Ekspozita me gjësendet e ruajtura nga ‘ndarjet’ hapet edhe në Kosovë

Alberina Haxhijaj

Të gjithë ata që kanë përjetuar një histori dashurie e cila nuk ka një fund të lumtur do të mund të bëhen pjesë e ekspozitës në kuadër të “Museum of Broken Relationships” që do të vijë në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës. Qëllimi i këtij muzeu është të mbledhë dhe shfaqë objektet e dhuruara nga njerëzit në mbarë botën të cilët kanë përjetuar “ndarjen”.

Një palë këpucë që dikush ju ka dhuruar, një kuti me letra, një pasqyrë, një fotografi, ndoshta një poezi, një kapele, çfarëdo që ju kujton një njëri të dashur për ju, një lidhje të shkëputur, mund t’i dhuroni edhe ju dhe të bëhen pjesë e kësaj ekspozite.

Misioni i këtij muzeu është të lidhë njerëzit përmes tregimeve të dashurisë dhe humbjes së tyre. “Museum of Broken Relationships” është projekt global artistik i themeluar nga Olinka Vištica dhe Dražen Grubišić me bazë në Kroaci. Ky muze është mbajtur në Kroaci, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Holandë, Japoni, Spanjë, Francë, Finlandë, Danimarkë e në shumë vende të tjera të botës.

Diona Hoxha pjesë e stafit organizativ tregoi për KultPlus se para dy viteve, organizatoret e muzeut Blerta Avdiu dhe Ilire Gashi kanë vizituar këtë muze sa ai ishte i hapur në Kroaci. Gjatë vizitës ato kanë menduar që kjo të organizohet edhe në Kosovë.

Kështu vitin e kaluar një grup i të rinjve i përbërë nga Blerta Avdiu, Ilire Gashi, Kushtrim Fetahu, Diona Hoxha, Diellza Salihu, Rrezearta Jahiu dhe Tringa Kasneci, filluan punën për të realizuar këtë.

“Ekspozita do të përfshijë të gjitha historitë bashkë me gjësendet që njerëzit kanë dhuruar në muze. Vizitorët do të kenë mundësin të lexojnë histori të dashurisë, të cilat janë thyer në të kaluarën si dhe do t’i shohin të bashkangjitura gjësendet që dhuruesit do të sjellin në muze. Përveç historive nga Kosova, ne do te sjellim edhe histori të tjera jashtë Kosovës, veçanërisht nga muzeu në Zagreb, që të përfshijmë diversitet dhe kultura të ndryshme në muze”, tregoi ajo për KultPlus, duke thënë se fillimisht ka qenë e vështirë mbledhja e gjësendeve të ndryshme dhe historive nga njerëzit.

“Qëllimi i gjithë projektit, është ndarja e eksperiencave, por përveç asaj, ne mendojmë që është një frymë e re në vendin tonë. Ka pasur shumë njerëz që e kanë vizituar këtë muze kudo jashtë Kosovës, por ne tash po e mundësojmë që njerëzit ta vizitojnë po të njëjtin muze në Kosovë. Ne shpresojmë që njerëzit do të jenë të kënaqur me punën që kemi bërë dhe kjo iniciativë të jetë shtyse për të rinjtë në Kosovë që të marrin iniciativa të tilla e të sjellin diçka të re dhe interesante në vendin”, përfundoi ajo për KultPlus.

Nëse dëshironi që historia juaj të jetë pjesë e një muzeu të tillë, të gjithë të interesuarit mund të dërgojnë deri më 6 prill në këtë link, historitë e tyre të cilat preferohen që të jenë në gjuhën të cilën e flasin në përditshmëri.

Ekspozita do të mbahet në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës duke filluar nga 3 maj deri më 1 qershor./ KultPlus.com

Anton Çetta dhe filozofia e pajtimit të gjaqeve

Shkruan Gjon Keka.

Në fakt, unë isha ende i mitur kur filluan lëvizjet e rëndësishme në Kosovë, sidomos kjo e pajtimit të gjaqeve. Pra, për shkak të moshës, fryma e kohës për mua ndoshta ishte më pak e njohur. Por tani ndoshta ajo frymë ka mbetur thellë tek unë dhe po më shtyn që ta trajtoj këtë lëvizje, këtë projekt kombëtar të shpëtimit dhe pajtimit që nisi me në krye prof. Anton Çettën, plakun e urët, njeriun që i dha kohës kuptimin e dyfishtë. Kjo lëvizje asokohe u bë një nga shtyllat e proceseve të rëndësishme politike e nacionale në Kosovë, posaçërisht njëra prej shtyllave të themeleve të shtetit të Kosovës, të lirisë dhe demokracisë së saj.

Me projektin e tij të pajtimit të gjaqeve ai i shërbeu popullit dhe shoqërisë, i shërbeu iluminizmit të popullit, shoqërisë dhe publikut të gjerë. Prof. Anton Çetta donte që vendi të kishte paqe, të ardhme, të kishte rend pasi, siç edhe dihet rendi ndihmon në mbarëvajtjen e shtëpisë. Këtë projekt e kërkonte vetë koha, ndaj edhe erdhi si rezultat i zërit të popullit për t’iu përgjigjur të keqes së ngulur barbarisht brenda tij, veseve dhe zakoneve të këqija kanunore që e rrënonin dhe e gërryenin njeriun përbrenda.

Nisur nga kjo, vetëm atëherë kur zëri i popullit vjen thjesht e arsyeshëm ne duhet ta ndjekim e ta konsiderojmë atë si “Zë të Perëndisë”. “Ndodh që popujt në jetën e tyre të vendosin për orën solemne kur Perëndia ua jep atyre mundësinë për të treguar se kush janë dhe se çfarë ata janë të aftë të bëjnë”, thotë historiani dhe publicisti gjermano-zviceran Adam Pfaff. Nisur nga kjo thënie, le të rikthehemi pak në të kaluarën, duke e ditur se këto vese e zakone të këqija kanunore ishin produkt i ndikimit të pushtuesve të ndryshëm barbarë. Gjatë gjithë historisë së njerëzimit nuk ka vend apo komb tjetër që të ketë vuajtur tmerrësisht aq shumë nën skllavëri nga pushtues të ndryshëm të huaj, por që njëkohësisht edhe të ketë luftuar me pasion për lirinë e tij sesa kombi ynë arbëror. Në këtë kontekst, vlen të nënvizojmë edhe shumë ndikime të tjera negative që shoqëruan pushtimin e gjatë barbar, të ndikuara edhe me injorancën që solli vetëm errësirë, regres dhe që barti pas vetes zakone të këqija e mjerim. Prandaj edhe këto dukuri, si gjakmarrja e hakmarrja, si dhe të tjera vese e sindroma negative janë pasojë e pushtimeve që sollën veç fatkeqësi e ligësi e që, fatkeqësisht, kanë mbetur deri në ditët që po jetojmë. Të gjitha këto, gjithnjë nën sundimin barbar të Perandorisë Osmane, nuk e lanë popullin arbëror të përparojë në dije.

Pushtimi i gjatë i Arbënisë, ky sundim i egër dhe barbar me shumë krime i mbylli shkollat shqipe dhe ndali përparimin, duke e ndërprerë kështu edukimin nëpërmjet të mësuarin. Sulltanët barbarë i frikoheshin gjuhës së vjetër shqipe, e ndjenin rrezikun e përparimit nëpërmjet dijes së popullit shqiptar, ndaj edhe e skllavëruan atë duke e zhytur gjithnjë e më shumë në injorancë dhe duke e helmuar këtë popull me ideologjinë e tyre anadollake barbare.

