Eugent Bushpepa i magjishëm mbrëmë në Spanjë (VIDEO)

Mbrëmë në Madrid u mbajt ESCPre Party – një tjetër aheng që i paraprinë Eurovizionit të këtij viti.

21 këngëtarë që këtë vit do të këndojnë në Eurovizion mbrëmë u ngjiten në La Riviera në Spanjë, për të promovuar edhe njëherë këngën e tyre pjesëmarrëse.

Kjo është performanca e mrekullueshme e Shqipërisë të cilën e përfaqëson këngëtari Eugent Bushpepa./ KultPlus.com

Sot 100-vjetori i lindjes së piktorit të madh Ibrahim Kodra

Si sot 110 vite më parë në Ishëm të Shqipërisë, lindi piktori i madh shqiptar emri i i të cilit thuhet me krenari nga shqiptarët Ibrahim Kodra, shkruan KultPlus.

Ibrahim Kodra lindi më 22 prill të vitit 1918 në Ishëm. Jeta e tij në Tiranë në konviktin e shkollës “Naim Frashëri”, ndërpritet kur mbushi 20 vjeç (1938). Asokohe ai largohet nga Shqipëria përgjithmonë me një bursë studimi nga oborri mbretëror për në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë.

Ai e lëshon Romën dhe përfundon në Milano, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës. Ai ekspozon në Romë, Milano, Venecia, Paris, Beograd, Nju Jork, krijon krahasimet dhe raporte me piktorë të mëdhenj si Pikaso, Marc Chagall, Henry Matisse, Lucio Fontana, Renato Guttuso, me poetë, shkrimtarë, kritikë e regjisorë nga Eugenio Montale dhe Vittorio Sereni, nga Bertoni tek Bruno Munari, dhe Giuseppe Marotta. Në vitin 1948, Ibrahim Kodra u bë mik me Pablo Picasso, pikërisht në këtë temë në “Konferencën Ndërkombëtare për Paqen e Romës”, në të cilën të dy së bashku ata kryen një hulumtim të thellë artistik.

Në hulumtimin artistik të Kodrës, kubizmi i Pablo Pikasos do të ketë shumë ndikim, sidomos pas miqësisë së tyre në Romë më 1948, deri në atë pikë sa të njëjtat gazeta spanjolle që flasin për Pikason treguan Kodrën si “postkubisti i fundit në Evropë” si Picasso.

Ibrahim Kodra ka lënë pas rreth 6 mijë vepra, të shpërndara nga muze privatë, koleksionistë dhe vetëm 2 mijë prej tyre janë të regjistruara dhe të dokumentuara.

Ibrahim Kodra, vdic më 7 shkurt të vitit 2006 në Milano./ KultPlus.com

Vdes aktori i “Austin Powers”, Verne Troyer

Ka vdekur aktori i komedive “Austin Powers”, Verne Troyer në moshën 49 vjeçare, raporton The Guardian.

Ai është i njohur për rolin e tij Mini Me në “Austin Powers”, transmeton Koha.net.

Duke pasur përvoja të këqija dhe probleme me alkoolin, Troyer gjatë këtij muaji ishte dërguar në spital. Përmes rrjeteve sociale familja e tij ka konfirmuar vdekjen e tij.

“Me trishtim të madh dhe zemër të rënduar shkruajmë se Verne sot ka vdekur. Verne ishte një individ jashtëzakonisht i kujdesshëm. Ai donte që t’i bënte të gjithë të buzëqeshnin, të lumtur, dhe qeshnin. Secilin që kishte nevojë ai do ta ndihmonte në çdo masë që ishte e mundur. Verne shpresonte se do të bënte ndryshime pozitive me platformën që kishte dhe punonte për ta përhapur atë mesazh çdo ditë”, thuhet në deklaratë./ KultPlus.com

Elvana Gjata këndon në finalen e ‘The Voice Kids Albania’ (VIDEO)

Këngëtarja Elvana Gjata mbrëmë ka mahnitur me performancën e saj në finalen e The Voice Kids Albania.

Një prej emrave më aktual të muzikës moderne shqipe, Elvana ka sjellë në spektakël disa këngë nga albumi i saj më i ri. “Më fal” dhe “Xheloz” janë sjellë nga ajo në një spektakël të përcjellë nga miliona shqiptarë.

Këtë natë u shpall edhe fituesi i këtij edicioni të The Voice Kids.

Gjatë natës Elvana ka kënduar edhe këngën “Ti Shqipëri më jep nder”. / KultPlus.com

Skena Juvenis erdhi e freskët në edicionin e radhës të Chopin Piano Fest Prishtina

Alberina Haxhijaj

Skena Juvenis në kuadër të Chopin Piano Fest Prishtina mblodhi instrumentistë të rinj nga Kosova, Shqipëria dhe Rumania.

Kështu kjo natë e mbrëmshme ishte e veçantë pasi përfshiu në vete një udhëtim nëpër shkolla të ndryshme pianistike, kjo pasi instrumentistët dalloheshin nga njëri-tjetri pikërisht për shkak të laramanisë në stilet e tyre. Prandaj, çdonjëri prej tyre i dha kësaj mbrëmje një ngjyrim të veçantë, shkruan KultPlus.

Pianisti Gent Kumnova i cili studion për piano në klasën e profesoreshës Valbona Petrovci e hapi këtë mbrëmje me tingujt e sonatës nr.21 “Waldstein”. Ai për KultPlus tregoi rendësinë e përfshirjes së studentëve në festivalet prestigjoze në Kosovë, siç është Chopin Piano Fest.

“Chopin Piano Fest është shumë i rëndësishëm për muzikën klasike që zhvillohet në Kosovë pasi zakonisht këtu vijnë instrumentistë nga vende të ndryshme. Ata na tregojnë sesi duhet me u lujtë muzika pasi që për ne nuk është traditë me u lujtë muzika klasike, pra nuk kemi rast me e deshmu veten dhe me mbajtë koncerte. Prandaj Chopin Piano Fest është shumë i rëndësishëm për ne por edhe masteklasat na japin shumë informata dhe njohuri”, tha ai.

Mbrëmja vazhdoi me pianisten nga Peja, Denita Deushaj, e cila solli kompozitorin Debussy. Tutje performoi Besart Shala po ashtu nga Universiteti i Prishtinës, në klasën e pianistes Lejla Pula. Ai për të pranishmit solli “Toccata” nga Drinor Zymberi.

