Nga Eda Zari dhe Sokol Çunga
Bashkia e Tiranës filloi punimet për ndërtimin e “Bulevardit të Ri” (ende nuk ka marrë ndonjë emër heroi) në shtator të vitit 2013. Procesi i ndërtimit nënkuptonte prishjen e Stacionit të Trenit të kryeqytetit, heqjen e shinave dhe binarëve, fshirjen e çdo gjurme që kujtonte Stacionin, bashkë me disa prona private aty rrotull. Në mediat e shkruara, audive dhe vizive pati reagime gjithfarësh, por, gjithsesi, shumë pak kundër prishjes së Stacionit, i cili shenjoi për pothuaj tetë dekada një zonë të gjerë të Tiranës.
Për kujtesë, një prej reagimeve është “S’ka mo qofte ke Treni” shkruar nga Eda Zari [gjendet këtu: https://www.facebook.com/notes/10151877862012464/], si një tekst që përmbledh në një buqetë përjetimet e përbashkëta të çdokujt që është rritur në Tiranë dhe Stacionin e Trenit e ka pasur pjesë të pandashme të jetës, të paktën para epokës së shkatërrimit që i ndodhi rrjetit hekurudhor të Shqipërisë në fillim të viteve ’90. Është e rëndësishme kjo fraza “përjetimet e përbashkëta të çdokujt që është rritur në Tiranë”. Pasi po i referohemi një simboli të qytetit mes simboleve të tjera të tij. Secili njeh më mirë, lidhet më fort, me simbolet mes të cilave është rritur. Kështu është ish-Stacioni i Trenit të Tiranës për ne dhe të njohurit tanë që e kanë jetuar.
Teksa mbrëmjen e datës 20 korrik zbulohej prej mushamasë ajo lokomotivë me avull pikërisht në vendin ku dikur shtrihej Stacioni i Trenit, përjetimet ishin të dyzuara. Në një anë ishte admirimi dhe mirënjohja për ata tre djema, Rudin, Altinin dhe Blendin që punuan fort dhe e sollën lokomotivën aty ku është sot dhe, me shpresë, do të mbetet po aty për sa kohë t’ia mbajnë hekurat ndryshkun. Në anën tjetër ishin përjetimet edhe të arsyeshme, edhe të paarsyeshme: ky rikthim nostalgjik tek Stacioni i dikurshëm është pohimi i heshtur i qytetarit se, sido që të shkojë puna, do ta gjejë një mënyrë për ta rikthyer “qytetin e tij” në atë gjendje siç e mban mend dhe siç ia ka ënda ta kujtojë e ta shohë (në këtë rast, kjo pati koston e transportit të lokomotivës me shpenzimet e xhepit nga Shkozeti në Tiranë, me rrugë hekurudhore dhe tokësore, me vinça dhe kamion të asaj kabaje hekuri që peshon 100 ton); në të njëjtën kohë ky kthim nostalgjik tek kujtimet është një Vajtim i Përmbivarrshëm për Stacionin që sot s’e kemi, për kujtimet që u këputën, për “qytetin tim” që është një tjetër, i ri, i panjohur, në shumë pjesë të tij jo më imi…
Pyesim Altinin: “Pse lokomotiva? Pse aty?” Përgjigjet (po kështu përgjigjet edhe Rudi, edhe Blendi): “E ke pyetur ndonjëherë piktorin pse e bën pikturën? Aq mund të përgjigjem edhe unë.” Atëherë e pyesim: “Matanë veprimit të pandërgjegjshëm artistik, veç artit sipas prirjes dhe mundësisë sate, ke ndonjë lidhje me lokomotivën, trenin, hekurudhën?” Përgjigjet: “Kur pas Luftës II Botërore u projektua ndërtimi i një komunikimi hekurudhor mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë për segmentin hekurudhor Shkodër – Podgoricë, gjyshi ynë punoi pak vite për këtë projekt. Kur u ndërpre projekti, u largua nga ajo punë. E kemi kujtim familjar lidhjen me hekurudhën.” Në trupin e lokomotivës është vendosur mbishkrimi “Ideja: Hemingway Fun Club Albania. Restauroi: Hemingway Fun Club Albania”. Pyesim se në çfarë niveli u desh të restaurohej lokomotiva. Mësojmë se nga 6 lokomotiva me avull, kjo është e vetmja që nuk përfundoi për skrap. E lënë në harresë prej vitit 1986, ishte lënë edhe pa kujdes. Për t’i zvogëluar peshën iu hoqën depozitat e ujit. Pastaj i gjithë trupi i lokomotivës u pastrua me goditje me rërë, për t’iu hequr ndryshku. Është lyer me disa shtresa boje antioksidante, më pas lyer me bojën sipërfaqësore që duket sot. I janë riparuar disa pjesë, në mënyrë që të përballonte udhëtimin mbi shina nga Shkozeti në Kashar.
