“Natën ma”, emocionon publikun në Teatrin Metropol

Nga autorja Marsha Norman, shfaqja “Natën ma” riktheu Ema Andrean si regjisore, në sallën e Teatrit Metropol të Tiranës me premierën këtë fundjavë për publikun.

Premiera, aktoret Ilire Vinca dhe Egla Ceno në rolet kryesore, u prit ngrohtë dhe me duartrokitje të shumta nga publiku. Shfaqja i dhuroi publikut që kishte mbushur sallën një përzierje emocionesh, lot, të qeshura, përqafime dhe përgëzime.

Vepra tregon fatin e një nëne, Telma 50 vjeçe dhe bijës së saj Xhesit, 30 vjeçe. Pjesa nis me rrëfimin e Xhesit, e cila duhet t’i thotë së ëmës që në mëngjes do të vdesë. Xhesi është një grua e divorcuar që jeton me mamanë e saj. Asgjë deri tani nuk i ka ecur siç duhet, ndaj ajo ndjehet e humbur, ku vuan njëkohësisht nga depresioni kronik.

Thelma është nëna e saj, e cila duhet të përballojë depresionin e së bijës. Një vepër e fortë emocionale, që do të vijë nën konceptin ndryshe të Andreas, e cila njihet për zgjedhjen ndaj veprave të forta, transmeton Ata.

Në role kryesore interpretojnë aktoret Ilire Vinca dhe Egla Ceno. Është hera e parë që kjo vepër ngjitet në skenën e një teatri në Tiranë, ndërsa më parë është vënë në skenën e Prishtinës. E shkruar nga skenaristja amerikane Marsha Norman më 1983, kjo dramë ka fituar Pulitzier dhe është nominuar për çmime të rëndësishme.

“Pikëllimi jep thellësi, lumturia jep lartësi, pikëllimi jep rrënjë, lumturia jep…

“Pikëllimi jep thellësi, lumturia jep lartësi. Pikëllimi jep rrënjë, lumturia jep degë. Lumturia është sikur një Lis që ngjitet lartë në qiell dhe pikëllimi është sikur rrënjët që shkojnë posht në thellësi të tokës.

Të dyja janë të nevojshme dhe sa më lartë që shkon Lisi, aq më thellë i shkojnë rrënjët, njëkohësisht. Sa më i madh lisi, aq më të mëdha do të jenë rrënjët e tij.

Në fakt, këto janë gjithmonë në proporcion. Ky është balanci, shkruan filozofia”

– Osho./KultPlus.com

Kur shteti rrezikohet nga politikanët!

(Çka tha sot , ndër të tjera, autori i romanit Dushkaja JusufBuxhovi gjatë promovimit në
Prizren)

E.Dujaka

Ditën ndërkombëtare të librit, shkrimtari JusufBuxhovi, e shfrytëzoi për një bashkëbisedim me dashamirët e librit dhe një grup studentësh të Prizrenit.

Shkas ishte promovimi i romanit “Dushkaja”, që u mbajt naë Bibliotekën e Qytetit. Shkrimtari Buxhovi gjatë këtij bashkëbisedimi u fokusua te raportet e shoqërisë me lirinë, te raportet e politikës me shtetin si dhe të raportet e shtetit me religjionet.

Rreth raporteve të shoqërisë me lirinë, Buxhovi tha se ato janë ngatërruar me çlirimin,ngaqë çlirimi jo vetëm që nuk ka sjellë lirinë e dëshiruar, por abuzimi me çlirimin nga disa “çlirimtarë”, një pushtim e ka zëvendësuar me tjetrin.

Rreth raporteve të politikës me shtetin, autori tha se ato janë absurde, ngaqë shteti i fituar me mund, nga pjesa më e madhe e klasës sonë politike është kthyer në një plaçkë dhe po luftohet nga ata sikur të ishte një mallkim dhe jo një vlerë me të cilën lidhet qenia jonë.

Edhe rreth raporteve të shtetit me religjionet, Buxhovi tha se ato janë të çrregulluara ngaqë kjo klasë e papërgjegjshme politike, që e ka katandisur vendin nga çdo pikëpamje, në vend se të mbrojë shtetin sekular, në vend se lirinë e besimit ta mbrojë si të drejtë elementare të njeriut, zuri ta keqpërdorë për qëllime politike dhe të pasurimit me anën e kontrabandimit me ndërtimin e objekteve të kultit, deri në atë masë sa që shtetit sekular t’i rrezikohet edhe fundamenti. E keqja më e madhe për Buxhovin, është se nga politizimi i religjionit (islamit politik), sot kemi dukurinë e ngatërrimit të identitetit kombëtar me atë fetar, me ç’rast, fetarizmi del para kombëtares!

Autori, po ashtu, foli edhe për nevojën e ridefinimit të shqiptarizmit në përputhje me rrethanat e reja të dy shteteve shqiptare në Ballkan (Shqipërisë dhe Kosovës) si dhe nevojës që formula e deritanishme e bashkimit kombëtar si ideologji e shekullit të kaluar, të zëvendësohet me atë të unionit të dy shteteve në kuadër të Bashkimit Evropian në bashkëpunim me vendet perëndimore.

Pritja e Nënëlokes

Poezi nga Brikenë Ceraja-Beka

Rrugëve të heshtura
Ecën Nënëlokja e kohës
Ka më se një orë
Që ndjek zërat që i dëgjon
Ka më se një javë
Bisedon me ta në heshtje
Ka një dekadë që ecën
Rrugëve të heshtura
Në pritjen e lindjes së re
Eh!…
Edhe pas një shekulli
Do ta presë kthimin e diellit
Do t’i presë eshtrat
O njerëz!
Ktheni kokën mbrapa
Shikoni Nënëloken
Rrugëve të heshtura
Ec e pret
Pret e ec
Pret kohën e pakohë
Pret lindjen e diellit
Pret e pret… /KultPlus.com

Kaltrina Maloku dhe Imer Pantina me libra për fëmijë për Ditën e Librit

Në Ditën Botërore të Librit, shkrimtarja Kaltrina Maloku, ka promovuar librin për fëmijë “Ma fal buzëqeshjen”.

Ceremonia e promovimit është mbajtur në Sallën e Kuvendit Komunal në Klinë, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të Komunës, shkrimtarë, udhëheqës të shkollave fillore të Klinës, nxënës të këtyre shkollave, si dhe të pranishëm tjerë të fushës së letërsisë.

Po gjatë kësaj dite është promovuar edhe libri tjetër për fëmijë i shkrimtarit Imer Pantina, “Rreze në katër stinë”.

Libri më i ri i shkrimtares Maloku, kësaj radhe vjen me poezi për fëmijë, përmes së cilës shkrimtarja tenton të arrijë të bëj për vete edhe fëmijët, pasi që ky është libri i saj i parë kushtuar fëmijëve.
Më rastin e promovimit të këtij libri, shkrimtarja Kaltrina Maloku ka treguar se poezitë i ka shkruar me shumë dashuri për fëmijët. Me këtë rast, ajo ka falënderuar ShK “Jehona e Dukagjinit” që kanë mundësuar botimin e tij, si dhe recensentin Mahir Morina dhe lektorin Imer Pantina, të cilët sipas saj kanë bërë një punë të shkëlqyer.

Shkrimtarja Maloku ka treguar se këtë libër me poezi ia ka kushtuar nipit të saj. “Falënderimin tim më të veçantë ia kushtoj atij që më dha idenë për të shkruar edhe një libër për fëmijë, nipit tim Gertit, të cilit edhe ia dedikoj këtë libër”, ka thënë Maloku. Ajo ka treguar se është shkrimtare e romaneve për të rritur, ndërkaq ky libër tha se është dhuratë për më të vegjlit.

