Dritëro Agolli: Poetët dridheshin para Vaçe Zelës

KultPlus ju sjellë fjalët që i kishte thënë poeti Dritëro Agolli kur kishte marrë lajmin se këngëtarja shumë e dashur për publikun shqiptar, Vaçe Zela, kishte vdekur.

Për poetin Dritëro Agolli, Vaçe Zela nuk ka vdekur, por do të kthehet në një flutur e cila do të fluturojë kudo përmes këngës së saj.

“Tingujt e këngëve të saj kanë hyrë në thërrmijat e tokës sonë, por dhe në fëshfërimën e fletëve të pemëve, të kopshteve, kanë hyrë në grumbullimat e përrenjve dhe valët e lumenjve. Kështu që ajo jeton përherë në këtë popull, do të jetojë edhe në brezat e tjerë që do të vijnë. Ajo është një pemë që nuk do të thahet kurrë. Gjithmonë ajo do të lulëzojë dhe do të bëjë fruta dhe fruti është kënga”, do të shprehej Dritëro Agolli.

https://www.youtube.com/watch?v=kYD5dtQjGNY

“Ajo edhe në diktaturë ka qenë yll i këngës sonë. Në atë kohë ajo u rrit si këngëtare, u bë këngëtare e vërtetë, këngëtare me kitarë. Pak kemi ne vajza edhe me kitarë edhe më këngë. Ajo ishte shumë kërkuese në çdo këngë që i bënin kompozitorët dhe në çdo varg që i shkruanin poetët. Edhe poetët tanë dridheshin para saj kur bënin vargjet. Incizimet e këngëve të saj duhet të ripërsëriten, të freskohen. Tani ka teknika që të bëhen këto pasi ç ’është e vërteta i kemi lënë mënjanë. Këngët e saj këndohen, por zëri i saj pak është ndjerë”, shkruan panorama.com.al se ka thënë Agolli. / KultPlus.com

Rita Ora në tepihun e kuq të Echo Awards në Gjermani (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare Rita Ora ka arritur në tepihun e kuq të Echo Awards në Gjermani.

Rita, pos që është e nominuar në kategorinë e këngëtares më të mirë femër, është paralajmëruar se do të këndojë gjatë natës.

Rita ka mahnitur fansat në tepihun e kuq me një pamje si gjithmonë të freskët.

Ceremonia do të fillojë pas pak minutash. Në mesin e të nominuarve është edhe Dua Lipa. / KultPlus.com

Të shpëtuarit e Holokaustit nga Prishtina, me ceremoni në Izrael (VIDEO)

Në Ditën e Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, Moshe Salomon 89 vjeçar dhe motra e tij Yulia Salomon Cohen 85 vjeçare – të dy me origjinë nga Prishtina, në këtë video ndezin qirinj për viktimat e Holokaustit.

Ngjarja ka ndodhur në Izrael, në Kidron, dhe bëhet vit për vit si ceremoni tradicionale prej rreth 130 të shpëtuarve të Holokaustit nga ish Jugosllavia.

Gazetari Nebi Qena ka biseduar me Moshe i cili në vitin 1943 po qëndronte në Berat, prej ku edhe u gjet dhe u dërgua në kampin Bergen – Belsen.

Kjo pjesë e Izraelit është e populluar nga rreth 500 familje. Moshav u formua në vitin 1949 nga hebrenjtë e Jugosllavisë që shpëtuan nga Holokausti, shkruan KultPlus.

Moshe Salomon ka lindur në vitin 1928 në Prishtinë. / KultPlus.com

Përse në Shqipëri nuk ecën asnjë punë mbarë?

Me gjenialitetin e vet, ironinë e sarkazmën e jashtëzakonshme e fine, poeti i madh Atë Gjergj Fishta jep një përgjigje të rrallë për Shqipërinë:

Kishin hyp nji rreze dilli,
Ai Shën Pjetri e ai Shën Mhilli,
E po flisnin për i hall t’vjetër,
Ai Shën Mhill me njat Shën Pjetër

Se Shqypnia u rrudh e vogël,
Për shqyptart, sa një gogël.
Lene t’shejt e mos ta zgjasim,
Zbresin n’tokë Shqypnin ta masin.

Morën tshejt nji lamsh t’mashit
Nisen matjen n’Preveze t’tashit.
Mirëpo lamshi u ka mej,
Sa arritën t’Shejtit n’Qafë-Pejë.

Edhe nejse, mos me u zgjat,
Si me mat Shqypnin e ngratë,
Peni i mashit asht mbaru…
Vrik, kalon dreqi i mallku!

I kanë pre kryet, lekurën i kanë rru,
E me atë lesh kanë ba nji dredhë t’Djallit.
Qysh se u mat me lesh t’Djallit,
Asnji punë s’na shkon për s’marit.

Sesa nisim nji pune t’re,
Të parët që e prishim, jemi ne!

Troç, dy fjalë, kombit mbarë,
Sy me sy me ja thanë deshta:
Ma zor mblidhen dy shqyptarë,
Sesa mblidhet nji thes me pleshta.

Historia e një prej fotografive më të dhimbshme nga lufta e Kosovës (FOTO)

Peter Turnley është një fotograf i njohur amerikan që ka shpërfaqur në mediat botërore edhe fotografitë e pamjeve të luftës së fundit në Kosovë, shkruan KultPlus.

Por ekziston një fotografi që arrin të depërtoj në ndjenjat e të gjithë atyre që e shohin. Një pikëllim i tillë e ka përshkuar edhe autorin e fotografisë, të cilin edhe për shumë vite e ka përcjellë dëshpërimi i pamjes së personazhit të fotografisë.

Mustafa Xaja është personazhi kryesor i kësaj fotografie. Një burrë nga qyteti i Mitrovicës që sapo ishte liruar nga një burg serb dhe ishte detyruar të kalonte kufirin në Shqipëri. Momenti më prekës i kësaj fotografie është kur ai ka nxjerrë dy fotografi të fëmijëve të tij që ai druhej se u vranë nga serbët mirëpo pas kthimit në Kosovë pas luftës e kishte kuptuar se familja e tij është gjallë dhe e sigurt.

Në një artikull të News Week, autori ka treguar gjithë historinë e kësaj fotografie që nga momenti kur i është afruar Mustafa Xajes e deri tek kthimi i fotografit për të kuptuar më shumë rreth jetës së tij.

