitete të tjera si hiking, biking, do t’i ofrojë mali.

Vunoi ka një pamje magjepsëse, ku të jep përshtypjen e një Akropoli të madh që del nga shkëmbinjtë. Është një shembull i shkëlqyer i arkitekturës rajonale si në shtëpitë dhe kishat, të ruajtura që nga shekulli i tetëmbëdhjetë. / KultPlus.com

Shqipëria, 10 plazhet më të bukura në bregdetin e Adriatikut

Për një kohë të gjatë, Shqipëria ka mbetur një destinacion i panjohur nga të tjerët.

Me pamje nga Mesdheu dhe që laget nga dy dete, Jon dhe Adriatik në një vijë bregdetare të vetme, ofron vende të pakonceptuara dhe plazhe të mrekullueshme.

Me këto fjalë e nisi shkrimin për Shqipërinë revista italiane ”greenMe”.

Plazhet e Shqipërisë së veriut, të cilat lagen nga deti Adriatik, janë ranore dhe me ujëra të cekëta prandaj janë edhe të preferuarit për familjet me fëmijë.

Ekzistojnë laguna dhe ekosisteme natyrore, prandaj ky bregdet është shumë i popullarizuar edhe mbetet i preferuar dhe nga turistët.

Le të shohim se cilat janë 10 plazhet më të bukura në Shqipërinë e Veriut.

1. Velipoja

Plazhi i Velipojës është plazhi më verior i vendit që ndodhet 22 km nga qyteti i Shkodrës dhe është një nga destinacionet më të preferuara për atë që duan detin. Katërmbëdhjetë kilometra vijë bregdetare karakterizohen nga një plazh i pasur me jod. Një vend i dashur nga ata që duan të praktikojnë sportet ujore.

2. Shëngjini

Plazhi i Shëngjinit është një tjetër plazh ranor pranë rrethit të Lezhës, i vendosur 8 km nga qyteti historik i Lezhës. I njohur për rërën e tij dhe faktin që këtu do të gjeni diellin 300 ditë në vit. Një zonë shumë e populluar, veçanërisht në verë, zona e Shëngjinit është e njohur në të gjithë Shqipërinë si për detin, gjithashtu dhe për kuzhinën e saj të famshme.

3. Rana e Hedhun

Në veri të Shëngjinit, gjendet plazhi i mrekullueshëm i quajtur Rana e Hedhun, i cili është i mbrojtur mirë nga erërat e asaj zone. Ky plazh është quajtur kështu, për shkak të peizazhit të tij me kodra të larta me pamje nga deti dhe të mbuluara me rërë. Sporti më i praktikuar? Rrëshqitni në dunat e rërës!

4. Gjiri i Lalzit

Një nga plazhet më tërheqëse të bregdetit shqiptar të Adriatikut është padyshim dhe Gjiri i Lalzit në veri të Durrësit. Uji kristal i pastër, rërë e hollë dhe një pyll i dendur me pisha, e bëjnë këtë vend të përshtatshëm për ata që duan të relaksohen me detin. Plazhi është vetëm 25 kilometra nga kryeqyteti i Tiranës dhe është lehtësisht i vizitueshëm.

5. Kepi i Rodonit

Kepi i Rodonit është një kryevepër natyrore e mrekullueshme prej 7.5 km dhe është një tërheqje e madhe për ata që e duan zhytjen. Në vitet e fundit ai është bërë shumë turistik dhe po vazhdon të ruajë bukurinë e tij.

6. Durrësi

Plazhi i Durrësit, i vendosur vetëm 39 km larg Tiranës, është plazhi më i madh dhe më i vizituar në vend. Nuk është rastësi që vija bregdetare është gjithmonë e mbushur me njerëz, pasi ofron një kuzhinë të shkëlqyer dhe shumë argëtim. Thellësia e detit gradualisht rritet, gjë që e bën plazhin të sigurt për familjet dhe fëmijët. Durrësi është qyteti i dytë më i madh në Shqipëri dhe porti kryesor i vendit.

7. Currilat

Në veri të Durrësit, plazhi i Currilave është më i thellë dhe mbrohet nga era e nxehtë. Duke qenë shumë afër plazhit kryesor, ofron shumë atraksione turistike. Është një vend i përshtatshëm për familjet, sepse është shumë i mbrojtur.

