“Sa vlerë ka arsimtari, aq vlerë do ketë edhe shkolla”

Friedrich Adolph Wilhelm Diesterweg ishte një edukator dhe mendimtar gjerman, i cili gjithashtu ishte një politikan liberal.

Edukuar në universitetet Herborn dhe Tübingen 1808-1811, Diesterweg filloi mësimin në 1811. Ai mësoi në Mannheim dhe në Worms për rreth dy vjet, dhe pastaj u zhvendos në shkollën model në Frankfurt am Main. Më vonë ai u bë rektor i shkollës latine të Elberfeld. Në 1820, ai u emërua drejtor i seminarit të ri të mësuesve në Mors, ku ai vuri në praktikë metodat e Pestalozzi. Më 1832, ai u thirr në Berlin për të drejtuar seminarin e ri shtetëror në atë qytet. Këtu ai e dëshmoi veten si një mbështetës i fortë i mësimit fetar jo-sektorial.

Në vitin 1846, ai themeloi institucionin Pestalozzi në Pankow dhe shoqëritë Pestalozzi për mbështetjen e vejushave dhe jetimëve të mësuesve. Për shkak të mosmarrëveshjes së tij me autoritetet lidhur me fazat e rëndësishme të arsimit të lartë ai ishte në fërkime të vazhdueshme dhe dha dorëheqjen nga seminari në 1847. Në 1850 ai mori një pension qeveritar. Pas kësaj, ai vazhdoi të përkrahë fuqishëm idetë e tij edukative përmes mediumeve të revistave. Më 1858, ai u zgjodh në dhomën e deputetëve si anëtar i qytetit të Berlinit dhe votoi me opozitën liberale.

Vdiq në vitin 1866 por pas vete la shumë, e ato që kujtohen më shumë janë thëniet me shumë vlerë, një prej të cilave po ju sjellim sot: “Sa vlerë ka arsimtari, aq vlerë do ketë edhe shkolla.” / KultPlus.com

Ka vdekur aktorja Fatime Llugiqi

Ka vdekur aktorja Fatime Llugiqi, e cila ishte  e njohur për kontributin e saj në teatër dhe film, shkruan KultPlus.  

Ajo mbahet mend për rolin e saj në filmin “Migjeni” me regji të Ismajl Ymerit, sikurse edhe për role të shumta në teatër dhe filma të tjerë.

Së fundi ajo ka luajtur edhe në filma të metrazhit të shkurtë./KultPlus.com

“Qeveria është një shoqatë burrash që na dhunojnë ne të tjerëve”

Lev Nikolayevich Tolstoy ishte shkrimtar rus, novelist, eseist, dramaturg dhe filozof. Rrjedh nga familja aristokrate e Tolstoyve. Njihet për dy veprat kryesore “Lufta dhe paqja” dhe “Ana Karenina”.

Lev Nikolayevich Tolstoy, autori dhe mendimtari gjenial rus, i dha kontribut të madh letërsisë dhe historisë ruse. Mirëpo, pikëpamjet e tij filozofike, shqyrtimet në të cilat ai ka prezantuar idetë mbi Zotin, shpirtin, dijen, dashurinë dhe shumë pikëpamje të tjera të tij, mbetën të pakuptueshme për kohën kur jetoi.

Më poshtë gjeni disa thënie epike të tij të publikuara nga botimeshqip.

“Qeveria është një shoqatë burrash që na dhunojnë ne të tjerëve.”

“Një nga kushtet e para të lumturisë është që lidhja midis Njeriut dhe Natyrës të mos prishet.”

“Të gjitha familjet e lumtura i ngjasojnë njëra tjetrës, secila familje e palumtur është e tillë në mënyrën e vet”.

“As në luginën e hijes së vdekjes dy dhe dy nuk bëjnë gjashtë”.

“Të gjithë mendojnë për ndryshimin e botës, por askush nuk mendon për ndryshimin e vetes”.

“Dy luftëtarët më të fuqishëm janë durimi dhe koha”.

Njerëzit e mirë falin shumë herë, por kur largohen, nuk kthehen më pas


Në një botë që po i harron dita-ditës vlerat dhe parimet e saj, është shumë herë më e vështirë të dish se kujt t’i besosh. Njerëzit po i bëjnë veshje të përditshmërisë së tyre maskat në fytyrë.

Ne mendojmë se të tjerët janë siç jemi ne, por në fund kuptojmë se sa kemi gabuar. Zhgënjehemi thëllë, por edhe marrim mësime të vlefshme për të mos i përsëritur më të njëjtin gabim me njerëzit e tjerë.

Për fat të keq, të jesh njeri i mirë në ditët e sotme është diçka e rrezikshme për vetë ne. Duke dashur të jemi të lumtur, të bëjmë mirë pa lënduar asnjë person, pa tradhëtuar, pa mallkuar, apo duke e vendosur veten në vendin e njerëzve, me të cilët bashkëjetojmë, ne i shkatërrojmë raportet me ta. Kjo gjë ndodh thjesht sepse shumë persona përfundojnë duke ngatërruar përkujdesjen tonë me skllavërinë, duke abuzuar me atë që ne u ofrojmë.

Në një situatë të tillë, një njeri i mirë zgjedh të ndjekë njërën nga dy rrugët e mundshme. Shumica zgjedh të ndryshojë dhe të mos u besojë verbërisht të tjerëve dhe një pjesë e vogël vazhdon të besojë se është bota në gabim.

Ata vazhdojnë të bëjnë mirë, sepse mendojnë që njerëzit nuk mund të ndryshojnë personalitetin e tyre. Është bota ajo që duhet ta bëjë diçka të tillë.