Ndryshe, ky është libri i tretë me radhë i shkrimtares Kaltrina Maloku, e cila romanin e parë “Heshtja e Kohës”, e kishte botuar në vitin 2015, ndërkaq romanin e dytë “Britmat e Shpirtit” e kishte botuar vitin e kaluar./KultPlus.com

Kur isha i ri kisha dashuri

Poezi e shkruar nga William Shakespeare
Përktheu: Fan Noli

Kur isha i ri kisha dashuri,

ah dashuri,

E kisha zëmrën plot me lumtëri,

Me nuse e me dasm’ e me kurorë,

Isha si dash me brir’ e me këmborë,

Po e pabesa pleqëri më theu,

ah më theu,

Me pançën e me thonjtë më mbërtheu,

Më çthuri, m’arratisi në kurbete,

ah kurbete,

Në male, në shkëmbinj, në pronj e dete.

Një bel, një bel, një kaz’m e një lopatë,

ah lopatë,

Dhe një savan i gjërë dhe i gjatë;

Një grop’ e thellë dhe përsipër baltë,

ah moj baltë,

Kështu e do kjo mysafir’ e naltë.

Me Dritëroin dhe Kadarenë në kafe “Pjaca”

Nga: Zija Çela

1

Kur u bë përurimi i librit me tregime “Njerëz të krisur” të Dritëro Agollit, në sallën e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve ligjëroi shumëkush. Dihet, sado të restaurohet, tavani i asaj salle do të vazhdojë të ruajë blozë tymi, jo nga i cigareve, por nga tymi i fishekzjarreve. Për Dritëroin megjithatë mund të flisja, por mes atij zjarrmllëku nuk m’u dha ta merja fjalën.

Nga leximi i librit më kishte lindur një pyetje, përgjigjen e së cilës ende s’ia kisha dhënë vetes dhe nuk po e dëgjoja as aty. Pyetja ishte: Çfarë ka moderne në klasiken e këtij autori, një moderne disi enigmë sepse, bie fjala, nuk e gjen të shfaqur as në strukturat e formës?

Pas ca kohësh, bëra një shkrim që e titullova “Leximi i një teksti univok” (Drita, shtator 1995). Sapo u lexua në dorëshkrim, me fjalën univok qysh në titull, në redaksi u shfaqën dyshime se Dritëroit do t’i mbetej hatri.

Nuk e di përse, por unë mendoja ndryshe. Në atë shkrim pohoja se, sipas meje, Agolli u përket shkrimtarëve që dëshmojnë rezistencë konservuese në rrugën e tyre, duke i besuar më tepër rezultatit sesa kërkimit dhe eksperimentit. Prandaj është i qëndrueshëm në mënyrën e shkrimit të letërsisë.

Në prozat e tij, lexuesi shkollar edhe sot i gjen me lehtësi të ashtuquajturat elemente të kompozicionit, hyrjen, pikën lidhëse, zhvillimin e ngjarjeve, pikën kulminante dhe zgjidhjen e veprimit. Në raportet e tij me lexuesin, i prirur njëherësh nga ideologjia dhe filozofia, Dritëroi shkruan një letërsi të orientuar.

Ai nuk e fsheh, përkundrazi, duket se bën përpjekje të vijueshme që nga tërësia e tekstit dhe përfundimi i tij, lexuesi të marrë po atë mesazh për të cilin ka shkruar autori.

Po ahere si shpjegohet ajo ndjesi moderniteti që, prapëseprapë, të vjen prej këtij shkrimtari teksa lexon prozën e tij? Nëse Dritëroit i mungon polisemantika dhe interteksti, atë e bën modern teksti univok që, për hir të prirjeve të këtij shkrimtari, mbart një vetjakësi të paimitueshme.

Po të ishte thjesht një realist i traditës, Dritëro Agollit do t’i duhej të parapëlqente sidomos vijën e mesit, në kuptimin se çfarë është e besueshme në jetë, bëhet më e besueshme edhe në letërsi. Mirëpo Dritëroi, si në tregime ashtu dhe në romanet e tij, jep kuota të skajshme, nevralgjike, pika të vlimit. Pa u shquar për trille fluturuese të fantazisë, ai dallohet për zgjedhjet kapriçoze që qëmton nga jeta.

Ja përse, ndonëse të shkruara me qëllime univoke, romanet dhe tregimet e tij afrojnë me vepra që japin mundësi për lexime e interpretime të ndryshme, siç ndodh në formacionet e artit modern. E kjo buron edhe nga paradoksi midis “fundit të mbyllur”, çka pritet te Dritëroi, dhe “fundit të hapur” që gjithsesi e shoqëron prozën e tij, duke nxitur tërheqje.

Nëse te Brehti ky shartim gjendet i përpunuar estetikisht në mënyrë të vetëdijshme, Dritëroit sikur i shpëton nga duart, ai e ka instinktiv dhe spontan. Ndoshta pikërisht intuita e artistit, në konflikt me metodën, u ka dhënë jetë kaq të gjatë edhe Zylos së famshëm e Mato Grudës me top.

Kishin kaluar disa ditë nga botimi i shkrimit kur, në trotuarin buzë gjelbërimit të “Pjacës”, po çapitesha me mikun tim Lazër Stani. Nuk vonon e përballë shfaqet Dritëroi. Dhe Lazri, që deri atë çast as ma kishte hapur atë temë, por i mësuar me shakatë qesh e ngjesh, ia fut me top:

“Hë, Dritëro, e pe si ta kishte hedhur Zijai me tekstin univok?!”

Prej asaj përskuqjes së tij fisnike, kur nuk i vinte nga tensioni nervoz por nga kapilarët më të thellë të shpirtit, Dritëroi më zgjati dorën dhe e dëgjova të thoshte:

“Jo, jo. Zijai ka të drejtë.”

Në majë të gjuhës më vjen tashti diçka. Por po përmbahem, për të thënë një tjetër. Esenë “I gjallë mes shpirtrash të vdekur” (Koha Jonë, 14 tetor, 2017), botuar në postum të Dritëroit, e kam mbyllur me këto radhë: “Mik i dashtun, na ndodh t’i shohim me sy djemtë e rinj, që në trupin e tyre shkruajnë me bojë gjithfarë shenjash.

Por vjen një moshë, ajo e bilancit, kur gjaku i zemrës i shkruan vetë shenjat e saj. E po ta them pra, e kam aty tatuazhin e pashlyeshëm për ty.”

2

Një ditë, mbasi kisha pësuar humbje të pakthyeshme në kompjuter, nisa ecejaket nëpër dhomë gjithë substrat hidhësie. Befas, u ndala para raftit të librave. Në gjendjen siç isha, për të gjetur njëfarë ngushëllimi, kërkova të harrohesha me ndonjë libër të sigurt.

Zgjodha një nga kryeveprat e letërsisë botërore, pikërisht “Pallatin e Ëndrrave”. Për çudi, gjatë rileximit po ndihesha tepër luçid, çka ma shtonte sensin e depërtimit dhe të vetinterpretimit.

E solli rasti që mbas do kohe u ftova për kafe. Nuk ishte mëngjes, por muzg. As nuk ishim në Kafe Rostand, por në oborrin e “Pjacës”. Kadareja, Helena, unë dhe Bujar Hudhri, botuesi i “Onufrit”.

Ra fjala e tregova për humbjen që kisha pësuar, rileximin e “Pallatit”, si dhe… Kam dëgjuar kolegë që thonë se “me Ismailin nuk mund të bisedohet”. Nuk po ndalem as te ndrydhjet e ndokujt, as te hasretet e forta si të xhenemit, as te xhindët e Kadaresë.

Pse? Ngaqë përvojën e kam ndryshe, çka nuk do të thotë se po tipizoj marrëdhëniet e kurrkujt. Unë jam mësuar që, nëse kam qenë kundër për diçka, ia kam thënë gjithmonë hapur, sy më sy, madje ka ndodhur edhe me dëshmitarë.

Aq sa ndonjëherë miqtë e pranishëm më kanë rënë lehtë me gju nën tavolinë, si për të më tërhequr vëmendjen, kujdes, ç’po thua?! Për shembull, në sallën e Lidhjes me dëshmitar Ndoc Gjetjën, në shtëpinë e Ismailit me dëshmitar Visar Zhitin.