8. Golemi dhe Mali i Robit

Në jug të Durrësit gjenden Golemi dhe Mali Robit, të cilët ndodhen pranë njëri-tjetrit. Këtu ka rërë të bardhë dhe det të kristaltë. Ka edhe disa monumente natyrore, mundësi për shëtitje, ose argëtim me sporte ujore.

9. Vlora

Vlora është porti i dytë më i madh në vend dhe është një nga qendrat e turizmit shqiptar, por plazhi ka shumë vende turistike, veçanërisht sepse është një qendër për ata që duan të zhyten në plazhet e vogla dhe shkëmbore të gjirit të Vlorës, ose të vizitojnë portin e Orikumit.

10. Spille

Plazhi i Spillesë është një parajsë e vërtetë e Shqipërisë. E mbyllur në mes të natyrës dhe pishave, ky plazh që është pranë Durrësit është një nga më të pastrit dhe më pranë natyrës.

Beyonce kthen Destiny’s Child në Coachella (VIDEO)

Destiny’s Child kanë bërë një performancë të jashtëzakonshme në Coachella.

Këngëtarja e njohur Beyonce, ka kthyer për një natë Kelly Rowland dhe Michelle Williams, dhe të tria morën vëmendjen në festivalin e muzikës në Kaliforni, Coachella, shkruan BBC, transmeton Koha.net.

‘Trio’ hapi performancën e tyre me hitin e vitit 2004 “Lose My Breath”, më pas me “Say My Name” dhe “Soldier”.

Kjo ishte hera e parë që ato janë shfaqur bashkë që nga viti 2015 në “Stellar Gospel Music Awards”.

KultPlus ju përcjellë një video nga paraqitja e tyre atje:

https://www.youtube.com/watch?v=9oCYNo1kzeg

81 vite nga vënia e gurthemelit të Liceut Kombëtar të Korçës

Më 15 prill 1937, filantropisti Thoma Turtulli vuri gurin e parë në themelet e godinës së Liceut Kombëtar të Korçës.

Ndërtesa e projektuar u ngrit me shpenzimet e tij dhe kishte të gjitha kushtet e një shkolle moderne të asaj kohe./ KultPlus.com
https://web.facebook.com/photo.php?fbid=10156075163455631&set=gm.1671841696224930&type=3&theater&ifg=1

Rikthimi në identitet i Vunoit

Fshati i Vunoit, i vendosur në një nga pjerrësitë e vargmalit të Çikës, në një truall të ashpër shkëmbor me shtrirje në formë harku, të mahnit me arkitekturën dhe pamjen piktoreske që ofron.

Ky fshat me bukuri të rrallë, nga pikëpamja urbanistike karakterizohet për kompaktësinë e ndërtimeve, harmonizimin e përsosur me truallin dhe vendosjen e shkallëzuar të banesave, të cilat shfaqen qartë, pa mbuluar njëra-tjetrën, duke krijuar një ansambël piktoresk.

Një projekt i qeverisë shqiptare për rrjetëzimin e fshatrave historikë ka përfshirë edhe Vunoin.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, tha për ATSH-në se “në këtë fshat po vijojnë punimet për rregullimin e çative, fasadave, dritareve rrugëve të brendshme, kanalizimeve, ndriçimit, etj”.

Sipas tij, kjo është një punë e madhe që po bëhet për kthimin e fshatrave historikë.

“Ky investim i qeverisë shqiptare që po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, së bashku me projektin për kthimin si fshat historik të Dhërmiut, si dhe shëtitoren e Dhërmiut dhe Jalit, kap shifrën e rreth 7-8 milionë euro”, theksoi Goro.

Goro tha se ky projekt do të përfundojë në fund të vitit 2018.

Qendra Historike e Fshatit Vuno është shpallur Qendër Historike me vendim të Këshillit të Ministrave më 20 janar 2016. Elementi më i spikatur i Qendrës Historike të Vunoit është pikërisht arkitektura e tij.

