Lorik Sylejmani, solli një kombinim të pazakontë të elementeve përmes “Eja të shohësh vetminë” (FOTO)

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Kosovës është bërë hapja e ekspozitës “Eja të shohësh vetminë”. Të pranishmit patën mundësinë të shohin një përzgjedhje të punës së artistit Lorik Sylejmani e cila erdhi përmes 24 punimeve. Punime këto të cilat ishin edhe një ftesë për të hyrë në botën e artistit duke reflektuar njëkohësisht edhe mbi vetminë.

Artdashësit të cilët ishin të pranishëm arritën të kuptojnë se vetmia sipas Sylejmanit është një ndër vetit kryesore të njerëzimit. Mirëpo pikërisht vetminë artisti e sheh si gjendje dhe nuk e konsideron një emocion. Këtë ai e zbuloi në intervistën që dha për KultPlus.

“S’jam bazuar në emocion por vetminë e kam marrë si gjendje. Është një gjendje të cilën nuk mund ta paracaktojmë por mund të ndodh vetvetiu. Në këto njëzet vite punë është vështirë të bëhet një përzgjedhje, por kur e vendos temën e ekspozitës është akoma më e vështirë të përshtatësh punët dhe të bësh një përzgjedhje në katër hapësira”, tha ai duke shtjelluar tutje disa konceptet që fshiheshin brenda këtyre hapësirave.

Ekspozita e ndarë në dhoma fillonte me “Dhomën pa pamje”, totalisht të vetmuar. Pikërisht në hyrje të kësaj hapësirë artisti ka përdorur tingullin si element për të bërë një vepër artistike. Artisti i cili ka një lidhje të përjetshëm më muzikën ka zgjedhur këngën “God Save the Queen” nga Sex Pistols, duke marrë kështu gjurmët e zërit të këngës dhe duke i shtrirë në flamurin anglez. Po ashtu në këtë cikël të punëve me tingull ai shfaq edhe punën ‘Marcele Duchamp zbret shkallëve’.

Ndërsa “Dhoma e Lou Reed dhe Laurie Anderson”, e që ai i kishte idhuj kohë më parë, paraqet punime të magjistraturës së viteve 1996-1997. Punime të cilat artisti më nuk i posedon pasi që janë shitur por që ai i riciklon, ripunon ndonjë herë edhe duke i ndryshuar ato.

Në dhomën e tretë “Arti imiton jetën”, paraqiten punime me panterna të ndryshme, të cilat artisti i ka imituar nga copat e shtofit të cilat i ka blerë, duke ricikluar kështu materialin dhe duke ridizajnuar atë.

Ndërsa në dhomën e katërt “Videoplex”, paraqiten dy video. Aty këngës “Rabini” nga grupi Bankrot e cila nuk ka videoklip, i është realizuar një i tillë përmes montazhesh së artistit. Kështu në videoklip shihet artisti në ditën e tij të parë në shkollë, lindja e vëllai të tij dhe dasma e dajës së artistit. Filmi i fundit është “Won’t you come and see loneliness”, Një film eksperimental 5 minuetesh prej të cilit edhe ka marrë emrin ekspozita.

Enë hyrje të galerisë qëndronte i vendosur mbishkrimi “Video sex” të cilën artisti e konsideron edhe si deklaratë e tij të fundit.

“Nëse e merr vetminë, njerëzit në dashuri e kërkojnë shpëtimin, e ajo është ideja kryesore. Mirëpo sot mund ta konvertosh edhe në këto proceset, ngacmimet seksuale që po ndodhin. Pas dy a tri vitesh mund të dëgjojmë një burrështetas i huaj që ka pasur një skandal seksual dhe ta lidhës me atë pra është një temë që riciklohet çdo herë”, tha ai duke shtuar se elementi që i bashkon të gjitha këto punime të prezantuar është vetmia.

Kjo është ekspozita e parë e artistit që nga pas lufta, në qytetin e tij të lindjes. Mungesë mund të arsyetohet pasi që ai më shumë ka marrë pjesë nëpër ekspozita ndërkombëtare. Pikërisht për këtë rikthim të tij në Prishtinë artisti e falënderon drejtoreshën e Galerisë Arta Aganin dhe gjithë stafin për punën që kanë bërë, duke e quajtur këtë ekspozitë, një kurorëzim të punës së tij 20 vjeçare.

E në anën tjetër ky kombinim i elementeve të ndryshme në këtë ekspozitë sipas drejtoreshës së Galerisë Kombëtare të Kosovës mund të kuptohet duke kujtuar se cilës gjeneratë i takon artisti, e të cilën ajo e quan ‘Change-gen’.

“Në ekspozitën “Eja të shohësh vetminë” artisti përfundon duke tërhequr vëmendjen kah vetja si vëzhgues i pazëshëm i çmendurisë konsumatore dhe integritetit të kompromentuar njerëzor, duke u distancuar nga to me një barrierë vetmie si faktor i refleksionit të thellë” është shprehu Arta Bunjaku.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës deri më 11 maj 2018./ KultPlus.com

Për herë të parë Java saudite e Modës për gratë

Arabia Saudite, ku princi trashëgimtar ka ndërmarrë reforma të thella sociale, ka pritur dje për herë të parë “Javën e Modës” me parada të organizuara para një publiku ekskluzivisht femëror.

Deri tani, “Fashion week” arabe, konsideruar si një ngjarje ndërkombëtare me të njëjtën peshë si paradat pariziane apo milaneze, ishte zhvilluar vetëm në Dubai, kryeqyteti i modës në rajonin e Gjirit.

Ajo do të zhvillohet tashmë edhe në Riad, në një version të ndaluar për fotografët.

Ajo është rezervuar vetëm për publikun femëror.

Emra të mëdhenj europianë si Jean Paul Gaultier dhe Roberto Cavalli do të jenë pranë krijuesve lokalë si sauditja, Arwa Al Banawi, shumë e vlerësuar nga të pasionuarit me modën në rajon dhe që prezanton një koleksion të quajtur “The Suitable Woman” si dhe Mashael Alrajhi, veshjet e të cilës janë pa dallime gjinore.

“Gjithmonë ka pasur interes për modën në Arabi”, theksoi princesha Noura Bint Faisal Al-Saud, presidente nderi e ngjarjes, organizuar në hotelin ”Ritz-Carlton” me pjesëmarrjen e shumë krijuesve, vendimmarrësve dhe drejtuesve të industrisë së modës.

“Këshilli ynë i modës po përpiqet të sjellë industrinë e modës në Arabinë Saudite në një nivel të pazakontë”, shtoi princesha.

Princi trashëgimtar, Mohammed ben Salmane ka ndërmarrë që prej vitit të kaluar reforma të thella sociale në mbretërinë ultrakonservatore.

Gratë kanë marrë uatorizimin të drejtojnë makinë duke nisur nga qershori 2018./ KultPlus.com

Rita shtyn sërish lansimin e albumit të ri

Albumi i dytë i Rita Orës është shtyrë sërish.

Disa herë Rita Ora ka treguar për vështirësitë për lansimin e albumit të dytë, pasi që dihet se albumi i parë “ORA” ishte lansuar para gjashtë viteve.

Pasi lajmëroi kohë më parë se albumi do të lansohej në pranverë, “Glamour Magazine Germany” raporton se ai është shtyrë për në vjeshtë.