Të njëjtën gjë bënin edhe pushtuesit serbë; pika e tyre e dobët ishte arbnori i dijshëm, i shkolluar, Arbënia me universitete, akademi etj. Pra edhe ata kishin të njëjtin qëllim demoniak si të osmanlinjve barbarë, që ta linin popullin në injorancë, që ai t’i mbyllte sytë ndaj dritës dhe të jetonte në errësirë e skllavëri. Prandaj edhe misioni i shumë paraardhësve tanë ishte për ta nxirrte popullin në dritë, në liri, në tokën e drejtësisë dhe të së vërtetës së tij historike. Kështu i shërbeu popullit edhe prof. Anton Çetta, duke u përpjekur t’i tregojë rrugën e kulturës dhe të civilizimit, larg injorancës, gjakmarrjes, hakmarrjes etj.

Ky libër kushtuar prof. Anton Çettës është një falënderim, një mirënjohje, një vepër që ai të mos harrohet, sepse si personalitet mbikohor i kombit tonë ka dhënë kontribut në shumë fusha. Ndërsa projekti i tij i pajtimit të gjaqeve ishte një akt tjetër i tij i lartë human e kombëtar, në shërbim të dashurisë ndaj të mirës, dritës dhe të ardhmes së popullit shqiptar të Kosovës dhe mbarë kombit tonë.

(Librin mund ta gjeni në Librarinë Artini-Toena në Prishtinë, ashtu edhe librat tjerë të autorit Gjon Keka)

Jetmir Idrizi fitues në Tokyo International Photo Awards 2017 (FOTO)

Fotografi i njohur kosovar Jetmir Idrizi, fiton në Tokyo International Foto Awards 2017, në kategorinë People/Life Style, çmimin Gold, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur përmes vetë fotografit, Idrizi, i cili ka publikuar faqen ku të dërgon edhe tek fotografia e tij fituese.

“TransBrasil” është projekti me të cili ka fituar Jetmir Idrizi. “Për të realizuar projektin kam fotografuar kulturën e Drag Queen në Rio de Janeiro, Carnaval, komuniteti LGBT në Rio dhe Sao Paulo”, thuhet në sqarimin e tij për projektin./ KultPlus.com

Nëse greva fillon më 13 prill, testet e fundvitit do të stopohen

Sindikata e Arsimit vazhdon të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që të procedojë për në Kuvend Ligjin për Punëtorët e Arsimit, të viteve të ‘90-ta, ose greva e paralajmëruar për 13 prill do të jetë pa afat.

Nëse greva fillon, përgatitjet për testet e fundvitit dhe atë PISA, do të stopohen dhe do të ketë pasoja, thonë përfaqësuesit e Sindikatës, ndërsa Qeveria ka kërkuar mirëkuptim, pasi ky ligj ka implikime buxhetore.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, po shpreson që gjatë këtyre ditëve Qeveria e Kosovës të dërgojë në Kuvend Ligjin për Punëtorët e Arsimit të viteve të ‘90-ta, për të mos hyrë në grevë ashtu siç është paralajmëruar. Ai tha për Radio Kosovën, se po presin të kenë ndonjë takim me kryeministrin, në mënyrë që të gjejnë zgjidhje sa më shpejt për kërkesën e tyre, ose greva e mësimdhënësve do të fillojë më 13 prill dhe nuk do të ndërpritet derisa të shkojë Ligji në Kuvend.

“Ne po shohim se marsi iku dhe nuk ka ndonjë takim më konkret. E keqja është se ditët po ikin shpejt, po afrohet 13 prilli dhe unë jam i obliguar që të shpallë grevë në kohë të pacaktuar derisa nuk realizohen kërkesat e SBASHK-ut”, tha Jasharaj.

Jasharaj tha se nuk pranojnë më premtime, por Ligji duhet të shkojë në Kuvend para datës 13 prill.

“Ne kërkojmë nga Qeveria që para datës 12, sepse më 13 prill do të jemi në grevë, të votojë në Qeveri Ligjin dhe të kemi një dokument zyrtar se Ligji u nis për në Kuvend. Në këtë mënyrë hiqet barra edhe nga ne edhe nga ata”, tha Jasharaj, shkruan express.
Në rast se greva do të fillojë më 13 prill, Jasharaj tha se përgatitjet për testin PISA, për maturën dhe testin e arritshmërisë, do të stopohen dhe mund të ketë pasoja të mëdha. Për këtë, ai e bën përgjegjës Qeverinë e Kosovës.

“Unë po them i bindur plotësisht se ata po deshën brenda një dite mund ta realizojnë kërkesën sublime për vitet ’90-ta”, tha Jasharaj.

Ndërkohë, zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, tha për Radio Kosovën se është duke u punuar në këtë drejtim, pasi ky Ligj ka implikime buxhetore. Ajo tha se kryeministri Haradinaj ka kërkuar mirëkuptim nga Sindikata, sepse kërkon kohë për t’u realizuar.

“Është çështje ende në proces. Kryeministri Haradinaj në shumë raste, por edhe në takime me përfaqësues të SBASHK-ut, ka deklaruar se realizimi i këtij premtimi është obligim moral dhe nuk ka nevojë për greva dhe ultimatume. Ky është një obligim moral që Qeveria do ta mbajë, por kërkon kohë, dhe për këtë është kërkuar mirëkuptim nga ana e SBASHK-ut”, ka thënë Gashi.

Ministria e Financave, pati sqaruar kohë më parë se nuk ka buxhet për zbatimin e Ligjit për mësimdhënësit e viteve të ‘90-ta. Përfituesit e këtij Ligji janë mësimdhënësit e viteve ’90-ta, ku mbi 60% e tyre janë ende duke punuar në procesin mësimor./ KultPlus.com

KONKURS MBARËKOMBËTAR PËR FUSHËN E PIKTURËS DHE SKULPTURËS

REPUBLIKA E KOSOVËS/REPUBLIKA KOSOVA/REPUBLIC OF KOSOVO QEVERIA/VLADA/GOVERNMENT MINISTRIA E KULTURËS, RINISË DHE SPORTIT MINISTARSTVO ZA KULTURU, OMLADINU I SPORT MINISTRY OF CULTURE, YOUTH AND SPORT Departamenti i Kulturës /Departman Kulture/ Department of Culture Shpall

Duke u bazuar në vendimin e Qeverisë të Republikës së Kosovës me nr.11/24, dt.12.01.2018,formohet Komisioni ndërministror për shënimin e 550 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu shpall konkurs, për mbështetje e te gjithë piktorëve dhe skulptorëve mbarëkombëtar, të cilët mund të shprehin idetë dhe kreativitetin e tyre artistik përmes pikturës dhe skulpturës.

Konkursi ka karakter garues dhe shpërblyes me Çmimet e tri vendeve të para, si në pikturë ashtu edhe në skulpturë. Kriteret për konkurrim:

Piktura 1. Tema kryesore e punimeve është: 140 Vjetori i Lidhjes së Prizrenit.
2. Dimensioni i tablove të pikturave nuk duhet të jetë më i madh se 120cmX100cm
3. Pikturat duhen te jenë të punuara në këtë vit.

Skulptura 1. Tema kryesore është punimi i bucetave të skulpturës të tri figurave të Lidhjes së Prizrenit, të Ymer Prizrenit, Sylejman Vokshi dhe Avdyl Frashërit.
2. Kompozicioni struktural i bucetave nuk duhet të jetë më i lartë se 50 cm.
3. Bucetat e skulptura ve duhen te jenë të punuara në këtë vit. Çmimet shpërblyese për pikturat dhe bucatat e tri vendve të para do të jenë:

• Cmimi i parë: 500 €
• Cmimi i dytë: 300€
• Cmimi i tretë: 200 €

Përparësi për përkrahje do të kenë veprat artistike të cilat në përmbajtje e tyre reflektojnë me karakter:
• profesional, artistik, tematik dhe përmbajtjesor;
• stimulues, të cilat kanë për qëllim evidentimin e talenteve të reja me ide të veçanta kreative;
• tradicional, përmes të cilave do të promovoheshin vlerat kulturore mbarëkombëtare; • inovativ dhe kritik të cilat, me formën, përmbajtjen, frymën dhe mënyrën e realizimit të tyre, paraqesin risi për ambientin tonë krijues;

Përzgjedhja e veprave me te suksesshme do të bëhet nga Juria profesionale e SKQ-së Buceta e skulpturës e cila do të merr vednin e parë…ajo do ta fiton te drejtën qe te realizohet në Statujë të derdhur në bronz, në hapësirat e Kompleksit të Lidhjes së Prizrenit. (kriteret dhe kushtet për reazlimin e saj, do të bëhet me marrëveshje paraprake në mes të autorit dhe Sekretariati i Komisionit Qeveritar. Punimet, duhen të dorëzohen me së largu deri me 31.05.2018 në Biblioteken Kombëtare në Prishtinë, te Sekretariati i Komisionit Qeveritar.
Prishtinë, 29.03.2018

Tek ti arrihet

Poezi nga Pedro Salinas.
Përkthyer nga Skënder Buçpapaj.