Arkitektura dhe pamja piktoreske e Vunoit i bëri mjaft përshtypje edhe shkrimtarit të njohur anglez Edward Lear, i cili nga vizita e tij në vitin 1848 shprehet: U habita nga madhësia, karakteri, rregulli dhe pastërtia e shtëpive në Vuno, të cilat ngjanin me ”Palazzi” të qyteteve italiane.

Ndërtimet shumë afër njëri-tjetrit, kanë krijuar një rrjetë të dendur rrugore. Kjo ka bërë që në mjaft raste të ngrihen banesa edhe mbi rrugë duke siguruar kalimin nëpërmjet qemerëve cilindrike.

Për të lehtësuar kalimin në kthesat e forta, qoshet e ndërtimeve zbuten me thyerjen karakteristike. Tipologjia e banesave është mjaft e larmishme, duke nisur me ato më të thjeshtat me kat e gjysmëkat, banesat e fortifikuara e deri tek komplekset ndërtimore. Elementët arkitektonikë të harqeve, qemerëve e qosheve të punuara janë përdorur mjaft dendur, duke u dhënë ndërtimeve pamje monumentale.

Emri i këtij fshati shfaqet për herë të parë në defterin përmbledhës të regjistrimit osman, në vitin 1431-1432, si pjesë e Himarës, ku figuron si një fshat i vogël me 22 shtëpi. Ndërsa dy shekuj më vonë në vitin 1693 ai shfaqet si një ndër fshatrat më të mëdhenj të zonës së Bregut të Detit. Banorët e këtij fshati kanë qenë shumë aktiv në rezistencën antiosmane të krahinës së Himarës.

Emri i Vunoit apo banorëve të tij shfaqet pothuajse në të gjitha letrat që zona u dërgonte kancelerive perëndimore për të lidhur aleancë kundër pushtuesve osman, duke nisur me letrën dërguar Papa Gregorit XIII në vitin 1577, e deri tek ajo drejtuar careshës ruse Elisabetës, në vitin 1759.

Duke qenë një nga qendrat më të zhvilluara të zonës së Bregut, me kontakte të vazhdueshme me botën perëndimore, banorët e këtij fshati ishin mjaft të emancipuar. Për këtë arsye ata ishin ndër të parët që u përfshinë në lëvizjen kombëtare, kontribuan në shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar, morën pjesë në Luftën e Vlorës dhe ishin pjesë e lëvizjes antifashiste në Luftën e Dytë Botërore.

Shumë nga personalitetet e spikatur në fushën e artit dhe kulturës, si dramaturgu Spiro Çomorra, shkrimtari i letërsisë për fëmijë Odhise Grillo, regjisori Dhimitër Anagnosti e aktori Robert Ndrenika e shumë të tjerë, janë me origjinë nga ky fshat./ KultPlus.com

Dua Lipa e mbushur me lumturi nga koncerti në Manchester (FOTO)

Dua Lipa po vazhdon turneun e saj në Angli, duke dëshmuar çdo ditë e më shumë kapacitetin e saj skenik, shkruan KultPlus.

Pas disa koncerteve në Dublin, ajo mbrëmë ka performuar në Manchester të Anglisë, atje ku ka krijuar një atmosferë tejet të veçantë, duke mbledhur një numër të madh të publikut.

“Nata e parë në Manchester, faleminderit për energjinë dhe dashurinë që më dhuruat! Unë jam e mbushur me plot lumturi dhe menzi s’po pres për nesër që ta përsërisim këtë natë nga fillimi”, ka shkruar mbrëmë, pas koncertit këngëtarja.

Dua Lipa së fundmi ka publikuar këngën “One kiss”, në bashkëpunim me Calvin Harris ndërsa ka arritur sukses të jashtëzakonshëm me albumin e saj të fundit “Dua Lipa”./ KultPlus.com

Si iu dhurua Skënderbeut spitali më i madh në Italinë e Jugut

Emrin e San Giovanni Rotondo-s e të mrekullive, që bënte e bën në këtë vend të bekuar një frat me varret e gozhdave të Krishtit në duar, shqiptarët nisën ta dëgjojnë vetëm pasi u shemb tirania. E në vendin e tiranëve, u rikthyen shenjtorët.

