Falmë

ROBERT SHVARC / Përktheu Flutura Kuqani Malo

Oh, falmë, falmë mikja ime
në të lëndova përsëri
at’ plagë që s’don më ngushëllime,
që don të mbetet si jetime,
krenare pa njeri!

Oh, falmë, falmë pse kërkoj
prej teje unë dashurinë
e dhëmbshurisht pse të qortoj
në çastet-vrer, kur shpejt harroj
se ty ta vranë rininë…
Esht’ malli im gjithë pikëllim
që djeg e bren aq pushtetplotë
e kur s’e gjen atë flijim
që e njeh aq fort në shpirtin tim,
i mbeten veçse lotë!

Esht’ zemra ime q’u mësua
çdo rrahje t’sajën ta durojë,
që kurrë s’i tha njeri “të dua!”
që u ndez përherë dhe u shua
pse di të dashurojë.
E pra, më fal e dashur ti,
tani t’kuptoj unë ty më mirë:
çdo çast dhe unë po ndiej mërzi
e shpesh s’kam mall, s’kam dashuri,
s’kam gaz, s’kam më dëshirë!

Oh falmë, falmë mikja ime,
s’do t’i lëndojmë ne kurrsesi
k’to plagë që s’duan ngushëllime,
që duan t’mbeten veç jetime
ashtu si unë, ashtu si ti…

Në Sarajevë prezantohet seriali më i ri rajonal “Në konak te Hilmija”, luan aktori kosovar Ilir Tafa

Në Kinemanë e Sarajevës “Meeting Point” dje u mbajt një konferencë për shtyp për serialin më të ri rajonal “Konak kod Hilmije” (Në konak te Hilmija), ku luan aktori kosovar Ilir Tafa.

Ky serial komedi, me skenar të Feda Isoviç dhe regji të Elmir Jukiç, që është koproduksion i Davor Purishiç dhe Nebojsha Garica, na kthen prapa në kohën e okupimit të Sarajevës gjatë luftës së Dytë Botërore, transmeton Gazeta KNN.

E gjithë ngjarja zhvillohet në shtëpinë e “Hilmija”, në të cilën vijnë për vizitë të gjithë, duke nisur nga komunistët ilegalë, ustashat, çetnikët, ushtarët te divizionit Handzhar e deri tek ushtarët gjermanë dhe komandanti i qytetit Shtumbafirera Shillinga, ku njëri-tjetrit i bëjnë komplote para ‘hundëve’ dhe ku tensionet etnike bëhen më pak të rëndësishme se sa interesi material/personal.

Në këtë konferencë për shtyp morën pjesë edhe aktorët e këtij seriali: Emir Hadzhihafizbegoviç, Marko Cindriç, Ilir Tafa, Almir Kurt, Emir Z. Kapetanoviç, Adnan Omerović, Miki Trifunov dhe Dino Sarija.

“Në konak te Hilmija” gjithçka është e mundur. Historia është thjesht një rrëfim, jo një detyrim i rreptë faktik. Shikuesve të këtij seriali i’u ofrohet një lojë e shkëlqyer e aktorëve në këtë komedi.

“Loja është mjaft dinamike, aktrimi i shkëlqyeshëm. Sipas tematikës dhe personazheve, “Në konak te Hilmija” shfaqet situate e pazakontë komike, në të cilën kemi mbledhur një ekipë të mrekullueshëm të aktorëve. Presim me padurim reagimin e publikut, sepse në të flasim për historinë e vitit 1941, ndërsa po e luajmë në kohën e tashme”, tha regjisori i serialit Elmir Jukić.

Seriali “Konak kod Hilmije” (Në konak te Hilmija) do te fillojë transmetimin në Bosnjë, Kroaci, Serbi dhe Mal të Zi me 7 maj ne kanalin “Top”. /KultPlus.com

Komuna e Prishtinës me Memorandum Mirëkuptimi me CHwB Kosova

Është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Fondacionit Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB) lidhur me zhvillimin e pjesës së projektimit, ekspertizës dhe mbështetjes që të bëhet mbrojtja, promovimi dhe konservimi i trashëgimisë kulturore në Komunën e Prishtinës.

Qëllimi i memorandumit të nënshkruar është projektimi i një rruge model për Qendrën Historike të Prishtinës, hartimi i planit të konservimit për Qendrën Historike të Prishtinës ku do të përcaktohen kufijtë e Qendrës dhe të ofrohet mbështetje e përgjithshme në fushën e trashëgimisë kulturore përmes projekteve që lidhen me promovimin e trashëgimisë kulturore në Komunën e Prishtinës, si dhe në projektet që ndërlidhen me turizëm, arkitekturë dhe historik në qytet./ KultPlus.com

Asaj që iku…

Poezi e shkruar nga Mikhail Yuryevich Lermontov.

Nuk të përulem, ka mbaruar,
Asnjë premtim i yti s’hyn dot
Në shpirtin tim për ta sunduar,
Jemi të huaj, sot dhe mot.

Ti ke harruar që lirinë
S’ia fal mashtrimit kurresesi,
Por dhe kështu, vite që s’vijnë
Për sytë e tu u bëra fli.

Edhe kështu tek ti pandehja
të gjeja shpirt e shok e short;
Dhe tërë botën e urreja,
Që të të doja ty me fort.

Gjithë ato çaste të qëndrimit
Tek këmbët tuaja, e beson?
Ia kam rrëmbyer frymëzimit
Më se po mi zëvendëson?

Nga ndonjë çast mendimbegatë
Dhe forc’e shpirtit s’ish çudi,
T’i jepje botës një dhuratë
Dhe të më jepte pavdekësi.

Pse doje pra të më ndërroje
atë kurorë lavdiplot?
Pse s’qe atëherë kur premtoje
E tillë siç je bërë sot?

Krenar jam, falmë është e kotë,
kërko një tjetër dashuri;
Për asnjë gjë në këtë botë,
Nuk mund të rri në skllavëri.

Nën qiell të jugut, në vend tjetër
Do të largohem, ndoshta shpejt.
Po jemi njohur pak si tepër,
Për t’u harruar ashtu krejt.

Që sot do të zë të argëtohem
Dhe të betohem paskëtaj,
Vetëm do qesh e do gëzohem
Dhe për asgjë nuk do të qaj.

Do rrej si djalli sa të dua,
Si desha, më s’do dashuroj,
A mund të dua më një grua,
Kur sot një engjull më tradhëtoi?

Të vdisja desha dhe të vuaj,
me botën desha të luftoj;
Që fort të voglën dorën tuaj,
I çmendur, të mundja ta shtrëngoj.

Pa të kuptuar dot mashtrimin,
Ta fala shpirtin mbushur plot;
Ia njohe këtij shpirti çmimin?
Ia njohe, une s’të njoha dot.

“Një përgjigje gjermane për Dua Lipën dhe Rita Orën” vjen kënga e re e Dafinës (VIDEO)

Këngëtarja Dafina Kastrati e cila debutoi fuqishëm me këngën “Shot Calling”, tashmë vjen me një këngë të re e cila pritet të ketë sukses të madh ndërkombëtar.

“Don’t let me go”, është kënga që e sjellë Dafinën me X Rinor, shkruan KultPlus. Kënga është shkruar nga Yll Limani ndërsa miximi nga Floren Boshnjaku.

Në një njoftim dërguar nga produksioni gjerman Record17, thuhet se kjo vjen si një përgjigje gjermane ndaj Dua Lipës dhe Rita Orës.