Veçse mos nxitoni, zotërinj, parimi im është duke u dashur, duke u dashur edhe kur mendojmë ndryshe! Isamilin e kam lexuar herët dhe jam shprehur qysh herët për krijimtarinë e tij.

Po kujtoj vetëm një rast. Njëherë, duke synuar të shpjegoja çelësin se si duhet lexuar vepra e Kadaresë, në një ese bëja referime me autorë perëndimorë, që atëherë mallkoheshin me të madhe te ne.

Në shkrimin e botuar në MAPO (21 shkurt 2015), Arben Kallamata e sjell kështu jehonën e asaj eseje: “Duhet të ketë qenë në vitin 1987 ajo paradite kur, për herë të parë, më ra në dorë romani “1984” i Orëell-it… Unë kujtoja se në redaksinë e atëhershme të “Dritës” vetëm unë dhe Rudolfi (Marku) e kishim lexuar Orëell-in. Por ja ku na del kryeredaktori, Zija Çela, që me një guxim prej të marri ia vesh drejt e në faqet e gazetës, duke krahasuar veprën e Kadaresë me atë të Orëell-it dhe të Prustit.

Madje, për herë të parë publikisht në Shqipëri, Çela kishte shprehur edhe opinionin se Kadareja do të ishte i nderuar me Çmimin Nobel, po aq sa Nobeli me Kadarenë. Më rëndshëm nuk kishte si t’ua “këpuste” atyre kuteve të rrepta zyrtare.

Reagimi ishte i menjëhershëm dhe mjaft i fortë…” Pa gjëma, e hodha me një Vërejtje me paralajmërim për përjashtim nga puna. Mirëpo njeriu i shkretë regjet me kohë. Unë do të merrja nja tri-katër herë vërejtje të tilla, të cilat, nëse nuk përsëritej “proçka” brenda gjashtë muajve, të hiqeshin nga… Nga hiqeshin? Se ku dreqin shënoheshin dhe nga djallin hiqeshin nuk e di.

Por le të kthehemi te “Pjaca” kur i ftuar për kafe, rrëfeva humbjen në kompjuter, nevojën për të dalë nga gjendja e mërzisë dhe tërheqjen nga rafti të “Pallatit të Ëndrrave”.

Mirëpo unë nuk mund t’i shmangesha atij luçiditetit të çuditshëm gjatë leximit, sidomos sensit të depërtimit dhe vetinterpretimit. Kujdes, m’u bë siku po dëgjoja zërin e ndonjë miku, çfarë po matesh të thuash, ti vetë sapo e cilësove kryevepër dhe si kryevepër pranohet gjerësisht!

Megjithatë, iu drejtova Ismailit:

“Për mendimin tim, romani nuk duhet të këputet ashtu, pra të përfundojë në shtëpinë e Qypërlinjve. Ai ka nevojë për një pjesë më vete, vazhduese, pavarësisht se sa rreshta mund të jetë, mjaft që në mëngjes nëpunësi të kthehet sërish në institucionin e tij shtetëror, në Pallatin e Ëndrrave. Ky roman kaq polivalent dhe me fund krejt të hapur, do të më dukej me vend sikur nga ana kompozicionale të ishte i mbyllur, dhe të mbyllej tamam në pikën nga është nisur rrethi…”

Pas pak, Ismaili nxori një copë letër dhe diç po shënonte. Pastaj u ngrit dhe nisi të bënte vajtje-ardhje ndanë tavolinës.

“E di çfarë po bluan?”, tha Bujari. “Po bluan atë propozimin tënd.”

Helena buzëqeshte. Edhe unë buzëqeshja, ngaqë edhe më vinte, edhe nuk më vinte ta besoja.

Në bibliotekën e shtëpisë e kam gjithë kompletin e Veprave të Ismailit. Madje për romanin “Darka e gabuar” kam aty edhe parathënien. Por “Pallatin” s’e kam shfletuar më asnjëhërë. Nuk di pse, nuk dua ta shoh fundin, megjithëse ndokush thotë sikur ka shtuar diçka… Por kjo nuk është e rëndësishme, në superkrijimtarinë e përbotshme ka disa ëndrra të mistershme, që patjetër do të prisheshin, po të mos mbesin ëndrra.

Prandaj rëndësi ka pohimi, ai pohimi që tashmë më ka ardhur në majë të gjuhës dhe nuk ka përse ta mbaj ende, përderisa u bë nxitje për këto rrëfime.

Shkrimtarët e mëdhenj nuk kanë vetëm gojë, as vetëm huj, inate shafitëse dhe zemërata të hatashme. Shkrimtarët e mëdhenj kanë edhe veshë.

Veçse, sipas një legjende të vjetër urbane, thonë se hapësira e lirisë së dialogut varet nga tjetri përballë dhe nga ç’zemër u flitet.

Vendi ku legjendat thonë se Lekë Dukagjini i kaloi vitet e fundit të jetës (Foto/Video)

Befasi e verës dhe e katër stinëve për turizmin shqiptar, padyshim mbetet grykëderdhja e Lumit të Shalës me Blinin e Gurit të Lekës. Tashmë kanë filluar të zbresin dhe vizitorët e parë.

Blini i Gurit të Lekës, ndodhet në vendpjekjen e Lumit të Shalës me Liqenin e Komanit, në prehrin e Komlemit, karshi Mollës së Shoshit. Vendi ka plot histori që lidhen me princin rebel, Lekë Dukagjini.

Thuhet se Lekë Dukagjini, vitet e fundit të jetës i kaloi në këtë vend, i mbrojtur nga humnerat shkëmbore që zbresin thikë deri ne Drin dhe nga pas shpine nga mbrojtja besnike e banorëve të Dukagjinit. Emrin “Komlem” thuhet se e mori kur rrethimi i ushtrisë turke zgjati aq shumë sa atje lart midis atyre shkëmbinjve lindën 72 djem.

Përballë Komlemit, nga ana tjetër e lumit ndodhet një shkëmb i cili mban emrin “Curri i Haxhi Begut” nga ku ushtria turke thonë që gjuante me top malësorët e ngujuar aty në Komlem, bashkë me princin.

Një natë, Leka ju thotë ushtarëve, që të hedhin vozgat me raki në shkëmb, duke iu vënë flakën. Vargu i flakës zgjatej deri poshtë në Drin dhe turqit e lëshuan rrethimin duke menduar se ishte barut dhe se këta paskan aq shumë barut sa edhe ta djegin në humnerë.

Vetëm kur arrin aty te Guri, e kupton se pse i thonë Guri i Lekës, sepse pasi je ngjitur mbi të dhe ke hedhur vështrimin rreth e rrotull, kupton se ai është një vend strategjik vrojtimi. Nga maja e këtij guri, mund të “krehësh” të gjithë zonën në një hark prej rreth 300 grade.

Pra, Leka, nga ky gur ka pikasur çdo lëvizje të armikut dhe kujtdo që ka tentuar ti afrohet.

Disa qindra metra afër Gurit, ndodhet Shpella e Lekës, një shpellë me një hyrje jo shumë të madhe, por që pas rreth 20 metrave zmadhohet dhe që vazhdon pikjatë poshtë në drejtim të lumit.

Sipas legjendës, thuhet se Leka kishte lënë amanet që pas vdekjes trupi i tij të hidhej në këtë shpellë, në mënyre që të mos i gjendej nga pushtuesit turq, kjo duke patur parasysh se çfarë ata bënë me varrin dhe eshtrat e Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Nuk ka dokumente për vendin ku Lekë Dukagjini kaloj vitet e fundit të jetës, për kohën e vdekjes apo për vendvarrimin e tij. Duke u mbështetur në e gojëdhënat, Blini është vendi ku kaloi vitet e fundit të jetës së tij. /ATSH/

Ura shton turistët, të huajt vizitojnë Zvërnecin (VIDEO)

Përfundimi i urës që lidh ishullin e vogël të Zvërnecit me bregun në Vlorë ka shtuar numrin e vizitorëve në Manastir.