Tek ti arrihet vetëm nëpërmjet teje.
Të pres.

Mua po dihet se ku më gjen,
dihet qyteti im, rruga, emri
me të cilin të gjithë më thërrasin.
Por nuk e di ku kam qenë me ty.
Atje më ke çuar ti.

Si mund ta mësoja rrugën
nëse nuk shikoja asgjë tjetër veç teje,
nëse rruga ishte atje ku ti shkoje,
e fundi ishte atje kur ti ndaleshe?
E çfarë tjetër mund të ishte
më shumë se ti që afroheshe, duke më parë?

Por tani çfarë azili,
çfarë mungese,
e të qëndruarit ku rrihet.
Pres, kalojnë trenat,
fatet, vështrimet.
Do më çoje ku nuk kam qenë kurrë.
Por unë nuk kërkoj qiej të rinj.
Unë dua të rri ku kam qenë.
Me ty, të kthehem.
O çfarë risie,
të kthehemi edhe një herë tjetër,
të mos e përsërisim asnjëherë njëlloj
atë trallisje pa fund.

E gjersa të mos vish ti
unë do të rri në bregun
e fluturimeve, të ëndrrave,
të yjeve, i palëvizshëm.
Se e di, atje ku kam qenë
nuk më çojnë as flatrat, as rrotat, as velat.
Ato rendin kuturu.
Se e di, atje ku kam qenë me ty
shkohet vetëm me ty, nëpërmjet teje.

Fillon punën Akademia e Animacionit në Prishtinë

Dje ka nisë Akademia e Animacionit në kuadër të programit ekstrakurikular për të rinj në ndërtesën e Bibliotekës Hivzi Sylejmani në Dardani, shkruan KultPlus.

“Së shpejti do të hapet edhe thirrja për të rinj që duan të jenë pjesë e kurseve dhe trajnimeve tre mujore që mbahen në kuadër të Akademisë, që dedikohet kryesisht për nxënës të shkollave të mesme”, ka njoftuar nëpërmjet rrjetit social Facebook, drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova.

Projekti që është nxitur nga Komuna e Prishtinës, dhe me program të mbështetet nga Anibar ka për qëllim përparimin e njohurive tek të rinj në punim të animacioneve duke përdorur teknologjinë dhe teknikat më bashkëkohore.

Thirrja për aplikim të të rinjve hapet në dy javët në vijim./ KultPlus.com

Budapesti fiton mbi 270 milionë euro në vit nga xhirimi i filmave të huaj

Budapesti është bërë i pakapërcyeshëm në vendin e parë kur bëhet fjalë për xhirimin e filmave hollywoodianë jashtë vendit, pasi ka njërin prej sistemeve më konkurrentë në Evropë, i cili produksioneve të huaja u ofron kthim të investimeve deri në 25 për qind.

Edhe pse Bullgaria e Rumania janë dukshëm më të lira, Hungaria e mban primatin. Kësisoj, sipas shkrimit të SeeCult që e transmeton sot “Koha Ditore”, vetëm gjatë vitit 2016 ka inkasuar 271 milionë euro prej xhirimit të filmave, dhe kjo përbën 0.15 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (GDP-së) që shënon përqindjen më të lartë në Evropë.

Industria filmike prej rreth 100 kompanive punëson gati 4 mijë punëtorë pa i llogaritur edhe vendet e punës që lidhen me këtë në sektorin e turizmit. Vitin e kaluar në Hungari janë bërë 285 xhirime filmike, duke llogaritur edhe 64 produksione të huaja. Kjo i ka ndihmuar edhe lulëzimit të kinematografisë hungareze, e cila ka shënuar suksese edhe në skenën ndërkombëtare. Regjisori e skenaristi hungarez László Nemes, para dy vjetësh me “Son of Saul” mori çmimin “Oscar” për filmin më të mirë në gjuhë të huaj. Regjisorja Ildikó Enyedi vitin e kaluar me “On Body and Soul” mori “Ariun e Artë” në edicionin e 67-të të “Berlinales”.

Cila është arsyeja që Budapesti është para të gjithëve kur bëhet fjalë për xhirime filmash? Është njëri prej vendeve të para të ish-bllokut komunist që më 2004 miratoi një sistem stimulues taksash dhe subvencionesh i cili që prej atëherë është vetëm në rritje.

“Këtu xhirohet shumë për shkak të çmimeve tona dhe ekipeve të njohura botërore për asistencë, por edhe për shkak të lehtësirave financiare që funksionon mirë”, ka thënë Ildikó Kemény, bashkëproducentja hungareze e serialit “Genius: Picasso” të “National Geographic” ku luan edhe Antonio Banderas.

“Bullgaria e Rumania janë shumë më të lira, por aftësia e tyre për t’i përcjellë standardet e industrisë filmike nuk është në nivel”, ka thënë Kemény.

Falë kushteve dhe lehtësirave tatimore ka tërhequr producentë të filmave hollywoodianë me buxhet të lartë. Konkurrenti më i madh i Budapestit është Praga, por përparësi e kryeqytetit hungarez është edhe arkitektura që lehtësisht e “transformon” në Buenos Aires, Moskë, Berlin apo Londër, thotë producentja.

Aty janë edhe dy studio ku janë xhiruar shumë filma sikurse seriali i kohëve të fundit “Genius: Picasso”, “Hellboy” i Guillermo del Toros më 2004, “Inferno” i Ron Howardit me Tom Hanksin në rol kryesor, produksion i vitit 2016, “The Martian” i Ridley Scott me Matt Damon i vitit 2015 e shumë të tjerë.

“Falë fuqisë punëtore të lirë e me përvojë “Budapesti pas Londrës është bërë sheshxhirimi i dytë më i madh evropian”, ka thënë Daniel Kresmery nga produksioni filmik “Korda”./KultPlus.com

Dedikimi

Poezi nga Izet Sarajliç. Përktheu Faslli Haliti

Unë të dedikoj sytë e mi, buzët e mia, dhëmbët e mi.
Poezitë? Ç’të bësh me poezitë e mia të shkruara, sepse s’dija të heshtja?
Ç’ të bësh me poezitë e mia që nuk mund të të duan?
Sa bukur është që ne s’jemi as zogj as adhurues në muzg
dhe s’kemi flatra, por krahë.
Gjëja e fundit që na pret nuk mund të jetë vdekja jonë,
sepse dëshirat e gjakut tonë diku duhet të vazhdojnë.
Ti je një grua e vogël,
Një e vogël grua je, ti
dhe një gusht i pavdekshëm të ka sjellë në baladat e mia.
Rri me dashurinë time të dua të mbijetosh me gjithçka timen
Reniet e pikëllueshme, me të gjitha transformimet e mia.
Rri afër syve të mi.
Do të mbijetojmë ne vetë,
jo vetëm në tumën e varreve tona,
sepse ne kemi ditur, e kemi ditur, të butë dhe krenar,
duke u larguar nga thikat dhe granatat duke vrarë engjëjt brenda vetes,
kemi vazhduar të mbetemi engjëj.
Pasardhës, na kërkoni ndonjëherë duke ndjekur një fije të kuqe,
vetëm trupat tanë do të shtrihen nën tokën e heshtur,
por shkelni ngadalë,
që të mos plagosni buzët tona,
dhe të mos shtypni vështrimet tona të vdekura.