Por një gjë është e sigurtë: abuzimi me mirësinë e dikujt tjetër nuk mund të vazhdojë përgjithmonë, sepse vjen një moment kur forca dhe durimi përfundojnë, edhe nëse ka dashuri apo shoqëri për personin tjetër. Njerëzit e mirë falin pafundësisht, por kur vjen një moment në të cilin kuptojnë se gjërat nuk do të ndryshojnë më, dorëzohen, largohen dhe nuk kthehen më pas.

Nëse ti je një person që je sjellë keq me dikë që duhet ta doje dhe ta respektoje me po të njëjtën dashuri dhe respekt që ai të ka falur, dhe ai person është lodhur, dije se ai nuk ka për t’u kthyer më, nëse largohet. Në atë moment, e ke humbur përgjithmonë… / bota.al /KultPlus.com

“Talia e Flakës” prezanton pesë shfaqje në Gjilan

Festivali i vetëm i Dramës Origjinale Shqipe, “Talia e Flakës 2019”, në kuadër të manifestimit “Flaka e janarit” dërgon në Gjilan disa vlera të dramaturgjisë kombëtare dhe vjen me shfaqje e program të pasur teatral edhe këtë edicion. Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Kombëtar Eksperimental nga Shqipëria, Qendra Multimedia, Teatri “Adriana” – Ferizaj dhe nikoqiri, Teatri i Qytetit të Gjilanit do të shfaqin para publikut gjilanas veprat e tyre kombëtare.

“Talia e Flakës 2019” sivjet mbahet nga data 23 – 27 janar, në Teatrin e Qytetit të Gjilanit kurse të gjitha shfaqjet fillojnë me fillim në ora 19:00.

I pari në Gjilan, më 23 janar, prezantohet “Teatri Kombëtar i Kosovës” me shfaqjen “I ligu për mend” nga regjisori Altin Basha me tekst të Gjergj Fishtës. Më 24 janar prezantohet Teatri i Qytetit të Gjilanit me shfaqjen “I vetëm në banesë” nga regjisorja Natyra Kallaba me tekst të Avni Shkodrës. Në anën tjetër, skena e Gjilanit më datën 25 është rezervuar për Teatrin Kombëtar Eksperimental nga Shqipëria dhe shfaqjen “Kreonët e Ballkanit” me regji të EnverPetrovcit. Qendra Multimedia prezantohet në Gjilan më 26 janar me shfaqjen “Hipokritët ose pacienti anglez” nga Jeton Neziraj dhe Agon Myftari kurse”Talia e Flakës 2019″ përfundon më 27 janar me shfaqjen “Kur hana del” të regjisorit Ben Apolloni të cilën e prezanton teatri “Adriana Abdullahu” ngaFerizaj.

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka nisur më 12 janar manifestimi tradicional, shumëkulturor e mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2019”, i cili po mbahet për here të 28-të në nderim të dëshmorëve, të heronjve e të martirëve të rënë për lirinë e Kosovës.  Ky është edicioni i 28-të, i cili organizohet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, që u kushtohet të gjithë dëshmorëve të rënë në luftën për liri. Gjatë tërë muajit do të ketë aktivitete kulturore në kuadër të katër shtyllave në frymë garuese.

Tash e 28 vjet në Gjilan në kuadër të “Flakës së Janarit” mblidhen trupat teatrore nga vendet e ndryshme shqipfolëse për të dhënë para publikut gjilanas shfaqjet e tyre. Aty mbahet ora e madhe letrare, prezantohen koncerte të ndryshme për të rriturit e për fëmijët, si dhe ekspozita. /KultPlus.com

Familja kërkon falje për tabelën e hequr me emrin e rrugës në Buqan të Pejës, e quan keqkuptim

Ditë më parë, në rrjete sociale qarkulloi një video ku shihet se si një banor i fshatit Buqan të Pejës hoqi tabelën me emrin e një rruge të këtij fshati, “At Luigj Palaj”.

Pas publikimit të pamjeve, Prokuroria Themelore e Pejës kishte reaguar duke autorizuar policinë që personin e shfaqur në video ta shoqërojë në polici për intervistim.

Pas këtyre pamjeve, ka reaguar edhe avokati Arbër Rrustaj dhe familja e Armend Gashit, djalit që shihet në videoincizim.

Në një letër të gjatë, familja dhe avokati kanë sqaruar se Armend Gashi me heqjen e tabelës njoftuese nuk ka dashur të nxisë urrejtje, përçarje.

“Kur Armend Gashi e ka hequr tabelën njoftues nuk ka dashur që të nxisë ndjenjën e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar dhe etnik dhe të përhapë publikisht urrejtje, përçarje ose mos durim midis grupeve kombëtare, racore, fetare “, këtë fakt e dëshmon vetë fakti se Armendi jeton në një zonë ku jetojnë njerëz me fe të ndryshme, me të cilët shoqërohet, dhe  asnjëherë nuk ka shfaqur ndonjë veprim me të cilin do të kishte shkaktuar urrejtje ndër-fetare. Arsyeja e cila e ka shtyrë që ta heq tabelën njoftuese, është sepse në atë rrugë ku ka qenë e vendosur tabela njoftuese kanë rënë katër (4) Dëshmorë të Kombit, të cilët ishin të afërm të Armendit, dhe ai është ndjerë shumë keq kur ka parë që nuk është emri i tyre aty”, thuhet në letrën e familjes dhe avokatit Rrustaj.

Familja dhe avokati i Armend Gashit kanë kërkuar falje te ata të cilët janë ndier të fyer me veprimin e djalit të tyre.