“Më ra në sy sepse dukej si një burrë i madh dhe i fuqishëm por ai fshehte brenda vetes shumë pikëllim. Ai e nxori kuletën e tij dhe më tregoi dy fotografi të vogla të një djaloshi dhe vajze të mrekullueshme”, ishte shprehur vite më parë fotografi Peter Turnley.
Kjo fotografi ishte vendosur para dy dekadave në ballinën e NEWSWEEK International ndërsa për këtë të përjavshme, autori i fotografisë kishte treguar i kënaqur që gjendja e tij tani po kapërcente pranë syve të shumë njerëzve.

“Ai duke qarë, i vuri fotografitë pranë fytyrës së tij. Fotoja më pas u vendos në koperinë dhe unë isha i gëzuar që kaq shumë njerëz e panë gjendjen e Mustafës, por nuk e dija se çfarë i kishte ndodhur atij më pas”, kishte thënë fotografi Tunrley.

Pas disa vitesh ai ishte kthyer përsëri në Kosovë, ndërsa kishte marr rrugën për në Mitrovicë, në vendin ku jeton Mustafa Xaja dhe kjo për të kuptuar fatin e Xajes dhe familjes së tij.

“Shumë më vonë u ktheva në Kosovë dhe shkova në Mitrovicë, në qytetin e Mustafës. I tregova fotografitë njerëzve në rrugë dhe e gjeta Mustafën duke qëndruar vetëm pak metra larg meje. Më gëzoi më së shumti fakti që bashkëshortja dhe fëmijët e tij ishin gjallë dhe familja ishte ribashkuar. Gjetja e tyre së bashku ishte një mënyrë e shkëlqyer për t’i dhënë fund vitit”, kishte përfunduar fotografi Peter Tunley. / KultPlus.com

Shpirtrat e njëjtë

Poezi e shkruar nga Sali Bashota.

Ata i krihnin përqafimet para pasqyrës
Në mbrëmje i shkurtonin ëndrrat
Me gërshërët e fatit të mirë
Derisa të zhdukej dyshim i fundit

Një ditë iu ra ndërmend
Ta këpusnin shikimin e ndezur
Sa herë kumbonte fjalë e ligë
Dhe skuqej shkrumb i buzëve

Ata e pikturonin melankolinë e njëjtë
Në muret e shpirtrave
Vetëm dridhjet e qepallave nuk i kuptonin
Pavarësisht vullnetit të tyre

Dua Lipa në kopertinën e revistës V (FOTO)

Këngëtarja nga Kosova, Dua Lipa po vazhdon të korr mjaft suksese në skenën e muzikës ndërkombëtare, me të cilat edhe po tërheq vëmendjen e shumë medieve botërore, shkruan KultPlus.

Pak momente më herët, ajo ka publikuar edhe pamjen e revistës V, aty ku mund ta shihet imazhi i këngëtares në ballinën e kësaj reviste. Kjo revistë do të publikohet në fillim të muajit maj, ndërsa këngëtarja Dua Lipa është intervistuar nga këngëtarja tjetër e njohur, Katy Perry.


Dua Lipa së fundmi ka publikuar këngën më të re “One Kiss”, në bashkëpunim me DJ-n e njohur, Calvin Harris ndërsa vitin e kaluar ka korrur një sukses të jashtëzakonshëm me këngën “New Rules”. / KultPlus.com

Ndërhyrje mbretërore në konfliktin mes anëtarëve të Nobelit të Letërsisë

Mbreti i Suedisë, Carl Gustav u kërkoi anëtarëve themelues të Akademisë që përcakton çmimin Nobel në Letërsi që të kenë parasysh atë që kjo akademi përfaqëson.

“Konfliktet që janë shfaqur në Akademinë Suedeze janë shumë të pakëndshme dhe rrezikojnë seriozisht të dëmtojnë punën e rëndësishme të akademisë”, tha mbreti Carl Gustaf XVI, që është edhe kreu i saj, transmeton ATSH raportimin e DPA.

Kjo përçarje u shfaq të premten kur tre anëtarë njoftuan se do të largoheshin në kuadër të dështimit të një votimi për të përjashtuar poeten, Katarina Frostenson nga organizata.

Votimi u kërkua pasi akademia ngarkoi një zyrë ligjore, në nëntor, për të hetuar në lidhje me akuzat për ngacmime seksuale të bëra nga 18 gra kundër bashkëshortit të Frostenson.

Ai i kishte mohuar këto akuza.

Sipas një raporti konfidencial, Frostenson ka shkelur ligjin e konfliktit të interesit duke mos informuar se ajo ishte bashkëpronare e një salle koncertesh që drejtohej nga bashkëshorti i saj dhe që më parë kishte marrë financime nga akademia./ KultPlus.com

“Dasma e Skënderbeut” pas 567 viteve, ftohen dasmorët për të marrë nusen

Në kështjellën e Kaninës më 22 prill ka dasmë të madhe shqiptare. Fate Velaj, rikthen për kombin shqiptar pas 567-vitesh “Dasmën e Skënderbeut”, shkruan KultPlus.

Kjo gjë është bërë e ditur nëpërmjet rrjetit social Facebook, ku është treguar se në këtë dasmë do të jenë pjesëmarrës delegacioni prej 60 vetash të ardhur nga Arbëreshët e Italisë, në përbërje të së cilëve është edhe Loris Castriota Scanderbeg.

Krejt kjo madhështi do të organizohet në bashkëpunim me Shoqatën Patriotike “Kanina”, me Lëvizjen “Foleja Kombëtare Shqiptare” dhe Bashkinë e Vlorës.

Në vijim ju sjellim të plotë publikimin nga Fate Velaj, ku thuhet se po realizon ëndrrën e tij me organizimin e kësaj dasme.