Sipas raportimit, “albumi duhet të kompletohet me gjithçka që meriton për t’u lansuar”.

Rita ka udhëhequr disa herë së fundmi në top-lista botërore.

Ajo kishte nisur tentativën për lansimin e albumit të dytë qysh më 2014, por pas problemeve me Calvin Harrisin dhe më pas me “Roc Nation” u detyrua të shtynte punët për më vonë.

Në mbrëmje zemra ime

GEORG TRAKL- Poezi

Në mbrëmje dëgjohet klitha e lakuriqëve të natës.
Dy vraçë kërcejnë përmbi livadh.
Fëshfërin panja e kuqe.
Shtegtarit i shfaqet pijetorja e vogël ndanë udhës.
Mrekullishëm shijojnë vera e re dhe arrat.
Mrekullishëm: i dehur të lëkundesh në pyllin që muzget.
Mes degnaje të zezë kumbojnë kambana të dhimbshme.
Mbi fytyrë pikon vesë.

Përktheu nga origjinali Arb Elo.

Sa para do të marrin mësimdhënësit e viteve të 90-ta nëse miratohet ligji?

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, ka thënë se ka qenë këmbëngulës që ligji që trajton punëtorët arsimorë të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar të kalojë në qeveri dhe të çohet në Kuvendin e Kosovës.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka shpjeguar kategorizimin që parasheh ligjin, në aspektin e përfitimeve financiare, duke nënvizuar se vërejtjet dhe sugjerimet mund të bëhen kur ai të kalojë në komisionet parlamentare.

“Uroj të gjithë mësimdhënësit për ligjin. Kanë qenë shtyllë dhe simbol i shtetësisë edhe në vitet më të vështira. Ka qenë kërkesë e vazhdueshme edhe e qeverisë që ligji të shkojë në miratim. Deri tani është shtyrë për shkaqe buxhetore. Mendoj që gjithçka u krye në kohën e duhur”.

“Ligji do të ketë kosto që do të ndikojë drejtpërdrejt në buxhetin e vendit. Ka pasur shumë opinione, nëjri ndër të cilët, se do të kishte qenë më mirë që ato para të jepeshin për të ardhmen e arsimit. Por unë kam qenë këmbëngulës në këtë ligj, pasi e kaluara nuk mund të fshihet”.

“Ai do t’ia shtojë vlerën punës së mësimdhënësve që kanë punuar në ato vite. Mësimdhënësit janë ndarë në dy kategori, në ata që kanë punuar mbi pesë vjet, që do të kenë të drejtë të marrin deri në 75 për qind të pagës së mësimdhënësit, ndërsa ata që kanë punuar deri në pesë vjet, përqindja që do marrin do të jetë 65 për qind e pagës”.

“Mendoj që çdo sugjerim dhe vërejtje është dashur të bëhet gjatë kohës së draftimit të ligjit. Normalisht ka mundësi që të përmirësohet edhe gjatë kalimit nëpër Kuvendin e Kosovës. Tani ligji nuk është më në dorën tonë, por në atë të deputetëve të kuvendit”.

Albin Kurti: I përkujtojmë sot Asdrenin dhe Agim Ramadanin

Politikani Albin Kurti, pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje ka përkujtuar në Facebookun e tij dy figura të shquara, në përvjetore të ndryshme.

Ai ka kujtuar Asdrenin në datëlindjen e tij dhe Agim Ramadanin i cili me 11 prill 1999 ra dëshmor në Betejë e Koshares.

Ky është statusi i plotë i Kurtit:

Në 11 prill 1872 ka lindur Asdreni, poeti e pedagogu, veprimtari e Rilindësi ynë, fjalëve të të cilit u rrimë në këmbë kur këndohet Himni Kombëtar. Në vjershën e tij “Lulëkuqja” ai e poetizon një imazh të cilin edhe sot e kemi para syve tanë, brutal posi atëherë. Imazhi i atdheut të pambrojtur, të parritur, imazhi i një kombi për të cilin s’përkujdeset askush, imazhi i një populli të pastrehë, të mjerë, imazhi i një kulture të pakultivuar, pa stoli. Si lulëkuqja e mbirë anash rrugës. Megjithatë, kjo është lulëkuqja jonë, e cila kur valon ndez shumë zemra. E njëra nga zemrat e mëdha që i ka ndezur kjo lulëkuqja jonë në historinë e saj, është zemra e heroit, Agim Ramadanit, komandantit të Brigadës 138 të UÇK-së, i cili në 11 prill 1999 ra dëshmor në Betejën e Koshares, në luftën tonë për çlirim.

I përkujtojmë sot të dy, si dy nga kulmet e panteonit tonë kombëtar.

Ministria e Arsimit pret rezultate më të mira nga ‘PISA 2018’

Fatmir Elezi, anëtar i komisionit për “PISA 2018” si dhe zyrtar në divizionin për vlerësim dhe standarde në kuadër të ministrisë së Arsimit, ka thënë se presin rezultate më të mira nga ky test në krahasim me herën e shkuar.

Sot në Prizren u mbajt dita e parë e “PISA 2018”, dhe sipas Elezit, procesi ka shkuar normalisht. Ai ka thënë se pjesëmarrja ka qenë e kënaqshme, ndërsa ka bërë të ditur se me testime do të vazhdojnë së shpejti në komuna të ndryshme. Në testin e sivjetmë, Elezi ka thënë se në fokus është gjuha, ku numri më i madh i pyetjeve ka të bëjë me leximin.

Ai ka thënë se organizimi më i mirë dhe përgatitja teknike e nxënësve do të nxjerrin rezultate më të mira në krahasim me vitin 2015.

“Interesimi për 2015-n ishte më i vogël, nuk e kanë ditur rëndësinë e testit dhe mendoj se nxënësit nuk e kanë dhënë maksimumin. Sivjet mendoj se ka motivim më të madh te nxënësit për të punuar. E kam vënë re gjatë ushtrimeve. E kam parë se e kanë kuptuar se duhet të lexohet shkrimi e më pas të përgjigjen në bazë të leximit. Sivjet ka qenë testi me kompjuter dhe këto ushtrime që kemi bërë kanë qenë në njohjen e sistemit se si duhet të funksionojnë me këtë sistem. Ka pas udhëzime se si duhet të plotësohet testi në ditën kur të hyjnë në test. Nuk është diçka që nuk është e lejueshme. Nxënësit e kanë provuar sistemin në mënyrë që të mos marrin më pak pikë për shkak të gabimeve teknike se nuk dinë të përdorin kompjuterin. Kjo besoj do të nxisë në më pak rezultate të gabuara. Për shkak të organizimit presim rezultat më të mirë”, është shprehur ai në Express Intervistën në KTV.

Elezi ka bërë të ditur se faza e parë e testimit duhet të përfundojë më 26 prill, ndërsa përsëritja e testimeve nëse është e nevojshme duhet të mbyllet deri më 5maj.

Sa i përket rezultateve, ato do të dalin në dhjetor të vitit 2019.

Elezi po ashtu ka bërë të ditur se Kosova viteve të ardhshme do të mbajë edhe teste të tjera ndërkombëtare, ndërsa planifikon që të shtojë testime për nxënës në baza vjetore.