“Kjo është një përgjigje gjermane ndaj Dua Lipës dhe Rita Orës. Me debutimin e saj të fuqishëm të singlit “Shot Calling” Dafina jo vetëm që kishte katapultuar në rang listat e ndryshme në mbarë Evropën, por gjithashtu arriti edhe që kënga e saj me javë të tëra të sillej në ekranet televizive të MTV, VIVA si dhe në TV Programet afariste të McDonalds. Dafina ka ndërmarr shumëçka për vitin 2018. Kështu që ajo në ndërkohë punon në një numër të madh të singleve”, thuhet në njoftim.

Kënga që nga nesër do të lansohet në të gjitha televizionet si në MTV, VIVA e kështu me radhë./ KultPlus.com

Ibrahim Rugova: Nënë Tereza më ka frymëzuar edhe në punët e shtetit

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova ka thënë se figurën botërore të solidaritetit, Nënë Terezën e ka pasur inspirim e shembull për t’u ndjekur ndërsa e kishte takuar vetëm një herë në Romë, shkruan KultPlus.

Në një intervistë për Radio Vatikanin, Presidenti i parë i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova ka thënë se Nënë Tereza është sinkronizimi i gjithë historisë shekullore të shqiptareve ndërsa ka shtuar se ajo është simbol për popullin shqiptar.

“Nënë Tereza ka qenë një grua simbol për të gjitha gratë shqiptare jo vetëm në Kosovë për në të gjitha viset shqiptare. Prandaj unë si kryetar i Kosovës mund të them emër të grave, femrave dhe burrave të vendit se Nënë Tereza ka qenë një simbol si në kohëra të vështira ashtu edhe sot se si duhet të punohet në bazë të dashurisë, bamirësisë dhe solidaritetit”, ishte shprehur presidenti Rugova për Radio Vatikanin.

“Mua më ka frymëzuar aq shumë edhe gjatë kohës sa merrem edhe me punë të shtetit të Kosovës dhe që kemi ndërtuar shtetin modern të Kosovës, pra po behën disa vite që Nënë Terezën e kam pasur si shembull të dashurisë, paqes, mirëkuptimit mes njerëzve dhe shërbimit ndaj popullit të vet”, kishte thënë Rugova, ndërsa ka treguar se edhe pse veprën e saj e njeh shumë mirë, vetëm një herë kishte pasur rastin që ta takoi rastësisht në aeroportin e Romës, ku i ishte prezantuar si President i Kosovës, ndërsa ajo i kishte dhënë urimet më të mira për vendin./ KultPlus.com

“100 vjet nga lindja e Ibrahim Kodrës”, Kosova e Maqedonia me ekspozitë të përbashkët

Galeria Kombëtare e Maqedonisë prezanton ekspozitën “100 vjet nga lindja e Ibrahim Kodrës”, e cila do të realizohet në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Kjo ekspozitë vjen më 12 maj me fillim nga ora 20:00 në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë.

Ibrahim Kodra (22.04.1918, Ishëm, Shqipëri – 07.02.2006, Milano, Itali), artisti shqiptar i njohur botërisht shkon nga Shqipëria në Milano dhe në Romë, Itali, ku zhvillon krijimtarinë e tij në Akademinë botërore të artit figurativ Brera. Atje krijon, shoqërohet dhe ekspozon me emrat më të njohur të artit botëror të asaj kohe, si: Pablo Pikaso, Anri Matis, Amadeo Modiljani, Zhorzh Ruo, Zhorzh Brak, Huan Miro, Oskar Kokoshka dhe të tjerë, ndërsa në Milano ka përpunuar disa freska për muzetë dhe ndërtesat më të njohura.

Kodra vazhdoi të ekspozonte në shumë qendra nëpër botë (Nju Jork, Tokio, Palermo, Shtutgard, etj), duke arritur një sukses të madh. Veprat e tija artistike, të krijuara me ndikime post-kubiste, janë pasuruar me reminishenca të traditës së vendlindjes së tij, Lindjes së afërt, Bizantit, takimet me kulturat e detit Mesdhe. Veprat e tij artistike gjenden në shumë muze dhe përmbledhje private, siç është Muzeu i Vatikanit.

Kjo paraqitje e krijimtarisë të këtij artist shqiptar me renome, i cili ka ekspozuar dhe bashkëpunuar me më shumë emra botërorë që kanë shënuar rrjedhën e artit modern dhe bashkëkohor në Evropë dhe në botë, do të përfshijë vepra nga periudha të ndryshme të krijimtarisë së Ibrahim Kodrës. Në ekspozitë do të shfaqen vepra nga koleksioni i Galerisë kombëtare të Kosovës dhe Fondacionit “Ibrahim Kodra” nga Milano.

Ekspozita do të hapet më 12 maj 2018, në ora 20:00, në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë, në objektin Çifte Hamam dhe do të qëndrojë e hapur deri më 12 qershor 2018./ KultPlus.com

Se kupton ti të jesh tjetra (VIDEO)

Përmes zërit të Rosela Gjylbegut çdo këngë ka pasur një jehonë tek publiku, i cili atë e ka njohur veçmas përmes interpretimeve të mrekullueshme e plot emocion në festivale të ndryshme shqiptare, shkruan KultPlus.

Sot ju sjellim një kënge të Festovalit “Kënga Magjike 2008”, atje ku Rosela Gjylbegu interpretoi këngën “Tjetra”, me tekst nga Pandi Laço, kompozimi Darko Dimitrov. Me këtë këngë ajo edhe fitoi “Çmimin Çesk Zadeja”.

Ti nuk e di jo
te ndihesh tjetra
mëkatare përfolur t’jesh
me një perde dyshimi mbuluar ti ngado , ngado.

Se kupton ti te jesh tjetra si nga djalli largohen pa fjalë
e pa denjë e pa vlerë braktisesh pa faj

Nga vështrimet e tyre ti stepesh
dhe hije jetën jeton e me kot ti besimin të kthehet e kërkon
dhe kafshon

Se kupton ti të jesh tjetra si nga djalli largohen pa fjalë
e pa denjë e pa vlerë braktisesh pa
faj.

Ref.
Nënshtrohem, marrosem
e me djeg prapë
flaka jote
Verbohem, vetmohem
ma kthe ti prapë kthema jetën jetën time.

Ti nuk e di jo
te ndihesh tjetra
mëkatare përfolur të jesh
me një perde dyshimi mbuluar ti ngado , ngado.

Se kupton ti te jesh tjetra si nga djalli largohen pa fjalë
e pa denjë, e pa vlerë braktisesh pa faj

Te jem e vetmja dhe vetëm unë
te prehem si asnjëherë te tii

Ref.
Nënshtrohem, marrosem
e me djeg prapë
flaka jote
Verbohem, vetmohem
ma kthe ti prapë jetën time.
Kthema jetën time nanannooann

Nënshtrohem marrosem
e me djeg prapë flaka jote
Verbohem, vetmohem
ma kthe ti prapë jetën time
Verbohem, vetmohem
ma kthe ti prape
kthema jetën time
kthema jetën, jetën timeee

103 vite nga Traktati i fshehtë i Londrës

Traktati i fshehtë i Londrës i mbajtur më 26 prill të vitit 1915, ishte marrëveshje e fshehtë e përfunduar midis fuqive të Antantës dhe qeverisë italiane për të plotësuar pretendimet e imperializmit italian në Shqipëri dhe lakmitë ekspansioniste të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, shkruan KultPlus.