E madje nisën të dëgjohen edhe emra të rinj, si ai i Atë Piut të Pietrelçinës, e ndokush nisi edhe të mjekohej në njërën nga mrekullitë më të mëdha të këtij frati këmbëzbathur. Në spitalin tashmë të njohur botërisht të lehtësimit të dhimbjes.

Por askujt nuk i shkoi as nëpër mend se San Giovanni Rotondi ishte pronë e shqiptarëve… Në kohë të largëta, kuptohet, kohë heroike, që pak kanë të bëjnë me kohët tona… Duhet të rikthehemi 550 vjet pas, për të kuptuar si e qysh San Giovanni Rotondo kaloi në duar shqiptare. Duhet të arrijmë në Mbretërinë e Napolit, në verën e vitit 1461, kur Skënderbeu u nis, në krye të ekspeditës shqiptare, për të ndihmuar të birin e mikut të tij, Alfonsit të Napolit, në një çast tejet të vështirë, kur po humbiste fronin. Gjergji, sapo arriti, u vërsul vrullshëm mbi kundërshtarët e princit napoletan dhe bëri kërdi mbi ta.

Shpejtësia e rrufeshme e manovrimit dhe dora e sigurt në drejtimin e sulmeve, bëri që të fitonte admirimin dhe mahnitjen e të gjithë atyre, që qenë të pranishëm në betejë.

“Emri dhe lajmi i ardhjes së Skënderbeut – shkruan një historian i asaj kohe – jo vetëm që i shkatërroi të gjitha planet e armiqve, por e mbushi Italinë me famën dhe ngadhënjimin e tij”. Atëherë bota e asaj kohe e njohu konkretisht! E më mirë nga të gjithë, Ferdinandi i Napolit, që e quajti atë dhe i dhuroi, si pronë të përhershme, Tranin dhe San Giovanni Rotondon, në Italinë e Jugut.

Sot, kur pronat në Shqipëri janë mollë sherri, ndokush mund të pyesë, jo fare pa interes:

“U mor vesht si e fituam, po për ta humbur, si e humbëm?”. E humbëm njëherësh me trojet tona, kur u pushtuan. E humbëm dhe e harruam. Po në kujtesën e historisë, që nuk harron kurrë, mbeti pronë e ca viseve, të cilat nuk kishin më prona.
E atëherë mbi gjurmët e potkonjve të kalit të Skënderbeut, shkeli këmba e zbathur e një frati të thjeshtë. Pikërisht mbi ato troje që, sipas historisë, vijonin të ishin pronë e shqiptarëve. E çuditshme, kjo puna e pronës, me një mori kuptimesh – nga kuptimi material, tek ai shpirtëror – më i rëndësishmi. San Giovanni Rotondo mbetet pra, përsëri, pronë shpirtërore e shqiptarëve, të cilën nuk mund t’ua rrëmbejë asnjë sulltan….

Kush dëshiron ta vërtetojë këtë pronësi, mund të shfletojë ndonjë nga “Historitë e Skënderbeut”. E do ta gjejë patjetër.

Referenca: Arkivi i Vatikanit

Liria

Poezi nga Dritëro Agolli.

U mërzit në kasolle gomari,
ndaj një ditë këputi litarin:

Boll më, tha ,me dru dhe punë,
do fitoj lirinë dhe unë!

Po kur i zoti e gjeti në pazar
e ngarkoi mirë me mall.

I foli një mushkë aty pranë:
Liria nuk është për gomarë!

“I ëmbël zëri i gjyshes, kur ngjarjen ma tregon” (VIDEO)

“Zëri i gjyshes” është kënga që të ngjallë emocion sa herë e dëgjon.

Kësisoj, sot po sjellim interpretimin e kësaj këngë përmes këngëtares Jonida Maliqi.

