14 vjeçarja Elena Halilaj përfaqëson zërin e Kosovës në Maltë

Festivali Ndërkombëtar i Këndimit “Euro Stars” që do të mbahet në Maltë nga data 25 deri më 30 prill të këtij viti, do të ketë edhe një pjesëmarrëse nga Kosova.

Është kjo 14 vjeçarja Elena Halilaj, e cila do të marrë pjesë në mesin e 17 shteteve dhe 120 pjesëmarrësve në këtë festival të karakterit garues.

Ajo ka pranuar ftesë nga organizatori dhe drejtori i festivalit, Martin DeGabriele i cili e kishte parë atë duke përfaqësuar Kosovën vitin e kaluar ne Ohër në një festival ndërkombëtar të quajtur “Tra La La”.

Halilaj ndjek mësimet e solo këndimit dhe violinës dhe është në klasën e tretë të shkollës së muzikës “Amadeus”, ndërsa ndjek edhe mësimet në klasën e tetë në “Don Bosko”. Ky festival i quajtur “Euro Stars” është një mundësi shumë e mirë për këngëtarët e rinj si dhe një privilegj i rrallë për pjesëtarët e industrisë muzikore, shkruan RTV21.

Të gjithë pjesëmarrësit e festivalit kanë pranuar ftesën për të qenë pjesë e tij. Sipas njoftimit zyrtar, misioni i këtij festivali është përkrahja e talenteve të rinj premtues të cilët dëshirojnë të trajnohen dhe të mësojnë. / KultPlus.com

Piktura e Modigliani mund të thyejë rekord në New York

Një rekord i shitjeve pritet që të ndodhë në shtëpinë e ankandit Blockbuster në New York.

Piktura me një grua lakuriqe të cilën e ka realizuar piktori Amedeo Modigliani pritet që të shitet për 150 milionë dollarë në këtë ankand.

Sotheby ka zbuluar të martën se piktura mund të shndërrohet në një nga veprat me çmimin më të shtrenjtë që është vendosur ndonjëherë në ankand.

Ky punim do të udhëheqë shitjen në mbrëmjen e Sotheby kushtuar artit të impresionizmit dhe atij modern, më 14 maj, dhe do të jetë piktura më e shtrenjtë nga vlerësimi i saj në maj.

Rivali i saj i madh do të jetë “Vajza e Re me një shportë me lule” e Pablo Picasso, e cila shitet në Christie si pjesë e Koleksionit Rockerfeller me 8 maj.

Piktura nuk ka të ngjarë të bëhet më e shtrenjta e shitur ndonjëherë në ankand.

Ky titull mbrohet ende nga piktura Leonardo da Vinçit e cila u shit në ankand vitin e kaluar për 450 milionë dollarë. Renditja e dytë është një pikturë nga Picasso e cila u shit për 179 milionë dollarë në 2015. / Kultplus.com

Kështu dukej Dritëro Agolli në vitin kur nisi botimi i romanit “Trëndafili në gotë”

Dritëro Agolli i ka lenë një pasuri të jashtëzakonshme letërsisë shqiptare me veprat e tij. Romani i tij “Trëndafili në gotë”, është një nga romanet e tij që vështirë harrohen.

“Trëndafili në gotë” është botuar në Prishtinë nga “Rilindja” në vitin 1979, në Tiranë nga “Naim Frashëri” më 1980, po në Tiranë më 1981 dhe së fundi në Tiranë nga shtëpia botuese “Dritëro” më 1999.

E bija e Dritëro Agollit, Elona Agolli ka postuar sot një fotografi në të cilën mund ta shohim autorin e madh në ditët kur filloi botimi i këtij romani./ KultPlus.com

Varri i Skënderbeut nuk ka mbishkrim, gjendet në derën e kishës së Shën Nikollës

Nga Gjon Keka

Ashtu siç pushojnë idetë në brendësi, kështu pushojnë edhe misteret të cilat ne ende nuk i kemi zbuluar në kohën tonë. Disa mistere të cilat kanë lodhur mjaftë koka hulumtuese, mjaftë arkeolog etj, por që kanë mbet edhe në ditët tona ende të pa zbardhura, pra pa e prek efektin e rrezeve të dritës së diellit.

Disa njerëz vdesin dhe i mbulon dheu, por emri i shkruhet mbi dhe disa të tjerë vdesin dhe i mbulon misteri, ndërsa disa vdesin dhe i mbulon harresa. Varri i një heroi dhe lideri e strategu të madh siç është Gjergj Kastrioti është vend i pelegrinazhit të kombit arbëror evropian. Gjergj Kastriotin nuk e mbuloj harresa edhe pse ai ka vdekur 560 vjet më parë, ai mbetet ende i gjallë, gjurmët e tij flasin, varri i tij që ende nuk dihet se ku saktësisht është në Lezhë, por që brenda Kishës Shën Kollit e sigurt që ishte varrosur sipas të gjitha dokumenteve. Palmat e sotme lulëzojnë në memorialin, në varrin e këtij heroi të madh të Arbërisë dhe Evropës.

Sidoqoftë ka pas shkrime dhe teza mbi misterin e varrit të Gjergj Kastriotit, por ato nuk kanë sjell ndonjë risi, as ndonjë të vërtetë mbi këtë enigmë. Por rastësisht e gjeta këtë dëshmi të gazetës Salzburger Volksblatt të vitit 1942 ku shkruan pikërisht për vendin se ku gjendet varri i Gjergj Kastriotit.

Në këtë gazetë shkruan kështu:

“Siç raportohet nga Tirana, së shpejti do të bëhet një kërkim i varrit të heroit kombëtar shqiptar Skënderbeu, i cili vdiq në vitin 1468 në Lezhë dhe u varros në kishën kryesore lokale. Guri i varrit në atë kohë nuk ishte gdhendur për të parandaluar shkatërrimin ose përdhosjen e vendvarrimit të tij nga armiqtë e shumtë. Kërkimet do të kryhen në bazë të një raporti të rastit nga një emisar i Mbretit të Napolit, i cili ishte atëherë në Shqipëri. Kështu sipas tij varri i Skënderbeut nuk ka mbishkrim dhe gjendet në derën e kishës kryesore të Shën Nikollës”./ KultPlus.com

‘Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët’

Nga Ardian Klosi

I shoh të munduar me kryet në hi
Luftojnë të jetojnë s’jetojnë dot pa luftë
Rrëzohen dhe ngrihen dërrmohen prapë çohen
Batakut i ikin të venë në batak
Po gjakun s’e prishin se prapë do luftojnë
Me thonj e me dhëmbë të kapen pas jetës
Me kryet në hi ta gjejnë një copë bukë
Dhe qeshen e qeshen
Mes baltës ngërdheshen
Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët.

Jetojnë në mes plehut dhe thonë “s’ka problem”
Po nga ta kthejnë kokën do gjejnë veç probleme
Telashe dhe halle një mal me probleme
U ikin me vrap, i ndeshin përballë
U mbyllin një portë, u hyjnë në oxhak
I djegin me flakë, u ngjiten në kokë
Po s’jepen ata dhe kokën e ngrenë
dhe gjejnë pakëz zë për të thënë “ska problem”
Ngrihen shulaten
Sfiliten rropaten
Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët.

Të gjithë besuan që Rexhën e mbyti kali por ky është versioni i nënës së tij

Shumëkush prej nesh është rritur me këngën e Rexhës dhe sa herë e ka dëgjuar këtë ka ndier edhe dhembje për atë ngjarje që besohet se ka ndodhur para 140 vitesh, kur djali jetim, natën e dhëndërisë, gjendet i vdekur në grazhd të kalit.

