Gashi e Minxhozi takohen për të bashkërenduar aktivitetet kulturore në mes Kosovës dhe Shqipërisë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, priti në takim ambasadorin e Shqipërisë Shkëlqesinë e tij, Qemajl Minxhozi. Gjatë këtij takimi, ministri Gashi njoftoi Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë rreth të gjitha angazhimeve dhe përgatitjeve që po i bënë Qeveria e Republikës së Kosovës dhe MKRS në shënimin e vitit mbarë kombëtarë të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Theks i veçantë gjatë këtij takimi ju kushtua koordinimit të përbashkët në zhvillimin e aktiviteteve që do të realizohen me rastin e vitit mbarë kombëtarë të heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeut si dhe shënimit të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Qyteti i Prizrenit do të jetë qendra kryesore e zhvillimit të të gjitha aktiviteteve që do të mbahen me rastin e shënimit të vitit mbarë kombëtarë të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Ministri Gashi dhe Ambasadori Minixhozi ranë dakord që në kuadër të shënimit të aktiviteteve të përbashkëta të vitit mbarë Kombëtarë të Gjergj Kastrioti – Skënderbeut të dyja vendet të zhvillojnë aktivitete të përbashkëta në fushën e kulturës.

Kultura e përbashkët kombëtare, gjithmonë ka pasur për orientim themelor vlerat dhe simbolikën që bartë në vete trashëgimia kastriotiane, sa i përket mesazheve dhe vlerave kombëtare, civilizuese dhe frymëzuese përgjatë shekujve. Prandaj, institucionet më të larta kulturore të të dyja vendeve do të bashkërendojnë aktivitetet që përmes kulturës, nderimi për figurën e heroit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, të jetë në lartësinë e figurës së tij. / KultPlus.com

Françesk Radi përjetësohet tek Liqeni Artificial në Tiranë (VIDEO)

Miq, të afërm dhe dashamirës të muzikës së tij, u mblodhën sot pranë kodrave të Liqenit Artificial në Tiranë, për të përkujtuar një vjetorin e ndarjes nga jeta të kantautorit të njohur shqiptar, Françesk Radi.

Përkujtimi u shënua edhe me vendosjen e një busti të artistit, në vendin që ai deshi aq shumë në këtë qytet, ku me kitarën e pandashme krijoi meloditë e para.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se kantautori i njohur i muzikës shqiptare, përmes tingujve dhe teksteve të tij, ishte burim frymëzimi për shumë të rinj.

“Franko ka ndryshuar shumë jetë njerëzish, ka prekur shumë individë e ka frymëzuar shumë të rinj. Për shumë njerëz ai ka qenë edhe arsye mbijetese në një situatë shumë të vështirë, ku fjala e lirë, muzika, opinioni, bindjet e lira kanë qenë sfidë për Shqipërinë. Vetëm ata që janë trima të vërtetë marrin guximin të sfidojnë në momentet më të vështira status-quo, realitetin, gjërat që ndodhin, të provokojnë një debat, atëherë kur të bëje një gjë të tillë, të kushtonte jetën. Ai i kushtoi vitet më të bukura të jetës, e megjithatë detyra e gjeneratës sonë, e një brezi të ri që merr stafetën nga një gjeneratë tjetër, është të mos harrojë dhe të kujtojë”, tha Veliaj.

Bashkëshortja e kantautorit, Tefta Radi falënderoi të pranishmit për kujtimin e veprës së Frankos. “Për mua, për familjen, për të gjithë adhuruesit e Frankos është një kënaqësi e madhe që e lemë mes njerëzve. Ai do të mbahet mend si kantautori i parë shqiptar, si i riu që solli risinë në muzikën shqiptare, që futi modernen, për të cilën nga diktatura u dënua afro tre dekada, iu hoq e drejta e krijimtarisë në fushën e muzikës së lehtë, pa ia shuar kurrë pasionin për muzikën, sepse edhe në Pukë, edhe në Fushë-Arrëz, Frankoja punoi me të njëjtin pasion. Është një kujtim vërtet i bukur, faleminderit Bashkisë së Tiranës, faleminderit z. Veliaj për gatishmërinë. Është një mrekulli”, u shpreh mes emocionesh Tefta Radi./ KultPlus.com

Aktori shqiptar në një film me Sylvester Stallone e Michael B. Jordan

Aktori shqiptar Marko Caka, vazhdon të jetë protagonist në filmat e mëdhenj hollivudian, shkruan KultPlus.

Kësisoj, së fundmi kanë nisë xhirimet e filmit të madh të Warner Brothers Creed versioni 2 me protagonist Silvester Stalone e Michael B Jordan. Në këtë film luan edhe shqiptari Caka, ku roli i tij është një nga katër policët e sigurisë në ringun e famshëm të Las Vegas. Në këtë ring, luhen duelet e mëdha të sportit të boksit ku trajner është Silvester Stalone në rolin e Rocky Balboas.

“Ishte hera e parë që luaja në sheshxhirim me Stalonen. Hyrja e tij solli duartrokitje të pa ndërprera dhe duke marr fjalën, falënderojë kastin dhe ekpin e kineastëve dhe gjithë stafin e produksionit. Për mua ishte ëndërr ta kisha pranë gjatë gjitha skenave më shumë se 15 orë. Isha vazhdimisht pranë stafit të boksierëve në rolin e Dupray, e rojës se sigurisë së legjendës së filmave aksion, i cili ka shkruar historinë të Rocky Balboa’s. Absolutisht, që ndjehem i privilegjuar nga kastingu i Warner Bros, i cili me krijojë përsëri mundësinë për të përjetuar skenat e mëdha të saj me yjet e kinemasë botërore”, pohoi për KultPlus, Marko caka, duke vazhduar të tregoj se tashmë ai është edhe në një film tjetër të Warner Bros në vazhdimësinë e xhirimeve të filmit epik “Godzilla 2” në Atlanta ku xhirimet i kanë në fund të javës.

Xhirimet e Creed II po zhvillohen në Pennsylvania ku aktorët protagonist do të jenë pothuajse të njëjtit e Creed 1, Silvester Stalone, Michael B Jordan në rolin e boksierit dhe këtë radhë i afrohet kastit edhe Dolph Lungren në rolin e Ivan Drago, por tani në atë të trajnerit të skuadrës kundërshtare ruse.

Ky film do të shfaqet në kinematë e botës në nëntor të këtij viti dhe pritet të ketë jehonë të madhe sepse do të ketë përsëritje të përballjes së shekullit si në filmin e Rocky IV në mes dy boksierëve që përfaqësonin dy siperfuqitë e mëdha të kohës, por që sot ata janë trajnerë të ekipeve respektive ShBA -Rusi./ KultPlus.com

Amel Dupas përmes DAM-it i solli Prishtinës gërshetimin e muzikës xhaz me atë elektronike (FOTO)

Gili Hoxhaj

Dam Festivali po vazhdon që edhe në natën e pestë të tij të dëshmoj kapacitetin e talenteve të rinj në muzikë por krahas kësaj, publikut të Prishtinës po i sjellë edhe emra të njohur të muzikës nga vende të ndryshme të botës. Mbrëmë në skenën e Amfiteatrit të Bibliotekës Kombëtare erdhi Armel Dupas, xhaz pianisti francez i cili njihet edhe si një kompozitor, artist i talentuar ndërsa ka një eksperiencë disa vjeçare në kompozimin e muzikës dhe muzikës së filmave.