Hervin Çuli rizgjedhet Drejtor i Teatrit Kombëtar

Hervin Çuli rizgjedhet për herë të dytë në krye të Teatrit Kombëtar. Lajmi është konfirmuar edhe në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Çuli prej vitesh drejton këtë institucion të rëndësishëm kulturor në vend.

Kohët e fundit, Teatri Kombëtar ka marrë vëmendje si asnjëherë më parë për shkak të një projekti të ri që parashikon prishjen e tij. Por aktorët janë kategorikisht kundër kësaj ideje, dhe kërkojnë që Teatri të rikonstruktohet dhe godina të jetë aty ku ndodhet aktualisht.

Dua Lipa dhe Rita Ora nominohen në çmimet gjermane ECHO Awards

Nesër në Gjermani do të mbahen ECHO AWARDS.

Çmimet prestigjioze muzikore ndahen nga Deutsche Phono-Akademie.

Për tu bërë më e bukur kjo ceremoni, duhet përmendur se Dua Lipa dhe Rita Ora janë nominuar që të dyja në të njëjtën kategori.

Dy shqiptaret do të konkurrojnë me Pink, Camila Cabello dhe Taylor Swift në kategorinë e International Rock/Pop Female Artist, shkruan KultPlus.

Rita Ora si duket do të performojë poashtu në këtë ndarje të çmimeve, ndërsa emrat tjerë që do të performojnë në ceremoni janë edhe Luis Fonsi, Jason Derulo, Mark Foster e Kylie Minogue. / KultPlus.com

Agim Ramadani: Unë po e shoh lirinë, tash edhe me vdekë s’më mbetet peng asgjë

Sot janë bërë 19 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.

KultPlus sot ju sjellë një pjesë të bisedës mes heroit Agim Ramadani drejtuar bashkëshortes së tij Shukrije Ramadanit, vetëm pak ditë para rënies së tij, më 24 mars 1999.

“Unë po e shoh lirinë dhe po ta uroj që tani! Tash edhe me vdekë, s’më mbetet peng asgjë, ngaqë po e ndjej zërin e lirisë. Më dhimbsesh që s’je këtu ta shohësh qiellin e përflakur dhe të kuptosh sa ngjyra të bukura ka liria”, i kishte thënë Agim Ramadani gruas. / KultPlus.com

Puthja në mes të Belmondo dhe Anna Karina, posteri zyrtar i Festivalit të Kanës

Festivali i Filmit të Kanës ka zgjedhur që për edicionin e tij të 71-të të nderojë filmin “Pierrot le fou”, të regjisorit Jean-Luc Godard.

Në qendër të posterit zyrtar të këtij edicioni është aktori Jean-Paul Belmondo dhe Anna Karina, përcjellë KultPlus.com

Në posterin me tone të kaltërta dhe të verdha, Jean-Paul Belmondo dhe Anna Karina nga veturat e tyre zgjaten për të puthur njëri-tjetrin. Ky imazh është marrë nga një skenë e filmit “Pierrot le fou”. Godard ishte nderuar në vitin 2014 në Kanë me çmimin e jurisë.

Festivali i Kanës do të hapet më 8 maj, me aktorin dhe drejtorin Edouard Baer si mikpritës të festivalit dhe me aktoren australiane Cate Blanchett si presidente të jurisë.

Lista e filmave që do të jenë pjesë e festivalit do të publikohet të enjten në konferencën për media në Paris, shkruan culturebox.

Në vitin 2017 posteri i përdorur nga festivali ku shfaqej aktorja Claudia Cardinale kishte ngjallur kritika për ndërhyrjet në fotografi. / KultPlus.com

Kërkohet futja e mësimit të gjuhës shqipe në shkollat e Zvicrës

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, është takuar me Manuele Tornare, deputetin e Parlamentit Federal Zviceran.

Gashi i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko me Tornaren kanë diskutuar projektet e Universitetit Popullor Shqiptar në lokalet e të cilit u mbajt edhe takimi, në veçanti futjen e mësimit të gjuhës shqipe në Zvicër si program integral i kurikulës së shkollave në Zvicër, njofton kumtesa minsitrore, transmeton Koha.net.

“Në udhëtimet që kemi pas deri tani, na u ka dhënë mesazhi se në të gjitha shtetet ku mësimi i gjuhës shqipe është institucionalizuar, aty ka pjesëmarrje më të madhe të fëmijëve në këto shkolla. Kërkojmë nga ju që të diskutoni këtë çështje me ministrin Federal dhe kantonal, që kjo të bëhet edhe në Zvicër, ashtu që mësimi i gjuhës shqipe të jetë pjesë e programit institucional të Zvicrës”, tha Gashi.

Deputeti Tornare premtoi se këtë do ta diskutojë me ministrin përkatës, ndërsa informoi dy ministrat edhe për punën dhe ndihmën që shteti zviceran i ka dhënë Kosovës.

“Ne respektojmë kërkesën për vetëvendosjen e popujve dhe pavarësinë e tyre në rastet kur ajo është e drejtë dhe e justifikuar sikurse në rastin e Kosovës”, tha Tornare.

Ministrat Gashi dhe Majko po ashtu takuan edhe kryetarin e Odës Ekonomike Zvicerano – Kosovare, Stephan Sarkany si dhe një grup të investitorëve potencial, me të cilët diskutuan projekte konkrete dhe vizita të përbashkëta të investitorëve nga Zvicra dhe Franca në Kosovë dhe Shqipëri në fushat e shëndetësisë dhe aftësimit profesional.

Antigona Nimani, Vera e Faik Hima, shqiptarët që ‘ngacmuan’ Beogradin (VIDEO)

Më 28 nëntor 1966, filloi së emituari programi në gjuhen shqipe, në TV e Beogradit, një herë në javë, nga gjysmë ore.

Nga ai ekip i vogël krijuesish, u krijua edhe Televizioni i Prishtinës, me shumë të tjerë, që do të inkuadrohen më vonë.

Spikerët e parë në TV ishin Antigona Nimani, Faik Hima dhe Vera Gjevori Hima.

Antigona Nimani është marrë me emisionin “Pasqyra televizive”.

Pasqyra televizive 1966-1973 është programi informativ në gjuhën shqipe prodhimi i RTB – redaksia në gjuhën shqipe. Emitimi i programit filloi nga data 29 nëntor 1966 nga studio e TV Beogradit. Përgatitja dhe xhirimi i materialeve bëhej asokohe në Kosovë.


Antigona Nimani, Vera Hima dhe Faik Hima.