Pjesa tjetër e mbrëmjes iu kushtua dy pianistëve nga Shqipëria të cilët i dhanë një karakter më ndryshe kësaj mbrëmje. Pianisti Igli Rapaj nga Vlora tashmë numëron disa çmime për piano dhe solli kompozitorin Chopin. Pas tij erdhi kompozitori F. Liszt përmes ‘Rapsodi Hungareze nr.10’ që e solli pianistja Rejsi Prosi. Rejsi e cila është në klasën e 11-të ishte pianistja më e re e kësaj mbrëmje dhe ka performuar edhe më parë në Prishtinë, me orkestrën studentore ESMA.

Këtë mbrëmje të njohur ndryshe si “Skena Juvenis” e përmbyllën pianistja nga Kosova Anda Kryeziu dhe violinistja nga Rumania Martha-Maria Mitu, dy mike të cilat janë takuar në Zvicërr e që tani takohen rrallë por që çdo herë sjellin një gërshetim të bukur së bashku.

“Për mua është kënaqësi të rikthehem e të luaj në Kosovë pasi që studioj qe shtatë vite jashtë vendit, fillimisht në Zvicër pastaj në Berlin ku kam përfunduar studimet për piano dhe tani studioj për kompozim. Ka kaluar një kohë e gjatë qëkur kam luajtur në piano kështu që ishte shumë emocionuese për mua dhe është nder që jam në këtë festival për të cilin jam shumë krenare”, tregoi Kryeziu.

Gjatë kësaj mbrëmje ishte paraparë që të ndahet edhe Cmimi Special i Chopin Pino Fest Prishtina, çmim ky tradicional i festivalit, që i ndahet një pianisti/pianiste që është student i rregullt në Universitetin e Prishtinës. Mirëpo ndarja e tij është shtyrë dhe audicioni do të rihapet në fillim të muajit qershor, ka treguar Drejtuesja Organizative e Festivalit, Besa Luzha për KultPlus.

Ky Çmim ndahet me mbështetjen e Dr. Herbert Groeger nga Bad Honnef/Salzburg në bashkëpunim me pianisten Ardita Statovci, e cila ishte iniciatore për organizimin e këtij Çmimi special.
Në këtë edicion, çmimi përfshin një koncert recital në Bonn të Gjermanisë, kontakt me Universitetin për Muzikë dhe Vallëzim (Hochschule für Musik und Tanz HfMT) në Köln si dhe vizitë në vendet me rëndësi muzikore historike në Bonn.
“Juria ka vendosur që të ju jap më shumë mundësi studentëve por edhe nxënësve për të marrë pjesë në këtë garë, gjithë kjo pasi që e kuptuam se Çmimi Special i Festivalit për këtë vit do të realizohet në tetor dhe jo në qershor siç ka qenë herën e kaluar. Në këtë mënyrë do kemi edhe më shumë mundësi për zgjedhje për të prezantuar festivalin, Kosovën por edhe shkollën pianistike të Kosovës sa më mirë”, tha Besa Luzha.
Sonte në kuadër të festivalit në ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare do të perfomojë pianisti Janos Balazs. / KultPlus.com

Muzikë shqipe dhe valle e emocione në zemër të Brukselit (VIDEO)

Shqipëria po prezanton kulturën e gjallë në zemër të Brukselit, në sallën BOZAR, nga ku do të shpalosë ngjyrat, ritmet dhe energjinë e një vendi me identitet europian, vetëm pak ditë pas hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore po merr pjesë në Festivalin Ndërkombëtar Kulturor “Balkan Trafik”, që po zhvillohet nga 19-22 prill.

Pjesëmarrja e Ansamblit në këtë festival, të çelur mbrëmjen e djeshme në sallën Bozar, u mundësua me mbështetjen e ministrisë së Kulturës.

Me një formacion prej 17 artistësh, solistë, grupi i valleve, kompleksi vokal dhe orkestra popullore, me grupin polifonik së bashku me zërin e magjishëm të Hysni Zelës, të pranishmit do të mund të udhëtojnë përmes këngë, valles dhe folklorit shqiptare, përfaqësuar nga Ansambli Kombëtar.

Programi përfshijnë vallet më të spikatura të zonave të ndryshme, këngët polifonike deri te formacionet orkestrale në formën e kabasë, apo meloditë e pavdekshme të këngës së kultivuar.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka theksuar fort se “detyra e promovimit të një imazhi të favorshëm jashtë vendit i takon diplomacisë kulturore. Roli i kulturës në përmirësimin apo promovimin e imazhit të vendit, është i rëndësishëm. Kemi vite që Shqipëria eksporton kulturë me cilësi të lartë”.

Koncerti i Ansamblit Kombëtar, i sapo nderuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, premton sukses në këtë ngjarje madhore kulturore të vendeve të Rajonit tonë dhe më gjerë në kryeqytetin evropian. Përfaqësimi i trupës së Ansamblit Kombëtar në këtë edicion i dedikohet polifonisë shqiptare si trashëgimi e UNESCOS-s, në kuadër të 60-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë.

Pjesëmarrja në këtë festival ndërkombëtar organizohet në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme si dhe përfaqësinë tonë diplomatike në Bruksel. / KultPlus.com

Sot bëhen 28 vjet nga lirimi nga burgu i veprimtarit Adem Demaçi

Sot bëhen 28 vjet që nga lirimi nga burgu i veprimtarit Adem Demaçi.

Ai në atë kohë është pritur në mënyrë madhështore nga mijëra qytetarë.

Ai u arrestua dhe dënua tri herë, duke vuajtur kështu 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë.

Më 21 prill 1990, Adem Demaçi me shumë shokë nga burgjet e Kroacisë u liruan.

Në intervistën e parë një ditë a dy pas lirimit nga burgu, që ai e dha për televizionin slloven, pa shprehur kurrëfarë urrejtje ose mllef hakmarrës, Demaçi u mundua të hapte rrugë e shtigje për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme dhe të favorshme për të gjithë ata që jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra ishin për liri dhe barazi në hapësirat e Ballkanit.

Të gjithë gazetarëve me të cilët pati rastin të takohej, Adem Demaçi u pati thënë se z. Millosheviq, me politikën e vet punon për shpartallimin e Jugosllavisë. Jugosllavinë tashmë e kishin përfshirë ethet e dekompozimit.