Po sjellim edhe tekstin e plotë të këngës:

Tregon gjyshja ngaherë
Na ishte se çna ishte
Na ish njëher një djalë
Si veten shokët kishte
E un duke dëgjuar
Shikoj me syt e mi
Një trim duke luftuar
Për vatër e liri
I ëmbël zëri gjyshes
Kur ngjarjen ma tregon
E lehtë dor e saja
Mbi krye m’ledhaton 4x
Tregon gjyshja ngaherë
Na ishte se çna ishte
Na ish njëher një djalë
Si veten shokët kishte
E un duke dëgjuar
Shikoj me syt e mi
Një trim duke luftuar
Për vatër e liri
I ëmbël zëri gjyshes
Kur ngjarjen ma tregon
E lehtë dor e saja
Mbi krye m’ledhaton 4x

Çantat që po pushtojnë Prishtinën dhe historia prapa tyre

Alberina Haxhijaj

Të gjithë dëshirojmë që të kemi nga një çantë unike e funksionale, diçka që na prezanton, disa elemente që i duam e që kompletojnë veshjen tonë. Në kërkim të çantave të tilla kanë qenë edhe Loreta Ukshini së bashku më bashkëshortin e saj Isah Mustafa, deri në themelimin e “I’m LU”, shkruan KultPlus .

Si rrjedhoje e kësaj Isah Mustafa dhe Loreta Ukshini krijuan idenë për I’m Lu në vitin 2011, duke vazhduar më pas më dizajnimin e çantave të para, blerjen e aparaturës dhe gjetja e një hapësirë ku ata do ushtronin aktivitetin e tyre.

Titulli I’M LU është menduar në fillim të nënkuptojë, unë jam Loreta Ukshini, por gjatë dizajnit të llogos është vërejtur se të i’m janë edhe inicialet e Isah Mustafas. Kështu që në titull tregohet se kush fshihet prapa dizajnimit të çantave të shumta që tashmë qarkullojnë nëpër Kosovë, e sidomos në Prishtinë. Ajo që i bën këto çanta unike janë elementet që i përbëjnë, element këto që ndryshojnë dhe janë të lidhura me emocionet dhe çdo gjë që i rrethon dizajnuesit e tyre.

“Idetë vinë nga gjithçka, nga diçka e mirë, nga diçka që na provokon, ndoshta edhe nga një këngë ose edhe nga pluhuri i Prishtinës apo betoni. Shpesh edhe nga një copë materiali, që kur e vendosim në tavolinën për punë, na çon të një dizajnë i caktuar…por ideja gjithmonë është të jetë diçka unike dhe jo imitim!”, tregojnë themeluesit e I’m LU për KultPlus. Ndërsa fakti se Loreta Ukshini është edhe artiste bënë që gjithçka prapa punimeve të jetë art, në të kundërtën sipas tyre puna e tyre nuk do të kishte jetë të gjatë dhe s’do ishte as I’M LU.

Në dyqanin e tyre ku edhe dizajnohen, punohen dhe shiten çantat, çdo kush mund të gjejë diçka të veçantë për vetën e tij. Gjithë kjo pasi që aty ka çanta për mosha dhe gjini të ndryshme.

“Kemi çanta të moshave dhe gjinive të ndryshme, ato i ndërtojmë në bazë të nevojës për moshat, qëllimi i këtyre moshave apo gjinive, ku rrjedhimisht dhe elementet ndryshojnë, p.sh të një vajzë e vogël që shkon në kopsht një flutur e vogël në çantë apo një mollëkuqe do ta bënte të ndjehet e lumtur e kështu me radhë”, thanë ata, duke shtuar se me fillimin e I’M LU ka filluar edhe krijimi i familjes së tyre.

“Pasi që nga fillimi i I’m LU-se ne kemi pas fatin që të fillojmë edhe familjen tonë ku tani kemi dy fëmijë në familjen tonë, një vajzë dhe një djalë që janë duke u rritur së bashku me I’M LU-në dhe kjo na ka lehtësuar pjesën e dizjanimit dhe ndërtimit të çantave për këtë moshë” tregojnë ata.

Mirëpo tek I’m LU përveç çantave punohen edhe jastëk si dhe dekorime të ndryshme për dhoma të fëmijëve apo raste tjera. Po ashtu ka pasur raste kur ata kanë punuar diçka për dyqanin e tyre apo për veten e tyre por që klientëve ju ka pëlqyer. Kështu Loreta Ukshini dhe Isah Mustafa i janë përveshur punës për të sjellë këto punime edhe për klientët e tyre.