Vera Hima

Në vitin 1966, pas Plenumit IV të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, ku u dënua politika antishqiptare e Rankoviqit, u formua redaksia shqipe e TV Beogradit me këta entuziastë: Gjeto Leka – gazetar-redaktor, Faik Hima folës, Ekrem Kryeziu gazetar-folës e pastaj edhe regjisor, Antigona Nimani – realizatore dhe folëse, Mitalip Çoça xhirues-gazetar dhe Bejto Jusufi ndriçues që përgatisnin emisionin e parë në gjuhën shqipe të titulluar “Pasqyra televizive”, më vonë ju bashkëngjitën Masar Murtezai si redaktor përgjegjës, Vera Gjevori-Hima si folëse, Sytki Imami përkthyes e lektor, organizator Shaip Bejta. Deri në vitin 1965 janë xhiruar 2977 tituj. Nga 2977 tituj në periudhën 1945 – 1965, në Kosovë dhe për Kosovën janë xhiruar 29 filma, 26 dokumentarë dhe 3 filma artistikë. / KultPlus.com


Vera Hima

Historia e hidhur e familjes së Eqrem bej Vlorës

Ministër i Jashtëm, Ministër i Kulturës, Ministër i Tokave të Lirueme, ambasador i Shqipërisë në Londër dhe në Athinë, sekretar i Përgjithshëm i Prind Wied-it, Eqrem bej Vlora ishte jo vetëm shtetar, por edhe një mendimtar, studiues, poliglot. Por ato që mori nga jeta ishin vuajtje nga më të mëdhatë. Nga 1944-ta, deri në 1964-tën kur vdiq, nuk e pa familjen. Gruan dhe dy vajzat ia persekutuan. Gjithë historia e familjes së tij, ekzili i hidhur, persekutimi dhe deri te vdekja e vajzës së dytë, Ajnisha që ndërroi jetë më 24 mars, duke u bërë e fundit e familjes që pa me sytë e saj të gjithë kalvarin e këtyre vuajtjeve.

Nga Roland Qafoku

Mes të qenit shtetar dhe kontribuues i jashtëzakonshëm i këtij shteti, në armik të popullit shqiptar. Nga një erudit dhe poliglot, në një vuajtës të madh. Nga një hero i patriotizmit dhe i bashkimit kombëtar, në tradhtar. Eqrem bej Vlora është simbolika sesa lehtë shteti shqiptar i ka poshtëruar shtetarët e vet. Drejtuesit e regjimit komunist e quanin kriminel të luftës duke e vënë në listën e gjatë të atyre që “i kishin larë duart me gjak”. Por çfarë krimi bëri Eqrem bej Vlora, që u quajt i tillë? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e dha më mirë se askush tjetër studiuesi Artan Shkreli, kur tha se “nuk mund të quhet Eqrem bej Vlora kolaboracionist, sepse as nuk vrau e as nuk përndoqi kënd. Ai ishte ministër i qeverisë shqiptare. Po edhe unë po të jetoja në atë kohë do bëhesha ministër”. Por etiketimi ishte pak për Eqrem bej Vlorën. Jeta e tij për 20 vjet në ekzil e vuajtja dhe persekutimi i familjes që la në Shqipëri është dhimbja e madhe e asaj drame të madhe që ndodhi në Shqipëri gjatë regjimit komunist. E bija e tij, Ajnisha Vlora, që ndërroi jetë më 24 mars të këtij viti ishte e fundit nga ajo që la pas Eqrem beu, i cili pa me sytë të gjitha vuajtjet dhe për të, vuajtja më e madhe ishte se pas 11 muajsh që erdhi në jetë, nuk e pa kurrë babanë e vet.

Marsi i tersit për familjen Vlora

Më 26 mars 2014, në Rinas mbërritën nga Vjena eshtrat e Eqrem bej Vlorës. E bija, Ajnisha Vlora ishte njeriu i parë që preku arkivolin dhe fotoja e fiksuar me dorën e saj te arkivoli bëri xhiron e medias në Shqipëri. Shumë kishte vuajtur kjo grua, por ky ishte momenti më i prekshëm dhe dukej si finalja e të gjitha dhimbjeve. Sapo makina që mbante arkivolin u afrua nga pista në godinën e aeroportit, Ajnisha Vlora u afrua e para. Një punëtor zbuloi arkivolin dhe Ajnishaja pa të shkruar në të emrin “Eqrem bej Vlora, 1885-1964”. Vendosi pëllëmbën e dorës ku shkruhej emri, e përkëdheli atë sikur ta kishte gjallë të atin dhe pamja e saj në fytyrë është e papërshkrueshme. Nuk i kishte lotët çurg, por vetëm të lagur. Nuk kishte qarje me zë dhe “oi”, por fytyra kishte një shtrëngim muskujsh, që ndjenin dhimbje. Më shumë ishte shpirti i saj që qante. As lotët dhe as fjalët nuk ishin me vend. Dhe ai portreti i Ajnishasë i fiksuar në foto është më simboliku, kur dhimbja dhe malli bëhen bashkë. Më 24 mars 2018, Ajnisha Vlora ndërroi jetë në shtëpinë e saj në Vlorë. Dhe duket sikur marsi ka qenë fati i keq i familjes. Edhe vetë Eqrem bej Vlora vdiq në muajin mars. Më 30 të këtij muaji të vitit 1964, ai ndërroi jetë në Vjenë. Vetë Ajnisha lindi në mars.

Eqrem Vlora, mërgimi i hidhur i beut

Eqrem Bej Vlora ishte përfaqësuesi më tipik i familjes së madhe të Vlorjave. Djali i Syrja Vlorës, ai ishte një nga më të pasurit por edhe më të diturit dhe më të arsimuarit e kohës. I ati i tij, Syrja Vlora ishte djali i xhaxhait të Ismail Qemalit dhe marrëdhënia e tyre kishte uljet dhe ngritjet e veta. Ngritje se ishin një gjak dhe pjesë të familjes së madhe të Vlorajve, që kishte nxjerrë figurat më të ndritura deri vezir i madh. Ulja e tyre lidhej me faktin e një rivaliteti se cili ishte më i rëndësishëm dhe cili do mbeste në histori. Janë të njohura përpjekjet e Syrja Vlorës për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë dhe i biri, Eqrem bej Vlora mbështeti në çdo kohë të atin. Por as Syrja Beu dhe as i biri nuk e kaluan lehtë atë që Ismail Qemali bëri më 28 nëntor 1912. Të bindur që ishin ata dhe vetëm ata “pronarë” të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nuk e panë me sy të mirë këtë akt të kushëririt. Ky moment lidhet edhe me një ngjarje tjetër, ku pakënaqësia dhe xhelozia e Syrja Vlorës u pa në vitin 1905 kur Ismail Qemali mbërriti në Vlorë dhe turma e madhe e njerëzve e pritëm me një entuziazëm të madh. Për ta respektuar mes ovacioneve të mëdha mikun e tyre, turma e vlonjatëve që kishin dalë ta prisnin në skelë ia hoqi karrocën kuajve dhe e ngritën atë mbi supe, ndërkohë që Ismail Qemali ishte brenda karrocës. Në gazetën “Albania” të asaj kohe shkruhej: Syrja Vlora nuk u kënaq nga pamja, kur vlonjatët e ngritën Ismail beun në krah. Syrjai tha:

“E çka ky kushëriri im që vlonjatët e ngrejnë në krah! Ç’të mirë shikojnë te ai? Pale ka edhe para borxh”.

Rasti i dytë ishte ditën e madhe të Shqipërisë kur Ismail Qemal Vlora shpalli pavarësinë. Pikërisht atë ditë, Syrja Vlora shkoi në Shkodër, ndërsa Eqrem beu ishte në Himarë. Në librin e tij “Kujtime”, Eqrem beu tregon se një fshatar shkoi te ai në Himarë dhe i tha që e kërkonte Ismail Qemali se po shpallte pavarësinë. Dhe përgjigjja e Eqrem bej Vlorës ishte: “Nuk mund të vij, se jam duke luftuar kundër grekëve në Himarë”. Duket si një justifikim jo i hollë ky i Eqrem bej Vlorës. Për të mos vënë në dyshim aftësisë e tij me armë, sepse dijet e tij nuk mund të vihen në diskutim, Eqremi këtu ka bërë një gabim historik. Ai ishte zgjedhur jo vetëm delegat i Kuvendit që do shpallte pavarësinë e Shqipërisë, po edhe zgjedhur si zëvendëspresident i pleqësisë. Por ai nuk shkoi kurrë në këtë Kuvend dhe nuk hodhi as firmën në aktin e Pavarësisë. Pikërisht në këtë ditë të madhe atij i doli një punë.