Feride Rushiti: Dhuna seksuale e luftës ka qenë njëra prej heshtjeve më të mëdha të historisë sonë

Feride Rushiti sapo është nderuar me çmimin “Grua e Guximshme” nga Departamenti i SHBA-ve dhe pikërisht për ndjesinë që i ka dhënë ky çmim, në një interviste të dhënë për KultPlus, Rushiti ka treguar për rrugëtimin e saj 20 vjeçar deri të pranimi i këtij çmimi që i është dhënë nga Zonja e Parë e SHBA-ve, Melania Trump.
Por rruga deri te ky çmim, ka pas një çmim edhe për vetë Feride Rushitin, pasi që, për 20 vite të tëra ajo ka dëgjuar me mijëra rrëfime jo të lehta nga gratë e dhunuara, që padyshim, ishte sfiduese edhe për vetë Rushitin që të rikthejë në jetë këto gra, që përpos dhunimit ato kanë qenë edhe të dënuara nga familjarët, rrethi dhe shoqëria në përgjithësi.

Për krejt këtë rrugëtim, për rrëfimin më rrëqethës përgjatë këtyre 20 viteve, për pranimin e këtij çmimi dhe se kujt ia dedikon ajo, mund ta kuptoni nëpërmjet kësaj interviste ku Feride Rushiti shpalosë edhe shumë gjëra.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Ju sapo jeni nderuar me çmimin “Grua e guximshme” nga Departamenti i SHBA-ve, me çfarë emocioni e keni pranuar këtë çmim?
Feride Rushiti:
Ndjenjë e papërshkruar, vërtetë ndihem e nderuar që më është dhënë çmimi ndërkombëtar dhe e vlersuar si Grua e Guximshme nga Departamenti i Shtetit Amerikan. Përfitoj nga rasti për të shprehur mirënjohjen për këtë çmim krahas këtyre grave të mrekullueshme, të guximshme nga anë të ndryshme të botës. Jam thellësisht mirënjohëse që marr çmimin prestigjioz “Gratë e Guximshme” në emër të mijëra grave të Kosovës – guximi, këmbëngulja dhe vendosmëria e të cilave bëri të mundur nderimin tim me këtë çmim.

Pas gati dy dekadave të punës sonë të palodhshme në lehtësimin e pasojave të traumës dhe torturës, avokimin për njohjen e statusit ligjor, si dhe adresimin e stigmës, të mbijetuarat e dhunës seksuale, më në fund e kanë një status ligjërisht të rregulluar dhe mund të përfitojnë nga reparacioni. Janë ato në të cilat gjeta kurajë dhe janë ato në të cilat gjeta inspirim.

Faleminderit Zonjës së parë Melania Trump, Departamentit të Shtetit, ambasadorit të SHBA-ve Delawie,stafit te ambasades se SHBA-ve për mbështetjen e zërave tonë të padëgjuar.

Faleminderit kolegëve të QKRMT-së dhe aktivistëve tjerë të të drejtave të njeriut, Parlamentit të Kosoves, Qeverisë së Kosovës dhe familjes sime!


KultPlus: Ky çmim iu është dhënë me dedikimin si një grua që keni kontribuar shumë për të drejtat e njeriut, me theks të veçantë për rolin e juaj, duke u shndërruar në zërin e grave të dhunuara nga serbet në Kosovë, kujt ia dedikoni këtë çmim?
Feride Rushiti:
Për gati dy dekada, ne punuam me ngulm për të rehabilituar traumën fizike e shpirtërore për dhjetëra e mijëra të mbijetuar të torturës dhe dhunës seksuale nga koha e luftës, duke luftuar për njohjen e tyre ligjore e morale. Ka qenë një përpjekje e vështirë, me të përpjetat e të tatëpjetat e veta, por vendosmëria dhe këmbëngulja e këtyre grave na dha fuqi të gjithëve: shoqërisë civile, Qeverisë, Parlamentit dhe të gjithë shoqërisë së Kosovës për të ecur përpara. Më në fund, të mbijetuarat e guximshme kanë një status ligjor dhe gëzojnë reparacionet për vuajtjet e tyre.
Këtë çmim ia dedikoj të gjitha grave dhe mbarë Kosovës!


KultPlus: Sa ishte sakrificë, dhimbje, sfidë të shndërroheshit në zërin e këtyre grave, sidomos kur kemi parasysh mentalitetin e Kosoves?
Feride Rushiti:
Kosova kaloi një luftë që solli shumë mizori, vrasje masive, persona të zhdukur dhe shumë viktima të dhunës seksuale . Kjo e fundit, e përdorur si armë e luftës është një nga përvojat më traumatike që solli shumë vuajtje dhe pasoja, jo vetëm për të mbijetuarit, por edhe për familjet dhe komunitetin e tyre në përgjithësi. Pothuajse për dy dekada, të mbijetuar nga dhuna seksuale e luftës janë ende në pritje të drejtësisë dhe përkrahjes shoqërore.
Shumë nga të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës janë duke u përballur me një traumë të gjatë fizike, mendore dhe emocionale. Për shumicën e tyre, ëndrra për një jetë më të mirë në periudhën e pas luftës është shuar nga momenti kur trupi i tyre i pambrojtur u përdor si mburojë e fushëbetejës dhe si një instrument i terrorit.

Të mbijetuarat shpeshherë e perceptonin veten si një njeri të pafuqishëm dhe të paaftë për të ecur përpara. Abuzimi seksual barte njolla në kujtesën e tyre duke thelluar edhe më tej stigmën dhe viktimizimin e tyre. Për më shumë, edhe familja dhe rrethi i gjerë kishin një kulturë paragjykuese ndaj grave, e veçanërisht viktimave të përdhunimit, duke i sjellë ato shpeshherë në pozitë përjashtuese dhe izoluese.
Prandaj, identifikimi i tyre dhe qasja në komunitet, përveçse që paraqisnin rrezik për vetë të mbijetuarit, njëkohësisht sfidonin edhe punën tonë, dhe jo rrallë familja dhe të afërmit e tyre na kërcënonin vetëm e vetëm që mos të shpërfaqej ‘sekreti familjar’ dhe e kaluara e hidhur.

Prandaj, viktima e përdhunimit vuan dy herë: së pari duke u dhunuar dhe së dyti duke u dënuar nga një komunitet patriarkal. Në punën tonë të përditshme, jeta e tyre pas përdhunimit është një jetë e dytë që ndryshon të mbijetuarit në një personalitet tjetër, ku disa prej tyre thonë se ata thjesht jetonin të vdekur në mesin e të gjallëve.

Të jesh pranë tyre, t’i dëgjosh hallet dhe vuajtjet, e më pastaj të punosh për t’i rimëkëmbur nga plagët e shpirtit, ka qenë dhe vazhdon të jetë mision plot sfida që shumë herë të bën të ndihesh i pafuqishëm, i lodhur e depresiv. Por, thirrjet e tyre për ndihmë, nevoja për t’i fuqizuar dhe për t’ua kthyer shpresën për jetë, na bëri që bashkërisht me një ekip profesional dhe aktivistë të drejtave të grave, të bëheshim zëri i tyre duke e mobilizuar shoqërinë, duke e thyer heshtjen dhe luftuar stigmën që na rrethonte.

‘Dëgjoni zërin tim’ është motoja e punës sonë me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë për gati dy dekada, është më shumë se një moto. Është një mesazh i kthyer në një mision unik dhe të jashtëzakonshëm. Ajo që kishte filluar qysh me 1998 si një përpjekje e parë për t’u ardhur në ndihmë të mbijetuarve të dhunës seksuale, tani është rritur në një lëvizje të fuqishme që mbron të drejtat e tyre. Pra ‘Dëgjo zërin tim’ rrjedh nga vetë vuajtjet e viktimave dhe nevoja për dëgjueshmëri institucionale e shoqërore.