I filluar si një biznes familjarë dhe më shumë dashuri në fillim dizajni është bërë pikërisht nga Loreta dhe qepja është bërë nga Isah. Mirëpo duke parë nevojën që produktet të jenë sa më profesionalisht të qepura në mënyrë që edhe të kenë një jetëgjatësi më të madhe ata kanë angazhuar edhe punëtor të tjerë që merren me rrobaqepësi. Duke bashkuar kështu idetë dhe përvojat më të vetmin qëllim, të sjellin punime të bukura dhe të qëndrueshme. Një ekip që përdor materiale të ndryshme sipas nevojës dhe qëndron i hapur ndaj ideve që mund të kenë klientët.

“Jemi të hapur ndaj ideve që klientët mund të kenë sigurisht kur për bazë është dizajni i jonë, që do të thotë , klienti duhet të marrë për bazë një çantë që I’M LU e ka punuar më herët apo gjendet në stock dhe pastaj ti përshtatet, madhësisë që do klienti, ngjyrës, apo ndonjë detaj shtesë e të tjera”, tregojnë për KultPlus Loreta Ukshini dhe Isah Mustafa duke shpalosur edhe synimet e para të këtij brendi.

“Synimet kanë qenë, të ndërtojmë diçka që është e fuqishme për neve, në kuptimin e emocionit gjë të cilën e kemi arritur dhe na jep emocion të papërshkrueshme. Këto emocione i përjetojmë çdo herë kur shohim produktet tona tek të tjerët. P.sh kur jemi duke pirë kafe në shesh të Prishtinës shohim njerëz të cilët kalojnë andej dhe mbajnë çantat tona. Ne kemi ëndrra edhe më të mëdha për I’M LU dhe synimi jonë mbetet që ti realizojmë ato ëndrra”, thanë ata duke shtuar se risi përveç dizajnëve dhe punës se tyre të përditshme do të jetë edhe hapja e një dyqani tjetër, më hapësirë më të madhe dhe me më shumë zgjedhje për çanta.

Lexuesit tanë të cilët interesohen për këto produkte mund të përcjellin produktet e “I’M LU” në rrjetet sociale: www.facebook.com/imlustore/ , www.imlubags.com , http://imlubags.com/. /KultPlus.com

“Folklor. E ardhmja ishte kur?”, të mërkurën në Stacion

Më 18 prill me fillim nga ora 20:00, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë paraqet ekspozitën e “Folklor. E ardhmja ishte kur?” me artisten Patricia Esquivias, punë kuratoriale nga Vala Osmani.

Patricia Esquivias ndërton tregimet e saj nga kujtesa, anekdotat dhe informatat, duke ndërtuar rrëfimin në të cilin autorja lexon tekstin dhe prezanton dokumentet prapa një kamere fikse pa ndërhyrje, pa prerje duke shmang çdo lloj editimi. Në krijimet e saj, mikro tregimet përzihen me Historinë e madhe në një mënyrë që në shikim të parë duket e shpërndarë, duke shfaqur pamundësinë e rrëfimit të historisë lineare, të thjeshtë dhe objektive.

Tonet personale që përcjellin imazhet i japin kredibilitet tregimit, pa e pamundësu që tregimi të vihet në pyetje. Punët e saj marrin trajtë prej eseve joformale, mikro tregimeve, bisedave artistike dhe shënimeve. Dokumentet kanë karakter performativ, të krijuara në një sesion të vetëm; ato janë përmbledhje gojore të shqiptuara në gjuhën angleze, të mbështetura nga hulumtimi i gjerë i kryer nga artistja, të cilat ajo i përkthen në harta konceptuale dhe arkiva të imazheve. Improvizimi është gjithashtu pjesë e procesit dhe çmohet lartë nga artistja për shkak se mundëson fleksibilitet dhe gjithashtu lejon që dobësitë të shfaqen në performancë.

Patricia Esquivias (lindur në Karakas 1979) është rritur dhe ka jetuar në Madrit ku edhe tash jeton. Ajo ka studijuar art në Central Saint Martins College of Art and Design në Londër dhe California College of the Arts në San Francisco.
Esquivias ka marrë pjesë në rezidencat artistike në Skowhegan, Madison, 2006; Wiels Contemporary Art Centre, Brussels, 2010; Akademie Schloss Solitude, Stuttgart, 2011.