“Në datën 22 prill 2018, ditën e dielë, ora 12:00, në Kështjellën e Kaninës, Deputeti dhe djalini Kanines, Fate Velaj, realizon një ëndrrën e tij të vjetër. Në bashkëpunim me Shoqatën Patriotike “Kanina” , si dhe me Lëvizjen “Foleja Kombëtare Shqiptare” dhe Bashkinë e Vlorës, do të organizohet për herë të parë në histori, “DASMA E SKËNDERBEUT”, ashtu siç mund të jetë festuar në atë kohë. Me pjesëmarrjen e një delegacioni prej 60 vetash, ardhur nga Arbëreshët e Italisë, në përbërje të së cilëve është dhe Loris Castriota Scanderbeg – stërnipi i Gjergj Kastriotit, do të festohet 567 vjetori i dasmës më historike të kombit shqiptar si dhe 590 vjetori i lindjes së Donika Gjergj Arianitit në Kaninë. Festimeve do i bashkohen dhe grupi polifonik i Kaninës, ansambli i këngëve dhe valleve të Vlorës si dhe miq e dashamirës nga trevat shqiptare.
Ejani ta kthejmë këtë ditë një festë të përvitshme! Ta kthejmë Kaninën aty ku e ka vendin e saj në histori. Brezat që do vijnë, do na jenë mirënjohës. Mbas festimeve të Kaninës, do të nisemi për te Manastiri i Ardenicës, aty ku Skënderbeu dhe Donika kurorëzuan martesēn e tyre në kishë”, shkruan Velaj në Facebook.

Ky është programi tre ditorë i kësaj dasme të madhe, ku nga Durrësi do të nisen dasmorët me Gjergj Kastriotin në krye për të marrë nuse Donikën.

Vallja e Fitores, më 21-23 prill 2018. Rikthimi i Bijve të Shqipes në Folenë e Shqiponjave. Dita e parë: Nga Durrësi shkojmë te kështjella e Prezës. Në Lezhë, homazh te Vendvarrimi i Mbretit Arbëror, Gjergj Kastrioti. Festimi kulmon te kështjella legjendare në Krujë.

Dita e dytë: Nga Durrësi nisen dasmorët me Gjergj Kastriotin në krye të marrin nuse Donikën, bijën e Gjergj Arianitit dhe Marie Muzakës në Kaninë. Përkujtojmë në kështjellën e Kaninës 590 vjetorin e lindjes të vashës, që u lind, u rrit dhe doli nuse nga kjo derë e madhe Arbërore në moshën 23 vjeçare. Te Manastiri i Ardenicës kryhen ritualet martesore nga vendi, ku u pagëzua e u kurorëzua Donika. Çifti mbjell pemën e Ullirit.

Dita e tretë: Nga Durrësi shkojmë në Tiranë. Në orën 11:00 nis parakalimi madhështor nga sheshi Nënë Tereza e përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit. Ora 12:00, vizitë te Bashkia e Tiranës, ku arbëreshët mirëpriten nga Kryebashkiaku dhe Ambasadori i Italisë në Tiranë. Më pas deri në orën 14:00, koncert festiv te sheshi i Heroit Gjergj Kastrioti. / KultPlus.com

Gruaja që lexoi 100 libra në një muaj

Muajin e kaluar, Therese mori përsipër të lexonte 100 tituj joletrarë me programin “Blinkist”. Ja se si ia doli

Theresa është menaxhere biznesi dhe jeton në Berlin, Gjermani. Muajin e kaluar ajo arriti të lexojë më shumë se 100 libra psikologjik e politik.E gjitha filloi me një bast kur një koleg i saj e sfidoi atë të lexonte “Historia e Suksesit” të Malcolm Gladëell për dy orë.

Pavarësisht vendosmërisë së saj, ajo nuk arriti ta përfundonte brenda afatit të caktuar.
Edhe pse e humbi bastin, ajo nuk hoqi dorë dhe u rikthye me një ide të re dhe origjinale.
“Unë dua të lexoj më shumë libra joletrarë. Më duket e dobishme kur lexoj përmbajtjet e tyre, më ndihmojnë të krijoj një ide se cilët janë librat që më duhet të lexoj patjetër!”

Ajo kerkoi disa website dhe programe të cilat të prezantojnë me copëza kapitujsh. Leximi dhe degjimi I tyre në audio, bëri të mundur që ajo të thyente këtë rekord personal.

“Unë kaloja shumë kohë në rrjete sociale dhe Netflix. Profesioni im është rraskapitës, dhe kur mbaroj punë truri im është pothuajse i paaftë për të bërë asgjë. Leximi i librave është si ushqim për trurin tim. Kam mundësi të mësoj gjëra të reja dhe jam e lumtur që bëj diçka produktive me kohën time. Çdo mëngjes zgjohem më e mençur se një ditë më parë”. /bota.al/ KultPlus.com

Akademia e Shkencave nderon shkrimtarin Ismail Kadare me çmimin e Karrierës

Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar dhe një nga zërat më të njohur të letërsisë bashkëkohore është nderuar me një çmim nga Akademia e Shkencave.

Kadare, njëherazi anëtar i Akademisë së Shkencave dhe shumë herë kandidat për çmimin Nobel, ka rrëmbyer sot Çmimin e Karrierës. Shkrimtarit iu dha ky çmim në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për karrierën e tij të gjatë krijuese dhe Akademike.

Mësohet se çmimi i akorduar sot pritet t’i dorëzohet shkrimtarit Kadare në një ceremoni solemne në Akademinë e Shkencave

ÇMIMET E AKADEMISE SE SHKENCAVE:

Çmimi i Karrierës: Ismail Kadare

Çmimi për studiuesin më të suksesshëm– Grupi i studiuesve rus Aleksandër Novik, Denis Ermolin, Maria Morozova,

Aleksandra Dugushina, Julia Buçatskaja për veprën Ekspedita e detit Azov, gjuha e shqiptarëve të Ukrainës.

Çmimi Çabej – Kolec Topalli për fjalorin etimologjik të shqipes

Çmimi Radovicka – Nazim Gruda dhe Andrea Shundi për veprënj Hortikultura

Shqiptari Karl Ghega, mjeshtri i ndërtimit të hekurudhës së parë malore në botë

Nga Pjetër Logoreci.

Vizitori që udhëton me tren nga Vjena në drejtim të Graz-it, mrekullohet nga pamjet e ralla të natyrës malore të zonës të Semmering-ut. Menjëherë të mahnit bukuria e udhës së hekurt që gjarpëron në mes faqeve shkëmbore, që përshkon Ura e Viadukte, e që zhduket vazhdimisht një pas një nëpër 15 Tunelet, duke ofruar pamje të mrekullueshme të vendeve të Semmering-ut të mbuluara nga gjelbërimi i pishave. SEMMERINGBAHN quhet në gjuhën e vendit – hekurudha e Semmering-ut, një mrekulli arkitekturore e përmasave botërore, e cila asht e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me emrin e arkitektit me origjinë shqiptare KARL GHEGA.