Në fakt, në të gjitha kujtimet ai shprehej respekt dhe vlerësim për Ismail Qemalin, por duket që lë shumë gjëra pa i treguar. Edhe karriera politike e Eqrem bej Vlorës nuk ka patur pikë takimi dhe nuk ka qenë e lidhur me aktivitetin e Ismail Beut. Kulmin e të gjithë marrëdhënieve ishte te prishja e sarajeve të Vlorajve. Hëna Këlcyra, njeriu i vetëm që ishte prezent, kur Eqrem beu vdiq në Vjenë, më shumë se një herë se sarajet i ka prishur Eqrem beu, sepse ishte shumë i mërzitur kur pa se mes pjesëtarëve të familjes Vlora nisi grindja për dhomat që u takonin. Dhe kështu, ai i shkatërroi vetë sarajet.

Mërgimi i hidhur i Eqrem beut

Më 28 gusht të vitit 1944 për Eqrem bej Vlorën ishte dita e fundit e punës si Ministër i Jashtëm. Qeveria e Ibrahim Biçakut ra dhe gjermanët që ishin në Tiranë, po organizoheshin për t’u larguar. Ndërkohë, që forcat partizane po përgatiteshin për të sulmuar kryeqytetin për ta çliruar, Eqrem bej Vlora mendoi të largohej nga Shqipëria. Ishte një vendim që sot pas kaq shumë dekadash mund të mendohet me qetësi, por në ato moment çdo sekondë ishte luks. Hëna Këlcyra kujton se veprimi i parë që i shkoi ndër mend Eqrem beut ishte të shkonte te familja e tij, i cili jetonte aty ku sot është godina e ambasadës së Vatikanit në hyrje të Rrugës së Durrësit. Ajo vilë ishte pronë e Eqrem bej Libohovës, të cilin Eqrem bej Vlora e kishte baxhanak. Ai ia kishte lënë për të jetuar Eqrem bej Vlorës sa të dëshironte. Kur Eqrem beu shkoi të shtëpia ishte i bindur, që jo vetëm do ikte menjëherë nga shtëpia dhe nga Shqipëria, por do merrte me vete edhe gruan Hadijen dhe dy vajzat Lejlan dhe Ajnishanë. Sapo hyri në vilë, vajzat iu qepën të atit me të puthura si fëmija për babanë. Aty Eqremi menjëherë ndryshoi mendim. Udhëtimi do ishte i vështirë për vajzat. Për Lejlën 12-vjeçare, por Ajnishaja vetëm 11-muajshe udhëtimi do ishte një torturë e vërtetë dhe në këtë moment i tha bashkëshortes Hadijes:

“Hadije, unë po iki jashtë. Do kthehem shumë shpejt. Do vi tu marrë juve. Tani po iki vetëm më mirë. Është rrugë e vështirë”.

Që nga ky moment, Eqrem beu nuk e pa më me sy familjen. As Lejlën që e donte aq shumë e as Ajnishanë që e puthte fshehtas Lejlës. Xhelozia e motrës së madhe për motrën vogël ishte e tillë, që i kishte kërkuar të atit të mos e puthe asnjëherë atë. I ati “kishte pranuar” kërkesën e vajzës, i bindur që një ditë do ta kuptonte vetë. Por kjo ditë nuk erdhi kurrë dhe jeta e Eqrem bej Vlorës u shoqërua me një brengë të madhe. Për afro 20 vjet, Eqrem beu jetoi jashtë vendit sa në Itali, Gjermani, Austri dhe Francë pa e parë familjen me sy dhe pa e ditur fatin e saj. Që nga 28 gushti 1944 deri më 29 mars 1964, jeta e tij ishte pa vlerë. Në fund të këtij kalvari të hidhur të mërgimit, ai u stacionua në Vjenë në familjen e Ali Këlcyrës. Brenga e mungesës së familjes ishte aq e madhe sa vdiq me këtë brengë në zemër. Ishte tamam si fraza që ka shkruar në kujtimet e tij: “U bëra top i fatit tim”. Dhe vërtet. Eqrem bej Vlora u bë për herë të fundit top i fatit të tij të keq.

Përndjekja e Ajnishasë dhe e familjes

Hëna Këlcyra tregon se Hadija kishte një peng mbi pengjet, që nuk u largua me Eqremin atë 28 gusht të vitit 1944. Por edhe pas këtij moment pati disa raste që ajo mund të largohej. Vetë Ajnishaja tregon se i ati kishte dërguar deri anije për t’i marrë, por nuk ishte e thënë.

“Na hëngri pasuria. Nëse nuk do mendoja për pasurinë, do kisha ikur. Por gjithnjë mendoja si t’i la shtëpitë, tokat dhe pronat?”

Por Eqrem beu në librin e tij me kujtimet, kishte përkufizuar shqiptarët nëpërmjet një proverbi turk: “Në Turqi ruaj kokën, në Rumani ruaj gruan, në Shqipëri ruaj pasurinë”.

Në fakt, me të kishin ndodhur të gjitha. Familjen ia persekutuan. gruan ia internuan në Bathore dhe Kavajë e pikërisht ajo vrionisja e arsimuar dhe e bukur e detyruan të punonte në arë. Vajza Lejla vdiq në 1970 me brengë të madhe se nuk e pa me sy të atin. Hadija vdiq me shumë brengën e madhe në zemër. Vajza e dytë, Ajnishaja ishte vuajtësja e fundit. Ajo nuk u la të shkollohej e futën në punë në bujqësi dhe jeta e saj u kthye në ferr. Më 24 mars, Ajnishaja ndërroi jetë. Ishte e fundit pjesëtare e familjes së Eqrem bej Vlorës që pa me sytë e saj, ndjeu në kurrizin e saj të gjitha vuajtjet dhe persekutimet e familjes. E megjithatë, kjo grua kurrë nuk u ankua dhe kurrë nuk u hakmor. Këtu qëndronte fuqia e saj dhe e familjes së Eqrem bej Vlorës.

Muzika e zezë

Poezi e shkruar nga Dije Demiri-Frangu.

duke fluturuar me fjollat e bardha të pambukut
rrëshqet erave të fushave e
vjen e fle në zemrën time
si mbi kodrën e avullt
palca e zërit

-muzika e zezë
e zezë ajo këngë

si zezësia e syve të tyre bukur
ajo më bie shpirtin e largët ulëritës
në ndjesitë e mija

e nisi e shoh shkëlqimin e lëkurës plot diell
dhe flokun e tyre të zi nga pikëllimi i tharë
me shekuj

muzika e zezë
ngjashëm me gjirin e zi të nënës afrikane
që nxjerr qumësht të bardhë
më rrit shpirtin

Mediumi publik gjerman për Kullën shqiptare: Strehë banimi, kështjellë mbrojtjeje dhe hotel

Transmetuesi publik gjerman ARD në radion dhe në portalin e vet ka emetuar një emision interesant lidhur me kullat e Kosovës, gjegjësisht të Junikut. Në një përshkrim realist, autorja e emisionit “Për kullat dhe manastiret” përshkruan pamjen e mjë kulle, funksionet e saj gjatë historisë, simbolikën etj.

