Dokumentari i ri për Michael Jackson me deklarata shokuese


Një dokumentar i ri i quajtur “Finding Neverland” po hedh dritë mbi anën e errët të mbretit të popit, Michael Jackson. Në dokumentar, dy meshkuj flasin hapur dhe deklarojnë se këngëtari ka akuzuar seksualisht me ta kur ishin fëmijë të mitur. Sipas tyre, kjo marrëdhënie ka vazhduar për vite me radhë. Tashmë në të 30-at, ata të dy rrëfejnë se Jackson kishte krijuar raport miqësie me familjet e tyre për mbuluar akuzat.

Njëri prej tyre është Wade Robson, një koreograf dhe balerin 36 vjeçar nga Australia. Robson filloi të performojë si kërcimtar që në moshën 5 vjeçare. Emri i tij u lakua edhe gjatë periudhës së ndarjes së Justin Timberlake dhe Britney Spears. Sipas zërave, balerini ishte shkaku i ndarjes dhe arsyeja pse Timberlake shkroi këngën “Cry me a River”.

Robson ka rrëfyer versionin e tij të historisë për dokumentarin. Ai shokoi me deklaratat që Michael Jackson ka abuzuar me të që kur ishte 7 vjeç, në Fermën Neverland ku këngëtari jetoi nga viti 1988 deri në 2003. Robson u shpreh se abuzimi vazhdoi për 7 vite me radhë, dhe që ai nuk ishte i vetmi. Sipas tij, dy firma të Jackson përdoreshin për të joshur fëmijët. Avokati i tij, Vince Finaldi tha se “të ftuarit” silleshin në fermë me limuzina, u bliheshin bileta avioni dhe kishin ushqim dhe fjetje të paguara.

“Neverland nuk ishte asgjë veçse një kurth i mirëorganizuar,” shtoi ai.

Në vitin 2005, kur akuzat e para ndaj Jackson për përdhunim dolën në dritë, Robson i mohoi ato. Megjithatë tani ai ka marrë vendimin për t’i hedhur firmat në gjyq. Wade Robson tha se Michal Jackson drejtonte operacionin e abuzimit të fëmijëve më të sofistikuar në botë.

Premiera e dokumentarit është në Festivalin e Filmit Sundance këtë muaj./Opinion.al/KultPlus.com

Haradinaj: Presidenti Rugova krijoi një doktrinë të një shtetit paqësor

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe te varri i ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në 13 vjetorin e vdekjes së tij.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, tha se sot, së bashku me kolegët e kabinetit qeveritar, kanë shkuar në nderim të veprës dhe jetës së ish-Presidentit Rugova, por njëkohësisht me respektin për traditën e të gjitha ato që institucionet e vendit i vazhdojnë për të mirën e qytetarëve, për të mirën e vendit.

Duke folur për rolin e ish-Presidentit Rugova në shtetndërtimin  e Kosovës, kryeministri Haradinaj tha se historia do ta definojë në tërësi rolin e tij, por theksoi se është vërtetë një doktrinë e një shteti paqësor të cilën ai e ka krijuar.

“Vepra e jeta e tij lidhet me një Kosovë paqësore për të gjithë”, vlerësoi kryeministri Haradinaj.

Fotografitë e këtij homazhi, kryeministri i ka shpërndarë edhe në Facebook me mbishkrimin: Rugova, me rreshtimin përkrah Perëndimit dhe në miqësi të përhershme me ShBA-në, rideshmoi fuqinë e ideve demokratike shqiptare në shtetkrijim. Në përvjetorin e 13-të të ndarjes nga jeta të Presidentit Historik, Kosova idealin e tij dhe të shumë brezave e ka kurorëzuar përmes unifikimit, që u manifestua me krijimin e ushtrisë sonë. Ushtarët e Ibrahim Rugovës dhe të Adem Jasharit tani janë në rresht me ushtritë e paqes, nën flamurin e Republikës së Kosovës. Pusho i qetë, President! /KultPlus.com

Shqiptarja Eleni Foureira performon në finalen e Spanjës për Eurosong (VIDEO)

Këngëtarja me origjinë shqiptare Eleni Foureira e cila prej vitesh zhvillon karrierën në Greqi, në festivalin e fundit të muzikës Eurovision përfaqësoi Qipron, ku dhe foli për origjinën e saj shqiptare. Po në këtë festival ajo ishte shumë afër fitores, ku mori vendin e dytë, shkruan KultPlus.

Suksesi i saj ka vazhduar edhe pas kësaj gare me pjesëmarrje të ndryshme, interpretime të mrekullueshme e lansime të këngëve të reja shumë të suksesshme.

Ndërsa tashmë është publikuar edhe video e performancës se Elenit në finalen e Spanjës për në Eurosong.

Edhe kësaj radhe ajo shkëlqen teksa performon këngët e saj “Fuego” dhe “Tomame” me një energji të zjarrtë, ndërsa pritja e publikut duket të ketë qenë e mahnitshme.

Këngëtarja 31-vjeçare ka lindur në Fier, ndërkohë që në vitin 1997, prindërit e saj emigruan drejt Greqisë, ku ajo u rrit dhe zhvilloi karrierën e saj. /KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=cHrhOZHlEGM

Durrësi, një xhevahir i çmuar i historisë së Shqipërisë

Presidenti Ilir Meta priti në një takim kryesinë e shoqatës “Durrësi” të përfaqësuar nga intelektualët, Shpëtim Metani, Lumturi Ngjala, Agim Shehi, Rifat Bilali dhe Gjon Huli.

Pasi u njoh me aktivitetin e kësaj shoqate, Presidenti Meta vlerësoi lart kontributin e saj për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave qytetare e patriotike, trashëgimisë së pasur historike, arkeologjike dhe kulturore të kësaj treve.