Objekti i kultit u vizitua gjatë fundjavës nga shumë turistë të huaj. Ata tregojnë se çfarë u ka bërë më shumë përshtypje në Shqipëri.

“Shqipëria është një parajsë. Njerëzit janë të mrekullueshëm. Më ka bërë përshtypje infrastruktura dhe bukuria natyrore e qyteteve dhe fshatrave. Shpresoj se shqiptarët e kuptojnë sesa gjëra të veçanta kanë”, thotë një turiste kanadeze.

“Më ka bërë përshtypje historia shqiptare. Mahnitëse të gjitha fazat ku keni kaluar dhe të shohësh mbetjet e epokës romake, osmane dhe të mësosh si ia keni dalë në komunizëm”, shprehet një tjetër vizitor i huaj.

“Më kanë bërë përshtypje plazhet. Unë notova dhe janë shumë të pastër. Është kaq e lehtë të mbërrish këtu. S’të duhet të prenotosh. Ka ushqim të mirë. Është një parajsë”, shton një tjetër turiste.

Kisha e Shën Mërisë në ishullin e Zvërnecit është një ndër pikat ku turistët mund të ndalojnë në Vlorë. Përmirësimi i infrastrukturës ka bërë që të jetë më e lehtë qasja te ky objekt, ndërsa infranstruktura e lënë pas dore prej vitesh bën që shumë monumente të tjera të kulturës të mos jenë lehtësisht të arritshme nga turistët./ Top Channel/ KultPlus.com

“Viganët e maleve” shfaqet në Shkup, pjesë e kastës edhe dy aktorë shqiptarë (VIDEO)

Shfaqja teatrore “Viganët e maleve” me autor Luigi Pirandello dhe në regji të Paolo Magelli do të prezantohet edhe në Shkup.

“Viganët e maleve” ku luajnë edhe aktorët nga Maqedonia Xhevdet Jashari dhe Fisnik Zeqiri do të shfaqet në Teatrin Nacional të Maqedonisë më 26 dhe 27 prill me fillim prej ora 20:00.

Krahas aktorëve Jashari dhe Zeqiri, në shfaqje luajnë edhe aktorët: Valentina Banci, Mirko Soldano, Eniko Blenessy, Giuseppe Nicodemo, Daniel Dan Malalan, Mauro Malinverno, Boris Kuçov, Doroteja Nadrah, Riçard Hladik dhe Silvia Torok. Dramaturge është Zheljka Udoviçiq Pleshtina, muzika nga Ivanka Mazurkijeviq dhe Damir Martinoviq Mrle, skenografia nga Aleksandra Ana Bukoviq dhe Lorenzo Banci, kostumografia nga Manuela Paladin Shabanović, dritat nga Dalibor Fugoshiq, kurse asistente regjie është Barbara Babaçiq.

Shfaqja “Viganët e maleve” që u dha premierë më 2 shkurt në teatrin “Ivan Zajc” është bashkëpunim ndërmjet teatrove nga Maqedonia, Kroacia, Italia, Sllovenia dhe Rumania , si pjesë e projektit “Rizbulimi i Evropës”, e financuar nga Bashkimi Evropian.

Më poshtë mund të shihni edhe pamje nga premiera në Rijekë.

Del në ankand një foto e rrallë nga fatkeqësia e Titanikut

Imazhet tregojnë një ceremoni mortore: varrimin në det të një prej viktimave të Titanikut në anijen Mackay-Bennet që ndihmoi në gjetjen e 300 trupave pas tragjedisë.

Prifti Hind në të majtë kryen shërbimet për qefinin e shënuar me numrin 177 në të cilën gjendet një nga anëtarët e ekuipazhit, William Peter Mayo që hidhet në ujë.

Kjo foto do të dalë në ankand këtë fundjavë me një çmim bazë 5000 – 8000 stërlina (7.114 në 11.383 USD) nga shtëpia e ankandeve Henry Aldridge & Son.

106 vjet pas tragjedisë, fotoja është një nga dëshmitarët më të rrallë që është parë dhe është realizuar nga një oficer, Mackay-Bennet, R.D. Legate. Prifti Hind realizoi 166 shërbime të ceremonisë mortore në det, duke përfshirë edhe atë të udhëheqësit të bandës së anijes, Wallace Hartley.

Kjo foto është e një rëndësie të veçantë. Edhe pse varrimet në det ishin të shumta, regjistrimet vizuale si dhe shërbimet e tyre janë pothuaj inekzistente edhe në publikime të periudhës së kohës. Telegrafi/ KultPlus.com

Leksion mbi Shqipërinë

Gjeografi gjerman nga Tübinger, Dr. Harald Borger ju ofron një udhëtim kulturor dhe me natyrë të bukur në Shqipëri, pasardhëse e ilirianëve antikë.

Sot, më 23 prill, nga ora 19.30 do mund të shikoni ekspozitën me fotografi nga Shqipëria. Ekspozita do mbahet në Pfullingen në rrugën Bismarckstraße 53.

“Shqipëria dalë ngadalë po zbulohet dhe po tërheq turistët, pas një izolimi prej disa dekadash, “ shkruan media gjermane SWP, rreth ekspozitës së Borger, përcjell albinfo.ch. Në Shqipëri mund të gjendet më së miri ndërthurja kulturore mesjetare me antikën. Një vend ku gjurmë të thella kanë lënë romakët, grekët, bizantinët, osmanët./ KultPlus.com

Indiferenti

Poezi nga Hose Ierro

Tani do të jemi të lumtur
kur asgjë ç’të presim s’ka.

Le të bien gjethet e thara
le të çelin lulet e bardha,
pa çka!

Le të ndrijë dielli në qiell
Le të bjerë shiu mbi xham
A s’janë të gjitha gënjeshtra
të vërteta të gjitha a s’janë?
Le të mbretërojë mbi botë
pranvera që vdekje s’ka
le të marrë të tatëpjetën jeta
pa çka!

Le të ketë melodi endacake
pa çka!

Ç’na hyjnë në punë meloditë
kur asgjë ç’të këndojmë s’ka.

perktheu Aurel Plasari

Chopin Piano Fest nesër sjellë koncertin e fundit me Filharmoninë e Kosovës

Chopin Piano Fest këtë vit po e sjellë edicionin e 9-të me radhë, me gjithsej katërmbëdhjetë mbrëmje koncertale. I gjithë ky festival do të përmbyllet këtë javë me koncertin e fundit me Filharmoninë e Kosovës, e cila do të dirigjohet nga dirigjenti gjerman, Boian Videnoff dhe me lojën pianistike të pianistit të njohur italian, Giovanni Bellucci.

Në pjesën e parë të koncertit do të interpretohen veprat e kompozitorëve të njohur Luëig Van Beethoven “Koncert për piano dhe orkestër nr.4 në G- dur, Op.58” urse pjesa e dytë përmban një nga veprat me voluminoze të Franz Schubert “Simfonia Nr.9 në C-dur”, shkruan KultPlus.
Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari këtë koncert e karakterizon bashkëpunimi tradicional me Chopin Piano Fest që kësaj here ka sjellë Giovani Bellucci që ësht një nga pianistet më të shquar në skenën botërore.

“E falendërojmë Chopin Festin që kanë arritur ta sjellin këtë emër të njohur këtu në Prishtinë. Publiku nesër do të ketë rast të bindet që kemi të bëjmë me një kalibër të veçantë kjo bazuar edhe në provat e sotme që na ka lenë pa tekste orkestrën dhe të gjithë neve”, u shpreh Jashari në konferencën për media.
Pianisti i njohur italian Giovanni Bellucci konsiderohet si një nga pianistet më me ndikim të kohës. Ai vjen për herë të parë në Kosovë dhe lidhur me këtë tha se ndihet i lumtur që nesër do të interpretoi së bashku me orkestrën dhe me dirigjentin Bion Videnoff.

“Fillimisht faleminderit që më keni ftuar në festivalin e Chopenit, po ashtu të luash Bethoveenin në një festival të Chopin-it është shumë interesante pasi që siç e dimë Chopini nuk e preferonte Bethoveenin. Koncertet e Bethoveenit janë një nga veprat monumentale dhe është shumë kënaqësi ta luash në piano posaçërisht dhe Schubertin me të cilin ishin të afërm por jo miq, tregoi Bellucci.