“Kullat janë pirgje tradicionale banimi, të ngritura në mes viteve 1750 dhe 1910 para së gjithash në perëndim dhe në jug të Kosovës ashtu si dhe në veri të Shqipërisë. Këto ndërtesa shqiptare të banimit janë më tipike për Kosovën se çdo tip tjetër ndërtimi. Ato i gjejmë në Pejë, Gjakovë ose në Junik, një vendbanim i vogël në trekufirin Kosovë-Shqipëri – Mal i Zi”, thuhet në artikullin shoqërues të emisionit, transmeton albinfo.ch.

Kullat mund të kenë pamje që ndryshon nga njëra tjetra dhe disa ngjajnë më shumë me shtëpi fshati. Por, sipas rregullit, kullat kanë tre kate. Poshtë, në katin përdhes janë shtallat dhe depotë, në katin e parë është kuzhina dhe dhomat e fjetjes (çilerët) ndërsa në katin e sipërm, dhomat speciale (oda) ku zhvillohej jeta e familjeve të mëdha dhe ku merreshin vendime të rëndësishme për komunitetin ose bëheshin edhe pajtimet e gjaqeve. Muret e forta, dyert prej druri masiv si dhe kulmet e rrafshta, të mbuluara me tjegulla, janë po ashtu tipike për kullat.

Por kulla, në gjuhën shqipe ka edhe kuptimin e një pirgu ose pirg mbrojtjeje dhe ka shërbyer si vend strehimi për qëndrim të përkohshëm , për shembull, të njerëzve të kërcënuar nga gjakmarrja, transmeton albinfo.ch. Dritaret e vogla (frengjitë) janë përdorur edhe si vende për qitje me armë dhe në këtë kuptim, kulla ka qenë po ashtu edhe një kështjellë për mbrojtje.

Gjatë viteve 1998/1999 shumë kulla janë shkatërruar nga ushtarët dhe paramilatarët serbë dhe sot shumë nga këto ndërtesa historike po shkatërrohen.

Me financim të Agjencisë Evropiane për Rindërtim, Ministrisë së Kulturës të Kosovës dhe me para private, disa nga kullat janë rindërtuar dhe ato mund edhe të vizitohen. Një e tillë është Kulla e Osdautajve në Isniq ose Kulla e familjes Hoxha në Junik.

Në regjion më parë kanë ekzistuar rreth 350 kulla. Në konfliktet e përgjakshme të viteve të nëntëdhjeta ishin shkatërruar pothuaj të gjitha, pasi që Juniku në vitin 1998 ishte në qendër të luftimeve, në mes të UÇK-së nga njëra anë dhe njësive speciale serbe, policëve të regjimit nacionalist të Millosheviqit nga ana tjetër. Një konflikt i cili e bën edhe sot e gjithë ditën, shumë të vështirë bashkëjetesën në mes të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë.

Në stemën e qytetit të Junikut është vendosur një kullë ndërsa edhe zyra regjionale e turizmit është vendosur po ashtu në një kullë.

Gurë kuadratë ngjyrë hiri, qilima të endur shumëngjyrësh prej leshi dhe mure moderne madhështore prej xhami e karakterizojnë atmosferën e kullës, e cila është rinovuar me material vendor dhe me para të BE-së, shkruan ard.de dhe përcjell albinfo.ch . Sot, qyteti (Juniku) mbështetet veç tjerash në turizëm. Në kodrat e afërta mund të ushtrohet ngjitja, skitaria ose çiklizimi. Ndërsa në një kullë mund edhe të kalohet nata. 15 euro kushton bujtja në të.

Në emision përmendet edhe Manastiri i Deçanit, i cili, “për shkak se Kisha Ortodokse Serbe nbuk e njeh pavarësinë e Kosovës, vazhdon të jetë nën mbrojtjen e KFOR-it. Por kjo nuk i pengon murgjët e atjeshëm të mirëpresin turistët./ KultPlus.com

Dua Lipa i dhuroi dy net të paharruara publikut në Dublin (FOTO/ VIDEO)

Me një stil ndryshe të flokëve por gjithnjë me perfomancë të mahnitshme, Dua Lipa u ka dhuruar dy net të paharruara publikut në Dublin, atje ku ka mbajtur dy koncerte, shkrun KultPlus.

Ajo është paraqitur në Olimpia Theatre ndërsa publiku është ndarë i mahnitur nga performanca e saj atje, ku ka performuar disa nga hitet e saj. Në pozicione e vallëzime të veçanta Dua Lipa me grupin e saj, ka dhënë dy koncerte të suksesshme në kuadër të turneut të saj.

Dua Lipa së fundmi ka publikuar këngën më të re “One Kiss”, në bashkëpunim me Calvin Harris ndërsa ka korrur një sukses të jashtëzakonshëm me këngën “New Rules”, me të cilën edhe ka marrë mbi 1 miliard klikime në You Tube./ KultPlus.com

Ornela Vorpsi: Edi Rama kur ishte në Paris, magjepsi gjithë Parisin

Ajo nisi të shkruajë në Paris, kur ishte 29 vjeç. Arsyeja që romanet e saj nuk kanë ardhur në gjuhën shqipe për lexuesin shqiptar, kanë një shkaktar. Ai quhet Edi Rama.

Po flasim për shkrimtaren që do të shohë të vërtetën lakuriqe, pa maska, dhe që dje, erdhi përballë publikut shqiptar tek “Letërsia dhe Qyteti”, Ornela Vorpsi.

Nuk e ka fshehur kurrë simpatinë që ka për mikun, ish-pedagogun e saj të dikurshëm Edi Rama, aq sa e tha publikisht se projekti i përkthimit të veprave të saj në shqip i ishte premtuar nga kryeministri. Por që ky i fundit, me punët e shumta politike që ka, nuk ka gjetur kohën të ulet e të përkthejë Ornelën në shqip.

E ftuar sot në COD, në ambientet e kryeministrisë, ku do të ketë të parën ekspozitë personale vetjake në Shqipëri, “Providence”, Ornela, rrëfen për miqtë e librit, afërsinë, por edhe distancën që ka krijuar me mikun e saj, Edi Rama.

“Unë Edin e kam takuar në moshën 18 vjeç në Institutin e Arteve. Vija nga një familje që babain ma futën në burg, dhe pa vdekur Enver Hoxha, nuk më lejohej të ndiqja Akademinë e Arteve. Pas vdekjes së tij, nisa studimet aty ku doja. Dhe u gjenda në Akademi, kur Edi ishte pedagog. Ishte vetëm 22 vjeç, dhe ishte aq i aftë, sa e kishin mbajtur në Katedër” rrëfen ajo pasditen e djeshme.