“Durrësi është një xhevahir i çmuar i historisë së Shqipërisë, për vlerat e spikatura patriotike, intelektuale, artistike e kulturore, si vatër e rëndësishme e atdhedashurisë dhe dijes nga ku kanë dalë personalitete të shquara në të gjitha fushat. Por veçanërisht për trashëgiminë e pasur, autentike dhe të jashtëzakonshme arkeologjike, që e dallon nga trevat e tjera duke e kthyer në një atraksion të rëndësishëm turistik”, tha Meta.

Mbrojtja dhe promovimi i këtyre vlerave që na bëjnë krenarë si shqiptarë, tha Kreu i Shtetit, duhet të jetë një prioritet madhor për të gjithë ne.

“Sepse duke dashur vendlindjen, rrënjët tona, të parët tanë dhe trashëgiminë e vyer që na kanë lënë, fëmijët dhe të rinjtë do mund të ndërtojnë një të ardhme më të sigurt në Shqipëri. Duke vlerësuar punën e shkëlqyer me pasion e përkushtrim që keni bërë në këtë drejtim, ju inkurajoj të vijoni më tej”, – u shpreh Presidenti Meta.

Përfaqësuesit e shoqatës “Durrësi” e falënderuan Kreun e Shtetit për vëmendjen e treguar ndaj këtij qyteti dhe promovimit të vlerave kombëtare, duke i shprehur dëshirën për një bashkëpunim më të ngushtë për këtë qëllim të përbashkët. /a.g/KultPlus.com

BBC: Përse dështoi CIA dhe MI6 në Shqipërinë e Hoxhës

Në vitet ’50, CIA amerikane dhe shërbimi sekret britanik, MI6, kishin tentuar që të rrëzonin regjimin e Enver Hoxhës në Shqipëri.

Përpjekjet e tyre përfunduan në një katastrofë.

Sipas BBC, më shumë se 300 agjentë përfunduan të vdekur pasi u kapën nga Sigurimi shqiptar.

Për vite me radhë është thënë se fajtor për këtë është Kim Filbi, agjenti britanik që spiunonte për sovjetikët.

Por historiani Steve Long, që po bën një libër për këto ngjarje, thotë për BBC se panorama është më e komplikuar se kaq.

Sipas tij, shkak i dështimit ka qenë mosbashkëpunimi efektiv mes britanikëve dhe amerikanëve.

“Është e vërtetë se Sigurimi në këtë kohë ishte shumë efektiv, duke sunduar përmes terrorit dhe besimit tek popullsia. Britanikët e nënvlerësuan këtë. Ata mësuan që ta marrin regjimin komunist më seriozisht”.

Sipas tij, “angazhimi i amerikanëve me gjysmë zemre ishte kundërproduktiv” pasi e forcoi akoma më shumë regjimin komunist.

“Këta njerëz u ekspozuan dhe u rrethuan lehtësisht nga regjimi komunist”.

I pyetur se ku bazohet për librin e tij, Long thotë: “Për fat të keq arkivat shqiptare nuk janë të hapura, ka vetëm disa dëshmi. Më shumë jam bazuar tek arkivat amerikane. Janë shumë të rëndësishme pasi dëshmojnë shumë për marrëdhëniet e CIA-s me MI6 në Londër. Ato ilustrojnë antagonizimin mes Uashingtonit dhe Londrës”.

“Amerikanët kishin dyshime ndaj britanikëve. Sipas tyre, britanikët po punonin pas shpine kundër amerikanëve, po tentonin të bënin marrëveshje sekrete me grekët, italianët, me regjimin e Titos. Amerikanët kishin disa arsye për të dyshuar”.

“Britanikët nga ana tjetër druheshin se amerikanët mund të shkonin shumë larg. Kishin frikë se amerikanët mund të provokonin një revolucion të parakohshëm në Shqipëri, duke sjellë reagimin e rusëve, çka do trazonte rajonin e Ballkanit. Amerikanët u frenuan nga britanikët”.

“Shumë nga ata që u kapën, u burgosën dhe nuk e panë kurrë më dritën e ditës”.

“I famshëm është gjyqi i Hamit Matjanit, guerilasi që ishte infiltruar disa herë. Regjimi i Hoxhës ishte i dëshpëruar për ta kapur. Dhe kur u kap, ai u vra publikisht me varje”/MAPO. /KultPlus.com

Gjoba deri në 20 mijë euro për bizneset që nuk i vendosin flamujt e origjinës së produktit

Edhe pse ka 20 ditë që ka hyrë në fuqi Udhëzimi administrativ për caktimin e formës dhe përmbajtjes dhe përdorimit të flamurit mbi origjinën e produktit, bizneseve iu është dhënë afat që deri më 1 shkurt t’i vendosin ata pranë produkteve, për të treguar vendin e origjinës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në të kundërtën, Inspektorati i Tregut në Ministri të Tregtisë dhe Industrisë ka paralajmëruar se pas kësaj date do të ketë dënim nga 1 mijë euro deri në paraqitje në gjykatë, e që gjoba për këtë të fundit mund të arrijë deri në 20 mijë euro.

Udhëzimi administrativ përcakton rregullat lidhur me vendosjen e kësaj etikete që tregon flamurin e shtetit të origjinës së mallrave.

“Flamuri i origjinës së produktit duhet të vendoset afër çmimit të shitjes apo çmimit për njësi jo më larg se 1 centimetër nga çmimi i produktit; Madhësia e flamurit që tregon origjinën e produktit të shtetit duhet të jetë në madhësi proporcionale me çmimin e produktit”, thuhet në dy paragrafët e parë të nenit të katërt.

Aty thuhet se “origjina e produktit të importuar përcaktohet nga autoritetet doganore”. /KultPlus.com

Çfarë do të bëjë Komuna e Prishtinës, me objektin e Kishës Ortodokse Serbe

Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, teksa ka folur për statutin që Komuna pritet që t’i jap objektit të Kishës Ortodokse serbe, në oborr të UP-së, ka thënë se ai objekt do të trajtohet si secili objekt tjetër pa leje në Komunë.