Gjithmonë është menduar se Rexhën e kishte mbytur kali. Por, duket se e vërteta është ndryshe dhe jo ajo që e kanë besuar të gjithë. Por rapsodi Demir Krasniqi pretendon se e di versionin origjinal të këngës së njohur të Rexhës, ku sqarohet gjithë ngjarja, që, sipas tij, ka ndodhur në fshatin Stubëll, afër Medvegjës, rrethi i Jabllanicës.

Rexhës i kishte vdekur babai kur ai ishte dyvjeçar. Nëna e tij, sipas traditave dhe zakoneve të vjetra, me qëllim që të mos lërë djalin jetim, kishte pranuar të martohej për kunatin, i cili u kujdes për ta rritur Rexhën. Pastaj e fejoi dhe vendosi që ta martojë me dasmë dhe krushqi, sipas zakoneve dhe traditave shqiptare të rrethit. Ditën e dasmës së Rexhës, xhaxhait të tij, emri i të cilit nuk përmendet në këngë, i kishte hipur në kokë një mërzi e madhe, ngase e dinte se Rexha, pasi të martohej do të ndahej prej tij dhe do t’ia merrte gjysmën e pasurisë, që do t`i takonte si trashëgimi nga babai. Kjo frikë e shtyu atë që ta vrasë Rexhën në ditën e dasmës së tij. Ai e mashtron Rexhën dhe e çon tek stalla e kuajve të dasmorëve, gjoja për t’i ushqyer ata dhe atje e vret tinëzisht, duke e lënë të vdekur në grazhd të kalit. Dasmorëve ua dha haberin duke u thënë se njëri prej kuajve e kishte qëlluar Rexhën me shqelm dhe e kishte lënë të vdekur në vend. Të vërtetën e vdekjes së Rexhës e kishte treguar vetë nëna e tij, disa vite më vonë, pasi asaj i kishte vdekur burri i dytë, që ishte xhaxhai i Rexhës. Pra, vrasësi i vërtetë i Rexhës ishte xhaxhai i tij e jo kali, siç është kënduar kënga plot një shekull e disa dekada./ KultPlus.com

Të shtunën në Lozanë inaugurohet shtatorja e Shën Nënë Terezës

Lozana shumë shpejt do të ketë shtatoren e Shën Nënë Terezës, shenjtores katolike me kombësi shqiptare. Meritat për vendosjen e shtatores i ka një këshill iniciues i përbërë nga: Gjergj Prenkoçaj, Ibrahim Syla, Sabri Alidema, veprimtari Cen Kabashi, veprimtarja Fatime Kalimashi, Abée Christophe Godel – Mme Suzanne Duc.

Siç bën të ditur Gjergj Prenkoçaj në një bisedë për albinfo.ch, të shtunën, më 28.04.2018 në ora 16:30 nē qytetin e Lozanës, në adresën: Rte de Pavement 97, Eglise St Amedée, do të bëhet zbulimi, gjegjësisht inaugurimi i shtatores së Shën Nënë Terezës. Ai me këtë rast falënderon të gjithë bashkatdhetarët por siç e thotë: “në veçanti më ka bërë përshtypje gatishmëria e vëllezërve e motrave shqiptare të besimit Islam, të cilët u treguan të përgjegjshëm, dhe të përkushtuar, të na ndihmojnë në mënyra të ndryshme, që të jenë pjesëmarrës në këtë projekt madhështor për kombin e shqiptar”.

Skulpturën e shtatores së Nënë Terezës e ka realizuar artisti i njohur nga Prishtina, Agron Bytyçi, dhe ajo tashmë është vendosur në vendin ku do të inaugurohet, thotë Prenkoçaj për albinfo.ch.

Më tutje ai na njofton se për ketë inaugurim vjen enkas, Monsinjor Don Lush Gjergji prej Kosovēs. Po ashtu do të jetë i pranishëm kori i Kishës Katolike Shqiptare, misioni në Arau tē Zvicrës i drejtuar nga z. Don Prenkola. Ndërsa një nderim të veçantë manifestimit do t`ia bëjë prania e pasardhësit të Kryeheroit tonë, z. Loris Kastrioti Skënderbeu nga Italia, thekson ai.

Ardhjen e kanë konfirmuar edhe Ambasadori i Shqipërisë dhe Ambasadorja e Kosovës si dhe kryeimami nē Bernë të Zvicrës z. Mustafë Memeti.

Prenkoçaj tregon më tutje se është ftuar edhe At Nikolle Marku, nga Kisha Ortodokse Shqiptare, por për shkak të gjendjes shëndetësore, ai nuk do të ketë mundësi të vijë..

Në kuadrin e aktiviteteve të inaugurimit, do të jepet edhe një shfaqje teatrale, kushtuar jetës dhe veprimtarisë Humanitare të Shën Nënüe Terezës, përgatitur nga regjisori Valton Jakupi, drejtor i “International Film Europe”.

Po ashtu të pranishëm do të jenë, Shkolla Shqipe e Mësimit Plotsues në Lozanë (LAPSH “Naim Frashëri”)” si dhe shoqatat kulturore artistike “Teuta” dhe “Ilirët” të Lozanës.
Manifestimin do ta nderojnë me praninë e tyre edhe personalitete të politikës së qytetit të Lozanës e kantonit të Vaudit./ KultPlus.com

“Ekziston një krim më i tmerrshëm se djegia e librave…”

Para dy ditëve është shënuar Dita Ndërkombëtare e Librit, ditë e cila ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil, shkruan KultPlus.

23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor të 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor etj.

KultPlus sot ju sjellë një thënie të njohur të Joseph Brodsky lidhur me librin.

“Ekziston një krim më i tmerrshëm se djegia e librave: mosleximi i tyre”, ishte shprehur shkrimtari i njohur rus, Brodsky./ KultPlus.com

Aktorja Eva Alikaj feston sot datëlindjen e 57-të

Aktorja e cila arriti famën me rolin komik të Elsas në komedinë e famshme shqiptare “Pallati 176” feston sot datëlindjen. Ajo mbush plot 57 vite jetë, shkruan KultPlus.

Eva Alika ka dhënë mjaft shumë nga vetja për kinematografinë shqiptare ndër vite. Eva Alikaj lindi në Tiranë më 25 prill 1961. Kur ishte vetëm 21 vjeç, fitoi Kupën si Aktorja më e mirë e Festivalit V të Filmit Artistik Shqiptar, me filmin “Njeriu i mirë” (1982). Një vit më pas, u diplomua për aktore në Akademinë e Arteve të Tiranës dhe iu bashkua trupës së Teatrit Kombëtar.

Eva, në teatër ka një fillim shumë të mirë, me rolin e Xhulietës në tragjedinë “Romeo e Xhulieta” të Shekspirit. Vazhdon të luajë me sukses në filma, me rolin Linda tek “Shirat e vjeshtës” (1984), Etleva tek “Treni niset në shtatë pa pesë” (1988). Role të tjerë janë Ilona në “Botë e padukshme” (1987), Ana në “Jeta në duart e tjetrit” (1990), Evgjenia në “I paharruari” (1984), Drita në “Vendimi” (1984), Irena në “Hije që mbeten pas” (1985), Edlira në “Stolat në park” (1988). Ajo është bërë popullore për rolin komik të Elsës në komedinë “Pallati 176”./ KultPlus.com

Auron Tare në krye të Këshillit Shkencor të Pasurive Botërore Nënujore në UNESCO

Për herë të parë, kryetari i Këshillit Shkencor dhe Teknik të Pasurive Botërore Nënujore në Unesco do të drejtohet nga një shqiptar, raporton Agjensia Telegrafike Shqiptare (ATSH).