Pranë perdeve të zeza, me një ndriçim të zbehtë e me mbishkrimin DAM qëndronin dy pianot e Amel Dupas të cilat do të sillnin një gërshetim tingujsh mes digjitalizimit dhe organikës, një veçori që sillte një dimension të ri të lojës pianistike. Krahas kësaj artisti francez kishte një përjetim të mahnitshëm artistik derisa lëvizte mes dy pianove e ndonjë tinguj e bënte atë që të ngrihej e të lëvizte nga pozicioni i rëndomtë i pianistit.

Kjo ishte hera e dytë për të në Prishtinë, ai tha se ndihet i lumtur që të vij këtu për të dytën herë, e veçmas që po merr pjesë në një koncert të muzikës klasike, për të sjellë veprat e tij, të cilat i përkasin shekullit 21. Koncerti i tij solo i titulluar “Upriver” është i bazuar në një projekt të tij që është pjesë e albumi të publikuar më 25 gusht 2015, në një stil elektroakustik që sjellë tingujt e xhazit.

Ai solli një vepër të cilën e kishte shkruar në një ambient të qetë dhe malor, e menjëherë pas kësaj për publikun solli një vepër premierë, të cilën nuk e kishte luajtur më parë pranë një publiku tjetër.

“Tani do të luaj diçka që nuk kam luajtur ndonjëherë më parë, para dikujt…quhet “Oksigjen” dhe është tërësisht e re”, tregoi Dupas, tingujt e të cilës depërtuan në çdo pjesë të ambientit.

Krahas veprave të tjera, ai për publikun solli edhe një nga veprat e tij më të njohura “A night walk”.

“Veç udhëtimi me këtë muzikë është i mrekullueshëm, e lëre më të vi këtu. Nuk di shumë për vendin tuaj por jam i lumtur që jam këtu. Për herë të parë erdha në Kosovë në vitin 2012 dhe u prezantova me muzikë xhaz. Kësaj radhe erdha me projektin tim të ri “Upriver” e që është një gërshetimi muzikës jazz me atë elektorinike” u shpreh pianist Dupas gjatë mbrëmjes së kaluar.

Pinisti Dupas pas secilës pjesë gjatë interpretimit të tij foli edhe për probleme të tjera siç është dhuna, këtu ai tha se e di për situatën e vështirë në të cilën është ndodhur Kosova 18 vite më parë, ndërsa thotë se një situatë të tmerrshme kishin përjetuar edhe ata, siç është terrori i sulmeve që ndodhën tri vite më parë në Paris. Këtu pianisti shtoi se muzika duhet të jetë një kundër përgjigje e dhunës e gjërave të këqija.

Dam Festival do të vazhdoj sonte natën e gjashtë të festivalit, në kuadër të se cilës ora 18:30 do te prezantohen veprat e kompozitorit Artan Hasani dhe prezantimi premiere i ansamblit vokal Zanat ndërsa nga ora 20:00 Etydet për piano nga PhilipGlass në interpretim të GregoryCharette. Të dy koncertet mbahen ne Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com

HAP: Fakulteti i Arteve në gjendje alarmante, ka nevojë për infuzion

Alberina Haxhijaj

Komuniteti “HAP”, sot ka realizuar një performancë para Fakultetit të Arteve në Prishtinë. Ata i kanë përshkruar një infuzion 8 % si diagnozë këtij fakulteti duke e shpallur gjendjen e tij si gjendje alarmante.

Peformanca e titulluar “Ju duhet, na duhet” kanë njoftuar grupi se vjen si shkak i pamundësisë për të ndryshuar rrethanat e mënyrën se si funksionon Universiteti i Prishtinës , e përkatësisht Fakulteti i Arteve.

Kështu ata kanë vendosur që të i shkruajnë një terapi këtij Fakultetit i cili sipas tyre momentalisht është në gjendje kome për shkak të disa arsyeve ndër të cilat kanë numëruar:
– Mosmbajtja e mësimit të rregullt
– Neglizhenca dhe joprofesionalizmi nga profesorët
– Kuadri jo i duhur
– Mungese e hapësirave
– Keqmenaxhim fondesh.

“Ne si pikënisje për rehabilitim injektojmë këtë infuzion me shpresë që ta kthjellojmë situatën, e që Universiteti të ngrihet prapë në këmbë” thuhet në njoftimin e grupit “HAP”.

HAP përbëhet nga Brilant Milazimi, Dardan Murseli, Arbnor Karaliti, Ermir Zhinipotoku, Valdrin Thaqi, Alban Januzi, Petrit Maliqi dhe Naim Geci.

HAP është një komunitet artistesh i përberë nga piktore, skulptore, artiste konceptual e fotografe, të cilët kanë vendosur që të zgjedhin artin bashkëkohorë për të trajtuar tema të ndryshme sociale./ KultPlus.com

“Klubi 90”, dëshmoi fuqinë e talenteve të rinj në festivalin DAM (FOTO)

Gili Hoxhaj

Dam Festival i cili këtë vit po shënon edicionin e 13-të të rrugëtimit muzikor edhe mbrëmë kishte mbledhur një numër të madh artistësh të rinj për ta dëshmuar veten në një koncert, shkruan KultPlus.

Ky koncert që u mbajt në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare kishte mbledhur përplot mysafir që po shijonin tingujt e kësaj gjenerate të re artistesh. Këtë rrugëtim muzikor e filloi Fjolla Asllanaj e cila solli tinguj në violonçel, përcjellë nga Lirika Pula në piano. Ato së bashku sollën tinguj të veprës “Sonatë për violonçel” të Claude Debussy. Pasi ato u larguan nga skena, aty u ngjit Fortesa Jusufi e cila me tingujt e pianos solli veprën e kompozuar nga Maurice Ravel. Pas disa interpretimeve të kolegëve të tjerë, Fortesa Jusufi u ngjit në skenë përsëri me violinistin, Rron Bakalli për të sjellë një vepër tjetër të kompozitorit Claude Debussy, ata në kombinimin e dy instrumenteve sollën përplot tinguj të magjishëm nga vepra “Vocalise”.

Pianistja e re Fortesa Jusufi tregoi për KultPlus se festivalin Dam e sheh si një mundësi shumë të mirë për ta dëshmuar veten.

“Ne nuk kemi aq shumë hapësirë për të interpretuar dhe Dam-i përveç neve përmban edhe artistë shumë të mëdhenj kështu që është një ndjenjë shumë e mirë që edhe ne kemi një vend në këtë festival që të vlerësohemi dhe dëgjohemi”, u shpreh Jusufi.

Granit Musliu ishte tenori i vetëm i kësaj mbrëmje, që dëshmoi se kishte potencial për të dhënë edhe shumë interpretime të tjera për publikun. Zëri tij u përcoll në piano nga pianistja, Erita Qafleshi. Nga këta dy të rinj, në skenë do të kthehej përsëri profesoresha Lirika Pula, kësaj herë për ta përcjellë çelistin e talentuar Arian Zherka, e që së bashku sollën veprën “Sonatë për violonçel- Koha 1” të Sergei Rachmaninoff.

“sFOURzando”, i përbërë nga Vlora Çitaku në violinë, Fisnik Hasani në klarinetë, Zanë Abazi në flaut dhe Denita Dedushaj në piano sollën një program të pasur veprash. Mbrëmja arriti kulmin e saj pikërisht me anë të tingujve të tyre që krijonin një harmoni të veprave që interpretonin. Me përjetim të rrallë nga publiku u pritën dy veprat e kompozitorit shqiptar Rexho Mulliqi, e që mbrëmë erdhën të aranzhuara nga kompozitori Hajrullah Syla. “Një lule” e filloi rrugëtimin e tyre muzikor që do të prekte veprat e Jacques Ibert, Camille Saint Sawns, Arthur Honegger, Dimitri Shostakovich, Franz Doppler e deri te Astor Piazzolla.