Dhunimet e luftës kanë lënë plagë të thella në shoqërinë tonë. Gruaja në Kosovë, gjatë tërë periudhës së luftës, ka qenë pjesë e pandashme e tragjedisë dhe e përpjekjeve të përbashkëta për të siguruar një të ardhme më të mirë.

Fatkeqësisht, gratë, nënat dhe motrat tona kanë qenë edhe shënjestra të drejtpërdrejta të dhunës seksuale si armë lufte, luftë kjo e cila për to kurrë nuk do të ketë një fund. Sepse, gratë e përdhunuara gjatë luftës, jo vetëm që janë viktima të përdhunuesve, të mbijetuara të torturës, por ato shpesh janë edhe viktima të rrethit në të cilin jetojnë, për shkak se përballen me përbuzjen dhe përjashtimin nga shoqëria.

Prandaj dhuna seksuale e luftës ka qenë njëra prej heshtjeve të mëdha të historisë sonë. E tërë kjo është ndërlidhur me faktin që, viktima e dhunimit është konsideruar si njollë dhe turpi i familjes ku përveç pasojave psikologjike, fizike, morale, sociale e ekonomike të viktimës, në mënyrë të drejtpërdrejt është fyer dhe rënduar edhe familja e saj.
Po ashtu, heshtja dhe stigma rreth dhunës seksuale në kohë lufte dhe paqe, në njëfarë forme ka mbrojtur dhunuesin për të mos marrë dënimin e merituar, duke përforcuar më tej paragjykimet sociale.

Ato janë në mesin tonë dhe kanë nevojë për përkrahje të vazhdueshme. Ato ndihen më të fuqishme, atëherë kur ne e bashkëndjejmë të kaluarën e tyre, duke i respektuar dhimbjet e tyre.

Prandaj, duke i ndihmuar të mbijetuarit, në ndarjen e përvojës dhe përpunimin e traumës, e ardhmja e tyre ka një rreze shpresë. Në dritën e situatës së dëshpëruar të viktimave të dhunës seksuale dhe me qëllim të lehtësimit të vuajtjeve të tyre, QKRMT-ja nisi një udhëtim të gjatë, të vështirë dhe të trazuar, jo të vetëdijshëm në kohën e pasojave të rënda të kësaj përpjekjeje. Para shumë kohësh, kjo përpjekje për të ndihmuar viktimat e luftës dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre bëhet mision dhe vizioni i organizatës për të cilën unë kisha filluar të mendoja që në vitin 1998. Për vite me radhë kemi ofruar mbështetje mjekësore dhe psikosociale për viktimat dhe kemi synuar njohjen ligjore të statusit të tyre si viktima të luftës.


KultPlus: Të jetosh çdo ditë me rrëfimet e të vuajturve, padyshim që ato vuajtje të kenë reflektuar edhe te ju, pse zgjodhe këtë rrugetim?
Feride Rushiti:
Torturat dhe përvoja jonjerëzore që kishin përjetuar të mbijetuarit e dhunës seksuale, derisa i dëgjoj shpesh më bënin të pafuqishme, qaja me to por edhe ndihesha e zemëruar për gjithë atë sjellje degraduese dhe shkatërruese që ishte ushtruar ndaj trupit të tyre, duke mos i kursyer as fëmijët, nënat në moshë të shtyrë, gratë shtatzëna dhe nganjëherë edhe personat me aftësi të kufizuar.
Të gjitha këto rrëfime rrëqethëse më kishin vendosur para një përgjegjësie personale dhe profesionale. Nga një mjeke e re që ëndërroja sa më parë të përfundoja specializimin, në atë kohë pranë Universitetit të Tiranës, vazhdova me shumë përkushtim si një aktiviste e të drejtave të njeriut. Prandaj, edhe kisha themeluar një organizatë ku të mbijetuarit do të kishin mundësi që t’i ndanin rrëfimet tyre dhe të përfitonin nga programet e ndryshme.

KultPlus: 20 vjet rrëfime, rrëfime, rrëfime…, cilin moment e konsideroni më të ndjeshmin që do ta ndanit me ne?
Feride Rushiti:
Në jetën time kam pasur me dhjetëra momente të paharruara, të cilat kanë lënë gjurmë edhe në psikologjinë time, por një rast kisha dashur ta ndaja pasi ishte rast shumë i rëndë dhe të cilin ende e mbaj në mendje.

Ishte një mesditë me shi dhe ishim duke ofruar shërbime psikosocial për gra dhe fëmijë në kampet e Kukësit, në kudër të UNICEF, dhe derisa isha duke punuar me fëmijë më thërrasin për ta takuar një grua në kampin italian për refugjatë, në Kukës. Derisa i afrohesha tendës së saj, shihja që shumë gazetarë ishin afruar, duke pritur që gruaja e gjorë të ndante tregimin me ta.

Derisa bisedoja me të, ajo mbante në krah një fëmijë të vogël, dhe një tjetër afër saj. U ula afër dhe fillova të bisedoja me të … më fliste si e mpirë, nuk kishte emocione fare, ishte e ulur dhe i shtrëngonte fëmijët fort, njërin në krah e tjetrin afër, duke u munduar të kuptoj çfarë i kishte ndodhur ajo vazhdonte me refrenin e saj: më ka vdekur vajza, e kam lënë rrugës nuk më dhanë mundësi as që ta varros … dhe prapë vazhdonte vajza më ka vdekur…duke e vështruar kisha vërejtur se nga fytyra dhe gjoksi kishte edhe ca plagë ….isha e pafuqishme para saj, nuk dija si të veproja dhe një moment e pyeta për burrin, duke u orvatur që të merrja më shumë informata …po edhe burrin ma kanë marr dhe nuk di nëse është gjallë. Ishte ai moment kur nuk duroja më dhe ja pëlcita së qari duke e përqafur atë…ku çuditërisht edhe ajo filloi të qante, por të qarat e saj ishin të trishtuara, aq sa edhe gazetarët nga jashtë dëshironin të hynin brenda për të parë se çfarë po ndodh…

Më pastaj, ajo e ndau rrëfimin e saj. Aq trishtues ishte, saqë shumë herë të vë në dilema se si është e mundur që qenia njerëzore mund të ushtrojë diçka të tillë ndaj trupit te saj.

KultPlus: Gratë për të cilat keni punuar tashmë e 20 vite, e kanë kuptuar që tashmë jeni shpërblyer me çmimin si gruaja më e guximshme?
Feride Rushiti:
Jam e privilegjuar që jam themeluese dhe një udhëheqëse e një organizate prej 25 anëtarësh të cilët janë profesionistë dhe të dedikuar, të palodhur në realizimin e misionit të tyre. Nuk kemi rreshtur së punuari për të mbrojtur të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe për të luftuar stigmën që i rrethon. Ne u kemi dhënë zë njerëzve të pashprehur dhe pashpresë, u kemi dhënë fuqi të pafuqishmëve, dhe ne kemi rivendosur një drejtësi, sado që mund të jetë e vonuar dhe simbolike. Ata kanë qarë, ne kemi ngritë zërin, por bota ka dëgjuar tani më. Pra janë ato gra dhe vajza te guximshme që më kanë inspiruar të vazhdoj misioni për 20 vjet me radhë. Po ashtu, ky vlerësim ju takon të gjitha grave të Kosovës të cilat kanë ndihmuar në shtyrjen përpara të kësaj kauze.

KultPlus: Rrugëtim i gjatë deri te ky çmim, po para ketij çmimi, falë angazhimit tuaj, gratë e dhunuara gjate luftës tashmë kanë mbështetje edhe institucionale, nëse do të rinisje këtë rrugëtim, a do të kishe pasë fuqi që ta ndjekësh këtë angazhim!
Feride Rushiti:
E vështirë, shumë e vështirë … rrugëtimi ka qenë plot sfida, sakrifica, lodhje mundim por edhe zhgënjim. Por, kur dëgjon rrëfimet e tyre, sikur vetvetja më nuk ka rëndësi, kërkesa për t’i bërë të fuqishme të mbijetuarat të jep energji dhe elan për të vazhduar.
Mbi të gjitha, kur e sheh që tërë puna, aktiviteti, veprimtaria dhe dedikimi i jonë ka prodhuar rezultate shoqërore, atëherë kjo na shtyn edhe më shumë që të ecim përpara dhe të marrim përgjegjësi të reja.