Demaçi mundohej që ky dekompozim të bëhej dalëngadalë, në mënyrë paqësore dhe pa gjakderdhje. Nga perspektiva dhe rrethanat e asaj kohe kjo dukej e mundshme.

Në një takim në Ljubjanë, para një auditori të madh, Demaçi, nuk nguroi që të shprehej kundër variantit me luftë për zgjidhjen e mosmarrëveshjve me Serbinë.

Gjatë vitit 1975, kur u burgos Demaçi, në Kosovë, Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, Vojvodinë, ndër shqiptarët e Maqedonisë dhe të Malit të Zi, u bënë shumë burgosje arbitrare dhe u montuan shumë procese gjyqësore kundër njerëzve të cilët policia sekrete serbe i konsideronte të rrezikshëm dhe bartës të forcave disintegruese të Jugosllavisë.

Me këtë qëllim, me 6 tetor 1975, Adem Demaçi u burgos në Prishtinë për të tretën herë.

Në procesin e kurdisur, pas hetimeve mizore, u dënuan, me dëshmitarë të rremë dhe në mënyrë të pamëshirshme, Adem Demaçi, Rexhep Mala (i ndjeri), Skënder Kastrati dhe 16 vetë të tjerë. Dënimet u prenë prej 15 deri në 5 vjet.

Adem Demaçi nuk hoqi dorë nga ideja e tij se shqiptarët kanë të drejtë të jenë të lirë dhe të barabartë me të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit dhe shqiptimin e dënimit ndaj tij prej 15 vjetësh ai e priti me buzëqeshje.

Tani ai e kishte krejtësisht të qartë se Jugosllavia kishte hyrë në rrugën e shpartallimit të vet të sigurt.

Në mars të vitit 1990, në kazamatin famëkeq të Stara Gradishkës, ku qendronin Adem Demaçi dhe tridhjetë shqiptarë të tjerë, për herë të parë autoritetet policore lejuan të hynin brenda nëpunësit e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.

Ndryshe, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës.

Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov.

Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së.

Ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).

Udhëtimi i fundit i Ibrahim Kodrës

Vizita e tij e fundit në Shqipëri ka qenë në korrik 2003, kohë kur realizoi ëndrrën e tij për të vizituar vendlindjen, si dhe hapi ekspozitën e tij “Retrospektivë” në Galerinë e Arteve në Tiranë, ekspozitë që përfshinte 20 vepra të zgjedhura nga viti 1951 deri në ditët e sotme, si: “Kompozicioni” – 1951, “Muzikanët” – 1961, “Lufta për pushtet” – 1972, “Lufta për paqe” – 1995, “Shqipëria fantastike” – 1997, etj.

Piktori i njohur shqiptar me famë botërore, Ibrahim Kodra është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare, me 7 shkurt 2006, në shtëpinë e tij në Milano të Italisë. Kodra kishte disa vjet që ishte i sëmurë dhe mjekohej, ndërkohë që muajt e fundit ka qenë i shtruar edhe në spital. Ibrahim Kodra ka lindur në vitin 1918 në Ishëm të Durrësit. Ai edukohet në oborrin e Mbretit Zogu I, duke u bërë edhe një kampion sportiv kombëtar. Në 1938 shkon në Itali me një bursë studimi në Akademinë e Breras në Milano. Prej asaj kohe ai ka qëndruar në Itali, duke u kthyer në një ikonë të pikturës bashkëkohore italiane dhe më gjerë. Veprat e Kodrës gjenden në Vatikan, në muzetë dhe koleksionet private në Itali, Zvicër, Gjermani, Belgjikë, Danimarkë, Francë, Britani e Madhe, Japoni, Rusi, Shtetet e Bashkuara, Greqi, Australi etj. Vizita e tij e fundit në Shqipëri ka qenë në korrik 2003, kohë kur realizoi ëndrrën e tij për të vizituar vendlindjen, si dhe hapi ekspozitën “Retrospektivë” në Galerinë e Arteve në Tiranë, ekspozitë që përfshinte 20 vepra të zgjedhura nga viti 1951 deri në ditët e sotme, si: “Kompozicioni” – 1951, “Muzikanët” – 1961, “Lufta për pushtet” – 1972, “Lufta për paqe” – 1995, “Shqipëria fantastike” – 1997, etj. “Kur vi në Shqipëri më duket se vi në shtëpinë time, ose e thënë ndryshe si në parajsë. Nuk ka vend më të bukur se ky. Sot, në qoftë se kam një farë emri ia dedikoj vendit tim, popullit, njerëzve që më edukuan dhe bënë që unë të ecë përpara”, kështu është shprehur në këtë vizitë Kodra, ndërkohë që një vend të veçantë i ka kushtuar edhe figurës së Nënë Terezës, të cilën e ka barazuar me një engjëll.

Jeta në Itali

Ibrahim Kodra nis studimet në Brera të Milanos, Itali, në vjeshtë të vitit 1938. Fëmijëria e tij ka qenë e vështirë dhe kur ishte vetëm tetë vjeç ikën nga shtëpia dhe punon si dizenjator për një tregtar në Durrës, deri në momentin që nga dogana e këtij qyteti përfundon në oborrin e Mbretit Zog. Aty njeh nënën mbretëreshë, e cila i jep mundësinë të studiojë në shkollat e Tiranës, së bashku me princërit Tati dhe Sherafin. Pikërisht ajo e dërgon në Itali me një bursë studimi, në përfundim të liceut. Duke u nisur nga Durrësi me miq të tij, Kodra mbërrin në Itali, ku qëndron në Milano. Ishte koha e Italisë fashiste. Në Brera ai ndjek kurset nga maestro Carpi, e më pas ndjek leksionet e professor Carrà, më pas vazhdon ato të Messina-s. Kalon provimin e pranimit me Aldo Carpi, për të vazhduar studimet në atë akademi, ku ndiqnin studimet vetëm artistët “me prirje për t’u bërë shumë të famshëm”. Pas luftës ai merr pjesë në lëvizjet artistike më domethënëse me grupe të tilla, si “Përtej Guernikës” (1945) dhe “Linjë” (1947). Po atë vit, Pol Elyar viziton studion e tij, duke e përcaktuar “le primitif d’une nouvelle civilitatio”.