“Të gjithë njerëzit të cilët jetojnë në fshat dhe në fshatrat përreth, dhe në tërë Republikën e Kosovës, të cilët janë ndjerë te fyer me atë veprim, ju kërkojmë falje për këtë keq informim dhe se në këtë çështje kemi pasur keqkuptim të veprimit të tij, i cili konsistonte në dhënien e  përparësisë atyre që dhanë jetën e tyre për lirinë e vendit tonë që jetonin në atë fshat, por gjithmonë duke mos pasur si qëllim nxitjen e urrejtjes”, thuhet tutje në letër./ kallxo.com

Haradinaj: Vlerat më të larta atdhetare i gjejmë te Isa Boletini

Kryeministri Ramush Haradinaj ka përkujtuar Isa Boletinin me rastin e shënimit të 103 vjetorit të vrasjes së tij.

Haradinaj ka thënë se figura e Boletinit edhe tani duhet të jetë shembull se interesi kombëtar vendoset para çdo interesi tjetër.

“Isa Boletini e identifikoi veten me fatin e atdheut. “Unë jam mirë, kur është mirë Shqipëria” edhe sot duhet të na udhëheqë në kërkimin për të drejtën tonë. Nëse në historinë tonë kombëtare kërkojmë vlerat më të larta atdhetare, ato i gjejmë në figurën e Isa Boletinit. Me vet veprimtarinë e tij jetësore na la një porosi, se atdheu nuk tjetërsohet dhe nuk vihet në pazar. Roje dhe dëshmi është vet prehja e tij në Boletin. Figura e Isës edhe tani le të jetë shembull për të gjithë se interesi kombëtar e shtetëror vendoset para çdo interesi tjetër. Lavdi e përjetshme”, shkruan Haradinaj.

Dhimitër Anagnosti, kineasti i mirënjohur feston sot 83-vjetorin

 Vetëm katër vite më parë kineasti i mirënjohur, Dhimitër Anagnosti, theu heshtjen me romanin “Koburja nga Europa”. Sot ai feston 83- vjetorin e lindjes.

I vetmi regjisor shqiptar që ka patur guximin të meditojë publikisht mbi rolin e vet si kineast brenda propagandës së realizimit socialist, Dhimitër Anagnosti është njëkohësisht ndër ata që më pak se kushdo kanë qenë pjesë e kësaj propagande.

Filmat e tij janë ndër të paktit që edhe sot paraqesin interes nga ana artistike. Anagnosti rrëfen në këtë intervistë të shkuarën dhe të ardhmen e kinemasë shqiptare.

Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjen të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996).

Në 12 pril 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen. Anagnosti është ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”. Mban titulllin “Nderi i Kombit”./ ata/ KultPlus.com

Diaspora kujton kontributin e presidentit Rugova përmes një ekspozite

Ekspozita “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Republikës së Kosovës”, e përgatitur nga Muzeu i Kosovës dhe nën përkujdesjen e Ministrisë së Diasporës, përmban eksponate të ndryshme që lidhen me presidentin Rugova.

 “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Republikës së Kosovës”. Kështu është titulluar ekspozita e hapur mbrëmë, më 21 janar në një ambient të restorantit “Salmen” të Schlierenit, afër Cyrihut.

Hapjen e ekspozitës e ka bërë konsullja e Republikës së Kosovës në Cyrih, Shukrije Ramadani ndërsa fjalën përshëndetëse e ka mbajtur ambasadorja e Republikës së Kosovës në Zvicër, Nazane Breca. Ajo, duke iu referuar ekspozitës, foli gjerësisht për shëmbëlltyrën dhe rolin e presidentit të ndjerë, dr. Ibrahim Rugova në shtetndërtimin e Kosovës, shkruan albinfo.ch.

Zonja Breca me këtë rast kujtoi rrugën jetësore të dr. Rugovës që nga lindja e tij në një familje patriotike dhe të persekutuar e deri te periudha kur ai dha  kontributin e tij madhor në ngritjen e shtetit të Kosovës. Është ironi e fatit, nënvizoi ndër të tjera Breca, që presidenti Rugova nuk arriti ta shohë rezultatin final të përpjekjeve të tij jetësore, shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Një fjalë rasti e ka mbajtur zëvendësministri në Ministrinë e Diasporës dhe të investimeve strategjike, Arian Daci. Ai, në emrin e ministrisë së përmendur ka përkujtuar rolin vendimtar që presidenti i ndjerë ka pasur në gjithë periudhën rreth njëzetvjeçare të ndërtimit të shtetit të Kosovës. Këtë periudhë, siç ka theksuar Daci, e karakterizojnë dy personalitete emblema të historisë më të re të Kosovës: komandanti i UÇK-së, Adem Jashari dhe presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova.

Sadik Krasniqi si bashkautor i ekspozitës, (krahas Ma Besnik Rraci) nga Muzeu i Kosovës, është ndalur në punën që ky muze, me mbështetjen e Ministrisë së Diasporës ka bërë për hapjen e ekspozitës në Zvicër. Ai ka sqaruar se eksponatet janë kryesisht ato që qëndrojnë në ekspozitën e përhershme, që është hapur në maj të vitit të kaluar në muzeun në Prishtinë. Dr. Krasniqi ka folur edhe për personalitetin dhe shëmbëlltyrën e Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Kjo ekspozitë do të bartet edhe në disa qytete të Evropës Perëndimore ku jetojnë shqiptarët.