Sipas pikës 5 të Traktatit, bregdeti shqiptar prej derdhjes së Bunës në veri deri në derdhjen e Drinit në jug, përfshirë Shëngjinin, do t’i kalonte Serbisë dhe Malit të Zi. Sipas pikës 6 Vlora dhe ishulli i Sazanit i kalonte Italisë.

Sipas pikës 7 Italia detyrohej të mos e kundërshtonte dëshirën eventuale të Francës, Anglisë dhe Rusisë që pjesët veriore e jugore të Shqipërisë të ndaheshin midis Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë, ndërsa në Shqipërinë e Mesme do të formohej shteti shqiptar “autonom”, i cili do të ishte nën protektoratin e Italisë. Traktati u hodh poshtë nga Kongresi i Leshnjes./ KultPlus.com

Gashi: Kosova ka bërë hapa mëdhenj me aprovimin e legjislacionit modern për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në konferencën “Të Drejtat Pronësore Intelektuale” e cila u organizua në Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Dogana e Kosovës. Motoja e konferencës për këtë vit është “Gratë në inovacion dhe kreativitet”.

Ministri Gashi në fjalën e tij të rastit në hapjen e kësaj konference u shpreh: “Motoja e këtij viti Gratë në inovacion dhe kreativitet, është moto e qëlluar dhe shumë e rëndësishme, sepse të gjithë ne e kemi të qartë se gratë janë shumë kreative dhe inovative, dhe se gratë janë forca e ndryshimit. Institucionet veçanërisht duhet që të punojnë që të përkrahin dhe nxisin sa më shumë që gratë të angazhohen në punë kreative dhe inovacion, kështu do të siguronim kontributin e tyre të veçantë dhe të çmuar për kulturën dhe shoqërinë tonë”.

Më tej, ministri Gashi tha se “pronësia intelektuale ka një rëndësi shumë të madhe për zhvillimin dhe avancimin e kulturës, shkencës dhe teknologjisë së vendit” dhe shtoi: “Ne jemi duke punuar për të krijuar një sistem të drejtës së autorit, ku krijuesit, performuesit dhe mbajtësit tjerë të të drejtave të autorit kompensohen dhe veprat e tyre trajtohen ndershëm e me dinjitet, ky është edhe qëllimi i ligjit për të drejtën e autorit dhe mision i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Krijimtaria kulturore e mbrojtur me të drejtën e autorit sot është e ardhmja e trashëgimisë kulturore nesër, ne duhet t’i inkurajojmë dhe t’i japim nxitje krijuesve, përformuesve dhe investitorëve, në punën dhe investimet e tyre”.

“Kosova ka bërë hapa mëdhenj me aprovimin e legjislacionit modern për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta” vazhdoi Gashi dhe bëri të ditur se kjo vlerësohet edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2018.

Ministri Gashi po ashtu foli edhe për arritjen e marrëveshjes për tarifat e përgjithshme në mes të Shoqatës për menaxhim Kolektiv në fushën e muzikës “APIK” dhe të përfaqësuesve të televizioneve dhe radiove, duke shtuar se “ky është hap historik për vendin, që siguron zbatim të drejtave të autorit dhe kompensim të autorëve, përformuesve e producentëve. Së shpejti do të miratohet Strategjia e re Kundër Piraterisë, dhe Rregullorja për Kompensime të Veçanta, duke siguruar kështu vazhdimin e përmbushjes së standardeve ndërkombëtare dhe jetësimin e të drejtave të autorit”.

Gjithashtu, ministri Gashi tha se “zbatimi i të drejtave të autorit mbetet sfidë e institucioneve të zbatimit të ligjit, të vazhdojnë të marrin masa për të siguruar zbatim të drejtave të autorit. Posaçërisht zbatimi i drejtave të autorit në ambientin digjital kërkon më shumë angazhim dhe bashkëpunim edhe me autorët, performuesit dhe shoqatat e tyre, me qëllim që të jemi sa më të suksesshëm në krijimin e një sistemi të drejtave të autorit, ku krijuesit e performuesit mbrohen e kompensohen për punën e tyre”.

Ministri Kujtim Gashi, në fund të fjalës së tij në këtë konferencë, vuri theksin te zbatimi i ligjit, duke thënë se “vetëm duke zbatuar ligjin për të drejtat e autorit mund të ketë një zhvillim të krijimtarisë artistike, shkencore dhe kulturës në përgjithësi, përfshirë këtu zhvillimin e industrive kreative dhe medieve të shkruara dhe elektronike së bashku me radio dhe televizione”./ KultPlus.com

“Sarah”, një roman për gratë që guxojnë të jenë ndryshe

Shkruan: Donjetë Telaku

Një grua, një mbret- dy personazhe historike, kohë mes dy luftërave botërore, një vallëzim, thyerje rregullash, një vrasje e mistershme, një dashuri, lufta për pushtet. Një kaos i tërë jetësor të cilin Alfred Peza di ta rendojë aq natyrshëm sa lexuesi çdo faqe të romanit do ta lexojë gjithë kureshtje, përshkrimi deri te pikat më të pavërejtshme, numeraconi deri te fazat më të zgjeruara, proverbat, do të na bëjnë të shohim dhe të ndiejmë frymën e atëhershme të Shqipërisë, njëkohësisht edhe prapavijën e një shoqërie të sotme.

Sara Blloshmi, Sarah një emër princeshe, gruaja e një deputeti, mbesa e Ismail Qemailt, e lindur dhe rritur mes perëndimit e lindjes, do të arrijë të jetë gruaja më e civilizuar, gruaja më e bukur dhe e përfolur e Shqipërisë së Ahmet Zogut. Ajo me një vallëzim të lehtë, pa ferexhe dhe me një fustan të shkurtër do të arrijë të ndryshojë botëkuptimin e Ahmet Zogut për ndryshimin e Shqipërisë drejt perëndimit duke lënë pas kanunin dhe ligjin islamik. I gjithë romani në qendër do të ketë dy personazhe historike, Sara Blloshmin dhe mbretin e Shqipërisë Ahmet Zogun, por që romani nuk do të mbetet vetëm tek historia, ai do të gërshetohet nga romanca dhe misteri, mbështjellë nga petku artistik dhe tërheqës qoftë nga ana historike- ku preket periudha e Shqipërisë gjatë Mbretërisë së Zogut, qoftë nga pjesa e misterit – thurja e zbulimi i vrasjes së Selahudin Blloshmit, dhe nga ana sentimentale apo dashuria e Ahmet Zogut për Sarën.

Sara Blloshmi u duk në skenën shqiptare, mu atëherë kur mbreti Zog kishte nevojë për më së shumti ndryshime, për ta mbajtur sa më gjatë pushtetin. Kështu Sara Blloshmi do të bëhet figura qendrore e ndryshimeve në Shqipëri, do të jetë e ftuara kryesore në ballot e vallëzimit me mbretin.

“Ajo ishte ëndrra e ndaluar e çdo mashkulli, arma sekrete e çdo mbreti, dëshira e fshehtë e çdo politikani, fantazia e ndezur e çdo diplomati, thesar i fshehtë i çdo pasaniku dhe muza e çdo artisti. Ndaj Sara Blloshmi ishte dhe do të mbetej përgjithmonë dashnorja sekrete e të gjithëve dhe e askujt në Shqipëri”.