Ekspozitat

Në vitin 1948 merr pjesë në Romë në Konferencën Ndërkombëtare të paqes dhe me atë rast njihet me Pikasonë, me artin e të cilit do të mbetet thellësisht i lidhur. Të panumërta janë ekspozitat e tij personale dhe kolektive, mes të cilave kujtojmë: Galeria “Bergamini” në Milano (1957), Galeria “Cèzanne” në Kanë (1958), Galeria “Senatore” në Shtutgard (1959), “Muzeu i Ulmës” (1961), Galeria “Studio F22” në Pallatin mbi Vaj (1974), binjakëzim Milano-Frankfurt në Frankfurt (1984), Galeria “LaTela” në Palermo (1988), “Muzeu i shtetit të Tbilisit” (1989), Napoli (1992), Sanremo (1996), “Kodra dhe Teatri Massimo” (1996) etj.

Çmimet

Mes çmimeve të shumta dhe nderimeve të marra, kujtojmë “Medaljen e Artë” të Akademisë Franceze në 1972, çmimin “Nder i Kombit”, nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë në 1996, në Tiranë etj. Veprat e Ibrahim Kodrës janë të ruajtura përveçse në Vatikan dhe pranë dhomës së deputetëve në Romë, edhe në muze të shumtë e në galeri, si edhe në koleksione private në të gjithë botën. Kodra ka jetuar e punuar në Milano, ndërsa kalonte një pjesë të vitit në Pozitano, vend që e ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi”. Një pjesë tjetër të kohës e ka kaluar në Siçili, e mbi të gjitha në Açireale, në Palermo dhe në Alkano, ku kohët e fundit së bashku me maestron Evola ka realizuar një skulpturë me titullin “Guri i jetës”. / KultPlus.com

Dua Lipa, energjike në koncertin në Londër (VIDEO)

Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa, ka vazhduar të promovojë këngët në turneun e saj botëror.

Për një gjë të tillë u përkujdes edhe në Londër kur u shitën të gjitha biletat për koncertin që u mbajt të premten mbrëma në Alexandra Palace.

Krijuesja e hitit “New Rules” u shfaq energjike në këtë koncert, derisa u përkujdes që të tregonte linjat e saj me një palë pantallona dhe një xhaketë.

Një ditë para këtij koncerti ajo e ishte e ftuar në emisionin “The Graham Norton Show” të BBC-së për të promovuar këngën të cilën e ka realizuar me Calvin Harrisin. / KultPlus.com

Eugent Bushpepa sonte në Spanjë me yjet tjera të Eurovizionit

Sonte në mbrëmje në Madrid do të mbahet ESCPre Party – një tjetër aheng që i paraprinë Eurovizionit të këtij viti.

21 këngëtarë që këtë vit do të këndojnë në Eurovizion sonte ngjiten në La Riviera në Spanjë, për të promovuar edhe njëherë këngën e tyre pjesëmarrëse.

Koncerti do të nisë në ora 22:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në rtve, shkruan KultPlus.

Eugent Bushpepa, këngëtari që përfaqëson Shqipërinë këtë vit në Festivalin Evropian të Këngës – Eurovizion, do të ngjitet sonte në këtë skenë për të treguar aftësitë e tij vokale dhe unikalitetin e këngës së tij.

Dje është mbajtur një ceremoni e hapjes vetëm për media ndërsa sonte fansat e Eurovizionit do të mund të dëgjojnë Eugentin dhe të tjerët në performancat e tyre.

Eurovizioni mbahet me 8,10 dhe 12 maj. / KultPlus.com

‘Sepse të bindesh lehtë është shenjë se nënshtrohesh lehtë’

Entela Tabaku Sorman

A na e për/kufizon gjuha mendimin?
A na e përcakton perceptimin e botës dhe mënyrën e sjelljes? A ekziston një shteg që shkon paralel me gjuhën që na lejon të zhvillojmë një kuptim të botës më të gjerë se gjuha me të cilën e përshkruajmë?
Kam frikë se jo. Ne jemi gjuha që përdorim. Ne nuk kemi mendime dhe përjetime për fjalë që nuk i kemi. Edhe në qoftë se i kemi, në çastin që mësojmë gjuhën, ajo na i kanalizon. Edhe nëse flet gjuhë të huaja, duhet të jetosh me një gjuhë tjetër shumë shumë gjatë, të të bëhet gjuhë mendimi, para se t’i krijosh një shteg paralel gjuhës tënde të parë.

A ekziston ndonjë mundësi që ta bind lexuesin e këtyre rreshtave në shqip për çfarë po them, se gjuha ta për/kufizon mendimin? Në qoftë se kam argumente, duhet të ekzistojë edhe shanci i bindjes, i mbushjes së mendjes. Por a të ka qëlluar ndonjëherë të marrësh pjesë në ndonjë debat a të ndjekësh një debat në shqip ku bashkëbiseduesit kanë bindur njëri-tjetrin, një debat që përfundon me: ”Po, u binda”? A nuk e ke ndier gjatë gjithë kohës se po u binde nga argumentet e tjetrit ke humbur? Se je nënshtruar? A jam e bindur? Ti e di për cilën karakteristikë po flas apo jo, për mbushjen e mendjes. Po a nuk të dhemb pak mbas qafe ajo shprehje, a thua se kush ta mbushi mendjen ta uli kryet me forcë? Biles a thua se ai/ajo që të bindi po shet edhe pak mend në kurrizin tënd (ose më mirë në qafën tënde) se po të mahnit me aftësitë bindëse? Shumë irrituese, uaaaa e bindi dynjanë ajo posi!!!
Sepse të bindesh lehtë është shenjë se nënshtrohesh lehtë. Vë bast se ky të duket një arsyetim krejt normal dhe i natyrshëm. Patjetër, apo? Ai/ ajo që t’i pranon argumentet është i/e dobët. Bindja nuk qëndron në forcën e argumentit, por në dobësinë e atij/asaj që duhet të bindet. Apo? A nuk e ke vërejtur këtë, për shembull, me politikanët shqiptarë të të gjitha ngjyrave, këndej dhe andej kufirit? Forca e tyre nuk qëndron në forcën e argumentit, por në dobësinë tonë. Nuk bindemi prej argumenteve të tyre, nuk na e mbushin mendjen, por ne bindemi megjithatë pa fjalë dhe veprojmë simbas urdhrave të tyre. A e vure re? Jo?
Lexoje edhe një herë: Nuk bindemi prej argumenteve të tyre, nuk na e mbushin mendjen, por ne bindemi megjithatë pa fjalë dhe veprojmë sipas urdhrave të tyre.
A e vure re tash? Është e njëjta fjalë. Ne përdorim në shqip të njëjtën fjalë për dy nocione të ndryshme. Ne bindemi.