VIDEO

Tahiri ka pranuar për InDoks, që udhëheqësit e Kishës Ortodokse serbe, asnjëherë nuk kanë aplikuar në Komunën e Prishtinës, që objekti në oborr të UP-së, të legalizohet.

Por, thotë se janë të vendosur që “në zemër të Prishtinës të moslejohet të bëhen ndërtime pa leje”.

“Ne atë objekt do ta trajtojmë sikur cdo objekt tjetër pa leje në Prishtinë. Kjo nuk ka të bëjë fare me cështje fetare apo etnike. Mirëpo nuk mund të lejomë që në zemër të Prishtinës të bëhen ndërtime pa leje”, ka thënë Tahiri.

Dokumentarin e plotë “Kisha e dhunshme e regjimit”, mund ta shikoni këtu:

Dr. Ibrahim RUGOVA – Histori dhe mrekulli (1944-2006)

Shkruan: Don Lush Gjergji

                                    (Përvjetori i vdekjes)

Sot, si dhe shumë ditë dhe shumë herë, jam në shoqëri” me Mikun, Vëllain, Vizionarin, nuk është teprim të thuhet  edhe “profetin” dhe arkitektin e Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën. Ndihem “mirë” së bashku me Të shpirtërisht, edhe pse më mungon prania e tij fizike. Komunikoj me Të nëpërmjet fesë, uratës, dashurisë, falënderimit. Si shpesh herë, kur rrinim, bisedonim, takoheshim, shqyrtonim, analizonim gjendjen tonë historike dhe aktuale, planifikonim udhëtimet tona nëpër botë, në kërkim, “shfletoj” kujtimet, shënimet, albumet…

Kërkonim shteg apo rrugëdalje për një popull të shkretë dhe të robëruar, të nëpërkëmbur dhe të nënçmuar, të poshtëruar dhe të sfiduar, shpesh në breg të “varrit”, si “Pakica” e Izraelitëve që ishte në pritje të kthimit në atdhe, të lirisë së humbur dhe të mohuar, të rrezikimit deri te shfarosja…

Mirëpo Presidenti ynë dr. Ibrahim Rugova kishte në besim të madh dhe të pathyeshëm në Zotin dhe në Popullin, si dhe në miqtë tanë, SHBA-në, Bashkësinë Evropiane dhe Selinë e Shenjtë, sidomos në Papën Gjon Pali II. Dhe nuk ishte mashtruar. Përpos Zotit, që i besonte dhe e kërkonte në mënyrë “burimore” nëpërmjet Drejtësisë, Paqes, Lirisë, Demokracisë, Pavarësisë, vlera këto që janë universale, për të gjithë, pra, edhe për ne Shqiptarët, dhe Popullin të cilin duhet ta “motivojmë dhe bashkojmë”.

Shi për këtë ai çmonte, nderonte dhe e donte shumë Prof. Anton Çettën, Imzot Nikë Prelën, veprimtarët e Pajtimit, sepse thoshte, “këta njerëz dhe bashkëpunëtorët e tyre, po e lirojnë popullin nga ndarja, përçarja, ngatërresa, hak apo gjak – marrja, si parakusht për liri, demokraci dhe pavarësi”. Dhe vazhdonte: “Kur të jemi të bashkuar, një, atëherë edhe Zoti do të jetë me ne, si dhe bota demokratike, paqedashëse dhe liridashëse…”.

Dhe ndodhi ajo që pak kush besonte, mos të them askush, lufta mes Davidit – Dr. Ibrahim Rugovës, dhe Goliatit – Milosheviqit, Serbisë, me fitore mahnitëse, ndërhyrja e botës në dobi dhe të mirë tonë, si Lufta e parë dhe e vetme “humanitare, preventive, shpëtimprurëse” për një popull, për ne Shqiptarët, që ishim para sfidave të shkatërrimit dhe asgjësimit apo dëbimit masiv.

Dr. Ibrahim Rugova çështjen shqiptare, në veçanti atë të Kosovës, e shndërroi në çështje të ndërgjegjes, përgjegjësisë dhe bashkëpërgjegjësisë botërore.

Unë e vlerësoj Presidentin Dr. Ibrahim Rugova si simbol e asaj çka ishte e kaluara jonë shekullore ilire-arbërore dhe shqiptare, tradita, kultura, qytetërimi dhe aspiratat shumëshekullore. Më kujtohet thënia e tij bindëse dhe profetike: “Nëse Nëna Tereze e ka përfituar mbarë njerëzimin me fuqinë e fesë dhe me frymëzimin e dashurisë, përse ne mos ta fitojmë lirinë, demokracinë dhe pavarësinë me strategjinë paqësore jo-dhunore gandiane, edhe më mirë tereziane…”.

Nëpërmjet Imzot Pjetër Bogdanit, autorit të studiuar dhe të preferuar të Rugovës, ai e kishte krijuar  një “Çetë të Profetëve” moderne dhe për ditët tona nëpërmjet Zotit, Popullit Shqiptarë dhe botës mbarë.

Ky ishte botëkuptimi i tij filozofik, kulturor, shpirtëror, shoqëror për popullin tonë Shqiptar, për Kosovën tonë të tashme dhe të ardhme.

Presidenti i parë i Kosovës dr. Ibrahim Rugova lindi në Cerrcë të Istogut më 2 dhjetor 1944. Pas dramës familjare, pushkatimit të babait Ukë Rugovës, më 10 janar 1945, doli në pah burrnesha e rrallë dhe trimëresha e vërtetë, Sofë Rugova, e cila e theu traditën shekullore dhe vendosi ta rriste djalin Ibrahimin, kuptohet me shumë flijime dhe me dashuri shembullore.