KultPlus: Dhe për fund, si e përshkruan një grua të guximshme dhe sa është e vështirë të jeshë një grua e guximshme në Kosovë!
Feride Rushiti:
Kosova ka me dhjetëra gra të guximshme, të cilat në jetë kanë lënë gjurmë të mëdha, duke sakrifikuar vetveten, familjen dhe duke qenë gurëthemel i ndërtimit të shtetit dhe adresimit të të drejtave për grupet e ndjeshme shoqërore. Unë rastësisht jam njëra nga ato, që kam kaluar po në të njëjtat rrugëtime, duke u përballuar me shumë peripeci e barriera, por në jetë duhet ta kesh të qartë qëllimin dhe të jesh vazhdimisht këmbëngulës dhe me strategji të qarta për t’i tejkaluar barrierat.
Mbi të gjitha, të jesh i përkushtuar, i përulur ndaj atyre që i përfaqëson, gjithmonë në sinergji me akterët e tjerë në arritjen e qëllimeve të përbashkëta./KultPlus.com

Zhdukja e dhimbshme e Prishtinës së ‘pinjollëve’

NGA TRASHËGIMIA KULTURORE E PRISHTINËS

ZHDUKJA E DHIMBSHME E PRISHTINËS SË “PINJOLLËVE”

Pjesët e Prishtinës së vjetër (që intenzivisht filloi të shkatërrohet pas LIIB ) kishin rezistuar me mund të madh deri në vitin 1999 kur dukej që shpëtuan nga komunistët dhe hordhitë militare e paramilitare serbe por pas vitit 1999 fal mungeses së kontrollit institucional dhe kaosit urbanistik shumë objekte të trashegimisë u zhduken.
Në rrugën Vellusha (tash Bajram Kelmendi) para disa vitesh u rrenua shtëpia e vjetër qytetare e familjes Begolli (Beyollu-pronari i fundit ishte Hamdi Beyollu, punonjes i TV Prishtina) me çardak, me tavana në drugdhendje dhe me kopsht të rregulluar dhe në vend të saj u ngrit një godinë monstruoze banimi.

NASER FERRI / Albanian Vintage Photography, people, cities, culture and history

Çfarë pritet të ndodhë me nxënësit e “Gylistanit”?

Rrjeti i institucioneve shkollore “Gylistan” që prej vitit 2000 është duke e ushtruar veprimtarinë arsimore në Kosovë, raporton KTV .

Pas arrestimit të zyrtarëve të këtij rrjeti javën e kaluar, zyrtarë të mbetur të këtyre institucioneve kërcënuan me mbyllje të shkollave.

Por zyrtarë të kolegjit “Mehmet Akif” thanë se do t’i rikthehen procesit mësimor, pavarësisht se ditë më parë kërcënuan se do ta pezullonin atë. Pezullimi i mësimit, sipas drejtorit të kolegjit “Mehmet Akif”, do të ishte një ofendim për prindërit dhe mësuesit, të cilët iu besuan shumë këtyre institucioneve dhe mësimi, sipas tij, do të vazhdojë, ani pse janë mjaft të lënduar.

Nazmi Mulluz thotë se nxënësit që mësojnë në këto shkolla nuk kanë nevojë të frikësohen, pasi Erdogani krejt çështjen e ka me mësimdhënësit e jo me nxënësit. Sipas tij, 7 nxënës të shkollave Gylistan të Kosovës kanë vazhduar studimet e larta në Turqi dhe askush nuk iu ka bërë problem.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit kanë thënë se këto shkolla i plotësojnë të gjitha kërkesat ligjore për mësim dhe as që bëhet fjalë për mbylljen e tyre.

Don Kishotët

Poezi nga Kostas Karjotaqis. Përktheu nga origjinali: Romeo Çollaku.

Don Kishotët ecin para dhe nuk shohin dot
më larg heshtës ku varin si flamur Idealin.
Ëndërrimtarë dritëshkurtër, më as një pikë lot
nuk u ka mbetur që sharjet e ndyra t’i falin.

Pengohen tek Arsyeja, pengohen te të tjerët,
hiqen zvarrë mes rrugës, të kalbur në dru, të tallur,
kurse Sançoja ua pret: < po a s’të thashë një herë?>,
ata: < sillmë kalin, Sanço!>, për bëma përmallur.

Në më lejoftë Servantesi – të tillë i kam parë
këta kalorës të Ëndrrës, në një jetë të mekur,
me sytë e lëngëzuar e me çehren e vrarë,
dhe, sapo zbresin nga kali, çdo shpresë u ka vdekur.

I kam parë si të shkalluar, mbrapa nga gjithë bota,
mbretër të hijshëm të një mbretërie n’askund,
teksa një plagë të purpurt që luftërash të kota
e patën marrë, para gjindjes e rrëfejnë në fund!

Jugosllavia këtë verë i prezantohet qytetarëve në Nju Jork (FOTO)

Duke filluar me 15 korrik, në Muzeun e Artit Modert në Nju Jork – MoMA, do të hapet ekspozita që i kushtohet arkitekturës jugosllave në mes të viteve 1948-1980.

Arkitektura utopike, ajo brutaliste dhe llojet tjera do të jenë pjesë e kësaj ekspozite, kësisoj për të prezantuar para botës ndërtesat që asokohe u ndërtuan në këtë pjesë të Evropës, në forma të ndryshme.

Puna e arkitektëve socialistë dhe arkitektura pas luftës vjen në këtë ekspozitë.

Ja këtu po i sjellim disa prej objekteve dhe monumenteve që mund të përfshihen në këtë ekspozitë.
Shembull, Josip Broz Tito pati kërkuar që në vitet 60-të e 70-të të ndërtoheshin ndërtesa që e nderonin guximin jugosllav gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këto monumente të bukura, sot edhe të lëna në harresë, megjithatë reflektojnë guxim dhe fuqi – fuqinë e një shteti që në fakt më nuk ekziston, që dikur u quajt Jugosllavi.

Nga Prishtina, pjesë e ekspozitës do të jetë Biblioteka Kombëtare e Kosovës, një ndërtesë e bukur me 99 kupola sipër saj.

Ndërtesa e Partisë Komuniste Bullgare poashtu mund të përfshihet në këtë ekspozitë. Një ndërtesë unike e quajtur Buzludzha, ajo është ndërtuar në vitin 1981.

Ndërsa në Zagreb mund të gjejmë një ndërtesë tjetër të vecantë. MAMUTICA, kur u ndërtua fillimisht mirëpriti rreth 5000 persona brenda saj. Madje, një serial televiziv në Kroaci – me emrin e njëjtë Mamutica, transmetohet që nga viti 2008 dhe ku tregohen krime të ndryshme rreth dhe brenda kompleksit banesor.

‘Kthehu’ e Eliza Hoxhës, në versionin e Elita Ziberit (VIDEO)

Këngëtarja e re Elita Ziberi njihet për “cover”-et e shumtë me anë të të cilëve i ka rikthyer tek publiku disa nga këngët e vjetra shqipe, shkruan KultPlus.

Elita sjellë versionet e saj të këngëve të njohura.

Ajo në fillim të këtij viti ka realizuar versionin e saj të një prej këngëve më të njohura të këngëtares Eliza Hoxha.

Pasi ka dëgjuar këtë version të këngës “Kthehu”, Eliza Hoxha e ka shpërndarë edhe miqtë e saj në Facebook ndërkohë ka falënderuar Elitën dhe të gjithë ata që përmes kësaj forme po e mbajnë gjallë muzikën e saj.