I gjithë romani do të zhvillohet përmes një vije misteri, e cila do të fillojë me vrasjen e burrit të Sarës, Selahudin Blloshmin. Ata ishin çifti i vetëm në Shqipëri ku burri njihej nga emri i gruas së tij, ai gjendet i vdekur mu në ditën kur Shqipëria shënonte njëvjetorin e Mbretërisë, ndërsa Sara ende vazhdonte të ishte e preferuara e mbretit. Që tani e tutje Sara do të bëhet e dyshuara kryesore e vdekjes së burrit të saj. Ky është edhe momenti kulminant i gjithë romanit ku autori na bënë lojë me çiltërsinë dhe shakatë e Sarës, të cilat shpesh edhe mund të rezultonin në një përfundim keqkuptues

* “Sepse nuk ka mbret pa një mbretëreshë”.

Në shikim të parë romani flet për një grua, por po të shikojmë më thellë përmes kësaj gruaje do të kuptojmë dhe do të shohim një mbret ndryshe, një mbret që udhëheq një popull, por që vetë udhëhiqet nga gratë, nëna, motrat dhe pastaj nga vetë Sara. Prandaj ” Sarah” është një roman për një grua të guximshme,e cila pa marrë parasysh sfidat, thashethemet, epitetet,gjykimet vazhdon të qëndrojë në këmbë mu ashtu siç ishte, pa ndryshuar aspak. Takimet e fshehta, planet,shakatë, skena e dashurisë, bisedat nga temat më madhore deri tek ato më personalet të bën të kuptosh rilindjen shpirtërore që pati një burrë shtetasi për hir të një gruaje. Ajo do të jetë mishërimi i çdo gruaje shqiptare, liria të cilën e ëndërronin, qendra e xhelozisë dhe thashethemeve, njëherësh edhe pika e zezë, pika ku do të fillonte lufta e armiqve të Zogut. Ajo duhej të damkosej me emërtimin e dënuar, kështu një martesë e mundshme mes mbretit dhe Sarës, martesë që do ta qonte Shqipërinë kah perëndimi do të kishte në mes një gur mjaft problematik.

Romani “Sarah” paraqet momentin kur në historinë shqiptare fillon të bëhet përpjekja për ndryshime, dhe këto ndryshime fillojnë nga një vallëzim i një gruaje të pambuluar, për t’u bërë të pranueshme nga një gazetar

“O Moj Shqypni, e mjera Shqypni
Kush të ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë nji Zojë e randë
Burrat e dheut të thirrshin nanë!”
-Ç’të keqe kanë ato?

-E keqja është se ato nuk kanë asnjë kuptim. Sepse Shqipëria kurrë nuk ka qenë ndonjëherë “Zonjë”. E shumta ajo ka qenë një “Zotëri i rëndë”. Vërtet Shqipëria është gjinia femërore, por në realitet ajo është komplet mashkullore. Një motërzim i “ burrneshave” a “virgjëreshave “ të maleve”.

Mjafton një botëkuptim i tillë i kësaj situate nga gazetari Fuad Beu- konkretisht Faik Konica, që ngjarja që po shihej si turpi i Shqipërisë të kthehej në pikën nga do të fillonte modernizimi, në pikën ku do të niste themeli për Shqipërinë e re. Krejt kalimthi do të na shfaqet edhe Gjergj Fishta, personazhe këto të cilat e bëjnë më të gjallë botëkuptimin dhe përfytyrimin për Shqipërinë e viteve të ‘20-ta.

“ Sarah “ edhe pse një roman i vëllimshëm, është një roman i cili lexohet me një frymë, në asnjë moment nuk bëhet monoton apo të të humbasë interesi edhe pse kemi personazhe mbi të cilët duhen faqe për t’u rrëfyer jeta apo veprimtaria e tyre, autori i lidh natyrshëm e pa sforcim me linjën kryesore. Përmes këtij romani nuk mbetemi vetëm tek copëzat historike, por kënaqemi me trillin artistik që na sjell autori, misteri mbi vrasjen e Blloshmit të kujton simbolikën e numerologjisë për zbulimin e vrasjeve dhe shoqëritë e fshehta të librave të Dan Brown-it , me përdorimin e dendur të proverbave e bën leximin më të afërt me frymën e popullit shqiptar:

“ Më kollaj bën bashkë një jastëk me pleshta se dy shqiptarë në një mendje”
“ I ra gurit e çau. I ra drurit e dogji. I ra njeriut e mbajti”
“ Kur të vjen e keqja hapi derën”.

Karakteristikë tjetër e rëndësishme është se përmend një varg emrash, vendesh,elementesh, loja me fjalët me një finesë e cila pasqyron pamjen e gjithë asaj se çfarë po ndodh sa të duket se pranë vetes ke një film. Romani “Sarah” tërthorazi prek dhe pikat më karakteristike që e kanë përcjellë në periudha të ndryshme popullin shqiptar si: martesat e hershme, hakmarrja, moslejimi i divorcit, thashethemet, nuk e pranojnë atë që ndryshon nga shumica etj., pika këto të cilat mund të jenë nyja thelbësore e një krijimi të tillë. Me këtë roman autori sikur do të frymoj lirshëm, sikur do të thotë Sara Blloshmi ekziston dhe sot, edhe pas 100 vjetësh ajo është përsëri e gjallë dhe me të njëjtat konflikte.

(Autorja është studente në Fakultetin e Filologjisë, “Hasan Prishtina”, në Degën e Letërsisë Shqipe, në nivelin e studimeve Master. Shkrimi është paraqitur në lëndën,“Letërsi aktuale shqipe” dhe botohet për herë të parë.)

Përcaktohen temat boshte të Seminarit XXXVII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare

Seminari i XXXVII-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare do të nis më 20 gusht 2018. Ndërsa bashkëdrejtoritë e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, kanë përcaktuar temat boshte të edicionit XXXVII të Seminarit dhe disa nga aktivitetet qendrore.

Temat boshte të sesioneve shkencore do të jenë këto, njofton KultPlus.
Gjuhësi: Shqipja në diasporë – diaspora e shqipes
Letërsi: Topika letrare shqiptare
Kulturologji: Kultura në epokën digjitale
Temat e tryezave:
Gjuhësi: 50 vjetori i Konsultës Gjuhësore të Prishtinës
Letërsi: Skënderbeu në letërsinë shqipe
Kulturë: Edukimi medial

Si gjithmonë për gjatë dy javëve sa mbahet Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare organizohen kurse për mësimin e gjuhës shqipe për të huajt, ligjërata nga personalitete të studimeve albanologjike , shqiptarë dhe të huaj, referime me prezantime të të arriturave shkencore në fusha të ndryshme të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare jashtë temave boshte të sesioneve dhe tryezave dhe aktivitete të tjera.

Seminari nis më 20 gusht 2018 dhe mbaron më 31 gusht 2018 dhe mbahet në Prishtinë. Ndërsa për detajet e konkurrimit dhe platformat e temave boshte, organizatorët kanë treguar se do të njoftojnë publikun së shpejti. / KultPlus.com

KultFest5 këtë vit zbarkon tek Pishat në Bukosh

Është viti i pestë me radhë që Organizata Jo Qeveritare “Kult Studio”, në bashkëpunim me MorenaGroup dhe Retro bar, organizojnë eventin “KultFest”, në qytetin e Vushtrrisë, shkruan KultPlus.