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit është zgjedhur për të drejtuar për 4 vite këtë organizëm të rëndësishëm në UNESCO.

Vendimi u mor në Selinë e UNESCO-s në Paris, në sesionin e rradhës së vendeve anëtare të Konventës së 2001 mbi Pasurinë Kulturore Nënujore Botërore, ku u zhvillua mbledhja e Këshillit Shkencor dhe teknik të kësaj Konvente.

Me propozimin e përfaqësuesit të Argjentinës, mbështetur nga Franca dhe Meksika, Këshilli Shkencor dhe Teknik i Pasurive Botërore Nënujore të UNESCO-s votoi Auron Tare si Kryetar të këtij organizmi të rëndësishëm. Votimi ishte unanim, pa asnjë votë kundër, në prani edhe të Sekretariatit të UNESCO si dhe të dhe Drejtores së Përgjithshme të Pasurive Botërore të UNESCOS-s.

“Ky vlerësim i lartë i dedikohet të gjithë atyre ekspertëve apo dashamirësve në Shqipëri, që luftojnë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, është shprehur Auron Tare./ KultPlus.com

97 vite nga themelimi i Federatës “Atdheu” (FOTO)

Më 25 prill 1921, në Vlorë u themelua Federata “Atdheu”, në të cilën kanë qenë të përfshira shumë organizata progresive të vendit, shkruan KultPlus.

Përfaqësuesit e 25 shoqërive demokratike nga e gjithë Shqipëria vendosën bashkimin në një shoqëri të vetme që u quajt “Atdheu”. Federata “Atdheu” luajti një rol të rëndësishëm në bashkimin e forcave demokratike të vendit./ KultPlus.com

Me një koncert të mrekullueshëm, Chopin Piano Fest Prishtina përfundon rrugëtimin e 9-të

Alberina Haxhijaj

Mbrëmja e fundit e edicionit të 9-të të Chopin Piano Fest Prishtina, mirëpriti pianistin italian Giovani Bellucci – që aktualisht konsiderohet si një ndër pianistët më të shquar të kohës. Pianisti Giovanni Belluci u shoqërua nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës duke sjellë kështu një mbrëmje të paharruar në Prishtinë. Një mbrëmje të denjë përmbyllëse për këtë edicion të festivalit i cili e bëri Prishtinë gjatë këtij muaji, qendër për zbarkim e pianistëve më të njohur nga vende të ndryshme.

Koncerti u hap më veprën e Ludwig Van Beethoven një kompozitor të cilin Frédéric Chopen, emrin e të cilit e mbanë festivali nuk është se e kishte të preferuar. Një vepër e cila reflektoi një bashkëpunim të bukur në mes të orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, dirigjuar nga Boian Videnoff dhe pianistit, interpretim ky i cili u mirëprit me duartrokitje të shumta nga publiku. Kështu pianisti Giovanni Belluci, u rikthye në skenë për të sjellë një interpretim të shkurtër nga kompozitori Chopin.

“Në momentin që luan në një shtet të ri në të njëjtën kohë je kureshtar të zbulosh ndjenjën që të jep publiku. Në këtë rast të veçantë, ishte edhe një orkestër, moment ky i veçantë për të takuar edhe muzikantët kosovarë”, u shpreh pianisti për KultPlus.

Përgjatë këtyre 14-të koncerteve, miqtë e këtij festivali ishin ata që e lehtësuan mbarëvajtjen e tij. Një mik i tillë është edhe Ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, ambasada e të cilit mundësoi ardhjen e pianistit të shquar.

Pjesa e dytë e koncertit solli kompozitorin Franz Schubert, një vepër monumentale dhe me një kohëzgjatje që është rimodeluar gjatë gjithë kohës. Vepër kjo e cila ishte shumë kërkuese për orkestrën dhe mund të vërehej qartë edhe nga të pranishmit. Vepër që ngjallë admirim në secilën pjesë e që u mirëpritën mjaftë bukur nga publiku. Drejtuesja Organizative e Festivalit, Besa Luzha pas mbylljes së festivalit një prononcim për KultPlus, shpalosi punën e bërë gjatë këtij edicioni.

“Mbrëmja e sonte ishte një përmbyllje kulminante e sjellë shumë bukur jo vetëm nga pianisti por edhe nga orkestra e filharmonisë. Kjo ishte një mbrëmje e këndshme dhe e denjë e këtij festivali maratonik siç e kemi pasur këtë vit. Vështirësitë kanë qenë në aspektin financiar pasi që akoma shumë prej institucioneve nuk i kanë realizuar donacionet, mirëpo për gjërat e tjera miqtë tanë na kanë ndihmuar shumë. Gjatë këtij edicioni kemi pasur shumë energji dhe kemi marrë shumë mbështetje diçka që është edhe shtytje tutje për ne për të tejkaluar çdo pengesë, për të sjellë mbrëmje të mrekullueshme dhe për ti tregojmë botës se jemi një vend që i çmojmë vlerat kulture dhe dimë t’i promovojmë vlerat e vërteta artistike”, përfundoi Luzha.

Ky ishte edicioni i 9-të i Chopin Piano Fest Prishtina, i cili paraqiti para publikut kosovar gjithsej 14 mbrëmje muzikore. Secila më e mirë se tjetra dhe secila me prurje të reja artistike./ KultPlus.com

Përmes skulpturave dhe inovacioneve në letër u paraqit arti bullgar në Kosovë

Alberina Haxhijaj

Galeria Kombëtare e Kosovës, mbrëmë ka mirëpritur ekspozitën e artistëve nga Bullgaria, Todor Todorov “Skulptura elementale” dhe Daniela Todorova “Inovacione në letër”. Ekspozitë kjo e cila shërben si urë lidhës për prezantimin e artit kosovar në Bullgari, në të ardhmen, shkruan KultPlus.

Koleksioni i prezantuar mbrëmë përbëhet nga dy drejtime në të cilat autorët Daniela Todorova dhe Todor Todorov punojnë me vite të tëra. Ekspozita e paraqitur synon të tregojë dy fusha në të cilat Bullgaria ka kontribuar për zhvillimin e kulturës evropiane.

Në këtë ekspozitë, në njërën pjesë janë treguar vetëm një përzgjedhje e inovacioneve të veçanta, të skulpturave që lidhen me elementet natyrale si era, dielli, toka e uji. Artisti Todor Todorov në Prishtinë kishte sjellë një numër të vogël të skulpturave pasi që pjesa tjetër e punës së tij u paraqit përmes posterave. Ai ka prezantuar një ekspozitë me posterë të përmasave të mëdha, në të cilët pasqyrohen skulptura të realizuara dhe makete të atyre që janë në proces të realizimit. Ndërsa pjesa tjetër, ka të bëjë më artin në letër, një drejtim i ri në Bullgari të cilin e solli në Prishtinë artistja Daniela Todorova.

Ekspozita e Fondacionit AMATERAS i është përkushtuar Presidencës së Bullgarisë së Këshillit të Evropës gjatë 2018. Mirëpo edhe pse programi i zhvilluar nga Fondacioni AMATERAS ka përfshirë disa vende, në ekspozitën e paraqitur në Prishtinë, u prezantua vetëm arti i zhvilluar në Bullgari.

Artistja Daniela Todorova, tha se kjo është bërë me shpresë së puna e tyre do të zbulohet më tutje përmes bashkëpunimeve që pritet të ketë në mes të Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe këtij fondacioni.

“Për mua është nderë të jem këtu e rrethuar me miq dhe me dashuri. Ajo që kemi bërë sonte dhe që do bëjmë në të ardhmen është pjesë e një pune të gjatë dhe bashkëpunimi më të madh në mes të Bullgarisë dhe Kosovës. Ndërsa ajo që kemi treguar sonte këtu është vetëm një pjesë e vogël e artit bashkëkohorë në Bullgari”, u shpreh ajo.