Ekspozita, e përgatitur nga Muzeu i Kosovës dhe nën përkujdesjen e Ministrisë së Diasporës, përmban eksponate të ndryshme që lidhen me presidentin Rugova, duke filluar nga kostumi origjinal që ka veshur ai në aktivitetet zyrtare, rekuizita të ndryshme, si një stilograf të dhuruar nga presidenti Clinton, disa letra, dorëshkrime të tij të hershme, një gur kristalor të Trepçës, etj. Por, sigurisht ato që mbizotërojnë, janë fotografitë e shumta që pasqyrojnë aktivitetet e presidentit të ndjerë përgjatë periudhës së shtetformimit të Kosovës. Mbresëlënëse në këtë vazhdë ishte sidomos panoja ku jepet trungu gjenealogjik i familjes së Ibrahim Rugovës, i përbërë nga 15 gjenerata.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri të shtunën, 26 janar 2019.
Adresa: Restoran “Salmen” Uitikonerstrasse 17 8952 Schliren, Cyrih. /KultPlus.com

Ministria e Kulturës këtë javë nis bartjen në Prizren

 Dita e premte e kësaj jave është afati i radhës i caktuar nga lidershipi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për jetësimin e fazës së parë të bartjes së këtij dikasteri në ndërtesën që vite më parë shfrytëzohej nga rektorati i universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.

Tashmë kjo ndërtesë është rinovuar dhe adaptuar për nevojat e MKRS-së, përkatësisht kabinetin e ministrit dhe zyrtarëve të Departamentit të Kulturës dhe të Trashëgimisë Kulturore. Madje të martën në rrjetet sociale janë publikuar pamjet e zyrave të MKRS-së në Prizren.

“Ambiente të gatshme për bartjen e një pjese të MKRS-së në qytetin historik. Hapja zyrtare do të realizohet shumë shpejt. Është çështje ditësh kur në Prizren MKRS-ja do të fillojë punën e saj”, shkruan në postimin e kësaj ministrie.

Disa orë më pas, ministri i MKRS-së, Kujtim Gashi, ka deklaruar për gazetën se bartja në Prizren do të realizohet ditën e premte.

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, më 15 mars të vitit të kaluar kishte miratuar propozimin për dhënien në shfrytëzim të dy ndërtesave në pronësi komunale me qëllim të bartjes së MKRS-së në qytetin e vjetër, shkruan Koha Ditore.

Sot shënohet 120 vjetori i Lidhjes së Pejës

Në fund të shekullit 19-të  tokat e banuara me shqiptarë u vunë përsëri në rrezik kur fqinjët ballkanikë të shqiptarëve filluan aktivisht të ndeshen për të marrë pjesë nga territori i Maqedonisë, kontest që do të shpinte drejt Luftërave Ballkanike. Teritori i Kontestueshëm përfshinte edhe katër vilajetet shqiptare. Patriotët shqiptar filluan përgatitjet për krijimin e një organizate të re për t’iu bërë ballë këtyre rreziqeve në vjeshtën e vitit 1896. Takimi i parë u mbajt në mars 1897 në Gjakovë kur u krijua Besëlidhja Shqiptare. Në nëntor u mbajt edhe një takim tjetër në Pejë ku morën pjesë 500 veta pas së cilës Stambolli intervenoi dhe shpërndau Besëlidhjen.

Më 23 janar 1899 nën kërcënime të reja për tokat shqiptare në Pejë u mblodh një kuvend me 500 pjesëmarrës nga vilajetet e Kosovës dhe më pak nga ata të Manastirit dhe të Janinës. Në kuvendin gjashtë ditor zuri fill Lidhja e Pejës ose siç u quajt ndryshe Besa-Besë. Kuvendi u organizua, u drejtua, dhe zgjodhi kryetar Haxhi Zekën. Kuvendi doli me një program 11 pikësh i cili kundërshtonte përpjekjet për të copëtuar tokat shqiptare por që nuk kërkonte autonomi. U shpall edhe Besa për një vjet.

Pas suksesit të pjesshëm në përhapjen e programit në Kosovë dhe në Shqipërinë Veriore e të Mesme në përgatitje të një kuvendi mbarëkombëtar që do ta aprovonte programin e Lidhjes, sulltani reagoi duke përdorur edhe reaksionit shqiptarë. Në maj 1899 përpjekjet për mbajtjen e këtij kuvendi në Prizren u penguan. Kjo solli deri te një kryengritje e armatosur deri në maj të vitit 1900 kur u dërguan forca shtesë otomane që përfunduan Lidhjen e Pejës.

Acarimi i ri i çështjes maqedone, në fund të vitit 1898 dhe në fillim të vitit 1899, që u shoqërua me shtimin e ndërhyrjeve të qarqeve drejtuese të Bullgarisë, të Serbisë, të Greqisë e të Malit të Zi në Turqinë Evropiane, e veçanërisht në vilajetet shqiptare, krijuan përsëri një gjendje të nderë politike në Ballkan e si rrjedhim edhe në Shqipëri. Këtu ndikoi gjithashtu qëndrimi i Fuqive të Mëdha, të cilat, duke pasur parasysh kërkesat e shteteve ballkanike, sidomos të Bullgarisë, në janar 1899 u morën vesh për një ndërhyrje kolektive pranë Portës së Lartë. Me nismën e Anglisë e të Italisë iu parashtrua Portës së Lartë kërkesa për zbatimin e reformave në Maqedoni, për të parandaluar kryengritjen në këtë trevë të Ballkanit. Me këtë ndërmarrje u bashkuan edhe Gjermania, Austro-Hungaria dhe Rusia. Fillimi po në këtë kohë i bisedimeve ndërmjet Bullgarisë e Serbisë për të ndarë tri vilajetet, të Kosovës, të Manastirit e të Selanikut, e elektrizoi edhe më shumë gjendjen në Ballkan dhe në Shqipëri.

Në këto rrethana të ndërlikuara rifilluan përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për bashkimin e gjithë popullit dhe për krijimin e një lidhjeje të re, e cila, sipas shembullit të Lidhjes së Prizrenit, do t’i udhëhiqte shqiptarët në luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe për çlirimin e saj.