“Edi, ishte dukshëm në distancë të jashtëzakonshme me ç’të ofronte Shqipëria atëkohë. Ndoshta i kishte edhe mundësitë. Por sido që të jetë. Ai kishte karizmën, sharmin dhe kishte lexuar jashtë mase. Për mua, humnera mes Edit dhe profesorëve të tjerë ishte e madhe”, rrëfen Ornela, për artistin kryeministër që sot do ta presë në COD për ekspozitën e parë të saj në vendin ku lindi.

“E kush nuk e donte Edin?” pyet ajo në mënyrë retorike. “Me Edin, isha e dashuruar në mënyrë platonike. Ai nuk më ka dashur. Si njeri, për mua, ka qenë një gjeni”, dhe salla shpërthen duke qeshur nga sinqeriteti pa dorashka i vajzës bukuroshe, sot 49 vjeç, nënë e një vajze 9 vjeçare.

“Duhet ta dini, që kur ishte në Paris, magjepsi gjithë Parisin. Sepse ai ka elokuencë dhe kulturë të gjithanshme. A mendoni, a kishte në atë kohë një njeri aq të ri dhe aq të ditur që fliste për filozofinë e Martin Heidegger (filozof gjerman, më i njohuri dhe më i rëndësishmi për shekullin e 20-të – shënim i redaksisë)” thotë Ornela Vorpsi, ndërsa nuk fsheh admirimin për Edi Ramën, artist.

Por, ngacmimit të gazetareve për të vlerësuar Edi Ramën si politikan, Ornela i shmanget, por me takt.

“Unë kam 27 vjet që jetoj jashtë vendit. Nuk e njoh Edin si politikan. Nuk mund ta ndjekë në gjithë këtë dimension, sepse nuk jam e zhytur në jetën shqiptare” thotë ajo, madje dukshëm me një lëvizje koke, kërkon të shprehë se as nuk do ta shohë këtë pozicion të mikut të saj, edhe pse, ka një detaj, që e vë në dukje me nota superlative për kryeministrin.

“Por kini parasysh, a e imagjinoni dot se kryeministri ka bërë një COD (center for openness and dialogue) brenda kryeministrisë. Nuk kam parë, dhe kam shëtitur shumë, në asnjë shtet tjetër, që në gjirin e pushtetit të vetë, të sjellë qytetari brenda saj, me artin dhe kulturën e edukimin. Një qeveri që ndërton një hapësirë ku vjen qytetari dhe takohet me artistin, dhe e bërë në një nivel kaq të lartë, është shumë domethënëse”, thotë Ornela Vorpsi, shkrimtarja shqiptare e vlerësuar me shumë çmime në arenën ndërkombëtare, por që për herë të parë prezantohet sot te publiku shqiptar me ekspozitën e saj vetjake “Providence”./ KultPlus.com

Elvana Gjata në album me emra të njohur të muzikës

Këngëtarja shqiptare, Elvana Gjata që po zhvillon karrierën në tregun e huaj ka arritur në një nivel tjetër duke u bërë pjesë e një albumi me emra të njohur të muzikës ndërkombëtare.

Menaxheri i saj, Poo Bear ka publikuar albumin e tij të ri me gjithë personat që ka punuar këto kohë. Ndër ta bëjnë pjesë Jennifer Lopez, Justin Bieber dhe Ty Dolla Sign.

Me këtë të fundit, Elvana Gjata solli projektin e ri muzikor të titulluar ‘Off Guard’ që ka marrë pëlqimin e publikut.

Duket se Elvana po punon shumë për të arritur majat që të jetë pjesë e kompeticioneve të njohura në Amerikë dhe Angli si Grammy, Emma apo MTV Awards./ KultPlus.com

Trina Ukmata, kuratore e ekspozitës në Berlin

Gili Hoxhaj

Trina Ukmata, tash e tri vite është studente e shkencave të medias me fokus në media filozofi në Bauhaus University Weimar, ndërsa krahas studimeve ajo është duke e zhvilluar praktikën në DAAD edhe në programin integral “Artists-in-Residence” (Berliner Künstlerprogramm).

Trina Ukmatën, këto ditë e kanë përcjellur shumë punë intensive në kurimin e ekspozitës që është hapur në Universitetin e Arteve në Berlin, në kuadër të eventit 4-ditor “Ex_Changing Perceptions – Art for Change” të organizuar nga DAAD (Shërbimi Gjerman për Shkëmbim Akademik).

Ky event ka shërbyer si një pikëtakim i bursisteve aktual dhe ish- bursisteve të DAAD, që janë aktiv ne fushat e artit. Kjo ekspozitë ka bashkuar pikëvështrime e stile të ndryshme të artit nga pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës. Në këtë ekspozitë janë prezantuar punimet e Theresa Volpp nga Gjermania, Nafiseh Fath nga Irani, Luiza Folegatti nga Brazili, Francesca M. nga Italia, Aline Schwibbe nga Gjermania dhe Yulia Popova nga Rusia.

Kjo ekspozitë ka shënuar hapjen më 5 prill, ndërsa qëllimi i saj ka qenë që të krijohet një hapësire dedikuar punimeve të disa prej artistëve pjesëmarrës në event, pa paracaktime formale që zakonisht kërkohen për një ekspozitë. Ukmata tregoi si kjo ngjarje ka krijuar një komunikim tejet interdisiplinar dhe interesant duke i gërshetuar në një vend e kohë pothuajse të gjitha fushat artistike si film, fotografi, skulpturë e pikturë, arte vizuale, histori e artit, dizajn, art te medias etj.
“Ideja e një ekspozite të lirë dhe të pavarur nga konteksti apo dimensionet fizike, erdhi prej dëshirës se punimit në një hapësirë kolektive dhe njëkohësisht të individualizuar kushtuar shumicës se spektrit të identiteteve artistike. Dhe kjo jo vetëm sa i përket llojit të natyrës së punimeve, por edhe temave që artistët trajtojnë përmes tyre”, ka treguar Trina Ukmata për KultPlus.

Për Trina Ukmatën kjo është hera e parë që angazhohet në mënyrë intensive në procese kuratuese ndërsa thotë se ka fituar shumë nga procesi i punës deri tek finalizimi i ekspozitës.
“ Nëse është diçka qe duhet të veçohet prej krejt kësaj eksperience, është definitivisht fakti që procesi është dashni. Krejt çka është shkëmbyer ndërmjet neve prej hapave inicues, deri te dita e ndërtimit ka qenë shumë më me vlerë sesa vete ekspozimi i punimeve ne atë hapësire – qoftë ajo edhe një bisedë që ka ndodhë midis pjesëmarrësve gjate procesit ndërtues”, është shprehur Trina Ukmata për KultPlus.

Kjo ekspozitë ka qëndruar për katër ditë e hapur në ambientin e Universitetit të Artit në Berlin ndërsa ka tërhequr rreth 150 vizitorë vetëm në mbrëmjen e hapjes së ekspozitës, ndërsa bazuar në reagimet e publikut, kjo ekspozitë ka arritur qëllimin e saj që të ngjallë edhe diskutim lidhur me punën e ekspozuar./ KultPlus.com

Violonçelistja Latica Anić dhe pianisti Lovre Marušić, një gërshetim mahnitës në Chopin Piano Fest Prishtina

Alberina Haxhijaj

Chopin Piano Fest Prishtina solli në natën e katërt të edicionit të 9-të, një gërshetim pasionant në Prishtinë. Violonçelistja Latica Anić dhe pianisti Lovre Marušić, miq që nga fëmijëria, treguan muzikalitetin e tyre në këtë natë ku u shpalosën vepra të epokave dhe stileve të ndryshme, shkruan KultPlus.