Ky bashkëpunim do mundësojë edhe dërgimin e një ekspozite nga Kosova në Bullgari, më shumë detaje për këtë ka dhënë drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani.

“Ky bashkëpunim na vjen i aprovuar nga bordi i kaluar. Dhe unë e kam përkrahur këtë pasi që mendoj se ne duhet të përkrahim çdo iniciativë që vjen nga ana diplomatike, në këtë mënyrë edhe diplomatët e tjerë do e kuptojnë se sa e rëndësishme është diplomacia kulturore. Arti që u paraqit sot erdhi nga një qift artistësh të cilët kanë dy disiplina shumë specifike të krijimtarisë. Ndërsa planifikohet që vitin e ardhshëm, ne të realizojmë një ekspozitë e cila e prezanton së më mirë artin e Kosovës dhe atë ekspozitë ta dërgojmë në Sofje”, tha ajo duke shtuar se bordi drejtues i galerisë do fillojë që të shikojë dhe analizojë se cila do jetë zgjedhja më e mirë.

Kjo ekspozitë do të qëndroj e hapur deri më 12 maj në Galerinë Kombëtare të Kosovës./ KultPlus.com

Vetëvrasja e katërfishtë dhe Arti i kapitullimit të një shoqërie

Shkruan Vullnet Krasniqi

Një i ri që fillon karrierën duke punuar në një media që i trajton punëtorët pa nder, që bëhet aksidentalisht pjesë e kinematografisë për ta braktisur për karrierën si asamblist e këshilltar kryetar komune dhe për të përfunduar i vetëvrarë në një veturë diku në një rrugë, në fakt është një vetëvrasje e katërfishtë që shpjegon në mënyrën më të vrazhdë artin sesi kapitullon një shoqëri dhe një shtet.

Vetëvrasjet zakonisht hapin shumë dilema sepse lënë shumë të panjohura në ekuacionin e së vërtetës, madje edhe në versionet kur të vetëvrarët lënë letra lamtumirëse. Gjithmonë ekziston edhe dyshimi nëse ajo çfarë është shkruar në letër është dhe arsyeja kryesore e aktit. Për këtë arsye edhe kurioziteti për të ditur arsyet e një akti të tillë nuk është diçka e padrejtë, veçse kur ky kuriozitet shuhet, i padrejtë bëhet gjykimi i një akti të tillë: që në përgjithësi e cilëson si ligësi vetëvrasjen.

Por ka vetëvrasje që arrijnë ta zbërthejnë një të vërtetë më të madhe sesa arsyeja e vetëvrasjes. Ka shumë vetëvrasje që kanë vënë në pikëpyetje një realitet të caktuar dhe e tillë është edhe vetëvrasja e Art Kurtit, një kosovar që ngeci në mënyrë tragjike në vorbullën e të qenit personazh i një shteti me një shoqëri të kapitulluar sikurse ajo kosovare.

Vetëvrasja e Parë – Arti i pamundur i të jetuarit si njeri në Kosovë

Sipas një rrëfimi të një kolegu të Artit në fushën e kinematografisë, ai kishte pasur probleme financiare. Pa marrë parasysh se cilat mund të kenë qenë problemet financiare të Artit dhe nëse ato kanë qenë arsye e vetëvrasjes, vetëvrasja e tij është një sinonim i pamundësisë që njeriu të funksionojë në Kosovë, përkundër përpjekjeve.

Arti është një njeri/kosovar që ka tentuar në mënyra të ndryshme, cilado qoftshin ato, që të mbijetojë në një shtet ku mbijetesa është shndërruar në një luks. Tentimet e tij për të mbijetuar që përfunduan me dorëzim dhe stopim të ekzistencës së tij tregojnë më së miri se të jesh një njeri në Kosovë, pra me nevoja të plotësuara bazike, është një art në vete, që çdo ditë e më shumë është shndërruar në një proces që mund të përfundojë tragjikisht. Statistikat e viteve të fundit tregojnë një trend të rritjes së vetëvrasjeve në Kosovë.

Arti është një njeri/kosovar që nga realiteti i vrazhdë dhe aspak i favorshëm, të shtynë të bëhesh një tentues i vazhdueshëm që shpeshherë mund të çojë edhe në tentime të rrezikshme, që të shkaktojnë stres dhe të fusin edhe në veprime të jashtëligjshme. Ai tentoi të punonte në një kompani private mediale, shfrytëzoi njohjet e tij që çuan në punën e tij si aktor në një nga serialet më të njohura në Kosovë, punë kjo të cilën e braktisti për t’u bërë Asamblist në Komunën e Gjakovës e më pas edhe këshilltar i kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjini.

Por asnjë nga këto tentime nuk kryen punë për të përmbushur ekzistencën e Artit. Sepse arti i të jetuarit në Kosovës është gati i pamundur. Dhe secila etapë e karrierës së Artit si kosovar është një tregim në vetëvete i Artit të Kapitullimit të një shteti dhe shoqërie.

Prandaj vdekja e Artit që ia mori jetën vetes, mbi të gjitha është një vdekje solemne e njeriut në Kosovë.

Vetëvrasja e Dytë – Arti i pamundur i të qenit punëtor në Kosovë

Vetëvrasja e Art Kurtit u bë temë mediale në Kosovë, më së shumti për shkak se ishte një vetëvrasje e një aktori në një serial të njohur. Por para se të arrinte aty, Arti ishte një punëtor në një kompani tipike private në Kosovë. Më e keqja është se kjo kompani ishte kompani mediale, fushë kjo e cila përkundër famës dhe një sigurie të pretenduar që ta ofron, nuk e ndihmoi Artin që të jetonte. Të gjente një motiv për të jetuar.

Arti ka punuar fillimisht si kameraman dhe montazher në televizionin kabllor “Tribuna Channel”. Një kompani e cila në tregun medial të Kosovës është e njohur më shumë për një gjë: mungesë të pagesave për punëtorët e saj. Kompania drejtohet nga familjarë të një njeriu që ka qenë shumë kohë pjesë e politikës, Rexhep Hotit, ish-deputet, drejtues i gazetave, tash nënkryetar i PDK-së. Shumica e punëtorëve të tij ikin nga ajo kompani, më së shumti për shkak se nuk marrin as pagën e tyre. Madje me muaj.

Por, duke qenë se në tregun medial, të ofrohet mundësi që me pak kuriozitet dhe ambicie mund të gjesh një vend tjetër më të mirë, për shkak se numri i mediave në Kosovë është jashtëzakonisht i madh e kësisoj edhe nevoja për punëtorë medialë, nuk bëhet aq e madhe një problematikë kaq e dëmshme në tregun e punës në Kosovë, trajtimin me nder dhe korrekt i punëtorëve.

Në një version tjetër të tregut të punës, në atë të ndërtimit ose marketeve e dyqaneve të mëdha, trajtimi është i njëjtë, por ndoshta arsyeja përse punëtorët nuk e bëjnë të madhe, qëndron të varfëria, nevoja elementare e një pagese minimale për të siguruar mbijetesën.

Por Arti kishte ikur nga ky treg i punëtorëve për t’u bërë një aktor, ani pse jo profesionist. Një tentim për të gjetur shpresën në këtë vend. Në këtë vend ku jeta është një serial depresiv. Andaj edhe vetëvrasja e Art Kurtit është një vetëvrasje zyrtare dhe simbolike por edhe kolektive e punëtorit në Kosovë.