Dirigjenti gjerman, Boian Videnoff tha se është një kënaqësi e madhe që të vij këtu ku nuk ndihet më si mysafir por si anëtar i familjes.
“Është kënaqësi të kthehem këtu ku kam mjaft miq dhe duke u bazuar edhe në prova ishte eksperiencë e mirë interpretimi së bashku me Giovannin me t ë cilin shikojmë lojën detajisht e veçmas dhe është shumë kënaqësi ta luajmë këtë program në këtë renditje”, tregoi ai.
Veçmas ai tregoi për veprën e Schubertit e cila është një vepër monumentale dhe me një kohëzgjatje dhe që është rimodeluar gjatë gjithë kohës, ndërsa është një vepër shumë kërkuese edhe për orkestrën dhe që të ngjall admirim në secilën pjesë ndërsa tha se shpreson që do ta sjellim në atë mënyrë këtë vepër që është kërkuese dhe mjaft e bukur për t’u luajtur nga orkestra.

“Po ashtu një anektodë është se Schuberti derisa shkruante këtë vepër, ai u kishte thënë “Mendoj se më duhen më shumë prova harmonike”, dhe ai ka krijuar një nga perlat më të mira, dhe kjo tregon se ai ishte një personalitet që gjithmonë është në kërkim, i cili është kthyer duke krijuar pjesë të njëjta në mënyrë të ndryshme”, tregoi Videnoff.

Besa Luzha nga Chopin Piano Fest tregoi gjithmonë perpiqen që ta shpalosim pianon në role të ndryshme, në shumë raste si instrument solistik duke ofruar recitale nga pianistet më të njohur të shkollave dhe stileve të ndryshme të interpretimit me raportuar sa më të larmishëm si dhe në duete. Ajo po ashtu tregoi se Drejtoresha Artistike e Festivalit gjithnjë ka menduar se bashkëpunimi me orkestrën shpalos veprat më të rëndësishme për këtë festival dhe për orkestrën dhe kjo është arsyeja që gjithnjë e përfundojnë me Filharmoninë e Kosovës ndërsa shtoi se janë me fat që këtë edicion po i sjellin këto vepra me lojën e pianistit Belluccci me të cilin është e lehtë që të zgjedhën veprat e njohura.

“Besoj që të gjitha festivalet janë duke e plotësuar një boshllëk në jetën kulturore dhe pa këto festivale jeta kulturore do të ishte shumë e zbrazët dhe i falënderojmë të gjithë ata që na kanë mbështetur. Të gjithë së bashku po e plotësojmë këtë mozaik për të treguar që jemi një vend që kultivojmë vlerat artistike”, tha Besa Luzha.

Dy vepra të tjera që ishin paraparë të interpretohen në këtë koncert, nuk do të jenë të pranishme për shkak të mungesës së partiturave dhe shtëpive botuese.

Ky koncert do të mbahet të martën në Sallën e Kuqe të Pallati i Rinisë, duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com

Tirana në Bienalen e Venecias, Veliaj: Prezantojmë një pjesëz të historisë tonë

Një pjesë e mjedisit urban të Tiranës do të shkojë në Bienalen e Venecias. Në edicionin e 16 të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës, në Bienalen e Venecias 2018, Shqipëria do të përfaqësohet me projektin “Hapësira zero”, i cili ka zgjedhur portat e vjetra të marra nga banesa në kryeqytet, si element për të shpjeguar Tiranën ku bashkëjetojnë e vjetra me modernen.

I pranishëm në prezantimin e këtij projekti, që mbështetet nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës, kryebashkiaku Veliaj vlerësoi idetë e prezantuara dhe pritshmërinë e lartë për pavionin shqiptar.

Ai u shpreh i entuziazmuar për përfaqësimin e vendit tonë në Bienalen e Venecias, si një mundësi për të prezantuar një pjesëz të Shqipërisë në botë.

“Me çelësin e dyerve do të takohemi në Venecia. Është një fabul fantastike. Historia jonë duhet treguar. Jemi të lumtur që do shkojmë ta tregojmë historinë tonë falë këtij grupi historik dhe që jam i sigurt se do të na bëjnë shumë krenarë”, nënvizoi ai, përcjell GSH.

Veliaj shtoi se Tirana është një nga qytetet më me jetë, i mbushur me plot sfida dhe ku ia vlen që të jetosh.

“Në punën time qëllon që takoj shpesh shumë kryetarë bashkie të qyteteve më të zhvilluara, të cilët kanë infrastrukturën, pra tramin, metrotë, ndërtesat luksoze, rrugët me infrastrukturë shumë moderne, por s’kanë njerëz, s’kanë jetë. Nëse do të kisha një zgjedhje midis kësaj Tirane me shumë sfida në infrastrukturë dhe një qyteti me infrastrukturë perfekte, por pa jetë, ku çdo gjë mbyllet në orën 17, do të zgjidhja Tiranën. Kam përshtypjen se, për të gjithë ne që kemi zgjedhur Tiranën, si vendin ku të jetojmë e ku kemi familjet tona, kjo vepër është konfirmimi i kësaj zgjedhjeje që kemi bërë. Kemi zgjedhur të jetojmë me shumë sfida në infrastrukturë, por me jetë kudo”, tha kreu i Bashkisë.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro nënvizoi se projekti që do të përfaqësojë Shqipërinë në këtë bienale sjell jo vetëm një ide, por mbi të gjitha qytetari.

“Erioni e ndërton dhe e zhvillon bashkë me ekipin e tij në Bashki, ndërsa Ministria e Kulturës ka marrë përsipër përgjegjësinë ta transformojë në një projekt, që përmes arkitekturës ta përcjellë artistikisht në një publik ndërkombëtar, me një kalendar shumë të ngjeshur 6-mujor, duke synuar që të shkojmë jo vetëm në Venecia, por përtej Venecias, përtej Italisë, të bëjmë një ekspozitë shëtitëse. ‘Kati zero’, që ne në shqip i themi kati përdhes, atje ku ndodh gjithçka, ku është Tirana jonë me zhurmë, me ndryshim, pa zhurmë, me imazhe, me zërin e njerëzve që çdo ditë të jetojnë, çdo ditë të gëlojnë nëpër rrugët e Tiranës dhe të gjithë bashkë duam ta çojmë si një pasaportë në këtë ekspozitë botërore të arkitekturës”, deklaroi Kumbaro.

Seria e dyerve, e instaluar në “Hapësirën zero” linjëzon kalimin mes të brendshmes dhe të jashtmes në urbanistikën bashkëkohore të Tiranës, karakterizuar nga prania e shumë dyqaneve, punishteve, kafeneve, të pranishmë kudo nëpër qytet dhe pothuaj 24 orë në shërbim të qytetit.

Pasuri e një kulture antike, e adaptuar në mënyre kreative me nevojat e përditësuara të qytetarëve për një hapësirë totalisht në dispozicion, një hapësirë të lirë për publikun. Për këto arsye, “Hapësira zero” e Tiranës ridimensionon qytetin në shkallë njerëzore, duke u kthyer tashmë në këtë hapësirë ku gjeneratat e ardhshme njohin vetveten./ KultPlus.com

Dasma e Gjergj Kastriotit Skënderbeut me Donikën, nëpërmjet fotografive (FOTO)

Në mesditën e së dielës, në Kalanë e Kaninës janë mbledhur shqiptarë nga të gjitha anët që të shndërrohen në krushqi të dasmës së Gjergk Kastriot Skënderbeut me Donikën, ceremoni kjo që është përcjellë nga afër edhe nga KultPlus.

Bashkë me 60 arbëreshët e Italisë, Fate Valaj dhe Elida Jorgani kanë organizuar këtë ceremoni që në të njëjtën kohë, për të dytin vit me radhë po shënohet edhe Vallja e Fitores.