Ky koncert nuk mund të mbyllej më bukur se me veprën “Baresha”, që është dëgjuar e kompozuar për skena e vende të ndryshme. Kjo vepër e Rexho Mulliqit që mbrëmë erdhi e aranzhuar nga Hajrullah Syla e me interpretim të “sFOURzando” , rrëmbeu publikun deri në fund të saj, aty ku duart e të pranishmëve do të përplaseshin fort me njëra tjetrën, për t’i dhuruar duartrokitje këtij grupi të rinj talentesh e kompozitorit Syla që gjendej ulur në ulëset e publikut.

Kompozitori Syla tregoi për KultPlus se procesi i aranzhimit të këtyre veprave e në përgjithësi është shumë i vështirë dhe kërkon përkushtim të veçantë, ndërsa shtoi se ndihet i kënaqur më punën e artistëve të rinj që i interpretuan këto vepra për publikun.

“Procesi i aranzhimit në përgjithësi është punë mjaft e rendë sepse duhet përpunuar me një material ekzistues që patjetër duhet pasur kujdes të mos humbet origjinaliteti i vijës kryesore melodike. Dy përpunimet e mia mbrëmë u interpretuan nga një ansambël i sapoformuar në DAM Festival, nga muzicientë të cilët premtojnë shumë për skenën kosovare”, u shpreh kompozitori dhe dirigjenti Syla.

Ndërsa violonistja Vlora Çitaku, njëherësh dhe ideatore e ansamblit të ri “sFOURzando”, tha se është ndjerë shumë e emocionuar të interpretoi në skenën e Dam Festival. Ajo tha se nuk ka qenë edhe e lehtë përgatitja e këtyre veprave ku procesi i provave ka zgjatur për gati gjashtë muaj.

Dam Festival do të vazhdojë sonte natën e gjashtë të festivalit, në kuadër të së cilës në ora 18:30 do të prezantohen veprat e kompozitorit Artan Hasani dhe prezantimi premierë i ansamblit vokal Zanat ndërsa nga ora 20:00 Etydet për piano nga Philip Glass në interpretim të Gregory Charette. Te dy koncertet mbahen ne Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com

Kumrije Hoxha, zgjidhet ushtruese e detyrës së drejtorit në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës sot është zgjedhur Ushtrues Detyre aktorja Kumrije Hoxha.

Ajo sot ka marr këtë pozitë pasi që ish-drejtori i Teatrit Kombëtar, Agim Sopi është shkarkuar me gjashtë vota për dhe një abstenim.

Në fillim të këtij viti Sopi kishte akuzuar anëtarët e Këshillit Drejtues të TKK-së si njerëz të ndikuar nga politika po censurojnë programin e teatrit.

Agim Sopi ishte shkarkuar të hënën e javë së kaluar nga Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës, përcjell Insajderi./ KultPlus.com

Më lër të iki vetëm për një vit

Poezi nga Moon Chung-Hee.

I dashur, më lër të iki vetëm për një vit, të lutem
Po shkoj tani me pushime për vitin shabatik të martesës
Që nga ajo dita që i jemi betuar njëri-tjetrit për unazë
Të dy krah më krah
Për të mirë e për të keqe
Kemi mbërritur deri këtu të fortë e plot guxim
A ka oazë në shkretëtirë
Apo është oazi që ka shkretëtirën e vet ?
Sidoqoftë, kemi lëshuar rrënjë aty
E degët janë rritur e ngatërruar
Por tani, më lër të iki vetëm për një vit, të lutem
Edhe ushtarët e kanë një leje
Edhe punëtorët kohën e pushimit
Edhe vetë kërkuesit e qetë
Ikin të frymëzohen për një vit shabatik
Tani edhe unë po ia jap vetes një vit pushim si ata
I dashur, më lër të iki vetëm për një vit, të lutem
E do të vij pasi ta kem gjetur veten.

Pse po sulmohet personaliteti i Gjergj Kastriotit?

Nga Gjon Keka.

Pse po sulmohet personaliteti mbikohorë i Gjergj Kastriotit ?!, shtrohet pyetja sot në këtë shekull, e që natyrshëm nuk do të duhet të kishte pyetje të tilla po të ishin gjërat në vendin e vetë:

E para ai sulmohet sepse është drita e kombit,

E dyta sepse ai është mbrojtësi i qenies sonë kombëtare e identitare dhe tërë civilizimit të familjes evropiane,

E treta sepse ai është rrënja dhe fisi më frytdhënës i kombit shqiptar evropian,

E katërta sepse ai është i vetmi mbret i kombit shqiptar me merita të dyfishta, gjë që nuk ka pasur në historinë e mbretërve në Evropë,

E pesta sepse ai dhe shpirti i tij i fuqishëm është tmerri në sytë e turqve dhe mbetjeve të tyre,

E gjashta sepse ai është lider, strateg dhe personalitet mbikohorë i përjetshëm ,ai nuk vdes edhe pse këtë e duan turqit dhe mbetjet sulltaniste,

E shtata sepse ai është dëshmia më e mirë e vlerës së pavdekshme të rrënjëve tona dhe themeleve të lashta evropian të kombit shqiptar,

E teta sepse ai e ka bërë shtetin e Arbrit model dhe faktor vendimtar të fatit politik të kontinentit tonë,

E nënta sepse ai është akoma edhe sot hero i preferuar i shumë kombeve e popujve ,por ja që ai është shqiptare dhe i tillë do të jetë deri sa të ketë botë shqiptare nën qiellin e tij,

E dhjeta sepse ai ka lënë pasardhës

(Ky shkrim i autorit Gjon Keka është botuar për herë të parë në vitin 2013 në mediet shqiptare, tani ribotohet)./ KultPlus.com

“Fati i Rozit” nga Vjosa Malokaj pjesë e “The ONE Festival” në New York

“Fati i Rozit”, shkruar dhe performuar nga artistja Vjosa Malokaj Mala me regji të Kreshnike Osmani do të shfaqet në New York si pjesë e festivalit “The ONE Festival”, shkruan KultPlus.

Një grua sakrifikohet që të shpëtojë shoqërinë, sipas legjendës shqiptare Rozafa është një grua e cila ka zgjedhur që të sakrifikohet duke u murosur e gjallë në muret e kështjellës.

Shfaqja “Fati i Rozit” do të jetë pjesë e edicionit të 13-të të festivalit “The ONE Festival”, një platformë e cila ju ofron mundësin talenteve të ri dhe krijuesve që të shfaqin aftësitë e tyre. Festivali është bërë një pasqyrë e përvitshme e zërave inovativ dhe të zëshëm nga gjithë bota të cilët sjellin shfaqe teatrale dhe i prezantojnë ato në NewYork.

Në këtë edicion performanca “Fati i Rozit”do të shfaqet në tri data të ndryshme. Më 24 prill dhe 25 prill duke filluar nga ora 20:00, kurse më 28 prill duke filluar nga ora 17:00.

Vjosa Malokaj është aktore e diplomuar, dhe dramaturge e filmit nga Kosova. Ajo ka performuar nëpër shfaqje të ndryshme si dhe ka qenë pjesë e shfaqjeve televizive dhe filmave. Po ashtu ka punuar edhe si mësuese e dramës më fëmijë. Aktorja Vjosa Malokaj gjithashtu ka marrë pjesë edhe nëpër shumë festivale Evropiane duke përfshirë edhe “Amsterdam ITS Festival” në vitin 2016.