Hekurudha e Semmering-ut në kohën e saj u cilësue si “kombinacjon në mes gjenisë së Karl Ghegës, teknologjisë dhe natyrës”. E ndertueme 158 vjet ma parë, kjo hekurudhë, 41 km e gjatë nga Gloggnitz deri në Mürzzuschlag, është e vlerësueme jo vetëm nga vjetërsia e saj, por edhe se: në vitin 1854, kjo vepër ishte hekurudha e parë malore e botës, gjë për të cilën u vendos më vonë në 1998- tën në listën e veprave të TRASHËGIMISË KULTURORE BOTËRORE TË UNESCO-S.

Kush ishte Karl Ghega – i njohtun në arenën ndërkombëtare si CARL RITTER VON GHEGA?

Per ato që mund të vizitojnë Venezian, po të kalosh nga Piazza San Marco nëpërmes nji sheshit të vogël, në shëtitoren Riva degli Schiavoni, përpara Hotel Danieli e statujës të Viktor Emanuelit II, nëpër Via Giuseppe Garibaldi në Fondamenta Sant Anna, gjendet Calle San Giocchino, në një qoshe të së cilës ka lindë personazhi i shkrimit tim Carlo Ghega.

Kjo shtëpi e thjeshtë, e cila në pamje të parë të duket si fasada e pasme e një kishe, ka në murin saj një pllakë përkujtimore mermeri ku shënohet lindja e Cavaliere Carl Ghega-s. Në këtë shtëpi me 10 Janar 1802 lindi mjeshtri me famë botënore i ndërtimit të hekurudhave Austriake, Karl Ghega. Karli ishte djali i vetëm i oficierit të marinës Anton Ghega dhe Anna Pribish të cilët kishin edhe tri vajza. Simbas regjistrit të pagëzimit të famullisë San Pietro,me nr 34, në faqe 183: me 10 Janar të vitit të bekuem prej Zotit 1802, u lajmërue lindja e Karlit, i biri i zotni Anton Ghega djalë i Gasprit (Kaspar), Oficier i marinës dhe zonjës Anna e lindun Pribich e bija e Gjergjit (Georg), grueja e tij e ligjëshme, i cili jeton në Fondamento di San Giocchino.

Kumbara i pagëzimit: zotni Andre Contuzzi i biri i Nikollës – oficiermarinet nga famullia e S. Giuliano. Mamija: Aleksandra Longo. Spigarol di contrada. Prifti: Peter Lanza – Famullitar. Kisha San Pietro di Castello në ishullin Olivolo në Venezia ishte vendi ku u pagëzue me 10 Janar 1802 i porsalinduni Karl Ghega, vend ku gjindej selia e banimit të Ipeshkvit të Venezias. Lidhun me ditën e lindjes të Karl 3 Ghegës nuk ka asnji dyshim në saktësi, por në arkivën e Shtetit Austriak, në kartelën me të dhënat biografike të punës së Karlit shënohet 13 Korriku 1802 si dita e tij e lindjes. Nuk dihet se si mund të jetë ba nji gabim i tillë pa u kuptue nga administrata, por historishkruesi i librit mbi hekurudhat Bruno Enderes hamendëson se dikur në vendet kristiane, festohej dita e emnit më shumë se ditëlindja dhe shpesh fiksohej si ditëlindjeje. Familja e Karlit kishte si traditë që prej disa gjeneracjonesh, marinen. Paraardhësit e tij kishin shërbyer si oficerë të marinës në republikën e Venezias. Baba i Karlit, Antoni ishte i oficier i teknikës në marinë dhe mbante uniformën e k.k. Marinësluftarake. (Kaisertum Österreich und Königreich Ungarn Kriegsmarine). Sipas autorit Alfred Niel i cili ka shkrue biografin e Karl Ghega-s në 1977: prejardhja e familjes Ghega është nga Shqipëria. Kjo shpjegohet edhe me kuptimin e fjalës Ghega në gjuhën shqipe, spjegon Niel. Autori i referohet edhe priftit franceskan shqipëtar Dr. Phil. Paulin Margjokaj, i cili ka jetue në Vjenë e që ndoqi gjurmët e prejardhjes së familjes Ghega. Sipas gjurmimeve historike të tij, mbasi në 1478- tën Turqit pushtuen Shkodrën, Venezianet u larguen nga qyteti i Shkodrës duke marrë me vehte edhe shumë familje qytetare shkodrane që punuen për to. Të gjithë këto shqiptarë kjene vendosun në një zonë të qytetit të Venizias dhe thirreshin nga vendasit Gegët / Ghegët (në italishte Gh mbasi ka një ton ma të fortë artikulimit). Po kështu edhe studiusi dhe autori i librit tjetër për Karl Ghegën – Ëolfgang Straub, si dhe autorë të tjerë e biografë si Gerhard Artl, Günther Dinhobl, Mihaly Kubinnszky, e lidhin prejardhjen e familjes Ghega me Shqiperinë.