Vetë njëri nga organizatorët e kësaj ceremonie sapo ka bërë publike fotografitë e kësaj dasme, ku KultPlus ju sjellë edhe njëherë më afër këtyre emocioneve./KultPlus.com
























Sot dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Sot, më 23 prill shënohet Dita Botërore e librit ndërkaq po sot bëhen 454 vjet nga lindja e kurse 402 vjet që kur ndërroi jetë autori William Shakespeare.

William Shakespeare ishte një dramaturg anglez që lindi më 23 prill 1564 në Stratford mbi Avon dhe vdiq më 23 prill 1616 në po të njëjtin qytet.

William Shakespeare e ngriti artin poetik në majat më të larta. Kur flitet për të shumë pak autor i qëndrojnë përkrah dhe asnjë përsipër. Studimet, analizat dhe komentet rreth tij janë të panumërta por përfundimi është i njëjtë: vepra shekspirane është e admirueshme si tërësi dhe në të tërë përbërësit e veçantë. Vepra e tij së bashku me Biblën dhe Deklaratën e të Drejtave të Njeriut janë shtyllat në të cilat ngritet identiteti i Evropës historike përcjell Portalb.mk.

Shakespeare konsiderohet si shkrimtari më i shkëlqyer i gjuhës angleze, në mënyrë absolute, një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Njeri nder shkrimtarët me te famshem ne bot. Ai ka qenë komediograf, dramaturg, por edhe aktor. Ai jo vetëm që shkroi disa tragjedi të jashtëzakonshme të cilat hynë në historinë e letërsisë botërore, por edhe shumë komedi dëfryese që nuk u shfaqen kurrë./ KultPlus.com

Nxënës të shkollave fillore vizituan BKK-n dhe lexuan krijimet e tyre për Ditën Botërore të Librit

Gili Hoxhaj
“Leximi është e drejta ime”, shkruhej në Amfiteatrin e madh të Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”. Në këtë bibliotekë sot u shënua Dita Botërore e Librit, ku fillimisht u fol për rëndësinë e librit për t’u dhënë mundësinë më shumë nxënësve që të shprehin krijimet e tyre.

Salla e amfiteatrit ishte e mbushur përplot me nxënës e mësimdhënës të shkollave fillore “Ismail Qemaili”, “Meto Bajraktari”, “Hasan Prishtina” dhe shkolla “Nazim Gafuri”, shkruan KultPlus.

Udhëheqësja e Departamentit të Arsimimit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Ramize Bajraktari ishte ulur në panel së bashku me drejtorët e këtyre shkollave. Ajo fillimisht iu drejtua nxënësve që ishin ulur në sallën e amfiteatrit.
“Ju po e madhështoni Festen e Librit pasi që ju jeni ata lexues të vegjël që kur të rriteni do të vini në këtë Bibliotekë të madhe dhe të lexoni kur të bëheni studentë”, u shpreh Bajraktari.
Ajo tregoi se data 23 prill e cila është përzgjedhur që të jetë Dita Ndërkombëtare e Librit dhe të Drejtave autoriale, ka një kuptim simbolik pasi që 23 prill 1616 janë ndarë nga jeta William Shakespeare që konsiderohet shkrimtari më i madh i të gjitha kohërave dhe Miguel de Cervantes që ka shkruar librin “Don Kishoti i Mancos”, e që është vepra më e përkthyer në botë.

“Kjo datë ëahtë caktuar t’i bërë homazh botëror librit dhe autorëve të tij dhe për të inkurajuar të rinjtë, që të zbulojnë kënaqësinë e të lexuarit, si edhe për të respektuar kontributin e pazëvendësueshëm, që kanë dhënë krijuesit për progresin social dhe atë kulturor”, u shpreh tutje ajo, ndër përfundoi fjalimin e saj me thënien se “njeriu i cili nuk lexon libra të mirë nuk ka përparësi nga njeriu i cili nuk mund të lexoj”.
Drejtoresha e shkollës “Ismail Qemailo”, Hatmane Demiri tha qe çdo ditë duhet të jetë dita e librit ndërsa kujtoi thënien se “njeriu vdes atëherë kur lexon”, duke bërë thirrje që të lexohet sa më shumë pasi që shteti nuk ecën përpara pa lexim, dije dhe njohuri.
Po ashtu nxehësve të këtyre shkollave iu dhuruan tri pyetje me anë të se cilave do të kuptoheshin njohuritë e tyre për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Krejt në fund atyre iu dhuruan edhe libra.

Ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të librit e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil. 23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor të 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor etj./ KultPlus.com

Thaçi: Institucionet të bëjnë më shumë për librin, botuesin dhe lexuesin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në ditën ndërkombëtare të librit u shpreh se kjo ditë na kujton vlerën universale të librit si mjet i patejkalueshëm i shënimit të dijes, shkencës, letërsisë artit dhe komunikimit njerëzor.

“Kjo ditë, përpos botimit, leximit dhe promovimit të librit, na fton për të mbrojtur të drejtën e autorit, përkatësisht vlerësimin e integritetit të krijuesve të vlerave diturore dhe shpirtërore. Kosova është pjesë e botës ku me ligj mbrohet e drejta e autorit”, është shprehur Thaçi përmes një shkrimi në facebook.

Sipas presidentit, institucionet tona kulturore dhe arsimore duhet të bëjnë edhe më shumë për ta përkrahur librin, botuesin dhe lexuesin.

Sot në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Librit, e cila origjinën e idesë së përkujtimit të kësaj dite e ka në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil. 23 prilli është shpallur si Ditë Botërore e Librit që nga 15 nëntori i vitit 1995. Dita botërore e librit dhe të drejtës autoriale këtë vit shënohet edhe në Kosovë në bashkëpunimin e organizatave të shoqërisë civile që mbështesin kulturën./ KultPlus.com

Trupa e Baletit të Kosovës mahnitë publikun gjerman, përfaqësuesit e Kosovës në Berlin nuk ishin prezent (VIDEO)

Mbrëmë në Berlin u dha shfaqja e fundit nga Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Kjo trupë, është duke qëndruar për disa ditë në Berlin atje ku dhanë gjithsej katër shfaqje, ndërsa sot udhëtojnë për në Hamburg ku do t’i kenë edhe tri shfaqje të tjera.

Duartrokitje të forta morën nga publiku gjerman balerinët e Kosovës. Kjo gjë tregohet edhe përmes një video të publikuar në rrjetin social Facebook, nga balerini Sinan Kajtazi, i cili poashtu ka shkruar për ndjesinë dhe ka kritikuar edhe përfaqësuesit e shtetit të Kosovës në Berlin, për mos prezencë në asnjë shfaqje të kësaj trupe e cila po mrekullon qytetarët e shteteve të ndryshme.

Po sjellim të plotë reagimin e Sinan Kajtazit të bërë mbrëmë bashkë me një video:

“Sonte në Berlin, dhamë edhe shfaqjen e fundit, ku për katër netë me radhë, publiku me duartrokitje dhe ovacione, aprovoj shfaqjet e BKK në kryeqytetin gjermanë. Sigurisht që kjo na bëri krenarë të gjithëve, dhe po aq na turpëruan përfaqësuesit e shtetit të Kosovës në Berlin, përkatësisht Ambasada e RKS, punonjësit e së cilës nuk gjetën 2 orë kohë të ishin prezent në njërën nga katër shfaqjet e BKK. Për 46 vite jetë të BKK, ky ka qenë prezantimi i parë në Gjermani, dhe neglizhenca e përfaqësuesëve të shtetit tonë në raport me prezantimin e parë të një institucioni shtetëror në vendin ku janë deleguar, është për keqardhje.
Nesër udhëtojm për Hamburg, ku do t’i kemi edhe tri shfaqje të tjera.
Thank you Berlin for your great hospitality!!!
PS- Televizoni i famshëm evropian ARTE, në fund të këtij viti, do të realizoj dokumentar rreth punës së BKK”, ka shkruar Kajtazi./ KultPlus.com

Sot është datëlindja e linguistit të njohur, Gjergj Pekmezi

Sot bëhen 146 vite që kur ka lindur Gjergj Pekmezi i njohur si profesor i shqipes, bibliograf dhe albanolog shqiptar. Në nder të tij katedra e albanologjisë ne Universitetin e Vjenës mban emrin “Prof. Dr. Gjerg Pekmezi”, shkruan KultPlus.