Vetëvrasja e Tretë – Arti i Braktisjes

Në një intervistë të dhënë në televizionin T7, Jeton Zogiani, një nga figurat kyçe të serialit “O sa mirë”, ku kishte luajtur edhe Art Kurti, porosit që rinia kosovare të mos e marrë si shembull Artin. Pa marrë parasysh arsyet pse Zogiani e thotë këtë, ekziston një tjetër gjë më e rëndësishme në kontekstin e post-vetëvrasjes së një aktori jo profesionist: devalvimin e sistemit të vlerave kulturore dhe artistike në Kosovë. Pra, vetëvrasjen artistike dhe kulturore të Kosovës.

Pse?

Për një arsye fare të thjeshtë: sepse porosia që Arti të mos merret si model bëhet nga një drejtues i një programi të propaganduar si artistik e kulturor sikurse ai i “O sa mirë” ku Arti kishte luajtur një rol në këtë serial e kësisoj edhe duke u paraqitur si një model i një të riu në Kosovë. Pa marrë paraysh se si e çfarë modeli ishte paraqitur në serial. Prandaj një porosi e tillë përpos që është jashtëzakonisht fyese për një njeri e më pas edhe për një profesionist apo jo në cilëndo fushë, është mbi të gjitha një tregues sesi kemi kapitulluar si shoqëri në nivelin kulturor.

Kolegu tjetër i Artit të vetëvrarë tregon po në T7 se ai kishte dëgjuar se ka pasur probleme financiare dhe se ai kishte ndërprerë xhirimet e serialit në mënyrë krejtësisht të paparalajmëruar, madje midis xhirimeve, duke çuar kështu edhe në mungesën e tij të përhershme në këtë serial.

Kësisoj vihet në pah sesi në Kosovë mund të jeshë pjesë e një projekti jashtëzakonisht të madh e të fuqishëm kulturor e medial, por në të njëjtën kohë të mos kesh një siguri që të sigurohet së paku ekzistenca jote. Pra gjithë farsa kulturore dhe artistike në Kosovë është një art sipërfaqësor i manipulimit, i dedikuar për një shoqëri që manipulohet në mënyrë të lehtë, për shkak se nuk ka përjetuar ndonjë edukim kulturor e artistik. Në këtë mënyrë, manipuluesit e këtyre projekteve kulturore e artistike në Kosovë i bëjnë pjesë të saj njerëzit të cilët nuk janë profesionistë, por të talentuar, por që nuk ndihmojnë në rritjen ose organizimin e atij talenti, por vetëm shfrytëzimin e tyre.

Prandaj është edhe e kuptueshme sesi këto projekte kulturore dhe artistike bëjnë pjesë të tyre edhe politikanë të cilët më vonë duke dashur ta zënë kohën e famës së një lajmi, zhyten në mesazhe ngushëlluese për Art Kurtin si aktor, sikurse rasti i kryetarit të Kuvendit atij të PDK-së, Kadri Veseli që ka qenë dy herë pjesë e serialit ku ka luajtur edhe Arti, seriali “O sa mirë”.

Por Arti në fakt e kishte braktisur këtë serial, për arsye të panjohura ashtu sikurse arsyja e vëtëvrasjes së tij. Kësisoj vetëvrasja e tij është edhe vetëvrasje kolektive dhe solemne e artit dhe kulturës në Kosovë.

E në vazhdën e politikanëve që kanë reaguar për Art Kurtin ishte edhe kryeministri i Kosovës dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Arti kishte qenë asamblist në Komunën e Gjakovës, pasi braktisi serialin, dhe më pas u bë këshilltar i kryetarit të komunës, Ardian Gjini, që vjen nga partia e kryeministrit Haradinaj.

Vetëvrasja e katërt dhe arti i kapitullimit të një shteti

Art Kurti kishte braktistur në mënyrë të befasishme punën si aktor në serial dhe i kishte hyrë politikës. Kishte arritur të siguronte një vend si përfaqëues lokal në Gjakovë, si asamblist në Kuvendin Komunal të Gjakovës. Më pas ishte bërë edhe këshilltar për Rini në kabinetin e kryetarit të Komunës, Ardian Gjinit.

Gjini shkroi në Facebook duke u shprehur i shokuar më vdekjen e Art Kurtit, por në fakt një lajm i tillë, është shokues sepse tregon sesi kemi kapitulluar si shoqëri dhe si shtet. Arti u bë këshilltar i politikave komunale të një kryetari të një komune të madhe në Kosovë, pasi kishte braktisur punën si punëtor në një kompani private/mediale, famën dhe punën si aktor në një projekt kulturor.

Para se t’i futej politikës, ata të kulturës e dinin për problemet financiare. Pra njëfarë informacioni bazik se Arti nuk kishte qenë mirë, ka qenë i ditur. Por askujt nuk i ka interesuar kjo gjë, madje as kryetarit që e kishte si këshilltar. Është jashtëzakonisht tragjike fakti se një kosovar i deleguar për të këshilluar një kryetar apo për të qenë këshilltar në një Kuvend nuk arrin të gjejë arsyen e ekzistencës së tij.

Çfarë shprese e inspirimi mund të jetë për të gjallët që tentojnë të mbijetojnë kur shohin se ai që duhej hartuar politika sesi të funksionojë rinia, ia merr jetën vetes qysh në rini?

Vetëvrasja e Artit është një tregues sesi në këtë shtet është bërë e pamundur të jetosh as si njeri, sepse shtypesh e nuk njihesh si qenie; sesi nuk mund të mbijetosh as si punëtor i thjeshtë, sepse të shtypen të drejtat; sesi është farsë mundësia e artë që të shijosh të mirat e një talenti, sepse talenti yt vetëm shfrytëzohet nga ata që kanë marrë primatin e të vlerësuarit të talentit apo aftësisë tënde krijuese; sesi mund të jesh edhe këshilltar i një kryetari komune, por të mos kesh mundësi ta këshillosh veten për të jetuar.

Arti me vetëvrasjen e tij i ka vënë vulën kapitullimit tonë dhe sesi ekzistenca në këtë shtet është një art në vete. Arti i së pamundurës./ KultPlus.com

“Peer Gynti nga Kosova” me dy shfaqje në festivalin “Schöne Aussicht”

Shfaqja “Peer Gynti nga Kosova” e autorit Jeton Neziraj dhe me regji të Agon Myftarit, do të jetë pjesë e Festivalit “Schöne Aussicht” që organizohet nga teatri “Junges Ensemble” në Stuttgart të Gjermanisë.

“Peer Gynti nga Kosova“ do të shfaqet me 9 maj nga ora 19:00 dhe me 10 maj, në mëngjes nga ora 10:00.

“Schöne Aussicht” është njëri nga festivalet më prestigjioze të teatrit në Gjermani. Ai ka karakter ndërkombëtar dhe sivjet pos shfaqjes nga Kosova, do të prezentohen edhe dhjetra shfaqje nga Gjermania dhe vende të ndryshme të botës.

“Peer Gyntinga Kosova” është prodhuar nga Qendra Multimedia dhe ka pasur premierën në maj të vitit të kaluar. Në të luajnë aktorët: Bujar Ahmeti, Donikë Ahmeti, Shpëtim Selmani dhe Tristan Halilaj.

Skenografinë e shfaqjes e ka punuar Nicola Minssen, kostumet nga Yllka Brada, kurse kompozimin muzikor Gabriele Marangoni. Dramaturg i shfaqjes ka qenë Stefan Schletter.