Vatër e përpjekjeve të tilla për formimin e një lidhjeje të re, ashtu si në vitet e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) edhe tani, më 1899, u bënë përsëri qytetet e vilajetit të Kosovës dhe sanxhaku i Dibrës, të cilat kërcënoheshin drejtpërdrejt nga qarqet shoviniste të Serbisë, të Bullgarisë e të Malit të Zi.

Në Kuvendin e Pejës, sidomos në mbledhjet e tij të fshehta, ashtu siç ishte parashikuar, u diskutua edhe çështja e autonomisë së Shqipërisë. U arrit në përfundimin që Lidhja të kërkonte autonominë dhe, si masë e parë drejt saj, do të ishte emërimi i Haxhi Zekës si guvernator i pavarur i Shqipërisë, që të vendosej një administratë e veçantë kombëtare dhe të formohej një ushtri shqiptare nën sovranitetin e sulltanit. Por, nga njëra anë rreziku i jashtëm, që kërcënonte tërësinë e Shqipërisë dhe, nga ana tjetër prania në Kuvendin e Pejës, krahas ithtarëve të autonomisë të grupuar rreth Haxhi Zekës, edhe e përfaqësuesve të forcave konservatore, prosulltaniste, siç ishin Halil pashë Begolli, Zejnel Efendiu, Zajmët e Pejës, Ismail Haki pasha etj., që kundërshtonin çdo ndryshim në marrëdhëniet e shqiptarëve me Stambollin, bënë që kërkesa e autonomisë të mos formulohej haptazi e të mos përfshihej në Rezolutën e atij Kuvendi.

Megjithatë, Rezoluta e Kuvendit të Pejës e janarit të vitit 1899 shprehte synimin e shqiptarëve për të vetëqeverisur vendin e tyre, parashikonte zbatimin e masave të tilla, të cilat do të çonin gradualisht në vendosjen e një statusi autonom për katër vilajetet shqiptare.

Në fundin e vitit 1900 Lidhja e Pejës u shtyp pa arritur të përmbushte detyrat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Megjithatë, ajo la mbresa të thella në ndërgjegjen e popullit dhe ushtroi një ndikim të fuqishëm në organizimin e mëtejshëm të luftës së armatosur kundër sunduesve osmanë.

Sot, në ketë 120 vjetor kryeministri Ramush Haradinaj do të bëjë nderime para përmendores dhe kullës së Haxhi Zekës në Pejë. /KultPlus.com

Dil

Poezi nga Xhevahir Spahiu.

Kur s`i qesh buza buzëqeshjes,
Kur dhe vetmia zë vetmohet
Ti rri ngujuar brenda heshtjes,
Po tjetërkush për ty ngujohet.

Je gjeth i degës hijerëndë,
Je dru i pyllit që nuk sos
Nga zëra njerëzish rrafsh iu shembën
të lashtat mure Jerikosë.

Dikush për ty përbluan urinë
Mos ndjejnë uri as zogjtë, as ti.
Ti – një shushamë në suferinë,
ngujuar brenda vetes rri.

Dil sa pa rënë nata e gjatë,
sa pa të marrë harrimi osh,
Në këtë botë të pamatë
Të rrosh, përkthehet të luftosh!

Muzeut Historik Kombëtar, bashkëpunim kulturor me Ambasadën japoneze

 Nis bashkëpunimi kulturor midis Ambasadës së Japonisë në Shqipëri dhe Muzeut Historik Kombëtar.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, priti në një vizitë zyrtare Sekretaren e Dytë të Ambasadës japoneze, Hiroko Marikawa dhe Ryoko Endo. Qëllimi i kësaj vizite ishte fillimi i bashkëpunimeve kulturore midis Japonisë dhe Muzeut Historik Kombëtar.

Drejtori Koçi i shprehu gatishmërinë e tij sekretares Marakawa në thellimin e urave të bashkëpunimit kulturor dhe u shpreh se kultura është pasaporta më e mirë midis shteteve. 

Prestigjiozja Le Monde: Shqipëria mes 20 destinacioneve më të bukura për 2019

Shqipëria renditet mes 20 destinacioneve më të bukura për 2019.

Prestigjiozja e përditshme Le Monde ka renditur Shqipërinë mes 20 destinacioneve të preferuara që duhet vizituar gjatë këtij viti.

“MIRËMËNGJES , dhe me këtë faqe të prestigjozes së përditshme Le Monde, e cila mes 20 destinacioneve të preferuara të vitit 2019 e sugjeron Shqipërinë si zgjedhjen e gjashtë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Kryeministri Edi Rama.

Edhe Gazeta britanike “The Sun” ka botuar një artikull mbi dhjetë destinacionet më të mira në të gjithë botën për turizëm mes të cilave përmend edhe Rivierën Shqiptare.

”Vendasit i kanë ruajtur me dinakëri për vete plazhet dhe gjiret e detit për dekada të tëra. Por tani, Lonely Planet e ka quajtur vendin një destinacion të mirë për 2019. Mund të vini bast se është vetëm çështje kohe para se Shqipëria të bëhet një Kroaci e re”, shkruan “The Sun”./a.g/ KultPlus.com

Fëmijët që kalojnë disa orë në telefon apo tabletë rrezikojne të mos kenë gjumë të mjaftueshëm

Fëmijët që kalojnë disa orë duke luajtur në telefon apo tabletë rrezikojne të mos kenë gjumë të mjaftueshëm, ka treguar një studim i realizuar së fundmi.

Hulumtimi zbuloi se të rinjtë nën moshën dhjetë vjeç që qëndrojnë pranë pajisjeve elektronike portative, kanë gjasa për dy herë më të larta që të humbasin gjumin.