Këto dy ngjarje janë rrënjët e thella dhe të forta në personalitetin e shquar të Presidentit tonë të ndjerë dr. Ibrahim Rugova, i cili ia dëshmoi botës lashtësinë, martirizimin, traditën, kulturën dhe qytetërimin tonë ilir-arbëror dhe shqiptar, aftësinë për flijime, vëllazërinë gjithëshqiptare, strategjinë paqësore jo-dhunore, nevojën, dëshirën dhe domosdoshmërinë për liri dhe demokraci me mjete paqësore.

Shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen në Pejë, fakultetin në Prishtinë (1971). Gjatë një viti akademik (1976-1977) ishte në specializim në Paris. Doktoroi në Universitetin e Kosovës në vitin 1984.

Dallohej si Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për shumë vite, sidomos si mbrojtës i dinjitetit, identitetit dhe lirisë sonë kombëtare dhe kulturore, atëherë kur ishte rrezik të jetosh e jo më të veprosh në lëmin politik dhe kulturor. Të gjitha këto ai i përmblidhte në binomin bërthamor dhe me porosi tashmë të njohur: vetëvendosja dhe pavarësia e Kosovës.

Ishte studiues dhe krijues burimor, njohës i thellë i traditës dhe kulturës sonë të lashtë, kritik letrar me aftësi të rralla shkoqitëse, njohuri të sakta, stil elegant, qëndrime gjithnjë pozitive dhe optimiste për kontekstin shoqëror dhe hapësinor shqiptar. Mbi të gjitha ishte strategu i politikës paqësore, do të thosha edhe më tepër, Profeti i Paqes, Gandi i ditëve tona në dimensione kombëtare dhe ndërkombëtare, njeri i cili shkencën, kulturën, artin, jetën e vuri në shërbim të politikës, ndërsa politikën në shërbim të së mirës së përbashkët, duke dëshmuar kështu një stil të ri tejet human të politikës paqësore dhe jo-dhunore.

Shpesh thoshte: “Politika nuk është matematikë”, duke menduar dhe theksuar se njeriu nuk është kurrë vetëm numër, por person, individ i pacenueshëm, dhe se pakica dhe shumica duhet të bashkëpunojnë gjithnjë në kërkimin dhe zbatimin e paqes.

Pastaj vazhdonte: “Arma jonë e fuqishme është lashtësia, tradita, kultura, rrënjët  dhe identiteti ynë, si dhe rinia jonë… Ne duam dhe kërkojmë mënyra demokratike që të na pranojnë për atë çka jemi e pa e dëmtuar askënd… Nëse ne do ta mposhtim urrejtjen, ndarjet dhe përçarjet, sidomos traditën e gjak apo hak-marrjes, atëherë do të jemi të lirë dhe popull demokratik… Intelektualët shqiptarë duan të jenë në shërbim të popullitÇka na duhet Kosova e përgjysmuar nga masakrimet apo përjashtimet… Tani është e rëndësishme ta shpëtojmë popullin. Do të kërkojmë prej bashkësisë ndërkombëtare një fazë kalimtare, protektoratin ndërkombëtar për disa vite, e pastaj do të punojmë së bashku për pavarësinë e Kosovës… Në mua kanë ndikuar shumë pozitivisht dy personalitete botërore, Papa Gjon Pali II dhe Nëna Tereze…”.

Këto mendime, vlerësime dhe përcaktime Presidenti dr. Ibrahim Rugova i ka shprehur shumë më herët, si vizion dhe profeci, që për disa dukeshin ëndërrime, utopi, pasivizëm, dhe ja, fatbardhësisht, ato tani janë proces dhe në fazën e zbatimit përfundimtar.

Dr. Ibrahim Rugova nuk “diti” dhe nuk deshi kurrë të mbrohet, por urtisht, guximisht dhe me shumë sukses e kudo e mbrojti popullin shqiptar, sidomos Kosovën. Ai nuk “diti” dhe nuk deshi kurrë ta sulmonte askend, përpos të keqen, padrejtësinë, diktaturën, urrejtjen, rrenën, mashtrimin, dhe atë gjithnjë me fuqinë e së vërtetës, me strategjinë këmbëngulëse dhe frymëzuese për falje, pajtim, bashkëpunim dhe bashkëjetesë me të gjithë.

Mu për këtë ishte dhe do të jetë përfaqësuesi ynë i denjë në luftë për liri dhe demokraci në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë viteve 1989-1999  si dhe pas Luftës, deri në vdekje (21 janar 2006). Do të thoja së bashku me Nënësn Tereze se dr. Ibrahim Rugova “e dha pjesën më të mirë të vetvetes”.

Si  “testament” kulturor e la kompletin e tetë vëllimeve, kujtimin e njeriut të qetë dhe të urtë, të flijimtarit të pakursyeshëm, të strategut të paqes dhe të lirisë, këmbëngulesin e bindur dhe besnik të pavarësisë së Kosovës.

Bota e çmoi dhe nderoi me shumë shpërblime. Bota demokratike ishte me Presidentin tonë gjatë jetës së tij, sidoms në varrimin e tij madhështor, që në një mënyrë ishte edhe promovimi i pavarësisë sonë. Shpërblimi më i madh, kuptohet, nga ana e Zotit, është pavdekësia, amshimi, jeta e pasosur, ndërsa nga ana njerëzore, kombëtare dhe ndërkombëtare, është pa dyshim pavarësia e Kosovës, që edhe ne gjurmave të tija të shkojmë dhe atë mos ta harrojmë.

Prishtinë, 21 janar 2019                                                              

Tani mund ta merrni me qera shtëpinë ku George Orwell kishte shkruar “1984”

Me fraza të tilla si “fakte alternative” dhe “fake news” që tani janë bërë pjesë e leksikut tonë të përditshëm, vazhdojnë ende të bëhen krahasime midis realitetit tonë aktual politik dhe makthit të paraqitur nga George Orwell në librin e tij klasik “1984”.