“Peer Gynti nga Kosova” është rrëfim për një ëndërr të dështuar. I udhëhequr nga një shpresë e thjeshtë për jetë më të mirë dhe për të gjetur lumturinë, Peeri i ri, para luftës në Kosovë, niset për të kërkuar të ardhmen në ‘parajsën’ e quajtur Evropë. Ajo çka ndodhë me këtë të ri gjatë këtij udhëtimi reflekton eksperiencat e shumë desperadove të rinj të cilët çdo vjet, të mbushur me shpresë, lëshojnë atdheun e tyre. Shpesh, në atdheun e tyre të ri, të keqtrajtuar nga autoritetet, të izoluar dhe larg nga shtëpia, me mungesë perspektive dhe të mospërfshirë në shoqëri, atyre ëndërra u bëhet një makth i madh.

Në dëshirën e tyre për t’u pranuar ata shpesh biejn viktima të shokëve të këqinjë, të cilët ua ofrojnë “sigurinë e munguar”. Peer, personazhi kryesor i kësaj drame, e gjenë vehten të respektuar në një grup shqiptarësh të cilët ia tregojnë atij shkathtësitë kriminale dhe i garantojnë siguri. Megjithatë, pavarësisht kësaj, ai shpejt bie në burg. Gjatë kësaj periudhe në burg, gradualisht fillon procesi i radikalizimit. Religjioni i jep atij kurajo, kuptim në jetë dhe ia forcon vetëbesimin. Këtu drama merret me një problem aktual në shoqëritë tona – radikalizimin religjioz të të rinjëve në burgje. Shumë nga këta të ashtuquajtur ‘luftëtarë të shenjtë’ nga Evropa, të cilët luftojnë në Siri, janë radikalizuar në burgje.

Por pavarësisht seriozitetit të temës, shfaqja asnjëherë nuk bëhet patetike apo didaktike. Në fund, publiku e lë shfaqjen jo vetëm i merakosur dhe kuptimplotë, por edhe i argëtuar në mënyrë perfektë.

“Publiku në shfaqje e ndjenë që ky Peer Gynt modern jo vetëm se dëshiron të tregoj një rrëfim autentik, por edhe të tregoj një rrëfim të vërtetë, si shembull për krejt shpresat për liri, për lumturinë dhe prosperitetin në Evropën e tanishme. Dhe për dëshpërimin.” [Frankfurter Allgemeine Zeitung]./ KultPlus.com

GKK sjellë ligjëratë lidhur me teknikat e përdorura nga çifti Todorov

Galeria Kombëtar e Kosovës sjellë sot ligjëratë mbi teknikat e përdorura nga çifti i artistëve Todorov, të cilët do të flasin mbi inovacionet me materiale të letrës dhe skulpturat elementare, ekspozitë e cila u hap mbrëmë në GKK, shkruan KultPlus.

Todor Todorovi do të prezentoi “Skulptura elementare”, teoria dhe praktika nga e cila paraqet një vështrim të ri mbi skulpturën bashkëkohore dhe lidhjen e saj me elementet natyrore. Daniela Todorova do të flas për “Inovacionet në letër” duke përfshirë kontributin e artit në letër përmes Sofje Letër Art Festit në Jetën Kulturore Evropiane.


Projekti Inovacion në Letër do të zhvillohet nën patronazhin e Sh.T.Z.. Nedyalcho Danchev Dimitrov, Ambasadori i Bullgarisë në Kosovë dhe do të shënojë Presidencën e Bullgarisë të Këshillit të Evropës.
Kjo ligjeratë mbahet sot, më 25 Prill 2018 në GKK , duke filluar nga ora 17:00./ KultPlus.com

Kino “Armata” hapet me filmin “Kabineti i Dr.Caligarit”

Kino “Armata” do të hapet sonte me shfaqjen e filmit horror “Kabineti i Dr.Caligarit” dhe një performancë të kolektivit artistik “Tetris”.

Nga ora 19:00 do të transferohet filmi horror gjerman, me regji të Robert Wiene.

Kabineti i Dr. Caligari (gjermanisht: Das Cabinet des Dr. Caligari) është film horror gjerman pa zë i prodhuar në vitin 1920.

I konsideruar si vepra më e rëndësishme e kinemasë ekspresioniste gjermane, filmi tregon për hipnotistin e çmendur Werner Krauss, i cili përdor somnambulistin Conrad Veidt për të kryer vrasje. Filmi ka stil të errët dhe të shtrembëruar vizuel, me forma të mprehta, vija oblike dhe harkore, struktura dhe panorama të cilat lakohen nën kënde të çuditshme, dhe hije e shtresa të dritës të ngjyrosura drejtpërdrejt në sheshxhirim.

Filmi prezanton tema të autoritetit brutal dhe irracional; Dr. Caligari prezanton qeverinë e luftës së Gjermanisë, derisa Cesare është simbol i njeriut të thjeshtë, të kushtëzuar, si ushtarët, për vrasje.

Në librin e tij me ndikim prej Caligari te Hitleri, Siegfried Kraucauer thotë se filmi reflekton nevojën e nënndërgjegjshme të shoqërisë gjermane për të pasur tiran, duke qenë shembull i bindjes së tyre ndaj autoriteteve dhe mosdashjes për t’u rebeluar kundër autoritetit të çmendur.

Ai thotë se filmi është paralajmërim i ngritjes së Adolf Hitler dhe Partisë Naziste, dhe se shtimi i rrëfimit bazë kthen filmin përndryshe “revolucionar” në film “konformist”. Tema tjera të shtjelluara përfshijnë kontrastin destabilizues mes çmendurisë dhe mendjes së shëndoshë, percepcionin subjektiv të realitetit, dhe dualitetin e natyrës njerëzore.

TETRIS është grup i artistëve të bazuar në Prishtinë, që krijojnë audio ambiente mbi fraza hipnotike të sintave të shumtë dhe basit të thellë. Line-up që ndryshon tërë kohës nuk heziton të manipulojë analogisht kitarat e zhurmshme, piano klasike dhe ritme monotone, duke shtuar ngjyrë performancave të tyre të paparashikueshme dhe (shpesh) eksplozive./ KultPlus.com

Shkrimi më i bukur romantik i Charles Bukowski-t: Ajo ishte mijëra femra të bashkuara në një të vetme

Charles Bukowski ka shkruar romane, tregime dhe poezi për një total prej mbi 60 veprash. Përmbajtja e veprave të tij i përket më tepër jetës personale, varësisë me alkoolin dhe marrëdhënieve me personat e tjerë, të shprehura këto në mënyrë tepër realiste dhe pa shumë eufemizma.

Krijimi i mëposhtëm i tij është ndër më të bukurit që mund të jenë shkruar. Bëhet fjalë për përshkrimin e një femre nga një mashkull që e dashuronte atë. Është përshkrimi thuajse i çdo femre të pavendosur, por edhe tepër të fortë në të njëjtën kohë. Është përshkrimi i çdo femre që ekziston, në gjithë dimensionet e saj, ndaj jemi të sigurtë se të gjitha femrat duhet ta lexojnë një krijim të tillë.