Pajisjet portative mendohet të jenë më të dëmshme sesa thjesht shikimi i televizorit për shkak se fëmijët  janë në gjendje t’i bartin ato në dhomat e tyre gjatë kohës së gjumit.

Hulumtimi u krye nga Universiteti Shtetëror i San Diegos, i udhëhequr nga Dr Jean Twenge, nga departamenti i psikologjisë.

Akademia Amerikane e Pediatrisë, Shoqata Kanadeze e Pediatrisë dhe Departamenti Australian i Shëndetësisë këshillojnë fëmijët të kenë jo më shumë se dy orë në ditë pranë ekranit./klankosova/ KultPlus.com

Ma dërgo dikë ta dua

Shën Nënë Tereza

O Zot, 
Kur kam uri, më jep dikë që ka nevojë për bukë.
Kur kam etje, më dërgo dikë që ka nevojë për ujë.
Kur kam të ftoftë, më dërgo dikë ta ngroh.
Kur ndjehem e pakënaqur, më dërgo dikë ta ngushëlloj.
Kur kryqi im peshon rëndë, më bëjë ta bashkëndajë kryqin e tjetrit.
Kur jam e varfër, më dërgo te ata që kanë nevojë.
Kur nuk kam kohë, ma jep dikë që ta ndihmoj për një çast.
Kur jam e nënçmuar, bëjë të kam dikë që ta lavdëroj.
Kur jam e ligështuar, më dërgo dikë ta forcoj.
Kur kam nevojë të më kuptojnë, më dërgo dikë që ta dëgjoj e ta kuptoj.
Kur kam nevojë të kujdesen për mua, më dërgo dikë të kujdesem për të.
Kur mendoj vetëm për vetveten, tërhiqe vëmendjen time tek të tjerët. / KultPlus.com

“Manastiri i Shën Gjon Vladimirit” në Muzeun Historik

Muzeu Historik Kombëtar, më  24 janar me fillim nga ora 12:00, organizon veprimtarinë “Një ditë me kuratorin” me temë: “Manastiri i Shën Gjon Vladimirit dhe të dhënat epigrafike të tij”.

Një kënd i posaçëm në Pavijonin e Mesjetës Shqiptare në Muzeun Historik Kombëtar i është kushtuar Portalit të Kishës së Shën Gjon Vladimirit, Elbasan.

Manastiri ishte qendër e rëndësishme për shkrimet shqipe. Aty kanë punuar dhe jetuar personalitete të njohura si, Dhaskal Todri dhe Imzot Visarion Xhuvani. Në murin jugor të manastirit të Gjon Vladimirit gjendet stema e Karl Topisë e gdhendur nga Dhimitër Shpati.

Kjo veprimtari synon bashkëpunimin me shkollat e mesme dhe të larta. Ky bashkëpunim do të sjelli më afër objektin me nxënësit apo studentët.

Kuratorët e Muzeut Historik Kombëtar, organizojnë orë të hapura, ku i flasin brezit të ri për punën e tyre të përditshme dhe ndajnë njohuritë e tyre mbi një temë të caktuar.

“Një ditë me kuratorin!” synon të përforcojë bashkëpunimin e muzeut me publikun e gjerë, të rrisë ndjeshmërinë e brezave të rinj ndaj objekteve muzeore, të evidentojë rolin e kuratorit të një muzeu, si dhe të inkurajojë dialogun me qytetarët mbi historinë e kulturën.

Veprimtaria do të zhvillohet në datën 24 janar 2019 ora 12.00, pranë Pavijonit të Mesjetës Shqiptare të Muzeut Historik Kombëtar./Insajderi.com/ KultPlus.com

“Delegacioni” shpërblehet në Trieste Film Festival 2019

“Delegacioni“ me skenar të Artan Minarolli e me regji të Bujar Alimani është shpallur fitues në kategorinë “Best Feature Film” në Trieste Film Festival 2019, shkruan KultPlus.

“Tetor 1990, regjimi komunist në Shqipëri po përpiqet të mbajë pushtetin. Një delegacion evropian vjen në Tiranë për të monitoruar zbatimin e reformave të qeverisë – një parakusht i madh që Shqipëria të pranohet në OSBE. Leo është marrë fshehurazi nga një burg i largët dhe është sjellë në kryeqytet. Ai ka qenë një i burgosur politik për 15 vjet. Tani ai është bërë jashtëzakonisht i vlefshëm për qeverinë. Delegacioni evropian udhëhiqet nga një shok i shkollës së vjetër të Leo’s. Detyra e tij është të kontrollojë progresin e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Leo mund ta bindë atë se gjithçka është në rregull. Por asgjë nuk shkon siç është planifikuar.“

Ky film është bashkëprodhim në mes të Shqipërisë (Art Film shpk), Kosovës (Bleri Production), Francës (Zorba production) dhe Greqisë (Graal Films). Në film luajnë aktorët: Viktor Zhusti, Xhevdet Ferri, Ndriçim Xhepa, Richard Sammel, Kasem Hoxha, ndërsa nga Kosova në film paraqiten aktorët Bislim Muçaj, Selaman Lokaj, Avdullah Gjikokaj, Fatlume Bunjaku, Armend Ismajli, Gani Morina, Artan Selimi, Imer Loshi./KultPlus.com

Era Istrefi shndërrohet në “Statuja e lodhjes”

Era Istrefi, ka publikuar disa fotografi në Instagram të cilat mund të lidhen me ndonjë nga projektet e saj të reja muzikore.