“Me muzikë, pije, ushqim, shoqni e ajër të pastër”, manifestohet ky organizim i “KULT FEST5” i cili këtë vit do të zë vend tek Pishat.

Aktiviteti, I cili do të mbahet më datë 1 Maj, synon të mbledh në një vend njerëz që e pëlqejnë shoqërinë, muzikën, pijet dhe ushqimin në ambient të jashtëm. Qëllimi I këtij aktiviteti është promovimi I vendeve rekreative dhe atraktive të qytetit, bizneset dhe prodhuesit vendor. Kështu, organizatorët përgjatë këtyre viteve janë përkujdesur që “Kultfest” të zë vend nëpër lokacione të
ndryshme.

“Pishat” ofrojnë hapësirë të mjaftueshme për akomodimin e një numri të konsiderueshëm të pjesëmarrësve, ndërsa organizatorët janë përkujdesur për sigurimin e transportit nga qyteti deri në lokacionin në fjalë, I cili gjendet 4 km nga qendra e qytetit të Vushtrrisë.

gjithë eventi do të shoqërohet me muzikë të përzgjedhur nga DJ të ndryshëm dhe performanca nga artistë të njohur dhe në rritje, përfshirë këtu edhe reperin BUTA.

Eventi pritet të filloj nga ora 10:00 dhe do të zgjasë deri në orën 20:00 përgjatë kësaj kohe./ KultPlus.com

Shqipëria, xhevahiri i fundit në Europë

Shqipëria, xhevahiri i fundit në Europë. Ky është vlerësimi i zoologut sllovak, Daniel Jablonski, i cili studion reptilët dhe speciet e rralla të amfibëve.

Shqipëria është perla natyrore më pak e prekur e Europës, sipas zoologut sllovak, Daniel Jablonski. Në shkrimin e publikuar në median sllovake, ‘Dennikn.sk’, ai deklaron se në Shqipëri gjenden specie nga më të rrallët.

Shkencëtari Jablonski hulumtoi nga afër në Shqipëri disa specie të rralla, si gjarpërinj dhe breshkën e tokës më të madhe në Europë, të cilët janë në rrezik zhdukje. Në përshkrimet e tij për vendin, ai shprehet se mysafiri në Shqipëri pritet si Zot, dhe përshkruan takimet me barinjtë në male.

Zoologu filloi të punojë në Shqipëri në vitin 2007, dhe ndër vite ka ndërmarrë mbi 10 ekspedita me fokus kafshët zvarranike dhe amfibe.

Eksperti i Katedrës së Zoologjisë në Fakultetin e Shkencave Natyrore, Universiteti Komenius në Bratislavë flet me shumë dashuri për vendin e vogël të gadishullit ballkanik.

“Shqipëria është një vend i mrekullueshëm, ku bashkohet në mënyrë unike Orienti dhe Europa. Shqipëria ka tradita të lashta, një gjuhë dhe komb unik, prejardhja e të cilit ende debatohet. Malet e shumtë dhe biotipet e larmishme në një territor kaq të vogël e bëjnë Shqipërinë një vend unik europian’, vlerëson ai.

Në Shqipëri ekzistojnë dhjetra specie të rralla, të cilat nuk i shihni në asnjë vend tjetër të botës, dhe kjo sepse, sipas zoologut, ky vend ka natyrën më të egër të Europës, ku mund të zhvillohen kërkime shkencore.

Jablonski ka udhëtuar thuajse në gjithë botën, por thotë se malet e Trebeshinës janë ndër vendet më të bukura që ka parë ndonjëherë. “Në pamje të parë peizazhi lokal nuk duket mikpritës, por kur zgjoheni në mëngjes, shihni lindjen e diellit, në sfond dëgjoni zilet e deleve e dhive, dhe mund të shihni larg në ajrin e lagësht, e kuptoni se po përjetoni një moment shumë të bukur. Kështu janë pak a shumë të gjithë vargmalet e jugut të Shqipërisë. Në qoftë se afroheni për të parë, gjeni krijesa të mrekullueshme“, tha zoologu.

Malet e Trebeshinës që janë kullotat e kopeve të deleve dhe dhive, arrijnë një lartësi prej 1800 m mbi nivelin e detit, dhe janë vendbanimi i shumë barinjve lokale. Barinjtë jetojnë në kasolle druri dhe guri, hija e të cilave i shpëton nga dielli tejet i fortë malor, i cili në verë sjell temperatura deri në 40 gradë.

Në malet Trebeshina, si dhe rreth 50 kilometra larg maleve të Tomorrit dhe në vende të tjera të veçanta në Shqipëri, ekziston një gjarpër i rrallë Vipera graeca. “Ky është një nga gjarpërinjtë më të rrezikuar në Europë”, thotë shkencëtari.

Jablonski dhe kolegët e tij botuan një studim vitin e kaluar, duke treguar se Vipera graeca nuk i përket një nëngrupi të Viper ursinii , gjarpër tejet i përhapur, madje e kritikuan këtë teori, dhe e promovuan Vipera graeca si një specie të veçantë, që solli gjarpërin/reptilin më të ri në Europë./ /m.m/ /a.g/

Pas tri dekadave, Kino Armata ndezi ekranin dhe mbushi karriget

Alberina Haxhijaj

Ka shumë njerëz që kujtojnë filmat të tillë si filmat me Bruce Lee, Bud Spencer, Terence Hill dhe aktorë të tjerë të tillë, të cilët janë shfaqur në kinemanë e cila gjendet në Shtëpinë e Armatës, afër Hotel Grandit, në Prishtinë. Mirëpo kjo kinema e cila është mbyllur 30 vite më parë ka hapur përsëri dyert e saj për publikun, shkruan KultPlus.

E ndërtua pas Luftës së Dytë Botërore, ndërtesa ku qëndron Kino Armata ishte caktua për Ushtrinë Popullore Jugosllave, e cila më vonë themeloi kinemanë brenda kompleksit dhe e hapi për publikun për shfaqje dhe ngjarje.

Mirëpo kinemaja u mbyll mes viteve 1988 dhe 1999 për shkak të situatës politike dhe sociale në vend, e cila u përkeqësua shpejt pas revokimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989 dhe veçanërisht kur filluan luftërat jugosllave të viteve 1990. E historia që e përcolli këtë kinema është mjaftë interesantë.

Ndërtesa ka të gdhendur në historinë e saj edhe historinë e Kosovës. Kështu vlen të theksohet se interieri brenda saj është i kohës së socializmit, ndërsa në anën tjetër karriget, të cilat janë vendosur pas luftës janë prej kohës së UNMIK-ut.

Për menaxhuesin e Kino ARMATA, Alush Gashi, ruajtje e këtyre elementeve ka një rëndësi të veçantë.

“Ruajtja e trashëgimisë çfarëdo që ka qenë mundëson që na të rikujtojmë ato që na kanë ndodhur përpara por edhe ruajtjen e memories kolektive të cilën e kemi pasur e që sipas meje na ka bërë kjo që jemi. Prandaj të gjithë ato që kemi kaluar është mirë që të ruhen, të studiohen dhe të diskutohet për to”, theksoi ai për KultPlus, duke treguar se gjendja e kinemasë tani është në rregull mirëpo janë edhe disa aspekte teknike të cilat duhet të realizohen duke përfshirë edhe blerjen e një projektori të ri.