“E ke dashur, apo jo?”, – psherëtiu ajo

“Si mund të të përgjigjem? Ajo ishte e çmendur”, – tha ai duke kaluar dorën në flokë, – “Edhe pse ishte e çmendur, çdo ditë ishte një femër ndryshe. Një herë plot guxim, një herë e stepur. Një herë e nxituar dhe herë tjetër e ndrojtur. E pasigurtë dhe e vendosur. E ëmbël dhe arrogante. Ajo ishte mijëra femra të bashkuara në një të vetme, por parfumi i saj ishte përherë i njëjti. Ai nuk mund të ngatërrohej. Parfumi i saj ishte siguria ime e vetme. Më buzëqeshte duke ditur si të luante me mua përmes buzëqeshjes së saj. Kur ajo qeshte, unë nuk kuptoja më asgjë. Nuk dija më si të flisja, apo të mendoja. Asgjë, zero. Në atë moment ishte vetëm ajo. Ishte e çmendur, e gjitha e çmendur. Disa herë qante. Thuhet se në ato çaste femrat duan vetëm një përqafim, ndërsa ajo jo. Ajo nevrikosej, nëse e përqafoje. Nuk e di ku ndodhet tashmë, por vë bast se është në kërkim të ëndrrave.
Ajo ishte e çmendur, totalisht e çmendur, por e kam dashur çmendurisht”. / bota.al/ KultPlus.com

Ulza Eco Park, destinacion tërheqës i turizmit gjithëvjetor

Ulza Eco Park, një destinacion i ri tërheqës, autentik, mikpritës dhe interesant i turizmit rural e atij gjithëvjetor i shtohet destinacioneve kombëtare të turizmit.

Një zonë ku ndërthuren bukuritë natyrore me trashëgiminë materiale shpirtërore, Ulza Eko Park krijon kushtet e nevojshme për zhvillimin e ekoturizmit, turizmit rural, eksplorues, e atij gjithëvjetor.

Në njësinë Administrative Ulëz u organizua sot një aktivitet i veçantë promovimi, që synon nxitjen e zhvillimit të turizmit qëndrueshëm, duke u ofruar turistëve shqiptarë dhe atyre të huaj një burim tjetër turistik.

Në një prononcim për ATSH-në, Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu ndalet te resurset natyrore të kësaj zone, e cila sot po promovohet si destinacion i mirëfilltë turistik.


Sipas Prefektit Shehu, Ulza Eko Park përfshin një park me liqene dhe male, një rajon mjaft atraktiv turistik që shtrihet nga Shkopeti deri në Ulëz.

“Në kuadër të projektit të Rilindjes Urbane, qeveria shqiptare ka investuar tashmë në infrastrukturën rrugore të qytezës së vogël së Ulzës, ku është drejt përfundimit segmenti prej 3 km, ndërsa pritet shtimi i investimeve në këtë zonë”, tha Prefekti Shehu.

Bashkia Mat, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), Agjencinë për Zhvillimin e Rajonit 2 (AZHR2), Fondacionin CNVP (Bashkojmë Vlerat e Natyrës me Njerëzit) dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit organizuan sot eventin hapës të ”Ulza Eco Park”, si destinacioni më i ri kombëtar i turizmit në Shqipëri.

Poezia e parë e Fishtës (1892) dedikuar lirikut kroat Kranjčević

Vehbi Bala në monografinë Gjergj Fishta, jeta dhe vepra, përcakton 1899-n si datë të poezisë së parë që njohim prej Fishtës.4 Krijime të ndryshme poetike të shkruara prej Fishtës, që mbajnë̈ firmën “É popullit”, botohen në periodikun “Albania” të Faik Konicës.

Një tekst i periudhës së studimeve të Fishtës, shkruar në gjuhën italiane, e shtyn më 1892 datën e krijimit të parë që njohim prej tij. Është fjala për poezinë autografe që mban datën 12 dhjetor 1892, Al valente poeta sig.Silvie Strahimir Kranjčević, dorëshkrimi i së cilës në vitin 1927 u zbulua në dhomën-muze kushtuar Kranjčević-it, në muzeun për letërsinë në Sarajevë (Muzej književnosti i pozorišne umjetnosti Bosne i Hercegovine).

Kapllan Resuli, në Fishta dhe të tjerë (2001), e përmend këtë poezi nëpërmjet citimit të një artikulli të studiuesit boshnjak (Brčić, 1982) dhe, me të njëjtën lente vetanake me të cilën interpreton eposin e Fishtës, pa konsultuar tekstin, shprehet se autori kroat Silvie Strahimir. Kranjčević nuk ka ndikuar në poetikën e Fishtës.

Të dhënat e para për njohjen mes Fishtës dhe poetit lirik kroat Kranjčević vijnë nga shënimet biografike të botuara nga “Vjetari” i provincës françeskane të Bosnjës me rastin e vdekjes së Fishtës, 1941, ku përmendet se Fishta u njoh në Livno me veprën poetike të fratit G. Martić, influenca e të cilit do të ndihet në krijimtarinë e Fishtës si dhe do të shoqërohet me Kranjčević-in, i cili banonte në Livno në kohën kur studionte Fishta.

Nga burimet kroate vijnë më shumë elemente për përvojën boshnjake të Fishtës, duke përplotësuar kështu një boshllëk të kritikës shqiptare. Frati Lovro Mihačević në udhëpërshkrimin e tij “Nëpër Shqipëri” (Po Albanii, 1911), jep të dhëna fillestare për rëndësinë e kapitullit boshnjak në formimin e Fishtës, jo vetëm nga këndvështrimi religjioz dhe filozofik, por dhe nga ai poetiko-letrar./ KultPlus.com

Dua Lipa së shpejti sjellë videoklipin e këngës “One Kiss”

Këngëtarja e njohur, Dua Lipa po pushton botën me koncertet e saj energjike, në skena të vendeve të ndryshme, shkruan KultPlus.

Pas dy këngëve të suksesshme “New Rules” dhe “IDGAF”, ajo së fundmi ka sjellë edhe këngën “One Kiss”, në bashkëpunim me Calvin Harrris.

Dje ajo ka publikuar një fotografi me anë të së cilës ka paralajmëruar videoklipin e këngës “One Kiss”./ KultPlus.com

“Pena e Re” ndan çmimet për vitin 2017: Fituesit dhe emocionet e një mbrëmjeje të paharruar

Nga Lediona Braho

“Erdh’ koha të dehemi me letërsi!” Ndoshta, kështu do të kishte thënë Bodler, nëse do të ishte i ftuar nderi në mbrëmjen e organizuar nga klubi letrar “Pena e Re”, më 23 prill 2018, në Ditën Botërore të Librit. Ngjarja më e rëndësishme letrare e Penës finalizoi një vit të frytshëm krijimtarie, pune dhe përkushtimi të klubit letrar. Për rreth dy orë rresht, te “Reja” pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, në Tiranë, u zhvillua Mbrëmja e Çmimeve “Pena e Re 2017”, e cila kulminoi me ndarjen e çmimeve në tre kategori konkurimi: poezi, prozë dhe ese, si dhe me shpalljen e çmimit të madh “Pena e Re 2017”. Përpara çeljes së mbrëmjes, u shpërnda dhe u promovua antologjia “Frymë në vargje”, me 67 krijime nga 60 autorë të rinj shqiptarë, nga mosha 16 deri në 26 vjeç. Nga këto, 35 ishin krijime fituese në konkurset e përmuajshme të Penës, nga janari në dhjetor 2017 dhe 35 të tjerat, të përzgjedhura si krijimet më të mira nga juria.

Marjana Breçani, drejtore e klubit dhe koordinatorët: Besart Tafaj, Lediona Braho, Liridon Mulaj dhe Ivana Hoxha ishin “të zotët e shtëpisë” së kësaj mbrëmjeje të rëndësishme për historinë e Penës, që nga themelimi i saj, në dhjetor 2014. Ata mikpritën të ftuarit, personalitetet e artit dhe letërsisë shqipe, që nderuan me praninë dhe fjalën e tyre përshëndetëse: Agim Baçi, kritik letrar; poetja dhe autorja Dr. Erenestina Gjergji Halili; poetja Mimoza Ahmeti; poetja dhe redaktorja, Rudina Çupi; aktori dhe regjisori Naun Shundi; gazetarja Raimonda Dervishi, si dhe përfaqësues të shtëpive botuese më në zë në tregun shqiptar. I ftuar special ishte edhe stafi i emisionit radiofonik “Scriptum n Sonus”, që ka promovuar disa nga krijuesit e Penës: Altin Sulaj, autor emisioni, Xhoana Sulaj, regjisore dhe Elsa Hajdari, interpretuese.