Biletat për këtë shfaqje janë 20-30 dollarë dhe mund të rezervohen në linkun më poshtë./ KultPlus.com

https://www.eventbrite.com/e/rozis-fate-tickets-44081176987?aff=erellivmlt

Shkodra zbulon sekretet familjare në një ekspozitë të përbashkët fotografike me Prizrenin

Një aktivitet i pazakontë është zhvilluar dje në Shkodër, i cili kulmoi me shfaqjen e dokumentarit për banesën shkodrane në hajatin e një shtëpie të vjetër, gati 300-vjeçare, të improvizuar si sallë kinemaje. Filmi dokumentar me titull “NJERËZIT, QYTETI.

Një rrëfim jogazetaresk për historinë” është realizuar nga GO2 në bashkëpunim me studion Papadhimitri Production të mjeshtrit të fotografisë Spartak Papadhimitri dhe është ndërtuar në formën e një triptiku: Familja, Shtëpia dhe Historia. Përmes dëshmitarëve të kohës, për herë të parë në film sillen rrëfimet e bashkëkohësve për jetën e përditshme të familjes Marubi, duke zbuluar anët e panjohura të anëtarëve të kësaj dinastie. Skenarist i filmit është Irhan Jubica, njëkohësisht edhe regjisor, në bashkëpunim me gazetarin Lekë Plani.

Filmi u shfaq në kuadër të ekspozitës fotografike për banesën qytetare, të hapur në mjediset e një shtëpie të vjetër shkodrane, të kuruar me kujdes deri në detajet më të imëta. Ky aktivitet mblodhi në shtëpinë e ish-mësuesit Ismet Halili, qindra qytetarë shkodranë, të cilët kishin nxjerrë nga arkivat familjare fotografitë e tyre që nga viti i largët 1890.

E titulluar “Shkodra, familja, shtëpia, historia ime”, ekspozita ishte kurorëzim i konkursit të shpallur nga organizata GO2 në dhjetor të vitit të kaluar, thirrje së cilës iu përgjigjën gati 40 familje shkodrane, të cilët sollën gati 200 fotografi. Të përzgjedhura nga juria, 40 fotografitë më të mira u përfshinë në albumin me të njëjtin titull, që u promovua dje.

I pranishëm në ekspozitë, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati theksoi rëndësinë që qyteti i Shkodrës ka jo vetëm për të shkuarën, por edhe të ardhmen kulturore të vendit. Bushati çmoi lart kurajën për të organizuar një aktivitet të tillë larg qendrës së qytetit, për të dhënë mesazhin se edhe lagjet e tjera janë po ashtu urbane dhe kanë ç’të tregojnë. Ndërsa planifikuesja urbane Eltjana Shkreli, në emër të organizatorëve, falënderoi familjen Halili për mikpritjen, e cila i hapi dyert një aktiviteti me kaq rëndësi për të gjithë qytetin. Duke folur për fotografitë pjesëmarrëse në konkurs, anëtari i jurisë, Përparim Kabo evidentoi vlerat e tyre nga pikëpamja antropologjike. Në fotot e kësaj ekspozite janë njerëzit dhe banesa, ndërsa pasanikët e sotëm u bëjnë foto vetëm shtëpive luksoze, sepse ata nuk e kuptojnë dimensionin njeri, – tha ai. Të pranishëm në ekspozitë ishin edhe profesori i fotografisë, Qerim Vrioni, i cili e vlerësoi shumë nismën e kësaj ekspozite, si dhe fotografi i njohur, Roland Tasho.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 4 prill dhe mund të vizitohet nga ora 09:00 deri më 19:00.

Në ekspozitë u paraqitën edhe 10 fotografi të ardhura nga Prizreni, qytet i cili përmes organizatës EC Ma Ndryshe iu bashkua nismës së organizatës GO2 për të zhvilluar të njëjtin konkurs edhe në Kosovë. Ndërkaq, ekspozita e ardhshme do të mbahet në Maj në Prizren, sipas të njëjtës metodologji, ku Shkodra do të prezantohet me 10 fotografi të zgjedhura./ KultPlus.com

“Gruaja e Guximshme” kthehet në Kosovë (FOTO)

Pas disa ditësh nga marrja e çmimit për Gratë e Guximshme dhe qëndrimi të saj në Amerikë, Feride Rushiti, kthehet në Kosovë, shkruan KultPlus.

Drejtoresha Ekzekutive e QKRMT Feride Rushiti dje pasdite u kthye nga ShBA ku mori çmimin ndërkombëtar për gratë e guximshme nga Departamentit Amerikan të Shtetit. Asaj iu organizua një pritje në aeroportin e Prishtinës nga familjarë, kolegë e bashkëpunëtorë të shumtë.

“QKRMT i është thellësisht mirënjohëse U.S. Embassy Pristina, Kosovo për organizimin e vizitës së saj në ShBA si dhe Departamentit Amerikan të Shtetit për vlerësimin e kontributit të Feride Rushitit në avancimin e të drejtave të njeriut e në veçanti fuqizimin e pozitës së gruas në Kosovë”, thuhet në njoftimin e tyre./ KultPlus.com

Kthehet Schwarzenegger

Disa ditë më parë një ndër aktorët më të famshëm në botë, Arnold Schwarzenegger, iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale në zemër.

Operacioni ishte për të zëvendësuar një valvul që fillimisht ishte zëvendësuar 20 vite më parë.

Duket se për aktorin 70-vjeçar gjithçka ka shkuar mirë dhe sipas zëdhënësit të tij, Arnold gëzon shëndet të plotë.

Menjëherë pasi u përmend, aktori ka folur me familjarët e tij duke thënë: “Unë jam kthyer”.

Tashmë që është mirë, pritet që aktori të rikthehet me projekte të reja për fansat e tij.

Minibiblioteka në Shtime shkatërrohet vetëm 4 ditë pas inaugurimit

Vetëm katër ditë pasi që është inauguruar, një minibibliotekë në Parkun e Qytetit në Shtime, ajo është shkatërruar.

Ishte përuruar me 88 libra, e tash s’i ka mbetur asnjë.

Komuna e Shtimes në bashkëpunim me Këshillin e Veprimit Rinor kishte marrë iniciativë për krijimin e një minibibloteke.

Një qytetar, me shqetësim, ka shkruar në adresë të portalit Koha.net, se si duket, blerja e një rafti dhe vendosja e ca librave nuk është zgjidhje.


“Por, duhet krijuar mekanizëm për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e saj, e kjo dukuri më ka shqetësuar”, ka shkruar ai./KultPlus.com

Ukshin Hoti dhe Edi Shukriu në një fotografi të rrallë

Po sjellim një fotografi të rrallë të Ukshin Hotit me gruan e tij Edi Shukriu.

Ukshin Hoti, ishte profesor, shkrimtar, filozof, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare në Kosovë, gjatë viteve 80’ dhe 90’. Ndërsa Edi Shukriu, gruaja e tij, është arkeologia e parë dhe shkrimtarja e parë shqiptare në Kosovë që botoi përmbledhjen me poezi “Sonte zemra ime feston” 1972. Ajo është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës./ KultPlus.com

Pjesa përballë Rilindjes, kjo është Prishtina e vjetër (FOTO)

Një fotografi e rrallë në një vend shumë të frekuentuar të Prishtinës.

Kjo fotografi e publikuar për herë të parë, tregon vendin përballë Rilindjes, përkatësisht ku është Bamboo Bar, tani.