Në mes të instrumentistëve vërehej një kimistri e jashtëzakonshme muzikore. Në fytyrat e tyre të pranishmit mund të vërenin se ata muzikën e përjetonin ndryshe, mirëpo,tingujt që krijon përputheshin aq bukur dhe përcjellin një pasion të jashtëzakonshëm.

Të rritur në të njëjtin qytet në Kroaci, violonçelistja Latica Anić dhe pianisti Lovre Marušić kanë filluar që të luajnë në këto instrumente që kur ishin fëmijë, duke interpretuar shumë herë edhe së bashku. Madje, kur ishin 14 vjeçar ata kanë mbajtur edhe koncertin e tyre të parë si një dyshe. Mirëpo rrugët e tyre janë ndarë. Pianisti Lovre Marušić ka vazhduar studimet e tij në Rusi ndërsa violonçelistja Latica Anić në Francë.
Kështu pas më shumë se gjashtë viteve këta dy miq fëmijërie janë bërë së bashku në Prishtinë duke sjellë një koncert mahnitës në kuadër të Chopin Piano Fest. Me të përfunduar koncerti violonçelistja Latica Anić në intervistën e saj për KultPlus e quajti këtë koncert një ribashkim të këndshëm.

“Gjatë lojës mund të ndjehen vitet që nuk kemi luajtur së bashku prandaj ishte edhe një freskim, një fillim i ri. Ky koncert ishte siç thotë një shprehje në kroatisht “një tush i nxehtë” të cilën nuk di sesi ta sqarojë. Mirëpo presim që të rikthehemi përsëri në Prishtinë si pjesë e këtij festivali apo me koncerte të tjera”, tregoi ajo duke shtuar se ky koncert e ka shtyrë që të kujtonte kohën kur vet ishte studente.

“Unë nuk jam ndjerë dhe aq mirë pasi që kam ardhur pas një udhëtimi të lodhshëm dhe të komplikuar dhe reagimi i publikut ishte shumë emocionues për mua. Është hera e parë dhe ky festival ka një atmosferë shumë të mirë, për këtë kisha dëgjuar edhe më parë, prandaj jam krenare që isha pjesë e tij. Mund të tingëllojë si një klishe mirëpo duke parë kaq shumë të ri të cilët pastaj erdhën dhe na përgëzuan mu kujtua koha kur unë vet isha studente”, tha violonçelistja.

Fillimisht para të pranishmëve ata sollën variacionet nga Beethoven të cilat nuk janë edhe shumë të njohura dhe kjo ishte arsyeja edhe pse instrumentistë i kishin zgjedhur ato. Madje për violonçelistën kjo ishte hera e parë që interpretoi këtë vepër. Mbrëmja vazhdoi me “Fantasiestucke, op. 73” të kompozitorit Schumann, kompozitor që e kanë për zemër të dy instrumentistë.

Pjesa e dytë solli sonatën e parë të kompozitorit Brahms, një pjesë kjo e vështirë për interpretuesit teknikisht por edhe muzikalisht. Pjesë klasike në repertorin për çelo, një pjesë e cila nxjerrë në pah me emocionet e brendshme. Duke përfunduar me veprën pasiononte “Le grande tango” nga Piazzolla, vepër për dashurinë e pasionin, që është një pjesë e preferuar për shumë muzikantë.

Në anën tjetër ky koncert ka qenë shumë mbresëlënës edhe për pianistin Lovre Marušić. Ai pret më padurim ditën e nesërmen ku edhe dëshiron që të eksplorojë më shumë Prishtinën. Ndërsa i entuziazmuar nga prania e të rinjve në koncert, ai tha se ata asnjëherë nuk duhet që ta harrojnë vendin e tyre pavarësisht sukseseve që mund të arrijnë jashtë tij.

“Çdo herë kur shkon në një vend për herë të parë ke një përgjegjësi të madhe, por çdo herë është mirë që të shohësh njerëz të ri në publik. Të jesh vet i ri dhe të kesh një publik të ri po ashtu, është gjithmonë një ndjenë e mirë. Ndërsa nesër e kemi një ditë të lirë dhe dëshiroj që të eksploroj më shumë Prishtinën… Shpresoj që të kem një karrierë të suksesshme dhe të kthehem në vendin tim, kjo duhet që të jetë ideja e çdo njeriu të mirë dhe muzikanti të mirë. Nuk duhet vetëm që të arrish të jesh më i miri në vendin tënd dhe pastaj të largohesh. Ideja është që të krenohesh për vendin tënd, të rinjtë nga Kosova posaçërisht për shkak të historisë që ka ky vend duhet që të jenë shumë krenarë”, tha ai për KultPlus.

Ky koncert është mundësuar në bazë të bashkëpunimit që ka festivali më Ambasadë e Kroacisë në Kosovë. Kështu Ambasadorja e Kroacisë në Prishtinë, Marija Kapitanović, u shpreh se sjellja e artistëve dhe ky shkëmbim kulturor është i rëndësishëm pikërisht për të rinjtë.

“Ky është viti i tretë që bashkëpunojmë me festivalin Chopin Piano Fest Prishtina. Qëllimi është që të sjellim këtu artistë të ri, t’i bëjmë që të njohin edhe artistë të tjerë të ri. Këtu shoh një audiencë shumë të re dhe faktikisht kjo është ajo që këta të rinj kanë nevojë, të krijojnë kontakte me artistë të tjerë”, është shprehur ajo duke theksuar se kjo arrihet pikërisht përmes muzikës pasi që nuk ka nevojë për sqarime, njerëzit duhet thjeshtë të dëgjojnë.

Nesër mbrëma duke filluar nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në kuadër të këtij festivali do të performojë pianistja Marija Gjosevska./ KultPlus.com

“Frankenshtajn” nga Ilir Bokshi këtë të premte në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë

“Frankshtajn” është shfaqja më e re e regjisorit Ilir Bokshi e që vjen premierë këtë të premte në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje jetësohet nga aktorët: Helidon Fino, Besmir Bitraku, Lulzim Zeqja, Yllka Mujo, Klea Huta, Gent Hazizi, Erjona Kakeli e Niada Saliasi.

Filmi me titull “Frankenshtain nga Mary Shelley” produksion i vitit 1994, me regjisor dhe aktor Kenneth Branagh i cili luan rolin e Viktor Frankeshtain, së bashku me aktorin Robert De Niro i cili luan rolin e Krijesës, është pa diskutim versioni më i afërt i historisë origjinale shkruar nga Mary Shelley në vitin 1816.

Kjo kryevepër botërore vjen për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar nga regjisori llir Bokshi, në datat 13-14-15 Prill ora 19:00. / KultPlus.com

Një pullë amerikane nga viti 1943 me imazhin e flamurit shqiptar

Ambasada Amerikane në Tiranë ka postuar në faqen e saj në Facebook në rubrikën “Fotoja e ditës” një pullë amerikane me imazhin e flamurit shqiptar, lëshuar më 1943.

Fotoja e rrallë nuk ishte publikuar më parë. Me sa duket amerikanët e njihnin mirë Shqipërinë edhe në vitet e vështira të luftës./ KultPlus.com