Sipari i mbrëmjes u hap me poezinë “Berlin” të autores Flogerta Krypi, themeluese e klubit letrar “Pena e Re”, e cila prej muajsh mijëra kilometra larg, në Gjermani, ishte e pranishme shpirtërisht gjatë gjithë mbrëmjes, përmes energjisë së saj të pashterur. Nën moderimin e këndshëm të Ivana Hoxhës, pjesë e stafit të Penës prej disa muajsh, mbrëmja vijoi me fjalën përshëndetëse të Marjana Breçanit, drejtore e klubit, e cila paraqiti shkurt historikun e Penës dhe falënderoi bashkëpunëtorët: Qendrën Rinore të Tiranës, qendrën “Reja” dhe shtëpitë botuese që mbështetën aktivitetin me libra dhuratë. Lediona Braho, autore dhe koordinatore e Penës paraqiti rrugëtimin e saj brenda klubit, që kulminoi me vlerësimin me çmimin “Pena e Re 2016” dhe korrektimin letrar të antologjisë “Frymë n’ vargje”. Koordinatori më “i vjetër” i Penës, Besart Tafaj e vuri theksin tek zbulimi dhe mbështetja e talenteve të reja, nga themelimi i Penës deri më sot. Liridon Mulaj, autor dhe koordinatori më i ri i Penës, e cilësoi klubin si “strehë shpirtrash të trazuar” dhe “një portë të vogël” që hapet për të gjithë të rinjtë që mundohen e përpiqen të depërtojnë në botën e vështirë, por gjithmonë të bukur të letërsisë”. Programi ishte një ndërthurje mes videopoezive të autorëve të rinj (Lediona Braho, Lirion Mulaj dhe Adrian Zalla) dhe të afirmuar (Mimoza Ahmeti dhe Erenestina Gjergji Halili), me fjalët përshëndetëse dhe komunikimin e çmimeve.

Çasti më emocionues i Mbrëmjes ishte ndarja e çmimeve. Çmimi i parë në Ese u dha nga kritiku Agim Baçi dhe shkoi për Adrian Zallën, për krijimin “A mund të jesh Lysien në këtë vend?” Ndërsa çmimi i parë në Poezi u dha nga poetja Mimoza Ahmeti për Edona Haklaj, për krijimin e saj “Zotni, m’thuej”.

Çmimi i parë në Prozë u dha nga stafi i emisionit “Scriptum n Sonus” dhe shkoi për Eraldo Breshanin, fitues me dy proza “Treni” dhe “Llustra e këpucëve të grisura” gjatë vitit 2017.

Emocioni i Mbrëmjes u bë edhe më i fortë kur Ivana shpalli të nominuarit për Çmimin “Pena e Re 2017”: Franc Bregu dhe Renaldo Salianji. Mes tingujve të muzikës së lehtë në sfond dhe pas fjalës përshëndetëse të Dr. Erenestina Gjergji Halilit, të ftuarit duartrokitën “Penën e Re” për vitin 2017, Renaldo Salianjin, fitues katër herë gjatë vitit paraardhës, me dy poezi “Të mjerët na për vedin” dhe “Pa titull”, si dhe dy proza “Militanti” dhe “O çuna, o çuna! Erdhi akullorja!”.

Fituesve iu dha nga një certifikatë dhe disa libra dhuratë: 10 libra për Çmimin “Pena e Re 2017” dhe nga 5 libra për tre fituesit e kategorive. Këtë vit, Penës iu dhuruan enkas për këtë aktivitet, rreth 40 libra nga disa shtëpi botuese të njohura në tregun shqiptar. Titujt e zgjedhur u përkisnin shtëpive botuese: “Pegi”, “Dudaj”, “Argeta”, “Botart”, “Dituria” dhe “Princi”, për të cilët Pena është thellësisht falënderuese dhe për të cilat përgatiti certifikata mirënjohjeje. Kandidatit për çmimin e madh, Franc Bregu, iu dhuruan katër libra dhuratë, ndërsa të nominuarve të tjerë, nga dy libra. Të nominuarit për Prozën ishin: Ergi Bregasi, Helga Sulillari dhe Bjorn Kamberi; për Poezinë: Xhesika Gjeçi dhe Angjela Marku dhe për Esenë, Erti Poka. Për të shprehur falenderimin për promovimin e autorëve të rinj në emisionin e tyre, Pena i dha një certifikatë mirënjohjeje edhe emisionit “Scriptum n Sonus”.

Pas dhënies së çmimeve, mbajti fjalën e tij përshëndetëse aktori dhe regjisori Naun Shundi, i cili e vlerësoi lart punën e klubit, duke veçuar risinë e këtij organizimi, talentin e autorëve të rinj shqiptarë dhe nevojën për ta promovuar punën e klubit në media. Manjola Markola, autore dhe fituese e çmimit “Pena e Re 2015” përshëndeti të ftuarit, duke uruar fituesit dhe stafin e Penës, ku ajo ka punuar vullnetarisht për disa muaj. “Qershia mbi tortë” e mbrëmjes ishte përshëndetja e Flogertës, e cila përcolli një mesazh të fuqishëm për stafin, konkurrentët, mbështetësit dhe dashamirësit e Penës, përgjatë gjithë rrugëtimit të saj.

Këto ishin momentet kryesore të programit të Mbrëmjes “Pena e Re 2017”, ngjarja më e rëndësishme e klubit letrar “Pena e Re”, e cila do të vazhdojë rrugëtimin e saj pa u ndaluar pavarësisht sfidave, për të mbështetur dhe promovuar pa kushte autorët e rinj shqiptarë dhe dashurinë për letërsinë./ KultPlus.com

Rozafa Shpuza dhe Iden Temali sjellin “Muzat” në Tiranë

“Muzat” është ekspozita fotografike që do të hapet ditën e shtune, me 28 prill, ora 19:00 tek Art Kafe, Tiranë, shkruan KultPlus.

Rozafa Shpuza dhe Iden Temali, dy artiste shkodrane, do t’i sjellin dashamirëve të fotografisë detaje të brishta, përkëdhelje, klithma, mërmërima, joshje, urtësi, delikatesë dhe sharm përmes shkrepjeve të tyre. Janë 20 fotografi bardh e zi që kanë si fill përshkues figurën e gruas.

Prej suksesit që pati në Shkodër, kjo ekspozitë premton emocione edhe për artdashësit kryeqytetas.
Ky është bashkëpunimi i parë për dy artistet. Gjatë karrierës së tyre të konsiderusheme si fotografe, ato kanë qenë pjesë e ekspozitave kombëtare dhe ndërkombëtare ku janë paraqitur dhe kanë marrë edhe çmime.

“Muzat” do të qëndrojë e hapur për një javë dhe mirëpret të gjithë artdashësit./ KultPlus.com

Mbledhje komemorative për aktorin Kurti

Sot prej orës 15.30 deri në ora 17.30 në Pallatin e Kulturës në Gjakovë mbahet mbledhje komemorative me rastin e vdekjes së aktorit Art Kurti.

Varrimi i të ndjerit bëhet sot në ora 18.00, në tyrben e Sheh Fetahut në dalje të Prizrenit.

Vdekja e aktorit Kurti nga policia po cilësohet si vetëvrasje.

Ndryshe, Art Kurti, i cili u gjet i vdekur dje, ishte po ashtu edhe këshilltar për të rinj i kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjini dhe kandidat për asamblist nga radhët e AAK-së./KultPlus.com