Fotografia është publikuar në rrjetin social Facebook, nga faqja Prishtina e Vjetër./ KultPlus.com

“Duaj marrëzisht dhe nëse të thonë që dashuria është mëkat, duaje mëkatin dhe do jesh i pafajshëm”

William Shakespeare ishte një nga autorët më të njohur botëror. Ai e ngriti artin poetik në majat më të larta, shkruan KultPlus.

Kur flitet për të shumë pak autor i qëndrojnë përkrah dhe asnjë sipër. Studimet, analizat dhe komentet rreth tij janë të panumërta por përfundimi është i njëjtë: vepra shekspiriane është e admirueshme si tërësi dhe në të tërë përbërësit e veçantë.

Gjatë krijimtarisë së tij, Shekspiri realizoi 37 vepra për teatrin, nga të cilat 13 tragjedi, 10 drama historike dhe 14 komedi. Pjesa tjetër e krijimtarisë përfshinë 154 sonete që mbahen si realizimi poetik më i çmueshëm i gjithë kësaj periudhe dhe 2 poema të gjata.

KultPlus sot ju sjellë një thënie të këtij autori të madh:
“Duaj, duaj marrëzisht, duaj më shumë se që mundesh dhe nëse të thonë që dashuria është mëkat, duaje mëkatin dhe do jesh i pafajshëm”./ KultPlus.com

“Pa trokitje hyr por lus mos ofendo se po dhemb sado nuk vërehet ” (VIDEO)

Yllka Kuqi është një emër i njohur i muzikës shqiptare që karakterizohet me një ngjyrë të veçantë të zërit e me vokal të fuqishëm, shkruan KultPlus.

Si e tillë ajo ka krijuar shumë këngë ndërsa ka sjellë për publikun edhe këngë të vjetra qytetare. Ajo numëron shumë këngë të suksesshme por një nga këngët më të mira të saj mbetet “Ofendimi”. Kjo këngë numëron një dekadë që kur është kënduar në festivalin “Polifest” ndërsa edhe sot sjellë emocionin e njëjtë.

Kjo këngë korri mjaft shumë sukses në Festivalin “Polifest” në vitin 2006, ku u prit me mjaft duartrokitje ndërsa i solli Yllka Kuçit edhe disa çmime si: Çmimi i kritikës,Çmimi i “Produksionit Jon” dhe Çmimi për orkestrim më të mirë të këngës.
KultPlus ju sjellë interpretimin e këngëtares së bashku me tekstin e këngës:
https://www.youtube.com/watch?v=KIQ5Fg4QWNI

Ti ishe dashuri e parë mik i keq e tradhtar askush nuk te gjykoj,ti dashurinë e pate në gjak vetëm mua m` dhe aq pak, askush nuk të dënoj
E hëna e mallkuar pik e fundit,fjalë e rendë si plumb i rand , me gishtat e një dore i numërova ditët e lumtura.

(ref):
Pa trokitje hyn sundo por mos kafsho se një vashe zemra do ti thehet
Pa trokitje hyn por lus mos ofendo se po dhemb sa do nuk vërehet

Pa trokitje hyn sundo por mos kafsho se një vashe zemra do ti thehet.
Pa trokitje hyn por lus mos ofendo,se po m`vret zemra e një vashe po pelset.

Ti ishe dashuri e pare mik i keq e tradhtar , askush nuk te gjykoj, ti dashurinë e pate n`gjak vetëm mua m` dhe aq pak askush nuk të dënoj.
E hëna e mallkuar pike e fundit fjale e rende si plumb i rande, me gishtat e një dore i numërova ditët e lumtura.

(ref):
Pa trokitje hyn sundo por mos kafsho se një vashe zemra do ti thehet.
Pa trokitje hyn por lus mos ofendo, se po dhemb sado nuk vërehet

Pa trokitje hyn sundo por mos kafsho se një vashe zemra do ti thehet.
Pa trokitje hyn por lus mos ofendo,se po m`vret zemra e një vashe po pelset.

Pa trokitje hyn por mos kafsho
Pa trokitje hyn mos ofendooooo

Zemra e një vashe po pelset
Zemra e një vashe po pelset po pelset po pelset
Po pelseet
Zemra e një vashe po pelset….

Poezia sot

Poezi e shkruar nga Xhevdet Bajraj.

Ai që deri më dje vilte vetëtima nga qielli

sot rrugëve të qytetit shet vargje me gram

Zonja dhe zotërinj

urdhëroni vargje të freskëta çudibërëse

janë të ziera në dhjamë gjarpërinjsh

nga ata që jetojnë në shkretëtirën e shpirtit njerëzor

Kemi nga të gjitha llojet

shërojnë dhimbjen e kokës së kësaj dhe asaj bote

kam vargje për nerva të egra e të buta

shërim a hapje plagësh për të rinjtë që merren me sport

për ata që nuk u pëlqen apo u pëlqen arti

vrasje a ringjallje dashurish

thurje e shthurje komplotesh

sqarime të së kaluarës dhe të ardhmes

vargje për t’iu lutur Zotit të bjerë shi apo të ngrohë dielli

rima të pikura nga vetë qielli

……. urdhëroni urdhëroni

një thesar të tërë vlejnë

ndërsa ju i merrni veç për dhjetë cent

Ai që sot kot vjel vetëtima

iu afrua dhe i pëshpëriti në vesh

për t’i shitur vargjet sot o mixhë

duhet që shteti ta ndalojë poezinë me ligj

Shqipëria perla e fshehur e Evropës, mahnit britanikët

“Jemi vërtet të mrekulluar nga Shqipëria. Natyra ishte shumë e bukur, pavarësisht motit. Ishte interesante që t’i shikoje malin dhe detin kaq afër. Rrugët lidhëse të qyteteve ishin kaq të ndryshme dhe të bukura, i shijoje gjatë kalimit”

Nga Deada Hyka

Matthew dhe Helene, prej vitesh punojnë në një nga agjencitë e reklamave më në zë në Britaninë e Madhe. Puna e tyre si fotografë dhe redaktor arti i ka angazhuar me xhirime të shumta, në çdo cep të globit. Por, në Shqipëri erdhën për herë të parë në mesin e këtij marsi. Në sytë e tyre mund të dalloje qartë kënaqësinë që morën nga vendi ynë, ku veçuan një sërë aktivitetesh që brenda një jave arritën t’i përmbushnin. Gjatë dhe pas xhirimeve, si vizitorë të mirëfilltë. Pyetjes, a do të ktheheshit sërish në Shqipëri, iu përgjigjën njëzëri: “sigurisht”, ende me valixhe në duar, pak para se avioni i tyre të nisej për Londër.

Matt dhe Helene janë pjesë e agjencisë Red Wood London, e cila u kontraktua për të xhiruar një spot fotografik për Mazda MX-5, makina e cila njihet si fituesja e çmimit Best of the Best në vitin 2017.

Po çfarë tregojnë Matt dhe Helene, në prapaskenat e xhirimit të reklamës së tyre? Sipas tyre, qëndrimi i tyre këtu nuk ka qenë vetëm punë. Përkundrazi, e kanë shijuar vizitën në vendin tonë si turistë të vërtetë dhe japin dëshmi rreth përvojës së tyre këtu dhe të gjitha vendet historike që kanë vizituar.

Monumentet historike dhe vetë historia e Shqipërisë është ndër gjërat që veçojnë më tepër, duke marrë shkas nga vizitat e shumta që kanë bërë në disa nga sitet historike në Jug të vendit. Sipas tyre, kontrasti i theksuar i relievit shqiptar e bën Shqipërinë një vend tërheqës, fjalë këto që thuhen nga fotografë dhe redaktor arti me përvojë ndërkombëtare. Ata tregojnë se e kanë shijuar shumë ushqimin e pasur të detit dhe mjaltin e shijshëm shqiptar.