BINDEM vetv.
1. Më mbushet mendja se diçka është e vërtete a e drejtë, besoj plotësisht për ketë; pranoj diçka pa asnjë dyshim si të vërtetë e të drejtë; sigurohem për diçka. Bindem vetë. U bind më në fund
2. Veproj sipas kërkesave dhe urdhrave të dikujt, e dëgjoj dikë dhe i nënshtrohem pa e kundërshtuar. U bindem prindërve. I bindem urdhrit. Bindem pa fjalë.

Ti me siguri po mendon në këtë çast se, në të vërtetë, nuk janë nocione edhe aq të ndryshme, bile po përpiqesh të gjesh një argument kundërshtues. Sepse ti nuk bindesh lehtë. Apo jo?

Dy poezi nga Ibrahim Kodra

Poezi nga IBRAHIM KODRA.

NJË LULE

Mos më thuaj që nuk të kam dashur,
o lule e livadhit të virgjër!
Thuamë që është shuar dielli,
thuamë që toka është në flakë,
thuamë që hëna është ngjethur,
thuamë që qielli është në gjëmë,
thuamë që s’ka më agshole,
por mos më thuaj që nuk të kam dashur…

O NËNË

Nuk i ndiej më ledhatimet e tua të ëmbla
ashtu si era e prillit që përkëdhel lulet,
o nënë.
Ku je fshehur?
Nuk e shoh më buzëqeshjen tënde,
sytë e tu, sytë e tu gjithë vëmendje,
që asnjëherë nuk lodheshin
së ndjekuri ecjen time të pasigurt.
Ishe gjithçka për mua.
Fytyra jote: më e bukura
mes muzave.
Dhe flokët e tu
të gjatë e të zinj
mbulonin faqet e gëzueshme,
kur gjoksi ngjallte ngrohtësinë
nëpër venat fëminore.
Tani ku je fshehur?
E freskët në kujtesën time,
rikthehu, o nënë,
të përkëdhelësh fytyrën time të lodhur.

( Sot është datëlindja e piktorit Ibrahim Kodra. Ka pirë uiski me Heminguein, ka ndejtur me Kadarenë, të cilin e ka propozuar me shkrim për çmimin “Nobel” si akademik që është, madje dhe i Akademisë Franceze. Pak veta e dinë që Kodra ka shkruar dhe poezi. Në shqip, por më shumë në italisht. I janë botuar disa dikur në Prishtinë, ku dhe ka shkuar më shpesh e hapur ekspozita… )

Denisi fiton në The Voice Kids Albania

Mes një spektakli të pazakontë për ekranet televizive shqiptare, ka kulmuar edhe programi ‘The Voice Kids’, në ekranin e Top Channel.

Rrugëtimit disa-mujor i erdhi fundi, fare pranë mesnatës, teksa fitues i këtij edicioni u shpall konkurrenti i skuadrës së Miriam Camit, Denis Bonjaku.

Aventura e tij në ‘The Voice Kids’ nisi në momentin që në ‘Audicionet e Fshehura’ iu kthyen trajnerët dhe zgjodhi t’i bashkohej skuadrës së trajneres Miriam Cani.

Fitorja e tij në ‘Beteja’ kundër Anjës dhe Ermës dhe vendimi i trajneres për t’i ruajtur një vend në ‘Netët Live’, e bëri artistin e vogël të kapërcente javë pas jave vështirësitë e garës duke e sjellë deri në mbrëmjen finale ku dhe triumfoi si ‘Zëri më i mirë i Shqipërisë për fëmijë!’.

Denisi është artisti, i cili me mbështetjen e publikut, ia doli të rrëmbente trofeun e madh të ‘The Voice Kids Albania’. / KultPlus.com

Qytetarët japin ide për funksionalizimin e Kino ARMATA

Alberina Haxhijaj

Kino Armata do të jetë një hapësirë tjetër për zhvillimin e kulturës në Prishtinë.

Sonte u mblodhën një numër i artdashësve në një takim joformal për të diskutuar për mënyrën se si do të funksionojë kjo hapësirë në të ardhmen e afërt.

Kino ARMATA, shtëpia e filmit dhe kulturës, prej kësaj jave ka filluar misionin e saj në promovimin e shprehjeve alternative artistike.

Hapësira që në hyrje vërehet se ende nuk është plotësisht funksionale, mirëpo me dëshirë dhe me punë ajo është premtuese. Një gjë të tillë e sheh edhe menaxhuesi i Kino ARMATA, Alush Gashi, i cili tha se ky ka qenë një takim për të larguar nostalgjinë por edhe për të diskutuar dhe marrë mendime nga qytetarët, për të realizuar kështu një program apo plan veprimi.

“Salla mund të përdoret për koncert, per teatër, si kinema por edhe për projekte apo ide të ndryshme. Kjo është një shtëpi e filmit dhe kulturës dhe shpresojmë që të ketë program dhe audiencë që do të jetë e interesuar të vizitojë hapësirën” u shpreh ai.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se komuna është e interesuar që të vë në funksion këtë hapësirë duke ua lënë qytetarëve në duar zgjedhjen e mënyrës.
“Komuna nuk mendon që e menaxhon më së miri vet një institucion të rëndësishëm prandaj edhe po diskutojmë duke parë se cila është mënyra më e mirë që të menaxhohet nga komuniteti, duke përmbushur kërkesat që vijnë prej artistëve apo prej grupeve të ndryshme të interesit”, tha ai duke shtuar se hapja zyrare do të jetë të mërkurën.

Gjithashtu ai tha se duhet që të merret ndihmë edhe për shkak se procedurat ligjore janë ngulfatëse dhe prandaj do ishte mirë që edhe të krijohej një këshill inicues me pesë persona të cilat do ishin përfaqësues të komuniteteve, dhe një nga Komuna. Qytetarët të cilët ishin të pranishëm kërkuan që gjithashtu brenda këtij këshilli të përfshihej edhe mendimi i tyre dhe të realizohen edhe takime të tilla më shumë e më shpesh

Komuna tashmë në bashkëpunim edhe me Qendrën Kinematografike të Kosovës janë duke shikuar për mbledhjen e fondeve për sjelljen e një projektori të ri, duke sjellë kështu një sallë të improvizuar të filmit.
Disa prej të pranishmëve treguan kujtime që i kanë e që lidhen më këtë objekt, mirëpo nuk munguan as ide të cilat erdhën nga qytetarët por edhe nga oganizatat e ndryshme të cilat janë realizuar nga iniciativa e qytetarëve: si Anibar, Termokiss e të tjerë. / KultPlus.com

Dua Lipa, Rita Ora e artistët tjerë ngushëllojnë për vdekjen e DJ Avicii

Sot u nda nga jeta një prej artistëve që pushtoi më së shpeshti në toplistat e kësaj dekade, Avicii.