Në roman, termi i shpikur “doublethink”, që do të thotë “fuqia e mbajtjes së dy besimeve kontradiktore në mendje dhe pranimi i të dyjave”. Mund të ju tingllojë e njohur?

Nuk na vjen në mend një kohë më e përshtatshme për të banuar në shtëpinë e izoluar ku Orwell kishte qëndruar përgjatë kohës kur kishte shkruar ”1984”. Barnhill është një shtëpi-fermë në ishujt e largët të Jura në Hebride. Për arsye se nuk ka asnjeri përrreth, zona është një e njohur për kafshë të egra, kështu që  duhet të jeni të gatshëm të ndani kopshtin tuaj me dhi apo me drerë. Në paqen dhe izolimin e mjedisit, Orwell ishte në gjendje të imagjinonte një të ardhme të tmerrshme për njerëzimin në vitin 1984, duke shkruar gjithë romanin gjatë qëndrimit të tij në Barnhill, ku autori kishte ikur nga vëmenja e londinezëve.

PËRDERISA ORWELL ERDHI KËTU PËR TË IMAGJINUAR TË ARDHMEN, NE DO TË IKIM KËTU PËR TË HARRUAR ATË PËR PAK KOHË

Pothuajse e paprekur që nga ditët kur Orwell kishte qëndruar në të, shtëpia është në pronësi të familjes Fletcher, e cila e kishte marrë me qira nga Orwell në vitet 1940. Shtëpia është pothuajse krejtësisht jashtë rrjetit, dhe do ju nevojitet një varkë ose një 4×4 për të arritur atje.

Do të keni mbështetjen e një gjeneratoir për dritë elektrike dhe t’i mbushni telefonat (por ai nuk e përballon një tharëse të flokëve), ka edhe një frigorifer të vogël me gaz.

Pa miratimin e mësimdhënësve grevistë, Komuna e Junikut thotë se mësimi fillon nesër

Pa marrë miratimin e mësimdhënëseve, Komuna e Junikut, ka thënë se mësimi në këtë Komunë do të nisë nesër. Por këtë e ka përgënjeshtruar SBASHK-u.

“Njoftojmë të gjithë qytetarët se nesër me datë 21. 01. 2019, e hënë fillon gjysmëvjetori i dytë në të gjitha shkollat në Komunën së Junikut sipas orarit paraprak. Të gjithë mësimdhënësve dhe nxënësve ju urojmë sukses!”, është shkruar në faqen zyrtare të Komunës së Junikut në Facebook.

Koha.net ka folur edhe me kryetarin Komunës së Junikut, Agron Kuçi, i cili ka përsëritur të njëjtën gjë. Ka thënë se “nesër fillon mësimi në të gjitha shkollat e kësaj komune, për arsye që Qeveria i ka përmbushur kërkesat e mësimdhënësve”.

Ai ka thënë edhe se kjo grevë po shkon vetëm në dëm të nxënësve.

Por ndryshe janë shprehur në SBASHK.

Ymer Ymeri, menaxher financiar në këtë sindikatë, duke rikujtuar se kanë refuzuar kërkesën e Qeverisë ka thënë se “greva do të vazhdojë në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë edhe atë të Junikut”.

“Komuna nuk është ajo që ka hyrë në grevë por mësimdhënësit”, ka thënë ai.

Edhe Arsim Krasniqi, kryetar i degës së SBASHK-ut në këtë Komunë ka thënë se ata nuk do të veprojnë ndryshe nga degët tjera të SBASHK-ut.

Juniku udhëhiqet nga Agron Kuçi i AAK-së sp Ramush Haradinajt, kryeministër i vendit.

Raporti i Bankës Botërore: Nivel i ulët i cilësisë së arsimit në Kosovë

Fëmijët në Kosovë deri në moshën 18 vjeçare pritet të ndjekin 12.8 vite të shkollimit parafillor, fillor dhe të mesëm, mirëpo kur vitet e tyre të shkollimit nivelohen për nga cilësia e arsimit, atëherë shkollimi i tyre është i barabartë vetëm me 7.7 vite, që do të thotë se ata kanë një mungesë prej 5.1 viteve të arsimit.

Kështu ka analizuar raporti i ri krahasues i Bankës Botërore, Indeksi i Kapitalit Njerëzor (HCI).

Sipas raportit, një fëmijë i lindur sot në Kosovë do të jetë vetëm 56 për qind produktiv kur të rritet në krahasim me fëmijën që do të kishte arsimim komplet dhe shëndet të plotë.

Në përgjithësi, Indeksi i Kapitalit Njerëzor i Kosovës është nën mesataren e rajonit, por mbi mesataren e grupit të saj të të hyrave.

Indeksi HCI përbëhet nga pesë indikatorë: gjasat për mbijetesë deri në moshën 5-vjeçare, vitet e pritura të shkollimit të një fëmije, rezultatet e testeve të harmonizuara që masin cilësinë e mësimit, shkalla e mbijetesës së të rriturve, dhe proporcioni i fëmijëve që nuk kanë kufizime në zhvillim. 

Këshillat e Çabejit për mësuesit: Mos përzieni punën me pushimin dhe pushimin me punën

Eqrem Çabej ka qenë një arsimtar, gjuhëtar dhe albanolog i shquar shqiptar. Më poshtë ju sjellim letrën që ai ua kishte kushtuar mësuesve, duke ua kujtuar që mësuesia është mision dhe se shembullin duhet ta japin përmes sjelljes së tyre.

Më poshtë letra dhe këshillat e Eqrem Çabejit për mësuesit.

Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut.
Gabimet që mund të bëjnë profesionistët e ndryshëm, mund të korrigjohen me disa shpenzime, por gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos është e pamundur, ta ndreqësh atë. Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shembullit tuaj. Në rast se ju silleni keq, edhe sikur të mbani dhjetëra leksione morali, ose leksione për nevojën e sjelljes së mirë, nxënësit nuk do të përfitojnë asgjë, ata do të ndikohen kryesisht prej sjelljes suaj. Shembulli të bën ta ndjekësh njeriun.

• Kur punoni, punoni seriozisht dhe me ritmin e duhur.
• Mos u merrni me muhabete gjatë punës. Kur të pushoni, pushoni vërtet.
• Mos përzieni punën me pushimin dhe pushimin me punën.
• Ata të cilët gjatë punës bëjnë muhabete dhe gjatë pushimit përpiqen të kryejnë ndonjë punë të mbetur në mes, nuk arrijnë rezultatet e duhura.
• Mos jini kategorikë.
• Gjithçka shikojeni me sy kritik.
• Mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime, kur mendoni ndryshe.
• Mos kini turp të pyesni për gjëra që nuk i keni të qarta
• Gjërat e paqarta nuk mbahen mend.
• Mos bëni asnjë punë shkel e shko.
• Mos filloni të shkruani diçka pa e pasur të qartë në kokën tuaj.
• Mos lini asnjë punë pa e përfunduar plotësisht dhe si duhet.
• Mos merrni dhe mos lejoni t’ju marrin dinjitetin nëpër këmbë.
• Jeta e njeriut është një fragment i planeve, dëshirave dhe ëndrrave të tij, prandaj kushtojuni planeve, dëshirave dhe ëndrrave tuaja m

SBASHK nuk pranon ofertën e Haradinajt: Greva do të vazhdojë

SBASHK-u nuk po pranon ofertën e kryeministrit Ramush Haradinajt për rritje të pagave në 20 milionë euro në vit.

Kryetari i SBASHK-ut për Prishtinë, Ahmet Pllana, tha se greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre për të rritur koeficientin, njofton Klan Kosova.

“SBASHK do të vashdojë grevën derisa Qeveria pranon të rrisë koeficientin nga 2 në 2.6 për shkolla fillore. Nëse nuk plotësohenn kërkesat tona do të mblidhet Këshilli dhe do të merren masa më të ashpra deri në protesta”, tha Pllana për klankosova.tv.

Ndërkaq, Haradinaj pas takimit me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharajt, ka dalë në një konferencë për media ku tha se bashkë me ministrin e Financave kanë marrë vendim për ngritje pagash.

Dorëzohet Haradinaj, rrit pagat për mësimdhënësit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sonte se është takuar me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, të cilin e ka njoftuar për vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave për mësimdhënësve të sistemit parauniversitar.

Ka një rritje substanciale të pagave, tha Haradinaj, duke theksuar se për këtë rritje janë dakorduar të gjithë, përfshirë edhe partitë opozitare, raporton KALLXO.com.

Haradinaj tha se për këtë rritje e ka njoftuar edhe kryetarin e SBASHK-ut, të cilit i ka kërkuar ndërprerjen e grevës.

Siapas kryeministrit, rritja për mësimdhënësit e shkollave të mesme do të jetë 74 euro nga paga aktuale.

Për arsimin fillor nga 479 euro sa është aktualisht –  në 525.8, pra rritja është 46 euro.

Për mësimdhënësit e sistemit parashkollor nga 447.9 sa është tani rritja është në 501 euro.

Kurse për kategorinë e mësimdhënësve të shkollave speciale, rritja do të jetë për 49.8 euro.

Haradinaj tha se e ka ftuar Këshillin Drejtues të SBAShK-ut që ta shqyrtojë këtë ofertë dhe të marrë vendim të arsyeshëm.

“Do të ishte një mashtrim nëse grevistët mendojnë që do ta kenë një ofertë tjetër. Kjo është oferta e Qeverisë, 20 milionë euro më shumë për arsim”, tha kryeministri.

Kryeministri tha se i ka kërkuar kryetarit të SBAShK-ut të ndërpritet greva dhe nesër të fillojë mësimi.

I riu nga Gjilani ndjek shembullin e Gjermanisë, vendos këmbimore librash në qytet

Një i ri nga Gjilan ka marrë si model atë  që kishte parë në Gjermani. I riu nga Dobërqani ka vendosur këmbimore librash në qytet, përcjell KultPlus. 

Duke marrë si model nga ajo që kishte parë në Gjermani, i riu Agron Murseli ka vendosur një këmbimore librash nga e cila dashamirët e librit do të mund të vendosin një libër dhe në këmbim të marrin një tjetër për ta lexuar.

“Duke e parë një këmbimore për Libra në Gjermani fillova ta ndërtoj që ta kemi edhe ne një në fshatin ton, këmbimore për libra. Fillimi do të jetë të furnizohemi me disa libra pastaj të interesuarit atë që e kanë lexuar ta sjellin dhe ta marrin atë që se ka lexuar”. theksoi ai.

Ai tregoi edhe shpenzimet që ka bërë duke inkurajuar të tjerët ta bëjnë të njëjtën gjë. “Të interesuarit që dëshirojnë me kontribu që t’kemi edhe me shumë këmbimore kjo e gjitha ka kushtuar 45€”, ka përfunduar ai.

Burimi: Radio Star Gjilan

Kur qytetarët duronin në -20 gradë për të bërë homazhe për Rugovën (VIDEO)

Janari i vitit 2006 do të mbahet mend për dy gjëra. E para ishte vdekja e Presidentit të parë të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe së dyti për ftohtin e madh në atë dimër.

Në këtë video të Associated Press, shihet se edhe pse ishte ftoft i madh, nuk mund t’i ndal popullin për të bërë homazhe te arkivoli i presidentit gjendej në hollin e Parlamentit të Kosovës, ku populli nga i gjithë vendi dhe jashtë tij bënin homazhe

Rendi i njerëzve shtrihej me qindra metra duke pritur për tu futur në hollin e Parlamentit të Kosovës.

Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës reagon lidhur me rastin e Kaltrina Ibishit

Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka reaguar lidhur me rastin e ushtrimit të dhunës ndaj Kaltrina Ibishit, shkruan KultPlus.

Në reagim thuhet se rastin e publikimit të dhunës së ushtruar kundër Kaltrina Ibishit, e kanë përjetuar rëndë për faktin se dhuna e ushtruar kundër gruas, si gjini fizikisht më e pafuqishme, ka shëmtinë e vet arkaike, burracakërinë dhe perversitetin.

“Të jeni të bindur se raste të tilla të dhunës ka dhe janë të shumta. Dhuna nuk ushtrohet vetëm në zonat rurale, aty ku në përqindje është më i theksuar patriarkalizmi. Dhuna ushtrohet edhe nga njerëzit e veshur me kravata, edhe nga njerëzit më kuleta të fryra, edhe nga politikanë të profileve të ndryshme, madje edhe nga vetë predikuesit fetarë. Madje këta të fundit thonë se gruaja duhet të varroset më thellë se burri. E turpshme kjo”, thuhet në reagim.

Tutje në reagim thuhet se zëri i Kaltrina Ibishit e të tjerave si ajo, duhet të dëgjohen më shumë në shoqëri.

“Si çdo plagë trupore, edhe kjo plagë e shoqërisë duhet të hapet që e keqja të del. Zëri i Kaltrinës është një zë, fatkeqësisht shumë i vetmuar, siç është edhe vetë zëri i Oso-s së vogël – djalit të, Kaltrinës, si përjetues i dhunës. Kaltrina është një ekzemplar shembullor i një heroine. E tillë na duhet ne femrave sot. Ajo është një heroinë çfarë i duhet shoqërisë tonë për shërimin e plagëve arkaike të dominimit gjinor”, thuhet tutje në reagim. / KultPlus.com

Nesër bëhen 13 vite pa Rugovën

Nesër shënohet 13 vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova.

Presidenti Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Në përvjetorin e parë të vdekjes së Ibrahim Rugovës, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi Rugovën me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës.

Dr. Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugovën, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

Epidemia narciziste e fotove sot dhe para 10 vitesh

Nga Lavdie Dobi Banushi

Ditët e fundit, në të gjithë rrjetet sociale, është bërë virale sfida e të krahasuarit të fotove para dhe pas. Kjo dëshirë për të parë nga e shkuara, e për t’u ballafaquar me te sotshmen ka prekur këdo. Nuk përcaktohet saktë kujt i përket merita e të parit/ës që u bë nismëtar i kësaj “epidemie narcisiste”.

Këtij “virusi” për të evidentuar ndryshimet fizike përgjatë 10 viteve nuk i kanë shpëtuar yje botërorë, personazhe publike e njerëz të përditshmërisë. Ka edhe nga ata që kanë pakënaqësi dhe zgjedhin ashtu si padashje një foto të pesë-gjashtë viteve më parë. Këta/o autokritikë herë krenohen e herë demoralizohen për këtë mos ndikim që faktori kohë ka.

Motoja dhjetë vite më parë, na rikujton kush ishim, e cilët jemi sot. Mbase kjo sfidë i tejkalon pritshmëritë që kemi ndaj vetes, i kalon kufijtë e fizikes, shkon përtej tek mentalja, profesionalja, e realizimi. Pas këtyre viteve fshihet një histori jetësore. Pas rrudhave të shtuara, kilogramëve të vëna, stilit të ndryshuar të veshjes, pozimit përballë aparatit fshihet dicka më tepër. Kjo modë e fundit e para dhe pas-it, ka të bëjë edhe me vetëreflektimin. Thirrja “kujto kush ishe” e ” shiko kush je” duket sikur të ngacmon ndërgjegjen e thërret “kush do të jesh”? Një fotografi e shkrepur vite më parë, të shton vullnetin për ta dashur veten edhe sot. Sa vlerë mbartin dy poza? Sa rëndësi ka ” privatja” jonë, e dëshira për t’u bërë domosdoshmërisht “publike”? Vlen me siguri për tu përgjigjur në çmendurinë mediatike të rradhës.

“The Sun”: Shqipëria, një Kroaci e re

Gazeta britanike “The Sun” ka botuar një artikull mbi dhjetë destinacionet më të mira në të gjithë botën për turizëm mes të cilave përmend edhe Rivierën Shqiptare.

“Nëse po kërkoni të filloni vitin me një aventurë të re, këtu janë disa sugjerime që do t’ju ndihmonin për udhëtimet tuaja,” shkruan gazeta.

Riviera Shqiptare

PSE ËSHTË E NJOHUR: Vendasit i kanë ruajtur me dinakëri për vete plazhet dhe gjiret e detit për dekada të tëra.

Por tani, Lonely Planet e ka quajtur vendin një destinacion të mirë për 2019. Mund të vini bast se është vetëm çështje kohe para se Shqipëria të bëhet një Kroaci e re.

ÇFARË PRESIN TURISTËT: “Njerëzit shpesh kanë një imazh të ashpër për Shqipërinë,” na tregon Tom.

“Prandaj, ata mbeten të befasuar kur shohin se sa idilik është ai vend”.

Në Drimadhë, vizitori ndjen shijen e parajsës shqiptare: hotelet e bukura dhe baret rreshtohen përgjatë rërës së bardhë, plazhit dhe detit si pastër si kristali.

Gjithashtu, Shqipëria në mënyrë të konsiderueshme ia kalon Greqisë dhe Italisë fqinjë kur është fjala për koston.

Vera nё Shqipёri ka temperaturat mё tё mira mbi 20°C, por edhe turmat më të mëdha për shkak të popullaritetit të saj në rritje.