“Ajo që po mundohemi të bëjmë është tërheqja e publikut pasi që pas 30-të viteve kjo kinema po hapet përsëri. Kemi si synim që të sjellim program artistik sa më kualitativ, filmik, muzikorë por është edhe një skenë në kinema e cila mund të shfrytëzohet edhe për teatër dhe balet. Jemi duke e krijuar një këshill iniciues me njerëz të profesioneve të ndryshme në mënyrë që të sjellim ide dhe mundësi të ndryshme për shfrytëzimin e kësaj hapësire”, tha ai duke shtuar se në kuadër të kësaj kinemaje do të punohet shumë edhe me fëmijë.

Pas luftës në Kosovë në vitin 1999, kjo ndërtesë u mor nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, deri në shpalljen e pavarësisë së vendit në vitin 2008, kur u bë selia e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX.

Në momenti që EULEX ua dorëzoi këtë ndërtesë institucioneve të Kosovës kjo kinema është liruar që të shfrytëzohet. Mirëpo për shkak se dorëzimi i është bërë ministrisë së Administratës Publike e cila nuk ka pasur institucione kulturore, komuna ka shpreh interesimin për rifunksionalizimin e saj. Drejtori i Kulturës në Prishtinë, Yll Rugova tha për KultPlus se tashmë kinemaja ju është rikthyer qytetarëve.

“Ideja është që ta ruajmë historinë, por edhe ndërtesën ta ndryshojmë sa më pak. Të njëjtën gjë e kemi bërë edhe më emrin. Për shkak se armata është e Jugosllavisë dhe kjo armatë nuk ngjallë kujtime të mira, ne kemi menduar që ta ruajmë emrin mirëpo të tregojmë që tani nuk po flasim për një armatë ushtarake por për një armatë kulturore”, tregoi ai duke theksuar se komuna e Prishtinës është duke shikuar edhe projekte të tjera për rifunksionalizim edhe të disa ndërtesave të tjera brenda Prishtinës të cilat do të shërbejnë në fushën e kulturës.

Hapja e kinemasë është shënuar me shfaqjen e filmit Kabineti i Dr. Caligari (gjermanisht: DasCabinetdes Dr. Caligari) nga regjisori Robert Wiene, dhe me performancen e kolektivit artistik TETRIS, të cilët ekzekutuan livesoundtrack mbi imazhet filmike./ KultPlus.com

PriFest hap thirrjen për projekte filmike për BEST PITCH 2018

Ngjarja më e rëndësishme e industrisë së filmit në vend – Prishtina International Film Festival ka hapur sot thirrjen për projekte filmike për garën e BEST PITCH për edicionin e ardhshëm të PriFest që ndodh më 17-22 korrik 2018 në kryeqytet.

Thirrja i dedikohet të gjithë producentëve dhe regjisoreve nga Ballkani që kanë në fazë zhvillimi projektin e tyre filmik të parë apo të dytë. Data deri kur mund të dorëzohen projektet është 1 qershor. Projektet e përzgjedhura do t’i nënshtrohen trajnimeve me ekspert të huaj dhe prezantimit para jurisë ndërkombëtare për t’u përzgjedhur fitues të njërit nga shpërblimet që ofron festivali me partnere. Për më shumë informata shikoni thirrjen me poshtë apo vizitoni ëwebfaqen e PriFest www.prifest.org

“Edicioni I 10-të i festivalit PriFest gjatë një jave në korrik, pritet të sjellë në Prishtinë një numër të madh të mysafirëve artistë dhe profesionistë të industrisë së filmit nga rajoni, Evropa e bota, por duke mos lënë anash edhe programin e veçantë të shumë filmave premierë që mund të ndiqen vetëm gjatë këtij festivali. Së shpejti do të sjellim më shumë informacione të detajuara për festivalin. Na përcillni në rrjetet sociale facebook, Instagram dhe twitter”, thuhet ne njoftim.

THIRRJE PER APLIKIM – BEST PITCH 2018

Prishtina International Film Festival dhe Prishtina Film FORUM (PriFORUM) ka kënaqësinë të shpall të hapur thirrjen për aplikim në Best Pitch 2018. Data e fundit për dorëzimin e projekteve është 1 Qershor 2018. Për aplikim kliko këtu ose vizito ëëë.prifest.org

Përmes kësaj thirrjeje ftojmë për aplikim projektet e filmit artistik të metrazhit të gjatë në fazën e zhvillimit apo të financimit nga filmbërës nga Ballkani që e kanë vepër të parë apo të dytë projektin që e dorëzojnë. Projektet filmike të përzgjedhura do të marrin pjesë në ciklin 4-ditorë të zhvillimit të projektit që konsiston nga:

1. Seancë kokë-më-kokë me ekspertin financiar të EAVE në temën Planifikimi biznesor dhe strategjik I kompanisë në industrinë e filmit, strategjia e financimit dhe bashkëprodhimit për projektin filmik;

2. Seanca zhvillim skenari me ekspert te EAVE
BEST PITCH ka karakter garues, andaj seanca e pitchingut do të vlerësohet nga Juria Ndërkombëtare dhe vota e publikut të përbërë nga mysafirët e akredituar të festivalit (koproducent, fonde filmi,
distributor dhe agjent shitjeje). Këtë vit do të përzgjidhen më shumë se një projekt fitues dhe do të garohet për me shume cmime, te cilat do te zbulohen me vone.

Të gjitha projektet e përzgjedhura për Best Pitch do të kenë mundësi të marrin pjesë edhe në Prishtina Rendezvous pas seancës së pitchingut. Për të aplikuar në Best Pitch ju lutem klikoni në link dhe plotësoni aplikacionin.

PriFORUM është platformë zhvillimore e industrisë së filmit, pjesë integrale e PriFest – Prishtina International Film Festival, që do të ketë edicionin e 10të në korrik 17-22 në Prishtinë, Kosovë. Ndërkohë datat e PriFORUM janë 19-22 korrik. Përvec Best Pitch, PriFORUM përmban në vete edhe dy module tjera:

PRISHTINA RENDEZVOUS, është fundjavë e dedikuar distributorëve ndërkombëtar të filmit dhe agjentëve të shitjes. Prishtina Rendezvous ka për qëllim që të mbledh së bashku talentët nga Ballkani duke u dhënë shansin që të takohen me disa nga kompanitë më të rëndësishme botërore të distribuimit dhe shitjes së filmit, të cilët ftohen në këtë fundjavë që të gjurmojnë projektet filmike nga regjioni I Ballkanit në fazën e tyre zhvillimore. Filmbërësit do të kenë shansin të artikulojnë idetë dhe storjet e tyre në ‘speed date style’ / takime individuale kokë-më-kokë.

KONFERENCA REGJIONALE lidhur me çështjet e industrisë së filmit, e përbërë nga diskutime në panel, prezantime nga ekspert ndërkombëtar në tema të ndryshme që kanë të bëjnë me industrinë e filmit si: distribuimi, shitja, bashkëprodhimi, financimi, si dhe workshope për aktorët dhe studentët. Filmbërësit nga regjioni ftohen të jenë present dhe të kenë mundësi të takojnë disa nga emrat e rëndësishëm të industrisë së filmit në Evropë. Në një ambient më intim që e ofron PriFest, për dallim nga festivalet dhe marketet e mëdha të filmit, vëmendja e të gjithë mysafirëve ndërkombëtar është në projekte të Ballkanit dhe në këtë mënyrë ofron më shumë mundësi network-u dhe bashkëpunimi.