Qysh në moshën e fëmijnisë Karletto-ja ishte një nxënës që pati rezultate të shkëlqyera dhe tregoj prirje të veçanta në matematike dhe në ndërtimin e objekteve mësimore. Bazat fillestare të mësimit ai i mori në familje ku dhe u edukue nën një disiplinë të rreptë. I jati duke pa talentet e djalit të vetëm në mes të tri motrave, vendosi të vazhdojë traditën familjare dhe ti japë atij drejtimin e oficierit të marinës, por që Karli nuk e dëshironte. Kështu që në moshën 12 vjecare ai u shkëput nga mësimet e marinës e me këshillen e mësuesve, në Kollegjin ushtarak të Sant Annës në Venezia, vazhdoj kursin e matematikës dhe filosofisë të cilat i mbaroj me sukses të vecantë. Qysh në këtë moshë Karli shihej nga të tjerët si “koke e ndritun” dhe zotnonte gjuhën frange e po ashtu gjermanishten të cilën e kishte gjuhën e nanës e cila vinte prej familjes Pribich nga Istrien në gjiun e Triestes. Në moshën 15 vjecare ai mori Diplomen e “ licenziato Ingeniere e architeto a pieni voti”. Për të ndjekun prirjen e tij, në këtë moshë u 4 largu nga Venezia për në Universitetin e Padovë-s ku filloj studimet 3 vjeçare për Matematikë dhe shkenca të natyrës në Janarin e vjetit 1818, direkt në vitin e dytë. Në certifikatën e regjistrimit në Universitetin e Padova-s shkruhet: ka mësue në kolegjin ushtarak të Sant Annës në Venezia këto lëndë: Arithmetikë, Gjeometri, Trigonometri, Algjebër, Fizikë, Hidrologji, Pendëlteorie, Shkenca mekanike. Edhe në vjetin e dytë të Universitetit ai arrinë që për 7 muej të përvetsojë të gjitha leksionet, e në gusht të 1818 të kryej provimet vjetore duke mbyllë krejt vitin universitar. Është gati e pabesueshme të mendosh se qysh në tetor 1817 ai frekuentonte përnjëhrë me Universitetin edhe një shkollë private ” Inspezione centrale d´ Acque e Strade” në Venezia. Ecejaket në mes Padovës dhe Venezias i krijuan mundësinë që teoritë e universitetit ti vente në praktikë në Venezia ku hyri në inspektoriatin e Hidrologjisë dhe të Rrugëve si nxënës praktikant. Ai ishte kërkues ndaj vehtes dhe duke pa rezultatet e larta e të shpejta të tij, në periudhën e pushimeve verore, e pranuen në një kurs arkitekturet në Accademia di Belle Arti te Venecias. Karli pervec se ishte talent i orientuem nga shkencat e matematikës, pat edhe fatin që të merrte mësime nga profesorë me famë botnore në shkencat e natyrës, si matematikani Giuseppe Avanzini i cili ishte specialist në zhvillimin e fushës së Hydro e Aerodynamikës, ose Giovanni Farini profesor i historisë së natyrës dhe mardhanieve në mes Teknikës dhe Filosofisë. Mbas provimeve të 1918-ts ku mori titullin Ingeniere Architetto tashma nën drejtimin e këtyne profesoreve shkencëtare, Karli mbylli provimet e diplomës universtare me 11 qeshor 1819 me titullin Doktor në Matematikë me të gjitha pikët dhe më fletë lavdërimi (a pieni voti e con lode). Në këtë periudhë nevojat për ingjinierë ishin të mëdha e mundësitë për punësim të shumta. Karli nuk vonoj të punësohej në administratën shtetnore, në sektorin e ndërtimit “Inspezione Centrale d´Acaue e Strade” të Venezies si ingjinier, e pak kohë më vonë në Departamentin e Ndërtimit të Rrugëve si vullnetar. Punimet e tij të para i filloj në provinzën e Bellunos, ku po hapej rruga malore nga Pieve di Cadore nëpër Cortina deri në Toblach. Si ingjinier i klasit të I, vazhdoj të punojë në sektorin e ndërtimit të bashkisë së Trevisos e po kështu si ingjinier i deleguem për të gjitha zonat e veriut të Italisë. Ai drejtoj ndërtimin e rrugëve në Conegliano, Ceneda – Seravalle dhe rregullimin e lumit Po. Në të njëjtën kohë ai merrej me planifikimin dhe projektimin e ndërtesave zyrtare shtetnore si godinën e Bashkisë, Burgjet, Gjykatat, në Treviso. Për merita të mëdha e rezultate të larta në punë, në 7 vitet e para të karrierës, ai u nderue me 18 dekrete mirënjohje. Pervec punës së tij në terren, ai merrej me studime teorike, që sollën si rezultat dy zbulime të randësishme për të cilat u dekorue me dy URDHERA NDERI. Zbulimi i parë ishte NIVELLIERLATTE (shtyllën niveluese) në vitin 1831 dhe i dyti në vitin 1833, NONIUS-IN (vegël që përdorej për stakimin e harqeve)

Në tetorin e vitit 1831, në ndarjen e cmimeve e ndërimeve për shpikjet në sektorin e industrisë, ai u nderue për zbulimet e tij me medalien e argjëndit të “Cesareo Imperiale Regio Instituto Lombardo – Veneto per le scienze, Lettere ed Arti”.

Me 1833 përfundoj studimin teorik të Nonius-it dhe e botoj në librin “DELL´OTTANTE A DIOTTRA” që e bani të njohtun edhe si autor librash të specializuem. Këte studim ai e zhvilloj më vonë praktikisht në ndërtimin e hekurudhave. Për të gjithë këto rezultate të shkëlqyera punët, në vjetin 1836 ai mori një propozim nga banka Rothschild në Vjenë, që të punësohej për 4 vjet në ndërtimin e hekurudhës “Kaiser Ferdinand Nordbahn”. Ky projekt i ishte dhanë kesaj Banke nga kryministri i shtetit Metternich dhe ishte projekti i parë hekurudhor në Austri. Kryeqytetit Vjenë i duhej hekurudha që të lidhej me portin e Triestes dhe që të kishte një lidhje me detin Adriatik. Përpara se Karl Ghega të fillonte punën në këtë fushë u dërgue së bashku me një përfaqësues të Bankës Rothschild, të quejtun Goldschmidt në një udhëtim njohjeje e studimi për hekurudhat në Gjermani, Belgjikë, Francë, Angli dhe Amerikë. Gjatë këtij udhëtimi u njoh dhe u miqësue me krijuesin e Lokomotivës, Georges Stephenson në Neëcastle. U kthy në atdhe me shumë njohuni e ide të reja e filloj punën si shefingjinier i segmentit hekurudhor prej Rabensburg deri në Brünn. Sektori që ai drejtonte, kishte 8 ingjiniere specialista, 16 mjeshtra ndërtimit e 16.000 punëtore. Për këtë sipërmarrje nuk kishte pasë një tentative apo përvojë të mëparshme, gjithçka ishte premierë. Për Ghega-n nuk ishte e qartë se me çfarë lokomotive do të përshkohej naltësia e Semmeringut, Seilbahn (Lokomotivë me fije celikut), Lokomitivë me shtytje atmosferike apo një Lokomotivë mbi parimin e forcës të fërkimit? Edhe vetë babai i hekurudhave Stephenson ishte skeptik për realizimin e kësaj hekurudhe malore. Shumë profesionista e quajtën projektin e Karlit si “fantazia e një të çmendurit” e vetë atë një “sharlatan që po shfarosë paret e shtetit”, bile u thirr në parlament një komision hetimit kundër idesë se Karl Ghegës. Shtypi i ditës profetizonte me keqdashje që “ një nder 10 udhëtarë do të shkojë në djallë”. As letra paralajmëruese e shoqatës së arkitektëve nuk e theu kambënguljen e Ghegës për zbatimin e projektit i cili pat mbështetjen e shefave të tij bile edhe të oborrit perandorak në Vjenë. Kështu u vendos në mbledhjen e këshillit të ministrave të datës 1 mars 1849 që drejtohej nga vetë Kaiseri Franz Josef I, që punimet e sapo fillueme në Gloggnitz të vazhdonin me përparsi deri në përfundim. Në këte kohë ekonomia ishte në krise dhe papunesia ishte shumë e madhe, prandaj ndërtimi i hekurudhës do të kishte një vështrim pozitiv social në ndryshimin e mirëqënies së familjeve. Në fillim silleshin në Gloggnizt nga Vjena me tren mijra punëtorë, por më vonë u krijuen nga nevoja kampe të 6 qendrueshme banimi për punëtorët. Për punën intensive e të panderprerë në zonën e Semmeringut, nga kurshtarët e shumtë të asaj kohe flitej: “ato po gërmojnë, thyejnë e plasin shkëmbij, rrezojnë diga dhe hapin rrugën e projektueme përgjatë bllokut malor deri mbrapa malit, ku rruga harkohet tuj e përpi gojët shkëmbore të tuneleve në mbrendësi e thellësi, ditë e nate, ditë diele dhe festa, verë e dimën….”