“Statuja e lodhjes”, ka shkruar Istrefi si mbishkrim në këto fotografi. Istrefi do të vijë shumë shpejt me një këngë shqip në duet me motrën e saj Nora Istrefi, por nuk dihet nëse këto fotografi lidhen me atë projekt. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/Bs8lDkgjels/

Fillon peticioni kundër ndërtimit të HEC-it në kanionet e Holtës, Gramsh

Kanë filluar punimet në kanionet e Holtës në Gramsh pavarësisht kundërshtimeve të shoqërisë civile. Mirëpo për të ndaluar këto punime tashmë ka filluar edhe nënshkrimi i një peticioni i cili ka marrë mbi 3 mijë nënshkrime.

Ndërtimin e HEC-it, i cili ka bërë që të betonizohet një pjesë e këtij kanioni, e ka kundërshtuar edhe i pasionuesi i natyrës, Nëntor Oseku. Ai përmes një postimi në Facebook ka ndarë disa fotografi të kësaj perle të Shqipërisë së Mesme. Oseku po ashtu ka ftuar njerëzit që të nënshkruajnë këtë peticion si dhe të bëhen pjesë e protestës e cila do të mbahet të premten.

https://www.change.org/p/thuaji-jo-ndertimit-abuziv-ne-nje-monument-natyror-te-mbrojtur-nje-pasuri-natyrore-e-gjithe-shqiptareve?recruiter=922335419&utm_source=share_petition&utm_campaign=psf_combo_share_message.pacific_post_sap_share_gmail_abi.gmail_abi.lightning_2primary_share_options_more.control&utm_medium=whatsapp&fbclid=IwAR3qusry0ozX8yb-um87zpvxnPenLe5srLgWTOPCGVQ8MITfoBS77dAFvPc

“I indinjuar thellë për shkatërrimin e këtij monumenti të mbrojtur natyror, që do të ndikonte negativisht në turizmin shqiptar, ftoj miqtë dhe adhuruesit e shumtë të natyrës që masivisht ta nënshkruajnë peticionin, përkatësisht të marrin pjesë në protestën e organizuar nga aktivistët atdhetarë dhe shoqata “Zagoria”, e paraparë të mbahet në Sheshin Skenderbej në Tiranë, të premten, me datën 25.01.2019, duke filluar nga ora 11:00”, ka shkruar ai.

Të veçantë kanionin e bëjnë burimet e shumta termale, me ngjyrë të kaltër, të kristaltë. Shpellat e shumta karakteristike nga dy anët e këtyre shpateve mbuluar dhe me zona pyjore, me drunj pishe, panje e bredhi, me botë të pasur flore dhe faune, e bëjnë akoma më atraktiv këtë kanion. Kanioni i Holtës paraqet interes për ngjitje malore, për adhurues të kampingut si dhe për grupe kacavarësish nëpër shkëmbinj. Kanioni i lumit të Holtës është 1.30 min. larg Tiranës./ KultPlus.com

Dehem

Besim Gjoka.

“Degustim”
Tre, janë shijet që dalloj tek Vera;
Shijen e Tokës së lëvruar
Rrëshirën e Vreshtës,
Dhe Aromë Gruaje.

“Dehem”
Dehem, si me verën e vjetër teksa ti shoh sytë blu, si Deti
Rrëmbehem si Era, si dallga kur përplaset në breg dhe shkëmbin lëmon ngadalë
Dehem,
Se vetëm i dehur i mpërflak mendimet
Të puth, të përqafoj fort brishtësinë tënde
Dehem, se vetëm i dehur mund ti kapërcej barrierat dhe të kem
Dehem, në largësi
Dehem, në kryqëzime harrese

Dehu, dhe ti e dashur
Dehu, si unë..
Dehu, me viyrtytin, karakterin, me dashurinë
Dehu, me pritje
Dehu, si unë..
Me vetminë..
Dehu
Dhe nëse një ditë më thua të dua
Do jesh e dehur
Si unë..
Me dashurinë/ KultPlus.com

Ura e Goricës: Peizazhi që frymëzon prej shekujsh udhëtarët

Një prej urave më të bukura të periudhës së perandorisë osmane në Shqipëri, e ndërtuar në shek. XVIII në qendër të Beratit, Ura e Goricës lidh qytetin me lagjen e të njëjtit emër.

Ajo harkohet në mes me një elegancë të theksuar, me këmbët e saj cilat zbresin nga 10 metra lartësi mbi dy anët e shtratit të lumit Osum. Shtatë harqe, parmakë prej druri, e “dritare” të vogla, të cilat shpeshherë duken si fytyra njerëzish, i japin kësaj ure një pamje të rrallë, një pamje e cila reflekton vërshime të skajshme, tërbime dhe kohë të ashpra mbi të.

Unike në stilin e vet, më një gjatësi 130 metra e gjerësi mbi 5 metra, edhe kjo urë ndiqet nga lajtmotivi i urave të vjetra, e legjendave të cilat tregojnë se aty është murosur një vajzë e re për të siguruar themelet e urës. Krenarë për urën që gjendet mes tyre, vendasit tregojnë se një punim i tillë rrallë gjendet. Duke vlerësuar arkitekturën si edhe rëndësinë e saj historike, studiuesit mendojnë se kjo është ura më e bukur në Shqipëri. Udhëtarët e çdo kohe, të cilët kanë kaluar nga Berati, janë befasuar nga kjo vepër inxhinierike, dhe e kanë dokumentuar atë në gravura, foto e mjaft vizatime. Në fakt, të dhënat e para mbi Urën e Goricës i ka dhënë kronisti i famshëm osman, Evlija Çelebi, në ditarin e tij të udhëtimeve.