Duke marrë shkas nga vizita profesionale këtu, sipas tyre Shqipëria përbën potencial për xhirime të tjera, ndër to industria e verës ofron shumë mundësi. Ndërsa sugjerimi si turistë është që të përçojnë tek lidhjet e tyre përvojën në këtë ‘perlë të fshehur të Evropës’.

Nik Berg, kryeredaktori i agjencisë, tregon për Monitor se mendimi i tij për të xhiruar në Shqipëri erdhi pas hulumtimit dhe leximit, ku veçoi rrugët e Jugut të Shqipërisë.

“Ishte sugjerimi im që grupi i punës të vinte në Shqipëri. Në veçanti, rruga SH23 më la mbresa dhe mendova se do të ishte një përvojë e veçantë e përjetuar nën rrotat e Mazda MX-5”, tregon Berg.

“Ne jemi gjithmonë në kërkim të rrugëve të përsosura në aspektin e drejtimit të makinës në to, në mundësitë që ofron një rrugë për xhirime të mëtejshme, në destinacione pak të njohura dhe të vizituara. Ndaj, mendova se Shqipëria ishte panorama ideale që përmbushte këto kushte”, përfundon ai.

Pse zgjodhët Shqipërinë për të xhiruar spotin tuaj të radhës?

Ne dëshironim që të gjenim një destinacion që të bënim fotografitë për Mazda MX-5 dhe rrugët në Jug të Shqipërisë ishin shumë të bukura, kur i pamë menduam se do të ishte vendi ideal për të ardhur për spotin. Nga ana tjetër, Shqipëria është një vend interesant sepse mund ta konsiderojmë si një ‘perlë e fshehur’, si një sekret i Evropës, për të cilin pak njerëz janë në dijeni. Ndaj, në këtë kontekst, menduam të zbulojmë diçka të re dhe të shijonim njëkohësisht edhe punën për të cilën erdhëm.

A ua këshilloi dikush Shqipërinë?

Po, erdhi si sugjerim nga kryeredaktori i revistës sonë në Londër, Nik Berg. Ai na e këshilloi Shqipërinë si destinacion.

Si ishte procesi i xhirimeve tuaja? Çfarë përvoje patët në tërësi?

Përvojë shumë pozitive. Shkuam fillimisht në Vlorë dhe më pas në Sarandë. Gjatë rrugës ndaluam në disa pika. Jemi vërtet të mrekulluar nga Shqipëria. Natyra ishte shumë e bukur, pavarësisht motit. Ishte interesante që t’i shikoje malin dhe detin kaq afër. Rrugët lidhëse të qyteteve ishin kaq të ndryshme dhe të bukura, i shijoje gjatë kalimit. Na u duk interesante vizita në Monumentin e Pavarësisë në Vlorë dhe ndërkohë mësuam për shpalljen e pavarësisë së vendit. Ndër më interesantet që kemi vizituar mund të veçojmë vendet historike. I pamë nga afër, e ndiem historinë e këtij vendi.

Butrinti dhe Kalaja e Gjirokastrës ishin shumë të veçanta. Sa u përket detajeve të përvojës sonë këtu, do të përmendnim ushqimin e detit dhe mjaltin shqiptar: shumë të shijshëm. Përveç xhirimeve, kemi bërë foto në disa pika, të gjitha interesante. Pamë edhe pjesën e jetës së fshatit, aq e bukur: përshëndetëm kafshët, adoptuam dhe një qen gjatë qëndrimit tonë.

Jemi mrekulluar nga brigjet detare. Ndër më të bukurit veçojmë tre ishujt e Ksamilit. Kemi ngrënë kryesisht ushqime deti, ishin shumë të shijshëm dhe më pak të shtrenjtë se në Londër. Na bëri përshtypje që pjesa më e madhe e restoranteve ishin të stilit dhe menysë italiane, besoj nga afërsia që keni.

Gjatë xhirimeve që realizuat, a e shijuat njëkohësisht punën dhe qëndrimin si turistë? A do të cilësohet që fotot e xhirimeve janë kryer në Shqipëri?

Po, do ta shënojmë në të gjithë fotot që do të publikohen së shpejti që janë shkrepur në Shqipëri. Do të kemi një hapësirë në revistë që mendojmë ta titullojmë ‘Duke festuar në Shqipëri’. Mendojmë se e shijuam shumë qëndrimin këtu, nuk e pamë vetëm si punë. Jam e sigurt që secili nga ne do të japë përshtypjet e veta, edhe brenda në revistë, që është një destinacion për t’u zbuluar sa më parë. Kemi përshtypje mjaft pozitive.

Do ta këshillonit Shqipërinë si destinacion për turistët? A do të dëshironit të vinit sërish?

Sigurisht që po. Do të dëshironim të vinim gjatë sezonit veror që ta shijojmë më shumë. Jemi të sigurt për këtë. Mendojmë se është një destinacion për t’u vizituar. Po bëhet gjithnjë e më shumë popullor. Do të dëshironim të shihnim edhe vende të tjera. Për shembull., Tiranën e pamë fare pak. Ose të tjera destinacione, qytetet kanë ndryshuar shumë me kalimin e viteve, ndaj duhen vizituar, ose rishikuar për ata që kanë qenë më parë. Ndaj dhe ne mendojmë se do të ishim të interesuar ta shihnim sërish pas pak kohësh.

A ofron Shqipëria vende interesante për të xhiruar për tematika të tjera, jo vetëm reklamë makinash?

Gjykojmë se po. Për shembull, do ta veçonim për prodhimin e verërave, apo për mjaltin. Nga ana tjetër, edhe historia e vendit do të përbënte potencial për t’u trajtuar, ka aq shumë site që dëshmojnë jetëgjatësinë dhe histori që preken nga afër. Na bënë shumë përshtypje bunkerët, të cilët i kemi fotografuar menjëherë sa i pamë. / KultPlus.com

Hapet konkursi për edicionin e tretë të Kolonisë ASA, tema për Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut

Hapet konkursi për pjesëmarrje në edicionin e tretë të Kolonisë së ASA-ve. Të drejtë konkurrimi kanë të gjithë krijuesit artistët, stilistët dhe arkitektët nga Shqipëria dhe mbarë trevat Shqipfolëse.

Krijuesit mund të konkurrojnë me një ose më shumë se një punim apo skicë- ide, në teknika të ndryshme të artit pamor dhe arkitekturës.
Veprat/skicat duhet ti përmbahen tematikave historike mbi vitin mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Punimet do t’i nënshtrohen vlerësimit dhe do të përzgjidhen nga juria profesionale;
Skicë-idetë e autorëve krijues që do ti përmbahen temës për Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut do të përzgjidhen për tu bërë pjesë e kolonisë që do të zhvillohet në Qytetin e Vitisë nga data 20-22 Prill 2018 për të realizuar/finalizuar punimet/skicë-idetë.

Këto punime do të jenë automatikisht të përzgjedhura për pjesëmarrjen në Festivalin Ndërkombëtar “ASA Aëards” edicioni i 7-të.
Afati për aplikim:
Punimet mund të dorëzohen online ne formatin JPEG ose PDF në adresën e emailit: [email protected] , krijimet do të pranohen nga data: 1 Prill deri më 13 Prill ora 23:59, 2018.
Krijuesit e përzgjedhur do të njoftohen ditën e hënë nëse janë përzgjedhur të jenë pjesë e kolonisë.