Mesazhi i Hemingway Fun Club Albania, në tabelën e kujtesës thotë:
“Avullorja 02. Tipi: TKT-48, Work Number 2923 02. Fablok of Chrzanow, Poland, 1951. Kjo lokomotivë u prodhua në vitin 1951 në Poloni dhe e përfundoi misionin e saj në vitin 1986 në Shqipëri. Fillimisht u shërbeu udhëtarëve dhe më pas trenave të mallrave. Ndodhet këtu për të na kujtuar stacionet hekurudhore, që u ngjajnë stacioneve të jetës, me historitë dhe emocionet që përbëjnë thelbin e shpirtit shqiptar, dashurisë që mbajti gjallë familjet, e lartësitë që kjo lokomotivë shkurtoi. Ky rrugëtim përfaqëson sakrificat e pafundme të atyre njerëzve që derdhën djersë dhe mund për të vënë në lëvizje avulloret, që ndërtuan me devotshmëri rrugët e bashkimit me njëri-tjetrin dhe arritën, asokohe, të mbajnë gjallë fantazinë e çdo fëmije. Kjo avullore do të zgjonte flladin e lirisë dhe të erës së ndryshimit në Shqipërinë e mbyllur. Për atë që mbart, nuk është lokomotiva e së kaluarës, por është Lokomotiva e së Ardhmes. Për mirënjohjen e përbashkët.”
Përjetimet e kësaj ngjarjeje, kujtimet e së shkuarës së afërt dhe të largët na bënë të reflektojmë për dukurinë, teksa ndiqnim ngjarjen. Në veprën e tij De Oratore Ciceroni na rrëfen ndodhinë e poetit Simonid nga Kiosi. Simonidi ishte ftuar në shtëpinë e fisnikut Skopas në Kranon të Tesalisë për të lexuar një poezi. Gjatë darkës Simonidi doli për pak çaste jashtë sallës ku ishin mbledhur plot miq gostarë. Papritur, tavani i sallës ra, asnjë prej atyre që ndodheshin brenda nuk shpëtoi, veç Simonidit. Kur të afërmit e të vdekurve deshën të varrosin të dashurit e tyre, ishte e pamundur të identifikonin trupat, për shkak të dëmtimeve. Mirëpo Simonidi, duke kujtuar vendin e gjithsecilit në tryezë, arriti t’i identifikonte, dhe çdo familje mori të afërmin e vet. Këtë metodë të menduari Ciceroni e quan loci memoriae, në shqip përshatur si vende të kujtesës. Kjo metodë i shërben regjistrimit të informacionit, duke e lidhur këtë me një udhëtim pamor imagjinar. Kur dëshirojmë të rikujtojmë informacionin e kërkuar, u rikthehemi objekteve, duke bërë një udhëtim pas në kohë. Kur rendi prishet, informacionet humbasin.