Në vitin 1780, ishte Pashai Ahmet Kurti i Beratit ai që financoi ndërtimin e Urës së Goricës, e cila ishte fillimisht e drunjtë.  Vendasit mendojnë se ajo u ndërtua pikërisht kur lindi nevoja për të komunikuar mes dy brigjeve të Osumit, në periudhën kur filloi të ndërtohej e popullohej lagja e Goricës. Për fat të keq, më 1918, në mbarim të luftës së parë botërore, një shpërthim dinamiti shkatërroi një pjesë të saj. Por, fatmirësisht, në këtë rast ajo u rindërtua vetëm pas pak kohe në gur, duke marrë formën dhe bukurinë që zotëron sot. Nga: IntoAlbania/ KultPlus.com

Ma hiq qafe atë celular!

Nga: Umberto Eco
Përktheu: Henrik Ligori

Pak kohë më parë, ndërsa po flisja para Akademisë së Spanjës në Romë, një zonjë duke ujdisur telekamerën ma përplasi në fytyrë një dritë verbuese e s’po më linte të lexoja dot shënimet. Iu ktheva shumë i lënduar, sikurse më ka ndodhur edhe me fotografë të tjerë të pasjellshëm, duke i thënë se rregullat e ndarjes së punëve na mësojnë se kur unë jam duke punuar të tjerët duhet ta lënë punën. Dhe, zonja e fiku telekamerën, por mori pamjen e njeriut që i bien më qafë kot.

Në San Leo, bash javën që shkoi, ndërsa po shpallej një nismë shumë e bukur e komunës për rivlerësimin e peizazheve të vendit në pikturat e Piero della Francescas, tre veta po më verbonin me blicet e tyre, ndaj m’u desh t’u kujtoja rregullat e edukatës së mirë.

Dukej se në të dy rastet verbuesit nuk ishin tipa nga ata që futen në “Big Brother”, por, me gjasë, njerëz të mësuar dhe që vijnë me dëshirë në veprimtari të tilla për të ndjekur diskutime në një fushë të dijes. Gjithsesi, është e qartë se sindroma e syrit elektronik i uli ata nën nivelin që mbase aspironin, ngaqë, praktikisht të çinteresuar për çka po thuhej, donin vetëm ta regjistronin ngjarjen, qoftë edhe për ta vënë pastaj në YouTube. Nuk donin të kuptonin për çfarë po flitej, ngase atë që mund ta kishin rrokur përmes shqisave, mëtonin vetëm ta ruanin në kujtesën e telefonit celular.

Gjithëprania e syrit mekanik në vend të trurit më ngjan se ka ndryshuar mendërisht edhe njerëz përndryshe të qytetëruar. Nga veprimtaria ku qëllon të marrin pjesë, ata largohen duke marrë me vete ndonjë imazh, por pa kuptuar asgjë se ç’u tha e se ç’u bë (dhe do t’i kisha mirëkuptuar nëse do të isha ndonjë kërcimtar nudist). Sikundër e marr me mend, teksa i bien botës rrotull duke fotografuar çfarë u sheh syri, ata janë të dënuar që të nesërmen ta harrojnë ç’mundën të shohin një ditë më parë.

Në disa raste kam rrëfyer se ç’më ndodhi në Francë më 1960-n, kur pasi fotografova si i marrë një mori katedralesh, hoqa dorë përfundimisht nga bërja e fotografive. Sepse kur u ktheva në shtëpi nuk rikujtoja dot çfarë kisha parë, ndërsa nga udhëtimi më mbetën si kujtim vetëm disa foto pa vlerë. Prandaj, e flaka aparatin dhe gjatë udhëtimeve të mëvonshme atë që shihja mundohesha vetëm ta regjistroja në mendje. Si kujtim për më vonë, më shumë për të tjerët sesa për vete, blija kartolina shumë të mira.

Dikur kur isha vetëm njëmbëdhjetë vjeç, më tërhoqi vëmendjen poterja e pazakonshme në unazën e qytetit, ku më pati marrë osh turma e njerëzve. Pashë nga larg sesi kamioni pati përplasur një qerre që e ngiste një fshatar; kishte pasur edhe gruan me vete. Gruaja ishte plandosur përtokë me kafkën e çarë dhe dergjej mbi një grumbull gjaku dhe lënde trunore, ndërsa i shoqi e shtrëngonte në kraharor duke klithur nga dëshpërimi (në kujtimet e mia, ende të llahtarshme, skena më fanepsej si një tortë me pana e luleshtrydhe, e shkelur me këmbë). I terrorizuar nuk u avita më tepër, jo vetëm pse ishte hera e parë (fatmirësisht, edhe e fundit) që shihja tru të shpërndarë mbi asfalt, por sepse për herë të parë u gjenda përballë vdekjes. Dhe përballë dhimbjes, dëshpërimit.

Çfarë do të kishte ngjarë sikur të kisha pasur një celular me telekamera, sikurse e kanë sot të gjithë fëmijët? Mbase do ta kisha regjistruar skenën për t’u treguar miqve se unë isha aty, pastaj ndoshta këtë pasuri do ta hidhja në YouTube për të kënaqur ithtarët e tjerë të “schadenfreude”, ndryshe, të gazit që ndien nga gjëma e tjetrit. Pastaj, ku i dihet, duke regjistruar fatkeqësi të tjera, dhimbja e tjetrit s’do më bënte më përshtypje. Përkundrazi, unë ngjarjen e regjistrova në kujtesë dhe ato pamje edhe tash pas shtatëdhjetë vjetësh s’më hiqen nga mendja dhe vazhdojnë të më edukojnë: po, ato më bëjnë ta ndiej në shpirt dhimbjen e tjetrit. Nuk e di nëse djelmoshat e sotëm e kanë ende këtë mundësi për t’u ndjerë të rritur. Sot, kjo racë të rriturish ka humbur përgjithmonë, ngaqë fëmijët gjithë ditën e ditës i mbajnë sytë ngulur te telefonat celularë./Telegrafi/ KultPlus.com