Kështu u ba realitet ndërtimi i hekurudhës malore së Semmeringut nën drejtimin e Dr. Karl Ghegës, një vepër mjeshterore e paparë deri në atë kohë, në lartësinë 437 metra (në Gloggnitz), e cila kalon mbi mure mbrojtëse solide, mbi rreth 100 urave monumentale që përshkojnë luginat, shpesh edhe dy katëshe në mes masivit shkëmbor të maleve e 15 Tuneleve, 16 Viadukte (një ose dykatësh), që ishin kryevepra të artit arkitekturor për nga bukuria. Në 6 vjetet e ndërtimit u lëvizën rreth 700 000 metërkub material shkëbmbore / gurë. Tuneli kryesor i kishte gjatësinë 1430 metër dhe ishte në naltësinë 895 metër mbi nivelin e detit. Por zbatimi i këtij projekti pat edhe veshtirësitë e veta. Mu në mes të prozesit intensiv të punës në 1850- tën në mes të punëtorve u përhap kolera nga ku vdiqën 300 punëtore. Aksidentet në punë nga shkarjet e masivëve shkëmborë apo shembje të galerisë në Veinzettel i kushtoj jetën 13 punëtorëve.

Me gjithë pengesat e mëdha, Karl Ghega arriti që të mbaj nalt ritmin e punës e kështu me datën 25 qershor 1851 ai bani provën e parë të hekurudhës duke përshkue me lokomotivën “Save”, në fillim gjatësinë deri në Payerbadh e mbas pak ditësh deri në Küb. Krenar raporton Karli te ministri i tij Dr. Baumgartner që prova kaloj me sukses dhe jam i lumtur që ma në fund besimi Juej tek unë u vërtetue. Edhe kundërshtarët e Ghegës pranuen dështimin e tyne. Lindi nevoja e konstruktimit të një lokomotive të përshtatëshme për këtë zonë malore e për këtë Karl Ghega me lejen e superiorve shpalli një konkurs nga 13 gushti deri me 16 shtatori 1851, ku morën 7 pjesë firmat më të njohuna të konstruksionit të lokomotivave në botë. Ghega vertetoi që ishte jo vetëm mjeshtër arkitekt, por edhe njohës i mirë i teknikës së lokomotivave. Ai vendosi që për hekurudhën e Semmeringut të përdorej Lokomotiva VINDOBONA.

Kjo është lokomotiva Vindobona që u paraqit në konkurs e ndërtueme nga fabrika e hekurudhave Wien – Gloggnitzer në Vjenë. Këtu u duk se mbaroj rruga e mundimeve për ingjinierin arkitekt Karl Ghega i cili me 12 prill 1854 së bashku me Perandorin Franz Josef I, përshkoj për herë të parë naltësinë e Semmeringut. Disa ditë ma vonë ai shoqëroj edhe Perandoreshën e re Elisabet po në këtë udhëtim.” Për arritje të shkëlqyera, ne punë, Karli u nderue me “ORDEN DER EISERNEN KRONE 3. KLASSE” (urdhëri i kunorës së hekurt i klasë tretë) dhe ju dha titulli RITTER (Kalorës / Cavaliere) e Ritterkreuz des Leopolds Ordens (kryqi i hekurt i urdhërit të Leopoldit). Tashma ai thirrej Carl Ritter von Ghega.

Në të gjithë karrierën e tij ai u nderue me këto tituj e medalje:
Këshilltar Ministror e Perandorak (1844)
Qytetar nderi i Triestes dhe Brünn-it
Kommendador i urdherit të Franz Josefit
Kavalier (Ritter) i urdhërit të kunorës së hekurt të klasës së III (1849)
Kavalier (Ritter) i urdhërit të Leopoldit
Kommendador i urdhërit të Josefit në Toskanë
U vendos në altarin e burrave të mëdhej të kombit


Përveç karrierës të pakrahasueshme si inxhinier dhe arkitekt, Karli pat edhe anën tjetër të jetës, atë private, për të cilën nuk ka shumë të dhëna. Ai ishte në përgjithësi njëri i vetmuar, kalonte një jetë të 8 thjeshtë e pa pretendime. Ai banonte i vetëm në qendër të Vjenës, në Bashkinë e parë dhe i pamartuar. Respekti që patën kolegët e punës për të shprehet me fjalët:ishte i dashtun me të gjithë, plot me humor, si në ditët e vështira ashtu dhe në të mira, ishte ai që dinte gjithmonë të kapërcente situatat e vështira me humorin e tij shumë njerëzor që paqësonte e freskonte këdo…Kjo ishte bota e brendshme e një njeriut me pikesyme të qarta në jetë e më besim të plotë në aftësitë e veta. Me gjithë nderimet që ju banë atij, në shkrimet e ndryshme për te nënvizohet me forcë fakti që mbas mbarimit të hekurudhës, ai u keqtrajtua e u la në harresë nga institucionet qendrore të shtetit, gja që solli deziluzion në personalitetin e tij e si rezultat sëmundje e depresion. Atij ju rishfaq sëmundja e vjetër e mushknive që i kushtoj edhe jetën. Në këtë kohë të papërshtatshme për te e “transferuen për punë” në një zonë të largët siç ishte Siebenbürgu (vënd afër Detit të Zi). Ai vdiq në moshën 58 vjeçare, i lënë në harresë dhe i anashkaluem nga opinioni.