Qytetin e bëjnë njerëzit. Por qytetit, që të jetë Qytet, i duhen edhe vendet, simbolet, ndërtesat, i duhen loci memoriae. Tirana, qyteti që kemi njohur dhe që quajmë “qyteti im” nuk përbëhet vetëm nga Sheshi Skënderbej (rrufepritësja e çmimeve ndërkombëtare), bulevardet apo rrugët që burojnë prej këtij sheshi, apo ndonjë hapësirë tjetër e modës në ditët e sotshme. Tirana, “qyteti im”, ka edhe ato pjesë që sot nuk janë më, që sot janë kthyer në vepra arkitektonike moderne. Qyteti i kujtimeve ka edhe Kinema Republika. Edhe Kinema 17 Nëntori. Edhe Kinema Partizani. Edhe Park Lodrash. Edhe Park Liqeni të pa rrethuar me pallate. Ka pasur edhe Fushë Aviacioni, edhe Uzinë Dinamo, edhe Kombinat Mishi, edhe Kombinat Auto-Traktorësh… E vërtetë, nuk mund të ruhet gjithçka dhe përgjithmonë sipas dëshirës së gjithkujt, sigurisht, jeta e përditshme nuk është mauzole. Mirëpo, e keni parasysh ndjesinë kur kthehesh pas vitesh në një vend ku ke shumë kujtime? Kupton se ke lidhje me atë vend. Lidhje me peizazhin, objektet, që të evokojnë njerëz e ngjarje. Është po kjo ndjesi që, në një shkallë më të gjerë, e quajmë “atdhetari”, teksa ndërgjegjësohemi për lidhjen përmes kulturës, gjuhës, traditave, të cilat na bëjnë pjesëtarë të kombit. Pa lidhjen me “qytetin tim”, e kemi vështirë të lidhemi shëndetshëm me “atdheun tim”. Vendi me kujtime të shkretuara është po aq i huaj sa çdo vend tjetër ku s’kemi shkelur kurrë.
Kujtesa e objekteve, vendndodhja e objekteve, është thelbësore për njeriun që kërkon të ruajë një kujtesë të organizuar, mendime dhe ndjesi të organizuara. Që njeriu të jetë qytetar, domosdo duhet të ketë lidhje me qytetin. Njeriu mund të jetë fizikisht pjesë e qytetit, mirëpo kjo nuk do të thotë vetvetiu se mendimet dhe kujtimet e tij lidhen me qytetin. Për më tepër, kur loci memoriae (vende kujtese) të qytetit nuk ekzistojnë më (janë shkatërruar, për cilëndo arsye), apo janë aq të reja, saqë nuk përbëjnë vende kujtese për qytetarin, atëherë marrëdhënia e qytetarit me qytetin, me komunitetin, bëhet konfliktuale, harmonia humbet.
Është i ngjashëm edhe rasti i ndërtesës së Teatrit Kombëtar. Thellë brenda nesh, në botën tonë të kujtimeve, urojmë dhe shpresojmë që, të paktën, të mbetet më këmbë ajo ndërtesë e cila që prej fëmijërisë na është prezantuar me emrin Teatër Kombëtar. Veç debatit me gjuhën e ligjeve apo me gjuhën e shifrave, nuk duhet harruar debati për kujtesën, për ndjesitë, për identitetin që bartin loci memoriae. Ligjërisht pushteti qendror apo lokal përgjigjet për respektimin e ligjeve të vendit. Gabimi i demokracisë sonë Aristoteliane është se kemi harruar Platonin: kemi harruar përmasën shpirtërore të qytetit dhe qytetarit. Cili ligj i heq të drejtën qytetarit të kërkojë drejtësi shpirtërore, të kërkojë t’i ruhen të paprekura monumentet e kujtesës? Kujtesa nuk është sentimentalizëm. Nëse përvoja e të tjerëve përpara nesh nuk mjafton, tashmë ja ku kemi tonën, me shembull Stacionin e Trenit: çfarë prishet, nuk rindërtohet më, kujtimet më shumë nga të gjitha.
Ky monument që Rudi, Altin dhe Blendi Sukaj i bëjnë dhuratë Tiranës nuk është vetëm një Loco-motives (motive të çmendura, siç e quajnë ata), por edhe një loco memoriae (vend kujtese) për Qytetin. /KultPlus.com