Studimet e para i kreu në Ohër e Manastir. Më 1887 shërbeu si mësues në Llëngër të krahinës së Mokrës. Studimet e universitare i bëri në Beograd e në Vjenë, ku u diplomua më 1898 për filozofi dhe filologji. Më 1903 u emërua shef i katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin Oriental të Vjenës. Pas një viti themeloi Shoqërinë Kulturore Patriotike “DIJA”. Më 1908 zbulon memorandumin e famshëm të 1878-ës që Vaso Pasha e Sami Frashëri i dërguan Kongresit të Berlinit. Kontribuoi pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve duke vërtetuar shqiptarësinë e banorëve në viset jugore kundrejt orekseve synimeve greke. Punoi si përkthyes pranë këtij komisioni nga vjeshta e 1913 dhe më 1914 u emërua përkthyes i misionit austro-hungarez në Durrës.

Ai ka lënë dorëshkrim një punim mbi dialektologjinë shqiptare “Tiparet dalluese thelbësore të dialekteve kryesore të shqipes, gegërishtes dhe toskërishtes”. Gjithashtu ka mbledhur e dorëzuar 8177 faqe të daktilografuara me materiale e relacione të konsujve austro-hungarezë të Shkodrës, Prizrenit, Janinës, Stambollit, nxjerrë nga arkivi i Ministrisë të jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze. / KultPlus.com

“Dikur njerëzit çmendeshin duke lexuar libra, tani çmenden para pasqyrës”

Disa thënie të mrekullueshme për librin.

“Ja pra, këtë mrekulli të bëjnë librat: Të lejojnë të udhëtosh, pa i lëvizur fare këmbët” –Jhumpa Lahiri

“Nëse lexon vetëm librat që po lexojnë gjithë të tjerët, prit që të mendosh vetëm ato gjëra që mendojnë gjithë të tjerët” – Haruki Murakami

“Njeriu, qoftë ai zotëri apo zonjë, që nuk gjen kënaqësi në një roman të bukur, duhet të jetë padyshim idiot i patolerueshëm” – Jane Austen

“Një libër i madh duhet të të lërë me përjetimin e shumë përvojave dhe pakëz të lodhur në fund. Sepse ti jeton shumë jetë ndërsa lexon” – Uilliam Styron

“Gjithmonë lexo diçka që do të të bëjë të dukesh mirë, nëse vdes në mes të leximit” – P. J. O’Rourke

“Ka krime më të këqia se sa djegia e librave. Një prej tyre është mosleximi i tyre” – Joseph Brodsky

“Miq të mirë, libra të mirë dhe një ndërgjegje e qetë: kjo është jeta ideale” – Mark Tuein

“Përrallat janë më se të vërteta: jo sepse na thonë që dragonjtë ekzistojnë, por sepse na tregojnë që dragonjtë mund t’i mposhtësh” – Neil Gaiman

“Nëse ka një libër që do të doje ta lexoje, por nuk është shkruar ende, atëherë duhet ta shkruash ti vetë” – Toni Morrison

“Miku më i mirë është ai që më jep një libër që nuk e kam lexuar” – Abraham Lincoln

“Mendo para se të flasësh. Lexo para se të mendosh” – Fran Lebovitz

“Librat janë avioni, treni dhe rruga. Ata janë destinacioni dhe udhëtimi. Janë shtëpia” – Anna Quindlen

“Lexova një libër një ditë, dhe e gjithë jeta më ndryshoi” – Orhan Pamuk

“Një dhomë pa libra është si një trup pa shpirt” – Marcus Tullius Cicero

“Dikur njerëzit çmendeshin duke lexuar libra, tani çmenden para pasqyrës” – Hegel./ KultPlus.com

Kosova shënon “Javën e Personave të Pagjetur”

Zyra e Kryeministrit Ramush Haradinaj ka dërguar agjendën për shënimin e “Javës së Personave të Pagjetur”, që nis me 23 prill dhe do të vazhdojë deri më 27 prill të këtij viti.

“Nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare te të Zhdukurve të Kosovës dhe organizatat tjera vendore e ndërkombëtare, organizojnë shënimin e ‘Javës për Personat e Pagjetur’ në vigjilje të shënimit të 27 prillit – ditës së të pagjeturve të Kosovës”, njofton Qeveria.

Më poshtë gjeni agjendën e Qeverisë për këtë ditë:

Sot nga ora 09:00 janë vendosja e luleve të përmendorja dedikuar personave të zhdukur (përballë Kuvendit të Republikës së Kosovës);

Më 24 prill 2018, do të vizitohen dhe realizohen takime me familjarët e personave të zhdukur, nga Komuna e Fushë Kosovës dhe Komuna e Obiliqit;

Më 25 prill 2018, do të vizitohen dhe realizohen takime me familjarët e personave të zhdukur, nga Komuna e Vushtrrisë ;

Më 26 prill 2018, do të realizohen aktivitete lokale në nderim dhe përkujtim te të gjithë personave të zhdukur dhe të rënëve për lirinë e vendit;

Më 27 prill 2018, duke filluar nga ora 12:00, mbahet Tubimi Qendror Përkujtimor, në Kompleksin Memorial në Mejë, Komuna e Gjakovës.

As 19 vite pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, ende nuk dihet për fatin e mbi 1600 personave të zhdukur.

Cila është e vërteta që fshihet pas valles së Shotës (VIDEO)

Një valle që ngre në qiell shqiptarët në Kosovë është edhe vallja e mrekullueshme e Shotës. Kjo valle është njëra ndër vallet e cila luhet, por edhe këndohet jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Bosnjë, Serbi, Kroaci, Maqedoni, Turqi, Bullgari e madje edhe në Greqi, jo vetëm te arvanitasit.

Mund të themi me gojën plot se kjo është e vetmja valle që ka depërtuar edhe në muzikën serbe, ndërsa në muzikën boshnjake është po aq e mbase edhe më e përhapur se te ne.

Nuk e saktësojmë dot kohën kur është luajtur për herë të parë në Shqipëri, por e dimë me siguri se në Kosovë është luajtur edhe para Luftës së Dytë Botërore.

Shumica e brezit të vjetër, sidomos në Drenicë, kanë ditur ta luajnë vallen dhe e kanë luajtur e kënduar nëpër dasma. Shumë femra në Kosovë mbajnë këtë emër, në radhë të parë për kujtim të Shote Galicës.

Te hungarezët është e njohur vallja “Çardash”, vallja Çyçek te turqit, te serbët si vallja e Uzhicës, e Moravës, e Çaçakut, apo kryesisht valle me emra të qyteteve, sikur rëndom janë të përhapura vallet, kudo në Ballkan.

Te serbët është kompozuar edhe një valle dyshe, e cila quhet vallja e Shotës dhe e Uzhicës. Te turqit është e njohur vallja e quajtur rumeli Shota, te bullgarët arnauatsko oro, e kështu me radhë.

Pa dyshim se kjo valle lidhet me Shote Galicën, luftëtaren popullore, Qerime Halil Radisheva, bashkëshortja e Azem Galicës. Nuk kemi të dhëna që flasin se kjo valle është luajtur dhe është kënduar në kohën e sundimit turk.

Shota është një valle karakteristike e luajtur nga valltarët, me tërë energjinë dhe me ritëm të shpejtë, e cila zakonisht luhet nga dy valltarë, mashkull e femër, (apo edhe në më shumë çifte), është valle që përshkohet me një ritëm impresionues që zgjon peshë emocionet si nga lëvizjet e shpejta ritmike, që nuk është mjaft karakteristikë e valleve shqiptare, por në këtë valle kemi karakteristika të cilat mendojmë se kanë disa veçori, që paksa dallojnë nga vendi në vend.