Me vdekjen e tij qarkulluan shumë fjalë për një vetëvrasje. Edhe në librat e shkollave deri në vitet 60, fundi i jetës se tij shihej si suizid (vetëvrasje). Pat edhe autor si Richard Mauterer që në librin e tij mbi historinë e hekurudhës së Semmeringut (Richard Mauterer: Semmeringbahn – Daten, Fakten, Propaganda. Signale-Verl., Wien, 1990), në faqen 157 pohon vetëvrasjen e Ghegës. Kësisoj supozimesh pat edhe në Itali. Në të vertetë egziston në arkivën e famullisë së Shën Stefanit, në rrugën ku ai banoj, skeda e vdekjes së tij. Aty pershkruhet qartë nga famullitari i Katedrales, i cili i dha 9 shërbimet e fundit fetare, që ai vdiq me 14 mars 1860, në orën 1 pasdreke, në apartamentin e tij në Rotenturmstrasse 6 mbasi mori të gjithë sakramentet. Shkaku i vdekjes: Tubërkulozi i mushkënive.

Skeda e vdekjes e Karl Ghegës e nxjerrë nga arkiva e Katedrales Shën Stefanit në Vjenë. Dy ditë ma vonë kufoma e tij u dërgue nga Katedralja e Vjenës ku ju ba shërbesa fetare, në varrezat popullore të Ëahringer-it ku ishin edhe Beethoven e Shubert të varrosur. Varrimi u ba në prani të tri motrave të tij (Theresia Centinari, Angela von Salviolo e Josefine Ghega) dhe të shumë miqve e bashkëpunëtorve të tij. Në vitin 1887, me krijimin e varrezës qëndrore të Vjenës, eshtrat e tij u transferuen në një varrezë nderi në parcelen e figurave ma të nderueme të kombit.

Pllaka monumentale në nderim të veprës gjeniale të Karl Ghegës ne Semmer.

(Shkrimi nga Pjetër Logoroci, vjen pa ndërhyrje në KultPlus)./ KultPlus.com

Semmering, në sfond veprat monumentale të arkitektit Karl Ghega (Foto: P. Logoreci)

Deri kur nuk i është lejuar Nënë Terezës ardhja në Shqipëri (FOTO)

Pas shumë përpjekjesh të mohuara më parë nga regjimi komunist, Nënë Tereza arriti që në gusht të vitit 1989, të vizitoj Shqipërinë për herë të parë, shkruan KultPlus.

Pas largimit nga Shqipëria ajo ishte shprehur tejet e kënaqur me realizim e kësaj vizite. “Vizitova vendin tim të dashur Shqipërinë dhe takova popullin tim”, ishte shprehur pas vizitës nobelistja shqiptare, Nënë Tereza.

KultPlus ju sjellë një fotografi gjatë vizitë së saj të dytë në Shqipëri, më 1991 pasi herën e pare nuk u lejuan aparate fotografike.

Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza ose Shën Tereza e Kalkutës lindi në Shkup (sot Republika e Maqedonisë), atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj. Nënë Tereza themeloi Misionaret e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 vende. / KultPlus.com

Prishtina bëhet edhe me një sallë alternative

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, sot përmes profilit në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Kulturës kanë arritur të finalizojnë marrëveshjen për kalim të kinemasë së ish APJ në hapësirë kulturore të Prishtinës, shkruan KultPlus.

Kjo sallë do të përdoret si kinema dhe skenë alternative, ka njoftuar kryetari Ahmeti.

“Para disa vitesh filluam një iniciativë me Alush Gashin për kthimin e kinemasë së ish APJ në hapësirë kulturore të Prishtinës (kinema dhe skenë alternative). Atëkohë ishte në menaxhim të UNMIK dhe hasëm në shumë vështirësi.
Pas kalimit në menaxhim të Qeverisë, me Yll Rugova kemi arritur të finalizojmë marrëveshjen për kalim të sallës në menaxhim të Prishtinës. Javëve në vijim do të njoftojmë për shfrytëzimin e kesaj hapësire në bashkëpunim me ideatoret e kthimt të kësaj hapësire në kinema/hapesirë alternative të kultures në kryeqytet.
Si fëmijë, kam shkuar shpesh në këtë kinema. Edhe pse nuk është e njejtë patjetër se ka rëndësi të veçantë kulturore për Prishtinën”, ka shkruar Shpend Ahmeti./ KultPlus.com

“Mollëkuqet” e Gjilanit përfaqësojnë Kosovën në Bjellorusi

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim përfaqësuesen e qendrës kulturore “Mollëkuqet”, Arta Haziri Nuhiu, e cila së bashku me katër talentet na Gjilani, Edisa Ahmeti, Ilda Nuhiu, Valenta Selimi dhe Yllka Dema, do të nisen për në Minsk të Bjellorusisë për ta përfaqësuar Kosovën në festivalin ndërkombëtar të muzikës “Lemari”.

Kryetari Haziri, pasi u ka uruar suksese në këtë festival, ka thënë se ky është shembulli më i mirë i talenteve që ka Gjilani në këtë dhe disa fusha tjera.

“Unë ju uroj shumë suksese dhe shpresoj shumë që do ta në bëni krenarë të gjithëve me rezultatet e arritura. Mbështetjen e Komunës do ta keni në vazhdimësi”, ka thënë Haziri.

Ndërkaq, drejtoresha e qendrës kulturore “Mollëkuqet”, Arta Haziri Nuhiu, e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen dhe mbështetjen e madhe që i ka dhënë festivalit “Mollëkuqet”.

“Do ta bëjmë të pamundurën që ta përfaqësojmë shtetin tonë në mënyrë sa më dinjitetshme dhe të rikthehemi me trofe të fituar nga ky event i madh ndërkombëtar, ku Kosova për herë të parë po merr pjesë. Më 17 prill do të jetë nata finale dhe besojmë që do ta bëjmë krenar vendin tonë”, ka thënë Haziri Nuhiu.