Ai vdiq tragjikisht në moshën 28 vjeçare në Muscat të Omanit, duke lënë në zi fansat e tij gjithandej botës.

Mes tyre ishin edhe kolegët e tij që nderuan DJ-in suedez, dhe shprehën pikëllimin e tyre në rrjetet sociale:

“Lajme rrënuese për Aviciin, një shpirt i bukur, i pasionuar dhe ekstremisht i talentuar me aq shumë për të bërë. Zemra ime është me familjen e tij. Zoti të bekoftë, Tim”,

-Calvin Harris

“Sa lajm i pikëlluar që dëgjoj për vdekjen e Aviciit. Shumë i ri dhe shumë shpejtë. Ngushëllimet e mia shkojnë për familjen, miqtë dhe fansat e tij”.

-Dua Lipa

“Wow, do të doja ta shfrytëzoj momentin që ta nderoj njeriun që m’i hapi sytë se si mund të tingëllonin një ditë prodhimet e mia. Avicii ishte gjeni dhe një inovator i muzikës, dhe nuk mund ta besoj që ai nuk është më me ne. Pushoftë në paqe më i miri”.

-Charlie Puth

“Oh Zot, vërtetë i rrënuar për Aviciin. Shumë, shumë lajm pikëllues. Shumë i ri. Çfarë talenti ishte. Pusho në paqe”.

-Liam Payne

Koncerti i Tre Muskjeterëve në Prishtinë mbetet pezull, Elton Deda tregon arsyen

Në muajin prill është dashur të mbahet koncerti i Tre Muskjeterëve në Prishtinë, por një planifikim i tillë tash për tash nuk mund të realizohet, shkruan KultPlus.

Koncerti në përbërje të Elton Dedës, Redon Makashit dhe Aleksandër Gjokës ishte paraparë të mbahet në Sallën 1 Tetori në Prishtinë, dhe për një organizim të tillë patën ardhur edhe vetë artistët që të koordinonin punët.

Mirëpo, një gjë e tillë duket se do të zvarritet.

Elton Deda ka thënë për KultPlus se ky koncert është lënë pezull për shkak të fondeve.
“Ne do ta bëjmë koncertin kur do ti gjejmë paratë. E kemi sqaruar që kemi shumë logjistikë me vete”, ka thënë Deda, i cili ka thënë se kur të jenë gati do të bëjnë edhe paralajmërimin.

Kurse ky grup me një koncert të ngjashëm u pat prezantuar në Tiranë dhe të njëjtin kishin dashur ta sillnin edhe në Kosovë. /KultPlus.com

‘Engjëjt vrasin njëlloj’ e Besa Kokëdhimës (VIDEO)

Një këngë e njohur e Besa Kokëdhimës është “Engjëjt vrasin njëlloj”.

Kënga u shndërrua në një himn kur para disa vitesh fitoi festivalin Top Fest në Shqipëri. Kjo ka ndodhur në vitin 2008, kur edhe fitoi Çmimin e Internetit në të njëjtin festival.

Një tekst prekës por shumë i arrirë ka ardhur me anë të zërit të Besës, e cila ndoshta këtë këngë e ka si më të dëshmuarën në tërë karrierën e saj muzikore.

Ajo paraprakisht ka marrë edhe cmime të tjera por ky kurorëzim i solli vendin e parë dhe një famë ndër shqiptarë.

Balada e cila kulmon edhe në stilin soft-rock konsiderohet si një ndër këngët më të vecanta të dekadës së fundit në muzikën moderne shqiptare. / KultPlus.com

Fisnik Ismaili tregon arsyet pse NEWBORN nuk mund të ‘shndërrohet’ në HOLLYWOOD

Ideatori i monumentit NEWBORN – Fisnik Ismaili, sot ka reaguar me anë të një komunikate për media për dëshirën e disa personave që NEWBORN të kalojë në Arbëri dhe të duket sikur shenja e njohur HOLLYWOOD.

Ismaili ka treguar arsyet pse një gjë e tillë nuk ka kuptim të ndodhë sidomos me NEWBORN.

Po e sjellim këtu reagimin e Fisnik Ismailit:

Propozime të ngjashme për vendosjen e NEWBORN në Arbëri që të duket si HOLLYWOOD ka pasë shumë gjatë 10 viteve të fundit.

Arsyeja kryesore se pse monumenti NEWBORN nuk mundet në asnjë mënyrë me u dukë sikur HOLLYWOOD është madhësia. Derisa ky në Prishtinë është 3m i lartë dhe 25m i gjerë, ai në Los Angeles është 14m i lartë dhe 105m i gjerë, përderisa kodrinat në të dy qytetet janë përafërsisht të njajta përnga madhësia. Për më tepër, kodrina në Los Angeles nuk e ka asnjë ndërtim afër shenjës, që e bën atë të theksohet edhe më shumë nga ambienti i hapur.

Për këtë arsye, NEWBORN kishte me u dukë si një reklamë dyqani, shumë i vogël, nga distanca. Për më tepër, ndërtimi i shenjës HOLLYWOOD ka pasë kosto prej 2,2 milionë dollarësh, është konstruksion masiv dhe nuk është 3-dimensional, që e dallon si fizikisht, si konceptualisht, nga monumenti në qytetin tonë.