Për çdo informacion shtesë mund të kontaktoni në:
Tel: +355 69 77 40 40 6
Email: [email protected]
Facebook: Qendra Kulturore ASA
Instagram: @QendraASA

Masakra e 2 prillit në Shkodër, zbulohen fotografi të rralla (FOTO)

Sot mbushen 27 vjet nga Masakra e 2 prillit 1991 në qytetin e Shkodrës, ku u vranë 4 dëshmorë të Demokracisë.

Gjatë protestës masive, manifestuesit dogjën zyrat e Komitetit Qendror të PPSH-së në qytetin verior.


Në këto foto që publikohen për herë të parë, tregohet me detaje se si protestuesit treguan vendosmëri për të mësyrë në godinën e Komitetit Qendror, duke shënuar një nga revoltat më të mëdha pas viteve ’90.


Kjo ngjarje konsiderohet dhe si masakra e fundit e komunizmit në Shqipëri, ku mes turmës që protestonte u vranë me snajperë nga forcat e sigurimit, Bujar Bishanaku, Arben Broci, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka./Gazeta-Shqip.com/ KultPlus.com

Mbi 200 gjëra personale të Frida Kahlo për herë të parë në Londër

Ekspozita e shumëpritur në V&A, pritet të mbledh në Londër më shumë se 200 elemente të cilat i kishte shfrytëzuar dikur artistja e njohur Frida Kahlo.

Rrobat, stolitë e një këmbë protezë të cilat i përkisnin piktores së njohur, ishin të mbyllura në shtëpinë e saj për më shumë 50 vjet, ndërsa kjo renditet hera e parë që ato do të shfaqen për adhuruesit e artit, jashtë Meksikës.

(The Victoria and Albert Museum) në Londër është muzeu më i madh në botë i arteve dekorative dhe dizajnit, që strehon një koleksion të përhershëm mbi 2.3 milion objekte, porse tani do të eksplorojë elemente të artistes, njërës nga gratë më të njohura të shekullit 20-të.

Kjo ekspozitë e cila do të shfaq brenda mureve të muzeut elementet më të shfrytëzuara nga Frida Kahlo, ngjason në atë të vitit 2012 teksa përfshinë dhe pikturat e saj si dhe fotografi bashkë me bashkëshortin Riviera të shoqëruar me miqtë.

Ekspozita nis nga 16 qershori dhe do qëndrojë e hapur deri më 4 nëntor në Londër, njofton Klan Kosova./ KultPlus.com

Anektoda dhe situata komike nga jeta e aktorit Aleksandër Moisiu (FOTO)

Nga Pjeter Logoreci

Është në natyrën e njerëzve të kenë kureshtje për shumë gjëra që i rrethojnë. Aq më shumë kur bëhet fjalë për figura të spikatura të botës artistike, politike, sportive…. Mua më ngacmoi kurioziteti për të njohur jetën e të madhit Aleksandër Moisiu. Ndodhë që kur ndeshesh me gjëra të reja, kurioziteti kthehet në interesim e interesimi në qëllim, e ndoshta në hobby. U ndodha fatmadh që munda të kem në dorë e të shoh gjëra që jo çdonjëri mund ti shohë, nga jeta e këtij kolosi. Foto madhështore, për nga profesionalizmi e përmbajtja, letra imtime familjare e shoqërore, gazeta me artikuj kritik të kohëve kur jetoj artisti (në shumë gjuhë), procesverbale dhe fatura shpenzimesh, vërtetime honorarësh që mbanin firmën e bashkatdhetarit tim.

Pas disa shkrimeve në SUPLEMENTIN RILINDASI që patën informacione të panjohura nga jeta artistike e private e Moisiut, dëshiroj kësaj here të shuaj kureshtjen e lexuesit shqiptar duke zbuluar anën tjetër të këtij gjeniu, atë njerëzore, shpirtin optimist e plot humor me të cilin ai kaloj shumë situata të vështira në jetë.

Natyrshëm edhe një person i famshëm, si kushdo tjetër , përjeton momente në jetë të cilat e sjellin në situata tragjikomike.

Edhe Sandro-ja i ynë, që në vitet e fëmijërisë kishte natyrë të heshtur e të shkujdesur, por dallohej për karakterin e tij të ndjeshëm, për inteligjencë, për fantazi e humor. Familjarët tregojnë që ai gjithmonë krijonte situata gazmore, ku përfshiheshin të gjithë.

Një herë për të tërhequr vëmendjen e nënës dhe për të “ndëshkuar” motrën e cila zgjohej shumë vonë nga gjumi, ai ishte gjunjëzuar te fundi i shtratit të saj dhe me duar të bashkuara, bënte sikur lutej për një njeri që nuk “do të zgjohej më” . Situata komike dhe humori i sjelljes së tij detyruan nënën, e cila ishte natyrë shumë autoritare, të vejë buzën në gaz dhe ti qortojë të dy….

Motra Melanie kujton: gjatë kohës të pushimeve të verës, familja kalonte disa ditë pranë detit, në Grignano. Sandro, që ishte një notar i mrekullueshëm, hidhej nga shkëmbinjtë e lartë në ujë dhe argëtohej shumë. Një herë hipur mbi një shkëmb të bregdetit filloj të këndojë këngën e dëgjuar të detareve: mbi kuvertë qëndroj, në mes të shtrëngatës, lamtumirë Atdheu im i dashur, unë i përkas detit…. dhe në fjalën e fundit u hodh dhe notoj aq shumë nën ujë, saqë nëna vrapoj e merakosur drejt detit duke thirrur: ku është ai, ku është ai?? Dha ai ….. “huch…”….u ngrit me zhurmë tek këmbët e nënës së frikësuar: …duke thirrur….ja tek jam …. përsëri në tokën italiane…

Më vonë kur ai ndodhej në udhëtime apo në turne në vende të ndryshme të botës, dërgonte në shtëpi karta ekspres për të përshëndetur familjen e veçanërisht nënën duke bërë të njohur dhe vendin ku gjendej. Paguhej mirë për shfaqjet, por edhe biznesi i shitjes së pllakave të gramafonit me zërin e tij i solli shumë të holla. Në festat e fundit të vitit, kur qëllonte të ndodhej larg familjes, kujdesej që karta e urimit të krishtlindjeve ti arrinte nënës me saktësi në natën e festës. Një herë në këtë vigjilje ai dërgoj një shumë të madhe parash për familjen të shoqëruar me një kartoline mbi të cilën shihej “koka e tij mbi një pllakë gramafoni”…. Nëna që i kuptonte mirë “lojërat e tij”, na e zbërthej “mesazhin” … shuma e parave që ka dërguar vjen nga fitimi i madh që ai ka kohët e fundit nga shitja e pllakave të gramafonit…

Kur ndodhej në ndonjë hotel në Paris apo kur darkonte në ndonjë restaurant, ai bënte shumë humor me kamerierët dhe punonjësit e hotelit të cilët e njihnin mirë: …kur erdha për herë të parë në Francë , i tregonte atyre, mundesha krejt mirë të flas frëngjisht, flisja ngadalë, por qartë dhe më kuptonin kudo, por….unë vetë… dhe gajasej së qeshuri ; – unë vetë nuk kuptoja gati asgjë çfarë më flisnin…

Moisiun e shihje kurdoherë të rrethuar nga gratë, ishte heroi i tyre. Aq sa i famshëm e specialist ishte ai për “skenat e vdekjes”, po aq i famshëm dhe specialist ishte ai me gratë. Lidhjet e tija dashurore diheshin nga të gjithë fansat e gazetarët. Por kur bëhej fjalë për familjen apo gruan e tij, ai ishte shumë xheloz. Një herë gruaja e tij e dytë nga Berlini, Hetha Hambach e lodhur nga xhelozia e tij e pakuptimtë, vendosi ti bëjë një “leksion surprizë”…. Më të hyrë në apartamentin e tij në Berlin, Aleksandri u përball me një letër të hedhur si për shpejt mbi dysheme. Letra përmbante pak fjalë të shkruara keq nga nervoziteti. “ Isha KOTELJA ..yte, tashti jam e vdekur” . Me një tronditje të papërshkruar në shpirt, duke ndjerë veten fajtorë për situatën e krijuar, ai alarmon policinë e cila fillon të kërkojë kufomën e Hertha-s. Atij i vjen ndër mend që e shoqja e kishte kërcënuar se “do të hidhej në lum po qe se nuk do të kishte tjetër në jetë….” ..E tmerrshme…mendon Aleksandri, a thua të ketë ngjarë….dhe kërkoj gjatë gjithë natës së bashku me policët, ndërkohë që Hertha gjindej te një shoqe e saj duke shijuar këtë “kurth hakmarrje”.