Puna e saj është shfaqur në ekspozitat personale në Centro Arte Dos de Mayo, Madrid, 2016; Kunsthalle Wintethur, Winterthur, 2013; Museo Arte Contemporaneo de Vigo, Vigo, 2013; Hammer Museum, Los Angeles, 2012; Museo Nacional Centro de Arte Reina Sofia, Madrid, 2009; Midway Contemporary Art, Minneapolis 2009, White Columns, New York, 2008.

Puna e Esquivias është poashtu pjesë e një numri të madh të ekspozitave kolektive duke përfshirë ekspozitat në Arte y cultura en torno 1992, CAAC, Sevilla, 2017; Ficciones y territorios, Museo Reina Sofía, Madrid, 2016; 12th International Cuenca Biennial, Ecuador, 2014; Objects in Mirror are Closer than they Appear, Tate Modern, London, 2012; Video Art: Replay, Institute of Contemporary Art Philadelphia, 2009; Report on Probability, Kunsthalle Basel, Basel, 2009; The Generational: Younger Than Jesus, New Museum, New York, 2009; Wrinkles in Time, Instituto Valencia de Arte Moderna, Valencia, 2009; Bending the Word, Berkeley Museum of Art, Berkeley, 2008; When Things Cast No Shadow – 5th Berlin Biennial for Contemporary Art, Berlin, 2008; dhe Beyond Paradise, Stedelijk Museum, Amsterdam, 2008.

“Folklore. The future was when?” me Patricia Esquivias është projekt i Stacion – Qendra për Art Bashëkohor Prishtinë që është organizuar në bashkëpunim me Centro de Arte Dos de Mayo, CA2M, Madrid.

Ekspozita me veprat Patricia Esquivias në Stacion – Qendra për Art Bashëkohor Prishtinë, ngjashëm me ekspozitën e prezantuar në Centro de Arte Dos de mayo (CA2M), na dërgon nëpër tregimin për arkitekturën, artet dekorative, dhe Artin Folklorik për të vë në pytje konceptet e autorësisë të artistëve, historitë, modernitetin dhe arkitekturën si mjete për konstruksionin kolektiv. Një ecje nëpër disa projekte të saj të fundit na ndihmon që jo vetëm të kuptojmë më mirë punën e saj por gjithashtu të marrim njohuri më të thella për historitë e Spanjës.

Ekspozita e parë “At Times Embellished”, e kuruar nga Soledad Gutiérrez, pjesë e bashkëpunimit në mes të CA2M dhe Stacion – Qendra për Art Bashëkohor Prishtinë është hapur në vitin 2016 në CA2M Centro de Arte Dos de Mayo në Madrid.

Në kuadër të projektit dhe ekspozitës në CA2M Centro de Arte Dos de Mayo, Qeveria Rajonale e Madridit dhe Stacion – Qendra për Art Bashëkohor Prishtinë kanë prezentuar publikimin e punëvë të Patricia Esquivias, kuruar nga Soledad Gutiérrez.

Bashkëpunimi dhe kjo ndërrmarje është qartësisht e artikuluar në vijat e ndryshme të punës së CA2M dhe Stacion – Qendra për Art Bashëkohor Prishtinë që është zhvilluar rrëth dislokimit që arti shfaqë në raport më kulturën popullore, duke e konsoliduar muzeun dhe hapësirën muzeale si model të koherencës në raport më këto subjekte.

“Folklore. The future was when?” është mbështëtur nga:
Zyra e Presidentit të Kosovës
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës
Ministria për Integrimin Evropian e Republikës së Kosovës
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës
Komuna e Prishtinës
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK
X-print
DZG

Veshjet më të bukura në ditët e para në Coachella 2018

“2018 Coachella Valley Music and Arts Festival”, ka nisur përsëri.

Këtë vit, nisi me datë 13 prill dhe do të zgjasë deri më 22 prill.

Festivali i muzikës pritet të mbahet në Empire Polo Club, Indio, California, SHBA.

Më poshtë, gjeni disa nga veshjet më të bukura të përzgjedhura nga revista e modës Elle. Veshje këto në ditët e para të festivalit./ KultPlus.com