Arsyeja tjetër është konceptuale: Derisa HOLLYWOOD është ndërtuar qëllimisht që të fotografohet nga larg, NEWBORN është objekt që vizitohet nga afër, preket dhe shkruhet në të. Pra, qëllimet për të cilat këto janë ndërtuar dallojnë, pavarësisht se të dyjat janë skulptura tipografike (skulptura shkronjash). Ndryshimi i konceptit të NEWBORN kish me e ndryshue edhe qëllimin edhe vetë natyrën e monumentit,

Arsye tjera pse nuk është ide e mirë të zhvendoset monumenti janë:
– NEWBORN është nën kompetencat e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve, i cili tashmë ia ka dedikuar hapësirën në qytet këtij monumenti.
– Lokacioni ku gjindet monumenti tash 10 vjet tashmë identifikohet si lokacion, pikëtakim dhe pika më e vizituar turistike, që kishte me e humbë këtë efekt po u zhvendos diku larg vizitorëve.
– IKMM dhe Komuna e Prishtinës tashmë e kanë miratuar ndërtimin e një bazamenti të monumentit në hapësirën aktuale.
– Ngjyrosja e NEWBORN nuk kishte me pasë më kuptim, ngase detajet e monumentit nuk ishin parë nga distanca.
– Qëllimi edhe natyra e skulpturës kishin me ndryshue krejtësisht.
– Si njëri prej monumentrve më me rëndësi në kryeqytet NEWBORN-it i takon një lokacion si ky aktuali, në qendër të Prishtinës

Ideja për ta bërë një instalacion artistik në majën e shkallëve të Arbërisë është shumë e mirë, edhe ju inkurajoj që të bëni një të tillë, por nuk mendoj se NEWBORN përkon të qëndrojë aty, për arsyet e lartëcekura.

Për koincidencë, jam në New York këto ditë dhe dje e vizitiva skulpturën tipografike “Love” nga skulptori Roberts Indiana, e cila gjindet në mes të rrugës, me dimensionet 3.79 m x 3.79m (shihni foton e bashkëngjitur të cilën e bëra dje).

Dua Lipa: Kosova ka bërë shumë për mua

Këngëtarja me origjinë shqiptare Dua Lipa ka dhënë një intervistë për revistën TeenVogue ku ka folur për karrierën dhe jetën e saj.

Dua nuk harron asnjëherë që në çdo intervistë të tregojë me krenari për origjinën e saj shqiptare.

Gjatë intervistës, ylli i muzikës ndërkombëtare është shprehur se Kosova ka bërë shumë për të.

Duke thënë se ishte me fat që lindi në Britaninë e Madhe për shkak të mundësive që të jep, Dua u shpreh se Prishtina ka pasur ndikim shumë të thellë tek ajo.

“Atje ka shumë talentë dhe njerëz që duan të ketë mundësië e njerëzve të tjerë në të gjithë botën që të këndojnë në skena globale. Ky vend ka bërë kaq shumë për mua,”-shprehet këngëtarja. / KultPlus.com

E tmerrshme, por memorialin e Skënderbeut po e mbulojnë shkurret

Jemi në vitin e Skënderbeut, por vizitorët vendas dhe të huaj në Memorialin e Skënderbeut në Lezhë, gjejnë një pamje që vlen për të dëshiruar.

“Është e sikletshme për ne, jo për turistët që vijnë. Ata vijnë këtu është shumë e sikletshme kur ngrejnë kokën dhe e shohin në këtë gjendje”, shprehet Paulin Zefi, përgjegjës i memorialit të Skënderbeut.

Ndërhyrja e fundit pranë memorialit është kryer në vitin 1981 por tashmë Ministria e Kulturës ka gati projektin për restaurimin e vend-varrimit të Skënderbeut, në vlerën 38.4 mln lekë.

“Problematika kryesore ka të bëjë me mbulesën. Material ii përdorur në 2002 ka përqindje të larta termike dhe nuk lejohet që të përdorej, por ka nevojë edhe për disa ndërhyrje të tjera”, thotë Zefi.

Numri i vizitorëve pranë memorialit është rritur por këtë vit mungesa e afateve për nisjen e punimeve, ka vënë në pikëpyetje të gjithë sezonin turistik.

Shqetësim ende mbetet mungesa e orientimit në këtë memorial, ku mungojnë tabelat. Madje turistët e nisin gabim rrugëtimin e tyre deri tek memoriali, nga sheshi I shtruar në 2015 dhe jo nga Antic Gate, 1 nga 12 portat hyrëse të Lisusit të Lashtë për të kaluar në parkun arkeologjik e deri tek memoriali. / KultPlus.com

Elvis Malaj, një shqiptar kandidat për çmimin prestigjioz italian

Elvis Malaj një shkrimtar i ri shqiptar që jeton në Itali është një ndër pretendentët për çmimin e madh të letërsisë italiane Strega. Mes 12 kandidatëve për këtë çmim renditet dhe Malaj me librin “Nga tarracë tuaj ju mund të shihni shtëpinë time”. Në rend alfabetik, shkrimtarët pretendentë për këtë cmim janë Marco Balzano, Carlo Karabba, Carlo D’Amicis, Silvia Ferreri, Helena Janeczek, Lia Levi, Elvis Malaj, Francesca Melandri, Angela Nanetti, Sandra Petrignani, Andrea Pomella, dhe Yari Selvetella. Malaj shkruan në italisht dhe nuk është hera e parë që ka marrë vlerësime nga kritika italiane.

I lindur në Malësinë e Madhe më 1990 ai u zhvendos bashkë me familjen në vendin fqinj kur ishte 15 vjeç. Ai është vlerësuar për stilin e shkrimit dhe gjuhën që mbartin tregimet. Në librin “Nga tarracë tuaj ju mund të shihni shtëpinë time”, Malaj fton italianët që të jenë më të vëmendshëm për fqinjët, të cilët shpesh e konsiderojnë veten larg njeri- tjetrit dhe si të panjohur, por në realitet, mes dy vendeve tona Shqipëri-Itali, distanca është shumë e shkurtër dhe ne jemi shumë afër e të ngjashëm. Malaj është botuar nga Racconti Edizioni.

Nga historia e Çmimit Strega mësojmë se i jepet çdo vit një autori për librin e botuar në Itali nga 1 prilli i vitit të mëparshëm deri në 31 mars të vitit në vazhdim. Që nga viti 1986 organizohet nga Fondacioni Bellonci dhe njihet si çmimi letrar më prestigjoz në Itali dhe ka emër të mirë edhe në Europë e në botë.

Ky çmim u themelua në vitin 1947 nga Maria dhe Gofredo Belonçi në qytetin e Beneventos me bashkëpunimin e formës prodhuese Likeri Strega(Shtriga). Pas lufte çmimi shndërrohet në një model që tërheq botën e kulturës italiane, pas gati 20 vjet diktaturë fashiste.

Gabriele Rendina Cattani dhe Ilir Lluka, me 21 prill në Tirana Art Lab

Tirana Art Lab – Qendra për Artin Bashkëkohor dhe Instituti Italian i Kulturës Tiranë kanë kënaqësinë t’ju ftojnë në: Double Feature #9 Gabriele Rendina Cattani & Ilir Lluka.