KultPlus ju sjellë videon e këtij interpretimi nga Elita, e cila është vajza e Arif Ziberit, solistit të grupit ELITA 5. / KultPlus.com

Muzeu i Kosovës apelon për përkrahje ndaj fëmijëve autistë dhe kërkon integrimin e tyre në shoqëri

Për të promovuar kujdesin ndaj fëmijëve me autizëm, Muzeu i Kosovës, në bashkëpunim me Fondacionin “Ibrahim Kodra” dhe me iniciativë të drejtoreshës artistike znj. Maria Pacolli, gjatë muajit prill, do të zhvillojnë punëtori kreative me qëllim të fuqizimit të këtyre fëmijëve dhe sensibilizimit të opinionit.

Dita Botërore e Autizmit, 2 prilli, është caktuar nga OKB-ja me rezolutën 62/139 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, për rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës rreth këtij fati njerëzor.

Andaj, mbrëmja e 2 prillit, Muzeun e Kosovës, e gjeti të ndriçuar në të kaltërt, duke u bërë pjesë e fushatës botërore “autism speaks, me moton “Unë kam botën time, është e hapur edhe për ju”.

Mbi 16,000 ndërtesa në mbarë botën do të ndriçojnë dritën e tyre blu, duke nënvizuar mbështetjen e tyre për komunitetin e autizmit, ndër to janë:
Muzeu i Kosovës – Prishtinë, Kosovë
Empire State Building – Nju York
Niagara Falls – Kanada
Cristo Redentor – Rio de Janeiro, Brazil
Salla e Crystalt – Baku, Azerbajxhani
Kalaja e Osakës – Japoni
Ura e Nelson Mandelës – Afrika e Jugut
Princes Palace – Monako
Taipei 101 Tower – Taipei City, Tajvan
Piramidat e Madhe – Egjipt
Ndërtesa e vjetër e Parlamentit – Australi
La Basilica de Sagrada Familia – Barcelona, Spanjë

Për komunitetin, mënyren e organizimit, mënyren e kontributit dhe udhëzimet e
nevojshme, qytetari i Kosovës mund të informohet, më shumë në http://www.autizmi-ks.net

Vladani nga Gjilani dhe vrasja e tij nga fashistët e Serbisë

Vladan Popovic lindi në vitin 1898 në Gjilan. Gjilani asokohe ishte pjesë e Jugosllavisë, sikur tërë territori i Kosovës.

Ai lindi nga prindër ortodoksë ndërsa u largua më pas për në Francë ku morri diplomën e juridikut.
Kur u kthye në Jugosllavi, punoi si avokat në Beograd dhe u martua, për të pasur më pas një fryt të dashurisë, vajzën e tij.

Gruaja e tij ndërron jetë në vitin 1933 ndërsa ai bashkë me vajzën e tij katërvjeçare mbesin kësisoj të vetmuar në udhëtimin e tyre jetësor. Vladani po e vazhdonte karrierën e tij juridike edhe jashtë Jugosllavisë. Këtu edhe u lidh me Anxhelikën, një doktoreshë sllovene që do ta ndryshonte jetën e tij, dhe bashkë me të e me vajzën e tij jetuan në Beograd.

Kur lufta filloi në Evropë në shtatorin e vitit 1939, Jugosllavia e shpalli veten neutrale.

Më vonë, në vitin 1940, gjermanët filluan ta bombardonin Beogradin dhe u futën në qytet gjashtë ditë më vonë. Vladani po punonte në Beograd dhe po ndihmonte partizanët me shërbime mjekësore. Anxhelika po punonte në Beograd, në pjesën qëndrore.

Në mars të vitit 1943, gati pas dy viteve qëkur Vladani po punonte me rezistencën, u kap në Kuçevo nga fashistët lokalë serb. Për dy ditë u torturua por nuk e dha asnjë informacion.

Me 16 mars 1943, Vladani ndërroi jetë në Kuçevo të Serbisë, për shkak të problemeve me mushkëritë. / KultPlus.com

Historia e marrë nga United States Holocaust Museum Memorial

Të premten publikohet kënga më e re nga Dua Lipa dhe Calvin Harris (FOTO)

Këngëtarja Dua Lipa ka publikuar edhe datën e lansimit të projektit të saj më të ri me producentin e njohur Calvin Harris, shkruan KultPlus.

Bashkëpunimi i dyshes titullohet “One Kiss”, ndërsa do të jetë në dispozicion të publikut këtë të premte, më 6 prill.

ONE KISS. THIS FRIDAY.

A post shared by DUA LIPA (@dualipa) on


Kënga e fundit e Dua Lipës është ‘IDGAF’, e cila u publikua me videoklip në fillim të këtij viti ndërsa vitin e kaluar ajo krijoi hitin e sukseshëm “New Rules”, me të cilin arriti të mbledhë 1 miliard klikime në YouTube./ KultPlus.com

Propozojmë librat që duhet të lexohen gjatë muajit prill

Muaji prill veç sa ka nisur.

Jo që ky muaj ka dicka më të vecantë se të tjerët, por është një muaj ideal për të lexuar dicka. Hulumtim, dokument i vjetër, ri-lexim i këndshëm, një histori e guximit njerëzor, gjithcka do të jetë e mirëseardhur për lexim gjatë 30 ditëve të këtij muaji.

Po propozojmë kështu disa vepra dhe lexime që mund të bëhen gjatë muajit prill, me shpresën që do ti ndihmojmë lexuesit tanë të koncentrohen dhe të vendosin për një shfletim që na pasuron mendjen e shpirtin.

BASTARDJA E STAMBOLLIT – ELIF SHAFAK
Një libër fantastik i cili ballafaqon dy familje mes vete, me Turqinë, Amerikën dhe Armeninë si shtete ku personazhet udhëtojnë në kërkim të vetes dhe familjarëve. Asya Kazançi dhe Armanoush Tchakhmakhchian janë dy vajza të reja që e gjejnë një shoqëri për lakmi. Shkrimtarja e librit, Elif Shafak, gati sa nuk morri burg për këtë libër. Libri përngjan shumë me mentalitetin shqiptar, prandaj me një lexim secili mund të bëjë lehtë krahasime me shqiptarët. Libri është i përkthyer edhe në gjuhën shqipe, ndërsa në origjinal është “The Bastard of Istanbul”.

FISET SHQIPTARE – HISTORIA, SHOQËRIA DHE KULTURA – ROBERT ELSIE
Robert Elsie, një prej albanologëve më të mirë, ka lënë pas vetes një trashëgimi të madhe të librave dhe hulumtimeve rreth shqipes e shqiptarëve. Gjatë muajit prill, mund të lexoni librin e tij rreth fiseve shqiptare. Libri hulumton 69 fise shqiptare, analizon kulturën dhe gjuhën e tyre, adetet, legjendat dhe historitë e tyre. Libri ju ndihmon të njihni më mirë shqiptarët dhe fiset shqiptare në Mal të Zi, në Shqipëri e në Kosovë.

INTERVISTË ME VETVETEN – PETRO MARKO
Libri “Intervistë me vetveten” i Petro Markos, u botua fillimisht në vitin 2000, pothuajse një dekadë mbas vdekjes së shkrimtarit. Është ndër librat që jehonën e ka të vazhdueshme, pikërisht për një dëshmi autentike, dramatike, për profilin e njeriut-shkrimtar, për atë qenësi vlerash të njeriut të letrave, i cili komunikoi dramatikisht me kolegët, me lexuesit. Libri i Petro Markos është një formë interesante për të shkruar për veten, por njëkohësisht edhe për të tjerët. Në rrëfimin e shkrimtarit ngjarjet zhvendosen siç zhvendosen pamjet e një filmi. Shkrimtari ka rrëfyer për ato gjëra ku i dhembte më tepër, aty ku shpirti i vlonte më shumë.