Producentë, distributorë, representative të marketeve të filmit, kompani dhe agjent shitjeje, fonde filmi nga regjioni, profesionist filmi nga Europa si dhe përfaqësues të festivaleve të rëndësishme të filmit pritet të marrin pjesë në këto vit. Puna e PriFORUM dhe PriFest vlerësohet jashtë mase nga filmberesit vendor dhe Shoqata e Producenteve te Kosovës te cilët përfitojnë shume nga këto takime.

I gëzohemi pranimit të projekteve tuaja në afatin e lartpërmendura. Nëse keni pyetje mos hesitoni të na kontaktoni në [email protected]./ KultPlus.com

“Skënderbeu” dhe delegacioni i komunave arbëreshe i ‘pushtojnë’ zyrën Veliajt

Një delegacion prej 60 personash, ardhur nga komunat arbëreshe të Italisë, në përbërje të së cilëve ishte dhe Loris Castriota Scanderbeg, stërnipi i Gjergj Kastriotit u pritën në një takim të veçantë nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Gjatë këtij takimi, kryetari i bashkisë Lungro Giuseppino Santoianni dhe Noè Andreano kryetar i bashkisë së Casalvechio-s, theksuan se Tirana është kthyer në një kantier të hapur ku po punohet për zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit. “Është një kantier i hapur. Unë ju komplimentoj, një kryetar bashkie aktiv! Nuk është e lehtë, e kuptoj, por unë pashë se, si në Durrës, si në Vlorë edhe këtu në Tiranë ka një lëvizje, rinisje të këtij komuniteti. Kështu që ju bëj komplimentet dhe urimet më të mira për vazhdimësinë dhe për të forcuar gjithmonë e më tepër marrëdhëniet e bashkëpunimit mes Arbërisë dhe Shqipërisë”, – theksoi kryetari i bashkisë së Lungro-s, Giuseppino Santoianni.

Teksa i uroi mirëseardhjen në Tiranë, kreu i bashkisë Erion Veliaj u shpreh se Tirana po punon për të rikuperuar kohën e humbur në këto 27 vite. “Jam shumë i lumtur që jemi këtu sot dhe ky ka qenë një vit fantastik: Viti i Skënderbeut dhe besoj ka qenë një arsye, një mundësi edhe të shikohemi, edhe të takohemi si një familje e madhe. Dua t’ju uroj mirëseardhjen në Tiranë, në shtëpinë tuaj. Ju kërkoj ndjesë! Tirana është e gjitha një kantier, e keni parë kudo po punohet, edhe arsyeja është se kemi humbur shumë kohë, 27 vjet, kështu që duhet të punojmë shumë shpejt të rikuperojmë kohën që kemi humbur. Jam i lumtur që miku im, Fate Velaj, ka mundësuar këtë vizitë në Tiranë”, – nënvizoi Veliaj.

Loris Castriota Scanderbeg, i cili është stërnipi i Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit, theksoi se rezultatet e arritura këto vite falë ndërhyrjeve për përmirësimin e infrastrukturës, por jo vetëm, kanë bërë që gjithmonë e më shumë të flitet pozitivisht për Shqipërinë.

“Rezultatet se si është transformuar pozitivisht Tirana, sigurisht me bashkëpunimit e qeverisë, por me përgjegjësinë e madhe që merr kryetari i bashkisë së Tiranës, po i shikojmë dhe jo vetëm për aspektet e jashtme si transformimi i një sheshi apo i shumë lagjeve, por edhe me ndërhyrjet me vlera arkitektonike sepse kryetari i bashkisë zgjedh edhe bashkëpunime prestigjioze me arkitektë italianë. I kemi ndjekur këto gjëra dhe na bëhet shumë qejfi. Fakti është se ju po ndërhyni dhe në shumë sektorë socialë duke vlerësuar dhe bashkëpunimet e bukura prandaj kjo na bën krenar që të mund të flasim gjithmonë e më mirë për Shqipërinë”, tha Loris Castriota Scanderbeg. /m.z//r.e/

Mbrëmje letrare, 2018 Viti i Kulturës Austri-Shqipëri

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu” në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Ambasadës së Vjenës organizoi “Mbrëmje të Letërsisë shqiptare në Diasporë”.

Në fjalën e përshëndetjes, Ambasadori Roland Bimo ndër të tjera vuri në dukje kontributin e ndjeshëm të krijimtarisë artistike në Diasporë në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në të njëjtën kohë në shkallën e lartë të integrimit të diasporës shqiptare në shoqërinë austriake.

Të pranishmit i përshëndeti Z. Arno Riedel, ish-ambasador i Austrisë në Shqipëri dhe Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Austri-Shqipëri, aktualisht funksionar i lartë në Ministrinë Federale për Europën, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Austrisë.

Nderuan me pjesëmarrjen dhe prezantimet e tyre, Prof. Marianne Gruber, Kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Austrisë, Dr. Helmuth A. Niederle, Kryetar i PEN Klubit të Austrisë.
Autorët Hazir Mehmeti, Besim Xhelili dhe Anton Marku prezantuan botimet dhe krijimtarinë e tyre letrare në shqip dhe gjermanisht. Pjesë nga shkrimet e tyre u interpretuan me nivel profesional nga Kaltrina Durmishi, moderatore e mbrëmjes dhe Zj. Zyberi.

Albanologu dhe shkrimtari Dr. Kurt Gostentschnigg mbajti referatin: “Studentët shqiptarë të Austisë në periudhën midis të dy Luftërave”.

Në mbrëmje morën pjesë artdashës nga komuniteti shqiptar dhe miq austriakë. Ishin të fuar dhe morën pjesë edhe Ambasadori Zef Mazi dhe Konsulli i Nderit i Shqipërisë, Z. Reinhard Gnilsen./ ata/ KultPlus.com

Në Muzeun e Kosovës është mbajtur aktivitet artistik me fëmijët me autizëm dhe të SOS Fshatrave

Në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, dje u zhvillua aktiviteti nga projekti “Art ecological project”, në të cilin morën pjesë fëmijët nga Asociacioni Nacional i Autizmit të Kosovës, dhe fëmijët nga SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës, të cilët përmes pikturave paraqitën “botën e tyre”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Më tutje bëhet e ditur se, “‘Art ecological project’, është projekt që përfshinë fëmijë nga shkolla fillore dhe të terrenit të cilët studiojnë Shkollën e Artit. Ku, dhjetë pikturat më të mira do të ekspozohen në Venedik”.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj me këtë rast ka thënë se mundësia për të punuar me këta fëmijë i obligon edhe më tepër që të krijojnë mundësi edhe më të qasshme.

“Nismat e tilla jo vetëm që i mirëpres, por me shumë kujdes dhe përgjegjësi iu përkushtohem. Gëzimi dhe disponimi i këtyre fëmijëve për të qenë pjesëmarrës në aktivitetet e Muzeut të Kosovës, do të thotë shumë si për mua, poashtu edhe për stafin tim, madje kjo na obligon që ne të punojmë edhe më fortë dhe të krijojmë mundësi edhe më të qasshme. Kontributi ynë në këtë drejtim, shpresojmë të jetë një pikënisje e cila do të sjellë bashkëpunime me anë të të cilave ne bashkarisht me idetë, aktivitetet dhe programet nga ato vetëdijësuese deri tek ato sociale etj., të jemi mesazhi më i mirë për qytetarët dhe botën”, është shprehur ai.