Ekspozita do të hapet të shtunën e 21 prillit me fillim prej orës 19:00.

Ekspozita me Cattani dhe Llukën fokusohet te praktikat audio-pamore e dy artistëve, të cilët, mbi të gjitha, mund të konsiderohen si kompozitorë të muzikës elektronike bashkëkohore. Për ata, puna me tingullin është një mënyrë hulumtimi midis kufijve të muzikës dhe imazhit, gjuhës, hapësirës dhe perceptimit.

Eksperimentale dhe herazi abstrakte, punët e tyre, të krijuara duke përdorur të dhëna nga kërkimet në terren dhe elemente të shkëputura nga realiteti, kanë për qëllim të sfidojnë dhe ndryshojnë kuptimin dhe perceptimin e realitetit të shikuesve.

Gabriele Rendina Cattani i lindur më 1990 në Romë, është një artist që përgjithësisht punon me kolona zanore: kompozime kompjuterike gjithëpërfshirëse të fokusuar mbi kufijtë dhe kufizimet e një medisi digjital dhe mënyrën e ndikimit të tyre mbi kujtesën dhe kuptimin e asaj ç’ka na rrethon. Cattani, ka studizar, nga 2011 deri në 2016, Kompozim Muzikor në Konservatorin e Santa Cecilia-s në Romë dhe në Institutin për Kërkime Muzikore Civica Scuola di Musica Claudio Abbado në Milano, Itali. Ai ka një Master të dyfisht në Art Pamor dhe Teori Muzike të Ecole National des Arts Decoratifs dhe E.H.E.S.S. Paris, Francë. Kompozimet e tij dhe instalacionet audio-pamore site specific janë prezantuar midis të tjerash në institucione dhe hapësira kulturore si: Musée National des Arts Asiatiques Guimet Paris, Francë; Musée de Minéralogie de l’École des Mines Paris, Francë; Carreau du Temple Paris, Francë; Dôme FesAval #2, Montbazon, Francë; Auditorium Lattuada Milano, Itali; ART OR SOUND, Ca’ Corner della Regina, komisonuar nga Fondazioni Prada, Venicia, Itali; MACRO – Museum of Contemporary Art Romë, Itali; Auditorium Parco della Musica Romë, Itali. Gabriel Rendina Cattani është gjithashtu pjesë e shoqatës jo-fitimprurëse RepertorioZero.

Ilir Lluka i lindur më 1984 në Tiranë, është një artist audio-vizual dhe kompozitor i muzikës elektronike nga Tirana, aktiv në fushat e muzikës drone dhe eksperimentale. Teksa studimet akademike i ka zhvilluar jashtë fushave të artit (Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, në Universitetin Zoja e Këshillit të Mirë në Tiranë), Lluka ka studiuar si autodidakt teknikat e dizajnit të tingullit dhe sintetizimit në një nivel akademik dhe praktik. Ai është gjithashtu autor i disa sintetizatorëve software, që tani janë të përdorur prej publikut. Përveç albumeve/EPs, Iliri ka kompozuar gjithashtu muzikë për instalacione dhe kinemanë eksperimentale të cilat i ka performuar live në hapësira kulturore si: Muzeu Historik Kombëtar; International Sound Art Festivals Poesia Carnosa Romë, Itali; MainOFF Festival Palermo, Itali; Kinisi Festival Santorini, Greqi, etj. Punët e tij audio-pamore janë prezantuar në ekspozita ndërkombëtare si “Remembering in Form”, Galerie Heike Strelow Frankfurt/Main, Gjermani; “Çmimi Muslim Mulliqi 2016” Galeria Kombëtare e Kosovës; “Onufri XXII”, Galeria Kombëtare e Arteve; “Mediterranea 18: Young Artists Biennale“, Tiranë. Ilir Lluka është fitues i “Onufri XXII” 2016.

Double Feature # 9 është mbështetur nga Instituti Italiani i Kulturës Tiranë. / KultPlus.com

“Eugent Bushpepa do të kualifikohet për në finalen e Eurovizionit”

Ka përfunduar sot votimi në tërësi i jurisë së Wiwibloggs – portalit që e përcjellë aktivisht Festivalin e Eurovizionit dhe shkruan mbi ndodhitë më të fundit.

Juria e WiwiBloggs e përbërë nga muzikantë dhe kritikë e fansa nga mbarë Evropa, kanë krijuar kësisoj një listë të të gjitha këngëve të Eurovizionit dhe kanë dhënë pikët e tyre për secilën këngë.

Australia: Jessica Mauboy – “We Got Love” (7.03)
Hungary: AWS – “Viszlát nyár” (6.97)
Greece: Yianna Terzi – “Oneiro mou” (6.94)
Albania: Eugent Bushpepa – “Mall” (6.89)
Germany: Michael Schulte – “You Let Me Walk Alone” (6.75)
Slovenia: Lea Sirk – “Hvala, ne!” (6.58)

Sot, me të përfunduar rangimi për të gjitha këngët, del se Eugent Bushpepa është në vendin e 21-të në këtë listë.
6.89 nga 10.00 është nota që ka marrë Eugenti, ndërsa sipas kësaj liste ai do të kualifikohet për në finalen e Eurovizionit por nuk do të dalë me një rezultat të kënaqshëm në fund.

Në këtë listë, shqiptarja Eleni Foureira e cila do të këndojë në Eurovizion për Qipron, ka marrë notën 7.61 ndërsa Ermal Meta dhe Fabrizio Moro kanë marrë notën 7.17.

Nëse diçka nga ky parashikim është i saktë, të tre këngëtarët shqiptarë do të ngjiten në finale e Eurovizionit me datë 12 maj, shkruan KultPlus.

Sipas këtij rangimi, Eurovizionin këtë vit e fiton kënga nga Izraeli, përcjellë nga Belgjika, Finlanda, Bullgaria dhe Austria.

Ky është vetëm një vlerësim që lidhet me Eurovizionin por nga ai mund të shohim se ku qëndrojnë këngët me votat e marra.

Eugent Bushpepa do të këndojë këngën “Mall” me datë 8 maj, në gjysmëfinalen e parë të Eurovizionit, ndërsa nëse kualifikohet do të këndojë edhe me 12 maj, në finale. / KultPlus.com