Vallja e Shotës ka qenë edhe në repertorin e Orkestrës Filharmonike të Beogradit, versioni i përpunuar nga kompozitori i njohur kroat, Josip Sllavenski, pastaj Rexho Mulliqi e të tjerë.

Ekzekutimi në shumë variante i kësaj valleje në Serbi ka shkaktuar tronditje te nacionalistët dhe shovinistët serbë, të cilët përbuzin e fyejnë bashkëkombësit e tyre, në forumet e internetit, por edhe në komente e shkrime, sepse e luajnë këtë valle shqiptare, e cila sipas shumicës së tyre i kushtohet Qerime Galicës, për të cilën serbët thonë se gjoja ajo vetë kishte vrarë, madje edhe kishte djegur fëmijë serbë.

Natyrisht se kjo histori histerike është krejt e shpifur, por gënjeshtra në Serbi ka gjetur dhe gjen vegjetacion të jashtëzakonshëm për të mbijetuar. Këtë e ka pranuar botërisht shkrimtari më i madh dhe më i lexuari në Serbi, Dobrica Qosiç,

Duke parë se kjo valle është futur aq thellë në popull dhe duke qenë se nuk ka grup folkloristik që nuk e kishte pasur, dhe nuk e ka në mesin e këngëve e valleve për interpretim, publiku serb, duke mos pasur rrugë tjetër, ka filluar ta përvetësojë si valle të moçme të serbëve të Kosovës, duke u mbështetur në emrin e valles, e cila, sipas tyre, i përket gjuhës serbe.

Po të mbështetemi në gjurmimet folklorike shqiptare në Kosovë, nuk duket se është hulumtuar gjeneza e kësaj valleje, e cila për çudi ka mbijetuar si asnjë valle tjetër, jo vetëm në vendin tonë por në mbarë Ballkanin.

Shota njihet edhe si valle e kënduar, në Bosnjë, Serbi, Sanxhak e në shumë vende, madje edhe në gjuhën shqipe me vargjet.

Katër vargjet karakteristike të kësaj kënge janë të pranishme kudo në potpuritë popullore:

Hajde shoto mashallah,
Me burrin përkrah!
Luaj Shoto Luaj Shoto luaj
Hakun ta paguaj.

Kjo strofë e këngës është e përhapur kudo, ndërkohë që kësaj potpurie këngëtari popullor i ka ndajshtuar edhe vargjet specifike, të cilat madhërojnë jetën dhe luftën e saj për çlirimin e vendit nga robëria serbe.

Shota e Azemit
Mbesa e Skënderit,
Shotë moj heroinë,
Nderove Shqipninë,
Shota n’ borë e n shi
Luftoi për Shqipni,
Shota n shi e borë
Luftoi për Kosovë.

Fenomeni dhe tipologjia muzikore artistike e ritmike e kësaj valleje, e cila me lehtësi i ka përballuar kohës, duke u radhitur si valle emblemë, në mesin e valleve si “vallja e shqipeve”, “Vallja e burrave” “Vallja e shpatave” dhe valle të tjera karakteristike, ka veçantitë dhe veçoritë e veta në kohë dhe hapësirë, në sinkroni dhe diakroni.
Fakti se kjo valle luhet dhe këndohet te të gjithë popujt e Ballkanit e më gjerë, jep për të kuptuar se kemi të bëjmë me një fenomen që nuk është vetëm muzikor, aq më pak i rastit, por sipas mendimit tim lidhet me traditën historike, me një apo disa personalitete të caktuara të historisë së rezistencës shqiptare, e cila i akordon traditës të pashkëputur të historisë sonë kombëtare, e njohur për kontributin madhor që ka thënë femra në jetën shoqërore, dokesore, në historinë e shtetit, të rezistencës dhe të luftërave çlirimtare. Në të gjitha luftërat tona çlirimtare prej kohës së Skënderbeut e deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, femra ka luajtur rolin e vet historik, të pamohueshëm.

Vallja e “Shotës” pasuri muzikore publike e popujve të Ballkanit, një valle shqiptare që kishte depërtuar përtej perdeve të zeza të urrejtjes shekullore sllave kundër shqiptarëve.

Vallja e “Shotës” pa dyshim mbërthen me vete një histori të gjatë kohore prej periudhës së parë të vallëzimit apo këndimit.

Një histori që ka mbijetuar nëpër kohë dhe e cila mund të ketë një origjinë shumë të lashtë. Ajo, në rrethana të caktuara shoqërore e historike, mund të jetë konvertuar nga shekulli në shekull, duke iu përshtatur kohës dhe rrethanave historike, për të arritur si personifikim tradicional muzikor deri në kohën tonë.
Në gjendjen e tanishme të zgjerimit dhe këndimit, vallja e Shotës paraqitet si vlerë muzikore e krejt popujve të Ballkanit, meqë ka mbijetuar si krijim i veçantë muzikor, në radhë të parë me melodinë magjepsëse, ritmin e shpejtë, djaloshar, sepse është valle tipike, që i përket rinisë dhe që luhet e këndohet vetëm nga të rinjtë.
Këtë valle nuk e luajnë dot të moshuarit, meqë ka ritmikë të shpejtë dhe kërcim të veçantë, gjithnjë në lëvizje, herë këmbë herë duke u gërmuqur, por gjithnjë në lëvizje, madje marramendëse.

Prania e kësaj valleje ne repertorin muzikor të popujve të Ballkanit vazhdimisht ka nxitur polemika rreth prejardhjes. Përderisa në Jugosllavinë socialiste ajo ishte konsideruar si valle 100 për qind me prejardhje shqiptare, me rastin e shkatërrimit të Jugosllavisë, filluan dhe aktualisht po vazhdojnë polemikat lidhur me origjinën dhe përkatësinë e saj.
Duke u bazuar në faqe të internetit dhe në forume të ndryshme në Serbi, veçmas në shkrimet e shkurtra, në “YouTube”, konkludojmë se shumica e shfletuesve serbë, boshnjakë e të tjerë vlerëson se vallja e “Shotës” ka origjinë shqiptare.
Nacionalistët serbë janë të ndarë në këtë drejtim; Disa mendojnë se vallja është tipike shqiptare, e cila i është kushtuar Shote Galicës, që sipas mendjes së tyre të retarduar paska pas vallëzuar duke djegur fëmijët serbë në zjarr.

Ata kërkojnë që kjo valle të ndalohet, meqë sipas tyre është valle morbide, madje “antinjerëzore”. Këtij konstatimi të egër dhe krejtësisht antihistorik i kundërvihen edhe shumë serbë, të cilët mendojnë se kjo valle është valle tipike kosovare, e kënduar nga shqiptarët edhe nga serbët, shkruan JavaNews.

Një pjesë e opinionistëve konsideron se vallja është valle tipike shqiptare, e rikthyer në estradat populiste në kohën e Jugosllavisë së Bashkim vëllazërimit dhe e përhapur nga politika muzikore e kulturore e kohës.

Realisht ky konstatim ka një bazë, meqë në kohën e ish- Jugosllavisë socialiste shqiptarët nga aspekti i njohjes muzikore janë identifikuar me këtë valle. Në të gjitha republikat e Jugosllavisë ka qenë e përhapur kjo valle.
Nuk gjendej asnjë shoqëri kulturore muzikore e kohës (Kulturno Umetnicko Drustvo -KUD) në tërë Jugosllavinë ku të mos jetë ekzekutuar një variant i Shotës, kësaj valleje shqiptare që kishte depërtuar përtej perdeve të zeza të urrejtjes shekullore sllave kundër shqiptarëve. Asnjë valle tjetër në Jugosllavinë e kohës nuk ka pasur shtrirjen e saj.

Edhe sot e kësaj dite kjo valle ekzekutohet nga serbët, boshnjakët, kroatët, malazezët, sllavomaqedonët, bullgarët e të tjerë. Kjo mund të vërtetohet fare lehtë në “Youtube”, ku gjenden edhe komente ndër më të ndryshmet, prej atyre afirmative deri te ato pezhorative./ KultPlus.com