ALKIMISTI – PAULO COELHO
Ky është një nga romanet më të suksesshme të Paolo Coelhos dhe një prej librave më të shitur në botë përgjatë këtij shekulli. Briliant në rrëfim, magjik dhe i thjeshtë në mënyrën sesi komunikon me lexuesin. Është një gjetje fantastike për dhurata për të dashurit apo miqt tuaj. Alkimisti nuk duhet humbur. Santiago udhëton nëpër piramidat e Egjiptit pasi ka ëndërruar se atje do të gjejë një thesar. Ai dashurohet në Fatiman. “Kur dëshiron dicka, i tëri universi bashkohet për të të ndihmuar drejt realizimit” është një pjesë e librit, që në fakt cilësohet si pjesa bazë e tij. / KultPlus.com

“Ne kurrë nuk jetojmë, ne jemi gjithmonë në pritje të jetesës”

KultPlus ju sjellë disa thënie nga Zhan-Mari Arue, që gjithë bota sot e njeh me emrin Volter.

Ai është përfaqësuesi kryesor i iluminizmit, shkrimtar, historian, filozof jashtë filozofisë konvencionale, i njohur për satirën, kritikën ndaj fesë si institucion, përkrahës i tolerancës fetare dhe për ndarjen e kishës nga shteti, shkrimtar me dhunti të shumta, duke prodhuar vepra në pothuajse çdo formë letrare: dramë, poezi, roman, ese, vepra historike e shkencore.

Shkroi më shumë se 20 mijë letra dhe mbi dy mijë libra dhe pamflete.

Ishte mbrojtës i hapur i lirisë së shprehjes, përkundër pasojave nga ligjet dhe censura e rreptë e kohës. Për shkrimet e tij satirike, ai shpesh u dënua me burgim ose mërgim. Volteri ishte kritik i ashpër i traditës fetare, që pengon lirinë individuale të besimit, por ai nuk thoshte se ishte kundër idesë së një qenie supreme.

Unë nuk jam dakord me atë që thua, por do ta mbroj deri në vdekje të drejtën tënde që ta thuash.

Ka njerëz që nuk mendojnë më thellë se një fakt.

Gjithkush që ka pushtetin të të bëjë të besosh absurditet ka pushtetin të të bëjë të marrësh përsipër padrejtësi.

Çdo gjë shumë koti për t’u thënë këndohet.

Me anë të vlerësimit, e bëjmë përsosmërinë e të tjerëve pronën tonë.

Paragjykimet janë ato që budallenjtë përdorin për arsye.

Nëse Perëndia nuk do të ekzistonte, do të ishte e nevojshme ta shpiknim.

Toleranca nuk ka nxitur kurrë luftë civile, kurse mostoleranca e ka mbuluar tokën me gjak.

Gjykojeni një njeri më shumë nga pyetjet se sa nga përgjigjet e tij.

Zoti na e dha ne dhuratën e jetës; na takon ne t’ia japim vetes dhuratën e të jetuarit mirë.

Jeta është e mbjellë dendur me gjemba, dhe unë nuk di asnjë mjet tjetër përveçse të kaloj shpejt nëpër to. Sa më gjatë të ndalemi në fatkeqësitë tona, aq më e madhe është fuqia e tyre për të na dëmtuar.

Është e vështirë t’i çlirosh budallenjtë nga zinxhirët të cilët ata i adhurojnë.

Çfarë është toleranca? Është pasojë e njerëzimit. Ne jemi të formuar të gjithë nga dobësia dhe gabimi; le të falim të gjithë ne reciprokisht marrëzinë e njëri-tjetrit – ky është ligji i parë i natyrës.

Unë i urrej femrat, sepse ato gjithmonë i dinë gjërat se ku janë.

Është e rrezikshme të kesh të drejtë në çështjet në të cilat autoritetet e kohës janë gabim.

Nuk është e mjaftueshme të shohim dhe të njohim bukurinë e një vepre. Ne duhet ta ndjejmë dhe të prekemi prej saj.

Asnjëherë mos debato në tryezën e darkës, sepse ai që nuk është i uritur gjithmonë gjen argumentin më të mirë.

Origjinaliteti nuk është asgjë veçse imitim i mençur. Shkrimtarët më origjinalë kanë huazuar nga njëri-tjetri.

Ne kurrë nuk jetojmë, ne jemi gjithmonë në pritje të jetesës.

Historia është vetëm regjistri i krimeve dhe fatkeqësive./ KultPlus.com

“S’ke me dalë nga parajsa”, dedikuar Basri Çapriqit

Poezi nga Sali Bashota.

(Mikut e poetit Basri Çapriqit).

Nuk ke me ikë kurrë më nga pika e ujit
As kur çmenden valët e detit
Asnjë pulëbardhë nuk do ta bartë mbi shpinë
Ëndrrën trishtuese të natës
Matanë vetmisë e këndej pikëllimit
Nuk ke me ikë kurrë më nga gjuha e zjarrit
Asnjë bimë e egër
Nuk do të thahet nga kripa e lotve
Në asnjë stinë të vitit
As kur piqen e bien në tokë ullinjtë
Në ullishtat e Krythës së Ulqinit
As kur shtegtarët presin me dritë ndezur
Buzë gjirit të qetësisë
Se vetëm gjumi ty të ka zënë
Duke prekur dhimbjen mbi barin e fjetur
Nuk ke me ikë kurrë më nga vetmia e stuhisë
Shpirti yt pushon i qetë në tokën e Prishtinës
Në krahun e djathtë të Ali Podrimjes
Të dytë u lexoni poezi të amshuarve
Poetët nuk vdesin më pate thënë
Kur u takuam për herë të parë
Në amfiteatrin e Fakultetit Filozofik
Atëbotë secila ëndërr e kishte ankthin e vet
Nuk ke me ikë kurrë më në fund të udhëtimit
Asnjë ditë nuk do t’i ngjajë durimit tënd
Në fillim të vjeshtës kur i shkundnim ullinjtë
Që na piknin çdo ditë mbi kokë
Për Zotin më vete e merrnim çastin e parë të lumturisë
Këndej dashurisë e matanë qirinjve të fikur
Ti njëmend thoshe të qërohen trangujt
Se na plasi inati për lëvozhgën e fatit të tyre
Të mos na zihet fryma nga liria
As të dielen kur lëshove ofshamën tënde të fundit
Nuk ke me ikë kurrë më nga zemërimi i shiut
Teksa zbrazej dhoma nga e fryma e thatë
Dhe të fluturonin të gjitha dallëndyshet
Si nëpër det si nëpër tokë si nëpër qiell
Ti po nisesh këmbë në mbrëmjen poetike
Në Kullën e Balshajve
Pa trembur asnjë zog të bardhë
Në jastëkun me pupla të zeza
Pa trembur asnjë flutur në dhomë
Një ditë para ditëlindjes tënde
Prapë pëshpërite poetët nuk vdesin
Për herë të fundit në kafenenë Simfoni
Sikur ta dinim se nuk ke me dalë nga parajsa
(2 prill 2018)

Zbulohet radhitja e Eugent Bushpepës në natën e parë të performancave në Eurovizion

Eugent Bushpepa do të këndojë i treti në gjysmëfinalen e parë të Eurovizionit këtë vit.

Sot ka dalë kësisoj radhitja përfundimtare e dy gjysmëfinaleve të Festivalit Evropian të Muzikës.
Bushpepa, me datë 8 maj, në Portugali do të këndojë i treti.

Numri 3 nuk është më i miri pasi preferohen këngët që këndohen kah fundi i natës, por vokali i Bushpepës premton shumë dhe ai do të angazhohet që të dallohet nga këngëtarët tjerë.

Gjysmëfinalja e parë është “gjysmëfinalja e nxehtë” e këtij Eurovizioni. 19 këngë do të garojnë, ndërsa vetëm 10 prej tyre do të futen në finale, shkruan KultPlus.

Azerbejxhani do ta hapë natën, ndërsa Qiproja do të këndojë e fundit. Në natën e parë, krahas Eugentit do të garojë edhe Eleni Foureira – për Qipron, një shqiptare tjetër në këtë Eurovizion.

Në gjysmëfinalen e dytë, me 10 maj, mbrëmja hapet me Alexander Rybak nga Novergjia dhe përfundon me këngën nga Ukraina. / KultPlus.com