Realizimi i këtij projekti, është rezultat i bashkëpunimit të Muzeut të Kosovës, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fondacioni “Ibrahim Kodra”, Asociacioni Nacional i Autizmit të Kosovës, SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës, Shkolla e Artit Pamor “Adem Kastrati” – Gjilan.

Qëllimi i këtij bashkëpunimi është mbështetja financiare për aktivitetet e arkitektëve të rinj nga Kosova me rastin e pjesëmarrjes në ngjarjen kolaterale “New Urbanistic” në Bienalen e Arkitekturës së Venedikut, për vitin 2018, në promovimin dhe përkrahjen kulturore gjatë vitit 2018./ KultPlus.com

Në kryeqytet shënohet Dita Botërore e Vallëzimit

Alberina Haxhijaj

Dita Botërore e Vallëzimit është një eveniment që festohet në të gjithë botën që më 29 prill të vitit 1982, krijuar nga Këshilli Internacional i Kërcimit dhe UNESCO. E tani është bërë tradicionale shënimi i kësaj dite edhe në Kosovë. Pikërisht për nder të saj, sot në sheshin Zahir Pajaziti është mbajtur një garë jo formale e vallëzimit, e organizuar nga Evolution Dance, shkruan KultPlus.

Fëmijë të moshave të ndryshme ishin mbledhur sot në sheshin Zahir Pajaziti për të treguar dashurinë që kanë për vallëzimin por edhe aftësitë e tyre në këtë pjesë të artit. Dafina Rudi tregoi për KultPlus se si çdo vit promovimi i vallëzimit dhe stileve të ndryshme të tij në Prishtinë mbetet mision i Evolution Dance.

“Qëllimi i këtij aktiviteti është që të tubohen sa më shumë njerëz dhe të promovohet vallëzimi. Çdo vit mbledhim shkolla të ndryshme mirëpo karakteristikë për këtë vit është që së bashku me Komunën e Prishtinës do të bëhet një garë jo formale mes pesë shkollave të komunës. Nxënësit e këtyre shkollave kanë përzgjedhur vetë koreografinë por edhe muzikën dhe çdo gjë tjetër”, tregoi Rudi e cila shtoi se për të shpërblyer punën e nxënësve fitues, Evolution Dance do u ofrojë fituesve të tri vendeve të para leksione vallëzimi falas.

Përveç akademive të vallëzimit të cilat janë mike të këtij organizimi që disa vite, në sheshin Zahir Pajaziti performuan edhe nxënësit të cilët ishin bërë gati për garën.

Kështu pas perfomancave që dhanë nxënësit juria e përbërë nga Fjolla Dumani, Majlajdo Gala dhe Florent Abrashi, ndanë çmimet. Vendi i parë shkoi për nxënësit e Shkollës “Ismail Qemaili”, ndërsa çmimi i dytë për shkollën “Xhemajl Mustafa” dhe i treti për shkollën “Meto Bajraktari”.

Në anën tjetër për koreografinë më të mirë u vlerësuan me çmim nxënësit e shkollës “Faik Konica”, ndërsa për interpretimin më të mirë ata nga “Dardania”. Florent Abrashi theksoi për KultPlus se juria vlerëson punën e të gjithë nxënësve pasi që ata kanë dëshmuar që kanë potencial për vallëzim dhe ndarja e këtyre çmimeve nuk duhet që të shihet si garë por më shumë si një motivim.

“Fillimisht është diçka e re edhe për neve dhe shpresoj që kemi me qenë të aftë me japë pikët sa më mirë që është e mundur. Jam shumë i lumtur që kemi një kësi ngjarje me juri dhe me fëmijë, në mënyrë që ata të vlerësohen dhe të çmohet puna e tyre. Pra gjithë kjo është bërë që fëmijët ta shijojnë këtë ditë”, tha ai për KultPlus.

Të lumtur për këtë organizim janë shfaqur edhe fëmijët pjesëmarrës, në mesin e të cilëve ishin edhe Dafina Borovci, Vera Zyqolli dhe Era Ahmeti, të cilat janë bërë mike pikërisht përmes vallëzimit në studion e vallëzimit “Folk Art”.
“Ka vite që merremi më vallëzim dhe kjo është diçka që na pëlqen shumë, dhe që e duam. Ndërsa sot kemi me u paraqitë më këngën “Shape of You” dhe me një valle”, treguan ato për KultPlus.
Kjo ditë përkujton ditëlindjen e Zhan Zhorzh Noverit i cili ishte një nga reformatorët e famshëm të kërcimit. / KultPlus.com

‘shpirti i nji popullit njifet mâa s’mirit prejë Poeziës popullore’

“Poezia, praa, si u paa, (e prandej deshtme ktû me folë pak si gjatë mii burrim t’sajë), âsht jehi i shpirtit t’nierit: pse ajo, n’gurrë t’vet s’âsht tjeter veç se nji fshâme qi ep shpirti, kuur kndellet n’ shkelxim t’rrezeve t’bukuriës. E tujë kênë se shkelximi i bukurtës i tfaqet nierit mas gjênjes s’shpirtit, a se mas zhdrivillimit t’mêndjes e t’shies estetetike t’tii: t’gjith nierzt nuk e kuptojnë bukuriën si nji nji: çiltas duket se shpirti i nji popullit, njifet mâa s’mirit prejë Poeziës popullore.”

Gjergj Fishta (1930)

një natë ma përpara

Poezi nga Entela Tabaku Sorman.

zgjohem në mëngjes dhe e vesh shpirtin
si teshë e zhveshun në dyshemenë e ftohtë
një natë ma përpara
ose më merr gjumi me tesha veshë
si shpirt i ftohtë në dyshemenë e zhveshun
një natë ma përpara
ose shpirti zgjohet në mëngjes dhe më ngre peshë
si teshë e zhveshun në dyshemenë e ftohtë
një natë ma përpara
ose e merr gjumi me mu veshë
në zhveshjen e teshtë të ftohjes së dyshemtë
në ftohjen e teshtë të zhveshjes së dyshemtë
sh
shshsht
shshshpirt!
sa e gjatë kjo natë
ma përpara!

‘Pasqyra e t’rrëfyemit’ i kushtohet Martin Camajt

U bë gati për shtyp numri 6-7 i revistës “Pasqyra e t’rrëfyemit”, një numër special që i kushtohet poetit, prozatorit dhe dramaturgut Martin Camaj.

Me një vëllim prej mbi 400 faqesh, në të do të gjeni studime të natyrave të ndryshme, gjuhësore e letrare, të para nën optikën e një kategorie të gjerë studiuesish të fushave përkatëse.

Mbi të gjitha, për herë të parë botohet edhe një letërkëmbim ndërmjet Martin Camajt dhe Prof. dr. Anton Nikë Berishës. Janë plot 17 letra, të shkruara në kohë të ndryshme, nëpërmjet të cilave shpërfaqen disa të dhëna të qenësishme për vetë Martinin dhe veprën e tij, për konceptimin letrar poetik, për shkrimtarët tanë të ndryshëm, për vlerat e letërsisë sonë bashkëkohore, për botën tonë në përgjithësi.

Ndër të tjera, aty përligjet edhe dija e gjerë, informacioni i shumtë, nevoja për komunikim letrar poetik brendakombëtar dhe ndërkombëtar, shpirtgjerësia, fisnikëria dhe mirësjellja që zotëronte Martin Camaj.

Së shpejti, ky numër do të jetë në libraritë kryesore të Tiranës. / KultlPlus.com