Prandaj, provo tё vizitosh Shqipërinë në maj dhe shtator.

“Mundohuni të vizitoni Shqipërinë gjatë majit ose shtatorit për të shmangur turmat e mëdha për shkak të popullaritetit të saj në rritje”, përfundon “The Sun”/ata/ KultPlus.com

‘Ajo ecën qetë dhe koha s’e prek’ (VIDEO)

Vjollca Robelli- Mripa për më shumë se një dekadë është larguar nga Kosova për në Londër, por zëri i saj është mishëruar me gjithë publikun këtu përmes këngës “Ajo”, me të cilën vazhdon të identifikohet personaliteti i saj artistik.

Para dy vitesh, ajo u kthye me një koncert në Prishtinë në kuadër të festivalit ‘Femart’,  përmes së  cili kishte bindur publikun se Robelli kishte lenë një zbrazëti në skenën muzikore shqiptare.

Këngëtarja Vjollca Robelli-Mripa po vazhdon karrierën e saj në Londër duke bashkëpunuar me instrumentistë ndërkombëtarë ndërsa në krijimet e saj gjithnjë ka gjetur lidhjen mes muzikës jazz me  muzikën folklorike shqiptare. Ajo pritet që këtë vit të publikojë albumin e saj më të ri.

KultPlus ju rikujton sot këtë këngë të krijuar në vitin 2002 dhe që atëherë arriti të prek majat e top-listave shqiptare.

Ajo, ecen qete dhe koha se prek

Ajo, I kthen buzeqeshjen edhe pse ndjek

Ajo e mban per dore fort dhe se lshon, dhe

Nuk e leshon

Ajo ec me flladin qe e perkedhel

Ajo daten e te sotmes nuk e ndjen

Ajo eshte shpetimi qe ne e kerkojme,

qe ne e kerkojme

Ref 2x: E ne vazhdojme,

brenda kater mureve me neon.

Me mikroskop e gjithe bota shikimin e drejton

E ajo ecen qe dhe koha dot nuk e preke,

Nuk mundet ta preke

Ajo, ecen qete dhe koha se prek

Ajo, I kthen buzeqeshjen edhe pse ndjek

Ajo e mban per dore fort dhe se lshon, dhe

Nuk e leshon

Ajo ec me flladin qe e perkedhel

Ajo daten e te sotmes nuk e ndjen

Ajo eshte shpetimi qe ne e kerkojme,

qe ne e kerkojme

Ref 2x: E ne vazhdojme,

brenda kater mureve me neon.

Me mikroskop e gjithe bota shikimin e drejton

E ajo ecen qe dhe koha dot nuk e preke,

Nuk mundet ta preke

Një shkencëtare e re shqiptare po shkëlqen në Zvicër

Punimi i një shkencëtareje të re shqiptare në fushën e neuroshkencës ka tërhequr vëmendjen e mediave më prestigjioze zviceriane. Ishte pasioni i saj i madh për neuroshkencën dhe misteret e trurit që e çuan të studiojë dhe, më pas, të punojë si mjeke dhe kërkuese shkencore në Zvicër, kontributi i së cilës ze një vend të veçantë në këtë fushë të dijes njerëzore.

Indrit Bègue (Sinanaj), Doktore Shkencash në Neuroshkencë, është kërkuese postdoktorale në Departamentin e Psikiatrisë së Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Gjenevës dhe mjeke psikiatre në specializim në Departamentin e Shëndetit Mendor dhe Psikiatrisë në Spitalin Universitar të Gjenevës.

Në punimin e saj shkencor, ajo ka testuar nivelin e vetëbesimit dhe të sigurisë që kemi kur gjykojmë shprehjet emocionale në fytyrën e njerëzve të tjerë dhe ka zbuluar se cilat zona të trurit aktivizohen gjatë këtij procesi. Shkencëtarët kryen një studim në 34 persona dhe konstatuan që vetëbesimi në njohjen e shprehive emocionale të fytyrës ishte më i madh se ç’duhej, ndërsa saktësia e njohjes së këtyre shprehive ishte më e ulët. Dr. Bègue provon se bindja në interpretimin tonë emocional rrjedh drejtpërdrejt nga përvojat e ruajtura në kujtesën tonë, shkruan rtsh.

Studiuesja ka ekzaminuar zonat e trurit duke përftuar skanime nga pjesëmarrësit në studim përmes një rezonance magnetike funksionale dhe ka evidentuar aktivizimin e zonave të kujtesës autobiografike dhe kontekstuale.

Dua Lipa zbulon ‘rregullat e reja’ për 2019

Dua Lipa, këngëtarja shqiptare u nominua me dy çmime në Grammy dhe me 4 çmime në BRIT Awards. Dhe ylli i muzikës ka zbuluar prioritetet e saj për vitin 2019. Padyshim që fansat e saj do jenë shumë të lumtur nga lajmi që Dua zbuloi.

Ylli i ‘New Rules’ tha se publikimi i albumit të dytë është prioriteti i saj këtë vit.

Duke folur për Rolling Stone, Dua tha: “Po punoj me të vërtetë shumë për të nxjerrë albumin e ri. Këto janë rregullat e reja që do u përmbahen. Do jem në studio për tu siguruar që do kthehem me gjëra zbavitëse për të gjithë.” Dua Lipa pritet të nxjerrë këngën ‘Sëan Song’ më 24 janar, që do jetë kolona zanore e filmit ‘Alita’.

Dua Lipa, verën e vitit të kaluar ka kënduar pothuajse të gjitha këngët e saj në koncertin e mbajtur në Prishtinë. Ajo i dhuroi publikut një mbrëmje të paharruar në kuadër të festivalit “Sunny Hill” që u mbajt për tri ditë radhazi në periferi të Prishtinës./ KultPlus.com