Në botën e artit që e rrethonte ai përballej shpesh edhe me intriga apo thashetheme për të cilat gazetarët ishin shumë të ndjeshëm.

Gjatë një mbrëmje festive, kujton e shoqja Terwin, në praninë e shtypit, regjisori Reinhardt tha: …djaloshi i ri që sapo njoha, është aktori që më duhet. Të nesërmen në një ndër gazetat ditore të Berlinit shkruhej: zotëri Moisiu është aktori i zgjedhur nga Max Reinhardt, ai do të marrë fitimin, tash i mungon vetëm talenti…..

Moisiu ishte shumë i njohur për zërin e tij të veçantë. Ai këndonte shumë, por edhe i duhej të kujdesej për zërin. Ndodhte që nga njëherë zëri nuk i bindej ose kishte ngërçe nga të bërtiturat e forta në rolin e Fedjas. Ndodhi që në provën gjenerale të “KUFOMES SE GJALLE” që ishte roli më i zgjedhur e më i dashur i jetës së tij, të pushtohej nga emocionet. Një ndjenjë ankthi që në gardërobë bëri që ai ti lutej shumë herë regjisorit Max Reinhardt që të ndërpresë provën…, zëri ju bllokua dhe sytë i lotonin pa pushim. “Ky është risku i punës së aktorit shpjegonte Moisiu..këto janë gjëra që nuk mund ti parandalosh…e rëndësishme është të mos ngjasë në premierë..”

Në mesin e dhjetorit 1930 në një gazetë ditore Vjeneze doli një lajm i pazakontë i cili bëri që emri i Sandros të përflitej ditë me radhë. Gjëja e pazakontë ishte jo emri i Aleksandër Moisiut, por një vjedhje spektakolare në vilën e tij në Hernals të Vjenës. Shtëpia, ku banonte Moisiu kur ndodhej në Vjenë, ishte në një zonë kodrinore të rrethuar me pyll e jo shumë të populluar të qytetit. Hajdutët hynë në vilë duke thyer xhamin e një dritareje në katin përdhes dhe meqenëse vila ishte e pabanuar, ato patën kohë gjithë natën për të “punuar” të qetë duke i bërë shtëpisë një kontroll të hollësishëm. Pasi përcaktuan gjërat që do të merrnin me vehte u ulen me nge të shijonin të patrazuar dy shishe me shampanjë që gjetën, e më vonë iu erdhi frymëzimi për të bërë humor apo komedi, duke veshur me radhë kostumet që aktori mbante në gardërobën e tij. Rrethuar nga dekori i këndshëm i shtëpisë, dy grabitësit u ndjenë për orë të tëra aristokratë, saqë kur u larguan, duke marrë me vehte peliçe të çmueshme, kostume dhe stoli prej argjendi me një vlerë rreth 10 000 Shilling.. , dolën të veshur si gjentelmen, sipas modës më të re “në kokë me cilindër vezullues e në këmbë këpucë lustrafino”. Por eleganca e tepruar i tradhtoj pasi tërhoqën vëmendjen e kalimtarëve që i njohën, gjë që qoj në kapjen e tyre një ditë më pas. Të dy hajdutët ishin personazhe të njohur në atë zonë, njëri i quajtur Franz Horn ishte ndihmësi i kasapit të lagjes dhe tjetri Ferdinand Guttmann ndihmës në dyqanin e argjendarisë aty pranë. Të dy pranuan vjedhjen dhe treguan që gjërat i kishin shitur tek një i njohur i tyre për 158 Shilling, ku dhe u gjetën të padëmtuara. Hajdutët u dënuan nga gjykata për vjedhje me thyerje të pronës private.

Shfaqjet përfundonin shumë herë me vdekjen e personazheve kryesorë të cilët i interpretonte Moisiu dhe shpesh atë e lodhte mendimi që të mos “vdesë njëlloj me herët përpara”. Ndodhi në Teatrin Gjerman, gjatë shfaqjes të George Bernard Shaw “Dilema e Doktorit” ku ai interpretonte piktorin Debudat, që në aktin e katërt duhej “të vdiste”. Ishte një skenë makabre….Moisiu , i veshur me këmishe nate ishte i ulur në një karrocë të sëmurësh, në agoni. Gruaja e tij (të cilën e interpretonte aktorja Tilla Durieux) i qëndronte pranë, ndërsa mjekët po prisnin vdekjen e tij. Asnjë fjalë…..atmosfera ishte e tendosur. …..Aleksandri gjysmë i vdekur ishte i heshtur ………papritur e pakujtuar hidhet dhe flet….. jo sot nuk dua të vdes, nuk dua …të …vdes…. Mjekët aktorë të befasuar nga kjo çmenduri, me zor mbanin të qeshurat…. Gruaja, që i ndodhej pranë e befasuar filloj ti lutej: … ti duhet të vdesësh tashti, o zot i madh, ti duhet të vdesësh, të lutem… Moisiu thërriste i papërmbajtur….Nuk dua….sot nuk dua të vdes……. e padiskutueshme nuk do të vdes këtu…. më nxirr në dhomën pranë….ndoshta …aty mund të vdes…Njerzit të cilët nuk e njihnin pjesën kujtuan se ishin fjalët që përmbante roli. Gruaja (Durieux) me zgjuarsi drejtoj karrocën drejt dhomës tjetër e ndërsa perdja ra, në sallë, publiku i habitur dëgjoj thirrjet e Durieux….. i shkreti burri im, po vdes …..vdiq….

Një mike e Aleksandrit, shkrimtarja Therese Rie alias L. Andro tregon: Moisiu nga pamja e jashtme dukej çuditërisht shumë i ri. Një herë gjatë një aktiviteti në Neuen Wiener Bühne, në zyrën e drejtoreshës Ellen Geyer Neustäder, ai u takua me një aktore të re e cila, meqë nuk e njihte atë, e kujtoj për një fillestar. Me deshirën për të dijtë dicka më shumë për kolegun, vajza e pyet nëse ai ka “gjetur punë” apo luan ndonjë rol diku? Moisiu natyrshëm pohon me kokë. “E ku,… vazhdon me kërshëri vajza,… në Neuen Wiener Bühne? Cilin rol keni ju ketu?” Aleksandri i buzëqeshur përgjigjet: ….po ja ….si të them….luaj Hamletin, … Fedjan te Kufoma e gjallë…..” Çfarë, hidhet vajza, këto janë rolet e Moisiut?” Duke qeshur nga situata e krijuar zonja Neustädter e sqaron aktoren e re që përballë saj ndodhet i gjiganti i skenës gjermane, Aleksandër Moisi./ KultPlus.com