Në këtë takim, suksese i kanë uruar talenteve të Gjilanit edhe kryesuesja Shpresa Kurteshi Emini dhe drejtoresha e Arsimit, Majlinda Hoxha./ KultPlus.com

Kënga përfaqësuese e Finlandës në Eurovizion, sjellë “përbindëshat” në Gjuhën Shqipe

Përfaqësuesja e Finlandës në Eurovizion, Saara Aalto, ka publikuar një version të ri të këngës së saj “Monsters” më të cilën do të konkurrojë në këtë garë. Ajo ka sjellë këngën në 34 gjuhë, ku përfshihet edhe Gjuha Shqipe, shkruan KultPlus.

Kënga e cila fillon në Gjuhën Angleze ndryshon nga çasti në çast, duke sjellë kështu tekstin të copëzuar në 34 gjuhë.

Këngëtarja gjersa luan vet në piano sjellë fjalinë “Nuk dua të kapem pas këtyre përbindëshave”, në gjuhën shqipe në minutë 2:35. Ky version mund të konsiderohet si dëshmi që muzika nuk njeh gjuhë ajo thjeshtë ndjehet./ KultPlus.com

Kosova dhe Bullgaria shkëmbejnë aktivitete kulturore

Ambasada e Bullgarisë në Kosovë dhe Ambasada e Kosovës në Bullgari, gjatë muajit prill kanë organizuar disa aktivitete të ndryshme kulturore në të dy vendet, shkruan KultPlus.

Ekspozitë, ligjëratë dhe ekspozitë vjetore janë disa nga aktivitete që do të mbahet përgjatë muajit prill në Kosovë dhe Bullgari.

Ekspozita “Paper Innovations and Elemental Sculpture” e artistëve Daniela dhe Todor Todorov nga Bullgaria, hapet me 24 prill në orën 19:00 dhe mbetet e hapur deri më 12 maj.

Ligjëratë mbi teknikat e përdorura nga çifti i artistëve TODOROV, inovacionet me materiale të letrës dhe skulpturat elementare. Ligjërata mbahet me 25 prill në Galerinë Kombëtare të Kosovës në orën 17:00.

Më 12 prill, në Sofje të Bullgarisë hapet ekspozita vjetore PAPER ART AMATERAS FOUNDATION, në Pallatin Kombëtar në Sofje, ku me ndërmjetësimin e GKK, marrin pjesë dy artistet kosovare që punojnë në këtë disiplinë: Adriana Marku – Sedaj me veprën “Qilimi” dhe Arbana Hajredinaj me veprën “My Head”./ KultPlus.com

“Përtej Detyrës”, ekspozita kushtuar diplomatëve që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit në Prishtinë

Ekspozita “Përtej Detyrës”, kushtuar diplomatëve që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore – Holokaustit – dhe janë njohur si “Fisnikë midis Kombeve” apo të “Të Drejtët midis Kombeve” do të hapet në Prishtinë, më 13-14 prill 2018 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

“Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët gjatë dy ditëve 13-14 Prill 2018, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Thelbi i ekspozitës përbëhet nga tregimet e diplomatëve të cilët u njohën si “Të Drejtët midis Kombeve”. Tregimet përfaqësojnë diversitetin: vende të ndryshme të origjinës, vende të ndryshme ku ata kanë vepruar dhe kanë ndërmarra veprimeve të ndryshme për të shpëtuar njerëzit në faza të ndryshme të Holokaustit. Tregimet janë të endura brenda zinxhirit historik të ngjarjes së holokaustit, së bashku me një sfond historik më të veçantë që lidhet me secilën prej këtyre tregimeve”, thotë Besarta Pasoma, bashkëthemeluese dhe drejtoreshë e OJQ-së “Bridging the GAP”, shkruan izraelisot.

Ekspozita është e organizuar nga OJQ-ja “Bridging the GAP” në bashkëpunim me Ambasadën e Izraelit në Beograd./ KultPlus.com

116 vite nga lindja e sopranos Gjyzepina Kosturi

Më 12 prill 1902, në Shkodër ka lindur sopranoja e talentuar Gjyzepina Kosturi. Ajo ka lindur në një familje shkodrane në Tivar dhe është Artiste e Merituar, shkruan KultPlus.

Ajo u diplomua nga Konservatori “Santa Cecilia” e Romës. Pas kthimit në atdhe, ajo dha koncerte dhe bashkëpunoi me mikrofonin e Radio Tiranës. Ajo është një nga solistët e para të Filarmonisë së Shtetit, soliste e Teatrit të Operës dhe Baletit dhe interpretuese e rolit të princeshës në operën “Rusalka”, vepra e parë e operës e vënë në skenën shqiptare.
KultPlus sot ju sjellë disa fotografi të saj.




Tatjana Danneberg, sjellë “One step behind you” në LambdaLambdaLambda

Tatjana Danneberg do të sjellë sot ekspozitën e dytë personale të titulluar “One step behind you”, në LambdaLambdaLambda, shkruan KultPlus.

Ekspozita dhe veprat e saj janë të frymëzuara nga vepra “Act without words” e Samuel Beckett-it, ndërsa brenda ekspozitës hapësira e galerisë bëhet një skenë e ngrirë me pikturat dhe skulpturat që përfaqësojnë trupa të ndryshëm nga shfaqja e Beckett që përdoren për të përfaqësuar veprimin ose mungesën e veprimit.

Në këtë seri të re të pikturave, Danneberg fokusohet në vizatimin si një medium brenda teknikës së transferimit të tij duke eksploruar potencialin që ka për t’u bërë rezultati përfundimtar i një procesi të pikturuar dhe jo të veprojë thjesht si një mjet për hartimin e një pikture. Artistja në këtë mënyrë i afrohet pikturave të saj në një mënyrë skulpturore duke vënë theksin në “ndërtimin” e pikturës a priori, në vend që të pikturojë si akt final.

Skulpturat prej mermeri të llaçit përfaqësojnë dy karaktere të bllokuar në thasë. Ato përfaqësojnë personazhet e paafta për të vepruar dhe kështu i bën ata një metaforë për monotoni të rutinave të përditshme.

Ekspozita do të hapet sonte në LambdaLambdaLambda, duke filluar nga ora 19:00./ KultPlus.com